E Diela e X-të e Lukait (Ungjilli sipas Lukait 13: 10-17. Përgatitur nga Miron Çako. Zyra e Katekizmit e Kryepiskopatës së Tiranës - KOASH
December 4, 2021 at 11:52 pm,
No comments
Të nderuar miq dhe të dashur vellëzër edhe motra në Krishtin.
Të dielën e X të Lukait në Kishën Orthodhokse lexojmë pjesën e ungjillit sipas Lukait:
"Edhe një të shtunë ishte duke mësuar në një sinagogë. 11Edhe ja ishte një grua që kishte frymë sëmundjeje tetëmbëdhjetë vjet, edhe ishte e kërrusur e nuk mundej fare të ngrihej drejt. 12Edhe Jisui kur e pa, e thirri dhe i tha: Grua, je e çliruar prej sëmundjes sate. 13Edhe vuri duart mbi të, edhe ajo menjëherë u drejtua, dhe lavdëronte Perëndinë.
14Por i pari i sinagogës u përgjigj me zemërim, sepse Jisui e shëroi të shtunën, edhe i thoshte turmës: Gjashtë ditë janë në të cilat duhet të punoni; ndër këto, pra, ejani e shërohuni e jo ditën e shtunë. 15Zoti atëherë u përgjigj e i tha:
Hipokrit, gjithësecili prej jush të shtunën a nuk e zgjidh kaun e tij a gomarin nga grazhdi, edhe e sjell e i jep ujë? 16Edhe kjo që është bijë e Abrahamit, të cilën ja tek e pati lidhur satanai tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej prej kësaj lidhjeje ditën e shtunë?
17Edhe ndërsa ai po thoshte këto, gjithë kundërshtarët e tij turpëroheshin; edhe gjithë turma gëzohej për tërë punët e lavdërueshme që bëheshin prej tij".(Luka 13:10-17)
Komenti i ungjillit.
10"Edhe një të shtunë ishte duke mësuar në një sinagogë".
Sinagoga ishin qëndrat e vetme shpirtërore, por edhe shoqërore e izraelitëve, ku diskutoheshin edhe problemet dhe vështirësitë e komunitetit dhe të vendit.
Vetë Zoti Jisu Krisht si një jude i vërtetë vazhdimisht shkonte nëpër sinagoga dhe veçanërisht ditën e sabatit ( e shtunë), ditën kur populli mblidhej aty.
Pse Krishti shkonte në sinagog?
Ai është Biri edhe Fjala e Atit Perëndi. Si Fjala, Ai i dha Dhjetë Urdhëresat Mojsiut edhe urdhëresën për të shtunën,si:“Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar, do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh gjithë punën tënde po dita e shtatë është e shtuna e shenjtë për Zotin, Perëndinë tend.., (Eksodi. 20:8-9)
Ai vetë shkonte në sinagog të shtunën si shembull bindje ndaj Ligjit që vetë si Fjala e kishte dhënë. Për ne të krishterët si popull i ri i Zotit dita e pushimit nuk është më e shtuna, por e diela.
E diela është ditë pushimi edhe gëzimi, sepse Zoti Jisu Krisht është ngjallur dhe kështu e ka mundur djallin, mëkatin dhe vdekjen dhe prandaj kjo është një ditë e veçantë ku nëpërmjet Jisu Krishtit ne fitojmë hyrjen në pushimin e Zotit dmth në Parajsën qiellore.
E diela është një detyrim jo thjesht sipas ligjit, por sipas dashurisë për Zotin dhe dashuria është përmbi Ligjin.
Kjo ditë ka qenë e profetizuar në psalmet: “Kjo është dita që Zoti ka bërë, le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi në të” (Psalmi. 118:24)
Vetë apostull Pavli i këshillon të krishterët:“Të kujdeseni për njëri-tjetrin për t’i nxitur për dashuri dhe vepra të mira pa hequr dorë nga të mbledhurit tonë,(të dielën) sikurse e kanë zakon disa, por të nxisni njëri-tjetrin aq më tepër që po e shihni ditën e gjyqit që po afrohet” (Hebrejve. 10:24-25)
Tradita e krishterë thotë që ditën e dielë do të vijë Zoti Krisht për të gjykuar botën, prandaj ai njeri që nuk respekton të dielën, nuk do ta shikojë faqen e Perëndisë as në këtë jetë, as në jetën tjetër.
11"Edhe ja ishte një grua që kishte frymë sëmundjeje tetëmbëdhjetë vjet, edhe ishte e kërrusur e nuk mundej fare të ngrihej drejt".
