Predikim : E Diela VI Llukait "Shërimi i të demonizuarit" ; Ungjilli sipas Llukait 8: 27-39
Predikim i përgatitur nga Miron Çako
Të nderuar miq dhe të dashur më Krishtin, në të "Dielën e gjashtë të Llukait" në Kishën Orthodhokse në Liturgjin Hyjnore lexohet kjo pjesë e Ungjillit: ( Lk 8:27-39)
“Pastaj lundruan drejt krahinës së Gadarenasve, që ndodhet përballë Galilesë dhe porsa Jisui zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza, kur e pa Jisuin lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: “Ç’ka mes meje dhe teje Jisu, Biri i Perëndisë shumë të lartë? Të lutem mos më mundo!”. Sepse Jisui po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë dhe me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretërirat, Dhe Jisui e pyeti duke thënë: Si e ke emrin? Dhe ai u përgjigj “Legjion” sepse shumë demonë kishin hyrë në të. Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë,Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal dhe këta demonë iu lutën t’i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre.
Atëherë demonët si dolën nga ai njeri, hynë te derrat dhe ajo tufë u turr nga gremina në liqen dhe u mbyt, Kur panë ç’ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra. Atëherë njerëzit dolën për të parë ç’kishte ndodhur dhe erdhën te Jisui dhe gjetën atë njeri nga i cili kishin dalë demonët të ulur te këmbët e Jisuit të veshur dhe me mendje në rregull dhe patën frikë. Ata që e kishin parë ngjarjen u treguan atyre si ishte shëruar i demonizuari. Atëherë gjithë popullsia e krahinës së Gadareasve i kërkoi Jisuit të largohej prej tyre sepse i kishte zënë një frikë e madhe. Dhe Jisui hyri në barkë dhe u kthye mbrapa.
Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët i lutej të rrinte me të: por Jisui e përcolli duke i thënë; “Ktheu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty”. Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jisui bëri për të".(Luk 8 ;26-39)
Komenti i Ungjillit
Ungjilli na thotë se Zoti bashkë me nxënësit lundroi për në krahinën e Gadareasve. Kjo ishte një krahinë pagane në juglindje të detit të Galilesë, familja e Dekapolit ose dhjetë qyteteve, këto ishin qytete greke, që nuk i përkisnin asnjë shteti dhe ishin vetqeverisës. Në këto qytete kishin popullatë të përzier pagane dhe nga judenjtë.
“Dhe porsa Jisui zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza, v27”.
Krishti ka dhembshuri të madhe për këtë njeri, dhe duke patur pushtet mbi demonët i urdhëron të dalin nga njeriu të cilin e kanë stërmunduar.
Por kush janë demonët ose frymërat e liga, shpirtrat e këqin?
Sipas besimit orthodhoks përveç fuqive shpirtërore të krijuara, të cilat bëjnë vullnetin e Perëndisë, janë gjithashtu, shpirtra që kanë ngritur krye kundër Perëndisë dhe që bëjnë keq. Këta janë demonët, ose djajtë (që literalisht do të thotë “të ndarët”) dhe që njihen në Dhjatën e Vjetër, në Dhjatën e Re si dhe në jetët e shenjtorëve.
Satana (që literalisht do të thotë kundërshtar ose armik) është emri për djallin, princin e frymërave të liga. Ai është identifikuar me gjarprin e Gjenezës dhe si tundues i Jobit dhe Jisuit. (Jb. 1:6. Mk. 1:33) .
Ai emërtohet nga Krishti si mashtrues dhe gënjeshtar, ati i gënjeshtrës (Jn.8:44 dhe si princi i kësaj bote (Jn.12:31, 14:30; 16:11).
Ai ka rënë nga qielli së bashku me engjëjt e rebel, për të luftuar kundër Perëndisë dhe shërbëtorëve të tij.
Zoti tha për atë: “Unë e shikoja satananë që po binte nga qielli si një rrufe” (Lk. 10:18)
E gjitha kjo ndodhi nga krenaria e tij :
“Vallë si ke rënë nga qielli o luçifer, biri i agimit, vallë si të hodhën përtokë ti që hidhje poshtë kombet” “Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet?Ti thoshnje në zemrën tënde: "Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut;do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin".Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës”. (Isaia 14:12 -15)
Djalli i hyri Judës kur ai tradhtoi Krishtin” (Lk.22:3)
Pushtimi nga demonët është diçka e vërtetë. Këta demonë nuk ishin thjesht ndikues, ata ishin dhe janë qenie të mbinatyrshme që pushtojnë njerëzit duke banuar në ta dhe duke kontrolluar gjithë mendimet, të folurit dhe sjelljet e tyre.
