VESHJA, SHPREHJE E DINJITETIT NJERËZOR!
July 18, 2023 at 9:27 am,
No comments
Nga Katekistini Miron Çako
Veshja, së bashku me ushqimin dhe strehimin, është një aksesor i domosdoshëm për ekzistencën bazike të jetës së trupit tonë, ashtu siç thuhet: “Në qoftë se ke të hash e të vishesh, të mjafton”. Ajo e mbron trupin nga agjentët natyralë, si: lagështira, të ftohtët, të nxehtët. Përvoja njerëzore në shekuj ka përcaktuar edhe garderobën që i përshtatet çdo klime në hapësira të ndryshme gjeografike të globit, prandaj kemi një gamë të pafund stilesh dhe formash veshjeje.
Përveç kësaj, veshja është edhe tregues i gjinisë përkatëse, e cila, e mbuluar, shprehet së jashtmi nëpërmjet stilit dhe ngjyrave të rrobave, që mbajnë veshur meshkujt dhe femrat.
Meqenëse njeriu është krijuar heteroseksual, duhet që edhe veshja t’i përshtatet gjinisë së ndryshme. Sipas ligjeve të vjetra ishte e ndaluar dhe madje e neveritshme që burri të vishte rroba gruaje dhe anasjelltas. Prandaj dhe veshja unisex nuk i përgjigjet këtij rregulli dhe, pavarësisht se ajo duket më praktike, bëhet shkak i ngatërrimit të gjinisë dhe për më tepër, një mjet promovimi i konceptit “modern” për ndryshimin e gjinisë dhe përqasjes homoseksuale sipas lirisë së individit në kohën e sotme, ose i shfaqjes së një krijese të re njerëzore, biseksuale.
Veshja në shekuj ka qenë mbrojtëse ndaj shikimeve mikluese (provokuese) dhe ndaj rrezikut të bërjes viktimë e abuzimit seksual. Arsyeja se pse sot po rritet frikshëm numri i abuzimeve seksuale është pa diskutim edhe veshja e papërshtatshme ose, më mirë, provokuese, jo vetëm në ambiente publike, si: rrugë, institucione etj., por edhe në shtëpi, duke qenë faktor nxitës për abuzim seksual me pjesëtarët e familjes, deri në incest.
Statistikat janë alarmante. Psh., në Angli, më shumë se 35 gra raportojnë në polici se janë abuzuar seksualisht. Sipas “Daily Mail”, në total janë regjistruar 22 000 përdhunime, duke pasur një rritje prej 29% në vit.
Në Amerikë, organizata RAINN (organizatë kundër sulmeve seksuale) thotë se në 2 minuta ndodh një dhunë seksuale, psikologjike ose fizike. Në 47% të rasteve, përdhunimet vijnë nga njerëz të njohur e të afërm të viktimave. 44% e viktimave janë nën moshën 18-12 vjeç. Kjo është mosha më liberale dhe jo shumë e përgjegjshme në lidhje me veshjen e përshtatshme si masë mbrojtëse.
Që nga qytetërimet primitive, veshja ka pasur funksion përcaktimin jo vetëm të statusit gjinor, por edhe të rendit në shoqërinë njerëzore. Ajo ka qenë tregues i gradës dhe i funksionit në shkallën sociale dhe nderim e përgjegjësi për atë që e mbante. Psh., ndryshe ishte rroba e një monarku dhe ndryshe e popullit të thjeshtë, ndryshonte dukshëm rroba e një funksionari nga ajo e një shtetasi, e të pasurve nga e të varfërve, e zotërinjve nga e skllevërve, e klerikut nga e laikut, e përfaqësuesve dhe grupimeve të komuniteteve të ndryshme fetare. Madje, sot veshja po bëhet një faktor kryesor i përplasjeve të kulturave të ndryshme dhe bindjeve fetare.
Pra, rroba ishte tregues i larmisë së funksioneve të jetës në shoqërinë njerëzore, për ta rregulluar dhe harmonizuar këtë bashkëjetesë. Kjo gjë vazhdon të ndodhë edhe sot, por në kohët tona ka një tendencë për unifikim të veshjeve funksionale në emër të barazisë, e cila në vetvete po krijon më shumë anarki dhe po humbet respektin ndaj funksioneve të rëndësishme shoqërore, që siç thamë, shprehen sipas rendit të tyre me anë të veshjes përkatëse. Për shembull, të gjithë ne e konstatojmë se ndryshe është respekti ndaj një shtetasi me detyrë të veçantë, kur ai është i veshur me rrobën e statusit shoqëror, p.sh. si polic, e ndryshe kur ai është i veshur si civil.