Zoti Jisu duke qenë të shtunën në sinagog , pa një grua të kërrusur dhe kjo është pika e dytë në të cilën do të sqarojmë.
Mendoni një grua të moshuar e cila ecte këmbadorazi si një kafshë duke ardhur në sinagogë të shtunën.
Patjetër që ajo do të ishte e përligjur përpara Zotit dhe komunitetit edhe sikur të mos vinte të shtunën në sinagog,por pavarësisht sëmundjes dhe lëngatës së saj prej shumë vitesh që ia kishte kërrusur trupin në mënyrë të frikëshme ajo nuk mungonte asnjë të shtunë në sinagogë.
Kjo grua është një shembull unikal devotshëmërie, por edhe një akuzë për të gjithë ata që gjejnë justifikime pa justifikim, për të mos ardhur në kishë të djelave.
Nëse ne nuk do të vijmë në Kishë, është shumë e vështirë që ta takojmë Zotin. Nëse do të vijmë në Kishë, është Zoti që vjen na takon, prandaj Kisha quhet “Shtëpia e Perëndisë” edhe Shën Qipriani thotë: “Jashtë Kishës nuk ka shpëtim”
12"Edhe Jisui kur e pa, e thirri dhe i tha: Grua, je e çliruar prej sëmundjes sate. 13Edhe vuri duart mbi të, edhe ajo menjëherë u drejtua, dhe lavdëronte Perëndinë".
Nëse e lexojmë me kujdes ungjillin, ky është i vetmi rast, që një njeri nuk i kërkon Zotit që të shërohet. Kjo grua nuk kërkonte shërim, por rrinte në sinagogë si shembull për ne.
Kjo na mëson se po të jemi në Kishë në Shtëpinë e Zotit edhe nëse nuk do t’i drejtohemi Krishtit për shërim, vëtë Ai do të vijë dhe do të na afrohet neve, me dhembshuri atërore.
Do të jetë “Ai” që do të na thërrasë do na prek dhe do të na shërojë jo vetëm sëmundjet dhe shtrembërimet fizike, por Ai do të na drejtojë nga shtrëmbëria shpirtërore.
Kush është deformimi shpirtëtor?
Deformimi shpirtëror është shtrembërimi i shpirtit që ndoll kur u shmanget porosive të Perëndisë,sepse Zoti tha: “nga zemra e njeriut dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës, kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë” (Mateu. 15:19).
Këto mendime dhe ndjenja të deformuara shpirtërore shprehen nga veprimet e mishit, me gjymtyrët e trupit,sepse: “Veprat e mishit janë kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësia, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto” (Galtasve.5:19:21)
Dhe të gjitha këto mëkate që në fillim janë një barrë dhe sjellin shtrëmbërim hpirtëror, ndikojnë edhe në deformimin trupor, dmth sëmundjen dhe vetë vdekjen e trupit.
Shumë njerëz nuk pranojnë që janë mëkatarë dhe të deformuar shpirtërisht, arsyeja është se ata njerëz e masin veten me të tjerë si më mëkatarë dhe më të shtrembër se vetja dhe nuk e vendosin veten përballë Krishtit, të Drejtit.
Këta njerëz nuk i vendosin veprimet e tyre përballë 10 porosive që janë masat dhe kriteret e gjykimit tonë,
vetë Zoti tha: “Fjala që kam thënë, ajo do t’ju gjykojë ditën e fundit” (Joani 12:48)
Të gjithë njerëzit kur të gjykohen nga Zoti do të dalin patjetër fajtorë dhe mëkatarë, të shtrembër moralisht, sepse: “Po të themi që jemi pa mëkat, gënjejmë veten dhe e vërteta nuk është në ne. Po të themi se nuk kemi mëkatuar, bëjmë Atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne” (I Joani 8-10)
Prandaj ashtu si mëkati sjell kërrusjen e shpirtit dhe sëmundjen e trupit po kështu edhe ndjesa e mëkatit e rigjallëron, e drejtëson shpirtin edhe trupin, sepse shpirti i jep jetë trupit dhe trupi ripërtërihet nëpërmjet shpirtit të ringjallur.
Kjo është terapia më e saktë dhe e frytshme për shumë sëmundje trupore.
Vetë shkenca e mjekësisë pranon se shkaku i shumë sëmundjeve të rrezikshme për jetën, si ato kardiake, hipertension, prishje gjaku, leuçemi, kancer, por dhe çdo dëmtim i organeve të trupit vijnë prej stresit, depresionit dhe stres dhe depresion do të thotë një gjendje anormale e shpirtit që vjen për shkak të pabesisë, abuzimit, mëkatit dhe dëshpërimit.