Këta demonë të veçantë ishin shkak i dhunës fizike që ushtronte ky njeri i demonizuar, saqë mund të thyente zinxhirët dhe të ikte në shkretëtirë.
Demonët janë akoma ende veprues edhe sot. Ata përpiqen të shtrembërojnë dhe të shkatërrojnë marrëdhënien e njerëzve me Perëndinë dhe njerëzit ti tundojnë, mundojnë dhe torturojnë, të cilët janë të krijuar sipas ikonës së Perëndisë.
Duhet të bëjmë kujdes sepse ka dallim midis një të demonizuari dhe një të sëmuri mendor. I demonizuari reagon dhunshëm dhe me fjalë fyese ndaj gjërave të shenjta si psh, shan emrin e Perëndisë ose kundërshton kryqin, ujin e bekuar. Kurse i sëmuri mendor nuk është është armiqësor dhe i pranon këto gjëra të shenjta me letësi .
Ndoshta, një nga mashtrimet e shoqërisë sot është se njerëzit nuk besojnë në ekzistencën e demonëve, aq sa një shenjt i madh i kohëve tona ka thënë:” fitorja më e madhe e satanait është kur ai i bind njerëzit që nuk ekziston.” Është njëlloj sikur hajdutët t’i mbushin mendjen gjithë qytetit se nuk ekzistojnë më, atëherë të gjitha dyert do të lihen hapur, asgjë nuk do të ruhet më dhe merreni me mend se çfarë feste do të bëjnë hajdutët.
“Kur e pa Jisuin lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: “Ç’ka mes meje dhe teje Jisu, Biri i Perëndisë shumë të lartë? Të lutem mos më mundo!”. v28
Kur i demonizuari pa Jisuin ai në fillim veproi me respekt, iu hodh në këmbë, pastaj u ankua me ashpërsi. Sa pamje e tmerrshme, një njeri i përkulur në adhurim, kërkesë dhe besim në Birin e Perëndisë e megjithatë plot urrejtje e armiqësi, pra një personalitet i dyfishtë, duke dëshiruar fort lirinë e megjithatë pa hequr dorë nga zemërimi. Kjo është gjendja e një të demonizuari. Pra herë shfaqet njeriu dhe herë djalli.
Por i gjithë njerëzimi ra në ndikimin e djallit dhe njerëzit kanë një personalitet të dyfishtë dhe këtë na i thotë shën Pavli:
“Unë pra po zbuloj këtë ligj duke dashur të bëj të mirën e keqja gjendet në mua, në fakt unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë sipas njeriut të brendshëm, por shoh një ligj tjetër në gjymtyrët e mia që lufton kundër ligjit të mendjes sime, dhe më bën skllav të ligjit të mëkatit, që është në gjymtyrët e mia. O njeri i mjerë që jam. Kush do të më çlirojë nga ky trup i vdekjes? I faleminderit Perëndisë me anë të Jisu Krishtit Zotit tonë” (Rom. 7:23)
Njeriu kurdoherë është o me Perëndinë o me djallin duke i shërbyer njërit apo tjetrit. Fitorja përfundimtare i përket Perëndisë dhe atyre që janë me të. Satanai dhe ushtria e tij do të shkatërrohet në fund të kohës.
Pa këtë njohje dhe për më tepër pa përvojën e këtij realiteti të betejës kozmike shpirtërore, Perëndia kundër satanait, engjëjt kundër demonëve, askush nuk mund të quhet i krishterë orthodhoks dhe nuk mund të shohë e të jetojë realitetin më të thellë të jetës shpirtërore.
Duhet të jetë e qartë, se djalli nuk është një tundues që shfaqet fizikisht. Ai është dinak dhe i zgjuar dhe vepron duke u fshehur e duke mashtruar. Fitorja e tij më e madhe thamë është mosbesimi i njerëzve në ekzistencën dhe fuqinë e tij. Djalli sulmon haptazi vetëm atë që nuk mund t’i mashtrojë me mënyra të tjera si kërkoj të tundoj Jisuin dhe shenjtorët e mëdhenj. Në pjesën më të madhe të luftës së tij ai qëndron i fshehur, si gjarpri nën gurë dhe vepron me metoda dhe mënyra indirekte, si me mendime,ndijime,pamje,ose me anën e njerëzve. kafshëve, apo sendeve që njeriu i ka mëtë afërt edhe më për zemër.
