ME KË DUHEN TË JENË TË KRISHTERËT ORTHODHOKS NË KËTË LUFTË MES IZRAELIT DHE AMASIT
November 15, 2023 at 10:26 am,
No comments
Shkrim nga Katekisti: Miron Çako
Fatkeqësisht, që prej datës 7 tetor e deri më sot konflikti mes Izraelit dhe Amasit në Rripin e Gazës nuk po ndalon, nuk po ka armëpushim, por çdo ditë vetëm luftimeve të përgjakshme, duke shtuar kështu numrin e shumtë të viktimave të pafajshëm nga popullsia civile, veçanërisht fëmijë, në të dyja grupimet si nga ato izraelite që u masakruan nga histeria fanatike çnjerëzore e organizatës terroriste e Hamasit por edhe nga kundërpërgjigjja e vrullshme ushtarake e Izraelit kundër Amasit .
Bilanci i viktimave po ndryshon nga njëri krah në tjetrin, p.sh. sipas statistikave deri më tani kanë humbur jetën më shumë se 1500 izraelit dhe janë akoma 230 pengje që mbahen prej Hamasit, kurse nga bombardimet e Izraelit kundër Hamasit që fshihet në mes të popullatës civile deri më sot janë vrarë më shumë se 10.000 palestinezë dhe mes tyre 4000 janë fëmijë.
Patjetër lufta është “ferri mbi tokë” dhe njerëzia shtazohet dhe jeta humbet vlerën dhe shenjtërinë e saj, por kjo nuk justifikon asnjë lloj dhune kundër civilëve, as si edhe një lloj shpagimi të gjakut, sipas Ligjit të Talionit: “sy për sy edhe dhëmb për dhemb, dorë për dorë, këmbë për këmbë” ( Ligji i Përtërirë 19-21), sepse historia ka treguar që viktima bëhet viktimizues dhe anasjelltas, dhe asnjëherë problemi nuk do gjejë zgjidhje paqësore. Derdhja e gjakut të pafajshëm sidomos ai i fëmijëve ndot tokën dhe kërkon hakmarrje nga nëntoka si gjaku i Abeli që ishte viktima e parë njerëzore nga ligësia vëllazërore (Zanafilla 4-11).
Për këtë luftë të re në Lindjen e Mesme duhet të lutemi të gjithë Perëndisë që ajo të mos përshkallëzohet dhe të precipitojë në një reaksion zinxhir pa kthim deri në një luftë të tretë botërore e cilësuar si “Armakedon” që do të thotë (shkatërimi i ushtrisë së tyre) (Zbulesa 16-16).
Profecitë thonë se Lufta e Tretë Botërore do të nis në Lindjen e mesme ku pothuajse të gjitha shtetet dhe ushtritë e tyre do të kacafyten me njëri₋tjetrin edhe askush nuk do të dali i fituar, por do të kthehen të humbur dhe do derdhet gjak më shumë se në të gjitha luftërat që janë kryer në tokë së bashku dhe numri njerëzimit nga përdorimi i armëve të shkatrimit në masë do të bjeri frikshëm , ashtu si thotë edhe një profetësi e Shën Kozmait .” Mbas luftës (botërore) njerëzit do të rendin gjysmë ore rrugë, që të gjejnë një njeri dhe do ta bëjë vëlla” ( profetësia 76)
Për këtë dyluftim ushtarak të përsëritut që nuk është vetëm mes Izraelit edhe Palestinës por edhe faktorëve edhe aktorëve të tjerë që janë me njërë nga palët patjetër ka opinione dhe qëndrime të ndryshme, nga individë, grupime, popuj, shtete dhe fe.
Madje këto qëndrime pro edhe kundra po specifikohen, po amplifikohen gjithnjë e më qartë dhe më me forcë sot, duke krijuar dy grupime kundërshtare, du pole antagoniste madje edhe fetare duke rrezikuar që kjo luftë të marri një konotacion të theksuar fetar, mes judaizmit dhe myslimanizmit, ku secili kërkon të gjejë përligjje në doktrinën dhe ngushëllim në përmbushjen e profetësive në librat e tyre fetar.
