Shën Varvara shenjtorja që shëron nga epidemitë ! Nga Miron Çako
December 4, 2021 at 10:48 am,
No comments
Të nderuar miq edhe të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin.
Në 4 dhjetor Kisha Orthodhokse feston të kremten e Shën Varvarës, e cila u martirizua në vitin 306 në Heliopol të Libanit.
I ati i Shën Varvarës ishte një idhujtar fanatik me emrin Dioskori, i cili e kishte mbyllur vajzën e tij të bukur dhe të mënçur në një kullë. Ajo u mësua në besimin e vërtetë të krishterë nga shërbyesja e saj, një e krishtere e fshehtë që quhej Juliana.
Kur e mori vesh se vajza e tij ishte bërë e krishterë u xhindos . Ai me duart e tij e tërhoqi zvarrë Shën Varvarën duke e goditur dhe bërë presion që ajo të mohoj besën e krishterë.
Shën Varvara i shpëtoi nga duart dhe iku, u fsheh në një shkëmb që u hap me lutjen e saj dhe strehoi shenjtoren, por i ati e gjeti përsëri nga spiunimi i një bariu i cili për këtë u dënua nga Zoti dhe delet e tij u kthyen menjëherë në brumbuj.
Dioskuri e kapi përsëri vajzën e tij dhe e çoi zvarrë tek guvernatori pagan dhe antikrisht dhe kështu filluan torturat ndaj shenjtores.
Me xhelatët bashkëpunonte edhe i ati i saj.
Shën Varvara vuajti shumë,e kamzhikuan, e rropën të gjallë, ja fërkuan mishin me rrobë të leshtë, ia shqyen me dorezë të hekurt, ja dogjën me lambadhe, ia prenë gjinjtë, e goditën më çekanë në kokë.
Vetë Zoti iu shfaq në burg dhe e shëroi plotësisht Shën Varvarën dhe i dha zemër për të vazhduar dëshminë martirike.
E zhveshën për ta turpëruar, por një ëngjëll e veshi me një rrobë drite dhe në fund vendosën t’i presin kokën.
Më e dhimbshmja për Shën Varvarën ishte që ekzekutimin kërkonte ta bënte i ati i saj fanatik, i cili mendonte se kështu i shërbente zotave por u dënua nga drejtësia Hyjnore, sepse mbasi i preu kokën vajzës së tij një rrufe e goditi dhe e la të shkrumbuar mbi tokë.
Bashkë me Shën Varvarën u martirizua dhe Shën Juliana .
Shën Varvara është një shenjtore e madhe, sepse ajo ngriti një kryq shumë të rëndë, atë të armiqësisë të atit të saj natyral që si një "abraham" i djallit sakrifikoj vajzën e vetë për idhujt.
Zoti na tha: “Dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së tij.” (Mateu 10:36)
“Edhe vëllai do të dorëzojë të vëllanë në vrasje dhe ati të birin; dhe bijtë do të ngrenë krye kundër prindërve dhe do t’i vrasin dhe do t’ju kenë mëri të gjithë për emrin tim; dhe ai që do të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë” (Mateu 10: 21-22)
”Vërtet vjen një orë në të cilën kushdo që t’ju vras do të pandeh se do t’i shërbejë Perëndisë”. (Joani 16:2)
Prindërit, vëlla, motër, bashkëshort, bashkëshorte edhe fëmijë,ose të afërmit tanë, fatkeqësisht mund të bëhen armiqtë tanë në besim.
Ata duke mos i besuar Zotit Jisu Krisht, ose duke mos pasur një jetë kishtare bëhen pre e lehtë e djallit i cili i mbush me urejtje të pa shkak dhe na i hedh kundra, duke na shkaktuar shumë dhimbje dhe trishtim.
Ky është një kryq shumë i rëndë për të krishterët që duhet të mbahet,ashtu siç e mbajti edhe Shën Varvara dhe shumë shenjtorë të tjerë.
Kur prindi bëhet armik i fëmijës që beson?
.Kur ai vetë nuk beson dhe nuk do që fëmija i tij të besojë në Zotin Jisu Krishtit.
.Kur e pengon atë të lutet të lexojë Ungjillin dhe të shkojë në Kishë që të katekizohet dhe të kishërohet.
