Interpretimi i endrës së mbretit nabukodonosor nga profeti daniel deri në ditët tona! Përgatitur : Miron Çako
Danieli, i katërti nga “Profetët e Mëdhenj”, lindi në familje fisnike të judejnve dhe u rrëmbye si rob së bashku me shumë nga të rijntë e oborrit mbretëror të Judesë në Babiloni, në vitin (604 pr. K).
Në Babiloni, edhe pse skllav, u dallua për besimin dhe mosshkeljen e traditave të judejnve, së bashku me të tre rinj të tjerë: Hananiaahun, Mishaelin dhe Azarian (Danieli 1). Ata, në sajë të origjinës mbretërore, të paraqitjes dhe të mprehtësisë së tyre, u edukuan në pallatet mbretërore të Nabukodonosorit dhe shërbyen në administratën babilonase.
Danieli shëbeu në katër mbretër që mbretëruan në territorin e Babilonisë. Mbretërit Nabukodonosor, Valtasar, Darius dhe Kiri, të cilët mbretëruan në vitet (605-529 pr. K). Emri Daniel do të thotë në hebraisht (Perëndia është gjykuesi), kurse në Babiloni u quajt emrin Valtasar.
Ndërsa Danieli ishte ende i ri në moshë, u bë i spikatur nga ndriçimi dhe urtësia e tij për të zgjidhur çështje të vështira gjykimi midis judejnve dhe i frymëzuar nga Perëndia, u shqua edhe si interpretues i ëndrrave të mbretërvë, të cilat asnjë njeri mbi tokë nuk mundej t’i interpretonte.
Një nga këto ëndrra eskatologjike është ajo që pa mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori II, i cili ishte monarku më afatgjatë dhe më i fuqishmi i Perandorisë Neo-Babilonase, i cili pushtoi, skllavëroi dhe internoj shumë popuj nga vendet e tyre, mes tyre edhe populli hebre.
Sipas Biblës, në librin e Danielit (Kap. 2), mbreti Nabukodonosor pa një ëndërr që e tronditi shumë dhe i iku gjumi. Mbreti kërkoi menjëherë që t’ja interpretonin kuptimin e ëndrrës magjistarët, astrologët dhe shortarët, por pa ua treguar ëndrrën që pa. Ata të frikësuar, i thanë mbretit: “Nuk ka njeri mbi tokë që mund të dijë atë që mbreti kërkon. Në fakt asnjë mbret, sundimtar o sovran nuk i ka kërkuar një gjë të tillë ndonjë magjistari, astrologu ose kaldeasi. Gjëja që pyet mbreti është tepër e vështirë dhe nuk ka njeri që mund t'ia bëjë të ditur mbretit, përveç perëndive, banesa e të cilëve nuk është ndër të gjallët”. Me këtë mbreti u zemërua, i hipi inati dhe urdhëroi që të shfaroseshin tërë të diturit e Babilonisë" (Danieli 2:10-14).
I vetmi nga të diturit që u gjet i aftë për ta shpjeguar këtë ëndërr, ishte Danieli: “Kështu Danieli hyri te mbreti dhe i kërkoi t'i jepte kohë për t'i bërë të njohur mbretit interpretimin e ëndrrës. Danieli iu lut Zotit. Atëherë sekreti iu zbulua Danielit në një vegim nate. Kështu Danieli bekoi Perëndinë e qiellit.Danieli filloi të thotë: “Qoftë i bekuar emri i Perëndisë përjetë, sepse atij i përkasin dituria dhe forca. Ai ndryshon kohërat dhe stinët, i ul mbretërit dhe i larton, u jep dituri të urtëve dhe dije atyre që kanë mend.Ai tregon gjërat e thella dhe të fshehta, njeh atë që është në terr dhe drita qëndron me të. O Perëndi i etërve të mi, të falënderoj dhe të lëvdoj, sepse më ke dhënë dituri dhe forcë dhe më ke bërë të njoh atë që të kemi kërkuar, duke na bërë të njohim gjënë e kërkuar nga mbreti”….Danieli u përgjigj në prani të mbretit dhe tha: “Sekreti për të cilin mbreti kërkoi interpretimin tim, nuk mund t'i shpjegohet mbretit as nga njerëzit e urtë, as nga astrologët, as nga magjistarët, as nga shortarët. Por ka një Perëndi në qiell që zbulon sekretet, dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nabukodonosorit atë që do të ndodhë ditët e fundit. Kjo ka qenë ëndrra jote dhe vegimet e mendjes sate në shtratin tënd. O mbret, mendimet që të kanë ardhur në shtratin tënd kanë të bëjnë me atë që ka për të ndodhur tani e tutje; dhe ai që zbulon sekretet të ka bërë të njohur atë që ka për të ndodhur. Sa për mua, ky sekret m'u zbulua jo sepse kam më tepër dituri nga tërë të gjallët e tjerë, por me qëllim që interpretimi im t'i njoftohet mbretit, dhe ti të njihesh me mendimet e zemrës sate.
