NXËNËS ANTISOCIAL SOT...NJERI ANTISOCIAL NESËR! (P.3)
Autori: Kostandina Arkumani, Theologe
Vazhdim...
Rëndësia e mjedisit social në pjekurinë e fëmijës
Është e qartë se mungesa e mirëkuptimit, mbështetjes dhe inkurajimit të fëmijëve brenda familjes, neglizhenca emocionale e cila shprehet me mungesën e kohës që prindërit i kushtojnë fëmijëve të tyre, mungesa e një marrëdhënieje të ekuilibruar mes prindërve, përdorimi i dhunës apo shantazhi emocional si metodë e zgjidhjes së problemeve, mungesa e kufijve të perceptuar si shenjë indiferencë ndaj fëmijëve, edukimi i dobët dhe shpërthimet e shpeshta të zemërimit mund ta çojnë të riun modern në sjellje antisociale ose delikuente.
Nuk duhet të harrojmë se fëmijët me sjellje problematike mund të jenë refuzuar nga bashkëmoshatarët e tyre ose nga njerëz të moshave më të mëdha dhe ky refuzim bën që këta të refuzuar nga shoqëria të krijojnë lidhje me njëri-tjetrin. Këto marrëdhënie mund të inkurajojnë dhe nxisin agresion dhe sjellje të tjera antisociale dhe më vonë të çojnë në anëtarësimin nëpër banda kriminale. Zakonisht, personalitetet me sjellje antisociale ia atribuojnë shkakun e problemeve të tyre të tjerëve dhe jo vetes.
Në përgjithësi pranohet se këta fëmijë mund të kenë përjetuar makthin e një divorci të dhimbshëm ose humbjen e një prindi. Të mos harrojmë se prindi në kushte ideale është ai që e mbështet fëmijën biologjikisht dhe fizikisht duke i siguruar atij një mjedis të qëndrueshëm në të cilin ai mund të zhvillohet dhe maturohet, duke qenë njëkohësisht model imitimi. Humbja e prindit nuk prek vetëm fëmijën, por është një përçarje për të gjithë familjen me pasoja të shumëfishta në strukturën dhe funksionin e saj.
Duhet pranuar që mjedisi social në të cilin rriten fëmijët luan rolin e vet në zhvillimin ose jo të socializimit të tij. Mungesa e komunikimit mes të afërmve, dmth., pamundësia e familjes për t'u lidhur me lidhje dashurie të forta me mjedisin familjar dhe mosmbizotërimi i dashurisë, respektit dhe së vërtetës në shtëpi dhe mbizotërimi i pabarazive sociale edhe padrejtësive në kurriz të personave të caktuar brenda familjes së fëmijës, atëherë e gjithë kjo lind fenomenin negativ të antisocialitetit të fëmijëve. Të rinjtë riprodhojnë ngërçet sociale që përjetojnë në mjedisin e tyre familjar dhe farefisnor dhe kthehen kundër të afërmve të tyre. Natyrisht, “klasa mund të konsiderohet një mjet socializimi, domethënë është një institucion nëpërmjet të cilit formohen personalitete individuale, për të përvetësuar për sa i përket motivimeve dhe aftësive teknike të tyre përshtatshmërinë për ushtrimin e roleve”.
Nxënësi antisocial është antisocial si me veten, ashtu edhe me Zotin dhe me njerëzit me të cilët bie në kontakt, si shokët e klasës dhe mësuesit. Është e rëndësishme të kuptohet se shkolla është mjedisi në të cilin njeriu duhet të përpiqet të zhvillojë shoqërueshmërinë, punën në grup dhe bashkëpunimin. Përpjekja e tij në shkollë që përfshin librat, kurrikulën e shkollës dhe marrëdhëniet e tij me "të tjerët" ndikon te nxënësi dhe e ndihmon atë të mësojë të luftojë në mjedisin e tij të ardhshëm profesional dhe në jetën familjare.
Në fund të fundit, Zoti na ka lënë urdhërimin e dyfishtë të dashurisë që na motivon ta duam Zotin me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me gjithë mendjen tonë. Megjithatë, ekziston një urdhërim tjetër i madh që plotëson të parin: “Duaj të afërmin tënd si veten tënde”. I riu duhet të mësojë të dashurojë, të sakrifikojë, të ndajë, të përulet dhe të jetë i hapur emocionalisht ndaj të afërmit. Në përgjithësi, Apostulli Pavlo na mëson të shmangim sjelljet antisociale dhe izoluese, duke theksuar përgjegjësinë që ka çdo besimtar, për t'u kujdesur për veten dhe për të tjerët.