Këtë gjë prindi mund t’a bëjë ndaj fëmijës si me presion psikologjik, ose edhe dhunë fizike, duke keqpërdorur statusin e tij si prind.
.Kur prindi kërkon ndihmën e djallit për të kontrolluar fëmijën e vet me anë të riteve magjike, duke i bërë ato vetë, ose me anë të një magjistari.
.Kur e mallkon fëmijën: “ Të martë djalli”.
.Kur prindi është indiferent për jetën morale të fëmijës,ose kur i nxit vetë që të bëjnë jetë të shthurur ,duke bërë kodoshin për fëmijën e tyre.
.Kur i lejojnë fëmijët të bashkëjetojnë pa kurorë, ose kur shfaqet një shtatëzani e padëshiruar i nxisin fëmijët të bëjnë krimin e abortit.
.Kur japin shëmbullin e keq me jetën e tyre pa moral duke tradhëtuar bashkëshortin ose bashkëshorten.
.Kur me shëmbullin e tyre i nxisin dhe bëjnë fëmijët e tyre bashkëpunëtorë në mëkate të rënda si:kurvëri, vjedhje, gënjeshtër, mashtrim, vrasje, etj.
.Kur prindërit e demonizuar abuzojnë ndaj fëmijëve duke bërë inçeste.
Këta prindër janë thjesht prindër biologjikë ashtu siç është dhe shtaza për këlyshët e vet, por mund të themi edhe më keq se shtaza, sepse ka kafshë që kujdesen deri në flijim për këlyshët e tyre, kurse ka prindër njerëzor që i vrasin, i braktisin apo keqpërdorin fëmijët e tyre.
Prandaj edhe Zoti na thotë: “Ai që do të atin ose të ëmën më tepër se mua nuk është i denjë për mua. (Mateu 10:37).
Me këto fjalë Zoti nuk është xheloz për dashurinë tonë bilogjike ndaj prindërve, por Ai kërkon të na thotë se dashuria për Zotin nuk ka rivalitet, sepse Ai na do më shumë se ç’na duan prindërit dhe të afërmit.
Në Shkrimin e Shenjtë thuhet: “Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.”( Psalm 27:10), ose “A mundet një grua të harrojë foshnjen e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ajo do të të harrojnë, unë nuk do të harroj” (Isaia 49:15)
Fatkeqësisht, ky varg është plotësuar në këtë kohë të lig, tek ato gra nëna të cilat vrasin me abort, ose braktisin fëmijët e tyre, por Zoti nuk të braktis kurrë, sepse Ai thotë: “Ja unë të kam gdhëndur mbi pëllëmbën e duarve të mia. (Isaia 49:16)
Është bekim i madh të kesh një prind besimtar, sepse e ndimon fëmijën të ritet me besim dhe moral duke vendosur një bazament të fortë për jetën, por edhe nëse prindërit nuk janë besimtar le të lutemi për ta, le t’i nderojmë, le t’ju bindemi aq sa ata nuk bëhen pengesë dhe nuk na ndajnë nga Zoti, nga e vërteta dhe morali.
Prindi duhet nderuar, dëgjuar , dashur , kujdesur edhe kur ai nuk është besimtar , por kur bëhet pengesë që ne të besojmë, ose na mëson kundër ligjit dhe moralit të krishter ne nuk duhet ti dëgjojmë madje duhet ti kundërshtojmë dhe të distancohemi prej tyre.
Në të tillë situat ne jemi të liruar nga kërkesa e Ligjit: “Ndero atin dhe nënën tënde ashtu siç të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt, që të jetosh gjatë dhe të gëzosh begatinë…”. (Ligji Përtërirë: 5:16)
Shën Varvara dhe të gjithë shenjtorët sidomos ata që u persekutuan nga prindërit e tyre na tregojnë se Ati ynë i vërtetë është Perëndia,Nëna jonë është Hyjlindësja , vëllezërit dhe motrat janë shenjtorët.
Kjo është familja jonë e përbashkët dhe e përjetëshme, e cila fillon, ritet dhe forcohet me Misteret e Kishës Orthodhokse.
Tek kjo familje e shejntë dëshirojmë të shkojmë dhe të mbetemi përjetë, duke dëshiruar të jemi atje bashkë si me prindërit, vëllezërit , motrat dhe të afërmit tanë.
