E DIELA VI Llukait "Shërimi i të demonizuarit" Ungjilli sipas Llukait 8: 27-39
ZYRA E KATEKIZMIT
E KRYEPISKOPATËS SË TIRANËS: KOASH
Predikim i përgatitur nga katekisti: Pandeli (Arbër) Zeneli
Dt 24/10/2021
E diela VI e Llukait. Shërimi i të demonizuarit (Lluk. 8.27-39).
Shumë njerëz nuk arrijnë ta kuptojnë tërbimin e djallit që na kthehet kundër shpirtit dhe na shkakton shumë probleme, Kjo është arsyeja pse Zoti lejoi që disa të demonizohen edhe në trup, në mënyrë që të gjithë të kuptojmë se sa gjë e frikshme është që dikush të bëjë banor të shpirtit të tij djallin, kur kryen veprat e mëkatit, siç thotë edhe shën Grigor Pallamai.
Leximi Ungjillor i sotëm përshkruan një të demonizuar në Gadarinë. Përshkrimi është i frikshëm dhe ja vlen të shikojmë disa pjesë nga ato që tregon Ungjillori. Fillimisht duhet të theksojmë se Krishti erdhi që të shkatërrojë pushtetin e djallit, siç na tregon Apostull Pavli. Krishti me gjithëfuqishmërinë e tij, dëbon demonët prej shpirtrave të njerëzve dhe na fal jetën e përjetëshme. Nga dhembshuria erdhi në bregun ku njeriu fatkeq ishte pushtuar prej shumë demonësh. Për këtë arsye, tufa e demonëve, në momentin që prania e Zotit i pllakosi pa mëshirë, e gjeti veten në siklet dhe filloi të bërtiste: “Ç’ke me mua, Jisu, bir i Perëndisë së Lartë? Të lutem, mos më mundo” (Lluk. 8.28). U trembën se do t’i dërgonte në ferrin e përjetshëm. Ferri për djallin është që të mbetet i palëvizur dhe të shkatërrohet çdo energji e tij e ligë. Pra ferri për djallin është privimi i të bërit keq.
U detyrua, pra legjioni i demonëve që të përulet para Zotit, dhe u mundua ta kënaqte Atë duke përdorur edhe fjalë lajkatare. Tufa e demonëve për shkak të marrëdhënies së ligë që kishin ndërmjet tyre, flisnin sikur të ishte vetëm një dhe përdornin gojën e të demonizuarit. Zoti pyeti të demonizuarin se cili është emri i tij, “Edhe ai i tha: Legjion; sepse kishin hyrë tek ai shumë demonë”. Krishti nuk kishte nevojë që të pyeste për të mësuar se çfarë bëhet brenda të demonizuarit, por e bëri këtë për të treguar se sa demonë vrasës e mundonin këtë fatkeq. Djalli do të shkatërronte gjithçka dhe asnjë krijesë nuk do të lihej e paprekur nga veprimet e tij nëse krijesa nuk do të mbrohej nga fuqia e pakrahasueshme e Krishtit. Ndërsa kërkesa e demonëve për të hyrë tek derrat tregon dobësinë e tyre, kur Perëndia shfaqet para tyre dhe shfuqizon veprimtarinë e tyre të ligë.
Çdo dëshirë e keqe për shkak të papastërtisë së saj krijon tek njeriu një jetë kafshërore. Njerëzit që ndotën rrobën e hirit të Perëndisë, sillen si derra. Prej tyre dallojnë më shumë ata që dëshiruan kënaqësitë trupore dhe përdorin trupin e tyre në mënyrë mëkatare. Ap. Pavli thotë: “Vishni Zotin Jisu Krisht, edhe bëni kujdes për mishin që mos t’i plotësoni dëshirimet e tij” (Rom. 13.14). Theofilakti i shenjtë thotë se çdo njeri që për shkak të mëkateve të tij njollos stolinë e Pagëzimit, nuk qëndron brenda në Kishë, por jeton në varre, dmth., jeton brenda vepra të vdekura, si psh., në imoralitet dhe vepra të pista.
