Shën Vatslavi Princi i Çekisë: 28 shtator
Shën Vatslavi, i cili me martirizimin e tij u bë “mbrojtësi qiellor i popullit sllav”, lindi rreth vitit 907, si bir i princit çek Vrapslav dhe gruas së tij Drahomira. Gjyshi i tij ishte princi çek Borzivu dhe gjyshja e tij shën Ludmilla. Shën Vatslavi u pagëzua sipas rendit orthodhoks sllavonik. Me rastin e ceremonisë kishtare të prerjes së flokëve të Vatslavosit, princi Borzivu ftoi një episkop të quajtur Notario bashkë me klerin e tij. Në kishën e Hyjlindëses, në kështjellën e Pragës u krye fillimisht liturgjia hyjnore dhe në vazhdim episkopi mori shën Vatslavin, e vendosi para tyrezës së shenjtë dhe e bekoi me këto fjalë: “Zot Jisu Krisht, beko këtë djalosh, siç bekove të gjithë të drejtët”.
Nën mbikqyrjen e prifti Pavël dhe të gjyshes së tij Ludmilla, shën Vatslavi filloi që të mësonte gjuhën sllavonike. Më pas babai i tij e dërgoi në kështjellën Budec me qëllim të studiojë edhe latinisht. Gjithashtu shenjti kishte njohuri edhe rreth gjuhës greke dhe i përkiste hegjemonëve të arsimuar të kohës.
Në vitin 920 babai i Vatslavit vdiq dhe në të njëjtin vit edhe gjyshja e tij e dashur Ludmilla ndërroi jetë si martire. Shenjti ishte vetëm 13 vjeç kur u ngjit në fronin e paraardhësve të tij. Deri sa të arrinte moshën madhore në emër të tij qeveriste nëna e tij Drahomira.
Në moshën 18 vjeçare princi mori pushtetin në duart e tij. Për të shmangur intrigat e oborrit vendosi që nënën e tij ta transferonte në kështjellën Bundec. Njëkohësisht solli edhe lipsanin e shën Ludmillës në kështjellën e Pargës, ku e vendosi në kishën e shën Gjergjit.
Si hegjemon shën Vatslavi ishte një shembull i krishterë. Me një jetë të lartë fetare dhe morale, zelltar për nderimin dhe lavdërimin e Perëndisë, interesohej për përhapjen e besimit të krishterë në të gjithë kombin, ndërtoi shumë kisha, dhe merrte pjesë rregullisht nëpër shërbesat kishtare. Ai interesohej edhe për të varfërit, të sëmurët dhe jetimët, i’u ofronte mikëpritje udhëtarëve dhe të huajve dhe nuk duronte asnjë padrejtësi. U bë një person i dashur për kombin e tij.
Por nuk ishte e thënë që të qeveriste për shumë kohë. Fisnikëve çek, nuk ju pëlqente që shenjti të reagonte kundër padrejtësive të tyre. Ata filluan komplotet e tyre dhe u përpoqën që të bindnin shenjtin se vëllai i tij do që ta vrasë dhe të njëjtën gjë i thanë edhe vëllait të tij Boleslavit. Shenjti nuk i besoi ndërsa vëllai i tij po.
Përfundimisht Boleslavi ftoi vëllain e tij në qytetin e sotëm të Starës, ku jetonte si princ. Shenjti e pranoi ftesën edhe pse ishte paralajmëruar për rreziqet. Pas liturgjisë hyjnore dëshironte të kthehej në Pragë. Boleslavi e ftoi që të mos largohej por të qëndrojë dhe të marrë pjesë në një simpozium. Vatslavi ra dakort. Përsëri e paralajmëruan se Boleslavi planifikonte që ta vriste. Përsëri shenjti nuk u besoi dhe la gjithçka në duart e Perëndisë.
Mëngjesin tjetër, shenjti u çua dhe po shkonte për në Kishë për shërbesën e mëngjesit. Vrasësit po e prisnin, nërsa vëllai Boleslavi vrapoi nga kështjella për në kishë. Shenjti dëgjoi hapat e tij, u kthye dhe pa Boleslavin. Atëherë e përshëndeti duke thënë: “Të rrosh vëlla, të falenderoj për festën e madhe që përgatite për mua.... Dashtë Krishti të të marrë në festën e tij të përjetëshme”. Boleslavi i’u përgjigj: “Festë më të mirë do të përgatis për ty sot”, dhe e goditi shenjtin me shpatën e tij. Por shenjti i hoqi shpatën nga dora dhe i tha: “Sa me ngathtësi dëshiron të më godasësh”. Përfundimisht i ktheu Boleslavit shpatën dhe tentoi të hynte në kishë.
Atëherë ndihmësit e Boleslavit, që deri atëherë ishin të fshehur, nxituan drejt shenjtit dhe e shpuan disa herë me shtizat dhe shpatat e tyre. Princin e vdekur e sollën në shtëpinë e priftit Krastei dhe aty e lanë, e veshën dhe e përgatitën për shërbesën e vdekjes. Trupi i nderuar i shenjtit u preh në kishën e qytetit të Boleslavit, por gjaku i tij për tre ditë nuk hiqej nga toka. Vetëm ditën e tretë u zhduk dhe si për habi u shfaq mbi varrin e Viaveslavit në kishë. Princi i shenjtë Vatslav u vra më 28 shtator 929.
Edhe pas vdekjes së Vatslavit, Perëndia shfaqi përmes trupit të shenjtit ndihmën e tij për të gjithë ata që kërkonin ndërmjetësimin e shenjtit. Ndodhën shumë mrekulli në vendin e varrimit të lipsaneve të shenjta.
Shën Vatslavi u nderua pak pas martirizimit, si një shenjt martir. U vra dhunshëm si gjyshja e tij shën Ludmilla. Pas tre vitesh trupi i tij u transferua në kështjellën e Pragës me iniciativën e vëllait të tij vrasës Boleslavit, i cili ishte penduar sinqerisht për veprimet e tij mëkatare.