Klithma e heshtur : Nga Miron Çako; Botuar dhe publikuar në Dt 29/01/2016 Gazeta Shqiptare, Balkanweb, Tirana Observer
Paradoksi i këtij shek. XXI pas Krishtit është se pavarësisht se njeriu ka fituar shumë njohuri dhe aftësi aq sa të kontrollojë fenomenet dhe ligjet natyrore si p.sh. gravitetin duke fluturuar përtej orbitës me dëshirën për të eksploruar kozmosin edhe pse jo për ta sunduar atë, përsëri instinktin e tij primitiv për të derdhur gjak të pafajshëm, të njëjtë si të tijin, ai nuk e ka sunduar ende, as nuk është shkëputur për asnjë çast prej tij. Për ditë ne në kronikën e zezë të lajmeve shohim kaq shumë krime dhe gjak saqë kjo na është kthyer në kërshëri dhe argëtim, ashtu siç bënin paganët në qytetet e lashta të cilët argëtoheshin duke parë gjak në arenat e amfiteatrove në ndeshjet për vdekje midis gladiatorëve. Ky argëtim mizor u mbyll përfundimisht me ligjin që vendosi në shek. IV Kostandini i madh i pari mbret i krishterë në Europë.
Por sot unë dua të flas, madje të bërtas për një tjetër gjak, jo midis burrave gladiatorë ose ushtarëve në luftë, ose të mizorive kundër civilëve si ato që shohim përditë në vendet e lindjes nga fondamentalistët xhihadistë, por për ata që theren, klithin pa u dëgjuar dhe nuk kanë mundësi të ankohen ose të bëjnë padi në gjykatë për shkelje të të drejtave elementare të njeriut siç është ajo e jetës. Ata sakrifikohen çdo ditë dhe gjaku i tyre kalon nëpër kanalet e ujërave të zeza dhe pastaj derdhet në det duke e skuqur, mallkuar gjithë globin dhe duke klithur nga nëntoka për hakmarrje si gjaku i Abelit. Ata që vriten çdo ditë nuk kanë emër të veçantë por një emër të përbashkët embrion njerëzor dhe një mënyrë të përbashkët sakrifikimi e cila quhet abort.
Çdo ditë në botë abortohen 125 mijë foshnja dhe në vit 40-50 milionë. Në Shqipëri sipas INSTAT-it në 2009 ishin afërsisht 9000 dhe në 2014 numri i aborteve ishte 5572. Pavarësisht se numri i statistikave është ulur nga viti në vit, por duke qenë se klinikat private nuk i deklarojnë abortet e tyre, kështu numri mbetet i lartë. Mund të themi se aborti me vegla është pakësuar, dhe kjo ka sjellë shtimin e abortit medikal. Aborti medikal ose mënyra me tableta kryhet jo më shumë se 6-7 javët e para. Ende nuk është legalizuar zyrtarisht si formë por këto medikamente gjenden në farmaci dhe njerëzit nuk ngurrojnë t’i marrin. Prandaj dhe numri i aborteve nuk është ai që thuhet nga statistikat, por siç thamë gjithnjë e më i lartë.
Në gjuhën e mjekësisë abort do të thotë: “ndërprerje artificiale e lindjes”. Sot, sipas konceptit bashkëkohor të lirisë ku njeriu mund të bëjë çfarë të dojë me vetveten dhe sidomos i qarqeve dhe i grupeve feministe me parullën dhe sloganet e tyre të njohura “jashtë ligjet nga trupat tanë” aborti reklamohet si diçka normale madje në shumë vende edhe në vendin tonë i lejuar edhe me ligj. Ky veprim shikohet thjesht sikur gruaja të heqë nga trupi i saj një masë të huaj mishi më e vogël se një nishan dhe më e madhe se një masë tumoriale, por në të vërtetë nuk është kështu. Këtë nuk e thonë vetëm ata që janë kundër abortit, që dikush me frymë liberale mund t’i quajë si fetarë mediokër dhe fanatikë.
Historikisht gjatë gjithë shekujve të njerëzimit aborti është konsideruar si një vrasje dhe personat që e kryenin te vetja ose te të tjerët dënoheshin si vrasës. Persët dhe Romakët të cilët krijuan qytet-shtete dhe perandori me legjislacionin e tyre e dënonin abortin si vrasje. Me ardhjen e krishtërimit në Europë dhe në botë aborti u dënua akoma më shumë jo vetëm si veprim i dhunshëm, por edhe moralisht dhe shikohej si mëkat kundër vetë Zotit, që krijon çdo njeri në mënyrë të veçantë sipas ikonës së Tij. Ky ligj juridik dhe moral zgjati deri në shek. XX. Për herë të parë aborti u lejua me ligj në vitin 1920 në Bashkimin Sovjetik kur pushtetin e morën ateistët komunistë me në krye Leninin.
