PEMA E KRISHTLINDJES NJË SIMBOL I KRISHTER APO NJË IDHULL PAGAN
December 7, 2023 at 8:33 am,
No comments
Shkrim nga Miron Çako Katekist
Është bërë një traditë që mbas mbrëmjes të 6 dhjetorit, jo vetëm të krishterët, madje edhe të feve të tjera dhe ateist e ngrenë pemën në shtëpi ose në sheshe si simbol, që të krishterët e quajnë pema e Krishtlindjes dhe të tjerët pema e Vitit të Ri, kjo e fundit një terminologji që mbeti nga regjimi ateist-komunist i vendeve të lindjes si edhe në Shqipëri.
Por ku e gjejmë kuptimin e pemës si simbol të jetës dhe si ajo lidhet me Krishtin që është jeta e përjetshme?
Sipas Biblës, pema si simbol i jetës e ka zanafillën nga kopshti i Edenit, që e mbolli Perëndia dhe në mes të këtij kopshti me pemë frutore Ai mbolli dy pemë të një rëndësie të veçantë, njëra, "Pema e jetës", që me frutat e saj dhuronte pavdekësinë dhe tjetra "Pema e të mirës dhe të keqes", dhe nqs frutat e saj do të haheshin, do të sillnin vdekjen e sigurt; “Dhe Zoti Perëndia e urdhëroi njeriun duke i thënë: ‘ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit, por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.” (Zan: 2:16-17).
Njeriu fatkeqsisht gaboi, ai u gënjye nga djalli, ky engjëll i rënë, armik i Perëndisë, i cili u fut tek gjarpri dhe gënjeu në fillim Evën dhe ajo Adamin duke i`u thënë: Hani nga pema, “ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di mirë se ditën që do të hani do të hapen sytë tuaj dhe do të jeni si Perëndia në gjendje të njihni të mirën dhe të keqen.” (Zan: 4:5)
Me ngrënien e frutit të ndaluar nga pema e të mirës dhe e të keqes, njeriu u rebelua kundër Zotit dhe midis njeriut dhe Zotit nga zilia e djallit hyri mëkati dhe vdekjen shpirtërore edhe më vonë trupore sepse: “thumbi i vdekjes është mëkati dhe fuqia e mëkatit është ligji.”(1 Kor. 15:56).
Me këtë veprim rebel njeriu i solli vdekjen jo vetëm vetes edhe gjithë njerëzimit, por edhe prishje të gjithë krijimit: “Zoti tha: meqënëse dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën unë të kisha urdhëruar "Mos ha prej saj"toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd… dhe ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh. (Zan.3:17-19).
Pra njeriun e nxori nga Edeni parajsa tokësore, kopshti i kënaqësive, fruti i një pemë.
Por Perëndia në planin e Tij për shpëtimin e njeriut, vendosi që po me anë të një peme do t’i rikthente njerëzit në parajsë, sepse: “Perëndia aq shumë e deshi botën sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që të besojë tek ai, mos të humbas por të ketë jetë të përjetshme.”(Jon: 3:16) Krishti që ishte bekim u bë mallkim për ne. sepse :“Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne, sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru.” (Gal: 3:13)
Kështu pavarësisht se ngrënia e "Pemës të së mirës dhe të së keqes", e nxori njeriun nga parajsa për shkak të mosbindjes, të urdhërit të Perëndisë: "Mos ha", por përsëri një pemë në drurin e të cilit u kryqëzua me bindje të përsosur Zoti Krishti, bëri të mundur që njeriu të rikthehet në parajsën qiellore dhe të shijoj nga fruti i “Pemës së jetës”.
Kryqi është tashmë “Pema e Jetës”, e cila gjendet në parajsë dhe Zoti ua premton atyre që do fitojnë luftën e mire: “Kush fiton, do t’i japë të hajë nga pema e jetës, që është në mes të parajsës së Perëndisë” (Zan 2-7).