Por ka edhe individ apo edhe grupime të krishtera heterodokse që pozicionohen me një palë, p.sh. me Izraelin duke përligjur kundërsulmin e Izraelit si një program hyjnor. Këto grupe të ashtuquajtur të krishterë-sionist, e shikojnë këtë luftë si përmbushje të profetësive Biblike dhe si një shenjë e ardhjes së dytë të Zotit Jisu Krisht në Izrael dhe sipas tyre do mbretërojë për 1000 vjet (Zbulesa 20-4), prandaj edhe për këtë përballje luftarake janë pozicionuar si shpirtërisht, në lutje edhe në opinione publike pro Izraelit dhe luftës që po bën si për fitimin e territoreve dhe bërjen e Izraelit një superfuqi botërore.
Sipas krishterimit orthodhoks ata individ ose grupime heterodokse që lexojnë Biblën dhe kërkojnë të përligjin luftën e Izraelit sot si një përmushje e urdhërit të Zotit dhënë Izraelit gabohen, sepse urdhërimet e Zotit që iu dhanë Izraelit në (shekulli i 15 p.r. K.) me anën e Moisiut, kundër popujve pagan në tokën e Kanaanit deri edhe në shfarosje të tyre (Ligji i Përtërirë 1-1-26) nuk kanë lidhje me kohën e sotme por për një të shkuar të largët të Izraelit.
Po ashtu edhe interpretimi i profetësive të profetëve të Dhiatës së Vjetër sikur Izraeli sot është populli i zgjedhur i Zotit si p.sh.: “bebja e syve të Zotit” (Zakaria, 2:8) apo edhe fjalët e Zotit “Unë vetë do të luftoj me atë që lufton me ty dhe do të shpëtoj bijtë e tu. Do të bëj që shtypësit e tu të hanë mishin e vet, dhe do të dehen me gjakun e vet si të ishte musht. Atëherë çdo mish do të pranojë që unë, Zoti, jam Shpëtimtari yt, Çliruesi yt, i Fuqishmi i Jakobit” (Isaia 49:26), etje, që gjënden në Bibël dhe që janë përshtatur për Izraelin sot në luftë me çdo armik, është një gabim teologjik dhe keqinterpretim i Biblës si në konteksin historik edhe atë eskatologjik.
Këta heterodoks harrojnë ose nuk duan të kuptojnë se të gjitha këto profetësi për Izraelin si populli zgjedhur i takojnë Dhiatës së Vjetër, i takojnë luftës që Izraeli do të duhet të bënte me popujt paganë në tokën e Kanaanit para Krishtit.
Besëlidhja e Vjetër ishte aktive deri në ardhjen e parë të Zotit Jisu Krisht, si Mesia tek populli i Izraelit, të cilin populli Jude e mohoi (Joani 1-11) edhe e dënoi si gënjeshtar dhe blasfemues me kryqëzim në kodrën e Golgothasë (Joani 19 15-17) jashtë mureve të Jerusalemit (në vitin 33, p.s. K.) në kohën e Pontit Pilat, guvernatori i Romës
Me refuzimin dhe kryqëzimin e Krishtit u prish Besëlidhja e Zotit me Izraelin dhe Jerusalemin si qendra politiko-fetare bashkë me Tempullin e Solomonit që do të shkatërrohej si ndëshkim nga paganët dhe izraelitët do të shpërnguleshin nga toka e tyre dhe do të mbesnin pa atdhe për shekuj si një dënim pedagogjik sepse: “ kryqëzuan Zotin e lavdisë!"( I Korinasve 2-8), Mbretin dhe Mesian e tyre, pikërisht ashtu si Krishti i kishte paralajmëruar: “Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t`i vrisni dhe do t`i kryqëzoni, disa të tjerë do t`i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t`i persekutoni nga një qytet në tjetrin, që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit. Me të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez. Jerusalem, Jerusalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t`i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët! Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë. (Mateu 23 37-39). “Sepse unë po ju them, se tani e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: "I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!” (Mateu 22 33-39) “Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t'i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jerusalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve(Luka 21:24).