Shën Varvara është shenjtore mbrojtëse me hirin e Zotit Krisht nga sëmundje epidemike, shytat edhe tërmetet.
Ka shumë raste kur Shën Varvara ka bërë mrekulli duke ndaluar epidemi vrastare në shumë vende,të përmendim një .
Shën Varvara shpëtoi fshatin Polidendri nga epidemia e lisë.
Sëmundja po fillonte të vriste banorët. Shumë ishin të sëmurë, të tjerë ishin në prag të vdekjes dhe 8 prej tyre vdiqën. Të gjithë i zuri paniku dhe shumë prej tyre morën malet. Xhandarmëria mbylli shtëpitë që kishin të sëmurë si edhe rrugicat përreth, për të parandaluar përhapjen e epidemisë. Të tjerë mbyllën pusin e sheshit qendror dhe çesmat e fshatit që të mos merrnin ujë të sëmurët dhe të ndotnin ujërat. Atyre që vdisnin nuk u bëhej shërbesë në kishë.
Papa-Jani Caka, prifti i fshatit, ua bënte fshehurazi shërbesën. Një i moshuar tregon: “Një nga të vdekurit e hoqa zvarr nga shtëpia në kishë, natën vonë, dhe e varrosëm. Unë e preka dhe atë dhe rrobën e tij, por nuk u sëmuara”. Mbi varre hidhnin qëlqere që të mos përhapej lia.
Brenda kësaj situate dëshpëruese dhe paniku, një fëmijë i vogël pa në vegim ikonostasin e shën Varvarës, e cila tha: “Ejani të më merrni dhe unë do ta përze sëmundjen”. Atëhere Papa-Jani me epitropët e kishës, shkuan në Egaleo, në kishën e Shën Varvarës dhe morën ikonën dhe e çuan tek kryqëzimi i fshatit.Të krishterët atje e pritën me devotshmëri dhe lotë, ndërsa rruga komplet ishte e shtruar me dafina. I uleshin në gjunjë ikonës dhe luteshin: “Na ndihmo shën Varvara! Largo sëmundjen!”.
Ikona u bë litani përreth fshatit dhe menjëherë sëmundja ndaloi. Jo vetëm që nuk u sëmurën njerëz të tjerë, por edhe të sëmurët u bënë mirë.
Që prej asaj kohe u bë traditë që, dita e kremtimit të shën Varvarës do të ishte ditë pushimi.
Banorët e Polidendri në Atikë, pikturuan ikonën e Shën Varvarës dhe bëjnë panair të madh çdo 15 korrik, ditën që ikona e shën Varvarës mbërriti në fshatin e tyre.
Lipsani i Shën Varvarës.
Mbas vdekjes martirike lipsani i shenjtores u shpërnda për venerim në të gjithë botën e krishterë.
Perandori Leon (886-912) ndërtoji në Kostandinopojë një kishë të madhe me emrin e Shën Varvarës. Atje ishin vendosur lipsanet i shenjtores që u sollën nga Venecia në vitin 911.
Vajza e Perandorit Aleks Komneni e quajtur Varvara që u martuar në Rusi me Dukën e madh të Kjevit mori një pjesë të lipsanit për manastirin e Kievit të cilën e ndërtoj Duka Siatopolk Mihail .
Sot pjesa më e madhe e lipsanit gjenden në Venecia në kishën e Shën Markut.
Kisha Orthodhokse i këndon martires së madhe me nderim :"Varvarën e shejnt le ta nderojmë,sepse dërrmoi kurthet e armikut dhe si harabel shpëtoi prej tyre e tërëthjeshta, me ndimën dhe armën e kryqit."( Përlëshorja e shejntores)
Le ta nderojmë Shën Varvarën dhe le ti lutemi që të ndërmjetojë bashkë me engjëjt dhe shejntorët me në krye Tërëshejntën Mari tek Zoti Jisu Krisht që të ketë mëshirë për ne mëkatarët në këto ditë të liga dhe ta ndalojë me fuqinë e tij këtë pandemi (covid 19) që kaq shumë po na mundon me forma të reja mutacionesh .Amin.
Për shumë vjet Shën Varvarën, veçanërisht ato që mbajnë emrin e saj!