FRIKA E PERËNDISË DHE FRIKËRAT E NJERËZVE (P.3)
Autori: Mitropoliti i Edesës Ioili
FRIKA SIPAS ETËRVE
Frika e Perëndisë karakterizon njeriun që jeton jetën “më Krishtin” dhe punon që frika mos t’i mungojë, sepse në këtë mënyrë ai ruan gjithmonë në mendjen e tij fjalën e Zotit që thotë: “Ti trembeni Perëndisë, i cili pas vdekjes suaj ka pushtet që t’ju hedhë në zjarrin e përjetshëm të ferrit. Po, ju them, atij duhet t’i frikësoheni”.
Frika si fuqi vetëruajtje dhe si kërcënim për prishjen e kungimit me Perëndinë është “sipas natyrës” një vyrtyt, i cili karakterizoi të Parëkrijuarin përpara rënies. Kjo lloj frike ju dha Adamit që ta përmbante nga një rënie e mundshme të tij në mëkat dhe të gjallëronte zhvillimin e pandalshëm të marrëdhënies me Perëndinë.
Frika e Perëndisë, por edhe frika e humbjes së shqisave janë gjendje të ndërvarura. Ai i cili, me fjalë të tjera i trembet ndonjë gjëje të kësaj bote, tregon se nuk i trembet Perëndisë, dmth., nuk llogarit dashurinë e Tij dhe nuk mbështetet në Providencën e Tij. Shën Joani i Shkallës në mënyrë karakteristike thotë: “Ai i cili u bë shërbëtor i Zotit, do t’i trembet vetëm Zotit të tij. Dhe ai i cili nuk i frikësohet Zotit, shumë herë ka frikë edhe nga hija e tij”. Shenjtori konsideron se frika tregon sëmundjen dhe pafrytësinë e shpirtit, dhe thotë: “Demonët nuk forcohen kundër nesh prej errësirës apo prej shkretësisë së vendit, por prej pafrytësisë së shpirtit tonë” dhe “atëherë nuk do të mundesh ta mposhtësh frikën”.
Etërit e Shenjtë nuk e konsiderojnë këtë frikë (frikën nga Perëndisë) si një ndjenjë pasionante dhe të dëmshme. Përkundrazi, ata e frymëzojnë atë te besimtarët, duke e cilësuar si tregues të dashurisë së tyre për Perëndinë dhe si një dritë të shndritshme në shpirt, që e largon errësirën nga brenda dhe e pastron atë nga çdo gjë e keqe, duke e bërë të aftë për të shprehur fjalë urtësie dhe diturie.
Në këtë rast frika është, në një lloj mënyre sinonim i dashurisë, pasi buron nga dashuria e njeriut për Perëndinë, dhe dashuria për të gjithë dhe për gjithëçka jep fryte. “Furra teston argjendin dhe arin”, thotë shën Efrem Siriani, “dhe frika e Zotit teston mendimet e atyre që e duan Atë. Ashtu siç mjeshtri ulet dhe farkëton dhe pastron enët e dobishme, kështu edhe frika e Perëndisë pastron zemrën nga çdo mendim dinak dhe e bën që të shprehë fjalë urtësie dhe diturie”.
Frika është një nga emocionet më të rënda dhe kërcënuese që minojnë gjendjen e qetë të shpirtit njerëzor. “Jeta e njeriut”, thotë një studiues modern, “është e ndarë mes frikës dhe shpresës... Njeriu është një qenie e frikësuar që nuk lodhet kurrë së shpresuari”.
Në fakt, që në foshnjëri, tek fëmija vërehen një sërë reagimesh frike ndaj stimujve të ndryshëm që merr, të cilat shkaktohen kryesisht nëpërmjet shqisave (vizuale, dëgjimore, etj.) dhe që zakonisht shtypen lehtësisht me praninë e nënës dhe me dashurinë.
Përsëritja e sfidave të tilla frikësuese, ndërsa fëmija rritet, krijon përvojën e tij personale. Nëse, në fakt, kësaj përvoje fillestare i shtohen ngjarje të reja, ajo tashmë vendoset dhe rritet në intensitet dhe pasoja. Ajo mbetet aktive tek njeriu derisa ai të rritet, kur ai do të mund ta përballojë atë në mënyrë të pjekur dhe në mënyrën më korrekte.
