PSE BIBLA EDHE UNGJILLI ËSHTË I VËRTETË!
November 22, 2023 at 9:11 am,
No comments
Shkrim nga katekisti: Miron Çako
Bibla është Libri më i përkthyer dhe më i lexuar në botë. Sipas “The World Book Encyclopedia” Bibla e plotë apo pjesërisht është përkthyer në më shumë se 2.100 gjuhë dhe dialekte, dmth në më shumë gjuhë sesa çdo libër tjetër.
Bibla shumëfishohej me kopjues kaligrafë, por që prej shekullit të 15-të kur doli shtypshkronja, janë shtypur rreth katër miliardë Bibla të plota apo pjesë të saja. Kështu që, mund të themi pa e tepruar, se asnjë libër tjetër, pavarësisht zhanrit, qoftë fetar apo jo, nuk mund t’ja kalojë Biblës që i ka kaluar të gjitha kufijtë kombëtarë, racial, etnik apo fetar në qarkullim dhe gjendet pothuajse në 90 % të familjeve në mbarë botën.
Por çfarë është Bibla?
Bibla është fjala e Zotit drejtuar njerëzimit në kohë edhe hapësirë për të njohur Hyjnoren dhe mënyrën se si Perëndia Atë me anën e Birit dhe Shpirtit të Shenjtë ka krijuar dhe shpëtuar njeriun dhe botën prej armiqve si djallit, mëkatit dhe vdekjes dhe si njerëzimi dhe bota do ripërtërihen me jetë të përjetëshme në ardhjen e dytë të Krishtit ku Perëndia do jetë i gjithi në të gjitha .
Bibla është një bibliotekë librash ose një bashkim librash prej 76 librash me autor Perëndinë Triadik dhe me 40 shkrues njerëzor të ndryshëm. Bibla është shkruar për një periudhë kohore prej 1500 vjetësh. Këta shkrimtar ishin njerëz të frymëzuar nga Perëndia që shkruan Biblën me stilin e tyre përkatës, duke filluar me profetin dhe udhëheqësin e Izraelit, Shën Moisun (1526 -1406 pr K), i cili shkroi i pari pesë librat e parë të Biblës (Pentaotekun) dhe mbaron me autorin e fundit të Biblës Apostull Shën Joan, i cili shkroi librin e Zbulesës rreth viteve 94-95 p.s K.
Edhe pse janë shkrimtarë të shumtë dhe të ndryshëm sipas moshës, statusit profesionit dhe kohës kur i shkruajtën librat , përsëri Bibla është unike dhe të gjitha librat me autorët e ndryshëm plotësojnë njëra-tjetrën sepse i shikojmë se të gjithë shkrimtarët janë në unison.
Ata i përngjajnë një orkestre ku secili i bie instrumentit dhe nxjerrë tingullin e duhur në kohën e caktuar nga “Dirigjenti”, në një harmoni të përsosur me njeri-tjetrin, duke dhënë së bashku simfoninë e të vërtetës absolute sipas Perëndis për njeriun dhe botën, që nga fillimi deri në fund.
Dikush mund të thotë: “Nga e dimë ne se këta autor kanë shkruar të vërtetën dhe nuk e kanë shtrembëruar atë?
Kjo është një pyetje që bëhet gjithnjë e më shumë sot, kur materializmi, konsumizmi e ka çuar shoqërinë njerëzore në një apostazi, dyshim deri në ateizëm.
Patjetër, për ta shpjeguar me detaje këtë pyetje do të duhej të shkruheshin shumë gjëra, por le të marrim një detaj që nuk duhet ta anashkalojmë kur ne lexojmë edhe studiojmë Biblën dhe shkruesit e saj të shumtë.
Bibla përveç një libër profetik dhe eskatologjik është edhe një libër historik. Mund të vëmë re, se shkrimtarët e Biblës nuk shkruajtën vetëm gjëra të mira për veten, por ata me një transparencë të guximshme dhe të admirueshme shkruajtën edhe gabimet dhe dështimet e tyre në lidhje me hyjnoren dhe me shoqërinë njerëzore.
