E Diela VII e Llukait (Lluka 8. 41-56)
Zyra e Katekizmit e Kryepiskopatës së Tiranës
Predikim i përgatitur nga katekisti : Pandeli ( Arbër ) Zeneli
Dt: 07/11/2021
E Diela VII e Llukait (Lluka 8. 41-56)
Në Ungjillin e sotëm, pamë që të përshkruhet takimi i Krishtit me një grua, e cila me Hirin e Tij gjeti shpëtim. Krishti ishte duke shkuar në shtëpinë e Jairit, kryetarit të Sinagogës, me qëllim që të shërojë vajzën e tij të sëmurë rëndë. Gjatë rrugëtimit të Tij, atë e ndiqte një popull i madh.
Në mes të turmës gjendej edhe një grua, e cila vuante nga hemoragjia për rreth 12 vjet. Kjo hemoragji nuk i shkaktonte vetëm vuajtje biologjike, por gjithashtu edhe sociale, fetare dhe ekonomike. Sipas ligjit të Moisiut, çdo grua që ishte me hemoragji, konsiderohej e papastër, dhe si rezultat ajo nuk mund të merrte pjesë në adhurimin e Perëndisë. Gjithashtu, çdo grua e tillë, bën të papastër këdo që ajo prek, gjë që e distancon atë edhe në shoqëri. Gruaja e Ungjillit të sotëm, nuk kishte lënë mjek pa shkuar, të cilët e kishin zhvatur ekonomikisht, por pa mundur të gjejë shpëtim. Gjakrrjedhësja e Ungjillit të sotëm, gjendet tek njerëzit e diferencuar fetarisht, ekonomikisht dhe e diferencuar në shoqëri. I përket grupit të të “varfërve”, të cilët, sipas Ungjillor Llukait, i drejtohen Ungjillit të Perëndisë.
Megjithatë kjo grua dallohej për besimin e saj të madh. Beson se do të shpëtojë, nëse mundet që të prekë qoftë edhe cepin e rrobës së Jisuit. Dhe me të vërtetë, kur prek cepin e rrobës së Jisuit, ajo shërohet prej hemoragjisë. Krishti e ndjen atë që ndodhi edhe pyet: “Kush më preku”? Ndërsa të gjithë mohonin ta kishin prekur, Krishti këmbëngul. Petroja i përgjigjet se e ka prekur dikush nga turma, pasi kishte shumë njerëz, por Krishti flet për një prekje tjetër. Unë ndjeva, thotë, se doli prej meje një fuqi. Duke dëgjuar fjalët e Krishtit, gruaja me shumë frikë u paraqit para Krishtit dhe i rrëfeu se çfarë kishte ndodhur. Krishti duke thirrur bijën e Tij, i tha që të mos trembet, sepse besimi i saj e shëroi. Falë besimit të saj gjakërrjedhsja kishte prekur Krishtin dhe ishte shëruar prej sëmundjes së saj trupore. Tani, falë shërimit dhe pohimit të saj kishte përsëri mundësinë të hynte plotësisht në popullin e zgjedhur të Perëndisë, në komunitetin e ri të mbretërisë që formohet rreth personit të Krishtit.
Që dikush të prekë Krishtin duhet të besojë. Do të duhet të besojë dhe të shpresojë se shërimi nga sëmundja dhe vdekja e mëkatit mund të vijë jo vetëm nga “shërues” të ndryshëm të kësaj bote, por vetëm nga personi i Krishtit. Ky besim përbën një mundësi për një takim esencial me Krishtin, dhe brenda këtij takimi njeriu i plagosur nga mëkati gjen shërim dhe shpëtim. Kungimi i vërtetë me Krishtin presupozon besimin, dhe drejton në shpëtim dhe në shenjtërim. Njeriu që realisht takohet me Krishtin përjeton dhe pohon se Ai e ka shpëtuar nga traumat shpirtërore dhe trupore.
Bashkë me rastin e gruas gjakërrjedhëse pasazhi ungjillor na flet edhe për rastin e Jairit dhe vajzës së tij. Jairi i shqetësuar për shëndetin e vajzës së tij 12 vjeçare, thirri Zotin Jisu Krisht. Në fytytrën e tij vërehej qartë dhimbja nga kjo sprovë e ashpër që po kalonte. Krishti e pranoi ftesën e tij, por fatkeqësisht i ati i vajzës u lajmërua që vajza kishte vdekur. Jairi u ndje i shkatërruar, të gjitha shpresat e tij u shuan. Por, Zoti me një zë të qetë i tha: “Mos ki frikë, vetëm beso”. Mos u frikëso, vazhdo të besosh dhe vajza jote do të shpëtojë. Dhe me të vërtetë pas pak ndodhi mrekullia. Zoti i jetës dhe i vdekjes e ngjalli vajzën e Jairit.
“Mos kij frikë, vetëm beso”.
Kjo fjalë e Krishtit nga pasazhi i sotëm ungjillor na jep mundësinë që të shikojmë që edhe ne me ndihmën e Perëndisë mund të shmangim frikërat që krijohen në shpirtin tonë, fillimisht nga lufta për mbijetesën e përditëshme, së dyti nga rryma e vrullshme e së keqes dhe së treti nga rreziqet ekstreme.
