E Diel V-të e Lukait, “I pasuri dhe Llazari” : Predikim Dt: 31/10/2021
Zyra e
Katekizmit e Kryepiskopatës së Tiranës : KOASH
Predikim, përgatitur
nga Miron Çako
31/10/2021
E Diel V-të e Lukait,
“I pasuri dhe Llazari”
Të dashur më Krishtin, në të dielën e pestë të Lukait në Kishën Orthodhokse lexohet kjo pjesë e ungjillit sipas Lukait e cilësuar:” Pasaniku dhe Llazari”.
“Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm,Atje ishte edhe një lypës i quajtur Llazar që rrinte para derës së tij dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara Dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut, madje edhe qentë vinin edhe ia lëpinin plagët Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit, vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën Dhe duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij Atëherë ai bërtiti edhe tha: “O atë Abraham, ki mëshirë për mua dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të freskojë gjuhën sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë Por Abrahami thoshte: “O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan Dhe veç të gjithave midis nesh dhe jush është një humnerë e madhe, kështu që ata që do të donin të kalonin që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej tek ne Por ai tha: “Atëherë o atë të lutem ta dërgosh atë te shtëpia e tim eti Sepse unë kam pesë vëllezër dhe le t’i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh” Abrahami u përgjigj: “Kanë Moisiun dhe profetët, le t’i dëgjojnë ata” Ai tha: “Jo o atë, Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen” Atëherë ai i tha: “Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe nëse dikush ringjallet prej të vdekurish” (Luk 16 ; 19 -31)
Ungjilli që lexojmë në të dielën e pestë të lukait, është një nga ungjijtë më të famshëm dhe klasikë në të gjithë predikimet e krishtera dhe na pregatit për të hyrë në kreshmët e Krishtlindjeve
Komenti i Ungjillit
“Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm”.(Luk 16, 19)
Çdokush mendon se ky ishte një njeri fatlum dhe do ta kishte zili jetën dhe mirëqenien e tij. Sa herë dhe ne që ndoshta nuk i kemi kushtet të tilla ekonomike për të kënaqur të gjitha dëshirat tona egosiste i hedhim sytë te të pasurit, te shtëpitë e tyre, te rrobat e tyre të shtrenjta firmato, te makinat e tyre modern, që lëvizin me shpejtësi nëpër rrugë dhe themi: “Këta e kalojnë shkëlqyeshëm, sikur të kishim fatin e tyre”.
Por perceptimi ynë mund të jetë i gabuar, sepse si njerëz ne kemi një pamje të kufizuar të gjërave dhe nuk mund t’i shikojmë ato që bëhen brenda vilave luksoze, ose makinave moderne.Ne nuk mund të shikojmë as brenda shpirtrave të tyre ashtu si dhe Zoti na thotë: “Mos gjykoni nga pamja e jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë” (Jn. 7:24).
Po të shikojmë ashtu si shikon Zoti, shpeshherë gjendja e këtyre të pasurve është kaq e frikshme dhe tragjike sa asnjëri prej nesh nuk do të dëshironte të kishte fatin e tyre dhe të banonte më shtëpitë e tyre. Duke parë jetët e të pasurve shikojmë, që janë njerëz të vetmuar me shumë probleme si mendore, morale, sociale, familjare ose bëjnë një jetë nën influencën e narkotikëve, duke kaluar çdo limit të degjenerimit deri në perversion, në dëshpërim deri aty sa të urrejnë dhe vrasin veten.
Krishti në antitezë me të pasurin pa emër, na tregon një njeri në varfëri ekstreme me emrin Llazar.
"Atje ishte edhe një lypës i quajtur Llazar që rrinte para derës së tij dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara. Dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut, madje edhe qentë vinin edhe ia lëpinin plagët"(Luk 16; 20 -21)
Asnjë nga ne nuk do ta dëshironte varfërinë ekstreme të këtij njeriu dhe të gjithë mendojmë se Llazari është njeriu më fatkeq në botë.
Pavarësisht se kjo duket si një ngjarje hiperbolike e thënë nga Zoti për të na treguar ndryshimin e madh midis të pasurit dhe të varfërit, përsëri ky është një realitet që e shohim edhe sot në kohët moderne dhe në qytetet më të zhvilluara.