Që nga ajo kohë deri më sot Izraeli që mohojë edhe kryqëzojë Krishtin dhe përndoqi Kishën Apostolike dhe të krishterët janë armiq të Perëndisë ashtu si apostull Pavli e saqaron në letrat e tij , psh lexojmë :
“ Sepse ju, o vëllezër, u bëtë imituesit e kishave të Perëndisë që janë në Jude në Jezu Krishtin, sepse edhe ju keni vuajtur nga ana e bashkëkombasve tuaj të njëjtat gjëra, sikurse edhe ata kanë vuajtur nga Judenjtë, të cilët e vranë Zotin Jezus dhe profetët e tyre, dhe na përndoqën edhe ne. Ata nuk i pëlqen Perëndia, dhe janë armiq me të gjithë njerëzit,duke na penguar që t’u flasim johebrenjve që ata të shpëtohen, për ta mbushur vazhdimisht masën e mëkateve të tyre; por zemërimi arriti mbi ta më në fund”.( 1 Selanikasve 2; 14-16)
Krishti si “Qengji i Zotit që ngre mëkatet e botës” (Joani 1-29), bëri një Besëlidhje të Re me gjakun e tij (Luka 22—20), një besëlidhje jo vetëm me popullin e Izraelit por me gjithë njerëzimin. Kjo besëlidhje do të ratifikohej me vdekjen dhe ngjalljen e Tij dhe do ishte aktive vetëm tek ata që do pagëzohen në emër të Atit të Birit dhe Shpirtit të shenjtë (Mateu 28-18-20), ose në emër të Krishtit (Veprat e Apostujve 2-38-39).
Këta persona të pagëzuar si nga Izraeli dhe kombet janë Izraeli i ri “Izraeli i Perëndisë” (Galatasve 6-16), dhe Jerusalemi dhe kodra e Sionit në këndvështrimin e krishter orthodhoks është Kisha Katholike Apostolike Orthodhokse, e cila që nga Jerusalemi u përhap në të gjithë botën (Marku 10-20).
Sot Patriarkana Orthodhokse e Jerusalemit ka në juridiksionin e saj shumë nga vendet e Shenjta në tokën e Shenjtë dhe veçanërisht vendin historik të kryqëzimit, varrimit dhe ngjalljes së Krishtit në Jerusalem, që ndodhen brenda në Kishën e Ngjalljes të ndërtuar nga Shën Kostandini i Madh në shekullin e 4.
Jisui nuk pranoi të bëhet mbret i tokësor i Izraelit sepse ndryshe nga hebrenjtë që prisnin një mesia politik dhe ushtarak që ta bënte Izraelin një superfuqi botërore, Krishti si Mbreti i qellit dhe i tokws kishte ardhur për të shpëtuar njerëzimin nga tirania e mëkatit të djallit dhe vdekjes, prandaj edhe i`u tha dishepujve: ''Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme; dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu" ose "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush'' ( Luka 17-21).
Zoti Jisu Krishti paralajmëroji po ashtu: “Atëherë, në qoftë se dikush do t'ju thotë: "Ja, Krishti është këtu" ose "është atje", mos i besoni. Sepse do të dalin të krishterë të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrekulli të tilla aq sa t'ju mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit. Ja, unë ju paralajmërova. Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë", mos shkoni atje: "Ja, është në dhomat e fshehta", mos u besoni. Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut (Mateu 24 23-27).
Ai nuk përcaktoi një vend adhurimi në kohë edhe hapësirë për dishepujt e Tij, ashtu si besonin dhe ishin urdhëruar Izraelitët në lidhje me tempullin e ndërtuar nga Solomonit (900 p.r.), por tha tek gruaja samaritane që përfaqëson të gjithë paganët që do bëheshin të krishterë edhe Izraeli i ri i Perëndisë: “Gruaja i tha: ''Zot, po shoh se ti je një profet. Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jerusalem është vendi ku duhet të adhurojmë''. Jisui i tha: ''O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jerusalem nuk do të adhuroni Atin. Ju adhuroni atë që s'e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë. Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t'a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën''. Gruaja i tha: ''Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë''. Jisui i tha: ''Unë jam, ai që po të flet!'' (Joani 4:19-26).
Po ashtu Krishti i nxiti Apostujt të shkonin në të gjithë kombet (Mateu 28-19) dhe atje ku njerëzit besonin dhe pranonin Ungjillin ata themeluan Kishën Katholike Apostolike, që është e shtrirë në kohë edhe në hapësirë duke përfshirë të gjithë njerëzit pavarësisht, racës, gjuhës, gjinisë, kulturës, ashtu siç ndodhi në ditën e Pentikostisë (Veprat e Apostujve 2 1-10) dhe apostulli i kombeve Pavli na thotë se brenda Kishës: “Nuk ka as jude, as grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jisu Krishtin” (Gal. 3:27).