Por ne duhet të kemi kujdes dhe nuk duhet ta lejomë kuriozitetin të na drejtojë që të përfshihemi me forcat demoniake, psh: si magjia, falli,yshtja,apo të mbajmë objekte fatsjellëse,shënja e horoskopit,apo leximi dhe shikimi i gjerave që flasin për demonët, literature okulte etj. Duhet bërë shumë kujdes sepse padashur ne hyjmë në territorin e djallit, biem viktimë e rrjetave të tij dhe ashtu si një gjahtar nuk e lëshon kollaj gjahun e vet po ashtu edhe djalli nuk i lëshon kollaj njerëzit që i kap.
Prandaj apostull Petro thotë: “Përmbani veten, rrini zgjuar sepse kundërgjyqësi juaj djalli porsi luani që ulërin vjen përqark duke kërkuar cilin të përpijë (I Pj.5:8)
Duhet bërë kujdes sidomos me fëmijët të cilët bombardohen nga filma të ndryshëm ose libra, lodra për argëtim, të cilët janë të inspiruara nga djalli dhe e prezantojnë atë si një mik të fëmijëve dhe bashkëpunëtorë për të arritur qëllimet egoiste të fëmijve. Në qoftë se do t’i lëmë fëmijët të bombardohen nga ky informacion demoniak atëherë tek ata do të shohim shenja demonizimi, do flasin formula magjike që nuk janë gjë tjetër veçse yshtje për djallin, do besojnë tek veprimi i magjisë dhe jo te puna e ndershme dhe veprimi moral. Do jenë arrogantë të dhunshëm, gënjeshtarë, dinakë pa dashuri natyrale për prindërit, për të afërmit dhe që në moshë të vogël do të shfaqin dëshira dhe veprime të pamoralshme.
Ungjilli vazhdon dhe na thotë:
"Sepse Jisui po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë dhe me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretërirat, v29"
Dhe Jisui e pyeti duke thënë: Si e ke emrin? Dhe ai u përgjigj “Legjion” sepse shumë demonë kishin hyrë në të,v30
Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë ,v31"
Demonët iu lutën Jisuit të mos i lejonte të shkonin në humnerë e cila përmendet te (Zbulesa 20:1-3) “dhe pashë një engjëll që zbriste nga qielli duke pasur çelësin e humnerës dhe një zinxhir të madh në dorë. Ai e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë që është djalli dhe satanai dhe e lidhi për 1000 vjet, dhe e hodhi atë në humnerë dhe e mbylli atë dhe vulosi mbi të, që të mos mashtrojë më kombet derisa të mbushen një mijë vjet dhe pas këtyre ai duhet të zgjidhet për pak kohë".
Demonët kishin dijeni për këtë vend të mbyllur në nën tokë dhe nuk donin të shkonin atje, prandaj i thonë Zotit mos na lër të shkojmë në humbje.Djalli e di fundit e tij, por nuk kthehet mbrapa sepse ai është krenar edhe nuk mund të pendohet. Kjo është një nga karakteristikat tragjike të djallit. Pra kur ai është armik kaq i madh i vetes. si mund të sillet mirë me njerëzit?
Ungjilli na tregon një dialog që kushdo që do ta lexojë do të preket. Është pjesa kur Krishti i afrohet të demonizuarit dhe i thotë se” si e ke emrin,” ai i përgjigjet “e kam emrin Legjion.”
Legjion, ishti një njësi e ushtrisë romake që përdorej në këmbësori dhe kishte në mes 3000 e 6000 ushtarë. Pra kjo tregon se ai ishte i pushtuar nga shumë demonë.Por përsëri meqenëse njeriu ishte zaptuar nga shumë demonë përsëri nuk vdiste,kjo tregon se natyra njerëzore është jashtëzakonisht e fortë sepse është krijuar sipas ikonës të Perëndisw dhe për të mbajtur Perëndinë,këtë e shohim tek Krishti si njeri, si na thuhet: “sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.” (Kolosianet 2:9)
I demonizuari e quajti veten legjion.Ai nuk e mbante më emrin e tij njeri, por u përgjigj me emrin legjion, me emrin e atyre që e kishin zaptuar. Djalli kërkon ta depersonalizojë njeriun, që ai të mos ekzistojë, të mos ketë as emër.