Edhe sot ka njerëz të tillë, që jetojnë në varfëri ekstreme duke kërkuar nëpër plehra ushqim për të mbajtur frymën. Këta i shohim ulur nëpër trotuare ose trokasin në dyert e shtëpive duke lypur. Por ashtu si Llazari edhe këta fatkeq përgjithsisht shikohen nga të tjerët me përbuzje ndonjëherë edhe me tallje, duke i lënë në mëshirë të fatit.
"Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit, vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën Dhe duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij"(Luk 16;22-23)
Jo më kot Krishti të pasurit nuk i vë emër, pavarësisht se ai duket një person me emër, autorite dhe i suksesshëm sipas botës, kurse të varfrit ia vë emrin Llazar që do të thotë: “Perëndia është ndihmësi im.”
Sepse në këto vargje na tregohet edhe vdekja, e cila është një borxh që do lahet nga të gjithë njerëzit, të pasur ose të varfër qofshin dhe emrin e madh që mund të kesh nuk të vlen më. Vdekja, përfundon jetën e çdo njeriu dhe lë pas si një ëndër çdo shijim të së mirës dhe të keqe të cilin njeriu ka provuar në këtë jetë. Në Shërbesën e Varrimit psalet: “Kotësira janë të gjitha gjërat njerëzore që s’qëndrojnë pas vdekjes, nuk mbetet pasuria, nuk vete pas lavdia se me të ardhur vdekja këto të gjitha zhduken”.Por vdekja pavarësisht si një mister i përbashkët për të gjithë, ajo nuk ka përfundime të njëjta.
Mbas vdekjes engjëjt e çuan Llazarin në gji të Abrahamit.
Gjiri i Abrahamit është një shprehje simbolike e parajsës në Dhjatën e Vjetër për të treguar vendin e lumturisë. Për judenjtë mendimi i të gëzuarit në përbashkësi me Abrahamin si ati i besimtarve është një hare e pakrahasueshme për jetën pas vdekjes. Kuptimi i fjalëve në gji të Abrahamit për neve sot mbas Krishtit, ka kuptimin e Mbretërisë së Qiellit ose Parajsa. Llazari pas vdekjes u ngjit nga engjëjt në parajsë, duke ndryshuar tërësisht gjendjen e tij, nga një mjerim i përkohshëm në tokë, në një lumturi të përjetshme në qiell.Edhe për të pasurin vdekja ishte po ashtu edhe një ndryshim gjendjeje, pra “vdiq edhe pasaniku edhe e varrosën”. Kuptimi i fjalës “u varros” do të thotë që shpirti i tij shkoi në nëntokë në hadh.Hadhi është një fjalë greke dhe një sinonim i fjalës sheol në hebraisht. Në Dhjatën e Vjetër hadhi mendohej si vendqëndrimi i të pashpëtuarve dhe vend i mundimeve të përjetshme.Hadhi është vëndi i parashijimit të vuajtjeve të ferrit.
Kur judenjtë ishin duke dëgjuar këtë paravoli patjetër që patën një goditje të fortë në ndërgjegjen e tyre dhe kjo ju ndryshoj tërësisht mentalitenin.Kur Jisui tha që ky i pasur shkoi në hadh ata u skandalisën dhe u zhgënjyen, sepse për judenjtë pasuritë shikoheshin si bekim dhe favorizim nga ana e Perëndisë. Sipas ligjit mosaik ku një jude i bindej ligjit dhe zbatonte porositë, i premtohej bollëk material kurse në të kundërtën kur një njeri ishte shkelës i ligjit, ai kishte mbi vete mallkim dhe mjerimin.
Atëherë si mund të shkonte një i pasur jude në hadh?