Interpretimi i Zbulesës se Krishtit se do të sundojë për njëmijë vjet (Zbulesa 20:1-6) në tokën e Izraelit nuk është aspak i saktë madje është një keqinterpretim ose herezi e vjetër e “qiliatëve” 1000 vjeçarëve.
Për interpretimin orthodhoks 1000 vjet e përmendur tek Zbulesa është një numër alegorik. Nuk është një numër absolut apo i rrumbullakosur edhe i përcaktuar, po përcakton një periudhë të gjatë të pa përcaktuar dhe të pa njohur për ne. Pra 1000 vjet tregon simbolikisht që do jenë shumë vite dhe paraqet periudhën nga ardhja e parë e Krishtit ku e mundi satanain me kryqëzimin e tij dhe e plandosi në humnerat e Hadhit, deri në ardhjen e dytë të Krishtit, ku pak përpara ardhjes djalli për shkak të mëkateve të njerëzve do të lirohet nga humnera dhe do të futet tek antikrishti për të luftuar me të krishterët dhe për të shkatërruar botën. Por ky do jetë edhe fundi i djallit, i demonëve dhe i vetë antikrishtit me të gjithë të pabesët të cilët do të hidhen përfundimisht në Ferr, ashtu si Zbulesa na e thotë qartë: “Dhe kur të kryhen të një mijë vjetët, Satani do të zgjidhet nga burgu i tij, dhe do të dalë të mashtrojë kombet që janë në të katër anët e dheut, Gogun e Magogun, që t’i mbledhë ata për luftë; numri i tyre do të jetë si rëra e detit. Dhe ata do të lëvizin në të gjithë sipërfaqen e dheut dhe do ta rrethojnë fushën e shenjtorëve dhe qytetin e dashur. Por nga qielli do të zbresë zjarr, i dërguar nga Perëndia, dhe do t’i përpijë. Atëherë djallin që i kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve” (Zbulesa 20:7-10).
Kurse për mbretërimin 1000 vjeçarë të Krishtit me të ngjallurit e parë, si shkruhet në Zbulesë : “Këta u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet. Por të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë deri sa të mbusheshin një mijë vjet. Kjo është ringjallja e parë. I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ringjalljen e parë. Mbi ata vdekja e dytë nuk ka pushtet, por ata do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të një mijë vjet.”(Zbulesa 20:5-6), nuk është do të thotë mbretërimi tokësor i Krishtit në Izrael por koha e Kishës Katholike Apostolike e Izraelit të ri, e shtrirë në botë ku Jisui mbretëron si Mesia (Krishti) për afro 2000 vjet me anëtarët e Kishës Apostolike të cilët janë ngjallur shpirtërisht me anë të Misterit të Pagëzimit, që është vdekje edhe ngjallje në Kishtin (Romakëve 6-4) dhe po ashtu tregon për të gjithë shenjtorët që mbretërojnë me Krishtin në qiell, në Kishën triumfale deri në ardhjen e dytë të Krishtit , si Zbulesa na tregon “Dhe kur hapi vulën e pestë, unë pashë nën altar shpirtrat e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin;dhe ata thirrën me zë të madh duke thënë: “Deri kur, o Zot, që je i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe?.” Dhe secilit prej tyre ju dha një petk i bardhë dhe ju thanë që të preheshin edhe për pak kohë, deri sa të plotësohej numri edhe i bashkësherbëtoreve e tyre dhe i vëllezërve të tyre që duhet të vriteshin posi ata. .( Zbulesa 6;9-11)
Prandaj kurrë të krishterët orthodhoks nuk mund të bëjnë rezistencë ose luftëra për të mbajtur një vend të përcaktuar si tokë të shenjtë për adhurimin e Zotit Perëndi siç ishte dhe është Jerusalemi për Judenjtë apo edhe për myslimanët sot. Sa herë që të krishterët e perëndimit bënë luftë me kryqëzata për të çliruar dhe pushtuar Jerusalemin ata jo vetëm dështuan por luftrat e tyre u kthyen në masakra ndaj popullsisë vendase, si të krishtere orthodhokse dhe myslimane, duke u bërë një turp në historinë e krishterimit perëndimor.