Autorët që shkruan librat e Biblës nuk ishin engjëj por njerëz mëkatar, sepse asnjë qenie njerëzore që vjen mbas rrënjes mëkatare të Adamit nuk është e pa mëkatshme, sepse trashëgon mëkatin stërgjyshor (Zanafilla 3 6-7) dhe kështu çdo njeri edhe pse nuk është përgjegjës për mëkatin e Adamit ka prirje për mëkat (Romakëve 5-12) dhe për rebelim, dhe si njeri i rënë e ka të pamundur nga vetvetja të mos gabojë (Romakeve 22-28).
Perëndia jo vetëm tek njerëzit që trashëgojnë mëkatin dhe vijnë në një botë mëkatare dhe gabojnë, por edhe tek e engjëjt e përsosur dhe që gjenden në Parajsë gjen gabime (Jobi 4-18).
Prandaj, edhe ata që e shkruajtën Biblën ishin njerëz mëkatarë dhe si të tillë edhe gabuan, por si thamë ata këto gabime edhe dështime nuk i fshehën por i shkruan si dëshmi për veten e tyre dhe kjo i jep besueshmëri dëshmisë së tyre Biblike për Perëndinë, sepse nuk ka dëshmitarë më të vërtetë për Perëndinë se sa ai njeri që para Zotit dhe të tjerëve nuk i fsheh mëkatet dhe gabimet e tija.
Le të fillojmë me autorin e parë të Biblës, profetin dhe ligjvënësin Shën Moisi. Megjithatë edhe pse në Bibël na flitet me shumë superlativ për atë, p.sh. na thuhet: “Nuk doli më në Izrael një profet i ngjashëm me Moisiun, me të cilin Zoti fliste sy për sy” (Ligji i Përtërirë 34 10-12), ai përsëri si njeri gaboi, madje edhe kjo është e shkruar në Bibël se si ai dhe i vëllai i tij Aroni nga zemërimi me popullin mosmirnjohës, bënë një mrekulli duke nxjerë uji nga shkëmbi duke mos i dhënë lavdi Zotit, por vendosën veten e tyre , ashtu si na përshkruhet në Bibël : “Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë. "Merr bastunin; ti dhe vëllai yt Aaron thirrni asamblenë dhe para syve të tyre i flisni shkëmbit, dhe ai do të japë ujin e tij; kështu do të nxjerrësh për ta ujë nga shkëmbi dhe do t'u japësh të pinë njerëzve dhe bagëtisë së tyre". Moisiu mori, pra, bastunin që ishte përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti. Kështu Moisiu dhe Aaroni thirrën asamblenë përpara shkëmbit dhe Moisiu u tha atyre: "Tani dëgjoni, o rebelë; a duhet të nxjerrim ujë për ju nga ky shkëmb?". Pastaj Moisiu ngriti dorën, goditi shkëmbin me bastunin e tij dy herë dhe prej tij doli ujë me bollëk; kështu asambleja dhe bagëtia pinë ujë. Atëherë Zoti u tha Moisiut dhe Aaronit: "Me qenë se nuk më besuat për të më mbuluar me lavdi para syve të bijve të Izraelit, ju nuk do ta futni këtë asamble në vendin që unë u dhashë atyre" ( Numrat 20 7-13).
Jo vetëm Kryeprifti Aroni vdiq në shkretëtir
( Numrat 21; 22-29) por edhe i madhi Moisiu edhe pse bëri aq shumë për lavdinë e Zotit dhe për Izraelin nuk hyri në tokën e premtuar por e pa nga larg edhe vdiq. (Ligji i Përtërirë 34 1-7)
Një tjetër autor i rëndësishëm i Biblës që nuk i ka fshehur mëkatet dhe gabimet e tija në Bibël është mbreti Shën David (1011-971 p.r. K).
Ai është autori i 70 psalmeve, për të cilin edhe për atë vetë Perëndia thotë në Bibël; “Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime. Ai do t'i plotësojë tërë dëshirat e mia. (Veprat 13;18-26).Zoti i premton Davidit një besëlidhje të përjetshme me Davidin dhe shtëpinë e tij” (2 Samueli 7-13). Mesia ( Krishti) quhej biri i Davidit.