Zoti Jisu sapo kishte shpallur një rregull të ri të gjërave, i cili kishte filluar të dëgjohej me predikimin e Joani Pagëzorit :” Joani i predikonte turmave që shkonin të pagëzoheshin prej tij: “Pjellë nepërkash kush iu mësoi t’i arratiseni zemërimit që po vjen, bëni pra fruta të denjë pendimi dhe mos filloni të thoni brenda jush, ne kemi Abrahamin për atë, sepse unë po ju them se Perëndia mund t’i nxjerrë fëmijë Abrahamit edhe nga këta gurë. Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve, çdo pemë që nuk jep fryte të mira do të pritet dhe do të hidhet në zjarr. Dhe turma e pyesnin duke thënë: - dhe ne ç’duhet të bëjmë? Atëherë ai duke iu përgjigjur iu tha atyre ; ja ai që ka dy tunika, le t’i ndajë me atë që s’ka, dhe ai që ka të hajë, le të veprojë po ashtu” (Luka 3:7-11)
Por le të shohim më shumë secilin prej tyre dhe le të zbulojmë se çfarë bënë në jetë ata të dy, i pasuri edhe Lazari,që njërin e çoi në parajsë dhe tjetrin në ferr.
Së pari kemi të varfrin, Llazarin. A mos shkoi vallë në parajsë, vetëm sepse ishte i varfër? Sigurisht që jo. Ka të varfër që janë bërë shenjtorë, por ka edhe të varfër që janë bërë kriminelë. Virtyti i Llazarit nuk qe se ai ishte i varfër, por që në varfërinë e tij ai nuk u përpoq të vidhte, ose të mashtronte, të bëhej kriminel. Në vend të kësaj, ai e vuri gjithë shpresën te Perëndia dhe nuk ra në dëshpërim, të kërkoj vdekjen ose të bëjë vetvrasje.Llazari nuk u inatos me Perëndinë për gjendjen e tij të vështirë as me botën përreth tij, ai nuk u ankua, nuk mallkoi, por e vuri të gjithë shpresën te Perëndia duke pare me besim përtej gjërave të përkohshme, duke shpresuarqë diçka më e mirë do të vinte pas përfundimit të këtyre vuajtjeve të përkoshme.
Por ç’ndodhi me të pasurin? Pse ai shkoi në ferr?
Vetëm sepse ishte i pasur? Sigurisht që jo. Pasuria nuk është mëkat, ashtu si nuk është mëkat të jesh i varfër, por ai duke qenë i pasur mendoi vetëm për vete, nuk u kujdes për të afërmin, nuk dha as thërrimet që binin nga tryeza e tij, u tregua indiferent dhe i pashpirt. Ky është mëkati i të pasurit, egoizmi mizor, që i kishte krijuar ferrin atij ,sepse ferr do të thotë gjendje e izoluar, i ndarë nga Perëndia, i ndarë nga i afërmi i cili është i krijuar sipas ikonës së Perëndisë. Pra me fjalë të tjera, mëkati nuk ishte diçka që ai bëri keq, por ajo që kishte mundësi të bënte mir dhe nuk e bëri.
Kështu Zoti Jisu Krisht na mëson që pasuritë nuk janë një shenjë bekimi, ato janë një provë që Perëndia i`a u dha për administrimin e tyre, sepse :”Atij që i është dhënë shumë do t’i kërkohet shumë” thotë Zoti
"Atëherë ai bërtiti edhe tha: “O atë Abraham, ki mëshirë për mua dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të freskoj gjuhën sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë"Luk16 ;24)
Në këto vargje na tregohet se pas vdekjes shpirtrat janë të vetëdijshëm për atë që ju ka ndodhur dhe ku ndollen. Madje shpirti i të pasurit ishte në gjendje të komunikonte me Abrahamin, pra ata mund të luten, të kërkojnë ndihmë, por nuk kanë ndonjë favor dhe përfitim për këtë, sepse lutjet dëgjohen vetëm në këtë jetë.
Duke i thirrur Abrahamit atë, ai kërkon të vendos komunikim me atë, duke i thënë Abrahamit se unë jam një nga bijtë e tu, jam një jude, jam prej farës sate, isha një i pasur si ty, por tani jam në mjerim, nuk kam asgjë, asnjë pikë ujë. Ai u lut për mëshirë, duke iu përgjëruar që Abrahami të dërgonte Llazarin t’i çonte një pikë ujë për të freskuar gjuhën e tij.
