Shën Joani Martir i Ri nga Konica : 23 shtator
Ky Shenjt martir i ri lindi në Konicë të Epirit, prej prindërish Musliman. Babai i tij ishte Dervish dhe Sheh në gradë. Në moshën 20 vjeçare hyri edhe ai në gradën e Dervishëve. Pasi kaloi disa vite në Janinë, shkoi në Vrahori (Agrinjo) të Etolisë, ku banoi në një shtëpi, që quhet Muselim saraj.Por papritur filloi që të jetonte si i krishter, hoqi rrobat e Dervishit dhe veshi ato të të krishterit. Më pas shkoi në Itakë, ku pranoi Pagëzimin e shenjtë me emrin Joan. Kur u rikthye në Etoli, u martua në fshatin Mahalas dhe punoi si roje në bujqësi. Por babai i tij dërgoi njerëz që ta bindnin të kthehej në besimin e mëparshëm, por ai i largonte ata. Atëherë u burgos nga Muselimi i Vrahorit, tek i cili pohoi me guxim emrin e tij të krishter dhe dashurinë për Krishtin. U torturua papushim. Përfundimisht i prenë kokën më 23 Shtator 1814. Të krishterët morën lipsanin e tij të shenjtë dhe e varrosën në një fermë në Vrahori.
Lipsanet e shenjta besimtarët më pas i çuan dhe i vendosën në Manastirin e Shenjtë të Prusas, ku u gjetën në 4 Janar 1974.