Pastaj aborti u lejua me ligj 1930 edhe në vende të tjera si Turqi, Danimarkë, Suedi, Islandë dhe Meksikë. Në vitin 1950 u lejua me ligj të imponuar nga BS në të gjitha vendet vasale të kampit socialist si Bullgaria, Çekosllovakia, Rumania, Polonia. Në vitin 1967 u lejua në Britani dhe në 1975 me vendimin e gjykatës së lartë federale në SHBA, në 1990 në Belgjikë dhe 1995 në Shqipëri me ligj nr. 8045 dt. 7.12.1995 ‘Për Ndërprerjen e Shtatzënisë” në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr. 7491 datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese” me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë vendosi: “Në rastet kur gruaja vlerëson se shtatzënia i krijon probleme psikosociale, ndërprerja e vullnetshme mund të kryhet brenda javës së 12 të shtatzënisë”.
Por çfarë është aborti në të vërtetë nuk mund ta thonë as liberalët as grupet feministe ndoshta as edhe fetarët. Se çfarë është aborti në vetvete duhet ta thotë shkenca e mjekësisë dhe sidomos ajo e gjinekologjisë. Vërtet janë bërë shumë debate për këtë temë çfarë është brenda trupit, placentës së nënës deri në momentin e lindjes, kemi një jetë autonome apo një copë mishi dhe kur del jashtë asaj, një jetë e pavarur.
Një mendim i përhapur në mjekësi sidomos në SHBA 1970 ishte se jeta e embrionit fillon në javën e 12, mbas tre muajsh. Kjo ide përligji abortin gati 91 % të rasteve, por ekzaminimi shkencor i një gjinekologu Benart Natanso, ish drejtor i një klinike private më të madhe abortesh në botën perëndimore i cili brenda 2 vjetëve kishte kryer 60 mijë aborte përmbysi gjithçka. Ai në rrëfimin e tij thotë se 1949 kur ishte student embriologjia nuk ekzistonte fare si shkencë dhe na thuhej se fëmija i palindur është diçka në mitër, por ishte me të vërtetë çështje besimi, se embrioni ishte një qenie njerëzore, dhe se kjo qenie njerëzore kishte disa karakteristika të veçanta personale.
Ky opinion ndryshoi në vitin 1970. Në atë kohë, shkenca e embriologjisë, u zhvillua me vrull, për shkak të teknologjisë bashkëkohore. Ai i shqetësuar për drejtësinë e veprimeve të tij, vuri në zbatim një teknikë dhe mjete bashkëkohore për studimin e çështjes. Me anë të ultratingujve (eko) ai pa se ç’ndodh kur bëhet aborti i një 12 javëshi. Gjithçka ai e regjistroi në një video kasetë, duke vërtetuar se; embrioni nga ndërhyrja e mjekut gjinekolog e ndjen rrezikun që e kërcënon mjeti vrasës për abort dhe shpreh ndjeshmërinë dhe shmangien nga ky rrezik, lëviz me nxitim në mënyrë të shqetësuar, rrahjet e zemrës i rriten nga 140 deri në 200 rrahje në minutë, hap dhe mbyll gojën sikur nxjerr një klithmë, prandaj ai e quajti këtë video-kasetë “klithma e heshtur” dhe e publikoi botërisht.
Personalisht ai hoqi dorë nga aborti dhe mori angazhimin në përpjekjen për të krijuar një lëvizje shkencore dhe morale kundër abortit. “Ai rrëfen publikisht se 1969 isha një nga themeluesit e Naranit, Lidhja Kombëtare për të Drejtat e Abortit. Që atëherë u shfaq një shkencë e njohur si embriologji. Të gjitha studimet pa përjashtim dolën në përfundimin se foshnja e palindur është një qenie njerëzore e pandarë prej nesh, një anëtare esenciale e shoqërisë sonë. Shkatërrimi i një krijese njerëzore nuk është zgjidhje për një problem kryesisht shoqëror, besoj se kalimi me një dhunë të tillë është prapambetje shkencore dhe akoma më keq një rënie morale. Nuk mund të besoj se amerikanët që dërguan njeriun në hënë nuk mund të gjejnë një zgjidhje më të mirë se sa aborti. Pra të gjithë ne duhet t’i kushtohemi një përpjekjeje të palodhur që të gjejmë një zgjidhje më të mirë që ta bashkojmë dashurinë me mëshirën dhe respektin e jetës njerëzore. Për hir të njerëzimit le të mos vrasim më”.
