NXËNËS ANTISOCIAL SOT...NJERI ANTISOCIAL NESËR! (P.2)
Autori: Kostandina Arkumani, Theologe
Vazhdim...
Konsumizmi dhe antisocialiteti shkollor
Më konkretisht, mund të identifikohen nxënës antisocialë që shkatërrojnë pronën e shkollës dhe nuk kompensojnë gabimet e tyre, mbajnë një qëndrim nënçmues ndaj mësuesit, sepse e konsiderojnë atë përgjegjës për problemet sociale dhe ngërçet e shoqërisë, sepse mësuesi përfaqëson mjedisin e të rriturve, që shpesh i zhgënjen të rinjtë.
Natyrisht, mësuesi mund të dallojë shenja antisocialiteti edhe kur i riu refuzon të bashkëpunojë në punën në grup dhe në aktivitetet shkollore ose shpik mënyra për të munguar në orët e mësimit për arsye jo serioze. Më e keqja nga të gjitha është kur nxënësit tallen me shokët e klasës dhe përgjithësisht me njerëzit e kombësive, gjuhëve, feve, kulturave të ndryshme ose me fëmijët me aftësi të kufizuara. Aty e kuptojmë lehtësisht se shkolla ka dështuar në qëllimin e saj që është ndryshimi i përhershëm i sjelljes së nxënësit dhe socializimi paqësor i nxënësve.
Ndërsa miliona fëmijë në Botën e Tretë po vdesin nga uria, epidemitë dhe luftërat, fëmijët e botës së zhvilluar po shkatërrohen psiqikisht. Një fenomen modern që po e shikojmë me ankth në Amerikë është se çrregullimet e sjelljes kanë arritur deri në atë pikë saqë shpeshherë policia ndërhyn për të arrestuar të rinjtë. Rreth 3.2 milionë fëmijë në Shtetet e Bashkuara dëshmojnë dhunë në familje çdo vit. Veçanërisht i rëndësishëm është fakti që shoqëria amerikane është ajo që u mëson fëmijëve dhunën, paligjshmërinë dhe zotërimin e armëve që në moshë shumë të vogël.
Do të ishte një lëshim i madh të mos përmendim se në Amerikë njerëzit i shpërfillin mësimet e Zotit Jisu Krisht, ata humbasin në kënaqësitë dhe sigurinë që ofron teknologjia moderne dhe kështu largohen nga misioni i tyre i shpëtimit. Ata kanë marrë një frymë anti të krishterë, dmth., një frymë që bie në kundërshtim me Perëndinë. Kjo do të thotë se Lindja dhe Perëndimi janë shumë të ndryshme, pasi në mënyrën perëndimore të jetesës ka një tendencë për të mësuar se morali është si diçka që duhet bërë, ndërsa në Kishën Orthodhokse ne besojmë në rilindjen shpirtërore dhe transformimin e njeriut përmes mistereve të Kishës.
Nuk ka dyshim se familja është çelësi i zhvillimit të sjelljeve antisociale tek fëmijët, pasi në të krijohen themelet e personalitetit të tyre dhe përshtatja në të ardhmen. Të rinjtë me sjellje problematike vijnë nga familje toksike ku mbizotërohen ose nga vendimmarrja e rreptë, nga ndëshkimet e ashpra ose nga paaftësia për të kufizuar sjelljet e fëmijëve dhe shpesh janë të njëjtat viktima të neglizhencës ose abuzimit fizik, verbal dhe emocional ose dhunës në familje.
Në këtë pikë është vënë re se njerëzit antisocialë kanë më shumë gjasa se të tjerët të jenë abuzuar në fëmijëri. Kjo nuk është për t'u habitur duke qenë se shumë prej tyre janë rritur me prindër të pakujdesshëm dhe ndoshta të dhunshëm dhe antisocialë. Në shumë raste, personat e dikurshëm të dhunuar abuzojnë me fëmijët e tyre kur vendosin të krijojnë familje. Herë të tjera fëmijët antisocial vijnë nga një mjedis konservator që nuk i ndihmon ata të zhvillojnë pavarësinë apo autonominë në jetë.
Sigurisht, një person antisocial mund të mos jetë përgjegjës për atë që i ndodh. Një formë moderne abuzimi është abuzimi me fetusin, ku gruaja shtatzënë ose pi duhan vetë ose jeton në një mjedis me duhanpirës. Gjithashtu, konsumimi i alkoolit nga gruaja shtatzënë shkakton probleme tek fetusi. Të gjitha sa më sipër na çojnë në përfundimin se kur një grua gjatë shtatzënisë përdor substanca ose ka stres të tepruar, fetusi ndikohet emocionalisht dhe me rritjen e fëmijës mund të shfaqë prirje antisociale.
Vazhdon...