Momente për të reflektuar dhe kërkuar Kishës Orthodhokse : Artikull i botuar në gazetën "Tema", dt. 30.09.2014 03/10/2014 Gazeta Shqiptare
Shkrim i përgatitur nga përgjegjesi Zyrës Katekizmit KOASH : z. Miron ÇakoArtikull i botuar në gazetën "Tema", dt. 30.09.2014 03/10/2014 Gazeta Shqiptare
Ashtu si ju dhe unë si shqiptar e mirëprita vizitën e papa Françeskut dhe ndjehem krenar bashkë me ju për mikpritjen dinjitoze që u tregua ndaj tij më 21 shtator. Këtë ditë shfaqëm edhe një herë para Papës dhe delegacionit që e shoqëronte, por edhe mbarë botës që na vëzhgonte virtytet tona të lashta, mbi të gjitha mikpritjen siç thotë proverbi ynë ‘shtëpia është e Zotit dhe e mikut,’ ritreguam një vlerë të rrallë që Evropa dhe bota na e merr për shembull, bashkëjetesën paqësore. Vetë papa Françesku në fjalimet e tij i dalloi këto virtyte dhe vlera morale dhe këshilloi që këto gjëra të shenjta të zhvillohen akoma edhe më shumë për të mirën e vendit tonë dhe të rajonit.
Por ju them të drejtën, një shqetësim e kisha se mos disa “puro shqiptarë” do të rishfaqeshin në media ose gazeta të ndryshme për të kontestuar vizitën e Papës, duke kërkuar që me antimintingje të prishnin tubimin në sheshin “Nënë Tereza”, ashtu si kanë tentuar te bëjnë, kur të tjerë primatë të lartë kanë vizituar vendin tonë. Por kësaj radhe ata nuk u shfaqën, heshtën dhe mirë bënë. Mos vallë janë penduar për veprimet e tyre të mëparshme, duke fyer miqtë që na vizitojnë, apo kanë dy standarde në trajtimin e personave dhe ngjarjeve? Nga njëra anë Papa dhe gjithë përfaqësia e Kishës Katolike u pritën me madhështi dhe shumë mirë u bë, sepse kështu priten miqtë, por nga ana tjetër disa persona në emër të Shqipërisë nuk lanë gjë pa thënë kundër vizitës baritore të Patriarkut Ekumenik Vartholomeut I dhe të gjithë patriarkëve të tjerë të Jerusalemit, Bullgarisë, Rumanisë dhe Serbisë si dhe kryepeshkopëve dhe peshkopëve të tjerë që përfaqësojnë të gjithë Kishat Orthodhokse në botë. Puna arriti deri aty, sa disa donin të prishnin me një grumbullim të paligjshëm me “parulla për shqiptarinë” momentin e veçantë dhe shumë të shenjtë të shenjtërimit të Kishës Katedrale “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet, nga Tërëshenjtëria e tij Bartolomeu I dhe primatë të tjerë të Kishave Orthodhokse. Siç dimë gjithë kjo ceremoni u krye brenda territorit të Katedrales. Falë Zotit dhe ndërhyrjes së shtetit kjo gjë fyese për vetë shërbesën e shenjtë dhe për popullin orthodhoks nuk ndodhi. Në të kundërtën do të ishte një turp i madh për vendin tonë, sepse edhe atëherë si tani në vizitën e Papës gjithë bota i kishte sytë nga ne. Si Papa ashtu dhe primatët e kishave të krishtera në botë janë të barabartë si funksion dhe përfaqësi, përveçse papa është dhe kryetari i shtetit të Vatikanit.
Është për t’u përshëndetur pjesëmarrja e madhe e shqiptarëve dhe jo vetëm të krishterë në celebrimin e Meshës që u mbajt në sheshin Nënë Tereza, po ashtu dhe respekti që u tregua për atë shërbesë fetare, e cila përveç shqipes u celebrua në italisht, latinisht dhe greqisht. Për fat ose për çudi këtë radhë nuk pati kontestim nga ata shqiptarë shumë të ndjeshëm në përdorimin e shqipes në shërbesa fetare dhe që duan me forcë që Zotit në territorin shqiptar t’i lutesh vetëm shqip. Këtë radhë ata heshtën apo mos ka një tjetër standard për gjuhën greke, që përdoret në gjithë Kishat Orthodhokse të botës, si gjuha ndërkombëtare e Kishës. Për sqarim, ungjilli i parë i drejtuar kombeve u shkrua në greqisht. Por, me sa duket, vetëm ata që flasin dhe luten greqisht quhen armiq të shqiptarëve dhe ia kanë me të keq kombit tonë? Kurse ata që me të drejtën legjitime të religjionit që besojnë i luten Zotit në latinisht ose arabisht quhen miq? Është kjo një mendjelehtësi apo një standard i dyfishtë keqdashës për Kishën Orthodhokse dhe primatin e saj?
Nderim dhe mirënjohje e drejtë iu afrua papës si përfaqësues edhe në Shqipëri për kontributin e spikatur që Kisha Katolike ka dhënë dhe vazhdon të japë në rrafshin shpirtëror, moral, social, kulturor dhe politik dhe siç promovohet, ky kontribut nuk është vetëm për të mirën e katolikëve shqiptarë ,por e të gjithë kombit dhe të gjithë shqiptarëve. Por përse këta “puro shqiptarë” mbajnë një tjetër standard për atë që ka bërë dhe vazhdon të bëjë Kisha Orthodhokse dhe primati i saj Kryepiskopi Anastas, si në rrafshin shpirtëror, moral, kulturor, social dhe bashkëjetesës paqësore midis fqinjëve? Pse kjo vepër kaq e madhe në përpjesëtim me mundësitë që ka KOASH sfumohet, anatemohet, keqinterpretohet, duke u quajtur si diversion i agjenturave të huaja?