Ti ishe duke shikuar, o mbret, dhe ja një figurë e madhe; kjo figurë e stërmadhe, me një shkëlqim të jashtëzakonshëm, ngrihej para teje me një pamje të tmerrshme. Koka e kësaj figure ishte prej ari të kulluar, gjoksi i saj dhe krahët e saj ishin prej argjendi, barku i saj dhe kofshët e saj prej bronzi, këmbët e saj prej hekuri, këmbët e saj pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile. Ndërsa po shikoje, një gur u shkëput, por jo nga dora e njeriut, dhe goditi figurën në këmbët e saj prej hekuri dhe argjile dhe i copëtoi. Atëherë hekuri, argjila, bronzi, argjendi dhe ari u copëtuan bashkë dhe u bënë si kope byku në lëmë gjatë verës; era i mori me vete dhe nuk u gjet më asnjë gjurmë e tyre. Por guri që kishte goditur figurën u bë një mal i madh, që mbushi tërë tokën.
Kjo është ëndrra; tani do të japim interpretimin përpara mbretit.
Ti, o mbret, je mbreti i mbretërve, sepse Perëndia i qiellit të ka dhënë mbretërinë, pushtetin, forcën dhe lavdinë. Ngado që të banojnë bijtë e njerëzve, kafshët e fushës dhe shpendët e qiellit, ai i ka lënë në duart e tua dhe të ka bërë të sundosh mbi gjithë ata. Ti je koka e artë. Mbas teje do të dalë një mbretëri tjetër, më e vogël, më e ulët nga jotja; pastaj një mbretëri tjetër prej bronzi, që do të sundojë mbi gjithë dheun. Mbretëria e katërt do të jetë e fortë si hekuri, sepse hekuri copëton dhe thërrmon çdo gjë; ashtu si hekuri që copëton, kjo mbretëri do t'i copëtojë dhe do t'i thërrmojë tërë këto mbretëri.Siç e pe, këmbët dhe gishtërinjtë ishin pjesërisht prej argjile poçari dhe pjesërisht prej hekuri, kështu kjo mbretëri do të ndahet; megjithatë, ajo do të ketë fortësinë e hekurit, sepse ti ke parë hekurin të përzier me argjilë të butë.Dhe ashtu si gishtërinjtë e këmbëve ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile, kështu ajo mbretëri do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e brishtë. Siç e pe hekurin të përzier me argjilën e butë, ata do të përzihen nga fara njerëzore, por nuk do të bashkohen njeri me tjetrin, pikërisht ashtu si hekuri nuk amalgamohet me argjilën. Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t'i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri, dhe do të ekzistojë përjetë, pikërisht ashtu siç e pe gurin të shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut, për të copëtuar hekurin, bronzin, argjilën, argjendin dhe arin. Perëndia i madh i ka bërë të njohur mbretit atë që ka për të ndodhur tani e tutje. Ëndrra është e vërtetë dhe interpretimi i saj është i sigurt”.
Atëherë mbreti Nabukodonosor ra me fytyrë dhe ra përmbys para Danielit; pastaj urdhëroi që t'i paraqitnin një ofertë dhe temjan. Mbreti i foli Danielit dhe tha: “Në të vërtetë Perëndia juaj është Perëndia i perëndive, Zoti i mbretërve dhe zbuluesi i sekreteve, sepse ti ke mundur të zbulosh këtë sekret” (Danieli 2:16-47).
Ëndrra që pa Nabukodonosori dhe që u intepretua sipas ndriçimit të Perëndisë nga profeti i madh Daniel, u realizua nëpër shekuj dhe do të përmbushet deri në fund të kohës me ardhjen e Dytë të Zotit Jisu Krisht.