Fruti i kësaj peme është vetë Zoti Krisht, i cili tha: “Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim ka jetë të përjetshme, unë do ta ngjall atë në ditën e fundit… kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të.”(Jon 6-54)
Kisha Orthodhokse me himnet e saj teologjike, që këndohen në ditën e Lartësimit të Kryqit në 14 shtator mëson në lidhje me Kryqin si” Pema e Jetës”: “Ejani popuj, duke parë mrekulli paradoksale, ti falemi fuqisë së kryqit, se një dru në parajsë nxori si lastar vdekjen, ndërsa ky lulëzoi jetën, duke pasur Zotin e pamëkatshëm të gozhduar nga kryqi ne, gjithë kombet vjelim paprishjen dhe thërrasim: Lavdi ty që nëpërmjet kryqit shfarose vdekjen dhe na çlirove.”
Druri i kryqit u bë bekim për gjithë natyrën e pemëve, një tjetër himn thotë: “U gëzofshin gjithë drurët e pyllit, sot u shenjtërua natyra e tyre nga druri zotëror që u mboll në fillim, se Ai në të u nde përmes këtij që ngrihet madhështojmë dhe i falemi Krishtit tonë.”
Kështu për të krishterët orthodhoks Kryqi është simbol i Krishtit dhe i vetë jetës, prandaj kjo është shenja që i mbron, zbukuron dhe i shenjtëron të gjitha siç thuhet: "O Kryq, ruajtës i gjithë botës; o Kryq, zbukurim i kishës; o Kryq, lavdia e ëngjëjve; o Kryq forcim i mbretërve; o Kryq lavdia e ëngjëjve dhe plaga e demonëve.(Dërgimësore e kryqit)
Po pema e Krishtlindjes, ku dhe kur e ka origjinën?
Origjina e pemës se Krishtlindjes, është jo shumë e qartë për shkak gojëdhënave të ndryshme, apo këngëve të ndryshme të kulturës së Evropës Perëndimore.
P.sh, sipas traditave të krishtera, pema e krishtlindjeve është lidhur me Shën Bonifacin(672-754) dhe qytetin gjerman Geismar. Një here gjatë jetës se tij preu pemën e Thorit (perëndi pagane) në mënyre që te hidhte poshtë legjitimitetin e perëndive skandinave mbi fiset lokale gjermane.
Shën Bonifaci pa një peme bredhi të mbinte ne rrënjët e lisit te vjetër. Duke e marë ketë si një shenje te besimit të krishterë ai tha : “le te jete Krishti në qëndër të familjeve tuaja” dhe kështu përdoruri drurin e bredhit si një simbol te krishterimit.
Por pema e bredhit si simbol i Krishtlindjes u vendos nga Martin Luteri (1483-1546) një kryetar i reformës protestante. Ai protestonte traditën e Kishës Romano-Katolike, siç ishte dhe ajo e grazhdit të lindjes së Krishtit, traditë e vendosur nga shën Françesku i Asizit (1181-1226), por që në lindje kishte qënë që në shkujt e parë si na dëshmon shën Justin filozofi.
Luteri vendosi pemën e Krishtlindjeve si një simbol i “Pemës së Jetës” në kopshtin e Edenit.
Tradita i ngritjes se pemës se Krishtlindjeve mund te gjurmohet historikisht ne shekullin e XV në Livonia (sot Estoni dhe Letoni) dhe në shekullin e XVI në Gjermaninë veriore. Në shekullin e XVIII-XVIIII tradita e përdorimit të pemës së Krishtlindjes u përhap në vende të tjera të Evropës dhe përtej kontinentit. Në vitin 1871 ajo shkoi në Kanada. Në vitin 1816 u prezantua në Vjenë dhe zakoni u përhap në gjithë Austrinë. Në shekullin e XVIIII, në vitin 1841 ky zakon u bë i përhapur në gjithë Britaninë. Nga viti 1850 deri në vitin 1870 e gjithë Amerika e kishte traditën e pemës së Krishtlindjes,
Kisha romano-katolike e pranoj më vonë këtë simbol, sepse ajo nuk mund ta ndalonte dot përdorimin e saj në vendet ku ka juridiksionin e saj.
Pema e parë e Krishtlindjes është vendosur në sheshin shën Pjetër të Vatikanit në vitin 1982.Pema ju dhurua Papa Gjon Pavlit II nga një bashkëqytetar polak, i cili e solli pemën në Romë.
Kjo traditë është futur sot edhe tek besimtarët orthodhoksë e importuar nga vendet e Evropës perëndimore.