Shembulli pedagogjik i Shën Nektarit për sjelljet antisociale të nxënësve
Është mbresëlënëse mënyra se si Shën Nektari ka vepruar si drejtor i Shkollës Kishtare Rizareio. E quanin “mësues dashurie” dhe nuk gabonin, pasi kur u përball me disa nxënës grindavec, shenjtori u përpoq t'i qetësonte duke ia hedhur fajin vetes. Ai nuk e përdorte ndëshkimin si mjet edukimi, sepse kishte frikë se në këtë mënyrë do t'i krijonte fëmijës trauma psikologjike.
Shën Nektari preferoi të mbante barrën e mëkatit të nxënësve të tij duke imituar Zotin Jisu Krisht. Një interes të madh paraqet një episod, në të cilin, “në kohën e darkës së përbashkët, ndërsa të tjerët po hanin, Shenjti iu lut Perëndisë për një problemin dhe iu nënshtrua kreshmës së rreptë. Kjo çështje tronditi komunitetin e vogël të Rizario. Ndoshta, sepse për herë të parë në jetën e tyre, nxënësit dhe mësuesit panë një drejtor shkolle që nuk kërkonte përgjegjësi tek të tjerët, por tek vetja. Studentët ndryshuan rrënjësisht! Shenjtori nuk donte kurrë dënimin e atyre që shkaktonin probleme. Autorët e episodit nuk kanë dashur as ata të hanin ato ditë kur Nektari nuk hante. Ata qanë me hidhërim dhe u penduan”. Prandaj, ne kemi dalë në përfundimin se mësuesit dhe prindërit e sotëm mund të imitojnë shembullin e Shën Nektarit dhe duke treguar dashuri dhe përulësi ndaj nxënësve të tyre, në mënyrë që të ndryshojnë mendjen e tyre të keqe, duke e bërë atë të mirë dhe të dobishme.
Për çështjen e sjelljes antisociale duhet t'i drejtohemi një psikiatri ose psikologu që të na japë zgjidhje dhe të na ndihmojë të përballemi me vështirësitë që hasim gjatë jetës sonë. I krishteri shquhet sepse ruan një marrëdhënie të përgjegjshme dhe të ndershme me Perëndinë Atë dhe më pas me njerëzit e tjerë. Duke u rritur në Kishë, ai shndërrohet dhe bëhet një person i pjekur që nuk tregon asnjë besim tjetër dhe vepra të tjera, përveç atyre që predikon kisha. Ai beson në Zotin dhe mësimet e tij dhe lufton për të jetuar në të njëjtën mënyrë. Nuk e refuzon shkencën mjekësore. Përkundrazi, ai ndërthur mendimin e mjekut të tij me përvojën e jetës në Krishtin. Kështu, për mbështetjen psiko-pedagogjike të studentëve, duhet të kërkojmë ndihmën e Kishës, e cila është klinika e shpirtit. Kisha mund dhe duhet të japë udhëzimet nëpërmjet mësimit të Zotit, në mënyrë që njeriu të menaxhojë stuhitë e jetës.
Në lidhje me çështjen e sjelljes antisociale dhe në përgjithësi me çdo gjë që ka të bëjë me sjelljen e njerit duhet që të fillojmë gjithmonë që nga krijimi i njeriut. Arketipi i njeriut është vetë Perëndia, i cili u zbulua në Shkrimin e Shenjtë Si Perëndi Triadik, pasi ne e dimë nga Dhiata e Vjetër se njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Me fjalë të tjera, Perëndia është tre persona të bashkuar në një kungim dashurie të plotë si një Hyjni. Njeriu është ikonë ose shëmbëlltyrë e Perëndisë Triadik, i cili ekziston brenda një kungimi dashurie të përsosur të tre personave të Hyjnisë. Kështu duhet të jetë edhe njeriu i krijuar nga Perëndia.