Sipas interpretimit të profetit Daniel (Kap 2; 37), koka e artë e statujës paraqiste mbretin e Nabukodonosorit, i cili ndërtoi një perandoiri globale në Babiloni, në vitet (606-539 pr K).
Pas mbretërimit të Nabukodonosorit, doli një mbretëri tjetër më inferiore se kjo e para, domethënë e argjendë (Kap. 2:38), ajo Medo-Persiane, në vitet (539-331 pr.K).
Në 539 mbreti Kiri i Madh, udhëhoqi ushtrinë Medo-Perse dhe pas një rrethimi të gjatë, pushtoi Babilonië. Kiri II i Persisë (600-530 pr.K), i njohur zakonisht si Kiri i Madh, ose Kiri Plaku nga grekët, ishte themeluesi i Perandorisë Akamane, Perandoria e Parë Persiane. Perandoria Medo-Persiane është e dokumentuar jo vetëm historikisht, por edhe në Bibël, te libri i Danielit (Kap. 5).
Danieli i thotë mbretit Belshastar, që kishte bërë sakrilegj me enët e shejntë të tempullit të Zotit: “Mbretëria jote u nda dhe iu dha Medasve dhe Persianëve” (Danieli 5:28), ndërsa edhe te profeti Isaia na thuhet për nbretin Kir si një instrument i Providencës Hyjnore që kontrollon historinë njerëzore: “Kështu i thotë Zoti të vajosurit të tij, Kirit, që unë e mora me dorën e djathtë, që të hedh poshtë para tij kombet” (Isaia 45:1).
Profeti Daniel (Kapitulli 2-39 ) na thotë për një tjetër mbretëri të madhe, por më e ulët se dy të parat, e simbolizuar me pjesën prej bronzi të satujës, e cila do të mbizotërojë në të gjithë botën. Kjo është perandoria e grekëve (331-168 pr K). Grekët e udhëhequr nga mbreti Aleksandër i Madh (356-323 pr K) me armë prej bronzi dhe bakri, i dhanë fund perandorisë Medo-Persiane dhe themeluan perandorinë e tyre, perandorinë e tretë në botë.
Aleksandri lindi në Pella të Maqedonisë në vitin (356 pr K). Babai i tij ishte mbreti i Maqedonisë, Filipi II dhe nëna e tij, princesha e Epirit, Olimpia. Pas vdekjes së Filipit II, i biri u ngjit në fron për të vazhduar traditën mbretërore. Aleksandri përfundoi bashkimin e të gjithë qytet-shteteve greke të kohës dhe pushtoi pjesën më të madhe të botës së atëhershme (Azinë e Vogël, Persinë, Egjiptin), duke arritur deri në Indi. Aleksandri i Madh ishte një ndër komandantët më të suksesshëm të të gjitha kohërave, ku në moshën 32 vjeçare, në shekullin (IV pr K), kishte pushtuar pjesën më të madhe të botës së atëhershme.
Për mbretin Aleksandër, kishte profetizuar Profeti Daniel në Librin e tij, në kapitullin e 8. Në këtë profeci të Danielit, thuhet se në shek (IV pr K), do të lindte Aleksandri i Madh, i cili simbolizohet si një cjap njëbrirësh, që do mundte dashin dybrirësh, simbol ky i perandorisë Perso-Babilonase që kishte pushtuar dhe vënë nën kontroll që në shekullin (VI-V pr K) si Maqedoninë dhe Thrakën, tek Libri i Danielit lexojmë: “Ndërsa kisha parasysh këtë, ja, ku po vinte nga perëndimi një cjap, që përshkonte tërë sipërfaqen e dheut pa e prekur tokën; cjapi kishte një bri të madh midis syve të vet. Arriti deri te dashi me dy brirë që kisha parë më këmbë përpara lumit, dhe iu hodh kundër me furrinë e forcës së tij. E pashë të afrohet dhe të zemërohet kundër tij; pastaj i ra me bri dashit dhe copëtoi dy brirët e tij, ndërsa dashi nuk kishte fuqi për t'i rezistuar; kështu e hodhi për tokë dhe askush nuk mundi ta çlirojë dashin nga pushteti i këtij. Cjapi u bë shumë i madh; por, kur u bë i fuqishëm, briri i tij i madh u thye; në vend të tij dolën katër brirë të mëdhenj, që drejtoheshin drejt katër erërave të qiellit […] Tani, ndërsa unë, Danieli, e kisha parasysh vegimin dhe përpiqesha ta kuptoja, ja ku po rri para meje dikush që ka pamje burri. Dëgjova pastaj në mes të lumit Ulai zërin e një burri, që bërtiste dhe thoshte: “Gabriel, shpjegoja këtij vegimin” […] Dhe tha: “Ja, unë do të të tregoj atë që ka për të ndodhur në kohën e fundit të indinjatës, sepse ka të bëjë me kohën e caktuar të fundit. Dashi me dy brirë, që ti ke parë, përfaqëson mbretërit e Medisë dhe të Persisë. Cjapi leshtor është mbreti i Javanit dhe briri i madh që ishte në mes të syve të tij është mbreti i parë. Briri i thyer dhe katër brirët që dolën në vend të tij janë katër mbretëri që do të dalin nga ky komb, por jo me të njëjtën fuqi të tij." (Danieli 8:5-8,15-16, 19-22).
