KRISHTËRIMI DHE LIRIA: “PROMOVIMI I LIRISË NJERËZORE PËRMES KISHËS” (P.1)
Autori: Georgios Manolis, Teolog
Në Kishë, liria e njeriut nuk kuptohet në bazë të asaj që kuptohet nga shoqëria njerëzore, përkundrazi, ekziston një pamje më thelbësore dhe e detajuar që kombinon lirinë e Zotit dhe të njeriut. Një kusht i domosdoshëm për të kuptuar këtë formë është dallimi midis termave fe, Kishë, Krishtërim, të cilat sigurisht nuk janë identikë. Feja është një konstruksion njerëzor që buron nga nevoja e fetarisë, ndërsa Kisha është një Zbulesë Hyjnore, është zbulesa e Perëndisë për njeriun dhe jo krijimi i Perëndisë nga njeriu. Në Fe kërkohet Zoti ndërsa në Kishë ai vetë-zbulohet. Kështu, termi Krishteriëm ideologjizon zbulesën e krishterë.
Pasi kemi zbuluar këtë gjë, ne arrijmë të zhvillojmë mendimet tona mbi marrëdhënien midis Kishës dhe lirisë. Krijimi i botës dhe njeriut është produkt i vullnetit të lirë të Perëndisë dhe mirësisë së Tij të skajshme. Perëndia krijoi botën me dituri, duke kulmuar me krijimin e njeriut, sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Tij. Çdo krijesë e Tij e ka origjinën nga Perëndia. I vetmi urdhër i Perëndisë për njeriun ishte: “Ha lirisht nga çdo pemë, por mos ha nga pema e njohjes së të mirës dhe së keqes”. Por i parëkrijuari, duke mos e kuptuar natyrën e këtij kufizimi, shkeli urdhërin hyjnor dhe u drejtua në mëkat dhe në largim nga Krijuesi i tij. Kështu mëkati hyri në jetën e të parëkrijuarve, duke marrë zvarrë të gjithë natyrën njerëzore dhe krijesën që e rrethon. Mëkati i Adamit solli edhe shkëputjen e marrëdhënies së tij me Krijuesin.
Rënia e njeriut nënkupton errësimin e ikonës së tij duke u vendosur në një pozitë të pafavorshme. Pra, për njeriun që gjendet në një gjendje të rënë, koncepti i lirisë errësohet dhe merr një kuptim tjetër dhe të ndryshëm nga koncepti i vërtetë i këtij termi. Njeriu është i goditur nga efekti gërryes i së keqes, pasi ka humbur fatin e tij për liri absolute dhe të vërtetë.
Por, përsëri Perëndia nuk e braktisi njeriun. Pas rënies së njeriut, largimit të tij nga Perëndia dhe si pasojë edhe nënshtrimin e tij në prishje dhe vdekje, shfaqet nevoja e rehabilitimit të njeriut në gjendjen e parë dhe ripozicionimin e tij në rrugën e komunikimit me Perëndinë. Ky rehabilitim nuk përbën një detyrim për Perëndinë, por është rezultat i zgjedhjes me vullnet të plotë dhe me dashuri të Perëndisë. Për të njëjtën arsye ky rehabilitim nuk ka asnjë element detyrues për njeriun. Që natyra njerëzore e rënë të rehabilitohet dhe të shpëtohet nga mëkati dhe vdekja, Perëndia realizoi mishërimin e Birit dhe Fjalës së Tij duke realizuar edhe shpëtimin e njeriut, që ndodh brenda Kishës.
Vazhdon...