Rroba ishte edhe tregues i kulturës së fiseve, trevave, kombeve. Duke qenë të dallueshme nga njëra-tjetra, ato përcaktonin kufijtë etnografikë të një populli, por duke qenë të veçanta për nga stili, ato ngjanin si gurë mozaiku, që së bashku na jepnin një tablo të përgjithshme folklorike të popujve; kjo është një pasuri e madhe e njerëzimit, që nuk duhet humbur.
Krahas këtyre, veshja ishte edhe mjet për të lidhur miqësi e vëllazëri midis njerëzve, ashtu siç ishte zakon dhënia e mantelit si shenjë e vëllazërimit mes personave, ose e bashkimit të dy individëve në martesë, siç ishin rrobat që dhëndri i dërgonte nuses dhe nusja dhëndrit.
Veshja ishte dhe vazhdon të jetë, por më e zbehtë, tregues i shprehjes së gjendjes shpirtërore dhe pozicionit social në shoqëri. Ndryshe vishej një i gëzuar dhe ndryshe një i hidhëruar a i penduar, ndryshe një e martuar dhe ndryshe një e pamartuar a një e ve, ndryshe një i lirë dhe ndryshe një i burgosur.
Rroba ishte edhe një marrëdhënie jetike për shoqërinë, sipas porosisë: “Të veshësh atë që është i zhveshur”, jo vetëm për të mbuluar gjymtyrët e njeriut nevojtar, por edhe që nëpërmjet dashurisë konkrete, të mbajë gjallë një komunitet, ku e mira dhe e keqja e dikujt është e mira dhe e keqja e të gjithëve. Kjo e bën të qëndrueshëm një komunitet lokal, por edhe gjithë shoqërinë njerëzore, që në esencë janë e njëjta gjë: vëllezër e motra, rrjedhojë e çiftit të parë, Adamit dhe Evës, të cilët u krijuan nga Perëndia dhe u vendosën në një kopsht (Eden) ku trupat e tyre të krijuar prej dheu, ishin të veshur me një rrobë drite sipas Hirit (energjitë e Perëndisë).
Kjo i tregonte ikona të Perëndisë, të ngjashëm me Atë, ndryshe nga të gjitha krijesat e tjera mbi dhé.
Por, rrobën e Hirit njeriu e humbi, sepse u rebelua i mashtruar nga xhelozia e djallit. Kur hëngri frutin e ndaluar, ai e pa veten lakuriq, domethënë të zhveshur nga Hiri dhe pati turp e frikë për dobësitë e tij mishore dhe bëri rroba si mbulesë prej gjethesh fiku. Kjo gjë na tregohet në kapitullin e tretë të librit të Zanafillës në Biblën e Shenjtë. Kur Zoti e kërkoi Adamin duke e pyetur “Ku je?”, Adami dhe Eva iu përgjigjën: “Dëgjova zërin tënd në kopsht dhe pata frikë, se jam lakuriq dhe u fsheha” (Zan. 3- 1).
Pavarësisht se Adami dhe Eva ishin të veshur me gjethet e pemës së fikut për të mbuluar lakuriqësinë e tyre, ajo lloj veshjeje ishte e pamjaftueshme për ta mbuluar lakuriqësinë e tyre; aq më tepër veshja me gjethe fiku tregon se njeriu u vesh me mëkatin, duke ngrënë frutin e ndaluar të një peme. Kjo na bën të kuptojmë se mëkati ka veshjen që ai e frymëzon në stil dhe i shërben, e cila duket si veshje, por në të vërtetë është ekspozim i lakuriqësisë tunduese.
Lakuriqësia e ndau njeriun nga marrëdhënia me Zotin dhe e afroi me kafshët, që nuk kanë rroba në trupat e tyre. Kjo është edhe arsyeja përse kur kolonët (spanjollët, portugezët, anglezët etj.) kolonizonin vende të ndryshme e i gjenin lakuriq vendësit, i “shikonin” ata si kafshë, e kështu justifikonin veprimet e tyre të dhunshme e abuzuese ndaj këtij populli, duke i quajtur kafshë dhe jo njerëz.
Kjo teori ka qenë e vjetër në sistemin skllavopronar, ku skllavi gjithmonë ishte i zhveshur, sepse lakuriqësia e tij e tregonte në nivelin e kafshës përpara skllavopronarit, i cili i veshur, tregonte një pushtet të pakrahasueshëm dhe të padiskutueshëm ndaj skllavit, njësoj si ka njeriu ndaj kafshës.
Sa paradoksal tingëllon ky fakt te njerëzit e brezit të sotëm, ku lakuriqësia është bërë një trend (modë) dhe një shenjë e “civilizimit” të këtij brezi. Dhe këtu nuk e kam fjalën për lakuriqësinë deri në nudo në plazh, e cila justifikohet për shëndetin e trupit, por kur kjo lakuriqësi transferohet në rrugët e qytetit.
