Shën Akilina: 27 shtator
Në një fshat të vogël të Selanikut, në Zagliveri, nga mesi i shekullit XVIII lindi Akilina e bukur. Ajo ishte vajzë e vetme dhe nëna e saj kishte një dobësi të madhe për të. Por kujdesi më i madh i saj, ishte që të mbillte në zemrën e fëmijës së saj besimin tek Krishti. Me dashuri e përqafonte dhe i fliste për Krishtin, për të Tërëshenjtën dhe për shenjtorët tanë. I thoshte se besimi ynë është diamanti më i shtrenjtë dhe nuk duhet që të lejonte askënd që t’ja grabiste. Akilina e vogël dëgjonte me shumë vëmendje fjalët e nënës së saj dhe i vendoste thellë në zemër.
Në ato vite të krishterët ishin skllavëruar prej turqve. Një ditë babai i saj, Gjergji, u grind me një turk dhe e vrau atë. Duke qenë se e priste vdekja, që të shpëtonte mohoi besimin e tij dhe u islamizua. Sigurisht premtoi edhe se do të bënte edhe familjen e tij që të ndryshonte besim. Nëna, pas kësaj goditje të rëndë dhe pas këtij turpi, vetëm një shqetësim kishte, të mbronte vajzën e saj nga islamizimi.
Akilina u rrit dhe bashkë me të u rrit edhe hiri edhe bukuria e saj. Një ditë kur shkoi tek çezma që të mbushte shtambën e saj, e pa i biri i pashës së Selanikut. U mahnit kaq shumë nga bukuria e saj, saqë menjëherë i kërkoi të atit të saj që ta merrte për grua. Gjegji, natyrisht pranoi me shumë gëzim, por Akilina refuzoi në mënyrë kategorike.
Atëherë vetë i ati i saj e dorëzoi tek turqit, që të bënin me të çfarë të donin. Ata e kapën, e zhveshën dhe e goditnin pa pushim. Tre ditë e torturuan. Akilina pohonte vazhdimisht se ishte e Krishter dhe e Krishter do të vdiste. Ditën e tretë e sjellin të gjakosur dhe gjysmë të vdekur në shtëpinë e saj. Nëna besimtare u shqetësua se mos kishte mohuar besimin tek Krishti, si Gjergji, burri i saj. Por sa shumë u ngazëllua shpirti i saj, kur dëgjoi fëmijën e saj shumë të dashur: “Nënë bëra siç më the. Diamantin që më besove e ruajta të pastër dhe të panjollosur. Tani po shkoj pranë Krishtit dhe Perëndisë tim”. Dha shpirt në duart e nënës më 27 Shtator 1764.
Trupin e saj martirik e varrosën në varrezat turke. Një dritë qiellore qëndronte mbi varrin e martires. Gjatë mbrëmjes tre të krishterë guxuan dhe zhvarrosën lipsanin martirik, dhe më pas e varrosën në një vend të panjohur. Askush nuk e mësoi të fshehtën e tyre. Askush deri në vitin 2012, kur u zbulua në Osa, pranë lipsanit të shën Kiranës. Sot shën Akilina është shenjtore mbrojtëse e Zagliverit, banorët e të cilit e nderojnë shumë shenjtoren dhe shtëpinë e saj e kanë kthyer në një vend lutjeje.