Sot mjekësia bashkëkohore nëpërmjet teknologjisë ka
arritur të shikojë të gjitha etapat e zhvillimit të jetës që nga konceptimi,
bashkimi i spermatozoidit me vezoren, te formimi i embrionit te të gjitha
stadet deri në momentin e lindjes. Dhe rezultatet e këtij zbulimi janë si më
poshtë:
a) Embrioni brenda 18 ditëve (4 javë) ka filluar të bëhet i ndjeshëm, është
6.5ml, peshon 0.02 gram, zemra rreh e pompon gjak, fillon formimi i sistemit të
tretjes, i shtyllës kurrizore dhe dalin sythat e para të krahëve dhe këmbëve.
b) Mbas javës së pestë deri javën e tetë embrioni zhvillohet me të shpejtë, shkon rreth 2.85 cm, peshon rreth 7 gram, ka fytyrë, sy dhe hundë, janë formuar këmbët, gjuha dhe qepallat, trupi mer formë, organet e brendshme marrin zhvillim.
c) Fetusi në fund të 12 javëve (3 muajt e parë) është rritur 7.62 cm dhe peshon 45 gr, duart, gishtat, këmbët janë formuar plotësisht, fillon zhvillimi i thonjve, llapat e veshëve janë formuar, sytë janë zhvilluar pothuajse plotësisht ndërsa qepallat janë në zhvillim e sipër, formohen vendet e dhëmbëve dhe sythat e tyre në kockën e nofullës dhe rrahja e zemrës mund të ndihet me një instrument të posaçëm, pra sipas këtij ekzaminimi shkencor fetusi në javën e 12 është një njeri i plotë dhe që nga ky moment nuk mbetet gjë tjetër veçse rritja dhe zhvillimi i tij.
Gjinekologu Benard Natanson tregon në videon e tij mjetet që përdor kirurgu për të kryer abortin të cilat ngjajnë si shpata dhe heshta që copëtojnë trupin e këtij embrioni dhe mjeku për të mos tronditur nënën që po bën abort çdo pjesë të copëtuar të trupit të fëmijës që e nxjerr pres saj i vendos një numër dhe kështu gruaja nuk kupton se në ato momente janë duke dalë gjymtyrët e prera të fëmijës së saj. Jo vetëm ky mjek ndryshoi rrënjësisht këndvështrimin për abortin por dhe të tjerë mjekë të dëgjuar si profesori francez Jeronim Lezen për çështjen e abortit shkruan:
“Zhdukja e një embrioni në çfarëdo moshe qoftë, është e barasvlershme me vrasjen e një qenieje njerëzore. Fillimi i jetës së një qenieje njerëzore i takon momentit të ngjizjes dhe kjo qenie njerëzore është e përkryer dhe e veçantë, është një sepse është e veçantë në të gjitha pikat dhe është e veçantë se nuk mund të zëvendësohet me diçka tjetër” po ashtu doktori Enest Hunt gjatë një studimi të tij arriti në konkluzionin se: “veza e pllenuar nuk është thjesht një masë qelizore pa karakteristika të veçanta, por është plotësisht dhe tërësisht jeta e një qenieje njerëzore, e cila ka aq gjallëri në vetvete sa një foshnjë, sa një fëmijë sa një i ri ose i moshuar.
Si rrjedhim aborti vret jetë njerëzore qoftë kjo edhe në hapat më fillestare”. Kështu mjekët që kanë bërë betimin e Hipokratit për të respektuar jetën, pavarësisht se mund të justifikohen, duke thënë, se ne vetë nuk duam ta kryejmë abortin, dhe jemi të detyruar të respektojmë lirinë e individit, kjo gjë nuk i justifikon se këtu nuk bëhet fjalë për një individ po për dy, njëri: “nëna që ka të drejtë sipas saj të ankohet dhe të lirohet nga kjo barrë, kurse individi tjetër “embrioni (fëmija) që nuk ka mundësi të ankohet dhe të mbrohet nga dhuna e mjekut. Jo çdo dëshirë e një pacienti mund të realizohet nga mjeku ashtu siç është edhe rasti i eutanazisë (vrasje nëpërmjet mjekut), aq më tepër tek embrioni që nuk e dëshiron këtë gjë nga mjeku.