Sipas konceptit të rendit skllavopronar, kjo lloj kategorie lakuriqësh ose gjysmë lakuriqësh do të quheshin skllevër ose dhe më keq, kafshë me fytyrë njeriu.
Këtë fakt nuk duhet ta harrojmë si prindër dhe fëmijë, se njeriu bëhet skllav i atij që e skllavëron. Në qoftë se nuk vishemi vetë dhe nuk i veshim edhe fëmijët me hijeshi sipas dinjitet njerëzor, por zhvishemi publikisht me paturpësi, ky është tregues se brezi ynë është bërë skllav i mishit (natyrës së rënë instiktive), se jemi rrëzuar nga rendi dhe dinjiteti njerëzor, se jemi njësuar me kafshët e paarsyeshme, që udhëhiqen vetëm nga instinktet dhe mburrja e gjymtyrëve të zhveshura, se jemi në fund të qytetërimit tonë, se meritojmë përbuzje dhe braktisje nga providenca Hyjnore.
Zoti, gjykatësi me drejtësi, në të tilla gjendje të shthurjes morale thotë me qortim, siç tha edhe para përmbytjes globale në kohën e Noes: “Shpirti im nuk do hahet gjithnjë me njeriun, sepse në shthurjen e tij nuk është veçse mish” (Zan. 6-3). Dhe Zoti Krisht u tha nxënësve: “Koha e fundit do jetë si në kohën e Noes”.
Por, Bibla vazhdon e thotë se Zoti nuk e la njeriun të zhveshur, por e veshi me rroba prej lëkure (kafshe).
Kjo lloj veshjeje nuk e riktheu njeriun në gjendjen e parë, siç ishte i veshur me rrobën e Hirit, por i tregoi se njeriu nuk duhet të qëndrojë lakuriq, duhet të vishet dhe kjo e dallon njeriun në rendin e krijimit nga kafshët e paarsyeshme.
Që nga ai moment, veshja është shenjë e dyfishtë: ajo e ruajtjes disi të dinjitetit të njeriut të rënë në rendin e krijimit dhe mundësia që njeriu të rivishet me rrobën e Hirit. Rrobat prej lëkure, me të cilat u veshën njerëzit tregojnë se Perëndia flijoi kafshë për njeriun, që ai të vishet me lëkurën e tyre. Pra, për të fituar përsëri rrobën e Hirit, duhet bërë një fli më e lartë se ajo e kafshëve; këtë flijim e bëri të mundur përsëri Perëndia me anë të sakrifikimit vullnetar të Krishtit, që është Biri i Perëndisë dhe Biri i njeriut, i Cili u flijua vullnetarisht në Kryq, si Qengji i Perëndisë që shlyen mëkatet e njerëzve.
Arsyeja pse Krishtin e zhveshën në Kryq, ishte për ta ofenduar, por si Njeri ai pranonte vullnetarisht të zhvishej, të turpërohej, që ta çlirojë Adamin dhe Evën dhe të gjithë ne që i besojmë Atij nga turpi i lakuriqësisë mëkatare dhe, pasi pagoi njëherë e përgjithmonë për mëkatet tona, u ngjall përsëri me lavdi si Adam i ri i veshur me dritën e shkëlqimit hyjnor, që kështu të mund ta riveshë përsëri njeriun me rrobën e Hirit të Perëndisë.
Prandaj, kur njeriu vjen pagëzohet në Kishën Orthodhokse në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, ai zhvishet dhe futet lakuriq në ujë, simbol i gjendjes mëkatare të zhveshur nga Hiri si ajo e Adamit pas mëkatit, dhe mbasi del, e veshin me rroba të bardha, simbol i rrobës së Hirit që e rimori nga bashkimi me Krishtin në Misterin e Pagëzimit. Nga ai moment, njeriu i pagëzuar fiton përsëri dinjitetin, duke u veshur me Hirin e Perëndisë që është në Krishtin, Adamin e Ri, duke u bërë kështu një bir Perëndie, pjesëmarrës i natyrës Hyjnore. Prandaj edhe në shërbesën e Pagëzimit këndohet himni “Sa u pagëzuam me Krishtin, me Krishtin u veshëm. Aliluia”.
Ata që do t’i qëndrojnë besnikë këtij bashkimi, kësaj veshjeje (Hiri) me Krishtin, deri në fund të jetës, vetë Zoti Krisht, i cili do të vijë përsëri me lavdinë e Atit bashkë me engjëjt për të gjykuar çdo njeri, u premton: “Kush fiton, do të ecë me mua me rroba të bardha…. dhe këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit (Krishtit) të veshur me rroba të bardha (pastërti dëlirësi) dhe me palma në duart e tyre (lavdi e përjetshme)” (Zbul. 3-4\ 7- 9).
Këtu përmbushet kuptimi i veshjes, si shprehje e dinjitetit të lartë njerëzor.