Duhet të kujtojmë se gjatë këtyre 22 viteve që Kisha Orthodhokse udhëhiqet nga Kryepiskopi dhe Sinodi i Shenjtë janë riorganizuar 460 enori orthodhokse, janë hirotonisur 150 klerikë me origjinë dhe nënshtetësi shqiptare, me arsim të lartë, të shkolluar në Akademinë Ngjallja e Krishtit në Shën Vlash, Durrës dhe në shkolla të larta jashtë vendit. Janë ndërtuar nga themeli 150 kisha të reja, janë restauruar 60 kisha, manastire dhe monumente kulture, janë riparuar 160 kisha që kishin mbetur nga shkatërrimi ateist komunist, janë blerë dhe rikonstruktuar 70 godina për kopshte, shkolla të mesme dhe nëntëvjeçare, qendra rinore, qendra shëndetësore, seli mitropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfërit dhe e gjithë kjo vepër ndërtuese shkon në 450 objekte funksionale. Ka 11 vjet që funksionon qendra mjekësore diagnostikuese “Ungjillëzimi” në Tiranë. Për këto 11 vjet janë realizuar 1 milion vizita dhe 3 mijë analiza. Duhen përmendur ndihmat sociale, për krizat dhe tragjeditë që kaloi vendi ynë në vitin 1992, 1994, 1997, 1999 mikpritja e kosovarëve nga KOASH-i, u pritën 33 mijë refugjatë. Në 2008 mbas tragjedisë në fshatin Gërdec u ndihmuan materialisht banorët e prekur të këtij fshati; si dhe një ndihmë e vazhdueshme që bëhet çdo ditë për njerëzit në nevojë, në mensa për të varfrit dhe në Zyrën e ndihmës sociale. KOASH është anëtare e Konferencës Evropiane të Kishave, anëtare e Këshillit Botëror të Kishave ku nga viti 2009 Kryepiskopi Anastas është president nderi i Konferencës Botërore “Fetë për Paqen”. Në vitin 2000 Kryepiskopi Anastas ka qenë edhe kandidat për çmimin “Nobël” për paqe...
I kujtojmë të gjitha këto, jo për të krijuar rivalitet ndërmjet kishave dhe personave që i drejtojnë ato, por për ta treguar më qartë standardin e dyfishtë që nga këta persona që një të huaj që drejton Kishën Katolike edhe në Shqipëri e quajnë mik të madh dhe fotografia e tij zbukuron vendin (dhe mirë bëjnë, se i tillë është), por pse një të huaj tjetër që në mënyrë kanonike drejton Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë prej 22 vjetësh dhe si primat kishtar është i barabartë me të gjithë primatët e kishave orthodhokse nëpër botë, pavarësisht shtrirjes gjeografike që ka një kishë lokale, e quajnë armik dhe e bëjnë karikaturë në faqet e gazetave, thjesht se është me origjinë greke dhe flet greqisht.
Një numër i madh klerikësh katolikë, mbi 800 meshtarë, morën pjesë në meshën që u celebrua nga papa dhe pjesa më e madhe e tyre nuk janë shqiptarë, por me origjinë nga vende të ndryshme të botës dhe shërbejnë si klerikë në shumë famulli që gjenden në vend. Kjo është një gjë e drejtë dhe e rregullt për të gjithë kishat e krishtera në botë, sepse kisha si institucion i Perëndisë është përmbi kufizimet e kombësisë dhe nacionalitetit. Po pse kur bëhet fjala për ata të huaj që shërbejnë në kishën orthodhokse që për hir të së vërtetës janë sa gishtat e dorës, bëhet kaq zhurmë duke i paraqitur si një ushtri agjentësh që mashtrojnë dhe demonizojnë popullin sipas tyre me helenizmin a diçka tjetër? Ky është një standard i dukshëm i dyfishtë dhe të bëjnë kujdes: Mos mendojnë se bota nuk i shikon këto gjëra. Patjetër që ata i dinë edhe ato që bëhen mbrapa fasadës. Prandaj dhe papa Françesku në takimin me përfaqësuesit e të gjitha feve në Shqipëri tha dhe këshilloi: “Dialog, duke ruajtur identitetin, pa hipokrizi.” Nuk ka njeri që nuk gabon, por gabimi nuk duhet lejuar të bëhet kolektiv dhe kështu të penalizohen të gjithë.
Është moment që ata që kanë gabuar pa dashje ose me dashje të reflektojnë dhe t’i kërkojnë të falur Kishës Orthodhokse dhe primatit të saj. Por ajo që është më e rëndësishmja ne si popull shqiptar besimtar ose ateist që duam të integrohemi në Evropën e bashkuar, në këtë bashkim kombesh ku bashkëjetojnë me respekt të ndërsjellë vlerat shpirtërore dhe kulturore, duke dashur të kontribojmë modestisht jo shumë në resurse ekonomike, por në ato vlera morale dhe etike, si mikpritja, mirënjohja dhe bashkëjetesa, duhet të distancohemi nga të tillë që kanë dy standarde në vlerësimin e personave ngjarjeve dhe veprave dhe të mos i lejojmë që me standardin e tyre të dyfishtë të prishin bashkëjetesën paqësore kaq të bukur dhe njëkohësisht të brishtë, si dhe imazhin e Shqipërisë tek miqtë tanë të huaj dhe me veprimet e tyre të papërgjegjshme ta vonojnë integrimin në Evropën e bashkuar.