Jo më kot Krishti e pyeti “si e ke emrin”, sepse këtë pyetje që i bëri këtij të djallosuri, është pyetja të cilën Zoti na i bën të gjithëve ne,si e ke emrin në këtë çast, domethënë kush është identiteti yt i vërtetë,çfarë mëkati ke apo pasioni të pushton,që e bënë njeriun nga ikonë e Perëndisë, në atë të djallit, ashtu si Zoti ju drejtua judejnve :“babai juaj është djalli se punët e atij bëni.”(Joni 8:44)
Krishti pikërisht këtë kërkon prej nesh, që të mendojmë pak më thellë,çfarë emri na ka vendosur mëkati si i gënjeshtrës,vjedhjes,vrasjes ,kurvërisë,blasfemisë,etj, që yshten nga demonët, të cilët frymëzojnë mëkate të ndryshme edhe na robërojnë.
Ne duhet të rilindim me tjetër emër, me anë të pagëzimin, për të vdekur njeriu i vjetër i mëkatit dhe për t’i dhënë shans të lindë njeriu i ri. Prandaj dhe kur një person pagëzohet në Kishën Orthodhokse, sipas traditës , merr një emër të ri, emër shenjtori sepse tani ai ekziston dhe jeton me të vërtetë, si ikonë dhe në ngjashmëri me Zotin.
“Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal dhe këta demonë iu lutën t’i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre,v32”
Demonët duke ndjerë fuqinë e Jisuit për t’i dëbuar nga njeriu që kishin pushtuar, ata kërkuan që të shpërnguleshin në një tufë të madhe derrash që po kulloste aty pranë.
Na duket mjaft e çuditshme që Zoti Krisht e plotësoi kërkesën e tyre.
Na del një pyetje: Pse Zoti i gjithëpushtetshëm duhet të pranonte kërkesën e demonëve për të hyrë tek derrat?
Për të kuptuar veprimin e tij të drejtë ne duhet të kuptojmë dy fakte: Së pari demonët nuk duan të mbeten të zbuluar në natyrë, sepse i djeg hiri i Perëndisë që është i kudondodhur, prandaj ata duan të fshihen në materie, pra të futen në ujëra, gurë, dru, në trupat e njerëzve ose të kafshëve, por ajo që i kënaq dhe i strehon më mirë demonët janë trupat e njerëzve dhe në mungesë të kësaj, ata kërkojnë trupat e kafshëve.
Së dyti qëllimi i demonëve është pa diskutim shkatërrimi i çdo gjëje. Demonët që do kishin dalë nga njeriu do të ishin bërë një kërcënim për njerëzit e tjerë. Dhe Zoti duke lejuar që ata të shkojnë në derra, ndalon hyrjen e tyre ndër burra dhe gra dhe kafshë të tjera.
Por ajo çfarë është më e sakta dhe më e drejta është se Zoti i lejoi ata të hyjnë tek derrat, sepse në një farë mënyre derrat ishin pronë e djallit. Tregtia që bënin gadareasit ishte e paligjëshme duke shkelur ligjin që Zoti i kishte dhënë Moisiut “mos konsumoni mishin e derrit” prandaj djalli po kërkonte të tijat dhe Zoti bëri drejtësi duke lejuar djallin të hyjë te derrat,që ishin “prona” e tyre.
Disa njerëz gjejnë këtu një akuzë për Zotin Krisht sikur ai lejoi shkatërrimin e ekonomisë ndihmëse të njerëzve, por nuk ishte Zoti që e shkatërroi pasurinë e atyre njerëzve, Ai e lejoi atë, ishte fuqia e satanait që çoi në shkatërrimin e derrave dhe pasurisë së padrejtë të atyre njerëzve. Prandaj nuk duhet të çuditemi dhe ankohemi kur dëgjojmë për shkatërrim të shtëpive, bizneseve, pasurive ose aksidenteve me pasoja për jetën sepse nuk vijnë nga Zoti i gjithëmirë, por me lejen e Perëndisë, vijnë prej djallit i cili kërkon të tijat, pra atë pasuri ose biznes që është vënë padrejtësisht me gënjeshtër, dhunë ose shfrytëzim të tjetrit.