14"Po i pari i sinagogës u përgjigj me zemërim, sepse Jisui e shëroi të shtunën, edhe i thoshte turmës: Gjashtë ditë janë, në të cilat duhet të punoni; ndër këto, pra, ejani e shërohuni e jo ditën e shtunë".
Në atë sinagogë njeriu që dukej më i drejti i pari i sinagogës, ishte vërtet njeriu më i shtrembër dhe që kishte deformimin më të madh shpirtëror,dmth atë të cmirës.
Duke parë mrekullinë që bëri Krishti, atij i lindi zilia që fshihet me hipokrizi e fesë. Ashtu si gjithmon hipokrizia flet për diçka tjetër, por mendon diçka tjetër, ai i`u drejtua gjoja popullit por e kishte me Krishtin: “Mjaft ishin gjashtë ditë, përse duhet të vinin të shëroheshin ditën e shtunë”. Ai edhe shërimin e Jisuit nga zilia e tij e vendosi si punë e rëndomtë.
Drejtuesit fetarë siç ishte dhe ky kryetar sinagoge e shihnin shërimin e Zotit si praktikim të profesionit të mjekut.Praktikimi i çdo profesioni ishte i ndaluar të shtunën, asnjë nuk mund të bënte një punë ditën e shtunë,duket sikur ai kishte të drejt.
Por?
15"Zoti atëherë u përgjigj e i tha: Hipokrit, gjithësecili prej jush të shtunën a nuk e zgjidh kaun e tij a gomarin nga grazhdi, edhe e sjell e i jep ujë?"
Krishti sqaron se vërtet sipas Ligjit të shtunën ndalohej puna për përfitim material, por nuk ndalohej ndihma ndaj të tjerëve, që ishin në nevojë edhe ndaj vetë kafshëve.
Hipokrizia është një sëmundje shpirtërore. Shumë njerëz ndoshta nuk e kuptojnë që janë hipokritë.Këta njerëz vijnë vazhdimisht në Kishë dhe besojë se janë të drejtë, duke zbatuar gjithçka e megjithatë ata nuk kanë asnjë përmirësim shpirtëror
Pra nëse kalojnë vite dhe ata nuk rriten shpirtërisht, do të thotë se feja e tyre nuk është e vërtetë, por është një hipokrizi. Nuk mjafton të thotë dikush vetëm se ka Zot, nuk mjafton vetëm që t’i tregosh dikujt diçka nga Ungjilli dhe ai të thotë :po, po…kjo është e drejtë dhe kaq.
Nëse dikush si ai që flet, si ai që dëgjon nuk do ta zbatojë në jetën e tij atë që predikon, ai do të jetë një hipokrit, ashtu si edhe i pari i sinagogës besonte në Ligjin dhe profetët, e megjithatë ai nuk e kishte zbatuar Ligjin dhe profetët thellë në shpirtin e tij, sepse skishte dashuri dhe dhëmshuri por ishte plotë ligësi edhe cmirë kundër edhe vetë Zotit .
Gjithsekush nga ne që nuk e bën krishtërimin mënyrë të jetuari është një hipokrit.
Kjo është sëmundja që e ka goditur më shumë fenë dhe fetarët. Kjo është sëmundja që e deformon më shumë shpirtin e njeriut Prandaj edhe Zoti është shumë i ashpër me këtë sëmundje shpirtërore të farisejve, hipokrizinë: “Mjerë ju skribë dhe farisenj hipokritë” (Mateu.33:13)
Madje ai urdhëron nxënësit : “para së gjithash ruhuni nga majaja e farisenjve që është hipokrizi” (Luka. 12:1)
16"Edhe kjo që është bijë e Abrahamit, të cilën ja tek e pati lidhur satanai tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej prej kësaj lidhjeje ditën e shtunë?"
Në botën tonë të mëkatare sëmundjet dhe paaftësitë janë gjëra të zakonshme, por shkaqet e tyre janë të shumta dhe shpesh të shumëllojshme, si ushqimi i pamjaftueshëm, kontakt me një burim infeksioni, ekspozim i trupit ndaj fenomeneve natyrale, të ftohtit, të nxehtit, të moshës së thyer, por dhe një sulm i drejtpërdrejtë i djallit, siç ishte në këtë rast me këtë grua.
Cilido qoftë shkaku i drejtpërdrejtë i sëmundjes, ajo ekziston në botë vetëm për shkak të mëkatit dhe mbrapa mëkatit qëndron gjithmonë djalli.