Providenca hyjnore i ka ruajtur vetë këto vende adhurimi për të krishterët, që ata gjithmonë të shkojnë në Tokën e shejntë për adhurim dhe nderim të vendeve të shenjtëruara nga Krishti dhe shenjtorët, madje ato janë të mbrojtura nga vetë banorët myslimanë, ashtu si edhe deri më sot çelësat e portës së Kishës së madhe të Ngjalljes në Jeruzalem prej shekujsh i mban një familje myslimane, që çdo mëngjes e hap dhe çdo mbrëmje e mbyll derën e Kishës së Ngjalljes.
Situata e sotme mes Izraelit edhe Palestinës është shumë e ndërlikuar dhe fatkeqësisht pa zgjidhje kjo për arsye të bindjeve fetare të tyre, sepse Izraeli duke qenë një shtet etnofetar, nuk mund të ekzistojë pa tempullin kushtuar Zotit (Jahves) edhe duan me çdo kusht të rindërtojnë tempullin për herë të tretë, por sot në atë vend që nga shekulli i 8 është ndërtuar Xhamia Omar, ose Alaksa që sipas Kuranit është vendi ku Muhameti ka fluturuar me një qenie të mbinatyrshme në xhenet (parajsë) dhe kështu për nga rëndësia është e dyta mbas xhamisë së Mekës për myslimanët.
Prandaj meqenëse të dy shtetet si Izraeli dhe Palestina janë etnofetare dhe kërkojnë vendin e përcaktuar si adhurim të Zotit kodrën Sion, konflikti nuk ka zgjidhje paqësore sepse askush nuk lëshon dhe tërhiqet nga territori i Tempullit sepse i bie të mohojë besimin e tyre etnik, kështu që kemi “një nyje gordiane”, që mund të zgjidhet vetëm me shpatë, luftë.
Kjo është arsyeja e luftërave të vazhdueshme mes Izraelit dhe Palestinës por jo vetëm mes tyre por edhe popujve mysliman me Izraelin dhe aleatët e tyre.
Vërtet rikthimi i Izraelitëve nga vendet e botës ku ishte shpërndar për afro 2000 vjet dhe riformimi i shteti të Izraelit që ndodhi në 1948, apo pushtimi dhe marrja e territoreve të pushtuara nga kombet përgjatë shekujve dhe rindërtimi i tretë tempullit, janë të profetizuara në Bibël dhe do të ndodhin vërtetë, por këto nuk kanë lidhje me doktrinën e krishterë për shpëtimin e botës apo me Kishën si Izraeli i ri.
Në Bibël na thuhet qartë se e gjithë kjo axhendë politike, ushtarake, fetare e Izraelit ka lidhje me kohën e antikrishtit, si koha më errët e njerëzimit ku ai do të shfaqet krejt papritur si një lider fetaro-politik me origjinë izraelite dhe do të sundojë botën me mashtrimin diabolik për shtatë vjet (Dan 9:20-27).
Kështu të gjithë njerëzit që nuk e besojnë Krishtin si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre po ashtu izraelitët që e mohojnë Jisuin, si Mesian e vërtetë, me dije apo pa dije po përgatisin terrenin dhe po presin “Mesian” e tyre, që në të vërtetë do jetë “Mesia” i rremë, i cilësuar si antikrishti, sepse Krishti e ka thënë: “Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit” (Joani 5-43).
Por edhe apostull Pavli Apostulli i kombeve e ka sqaruar në letrën drejtuar Sealnikasve ardhjen e këtij të paudhi që Izraeli do e shpalli “Mesian” e tyre:” “Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrekulli të rreme, dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar. E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës, që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!” (Thes. 27-13).
I krishteri orthodhoks e pranon formimin e Izraelit sipas providencës Hyjnore, ashtu si parathanë profetët (Jezekel 11:16-17), (Isaia11:11-2) (Amos 9:11-15) etj, po ashtu i shikon edhe i ndjek me vëmendje zhvillimet e shtetit të Izraelit dhe gjithë situatën gjeo-politike në rajon, sepse këto nuk janë ngjarje të rastësishme por shenja apokaliptike që paralajmërojnë ardhjen e dytë edhe të shpejtë të Krishtit , ashtu si Zoti e thotë: “Kështu edhe ju, kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera. Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto”(Mateu24-33).