Në këto vargje Zoti Krisht na jep një ikonë të ferrit si vuajtjeve të zjarit dhe të mungesave ekstreme. Ferri nuk është krijuar nga Perëndia, por është një gjendje mundimi pa ngushëllim që i krijojnë vetes ata që i rrinë kundër Perëndisë, duke filluar me djallin dhe demonët që u rebeluan të parët. Për ata që e duan Zotin, prania e Tij do të jetë një dritë, gëzim i pafund, parajsë edhe jetë e përjetshme. Për ata që e urrejnë Zotin e njëjta prani do të jetë, erësirë, zjarrë, torturë e pafundme dhe vdekja e përjetshme.
Sipas shenjtorëve zjarri që do të konsumojë mëkatarët në ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë është i njëjti zjarr që do të shkëlqejë me madhështi në shenjtorët, është zjarri i dashurisë së Perëndisë, zjarri i vetë Perëndisë, hiri i dashuris “sepse Perëndia ynë është një zjarr që të përpin” ( Heb. 12-29).
Pra për ata që e duan Perëndinë dhe për ata që e duan tërë krijimin në Zotin, zjarri (hiri) që të përpin i Perëndisë do të jetë një lumturi e ndritshme dhe kënaqësi e parrëfyer, po për ata që nuk e duan Perëndinë dhe që nuk duan aspak njerëzit dhe krijimin e Zotit, i njëjti zjarr që përpin do të jetë shkaku i qarjes dhe i kërcëllimit të dhëmbëve të tyre.
Mësimi shpirtëror i Kishës Orthodhokse është; “ Perëndia nuk e dënon njeriun me zjarr material apo torturë fizike, por njeriu pozicionohet vetë kundrejtë dasurisë Perëndisë, e pranon apo i ri kundra”.
Prandaj dhe shën Isaku i Sirisë na thotë: “Ata që e gjejnë veten në ferr, do të ndëshkohen me kamxhikun e dashurisë, sa mizore dhe sa e hidhur do të jetë tortura e dashurisë për ata që e kuptojnë se kanë mëkatuar kundër dashurisë, vuajnë më shumë se sa vuajtjet e shkaktuara nga tortura më të tmershme. Dhimbja që zapton zemrën që ka mëkatuar kundër dashurisë është më therrëse se çdo dhimbje tjetër. Nuk është e drejtë të thuash se mëkatarët në ferr janë privuar nga dashuria e Perëndisë. Por dashuria vepron në dy mënyra si vuajtje për të dënuarit dhe si gëzim për të bekuarit".
Të pasurit i digjej edhe gjuha,kjo për të treguar se shpirti është i ndjeshëm, por edhe se në ferr njeriu do të vuajë edhe me shpirt edhe me trup. Prandaj para se të bëhet gjykimi i madh do paraprijë ngjallja e të vdekurve siç na thuhet tek Zbulesa: “Dhe pashë të vdekurit të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë dhe librat u hapën dhe u hap një libër tjetër që është libri i jetës dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra sipas veprave të tyre” (Zb. 20:12)
"Por Abrahami thoshte: “O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai përdëllehet dhe ti vuan" (Luk16;25)
Abrahami iu drejtua si bir, duke i thënë se ai ishte vërtet një pasardhës trupor i tij, por jo një pasardhës shpirtëror. Këtë gjë na e thotë edhe apostull Shën Pavli: “Sepse jo të gjithë që janë nga izraeli janë izraelitë sepse jo sepse janë pasardhës të Abrahamit janë të gjithë bij, do të thotë nuk janë bij të Perëndisë ata që lindin prej mishi, por vetëm bijtë e premtimit numërohen si pasardhës” (Rom. 9:6-7)
Patriarku Abraham i kujtoi atij kohën e jetës që kishte kaluar në luks, komoditet dhe përmbushje e dëshirave të tij egoiste. Ai gjithashtu i kujtoi atij varfërinë edhe vuajtjen e Llazarit, por tani përtej varrit në jetën e vërtetë dhe të pandryshuar, rolet kishin ndryshuar, pabarazitë e tokës kishin ndryshuar drejtim. Në këtë varg ne mësojmë se zgjedhjet që bënë i pasuri dhe Llazari në këtë jetë përcaktuan destinacionin e tyre të përjetshëm në marrëdhënie me Perëndinë.
