E Diela e katër e Llukait 8:5-15. Mjellësi dhe fara, predikim i përgatitur nga Miron Çako 17/10/2021
October 17, 2021 at 12:06 am,
No comments
E Diela e katërt e Llukait Llk.8: 5-15.
“Një mbjellës doli të mbjellë farën e vet; dhe, ndërsa po mbillte një pjesë ra gjatë rrugës, u shkel dhe zogjtë e qiellit e hëngrën. Një pjesë tjetër ra në gurishte dhe, sapo mbiu u tha për mungesë vlage. Një pjesë tjetër ra ndër ferra, ferrat u rritën bashkë me të dhe ia zunë frymën.
Kurse një pjesë ra në tokë të mirë, mbiu dhe dha fryt 100 fish. Si i tha këto gjëra; thirri: Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë! Atëherë dishepujt e vet e pyetën: Çfarë kuptimi kishte ajo shëmbëlltyrë? Dhe ai tha: Juve iu është dhënë të njihni misteret e Mbretërisë së Perëndisë por të tjerëve me anë të shëmbëlltyrave, që ata, duke shikuar të mos shohin dhe, duke dëgjuar të mos kuptojnë.
Ky është kuptimi i shëmbëlltyrës: Fara është fjala e Perëndisë. Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë. Ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për një farë kohe por në momentin e sprovës tërhiqen.
Pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete dhe nuk arrijnë të piqen. Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, si e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri”
Në Ungjillin e sotëm është një pjesë që është bërë klasike në predikimin e krishterë. Kjo paravoli u drejtohet më tepër atyre që vijnë në Kishë, atyre që kanë mundësi të dëgjojnë fjalën, sepse ata që nuk kanë patur mundësi, që ta dëgjojnë fjalën për ata fjala nuk është mbjellë.
Kur nxënësit e tij bënë pyetje në lidhje me domethënien e shëmbëlltyrës Zoti Jisu shpjegoi që misteret e Mbretërisë së Perëndisë nuk do të kuptoheshin nga çdo njeri.
Ngaqë ata dëshironin të besonin dhe të bindeshin Atij, do t’ju jepej mundësia për të kuptuar mësimet e Krishtit. Në përgjigjen e tij Zoti Krisht bën dallim midis turmës mosbesuese dhe dishepujve besues.
Turma, një përfaqësi e kombit të Izraelit, që ishte duke e refuzuar në mënyrë të qartë atë, që sot përfaqësojnë të gjithë të pabesët dhe të painteresuarit për shpëtimin. Atyre nuk do t’ju lejohej të njihnin të fshehtat, misteret e Mbretërisë së Qiellit, ndërsa ndjekësit e tij të vërtetë do të ndihmoheshin të kuptonin.
Zoti përmend atë që tha profeti Isaia për popullin e Izraelit “duke shikuar të mos shohin dhe duke dëgjuar të mos kuptojnë”. Kjo profeci e Isaias gjeti një përmbushje të plotë në kohën kur Zoti Jisu Krisht, Fjala e Mishëruar erdhi midis popullit dhe ata e refuzuan. Zemra e Izraelit ishte e mpirë ndërsa veshët e tyre ishin të pandjeshëm ndaj zërit të Perëndisë.
Ata e dinin se n.q.s. do të shikonin dhe dëgjonin do të kuptonin, do të pendoheshin dhe Perëndia do t’i shëronte, por në sëmundjen dhe në nevojën e tyre ata e mohuan ndihmën e Zotit prandaj dhe ndëshkimi i tyre do të ishte ky: duke shikuar të mos shohin dhe duke dëgjuar të mos kuptojnë.
Por ajo që i ndodhi popullit të Izraelit na ndodh edhe neve sot. Ekziston edhe një mundësi e tillë që ta dëgjosh ungjillin për herë të fundit. Njerëzit me refuzimin dhe mohimin që i bëjnë fjalës së Perëndisë shkojnë shumë larg dhe i mohojnë vetes çdo mundësi shpëtimi. Ka burra dhe gra që kanë refuzuar shpëtimtarin dhe kurrë nuk do të kenë mundësi për t’u penduar dhe për t’u falur.