Mbreti David si njeri pasionant gaboi dhe ra në dy mëkate të rënda, atë të kurvërisë me Bershebanë dhe atë të vrasjes së Urit, burrit të saj (2 Samuelit11.1-27).
Për këtë mëkat Davidi qortohet nga profeti Natan ( 2 Samuelit 12.1-12), por Davidi e pranon mëkatin edhe pendohet “Atëherë Davidi i tha Nathanit: Kam mëkatuar kundër Zotit”(2 Samuelin 12-13).
Davidi mëkaton përsëri kur kërkon të regjistrojë popullatën si një shenjë euforie dhe sigurie tek ushtria e tij dhe jo tek fuqia e Zotit (2 Samuelit), por ai qortohet nga ndërgjegjja e tij e rënduar edhe pendohet”. “Por, mbasi bëri regjistrimin e popullsisë, zemra e Davidit e qortoi shumë rëndë atë dhe ai i tha Zotit: "Kam kryer një mëkat shumë të rëndë duke vepruar në këtë mënyrë; por tani, o Zot, shlyej paudhësinë”(2 Samuelit 24-10).
Profeti Jona në kohën e Mbretit Jeroboami i II (787-753 pr.K) përshkruan në librin e tij biblik gjithë rebelimin dhe mërzitjen pse Zoti i shpëtojë Ninivitët prej pendimit që treguan nbas predikimit të profetit Jona , ashtu si na thuhet. “Por kjo nuk i pëlqeu aspak Jonait, i cili u zemërua. Kështu ai iu lut Zotit, duke thënë: "Ah, o Zot, a nuk ishte vallë kjo që unë thoja kur isha akoma në vendin tim? Prandaj ika në fillim në Tarshish, sepse e dija që je një Perëndi i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe që pendohesh për të keqen e hakërruar. Tani, pra, o Zot, të lutem, ma hiq jetën, sepse për mua është më mirë të vdes se sa të rroj”( Jona 4.1-3).
Kemi shumë raste në Dhiatën e Vjetër , por le të shikojmë edhe shkrimtarët në Dhiatën e Re, të cilët janë nxënësit e Krishtit, si Ungjillorët Shën Mateu , Shën Marku, Shën Lukai dhe Shën Joani, po ashtu apostull Petro dhe Apostull Pavli të cilët ndikuan në formulimin e ungjijve sinoptikë të Markut dhe të Lukës dhe po ashtu shkruan letrat e tyre.
Ungjillori Mate në Ungjillin e tij nuk e fsheh se kush ishte përpara se të thirrej prej Krishti por e tregon me detaje jetën e tij si kumerqarë (doganjerë) dmth si hajdut i ligjëruar për kohën. Ai tregon me detaje se si Krishti e thirri kur ishte në doganë dhe se si ai e priti në shtëpinë e tij bashkë me shokët e tij tagrambledhës edhe mëkatarë: “Pastaj Jisui, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: ''Ndiqmë!''. Dhe ai u çua dhe e ndoqi. Dhe ndodhi që, kur Jisui u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij.”(Mateu 9.9-10).
Në Ungjillin sipas Markut që është i diktuar nga apostull Petro na përshkruhet me hollësi, qortimi që Krishti i bën Petros i cili kërkonte ta shmangte Krishtin nga rruga e kryqit: “Pastaj nisi t'u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet. Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë. Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: ''Largohu nga unë, Satana, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!''( Marku 31-33). Po ashtu në këtë ungjill na tregohet me detaje frika dhe mohimi tre herë i Petros ndaj Krishtit, kjo e rrëfyer me detaje tek Marku nga vetë Petroja (Marku.14;66-72).
Ungjillori Shën Luka shkruan se si ai bashkë me Kleopën nuk e njohën Krishtin në rrugën për në Emaus, dhe se si Krishti i qortojë ata për mosbesimnin e tyre: “Atëherë ai u tha atyre: ''O të pamend dhe zemër ngathet për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët! Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?”( Luk.24.25-26).
