"Mbjellësi dhe fara": Ungjilli sipas Lukait 8: 5-15 Predikim i përgatitur nga Katekisti; Antonio Poshnjari 17/10/2021
E Diela e katër e Lukait. Etërit të Sinodit të VII Ekumenik
Ungjilli sipas Lukait 8: 5-15
Predikim i përgatitur nga Katekisti: Antonio Poshnjari
17 Shtator 2021
Kisha e Metamorfozës - Qëndra Tabor
I nderuar Atë , të dashur besimtarë vëllezër dhe motra në Krishtin !
Sot në këtë të Dielë në Liturgjinë Hyjnore lexojmë nga Ungjilli sipas Lukait kapitulli 8: vargjet 5-15. Kjo pjesë tregon dhe na mëson në lidhje me mbjellësin dhe farën. Ishin të mbledhur shumë njerëz pranë Jesu Krishtit për të dëgjuar mësimet e Tij. Krishti filloi të fliste me shëmbëlltyra që ishte një mënyrë e mësimdhënies së tij për shpjeguar gjërat.
Ishte mbjellësi dhe doli për të mbjellë farën, ndërsa po mbillte disa fara ranë në rrugë, ku njerëzit kalonin dhe zogjtë e qiellit i hanin. Disa fara ranë në gurishte, por sa po filluan të dilnin, u thanë sepse nuk kishin rrënjë të thella dhe lagështi. Disa fara ranë në ferra, por kur filluan të dilnin, u rritë gjithashtu edhe ferra që ja zuri frymën dhe nuk e lejonte të kishte zhvillimim dhe kështu u thanë. Ndërsa disa fara ranë në tokë të mirë që më pas u rritën dhe shumëfishuan njëqindfishë.
Ø Por cili është kuptimi dhe mesazhi i kësaj pjese që dëgjojmë sot ?
Fillimisht duhet të dimë që Krishti e tregon këtë histori duke bërë krahasime me shembuj nga jeta bujqësore. Pra Mbjellësi është vetë Perëndia që e shpërndan farën që është Fjala e Tij Hyjnore, mësimet e Tij, që njeriu ta njohë dhe të besojë Atë. Ndërsa tokat-vendet kur fara ra konsiderohen disa lloje njerëzish.
Farat që ranë në rrugë konsiderohen ata njerëz që e dëgjojnë Fjalën e Perëndisë, por kur i Ligu Djalli vjen me tundimet e tij ja rrëmben dhe ja largon Fjalën nga zemrat e tyre, që të mos besojnë.
Farat që ranë në gurrishte konsiderohen ata njerëz që e dëgjojnë Fjalën e Perëndisë dhe e pranojnë me gëzim në zemrat e tyre, por nuk e lejojnë të zërë rrënjë plotësisht deri në fund. Këta njerëz besojnë vetëm për pak kohë dhe kur përballën me sprovat dhe problemet e jetës, e braktisin besimin, shpresën dhe të gjitha.
Fara që ranë ndër ferra, konsiderohen ata njerëz që e dëgjojnë Fjalën e Perëndisë, por gjatë rrugës së jetës ua zënë frymën shqetësimet e ndryshme, si pasuria, lakmia për pushtet, ambiciet, dëshirat dhe pasionet e kota të kësaj bote, dhe përkushtimi i tepër ndaj tyre. Prandaj kjo farë në këtë tokë nuk mund të mbi dhe të jetë e frytshme.
Ndërsa farat që ranë në tokën e mirë, konsiderohen ata njerëz të ndershëm e të mirë, që me durimin e tyre, forcën, shpresën qëndrojnë deri në fund nga çdo lloj shqetësimi dhe problemi që jeta sjell.
Mesazhi i Ungjillit të sotëm, na mëson se fara, e cila në këtë rast është Fjala e Perëndisë, jep fryte të mira dhe të shumta vetëm në zemrat që kanë predispozitë pozitive-shpirtërore. Pra që do të thotë që duhet të përkujdesemi që jo vetëm ta dëgjojmë Ungjillin: Lajmin e mirë dhe Fjalën e Perëndisë dhe ta lemë me kaq dhe të themi po shumë të bukura janë për veshët tanë, kur i dëgjojmë. Të dëgjojmë ungjillin, nuk është e mjaftueshme për të marrë Krishtin, nuk është e mjaftueshme për të qenë entuziast për Krishtin, nuk është e mjaftueshme madje as për ta besuar Krishtin. E gjithë kjo nuk është e mjaftueshme në qoftë se ne nuk japin fryte në jetën tonë deri në fund të saj. Nga ne kërkohet të kuptojmë mirë duke e lexuar vazhdimisht, duke e studiuar, duke e jetuar dhe përjetuar gjithnjë e më shumë. E gjitha kjo bëhet që të krijojë fole thellë në zemrat dhe mendjet tona.
Një tjetër mesazh që mësojmë nga kjo pjesë e Ungjillit të sotëm është që Krishti kërkon nga ne të krishterët që jemi toka pjellore kur farat mbinë dhe dhanë frytet e tyre njëqindfish, kërkohet një kultivim i vazhdueshëm dhe i rregullt me Fjalën e Perëndisë në mënyrë bashkëvepruese (Sinergjike) nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në Misteret dhe Shërbesat e shenjta fetare që Kisha e Shenjtë e Krishtit kryen për të forcuar besimin dhe shenjtërimin e besimtarëve të saj. Pra për ta kuptuar, le të themi që Perëndia bën 99% të punës për ne, por Ai këmbëngul që ne të shtojmë përpjekjet tona aq sa mundësi kemi. Megjithëse Perëndia është i gatëshëm të na japë direkt frytet, për të cilat kemi nevojë në jetën tonë, Ai nuk do të na i japë, derisa të na shohë të përpiqemi për të kultivuar dhe përgatitur tokën tonë.
Tjetër mesazh që duhet të dimë është se fara nuk jep menjëherë frytet. Ajo depërton në mënyrë të fshehtë në thellësitë e tokës, e hapë dheun butësisht dhe rritet në heshtje. Po kështu në të njejtën mënyrë Fjala e Perëndisë ndjek të njëjtën rrugë në shpirtrat tanë, i shfaq pak e nga pak fuqitë e saj, duke përhapur rrënjët në jetën tonë dhe jep fryte të shumta dhe të mira për veten tonë dhe për të tjerët.
Pra të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin, i kritshteri është toka e mirë në këtë botë ku ne jetojmë, ai kultivohet dhe rritet brenda Kishës së shenjtë të Krishtit që të japë fryte të mira dhe të shumta për botën dhe të gjithë njerëzit e tjerë. Sepse siç na thuhet nga Krishtit në një pjesë tjetër të ungjillit që të krishterët janë drita dhe kripa e botës, që do sjellin ndryshimin, dritën, frymën e re për të jetuar në një tokë të mirë që është e mbushur me dashuri për njërin-tjetrin dhe me Zotin tonë. Amin
Faleminderit !!!