Gjëja tjetër e rëndësishme është se Zoti ishte duke treguar se shpirti dhe jeta e njeriut vlen më shumë sa të gjithë derrat e botës.
Dikush mund të thotë pse Zoti nuk i shkatërroi këta demonë? Ose pse nuk i dërgoi ata në humnerë?
Sepse koha për të bërë një veprim të tillë nuk kishte ardhur akoma. Zoti shëroi shumë njerëz prej efekteve shkatërruese prej pushtimit demoniak, por ai nuk i ka shkatërruar demonët akoma. Zoti e ka lejuar veprimin e demonëve për të mirën tone, që duke na sulmuar ata na bëjnë më aktivë për të kërkuar Perëndinë dhe Zotin Jisu Krisht si Shpëtimtarin tonë.
Po ashtu Zoti e lejon këtë luftë midis njeriut edhe djallit që njeriu të fitojë dhe të kurorëzohet, ashtu siç na i thotë edhe Zbulesa: “Kush fiton do t’i trashëgojë të gjitha gjërat dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir” (Zbul 21:07)
Prandaj dhe shën Andoni thotë: “Hiqja tundimet botës dhe askush nuk do të shpëtojë”
Por në fund të kohës do të vijë dhe shkatërrimi i djallit, Libri i Zbulesës na paraqet fitoren e ardhshme të Zotit Jisu Krisht, mbi djallin, demonët dhe gjithë të keqen;
" Atëherë djalli që kishte mashtruar do ta hedhim në liqenin e zjarrit të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë dhe do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve” (Zbul 20:10)
“Kur panë ç’ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra v,34 Atëherë njerëzit dolën për të parë ç’kishte ndodhur dhe erdhën te Jisui dhe gjetën atë njeri nga i cili kishin dalë demonët të ulur te këmbët e Jisuit të veshur, dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë,v35 Ata që e kishin parë ngjarjen u treguan atyre si ishte shëruar i demonizuari,v36 Atëherë gjithë popullsia e krahinës së Gadareasve i kërkoi Jisuit të largohej prej tyre sepse i kishte zënë një frikë e madhe. Dhe Jisui hyri në barkë dhe u kthye mbrapa,v37”
Duke lexuar këto vargje dëgjojmë dhe çuditemi me vendimin e gadareasve. Ata i kërkuan Zotit që të largohet prej tyre. E konsideruan Krishtin si një njeri të pavyer, megjithëse ai shëroi një djalë të demonizuar nga kjo krahinë. Banorët kryesisht tregtarët u ndjenë të bezdisur dhe e dëbuan Krishtin. Ata menduan më shumë për derrat e tyre se sa për Shpëtimtarin, më shumë për pronën e tyre se sa për shpirtrat e tyre. Kjo ndodhi se ata ishin të implikuar me tregtinë e derrave nga e cila ishin bërë të pasur edhe pse ngrënia e mishit të derrit ishte e ndaluar në ligjin mosaik, ata mblidhnin fitime në mënyrë të pandershme, duke infektuar moralisht edhe judenjtë ,të cilët konsumonin mishin e derrit që ata tregtonin.
Kjo flet qartë se përveç demonëve të atij fatkeqii që e çliroi Zoti nga demonët, banorët e atij vendi ishin të pushtuar nga demonë akoma më të këqinj, nga demoni i parasë, që Krishti e cilëson mamonai (djallin e parasë).
Shërbëtorë të tillë të demonizuar të parasë nuk kanë për të munguar asnjëherë.Këta nuk interesohen kurrë për fatkeqësinë që përhapin rreth tyre, për familjen e tyre të shkatërruar, për shembullin e keq që u japin fëmijëve dhe për viktimat e shumta njerëzore që ata lënë nga pas për shkak të padrejtësisë, paligjësisë me qëllim që t’i shtojnë pa fund pasuritë e tyre. E vetmja gjë që iu intereson janë që të shtojnë pasurinë me çdo lloj mjeti sipas thënies “qëllimi justifikon mjetin”.E vetmja gjë që iu interesojnë janë lojërat në bursën e parasë që t’i shtojnë ato,apo bixhozi, ushqimi i pasioneve shtazore dhe nënshtrimi i tyre ndaj një rehatie të rreme. Një atmosferë e tillë quhet përparim dhe fitim në këtë botë mëkatare dhe këta quhen njerëz të suksesshëm ose “vipa".