Destinacioni mbas vdekjes është i përcaktuar përgjithmonë dhe nuk ka kalim nga banesat e të shpëtuarve në atë të dënuarve, pra nuk ka kalim nga parajsa në ferr dhe anasjelltas, nga ferri në parajsë, këto janë gjendje të përjetshme.
Parabola vazhdon.
"Sepse unë kam pesë vëllezër dhe le t’i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh.” Abrahami u përgjigj: “Kanë Moisiun dhe profetët, le t’i dëgjojnë ata” Ai tha: “Jo o atë, Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen” Atëherë ai i tha: “Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe nëse dikush ringjallet prej të vdekurish”(Luk 16;26-31)
Në këto vargje shikojmë dinakërinë e të pasurit.
Në vdekje njeriu i pasur u bë menjëherë i ndjeshëm për gjërat shpirtërore dhe ai kërkon të justifikojë veten e tij. Kjo i ngjan si një njeri që i del pija dhe bëhet esëll dhe pendohet për ato që ka bërë kur ishte i dehur. Shën Pais agjoriti thotë se në këtë jetë njerëzit mëkatar edhe të pabesë janë si të pirë dhe nuk ndjejnë azgjë, por menjëherë mbas vdekjes shpirti i ndjen edhe i kupton të gjitha, si dikujt i ka dal pija dhe pendohet për ato që ka bërë, por pa dobi.
I pasuri dëshironte që dikush të shkonte te pesë vëllezërit e tij dhe t’i paralajmëronte që të mos shkonin në atë vend mundimesh. Përgjigja e urtë e Abrahamit ishte se këta pesë vëllezër duke qenë judenj kishin shkrimet e Dhjatës së Vjetër dhe ato ishin të mjaftueshme për t’i paralajmëruar ata.
Por i pasuri me dinakëri kundërshtoi Abrahamin duke i thënë : “Se nëse dikush nga të vdekurit do të shkonte tek ata, ata me siguri do të pendoheshin”.
I pasuri më këtë kërkonte të justifikohesh se kur ishtëe gjallë nuk kishte pasur argumenta të mjaftueshme për të besuar se ka jetë tjetër dhe kërkoi që nëse një nga të vdekurit do të shkonte t’u thoshte, kjo do të ishte e mjaftueshme për vëllezërit e tij dmth për njerëzit e pabesë.
Justifikimi është karakteristik e të papenduarve, prandaj në ferr nuk ka shpëtim, sepse nuk ka pendim,por justifikim të mëkatit dhe kjo i bënë të ngjashëm me djallin dhe demonë, të cilët nuk pendohen dhe mbeten përjetë të ndarë nga Perëndia.
Por megjithatë Abrahami kishte fjalën e fundit për t’i thënë pasanikut dinak,se dështimi në të dëgjuarit të fjalës së Perëndisë është i pajustifikueshëm.Pra nëse njerëzit nuk do t’i vënë veshin Shkrimit të Shejntë, nëse nuk do të besojnë çfarë është shkruar në atë, si fjalë e Perëndisë, edhe sikur një person të ringjallej së vdekurësh para atyre, prapë ata nuk do të besojnë. Kjo gjë u provua kur judejnt nuk i besuan ngjalljes së Zoti Krisht. Judejnt fanatik vazhdojnë edhe sot përsëri nuk besojnë ngjalljen e Krishtit, pavarësisht se Shkrimi i Shejntë e dhe faktet janë të pakundërshtueshme
Si përfundim, kjo parabol na kujton virtutin e dhembshurisë.
Dhembshuria është diçka bazike për njeriun, është ajo që e bën njeriun, njeri. Ungjilli nuk u përmend asnjëherë se i pasuri u dënua se kishte vjedhur, kishte mashtruar, apo kishte vrarë,por ai u dënua pikërisht sepse kishte ndenjur indiferent karshi vuajtjes së të tjerëve.
Gjithsekush nga ne ka parë shumë Llazarë tek dera e tij, jo më kot thuhet në ungjill, që Llazari ishte tek dera, për të treguar që dhembshuria nuk është diçka abstrakte. Zoti nuk do të na gjykojë ne për një mungesë dhembshuri apo dashuri abstrakte, por do të na gjykojë ne për dhembshurinë dhe dashurinë që nuk tregojmë ndaj njerëzve që shohim përditë afër nesh.
