Shën Joani i Huaji: 20 shtator
Oshënar Joani i Huaji është i panjohur për Sinaksaristët. Biografia e tij ruhet në një dorëshkrim në fshatin Siva të zonës së Pirgiotisas në Kretë, që ishte edhe atdheu i veçantë i Shenjtit.
Oshënar Joani i Huaji lindi prej prindërish besëmirë në kohën e perandorit Kostandin VII Porfirogjenet dhe në kohën e çlirimit të Kretës nga perandori Niqifor Foka në vitin 961 u vendos në fshatin Siva. Që në moshë të vogël kishte thirrje për jetën murgjërore dhe u bë eremit nëpër shpellat e Kretës, ku ushtronte lutjen dhe vetëpërmbajtjen. Më pas shkoi në malin Raksos, ku ndërtoi një kishë në emrin e Shenjtorëve Eftihi dhe Evtihian (17 gusht). Aty gjithashtu u qeth murg nga një Jerond i devotshëm dhe më pas u vendos në malin Miriokefalo. Në majën e këtij mali ndërtoi Manastirin e Hirshëm të Hyjlindëses Antifonitrias, i cili ka shpëtuar deri në ditët e sotme. Por Oshënari nuk qëndroi aty. Pasi lëvizi nëpër shumë vende të Kretës, ku ndërtoi Kisha dhe Manastire, u vendos në pjesën perëndimore të zonës së Kisamos, në fshatin Akti, ku ndërtoi një Manastir të Shën Evstathit. Aty pra, pasi jetoi një jetë oshënare dhe formuloi testamentin e tij, ndërroi jetë paqësisht.
Një burim i rëndësishëm për Oshënarin përbën kodiku i Bibliotekës Bodhiliane të Oksfordit, i cili përmban edhe një kopje besnike të Testamentit të Oshënarit.