I krishteri orthodhoks ndryshe nga izraelitët dhe heterodoksët heretik nuk pret një “Mesia” që do të shfaqet nga toka dhe do të mbretërojë për 1000 vjet sepse Krishti paralajmëroi: “Atëherë, në qoftë se dikush do t'ju thotë: "Ja, Krishti është këtu", ose "Është atje", mos i besoni. Sepse do të dalin krishterë të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrekulli të tilla aq sa t'i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit. Ja, unë ju paralajmërova. Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë", mos shkoni atje: "Ja, është në dhomat e fshehta", mos u besoni. Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut. Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat''. (Mateu 24:23-27).
I krishteri orthodhoks e di se edhe vetë izraelitët në fund do ta kuptojnë se janë gabuar dhe kanë rënë pre e një mashtrimi të madh eusforik dhe kur ata të pranojnë se Krishti ka ardhur (Mateu 25:37-39) atëherë antikrishti i demaskuar do ti sulmojë vetë izraelitët, që do kthehen tek Krishti, dhe të krishterët orthodhoks, me një mani diabolike që bota nuk ka parë as do të shohë më (Mateu 24-22).
Kjo përndjekje martirike do të shënojë dhe fundin e vetë antikrishtit, sepse pas kësaj përndjekjeje do të ketë shumë martirë të mëdhenj si nga kombet dhe nga Izraeli sepse është profetizuar: “Dhe iu dha t’u bëjë luftë kundër shenjtorëve dhe t’i mund; dhe iu dha pushtet mbi çdo fis, gjuhë dhe komb”(Zbulesa 13-7): “ edhe atëherë do të zbulohet i paudhi, të cilin Zoti do ta humbasë me frymën e gojës së tij, edhe do ta prishë me shfaqjen e ardhjes së tij. (2Sealnikasve ;2-8 )
Dhe mbas kësaj fillon Mbretëria e Perëndisë si në qiell edhe në tokë që përpara do të pastrohet me zjarr (2 Pjetrit 3-10) dhe më pas do të zbresë Jerusalemi qiellor dhe kështu fillon jeta e përjetshme për të drejtët në Krishtin: “Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më. Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan” (Zulesa 21:1-4).
Prandaj i krishteri orthodhoks nuk mund të jetë me asnjë palë në këtë konflikt që synon të ndërtojnë mbretërinë e Zotit si një mbretëri tokësore si një superfuqi, super race dhe fe botërore të “Kohës së Re”.
Të krishterët orthodhoks e presin mbretërinë e Zotit të bëhet e dukshme vetëm kur të vijë nga qiejtë me lavdinë e tij bashkë me engjëjt e shenjtëruar (Mateu 25-31).
Ardhjen e Krishtit do ta paraprijë shfaqja e Kryqit dhe ankthi dhe frika e gjykimit nga kombet antikrishte: “Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe. Ai do t'i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t'i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri”(Mateu 24:30-31).
Sepse , ardhja e tij do të bëhet e dukshme edhe për ata që kanë vdekur si armiq të Krishtit por do të ngjallen për tu gjykuar bashkë me të gjallët nga Jisui:“Ja, ai vjen me retë! Të gjithë do ta shohin, edhe ata që e shpuan me heshtë. Gjithë fiset e dheut do të vajtojnë për të. Po, amin! (Zbulesa 1-7)
Prandaj Kisha Orthodhokse dhe i krishteri orthodhks deri në ardhjen e dytë të Krishtit lutet dhe bënë përpjekje që të jetë një faktorë paqeje për popujt duke ju treguar se paqja mes popujve dhe feve është e mundur vetëm kur të besoni në “Perëndinë e Paqes”(1 Thesalonikasve 5:23) dhe “Princin e Paqes”.(Isaia 9-5), në Zotin Jisu Krisht, i Cili na tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” ( Joani 14-27).
I krishteri orthodhoks lutet dhe bashkëpunon për të mbrojtur jetën e njerëzve të krijuar sipas ikonës të Perëndisë, pavarësisht, nacionalitetit edhe fesë së tjetrit, sepse beson fortë në fjalët e Krishtit: “Në të vërtetë po ju them; sa herë ja keni bërë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mijë të vegjël, këtë ma bëtë mua (Mateu 25-40).
I krishteri nuk bëhet pjesë e asnjë aleance apo pushtet tokësorë që në emër të nacionalizmit etnofetar bën genocid, sepse “Perëndia është dashuri” ( I Joanit 4-16) dhe do shpëtimin e të gjithë njerëzve, ashtu si Krishti e thotë: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij. Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë. (Joani 3:16-18)