NXËNËS ANTISOCIAL SOT...NJERI ANTISOCIAL NESËR!
Autori: Kostandina Arkumani, Theologe
Në ditët e sotme shohim se sa e vështirë është të gjesh njerëz të ekuilibruar mendërisht dhe fizikisht. Njerëz shpirtëror që zgjedhin me vetëdije të përdorin mirë lirinë e tyre dhe të jetojnë me vendosmëri e maturi jetën në Krishtin. Fatkeqësisht, vështrimi i njeriut, që në moshë të hershme, është i përqendruar në të mirat materiale, në arritjen e aspiratave personale dhe në plotësimin e kërkesave të tij. Kështu njeriu gaboi dhe në vend që të adhuronte Krijuesin, ai adhuroi krijimin dhe u bë qenie antisociale. Por socializimi është një nga karakteristikat kryesore të krishterimit dhe i krishteri duhet të jetë një person social i gatshëm të ndajë shqetësimet dhe ndjesitë e tij me të tjerët.
Me socializim nënkuptojmë tendencën për t'i përkitur një grupi ose për të përftuar kënaqësi nga një aktivitet në grup ose punë në grup. Vlen të theksohet se në Dhiatën e Vjetër në librin e Zanafillës vërejmë se Perëndia pasi krijoi Adamin e pa se nuk ishte mirë që ai të ishte vetëm, prandaj krijoi edhe Evën nga brinja e Adamit. Perëndia e krijoi njeriun nga zeroja, i dha edhe mundësinë që me përpjekjen e tij personale dhe me asketizim të bëhet Perëndi sipas hirit, “dhe tha Perëndia, le ta bëjmë njeriun sipas ikonës sonë dhe ngjashmërisë sonë”. (Zan. 1.26).
Çdo person i Trinisë së Shenjtë, Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë janë një Perëndi i përsosur. Të tre personat janë një Perëndi Triadik. Bashkimi i personave të Trinisë së Shenjtë është tregues për bashkiin e pjesëtarëve të Kishës. Perëndia është dashuri. Dhe është dashuri si Triadik. Dashuria e Perëndisë Triadik nxjerr në pah idealin e dashurisë mes tyre. Dhe njeriu si krijesë “sipas ikonës dhe ngjashmërisë” së Perëndisë Triadik thirret që të përsoset në dashuri me modelin e dashurisë hyjnore. Siç Perëndia është unik në esencë dhe tre në hipostazë, kështu edhe njeriu thirret që të tejkalojë ndarjen në të cilën jeton dhe jetë unik në esencë dhe i shumëfishtë në hipostaza. Ky është edhe qëllimi i Kishës.
Në fund të fundit, nuk është rastësi që të krishterët e hershëm e ruajtën shoqërueshmërinë e tyre në atë masë sa mund të flasim për pronësi të përbashkët. Në epokën e hershme të krishterë, të krishterët kishin gjithçka të përbashkët. Zakonisht, ata shisnin pronat ose shtëpitë e tyre dhe ia dhuronin paratë Kishës. Në këtë mënyrë nuk kishte asnjë të krishterë të cilit i mungonin gjërat e nevojshme dhe të gjithë besimtarët kishin krijuar një marrëdhënie dashurie dhe uniteti.
Vlen të theksohet se Kostandini i Madh praktikonte bamirësi si perandor i krishterë dhe tregonte dashurinë e tij ndaj nevojtarëve dhe të sëmurëve. Ai krijoi disa organizata bamirësie si spitale, shtëpi të varfërish dhe shtëpi pleqsh për të ndihmuar njerëzit e tjerë. Natyrisht, vepra e tij u imitua nga perandorë të tjerë bizantinë si Leoni i Urtë, Konstandin Porfirogeneti dhe Aleks Komneni. Të gjithë këta shembuj, pra, na çojnë në përfundimin se i krishteri duhet të zhvillojë shpirtin e tij social dhe kolektiv, sepse njeriu nuk shpëtohet vetëm, por bashkë me njerëzit e tjerë brenda Kishës. Në këtë studim do të identifikojmë se kush është nxënësi dhe personi antisocial, cilat janë arsyet që e shtyjnë atë të adoptojë këtë sjellje dhe si mund të kthehet në gjendjen e tij normale.
