FRIKA E PERËNDISË DHE FRIKËRAT E NJERËZVE: (P.2)
Autori: Mitropoliti i Edesës Ioili
Përktheu nga greqishtja: Katekisti: Arbër Pandeli Zeneli
Trajtimi i frikës
Një theolog i kishës sonë thotë: “Prezenca e Perëndisë në jetën tonë largon frikën”. Ka edhe elemente trashëgimore ose elemente karakteristike që kontribuojnë në krijimin e frikës, prandaj kemi nevojë për ndihmë mjekësore, ose për mbështetje njerëzore. Njeriu që vuan nga fobitë ka nevojë për një atë shpirtëror, në mënyrë që me anën e misterit të rrëfimit ta këshillojë në mënyrë të drejtë dhe ta ndihmojë që të gjejë përsëri veten e tij dhe besimin e tij, t’i trajtojë mendimet e tij të këqija që i shkaktojnë frikën. Nëse fobitë i shkaktohen nga arsye trupore, atëherë le të shkojë tek një mjek, në mënyrë që t’i largohen dyshimet.
Vëllezër të dashur, arma kryesore (kundër frikës) është jeta kishtare dhe sigurisht pjesëmarrja në misterin e jetës, në Liturgjinë Hyjnore. Ai që ka frikë Zotin, nuk ju frikësohet kërcënimeve të demonëve ose zemërimeve të njerëzve, thekson shën Simeoni. Nga ana tjetër ateisti i fikësuar është plot me frikëra, të cila e bëjnë që të vuaj. Zoti, “Do të bëjë dëshirën e atyre që ia kanë frikën, dhe do të dëgjojë lutjet e tyre, dhe do t’i shpëtojë ata” (Psalm. 144.19).
Mendime të Etërve të Shenjtë mbi frikën
Frika është urdhërimi i parë, që drejton në zinë e mëkateve (Shën Petro Damaskini).
Ai që beson tek Zoti, i trembet ferrit, dhe ai që i trembet ferrit, ruan urdhërimet. Përsëri, ai që ruan urdhërimet, duron dhimbjet, dhe ai, i cili duron dhimbjet, fiton shpresën tek Perëndia (Shën Petro Damaskini).
Tjetër gjë është të frikësohesh nga Perëndia dhe tjetër gjë të zbatosh porositë e Perëndisë (Shën Simeoni, Theologu i Ri).
Frika e Perëndisë na detyron që të luftojmë të keqen dhe ndërsa jemi duke e luftuar, hiri i Perëndisë e lufton atë (Shën Marko Asketi).
Rrënja e devotshmërisë tonë për Perëndinë është frika e Perëndisë. Frika e Perëndisë është arma më e fuqishme për të luftuar vështirësitë në rrugëtimin tonë shpirtëror (Shën Joan Gojarti).
Fobitë njerëzore
Fobia, quhet nga shkenca humane, pra psikiatria, ajo gjendje ku njeriun e pushton frika, ndërkohë që nuk ka asnjë shkak real të frikës.
Themi se dikush ka klaustrofobi, kur nuk mund të hyjë në hapësira të mbyllura, p.sh. në ashensor, ose të udhëtojë me avion, tren etj., sepse e ka kapluar një frikë e madhe. Shumica e gjërave dhe situatave mund të bëhen shkak i një fobie të tillë.
Fobitë më të zakonshmet janë: Fobitë nga sheshet ose vendet ku ka shumë njerëz (agorafobia), nga ngjitja në katet e larta të ndërtesave (fobia e lartësisë), nga insektet e padëmshme për njerëzit, si p.sh. merimangat e vogla (arachnophobia) buburrecat (fobitë e buburrecave) etj. Gjithashtu edhe frika nga mikrobet (mikrobiofobia), prandaj ata që vuajnë nga kjo lloj fobie lajnë duart dhe rrobat shumë shpesh.