Kur nxënësit e pyetën se kush është kuptimi i paravolisë, Ai tha - që fara është fjala e Perëndisë. Zoti e simbolizon fjalën me farën sepse ashtu si fara ka brenda fuqi jete edhe fjala e Zotit ka fuqi jete të përjetshme. Ai iu thotë nxënësve fjalët që ju flas Unë janë jetë të përjetshme dhe ashtu si fara po nuk u mboll nuk jep frut po ashtu edhe fjala e Zotit po nuk u dëgjua dhe u mboll në zemrën e njeriut ajo nuk jep frut.
Të gjitha fjalë që fliten në Kishë, të gjitha fjalët e Shkrimit të Shenjtë janë pikërisht fjalët e Zotit të cilat nëse nuk mbijnë dhe nuk japin fruta atëherë ajo nuk do të ketë vlerë për ne.
Jo më kot fjala e Perëndisë është lidhur me këtë simbol, për të treguar se diçka që mbillet për të dhënë fruta do një mundim dhe një punë shumë të madhe. Prandaj çdo virtyt mbillet e rritet me mund të madh. Ne nuk mund të arrijmë dot të japim fruta nga fjala që dëgjojmë nëse nuk do t’i kushtojmë vëmendje. E para gjë që duhet të ndodhë në paravolinë e mbjellësit është që fara duhet të mbillet dhe që të mbillet fara duhet që fjala të dëgjohet.
Për fatin tonë të keq ne neglizhojmë me këtë, jo vetëm që vijnë pak njerëz në Kishë, por edhe ata që vijnë, vijnë me vonesë, kur është lexuar apostulli, ungjilli,dhe ne nuk e dëgjojmë fjalën edhe ajo nuk mbillet në zemrat tona dhe kështu nuk mund të japim as frut shpirtëror.
Por mund të na dalë një pyetje, pse do të lejonte bujku që kokrrat e çmuara të fares(fjala) të binin në rrugë, në gurishte, ose në ferra? Në pamje të parë na duket që ky nuk është një bujk i përgjegjshëm që i shpërndan farat rastësisht.
Ai po përdorte metodën e rregullit të shpërndarjes së farës duke mbushur grushtin dhe duke i hedhur ato në fushë. Qëllimi i tij është të hedhë sa më shumë farë që të jetë e mundur, në tokën e mirë dhe të punuar. Me qëllim që fara të mbijë, të hedhë rrënjë dhe të japë fruta.
Por ka humbje të pashmangshme, disa fara i merr era dhe i çon në zona të pafrytshme si rrugë, zall edhe ferra. Pra që disa prej farave nuk dhanë prodhim nuk ishte faji i bujkut ose i farës, prodhimi varej nga gjendja e dheut në të cilin ra fara. Pra është përgjegjësia e vetë njeriut sesi e dëgjon dhe e pranon fjalën e Perëndisë. Zoti ishte duke iu thënë nxënësve se ata nuk duhet të dekurajohen kur fjalët që ata do iu mësonin të tjerëve do të shkonin në vesh të shurdhër që i përngjajnë rrugës, në njerëz me karakter të dobët që i përngjajnë zallit dhe në njerëz hipokritë dhe lakmitarë që i përngjajnë ferrave.
Por një pjesë e farës do të binte në tokë të mirë, pra në njerëz besimtarë dhe do jepte frut 100 %.