Sjellja antisociale tek nxënësit
Një antisocial është ai që shmang jetën shoqërore dhe është kundër shoqërisë dhe institucioneve shoqërore. Me fjalë të tjera, një person që priret të jetë reaksionar, të mos ndjekë dhe të mos zbatojë rregullat e familjes së tij dhe rrjedhimisht të shoqërisë në të cilën jeton, mund të karakterizohet si antisocial.
Para së gjithash, një qëndrim agresiv është një nga karakteristikat kryesore të sjelljes antisociale. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ky person antisocial nuk u bindet rregullave shoqërore, dhe si rezultat ai shkel ligjet. Shumë herë ai bëhet nervoz, i dhunshëm, indiferent ndaj sigurisë së tij dhe të tjerëve. Megjithatë, duhet theksuar se sjellja antisociale që një person mund të shfaqë në një moment të jetës së tij, veçanërisht në moshë të re, nuk është domosdoshmërisht jashtëzakonisht shqetësuese. Mund të jetë thjesht një kërkim për individin për të gjetur veten dhe ekuilibrin e tij, gjë që çon në ndryshime në sjelljen e tij dhe “eksperimente” për të formësuar më në fund karakterin e tij.
Është e qartë se kur dikush sillet në mënyrë antisociale karakterizohet nga mungesa e respektit për të tjerët. Në të njëjtën kohë, ai e ka të vështirë të ndjejë dhembshuri për të tjerët dhe nuk tregon prirje për pendim kur hidhëron ose lëndon një qenie tjetër njerëzore. Prandaj, është e lehtë të shihet se njerëzit antisocialë mund të shfaqin një egërsi ndaj kafshëve që i paraprin keqtrajtimit të njeriut. Pasoja e natyrshme e një situate të tillë është se këta njerëz reagojnë papritur, marrin vendime të nxituara për çështjet që kanë të bëjnë me jetën e tyre, ndërsa e kanë të vështirë të planifikojnë të ardhmen e tyre.
Është fakt se një nga aspektet më të rëndësishme të sjelljes antisociale është prirja e këtyre njerëzve për të gënjyer dhe për të provuar të justifikojnë gjithçka dhe për të krijuar histori të rreme për të justifikuar sjelljen e tyre. Në këtë kontekst kuptojmë se këta persona paraqesin probleme në përshtatje, në ndjekjen e shkollës, në performancë në mësime dhe probleme brenda familjes apo hapësirës profesionale. Zakonisht, ata janë njerëz me vetëbesim të ulët, kanë vështirësi në marrëdhëniet e tyre ndërpersonale dhe priren të shmangin përgjegjësitë dhe detyrimet.
Diçka që mund të ndihmojë në adresimin e sjelljeve devijuese të të rinjve është shkolla e cila mund të identifikojë disa sjellje të hershme antisociale ose problematike të fëmijëve dhe t'i ndihmojë ata t'i kapërcejnë ato. Më konkretisht, në çdo njësi shkollore, por edhe në klasë, është e nevojshme që disa rregulla të sjelljes së nxënësve të zbatohen dhe të respektohen nga të gjithë. Shpesh takojmë nxënës që kërkojnë mënyra për të thyer rregullat duke bërë pikërisht të kundërtën e asaj që mësuesit e tyre u kërkojnë atyre të bëjnë duke adoptuar një qëndrim reaksionar. Ne gjithashtu mund të dallojmë nxënës që grinden me shokët e tyre të klasës ose bëjnë zhurmë në klasë. Kjo mund të përshkruhet si një përpjekje e dëshpëruar për të tërhequr interesin e mësuesve dhe shokëve të tyre të klasës.
Në fund të fundit, në shumicën e shkollave është një realitet i trishtuar të shohësh një nxënës që nuk i kushton vëmendje mësimit, ai mund të tregojë apati ose indiferencë përballë mësuesit të tij. Ka edhe fëmijë që në shkollë kanë një veshje të papërshtatshme për të provokuar mjedisin përreth, ndoshta sepse nuk kanë fituar ende një etikë shkollore. Dikush mund të thotë se ka të rinj që e shfaqin sjelljen e tyre antisociale në mënyra të tjera, si përdorimi i sendeve të mprehta në klasë dhe kërcënimi i shokëve të klasës dhe mësuesve, konsumimi i alkoolit dhe substancave të tjera të dëmshme, duke pasur zakone të këqija si pirja e duhanit.
Vazhdon...