Edhe sëmundje të ndryshme, si p.sh. kanceri (karcinofobia), si pasojë e të cilave bëjmë kujdes që të mos prekemi nga një person që vuan nga kjo apo ndonjë sëmundje tjetër. Ata që kanë një nga këto fobi nuk do të thotë se janë frikacakë apo se kanë një personalitet të reduktuar.
Përkundrazi, ata mund të jenë profesionistë të suksesshëm, shkencëtarë të mirë, apo edhe të merren me aktivitete të guximshme, si p.sh. alpinizëm.
Gjendja e fobisë është për shkak të disa shqetësimeve në funksionimin e sistemit nervor qendror. Kur personi që vuan nga fobia nuk ka simptoma të tjera psikopatologjike, atëherë kjo gjendje e dhimbshme quhet fobi neurotike dhe personi është plotësisht i vetëdijshëm për irracionalitetin e fobisë së tij.
Megjithatë, me gjithë përpjekjet e tij, ai nuk mund ta shpëtojë lehtë. Edhe fobia mund të jetë një nga simptomat e shumta të psikopatisë. Le të përmendim dy shembuj. Një mjek më tha se e vizitonte shpesh dikush që kishte fobinë e atakut në zemër dhe në përgjithësi fobinë e vdekjes. Dyshonte për të gjithë dhe dridhej nga mendimi se mund t’i binte infarkt. Herë pas here shkonte te mjeku dhe shprehte shqetësimet e tij.
Kur vite më vonë u sëmur me kancer në mëlçi, duke qenë se ishte i krishterë i ndërgjegjshëm, e përballoi sëmundjen me guxim dhe durim të admirueshëm dhe gjëja më e mahnitëshme ishte se ai priste në heshtje vdekjen.
Shembulli tjetër. Një kapiten i një anijeje tregtare, i cili lundronte shpesh nëpër oqeanet e trazuar dhe përballonte me sukses stuhitë e tmerrshme të detit, e pushtoi një fobi e madhe kur hyri në port dhe pa një grumbullim (bllokim trafiku) anijesh. Ai mendoi se nuk do të mund të hynte. Ai nuk kishte frikë nga dallgët e egra të oqeanit dhe dridhej nga trafiku i portit të sigurt.
Çfarë mund të bëjë një atë shpirtëror në këtë rast? Sigurisht, ai nuk mund të japë udhëzime në lidhje me barnat dhe trajtimet mjekësore. Komentet e tipit (nga ati shpirtëror) se ajo që ka pacienti nuk është asgjë, dhe nxitja për të mos shkuar te mjeku, nuk kanë asnjë rezultat të mirë. Nëse ai ka nevojë për trajtim mjekësor, do të gjykohet nga një mjek i mirë dhe me përvojë.
Shumë herë ati shpirtëror që jep këshilla të tilla bëhet i pabesueshëm dhe i pavlefshëm. Puna e atit shpirtëror në rrëfim është që personi që ka fobi të largohet me besim të patundur tek Perëndia dhe me shpresën se në problemin e tij nuk do të mungojë hiri i Perëndisë.
I mahnitshme është konstatimi empirik i Etërve të Shenjtë se sa më shumë të pastrohet mendja e njeriut, aq më shumë i zhduken pasionet dhe shqetësimet psikologjike. Një herë e pyetën një nga Jerondët se çfarë veprimi shpirtërore po bënte dhe ai u përgjigj: “Po ruaj mendjen”.
Ruajtja dhe pastërtia e mendjes e privon njeriun nga shumë fobi. Mendja e pastër dominon kokën dhe nënshtron të gjitha shqisat e trupit. Është shumë e rëndësishme që mendja të mund të njohë sëmundjen dhe të kërkojë shërimin e saj.