Por kryesisht përgjegjësinë e kanë ata që e kryejnë abortin në trup në veten e tyre dhe këtu nuk bëhen fajtorë vetëm gratë ose nënat por edhe burrat dhe baballarët sepse që të dy janë përgjegjës për këtë veprim dhe meshkujt duke keqpërdorur pozicionin e tyre i detyrojnë femrat të bëjnë edhe pa dëshirën e tyre abortin. Ashtu siç thuhet ‘në botë do të vijnë skandale, por mjerë ai që i sjell ato’ (Math. 18:7). Ata që e kryejnë këtë vepër bëjnë gabim të madh se sido që të jenë rrethanat aborti nuk është i justifikuar moralisht dhe është i pa arsyeshëm sepse n.q.s. në rrethana të tjera pa zgjidhje do të zgjidhnit të vrisnin të tjerët që na pengojnë, ky do të ishte një akt kriminal dhe i dënueshëm sipas ligjeve njerëzore të respektimit të jetës së tjetrit.
Pavarësisht rasteve të vështira që mund të shfaqen me shtatzëni të pa dëshiruara dhe këtu flasim për ato më ekstremet si përdhunime, inceste, etj, përsëri aborti nuk është zgjidhje sepse një e keqe nuk mund të shlyhet me një të keqe. Nënë Tereza thoshte: ‘Mos i vrisni fëmijët m’i jepni mua” kështu edhe për ata që e kanë të pa mundur për t’i mbajtur fëmijët e tyre nuk duhet t’i vrasin ata por t’i lindin dhe t’i dorëzojnë në përkujdesje të shoqërisë të institucioneve përkatëse që mbahen me taksat e taksapaguesve ose tek njerëz bamirës që duan t’i birësojnë. Shoqëria jonë njerëzore me ligje dhe ligjvënës po ashtu nuk është e justifikuar kur e pranon abortin dhe e mbron ligjërisht, kryerjen e tij si në klinika shtetërore ose private, kjo bie ndesh me Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtën Themelore të Lirisë së Njeriut 10.12.1948 OKB ku thuhet: Neni I “të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me frymë vëllazërimi. Neni 3 “gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurim vetjak. Neni 5 “asnjë njeri nuk duhet t’i nënshtrohet mundimit të egër jo njerëzor dhe poshtërues”.
Duke lexuar këto nene natyrshëm lind pyetja: se kush duhet të mbrohet më shumë nga shoqëria: jeta e embrionit që është një person më vete apo e drejta e gruas që mendon se mund të veprojë si të dojë me trupin e saj. Embrioni është një qenie njerëzore që do ta jetojë jetën e tij që ia dha Zoti ose natyra ashtu si të gjithë njerëzit. Shoqëria njerëzore është një shoqëri jo vetëm me të drejta por edhe me detyrime sidomos për t’u kujdesur për më të vegjlit që të ketë vazhdimësi raca njerëzore, por edhe të transmetojë moralin për të dashur njëri-tjetrin, me dashuri të arsyeshme dhe jo thjesht instiktive. Aborti e diskrediton moralin e njeriut modern dhe na tregon se nuk jemi një shoqëri e emancipuar por jemi kthyer në një xhungël me kafshë të egra që luftojnë për mbijetesë, të cilat për rivalitet dhe territore vrasin dhe këlyshët e tyre.
Shoqëria njerëzore gabon shumë rëndë kur pranon drejtpërdrejt ose me indiferencë abortin sepse me dashje ose pa dashje pengojnë që në botë të vijnë njerëz si dhuratë nga Perëndia ose produkt natyral i genit njerëzor, të cilët do ta çonin përpara racën njerëzore dhe do të ishin faktorë për zgjidhjen e shumë problemeve në botë, ndoshta midis shumë atyre fëmijëve që u vranë me abortin, mund të kishte pasur shkencëtar që do të zgjidhnin ilaçin kundër sidës ose kancerit, mund të kishte midis tyre fëmijë që nesër do të bëheshin udhëheqës të shquar laikë ose fetarë dhe të kontribuonin për paqen dhe vëllazërinë e njerëzve, që aq shumë sot rrezikohet.
E keqja më e madhe që po i bën shoqërisë njerëzore ky brez që pranon abortin është se po trondit themelet e këtij qytetërimi të ndërtuar me kaq mund për shekuj sepse kurrë nuk mund të ndërtohet një qytetërim mbi gjak të pafajshëm. Nënë Tereza, një nga gratë shqiptare më të shquara në botë i tha një herë në Shtëpinë e Bardhë presidentit amerikan Ronald Reagan: “Ç’lloj njerëzimi jemi ne? Ç’lloj shoqërie kemi ne kur nënat dhe baballarët dhe spitalet dhe doktorët vrasin vazhdimisht fëmijë në barkun e tyre?”. Prandaj një nga arsyet që bota dhe qytetërimi i saj është kaq i brishtë dhe rrezikon shumë të prishet është aborti.