Një interpretues tjetër plotëson. Njeriu që ngarkohet me vepra të pamoralshme del jashtë nga shtëpia e vyrtyteve, dmth., Kishës dhe largon urdhërimet e Perëndisë si të jenë pranga duke hequr rrobën e mençurisë dhe jepet tek punët e këqija. Ky veprim, pra kryerja e punëve të liga simbolizohet me banimin e të demonizuarit në varreza. Tragjedia e djallit është se ai e di se çfarë do ta presë por përsëri nuk pendohet. Qëndron i papenduar, dhe sigurisht me tërbim të furishëm sulmon njerëzit që përpiqen në jetë. Papendueshmëria, që është parimi i djallit, është edhe shkaku i të gjithë të këqijave në të gjithë botën. Duke qëndruar në pasionet tona të këqija nuk lejojmë hapësirë ku hiri i Perëndisë mund të veprojë.
Po sot, a ekzistojnë njerëz të demonizuar?
Fatkeqësisht po. Edhe sot ekzistojnë raste të tilla, që dikush sapo i shikon, kupton se nuk bëhet fjalë për gjendje fiziologjikë apo psikopati të thjeshtë, por bëhet fjalë për një rast pushtimi fizik nga shpirtrat e këqinj.
Krishti erdhi që të largojë tiraninë e djallit. Si u bë dhe si bëhet kjo gjë?
Me trupëzimin, mësimim, mrekullitë, dhe vetë me Kryqin dhe Ngjalljen e tij Zoti mundi dhe shkatërroi djallin. Natyrës njerëzore në vend të prishjes i fali paprishjen dhe në vend të vdekjes, pavdekësinë.
Në këtë fitore të Krishtit kundër djallit merr pjesë çdo njeri duke marrë Shpirtin e Shenjtë me besimin në Krisht, me anën e Mistereve të shenjta, si Pagëzimi, Mirosja, Kungata Hyjnore dhe veprat e tjera shenjtëruese të Kishës.
Kështu i krishteri i pagëzuar, kur përpiqet që të jetojë si pjesëtar i gjallë i Kishës, ka fuqinë që me hirin e Krishtit të mundë djallin. Në të kundërt nëse nuk përpiqet dhe nuk shfrytëzon fuqinë e tij në Krisht, nuk ju bindet urdhërimeve të Krishtit, por i bindet vetes së tij dhe të ligut, tjetërsohet dhe largohet nga Krishti dhe bëhet skllav i djallit, i demonizuar, fatkeq dhe shkon në greminë si derrat e Ungjillit të sotëm.
Por le të mos shkojë larg. Edhe ne çdo herë që mëkatojmë, paragjykojmë, kemi zili, mbajmë të keqen, krenohemi, jemi nën ndikimin demoniak. Veçantërisht kur njeriu kërkon ndihmë nga instrumentat e djallit, magjistarët, mediumët, lexuesit e letrave, dhe shumë më tepër kur vetë ai ushtron teknika diabolike rrezikon që të demonizohet.
Pra duhet që të qëndrojmë brenda në Kishë dhe pranë Krishtit. Dhe qëndrojmë pranë Krishtit me anën e ruajtjes së urdhërimeve të tij, me ushtrimin e vyrtyteve të shenjta, me Misteret e Shenjta, me pendimin, me rrëfimin, Kungatën Hyjnore dhe sigurisht me lutjen e pandërprerë, “O Zot Jisu Krisht, mëshiromë”.
Me emrin e Jisuit, na thotë Shën Joan Sinaiti, ne godasim djallin. Fuqia e Krishtit është prezente me emrin e tij dhe nëse me besim thërrasim emrin e tij, Ai na sjell Hirin e tij, i cili dëbon djallin.
Vëllezër,
I ligu ka lidhur vullnetin tonë dhe na detyron që të injorojmë veprat e mira dhe përpjekjet që na afrojnë me Perëndinë. Duhet që të kërkojmë Perëndinë me të gjithë fuqinë e shpirtit tonë dhe të zbatojmë urdhërimet e tij me përulësi, në mënyrë që të çlirohemi nga metodat e djallit dhe të ndihemi të lirë brenda ambjentit të Kishës së Krishtit.
Me lutjen e zemrën bëhemi të gjallë, Tempuj të vërtetë të Shpirtit të Shenjtë, të Perëndisë Triadik, të cilit i përket lavdia dhe pushteti në jetë të jetëve. Amin.