Zoti Krisht nuk e njehsoi mbjellësin me veten sepse mund të ishte ose Ai ose të tjerët si përfaqësues të tij që do të hidhnin farën që është fjala e Zotit dhe e pandryshueshme siç na thotë: “qielli dhe toka do të kalojnë por fjalët e mia nuk do të kalojnë” (Mk. 13:31)
Krishti vazhdimisht mbjell, Ai nuk mbolli vetëm gjatë kohës kur ishte në tokë, Ai vazhdon të mbjellë nëpërmjet episkopëve, priftërinjve, teologëve, katekistëve. Kudo ku ka Kishë, kudo ku predikohet fjala e Zotit vazhdon mbjellja e Fjalës së jetës.
Ata përgjatë rrugës janë ata që e dëgjojnë fjalën por pastaj vjen djalli dhe ua merr fjalën nga zemra e tyre, që ata të mos besojnë dhe të mos shpëtojnë. (Lk. 8:12)
Për fat të keq fjala nuk zë në tokë të mirë, ajo bie në anë të rrugës, disa e dëgjojnë në Kishë ose e lexojnë, ose dikush jua thotë por ata nuk bien dakord. Zemra e këtyre njerëzve është një zemër e ngurtë, personi është kokëfortë, i thotë një jo të vendosur Shpëtimtarit. Satani i simbolizuar nga zogjtë heq fjalën nga zemra.
Mëkatari është i patundur dhe i patrazuar nga mesazhi që dëgjon. Ai është mospërfillës dhe i pandjeshëm. Ai i ngjan rrugës e cila shkelet nga të gjithë dhe asgjë nuk mund të mbijë në atë.
Këta njerëz ishin farisenjtë e asaj kohe që nuk donin ta pranonin fjalën e Zotit kurse sot janë ateistët dhe të gjithë ata të çdo lloj feje që emohojnë Krishtin si shpëtimtar.
Kategoria e dytë janë ata mbi gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për një farë kohe por në momentin e sprovës tërhiqen.
Këta persona që i ngjajnë gurishtes kanë një reagim të përciptë ndaj Fjalës, ata e dëgjojnë fjalën, ndoshta në emocionin e një thirrjeje entuziaste të Ungjillit, ai bën një rrëfim të besimit në Krishtin por është thjesht një miratim dhe rrëfim emocional.
Fjala ka mbetur vetëm në rrafshin mendor dhe nuk ka zbritur në zemër. Ky person nuk ka angazhim real ndaj Krishtit. Ai e pranon fjalën në fillim me gëzim por do të ishte më mirë sikur ta pranonte atë me pendim dhe me keqardhje të thellë sepse fjala e Zotit është për ndreqje dhe korrigjim, siç thotë edhe apostull Shën Pavli “Shkrimi i Shenjtë është i frymëzuar nga Perëndia, dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim dhe drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë” (II Tim 3: 16-17).
Duket sikur këta njerëz ecin shkëlqyeshëm por vetëm për ca kohë, kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të rrëfimit të tij ai vendos që çmimi është tepër i lartë dhe braktis gjithçka. Ai deklaron që është i krishterë për sa kohë është i suksesshëm të bëjë këtë. Por përndjekja që mund të jetë në rrafshin shoqëror ose dhe fizik, nxjerr në pah një realitet tjetër. Shumë njerëz erdhën në fillim në Kishat tona me shumë entuziazëm por kur atyre iu kërkua që duhet të përpiqeshin për shpëtimin, të shtrëngonin veten dhe këtu bëhet fjalë për përpjekje asketike të besimtarit si kreshmë, lutje, vajtim me pendim ose edhe kur ata u përfolën nga shoqëria ose edhe nga familja edhe kur besimi i tyre bëhej pengesë për karrierën ose për një shoqëri që i ndante nga Krishti, ata hoqën dorë nga besimi dhe u larguan nga Kisha.
Kategoria e tretë është pjesa që ka rënë ndër ferra janë ata që e dëgjuan fjalën; por, gjatë rrugës, ua zënë frymën shqetësimet, pasuritë dhe kënaqësitë e kësaj jete dhe nuk arrijnë të piqen.