Sot pema e Krishtlindjes është përhapur në të gjithë botën, përveçse në vendet fondamentaliste ekstremiste fetare, që nuk tolerojnë simbole e një fe tjetër.
Por shqetësuese është simbolika që përdoret bashkë me pemën.
Derisa Kryqi është simbol i Krishtit dhe i “Pemës së Jetës” dhe një pemë Krishtlindje që nuk do ta ketë shenjën e Birit të Njeriut, Kryqin, ajo s’mund të jetë një simbol i Krishtit, ashtu si dhe një ikonë që paraqet fytyrën e Krishtit, në qoftë se nuk ka simbolin e Kryqit dhe brenda tij inicialet ‘OωN’ – që do të thotë ‘Unë jam Ai që jam’ – nuk mund të quhet ikonë e Krishtit dhe nuk mund të nderohet si e tillë.
Kështu edhe një pemë në qoftë se nuk ka në majën e saj Kryqin ajo nuk është një pemë e Krishtlindjes, por një pemë çfarëdo dhe kur ne e nderojmë dhe besojmë se është fatsjellëse, atëherë ajo është një idhull.
Ky është një adhurim pagan ashtu siç bënin njerëzit në kohën e padijes, duke i adhuruar pemët si fuqi të zotave të tyre.
P.sh: pema që adhurohej në Egjiptin e lashtë ka qenë druri i palmës, në Romë ka qënë druri i bredhit,në Greqinë antike bredhi ishte pema e shenjtë për perëndeshën Artemisë, mbrojtjen e lindjeve, po ashtu edhe në Azinë Veriore bredhi ishte konsideruar si pema kozmike e mbjellë në mes të universit.
Të gjitha këto lidhen me adhurimin pagan të bimësisë së gjelbër si shembull të zotave të pavdekshëm. Madje edhe zbukurimet që shoqërojnë sot pemën si topat e shkëlqyer janë mbetje pagane, simbol i diellit dhe të gjitha këto lidhen me festivalet pagane të solsticit dimëror.
Edhe ideja e dekorimit të shtëpive në festa është e përbotshme që nga shekuj e vjetër. Psh, dafina e saturnalisë, ashja gjermane, veshtulla kelte, dhe kaçuba meksikane, të gjitha identifikohen me këtë ceremoni shumëgjuhëshe të solsticit dimëror.
Po ashtu shumë nga bimët që përdoren si dekor në festën e krishtlindjes janë simbole të pjellorisë. Me siguri çdo dru me gjelbërim të përjetshëm si bredhi etj, me aftësitë e veta për të kthyer gjelbërim në muajt jo pjellor të dimrit, është e përshtatshme si simboli pjellorisë, por shumë më interesante janë ashja, dredhka, dhe veshtulla. Ashja, me gjethet e saja që shpojnë, lulet e bardha, dhe kokrrat e kuqe simbolizon dëshirën e fortë të riprodhimit mashkullor.
Në fakt, në këngët gazmore angleze ashja është mashkulli dhe dredhka është femra.
Pra këto rite dhe simbole pagane të krishterët në perëndim, i kanë huazuar nga festat pagane dhe i kanë bërë pjesë të traditës së krishtlindjes.
Kjo nuk mund të jetë e gabuar sepse.
Ajo që duhet të na shqetësoj është kur i shikojmë këto simbole si fatsjellëse dhe të ndara nga fryma e krishtlindjes që tregon se Zoti u bë Njeri, për të shejntëruar njeriun edhe gjithë krijesën.
Por ajo që është më shqetësuese është përdorimi nga krishterët i simboleve antikrishte dhe djallëzore siç është "ylli pentalfa".
Ky yll përdorej rëndomt nga paganët si simboli i diellit flakërues dhe në besimin Indu pesëvijëshi është quajtur ylli i pranimit që përcakton privilegjet e kastës së priftërinjëve të shivës të cilët ja kushtonin zotit diell.
Në mënyrë të mistershme në shoqëritë okulte ylli pendalfa simbolizon "njeriun si perëndi", si universin e mishëruar.
Ai tregon gjithashtu Siriusin, yllin qen, ose planetin ku okultistët mendojnë se rri djalli.