Në vazhdim me rënien e njeriut kjo ikonë u prish dhe ai që doli si rezultat i prishjes së kësaj ikone ishte izolimi i njeriut nga njeriu tjetër. U ndërpre dashuria për njeriun tjetër dhe njeriu u izolua, u mbyll në vetvete, u largua nga njeriu tjetër dhe nisi të veprojë tashmë në një mënyrë egoiste. Krishti si Adami i ri vjen në tokë që të na tregojë mënyrën që duhet të jetojmë dhe i jep njeriut një urdhër unik, urdhërin e dashurisë. Ekuacioni themelor i jetës është: “dashuroj, prandaj ekzistoj”!
Përballimi i problemeve psikologjike në Kishë
Kisha është trup karizmatik i Krishtit dhe shoqëri e Shpirtit të Shenjtë. Është siptal, ku të sëmurë jemi të gjithë, pasi jemi mëkatarë dhe kemi nevojë për ilaçe që të fitojmë shëndetin tonë shpirtëror. Ati ynë shpirtëror, ku ne rrëfehemi nuk është gjykatës. Është mjeku jonë dhe miku ynë më i mirë, i cili do të na japë këshillat e duhura në përputhje me ato që kemi bërë, në përputhje me përjetimet dhe kushtet e jetës sonë, në përputhje me pendimin tonë, me zgjedhjen tonë, me pranueshmërinë tonë ndaj Zotit dhe vendosmërinë tonë për të jetuar jetën në Krishtit. Të gjithë jemi të sëmurë, brenda dhe jashtë Kishës. Ai që na shëron është pendimi ynë, i cili fillon që nga momenti që njeriu ndërgjegjësohet për sëmundjen e tij. Që nga momenti kur njeriu justifikon vazhdimisht veten e tij dhe veprimet e tij, nuk ka për t’u penduar kurrë dhe kështu rrezikohet që të humbasë shpëtimin.
Në fakt, ne njohim shenjtorë që kanë kaluar vështirësi dhe sprova të mëdha në jetën e tyre, nga sëmundjet fizike deri te hidhërimet. Për të përmendur si shembull Olimpiadën e shenjtë Dhiakoneshën, e cila përjetoi pikëllim për disa incidente të pakëndshme në jetën e saj. Ajo mbeti jetime në moshë shumë të re, humbi burrin dy vjet pas martesës, si edhe shën Joan Gojarti, i cili ishte ati i saj shpirtëror, u internua. Është shumë e rëndësishme që nëse një njeri vuan nga ndonjë problem psikologjik, t’i lutet Perëndisë që ta ndriçojë, t’i hapë rrugën dhe zemrën e tij për të pranuar mësimet e Perëndisë dhe kurajën që të mbartë kryqin e tij. Por, paralelisht me këtë veprim, ai duhet të kërkojë mjekun e duhur, i cili me edukimin e duhur teraupevtik që do t’i japë, ta ndihmojë që të kapërcejë çdo problem.
Si përfundim, me anën e marrëdhënieve tona ndërpersonale ne mund të gjejmë kuptimin e jetës, pasi mund të sprovohemi ashpër, mund të humbasim, të fitojmë, të dashurojmë, të refuzojmë, të përpiqemi, të mbështetim të tjerët, të bashkëpunojmë, të tradhëtojmë, të gëzohemi, të hidhërohemi. Shumë njerëz ndjejnë një siguri të rreme duke qëndruar të vetmuar në jetë, sepse kanë frikë nga dhimbja dhe refuzimi që mund t'u shkaktojë, por e vërteta është se kushdo që përpiqet të qëndrojë vetëm do të zbulojë se sa e vështirë është.
Ne të gjithë kemi nevojë për një shok në jetë, një mbështetës me të cilin do të ndajmë mendimet tona më të thella dhe momentet tona të këndshme dhe të pakëndshme. Çdo marrëdhënie ndërpersonale kërkon durim, lëshime të ndërsjella, vullnet të mirë dhe besim se gjithçka do të shkojë mirë. Në fund të fundit, “në dashuri të paktën gjen një liman, një strehë nga vetmia. Formon një aleancë të dy njerëzve kundër pjesës tjetër të botës…”, për këtë dhe për të gjitha arsyet e mësipërme i krishteri meriton të përpiqet të luftojë dhe ta dojë të afërmin e tij dhe t'i besojë atij. Në fund të fundit, nëse e dëshirojmë vërtet Parajsën, le të kemi gjithmonë parasysh se njeriu shpëtohet gjithmonë bashkë me “tjetrin” dhe asnjëherë vetëm.