Lufta për mbijetesë.
Është e natyrshme, veçantërisht në të tilla kohëra që gjendemi, të krijohet frikë nëpër shpirtrat e njerëzve, të cilët përpiqen për mbijetesën e tyre të përditëshme me vështirësi të mëdha. Të rinjtë, në fillimet e jetës së tyre, shikojnë që para tyre të krijohen pengesa të pakapërcyeshme, që pengojnë rrugën e tyre për arritur qëllimet, si familjare ashtu edhe profesionale. Pra, çfarë mbetet për të bërë? E vetmja zgjidhje është përikja me besim tek Zoti. Këtë edhe i rekomandoi Zoti Jairit kur i tha: “vetëm beso”! Mbështete besimin dhe shpresën tënde tek Perëndia i Plotfuqishëm dhe i Tërëmirë. Tek Ai, që nëse kaq shumë kujdeset për “shpendët e qiellit” dhe për “zambakët e fushës” (Mat. 6.28), shumë më tepër do të kujdeset për nxënësit e Tij besnik! Këtë gjë na mëson edhe Apostull Petro i frymëzuar: Mos u shqetësoni për të ardhmen! Leni çdo kujdes tuaj në duartë e Perëndisë sepse “Ai kujdest për ju” (1Petr. 5.7).
Rryma e së keqes.
Gjithashtu frikë krijohet edhe nëpër shpirtrat e njerëzve që shikojnë rrymën e së keqes si një prrua që vërshon dhe shkatërron gjithçka. A mundet të durojë dikush në këtë vërshim mëkati? Si do të rriten fëmijë brenda në këtë botë plot krime dhe të këqija? Frikërat dhe shqetësimet janë të justifikuara për çdo person të pamatur. Por besimitari i krishterë merr guxim dhe forcohet, sapo dëgjon Ungjillorin Joan që t’u drejtohet besimtarëve me fjalët frymëzuese: “sepse ai që është ndër ju është më i madh se ai që është në botë” (1Joan. 4.4). Mos kini frikë nga e keqja! Mund të fitoni, sepse Perëndia që është bashkë me ju, brenda jush dhe ju ndriçon dhe ju forcon, është më i madh dhe më i fortë nga satanai që ka pushtet mbi këtë botë mëkatare.
Rreziku ekstrem.
Por ekziston edhe mundësia që njeriu papritur të gjendet në rrezik për jetën e tij. Shpesh dëgjojmë për tërmete, përmbytje, zjarrvënie, shpërthime, grabitje, akte terroriste, pandemi, sëmundje dhe shumë ngjarje të tjera që kërcënojnë jetën e shumë njerëzve. Si t’i përballojë njeriu këto situata? Mos e lejoftë Perëndia që të kalojmë të tilla sprova. Megjithatë, që të jemi në gjendje që t’i përballojmë këto rreziqe, duhet që tani të armatosemi me besimin e palëkundur se, nëse Zoti është çdo moment pranë nesh dhe dëgjon lutjet tona, shumë më tepër edhe në atë çast të vështirë do të na mbajë nga dora e Tij dhe do të na mbështetë. Madje do të dërgojë edhe ëngjëjt e Tij, që të na mbrojnë në çdo hap të jetës sonë. Këtë të vërtetë të madhe, që Perëndia në momente të vështira është bashkë me ne, e tregon edhe profeti dhe mbreti David në Psalmin 22: “Edhe nëse shkoj përmes hijes së vdekjes, nuk do të kem frikë nga ndonjë e keqe, se ti je bashkë me mua”. Le të lutemi pra edhe ne me të njëjtat fjalë: Zot, pranë teje jam i mbrojtur. Dhe nese ndonjëherë gjendem përballë rreziqeve, qoftë edhe në rrezik për jetën, nuk do të trembem se mos pësoj ndonjë të keqe, sepse Tij je kudo dhe kurdo bashkë me mua!
“Mos ki frikë, vetëm beso”!
Nuk ekziston njeri që të mos ket përjetuar frikëra në jetën e tij. Dhe përveç frikërave që përmendëm më sipër ka edhe shumë të tjera: Vetmia, braktisja, sëmundja, vdekja, etj. Vetëm Perëndia i njeh gjurmët që lë çdo frikë në shpirtrat e njerëzve. Por sot le të jemi më shumë të vëmendshëm në fjalët që Zoti na drejton secilit prej nesh: “Mos ki frikë, vetëm beso”! Mos ki frikë, por ec me besim! Nëse këtë fjalë do ta dëgjonim nga çdo person tjetër, nuk do të fitonim më shumë se sa një kurajë të thjesht psikologjike. Por që nga momenti, që këtë fjalë na i drejton Perëndia i Plotfuqishëm, Mundësi i vdekjes, Zoti Jisu Krisht, atëherë kjo fjalë na jep hir edhe fuqi. Forcim esencial, guxim dhe shpresë, që të kalojmë çdo frikë dhe vështirësi të jetës!