Ai tregon Thorin, zotin e lashtë nordikë. Ai tregon Baal, zotin djallëzor që përmendet shpesh me terma ironik në Dhjatën e Vjetër. Po i njëjti "zot yll" adhurohej edhe në Egjipt dhe izraelitët e infektuar nga egjiptianët gjatë kohës që endeshin nëpër shkretëtirë e adhuronin fshehtaz këtë shenjë.
Ata e quanin atë Molak, Çiun dhe Renfa.
Profeti Amos i akuzoi izraelitët për këtë sakrilegj, ku ju thotë: “por ju keni krijuar imazhet tuaja në faltoren e Molokut (perëndia e amoniteve dhe fenikasve) dhe Çiuni, yllin e zotit tuaj të cilin e bëtë për vete. (Amos 5:20)
Për satanistët ai është shenja e djallit. Francezi Elifas Levit, satanist i shek. XIX-të, krijuesi i kishës së djallit, bën të ditur me entuziazëm: “Pesëvijeshi me dy brirë (ylli pesëkëndor) në rend ngjitës përfaqëson djallin d.m.th përmbysjen, çrregullimin dhe marrëzinë intelektuale" Prandaj dhe sot shenjën e yllit pesëkëndor e shikojmë rëndom në grupet satanike, masonike, antikrishte që i kundërvihet simbolit të kryqit.
Ylli i kuq, si simbol i diellit dhe i luftës gjakësore ka qenë simbol i ateizmit-komunizmit për shumë vite dhe ne shqiptarët këtë e dimë shumë mirë.
Dikush mund të thotë se në ditën e lindjes së Krishtit u shfaq një yll, por kjo nuk ka lidhje me "yllin pentalfa" që sot vendoset mbi pemë, sepse në të vërtetë ai nuk ishte një yll,apo një trup qiellor i ndritçëm, por një engjëll, që shfaqej si yll dhe i tregonte rrugën magëve për tek Krishti Zoti- Njeri, që magët të cilët përfaqësonin kombet paganë nga adhurues të yjeve, të bëheshin adhurues të Atij që krijoi gjithësinë.
Forma që shfaq si yll në qiell nuk është si ajo e yllit pentalfa, që siç thamë është simbol pagan dhe i vetë djallit prandaj nuk ka përligjje vendosja e këtij simboli në pemëm eKrishtlindjes,por mund të gjendet një formë tjetër ylli.
Simbolika nuk duhet nënvlerësuar, ajo jep një imazh duke na transmentuar një doktrinë, por dhe transmeton energji për ata që lidhen me imazhin. Psh: kur të krishterët bëjmë dhe mbajmë shenjën e kryqit, vetëm me këtë simbol tregohet dogma e besimit të tyre, por dhe ajo përcjell energjitë e hirit të Perëndisë sipas masës së besimit.
Kisha e krishterë vërtet i mori element nga traditat dhe festat pagane, siç është dhe dita e 25 dhjetorit, që ka lidhje me solsticin dimëror dhe ishte festa e “diellit të pamposhtur”, por Kisha në urtësinë e saj vendosi këtë ditë lindjen e “Diellit mendore të pamposhturin" Zotit Krisht, që në këtë mënyrë gjithë paganët t’i faleshin Krishtit, si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre.
Kisha i mori këto tradita të popujve paganë para Krishtit të cilët prisnin një Shpëtimtar, i pastroi nga bestytnitë, nga ritualet dhe simbolet magjike dhe i përdori për të përhapur të vërtetën, sepse Zoti u bë Njeri , që njeriu në bashkim me Krishtin të bëhet Perëndi sipas hirit.
Prandaj në qoftë se do të vendosim një pemë bredhi në shtëpitë tona simbol i lindje së Krishtit duhet patjetër të vëmë mbi të shenjën e Kryqit, vetëm atëherë ajo mund të quhet një pemë Krishtlindjeje, që na afron me vetë prototipin Krishtin, foshnjën Hyjnor "Pema e Jetës",ndryshe ajo është një idhull pagan.
Apostulli i kombeve Pavli këshillon të krishterët: “Prandaj, të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria.”(1 Kor 10:14)
Ata që dëshirojnë, le ta presin Krishtlindjen me frymë dhe simbole të krishtera dhe me i rëndësishmi dhe autentik është grazhdi, ikona Lindjes njerëzore të Birit të Perëndisë prej Virgjëreshës Zonja Shën Mari në Betlehem të Judesë.