Nuk do të kishte aspak sëmundje, as fizike, as mendore nëse njeriu nuk do të kishte mëkatuar,sepse sëmundja është robëri te djalli:“ prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.” (1 Joanit 3:8) dhe sëmundjen si pasoja e mëkatit.
Shërimi i trupit, shkatërrimi i djallit dhe vet ngjallja e të vdekurve janë një dhe i njëjti akt shpëtimi nga Krishti me Kryqëzimin dhe Ngjalljen e Tij.
Sëmundja nuk vjen prej Perëndisë i gjithë mirë.Perëndia nuk i tha njeriut në kopshtin e Edenit “mëkato dhe unë do të vras”. Ai i tha “nëse ti do të mëkatosh do të vdesësh”, kështu njeriu mëkaton dhe shkatërron vetveten nga e keqja.
Ai sjell mëkatin edhe pastaj sëmundjen dhe vuajtjen në botë për vete dhe për fëmijët e tij dhe kështu jeta e tij bëhet mundim i vazhdueshëm derisa kthehet në dhe nga i cili u krijua: “ Dhe je dhe në dhe do shkosh”.( Zanafilla 3-19)
Perëndia e përdor sëmundjen, që njeriu të shërohet dhe të shpëtohet,sepse nëpërmjetë sëmundjes njeriu përulet dhe kërkon ndjesën e mëkateve.Vetëm në këtë kuptim mund të thuhet se Perëndia i dërgon sëmundje njeriut.
Kur një njeri shpirtëror është i sëmurë ai njeh se sëmundja e tij është shkaktuar nga mëkati i tij dhe mëkatet e botës. Ai nuk e fajëson Perëndinë për këtë, sepse ai e di se Perëndia nuk e ka shkaktuar sëmundjen dhe nuk e dëshiron atë për shërbëtorët e tij.
Ai di gjithashtu nëpërmjet planit të përkujdesjes hyjnore dhe shpëtimit në Krishtin, se sëmundja e tij do të shërohet duke u penduar dhe rrëfyer mëkatet e tij, duke u kunguar dhe kryer misterin e Efqelisë dhe pastaj mund ti drejtohet mjekësisë, duke e parë mjekun jo të ndarë nga Perëndia, por si instrument i providencës Hyjnore, ashtu si thotë Urtësia e Sirakut:“Nderoje mjekun sikurse i takon, sepse dhe atë e ka krijuar i Gjithëpushtetshmi. Prej Zotit ai ka diturinë dhe prej mbretit ai merr dhurata. I Gjithëpushtetshmi nga toka krijoi barnat…me to bëhen shërime e zbuten dhimbje, barnatari bën përzierje barnash e kështu përhapet shëndeti mbi fytyrën e tokës. Bir në sëmundjen tënde mos ji i prishur, po lutju Zotit dhe ai do të shërojë…por jepi vend edhe mjekut sepse dhe atë Zoti e krijoi… Ka raste ku shërimi është në dorën e tyre, por edhe ata i luten Zotit që t’i drejtojë në njohjen e të vërtetës e ta shpejtojë shërimin” (Sirakidi. 38: 1- 15).
17"Edhe ndërsa ai po thoshte këto, gjithë kundërshtarët e tij turpëroheshin; edhe gjithë turma gëzohej për tërë punët e lavdërueshme që bëheshin prej tij".
Sado që kryetari i sinagogës e ngriti zërin duke i bërë një akuzë publike Jisuin si shkelës i ligjit për të shtunën, Fjala e Krishtit dhe vetë shërimi i kësaj gruaje 18 vet e kërusur që u quajt nga Zoti : "bija e Abrahamit" se besonte si Abrahami, bëri që kryetari i sinagogës dhe të gjithë kundërshtarët e Zotit të tërhiqeshin të turpëruar bashkë me hipokrizinë e tij.
Jo vetëm ai, por të gjithë ata që në shekuj kanë luftuar në arrogancë dhe me akuza të rreme kundër Zotit Jisu Krisht dhe Kishës Apostolike janë turpëruar dhe tërhequr të mundur, sepse hipokrizia që shfaqet bashkë me arrogancën, gënjeshtrën, zilinë dhe smirën kurrë nuk mund të fitojnë përballë të vërtetës dhe dashurisë, që është e mishëruar në vetë Jisu Krishti, Zotin e lavdisë që adhurohet dhe lavdërohet nga besimtarët në Kishën Orthodhokse, bashkë me Atin dhe Shpirtin e Shejntë, në shekuj të shekujve. Amin