Në emrin e një përparimi të këtij lloji, të gjithë janë të ftuar të mbyllin sytë dhe veshët ,të vënë ndërgjegjen në gjumë, sepse kjo është mënyra më e mirë për të grumbulluar para dhe për të rehatuar vetveten.Në këtë mënyrë këta njerëz të implikuar në tregti të pandershme e shndërrojnë paran e tyre në një idhull. Pasi i falen parasë, luksit dhe pushtetit në fund adhurojnë zbraztësinë, veten e tyre të pasigurtë dhe të pangopur, zotëria dhe pronari i tyre bëhet egoizmi,në këtë mënyrë djalli i vërtit si të dojë dhe në fund i shkatëron.
E çuditshme vëllezërit dhe motrat në Krishtin, në takimin e Krishtit me demonët këta të fundit u larguan, por kur Krishti u takua me njerëzit, ishte Krishti ai që u largua. Është e habitshme dhe dridhesh kur mendon se çfarë ngurtësie të sjell paraja e pa drejtë në shpirt. Sepse Zoti e thotë qartë: “Nuk mund t’i shërbeni dy zotërinjve, Zotit dhe mamonait”
Por pavarësisht se të pasurit duken të guximshëm sa të "urdhërojnë" edhe Zotin që të largohet prej jetës së tyre, kjo nuk do të shkojë gjatë. Zoti Krisht shëroi të demonizuarin me dëshirën e tij, pa ia kërkuar këtë i demonizuari, sepse ai nuk kishte një mundësi të tillë, por të demonizuarit e nga demon i parasë dhe të çdo lloj mëkati tjetër që vjenë prej saj, kanë nevojë të pendohen para se të shërohen, ndryshe do humbasin bashkë me pasuritë e tyre të padrejta.
Apostull Jakovi na thotë: “dhe tani ju o pasanikë qani dhe vajtoni për të këqijat që do t’ju zënë, pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja, ari dhe argjendi juaj u ndryshkën dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t’ju përpijë mishrat si zjarr, keni mbledhur thesare në ditën e fundit, ja paga që ju i keni ngrënë punëtorëve që j’u korrën arat po këlthet dhe klithmat e atyre që korrën arritën në veshët e Zotit të ushtrive. Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje, i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit. Dënuat dhe vratë të drejtin, nuk iu kundërshtoj (Jak. 5:1-6).
.
“Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët i lutej të rrinte me të: por Jisui e përcolli duke i thënë;v^38“Ktheu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty”. Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jisui bëri për të. ,v39”
Mbasi i djallosuri u shërua, iu afrua Krishtit dhe i tha: “Unë dua që të rri dhe të bëhem nxënësi yt dhe të të ndjek pas kudo që të shkosh, Krishti nuk e pranoi, jo sepse nuk donte që ai ta ndiqte, por i tha: “nuk do të rrish me Mua, por shko në shtëpinë tënde dhe u thuaj të gjithëve se çfarë vepre të madhe bëri Perëndia për ty dhe sa mëshirë pati për ty”.
Kjo është kërkesa që na bën edhe neve Zoti Krisht duke na thënë si atij të çliruarit nga demonët ose mëkatet, pasionet, vështirësit, sëmundjet,fatkeqësitë, që shko në shtëpi tek njerëzit e ty dhe lajmëro se çfarë vepre të madhe ka bërë Perëndia tek ty.
Krishti na e kërkon këtë të gjithëve dhe duhet ta bëjmë. Një njeri që ka gëzim brenda shpirtit të tij është e pamundur që ai të mos shkojë dhe t’ua transmetojë dhe personave që ai do. Është një instikt i rrënjosur në shpirtin e njeriut, që gjënë e mirë do ta ndajë me të dashurit e tij. Prandaj një nga shenjat që ne nuk shkojmë të predikojmë tek të tjerët fjalën e Zotit, është se nuk kemi kuptuar mëshirën e madhe që ka Perëndia për ne nuk e ndjejmë, ose kemi harruar atë çfarë ai na ka bërë neve, kështu nuk i japim lavdin që i takon dhe kjo quhet mosmirnjohje mëkatare.
Gjithsekush, le të mendojë sot rreth fjalëve të Ungjillit:“Shko, kthehu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Zoti për ty” (Lk. 8:39) Patjetër çdo kush ka shumë pë të treguar.