Kultivimi i mendjes me qetësinë, kreshmën, lutjen, lotët e pastrimit, shërbesat, punën dhe me komunikimin me atin shpirtëror dhe me etër të tjerë dhe me dëgjimin e fjalës së Perëndisë do të sjellë rezultate pozitive për njeriun dhe do të mund që të përballojë në mënyrë më dinamike fobitë torturuese. Hiri i Perëndisë, kur pushton zemrën e njeriut, pastron të gjitha fuqitë e shpirtit dhe sigurisht fuqinë më kryesore, që është mendja. Kështu mund të shërohen edhe fobitë.
Në mënyrë praktike mund të themi se puna e mendjes me kujtimin e vazhdueshëm të Krishtit është mjeti, me anën e të cilës mund të kontrollojmë fobitë tona. Mbrapa fjalëve të uratës shpëtimtare fshihet prezenca e vetë Krishtit. Njeriu që lutet duke thënë: “Zot Jisu Krisht, mëshiromë”, vjen në një komunikim të drejtpërdrejtë me Perëndinë dhe gjallërohet. Shpirti i njeriut mbushet nga dashuria për Jisuin dhe kështu zbrazet nga të gjitha fobitë. Kam parasysh dikë që kishte fobi të ndryshme që e pengonin të flinte dhe kur filloi të thoshte lutjen dhe të vepronte brenda vetes, shumë nga këto situata të vështira u zhdukën.
Është gjithashtu e vërtetë që njerëzit e ndjeshëm vuajnë shumë nga fobitë. Jerondi i lumur Shën Paisi, thoshte se i ligu gjen mundësi të ndryshme dhe njerëzit e ndjeshëm i bën akoma edhe më të ndjeshëm dhe njerëzit jo të ndjeshëm, i bën akoma edhe më të pandjeshëm. Njerëzit e ndjeshëm shumë herë kalojnë ditë të vështira nga veprimi i fobisë.
Ngjarje të ndryshme të jetës së përditëshme, veprimi i të ligut dhe gjendjet e qenësishme psikologjike e bëjnë njeriun që të vuajë shumë. Atëherë nevojitet ndihma e atit shpirtëror, që të bashkëbisedojë me të, të forcohet nga fjalët e tij, të ndjejë ngushëllimin hyjnor. Prania e njerëzve që na duan me vetëmohim është e dobishme.
Do të donim që të preknim edhe një pikë tjetër. Shërimi i fobisë varet edhe nga përulësia e njeriut. Kujtoj fjalët e një Jerondi të Malit të Shenjtë për dikë që kishte fobi torturuese. Ishte i ri në moshë dhe kishte frikë që të ecte gjatë natës ose të kalonte nëpër varreza, ose të flinte vetëm në dhomë, etj. Ky Jerond i ndriçuar nga Perëndia i tha: “Të gjitha këto i pëson nga egoizmi yt dhe sepse nuk kungohesh shpesh”. Përulja e vetes sonë dhe hiri jetëbërës i mistereve kanë fuqinë që të shërojnë fobinë. Nuk mjaftojnë vetëm ilaçet e mjekut, por nevojitet edhe fuqia e hirit të Perëndisë, i cili ose vjen tek ne me anën e mistereve të Kishës, ose vjen nëpërmjet marrëdhënieve tona personale me Perëndinë. Aty ku duhet t'i kombinojmë të dyja, do ta bëjmë. Nëse fobitë janë të rrënjosura në shkaqe thjesht shpirtërore (të tilla si mëkatet), ne do t'i drejtohemi ndihmës së Perëndisë.
Një tropar i bukur i Kishës sonë i bën thirrje Perëndisë që të na largojë nga hidhërimi dhe të na sjellë në gëzim. “Dhimbjet e shërbëtorit tënd, rrezikun e tanishëm, pështjellimin dhe pikëllimin, shndërroje tani, O Zot, dhe ktheje këtë zi, në gëzim të përjetshëm, që me besim dhe me dëshirë, papushim të të madhërojmë” (Lutje për sëmundjen).
Le të japë Perëndia këtë zgjidhje për të gjithë sa kanë probleme dhe hidhërime.