Në ungjijt sinoptik na thuhet se apostujt ziheshin se kush do ishte më i madh mes tyre edhe pse Krishti fliste për kryqëzimin dhe vdekjen e tij të afërt.( Marku 9;30 -37) (Mateu 18-1-14) (Luka 9; 46-48)
Po ashtu na shkruhet se të gjithë apostujt burra përveç Joanit më të riut e braktisën Krishtin dhe nga frika ( Mateu 26-56)dhe u mbyllën për tre ditë dhe nuk dolën nga dhoma (Joani 20-19), ndryshe nga gratë miroprurëse që herët që me natë shkuan tek varri i Jisuit (Luka 24; 1-2) dhe panë dhe dëshmuan ngjalljen e tij tek apostujt, por ata nuk i besuan (Marku.16.9-14).
Ungjillori Luka që ka shkruar edhe Librin “Veprat e Apostujve”, ai ishte një bashkëpunëtor i ngushtë me apostull Pavlin i cili patjetër i ka treguar Lukait me detaje jetën e tij para edhe pas shërbimit në Krishtin, prandaj aty na është treguar me detaje se si Sauli (Pavli) ishte në fillim një djalosh fanatik që e urente “udhën “ e krishterë dhe mori pjesë në vrasjen e dhjakonit Shën Stefanit dhe i miratojë ata që e vranë me gurë dëshmorin duke ju mbajtur rrobat atyre (Veprat 7-59), pastaj na përshkruhet se si ai kërkojë të përndiqte Kishën dhe të krishterët në në Damask: “Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti, dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t'i sillte të lidhur në Jeruzalem.(Veprat 9.1-2).
Apostull Pavli shkruan për veten “Sepse unë jam më i vogli i apostujve dhe as nuk jam i denjë të quhem apostull, sepse e kam përndjekur kishën e Perëndisë” (1 Korintasve 15-9).
Ungjillorët e përshkruan Krishtin ashtu si u shfaq dhe veproi si njeri pa e zbukuruar, para pësimit të kryqit: “Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjethesemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: ''Uluni këtu, deri sa unë të jem lutur''. Mori, pra, me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi; dhe u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar''. Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë. Dhe tha: ''Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!'' (Marku 14.32-36).
:“ Pastaj, kur erdhi e gjashta orë, errësira e mbuloi gjithë vendin deri në të nëntën orë.4 Dhe në të nëntën orë Jezusi bërtiti me zë të lartë: ''Eloi, Eloi; lama sabaktani?'', që e përkthyer do të thotë:''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''.Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thoshnin: ''Ja, ai po thërret Elian!''. Atëherë një prej tyre erdhi me vrap, e zhyti një sfungjer në uthull dhe, mbasi e vuri në një kallam, ia dha të pijë, duke thënë: ''Lëreni; të shohim nëse vjen Elia që ta zbresë poshtë''. Por Jezusi, si lëshoi një britmë të madhe, dha frymën.” ( Marku 15; 34-37)
Të gjitha këto dëshmi biblike tregojnë se ata që shkruajtën Biblën ishin njerëz të vërtetë dhe pa komplekse inferioriteti, për të fshehur dobësitë e tyre apo të ishin egoistë për të glorifikuar veten e tyre, siç bëjnë rëndomtë njerëzit e botës që shkruajnë për veten apo për zotërinjtë e tyre dhe kur gjërat nuk janë ashtu si ata i duan ata kërkojnë të retushojnë dobësitë edhe gabimet e tyre duke përmenduar vetëm vetëm triumfe dhe lavdira të fryra.
Prandaj Biblën, në 76 librat e saj, që u diktua nga Perëndia dhe u shkruajt prej 40 shkrimtarëve nuk duhet ta shikojmë si një trill njerëzor, por si një dëshmi të vërtetë prej Perëndisë nga njerëz të vërtetë,ashtu si apostull Petro na shkruan :” Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja,duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta. Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.” ( 2 Petros 1; 19-21)