Llazarët nuk mund të jenë vetëm si Llazari i paravolisë, nuk mund të jenë të mbushur me plagë, nuk mund të jenë të leckosur fizikisht, por mund të jenë të leckosur shpirtërisht të neperkëmbur në dinjitetin e tyre njerëzor, me plagët e mëkatit,ose po vdesin nga uria për fjalën e Zotit dhe ne nuk tregojmë aspak kohë vëmëndje dhe kujdes për ata.Kjo munges dhëmshurie duket edhe brenda familjes, kjo nuk është gjë tjetër veçse një karakteristikë e kohëve të fundit ku Zoti thotë: “duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria” (Math. 24:12) dhe apostull Pavli i thotë Timotheut: Ky brez do të jetë i pa dhembshur” (II Tim. 3:3)
Por në të kundërtën një e mirë e madhe dhe e pallogaritshme është dhembshuria sepse ajo i fal shpejt mëkatet!
Tregohet një histori në një qytet ku jetonte një bukëpjekës shume koprac.
Para tij një ditë shfaqen tre lypësa të zhveshur dhe të uritur që i kërkuan një copë bukë që ai sapo i kishte nxjerrë nga furra, por ai i shau dhe i tha largohuni. Njëri prej tyre këmbëngulte dhe atëherë ai në inat e sipër mori një bukë dhe e goditi duke e sharë. Lypësi mori me nxitim bukën dhe iku. Atë natë në gjumë, ky bukëpjekës koprac pa në ëndërr sikur i doli shpirti dhe u vendos përpara gjykatores së drejtë të Zotit Krisht.Kur u vu peshorja veprat e tij ishin të liga dhe peshorja anoi nga e keqja dhe ishte gati të dënohesh.Atëherë u dëgjua zëri i Perëndisë. A ka bërë ndonjë gjë të mirë ky njeri në jetë e tij në tokë? Dhe engjëlli i tij roje tha – ka dhënë një bukë një lypsi. Atëherë u shfaq lypësi dhe e vendosi bukën në peshore dhe peshorja e barazua. Kur u ngrit nga gjumi ky koprac falenderoi Perëndinë që nuk ishte me të vërtetë i vdekur,që nga ajo kohë ndryshoi tërësisht duke e ndarë pasurinë e tij me të varfrit dhe u bë njeriu më i dhembshur i qytetit, duke u bërë i dashur për njerëzit por edhe për Perëndinë.
Shën Joan Gojarti vazhdimisht thoshte “Keni bërë mëkate, mundohuni t’i lani … Gjurmoni kudo ku ka të varfër, mos u lodhni të udhëtoni deri në fund të botës deri sa të gjeni një të varfër dhe t’i jepni diçka, kjo do t’i shlyejë mëkatet tuaja”.
Le të bëjmë kujdes dhe le të vëmë në praktikë mësimin e Zotit Krisht që na thotë: “Bëni mirë me pasurinë e kësaj bote që kur t’ju mbarojnë t’ju presin në banesat qiellore” (Lk. 16:9) Kjo fjalë nuk është vetëm për të pasurit, por për secilin që nuk mund të jetë i pasur.Secili ka diçka të cilën mund ta ndajë me tjetrin, në mos gjëra materiale ai mund të ndajë gjëra shpirtërore,dshurinë, kohën e tij dhe fjalën e mirë.
Dhe si përfundim le të themi dhe këtë histori: Shkrimtar i madh rus, Dostojevski ishte duke bërë shëtitjen e mbrëmjes. Ashtu duke ecur dëgjoi zërin e një lypseje që i kërkonte t’i jepte diçka. Dostojevski kërkoi në xhepat e tij për të gjetur një monedhë por më kot. Atëherë shkrimtari i madh u ul në gjunjë dhe duke puthur dorën e lypëses i thotë – të më falni sepse në këto çaste nuk më ndodhet asnjë monedhë. Lypësja iu përgjigj. Të faleminderit e mora monedhën. Atë që më dhatë ju nuk ma ka thënë askush tjetër.
A ka monedhë më me vlerë se monedha e mirësisë ?