Ndjenja e frikës funksionon më pas si instikt, pasurohet nga mendimi dhe imagjinata dhe rritet si përvojë derisa të shfaqet si e fuqishme dhe ndonjëherë dërrmuese. Njeriu i pjekur dhe i kulturuar është, në raport me fëmijën, më i prekshëm dhe i ekspozuar ndaj frikës. Dhe kjo, sepse njohuritë dhe përvoja e tij i mundësojnë të parashikojë atë që do të vijë dhe të vlerësojë në përputhje me rrethanat dinamikën dhe rrezikshmërinë e tyre.
Shkaku më i thellë i frikës për njeriun, thelbi, si të thuash, i gjithë pasigurisë së tij është, sipas studiuesve ekspertë, kërcënimi i vdekjes. Sindromat individuale fobike, si p.sh., frika nga sëmundja, ndryshimi, fenomenet e motit, ndërprerja e marrëdhënieve njerëzore, refuzimi ose humbja e imazhit ideal për veten janë manifestime më specifike të frikës së vetme, frikës nga vdekja.
Që nga kohërat e lashta, njeriu, duke u përpjekur të pozicionohet në çështjen e fatit (mbarimit) të tij biologjik, ka dhënë interpretime të ndryshme. Por ne nuk kemi ndërmend të merremi me to në punimin tonë të vogël aktual. Këtu do të kufizohemi vetëm në pozicionimin dhe interpretimin e etërve të shenjtë për ndjenjën e frikës, si dhe në përvojat përkatëse Kristocentrike të pjesëtarëve të Kishës sonë, siç ato tregohen ndër shekuj në jetën dhe në veprat e Shenjtorëve të saj.
Në mendimin e Etërve të shenjtë, çështja e vdekjes me të cilën ballafaqohet njeriu, qoftë si një ngjarje e afërt personale, qoftë si një ngjarje për njerëzit e tjerë, e nxjerr atë përpara problematizimit të ekzistencës dhe në vazhdim të diturisë së Perëndisë.
Në fazat fillestare kjo përvojë e dhimbshme shkakton një frikë të pacaktuar në shpirtin e njeriut, por, sipas Etërve, kjo frikë është e dobishme. Dhe kjo, sepse e zgjon njeriun nga pakujdesia dhe nënshtrimi i tij ndaj jetës së kënaqësive tokësore, duke e ndihmuar atë të ngrihet dhe të kërkojë “Perëndinë e Gjallë” si Zot të së tashmes dhe të përjetësisë, në mënyrë që të besojë në Të ose, në përputhje me rrethanat, ta refuzojë Atë. Në këtë kuptim, frika është një avantazh dhe një bekim, sepse e mban njeriun vigjilent dhe i ngjall dëshirën për të kërkuar të vërtetën.
Nëse frika e vdekjes dhe kërkimi prej saj për të vërtetën takohet me Perëndinë-Fjalën e Mishëruar dhe beson në Të, atëherë tek njeriu do të lindë një frikë tjetër, frika nga mëkati dhe pasojat e tij. Kjo frikë nga rënia në mëkat dhe pasoja e saj, si psh., humbja e Hirit Hyjnor, nuk është negative dhe e sëmurë, por është një forcë që ngjall neverie ndaj çdo gjëje që nuk i përket Perëndisë ose që kundërshton vullnetin e Tij të shenjtë (Shiko Psalm. 138. 22).
Frika hyjnore, siç është zakon ta quajmë këtë përvojë të dërguar nga Perëndia, nuk është e rëndë dhe dërrmuese për njeriun, si gjendjet e tjera fobike represive, por është një frikë paqebërëse dhe jetëbërëse. Është, sipas Psalmistit, “fillimi i urtësisë” (Psalm. 110. 10), e cili, nëse jetohet në mënyrën e duhur, me siguri do të çojë në plotësinë e mençurisë që është dashuria (1Joan. 4. 18). Kur njeriu arrin këtë gjendje të bekuar, atëherë frika ndaj Perëndisë ngjall tek ai një lloj tjetër frike, frikën e humbjes së Hirit Hyjnor nga jeta e tij, për shkak të dështimit dhe padenjësisë së tij për të mbetur një enë e pastër dhe pranuese e Tij.
Përshtatshmëria dhe dobia e kësaj frike Perëndie të frytshme dhe pedagogjike drejt rrugëve të drejta dhe shenjtëruese të Shpirtit, i shtyu Etërit tanë të shenjtë që kësaj teme t’i jepnin vend parësor në ligjërimet dhe veprat e tyre.