Këta njerëz bëjnë një nisje premtuese. Nga çdo anë e pamjes së tyre të jashtme ata duken si besimtarë të vërtetë. Por pastaj ata fillojnë të shqetësohen me punët dhe telashet e botës dhe lakmitë për t’u bërë të pasur. Ata humbasin interesin në gjërat shpirtërore derisa përfundimisht braktisin çdo pohim se janë të krishterë. Ata nuk kanë fruta për Perëndinë në jetën e tyre.
Gjemba të këtij lloji, kanë ekzistuar në të gjithë kohërat dhe në të gjitha shoqëritë njerëzore. Në shoqërinë tonë perëndimore duket se ata kanë rrënjë të forta dhe po përpiqen të mbysin njeriun. Nga sa mund të dallojmë nuk ka asnjë epokë tjetër në histori, që të jetë kaq e mbushur me mundësi dhe të mira konsumi të shumta.
Por përsëri njerëzit, ngelen të pakënaqur dhe të lodhur.
Me sa duket, njeriu nuk mund të mbushet dot plot me këto të mira dhe produkte të teknologjisë. Për këtë arsye ai zhytet pa pushim në nevoja të reja, për hir të ndjenjës së tij të pakënaqësisë. Megjithatë kjo është ecuria e jetës sipas botës. Kështu njeriu ngelet i zhytur në vuajtjet e konsumimit dhe në ndjesinë e gënjeshtërt të begatisë egoiste.
Kjo është tortura e njeriut modern sepse ai është ngarkuar me barrët më të pamundura për t’u mbartur. Aq shumë është errësuar mendja e tij dhe zemra e tij, aq keq është zënë në kurth nga përkujdesjet e kësaj jete dhe kërkimet teknologjike saqë as nuk e mendon se ekziston një botë tjetër, që të liron prej këtyre varësive.
.Brenda kësaj atmosfere mbytëse, është e pamundur që njeriu të hapet në një botë të re të hirit dhe të lirisë në Zotin.
Edhe nëse lutet në ndonjë rast, përsëri kërkon të fitojë të mira materiale. Megjithatë ne stërmundohemi, nuk kemi ndër mend që të heqim dorë. Njeriu është tragjik! Kush mund ta shpëtojë? Jo vetëm njerëzit e botës mbyten nga të tilla ferra por ky është një rrezik i madh për ata që fillojnë të besojnë.
Këta njerëz janë të krishterë në dukje që më shumë duan botën se Zotin dhe hipokritë sepse Zoti thotë: ‘nuk mund t’i shërbesh dy zotërinjve, pra nuk mund t’i shërbeni edhe Zotit edhe mamonait. Pra apostull shën Jakovi këtë gjendje e quan armiqësi me Perëndinë.
“Dhe o shkelës të kurorës a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë. Ai pra që do të bëhet mik me botën bëhet armik i Perëndisë”. (Jak. 4:4)
Por fara nuk bie vetëm në tokë të keqe, por tregohet dhe për kategorinë e katërt, pra për tokën e përshtatshme dhe të mirë.
Por pjesa që ra në tokë të mirë janë ata që, si e dëgjuan fjalën, e ruajnë në zemër të ndershme dhe të mirë dhe japin fryt me qëndrueshmëri”
Toka e mirë paraqet besimtarët e vërtetë, zemrat e të cilave janë të ndershme dhe të mira. Ata jo vetëm që e pranojnë fjalën por dhe e lejojnë atë të punojë në jetën e tyre. Ata mësojnë dhe janë të bindur duke zhvilluar një karakter të vërtetë, të krishterë dhe duke prodhuar fryte për Perëndinë. Ata janë besnikë të vërtetë të Zotit. As bota, as mishi, as djalli s’mundet ta tundë besimin e tyre tek Zoti.
Çdo vepër e mirë do të japë fryte njëqind fish më tepër, njëqind ka dhe kuptim simbolik dhe kuptim numerik. Historitë e gjata të jetëve të shenjtorëve tanë tregojnë se çdo vepër e mirë jep një vlerë njëqindfish më tepër.