Pasojat e abortit janë të shumta: ndërlikime fizike te gruaja duke u bërë edhe shkak vdekjeje ose paaftësi për një lindje tjetër normale, por ajo çfarë është më e rëndë është ndjenja e fajit, vrasje ndërgjegjeje, ankth, depresion dhe mendime për vetëvrasje, sindroma për përvjetorin e ditëlindjes së fëmijës së hequr, frika e mos ngeljes përsëri shtatzënë dhe ripërsëritjes së abortit, çekuilibrim i marrëdhënieve brenda çiftit dhe më e keqja është se aborti mund të shikohet si diçka normale sa herë që shfaqet një shtatzëni e padëshiruar. Në të tilla raste prishja morale e këtij personi është shumë e madhe dhe vështirë sesi mund të korrigjohet dhe mbi të gjitha shembulli që prindërit iu lënë fëmijëve se ata mund ta rregullojnë jetën e tyre duke eliminuar vëllezërit dhe motrat e tyre rivalë dhe kështu po rrisim një brez gjakësor.
Kisha Orthodhokse ka qenë është dhe do të jetë deri në fund kundër abortit dhe fakti i sotëm shkencor që jeta fillon që në konceptim dhe njeriu quhet njeri në çdo stad të zhvillimit të tij i ka dhënë të drejtë opinionit të Kishës për jetën e njeriut që në konceptim. Prandaj sipas mësimit të Kishës çdo ndërhyrje e jashtme në çdo stad jete për të vrarë embrionin (fetusin), quhet vrasje dhe shkelje e rëndë e porosisë së Zotit: “Mos vrit” dhe më tepër se një vrasje një krim të turpshëm dhe poshtërues. Kanonet e shenjta të kishës dënojnë jo vetëm nënat të cilat e kryejnë abortin, por edhe personat që marrin pjesë në të si bashkëfajtorë në vrasje. Aborti shikohet si një mëkat i vdekshëm që e ndan besimtarin nga Krishti dhe trupi i tij që është Kisha dhe ai është i përjashtuar nga misteret e saj, shën Vasili i madh në kanonin e tij të dytë thotë: “gruas që aborton me dashjen e saj duhet t’i ndalohet e drejta e çdo misteri për gjithë jetën, por për shkak të ekonomisë të paktën për 10 vjet’’.
Pavarësisht se për shkak të shthurjes morale të këtij brezi dënimi i atyre që bëjnë këtë mëkat është zvogëluar, prapë ai mbetet një mëkat i vdekshëm dhe n.q.s. personi pagëzohet ose nuk e rrëfen mëkatin tek ati rrëfyes, mjafton vetëm me këtë mëkat të shkojë në ferr, ashtu siç thuhet në Librin e Shenjtë: “jashtë mbretërisë janë kurvarët, vrasësit etj’’(Zb. 22:15) Vetëm në një rast Kisha mund ta tolerojë abortin kur rrezikohet jeta e nënës, por edhe në këtë rast specifik nëna duhet të zgjedhë vetë se çfarë do të bëjë, të shpëtojë jetën e saj apo të fëmijës, duke i thirrur dashurisë amësore, që ekziston dhe te kafshët, si një instinkt shumë i fortë që shkon deri në flijim.
Sipas mësimit të Kishës çdo njeri është krijuar në pëllëmbë të dorës së Perëndisë dhe jeta është dhuratë e Perëndisë dhe vetëm Ai ka të drejtë ta marrë atë, aq më tepër jetën e një fëmije që nuk ka mundësi të mbrohet. Shpirtrat e këtyre fëmijëve të martirizuar me abortin janë në dorën e ngrohtë të Perëndisë që thotë “edhe sikur nëna të të braktisë, unë nuk do të braktis” (Ps. 27:10) dhe gjaku i tyre i pafajshëm është i bashkuar me gjakun e të gjithë martirëve që u vranë padrejtësisht nga smira dhe ligësia njerëzore edhe ata së bashku me shpirtrat e të drejtëve i luten Perëndisë duke thënë: “deri kur o zotëri, o i shenjtë dhe i vërtetë nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe” (Zb. 6:10). Prandaj ky mëkat që i rëndon pothuajse të gjithë globit, po afron ditën e frikshme të gjykimit ku çdo njeri do të gjykohet sipas veprave që ka bërë. Le të mendojmë për këtë seriozisht, sa nuk është shumë vonë. Zoti na faltë!