Shën Qipriani Mitropoliti i Kievit : 16 shtator
Lindi në Tërnovo të Bullgarisë në vitin 1330. Pasi u bë murg qëndroi në disa manastire të zonës së tij, veçantërisht në Kelifavero, dhe më pas vendoset në Kostandinopojë ku edhe lidhet me Patriarkun agjiorit Filotheo Kokino dhe për një periudhë qëndron në manastirin e Studit. Në vitin 1354 Qipriani shkoi në Malin e Shenjtë “në shkollën e asketizmit të lartë shpirtëror”. Jetoi një jetë erimitike në zonën e Lavrës së Madhe me studim dhe lutje të pandërprerë, asketizim dhe me kopjimin e veprave (shkrimeve) të etërve.
U kthye në Kostandinopojë dhe më pas Patriarku Filothe e dërgoi të baritonte në mitropolinë e Kievit. Më pas u bë mitropolit i të gjithë Rusisë (1378-1391). Rivaliteti dhe ndarjet e brendshme e hidhëruan mitropolitin e mirë. Duroi vite vuajtjesh dhe nuk e braktisi veprën e tij frytdhënëse, prej të cilës Kisha ruse përfitoi shumë. Shpëtoi pasurinë e kishës, që duhet ta kishin murgjit, të cilëve i’u solli frymën agjiorike.
Tre dekadat e kryepriftërisë së tij i sollën shumë fitore. Bashkoi mitropolitë e ndara të Rusisë në një mitropoli të Kievit, Galikisë dhe të gjithë Rusisë. I’u përkushtua me sukses të madh përkthimit dhe korrigjimit të librave kishtar dhe u tregua shkrimtar, kanonolog, liturgjiolog dhe kronograf i dalluar. Veprat e tij janë përkthimet e Pidaliut, Uratores, Psaltirit dhe shumë teksteve liturgjike, agjiologjike dhe askitikoniptike. Në kohën e tij u themelua lëvizja hezikaste rreth shën Sergjit të Radonezit, si dhe u forcua kthesa e rusëve drejt Malit të Shenjtë, e sidomos murgjërve.
Lipsani i tij mrekullibërës prehet në kishën e shenjtë të Fjetjes së Hyjlindëses në Kremlin të Moskës. Shenjtëria e tij u njoh në vitin 1472. Biografi i tij është mitropoliti i Kievit Grigor Camblak (1420).
Kujtimi i tij nderohet më 16 shtator dhe 27 maj.