Kështu kur Krishti thotë që fjala ose fara do të japë prodhim njëqind fish, këto janë fjalë të vërteta sepse janë fjalë që i ka folur vetë Perëndia, i ka folur vetë Zoti. Çdo vepër e mirë do të japë më tepër se njëqind fish dhe nëse nuk do të japë në këtë botë do të japë në botën tjetër shumë më tepër, aq sa shumë shenjtorë luteshin dhe thonin “O Zot mos na i shpërble në këtë jetë, por na i shpërble në tjetrën.”
Është e pamundur të bësh një vepër të mirë dhe të humbasë. Nuk mund të humbasë kurrë çdo fjalë e mirë dhe çdo vepër e mirë, sepse nuk mund të humbasë kurrë Zoti. Pas çdo fjale të mirë, prapa çdo vepre të mirë qëndron veprimi i Shpirtit të Shenjtë dhe çdo vepër e mirë që kemi bërë do të na mbrojë siç thotë edhe proverbi “bëje të mirën edhe hidhe në det ajo do këthehet tek ty”.
Çfarë synonte Zoti t’ju thoshte turmave por edhe neve me anë të kësaj shëmbëlltyre. Mesazhi i ungjillit është për çdo kohë dhe për çdo brez. Kjo shëmbëlltyrë paralajmëron rrezikun e të dëgjuarit të fjalës së Perëndisë pa u bindur. Po ashtu është një shëmbëlltyrë që tregon se jo të gjithë që dëgjojnë fjalën e Perëndisë do të shpëtojnë por ata që do të japin fruta në jetën e tyre. Siç thotë dhe shën Jakovi “Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues që gënjejnë veten” (Jak. 1:22)
Përsa u përket atyre që përhapin fjalën e Perëndisë si apostujve dhe të tjerëve nga pas dhe këtu flasim për episkopët, priftërinjtë, teologët. Kjo shëmbëlltyrë i mëson që të mos shkurajohen, se jo të gjithë ata që dëgjojnë mesazhin ungjillor do të shpëtohen. Pra jo e gjithë bota do të kthehet përmes përhapjes së ungjillit.
Dhe kjo shëmbëlltyrë paralajmëron për tre kundërshtarët e mëdhenj të ungjillit, djallin që simbolizohet me zogjtë, natyra e rënë mishore që simbolizohet me diellin djegës, mundimet ose përndjekjet, fryma e botës mëkatare që simbolizohet me ferrat ose shqetësimet, kënaqësitë dhe pasuritë. Prandaj dhe Zoti tha: “kush ka veshë për të dëgjuar le të dëgjojë.
Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë qetësi ne Kishë, kërkojmë dhe vëmendje në kohën kur lexohen fjalët e Ungjillit. Në të gjithë historinë e Kishës Orthodhokse gjatë leximit të Ungjillit ka qenë një qetësi absolute, askush as nuk lëvizte dhe ata të cilët hynin në atë moment nuk lëviznin më, as përshëndesnin ikonat në atë çast. Në atë moment të gjithë janë të vetëdijshëm se po flet Zoti dhe kur flet Zoti nuk ka më vend për lëvizje të tjera.
Pikërisht ky është dhe kuptimi i paravolisë së sotme, ne duhet të dëgjojmë fjalëne Zotit dhe se fjala e cila ishte simbolizuar me farën, po nuk gjeti tokë të mirë do të thahet dhe nuk do të japë fruta.
Frutat janë simboli i shpëtimit. Që të shpëtojmë duhet që fjala të mbijë, të rritet dhe të japë fryta, frytet e Shpirtit të Shejntë;
“Dhe Fryti i Frymës është dashuria, gëzimi, paqja, durim, mirëdashje, mirësi, besim zemërbutësia, vetëkontrolli”. (Gal. 5:22).