Cjapi ishte shenja që mbante Aleksandrit, i cili pushtoi Persinë brenda 10 vjetësh. Dhe katër mbretër që ndanë perandorinë e Aleksandrit ose atë Greke, ishin gjeneralët e tij Ptolemeu, Lisimarku, Antipatriti dhe Seleku. Aleksandri i Madh, kur vajti në Jerusalem, u mahnit nga profecitë largpamëse të profetin Daniel dhe e respektoi tempullin dhe qytetin. Me shenjën e cjapit të Aleksandrit të madh lidhet edhe përkrenarja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, i cili për trimëritë e tij mori nga osmanët titullin ushtarak Skënderbeg (Aleksandër i Madh).
Danieli në (Kap 2:40), profetizon për një mbretëri të katërt të fortë si hekuri që do të shkatërontë çdo gjë nga perandoritë e para. Këmbët e hekurta të statujës janë një simbol i Perandorisë Romake. Kjo ishte perandoria e ngritur dhe e qeverisur nga qyteti i Romës gjatë qindvjeçarëve shekulli ( IV pr K) deri në shekullin (V ps K). Romakët mundën grekët dhe u bënë sundues të botës. Kjo perandori ishte më e madhe se perandoritë e mëparshme dhe më afatgjatë. Në kulmin e saj sipërfaqja e zotëruar nga Perandoria Romake përfshinte rreth 5.900.000 km². Perandoria Romake ushtronte ndikimin e saj jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe përtej tyre. Në gjysmën e saj lindore ky ndikim u përzie me elemente greko-helene dhe orientaliste, kurse Perëndimi u latinizua.
Perandori (Gaius Aurelius Valerius Diocletianus) (243-313 ps K), më 1 maj viti (305 pas Kr.) u tërhoq nga pushteti dhe qe perandori i fundit i vetëm, mbas tij Perandoria Romake u nda në çezarë dhe augustë, në tetrarki, siç njihet ndryshe.
Kur Kostandini i Madh (Flavius Valerius Constantinus) me prejardhje ilire, u shpall August i Perëndimit, në Jork, në vitin (306 ps K), ai eliminoi sistematikisht Çezarët e tjerë dhe zhduku tetrarkinë e Dioklecianit. Në vitin (312 ps K), siç thotë tradita, Kostandini pa në qiell një vizion, pa një kryq me shkronja greke që thoshte: “Me këtë shenjë do të fitosh” dhe dëgjoi një zë hyjnor që e porositi t'ia besonte fatin e ushtrisë së tij Jisu Krishtit, Perëndisë së të krishterëve.
Kostandini vuri si emblemë mbi mburojat e ushtarëve të tij kryqin që e pa të shfaqur në qiell dhe pastaj marshoi drejt Romës ku mundi Maksentin edhe u shpall Çezar për perëndimin e perandorisë. Kostandini, së bashku me Licinin çezar në lindje, drejtonin këtë perandori të madhe nga lindja e deri në perëndim. Mbas 9 vitesh mundi edhe Licinin që e tradhëtoi, kështu që Kostandini i Madh u bë perandori i vetëm i Lindjes dhe Perëndimit e udhëhoqi këtë perandori për 31 vjet (306 - 337 ps K).
Meqënëse Roma kishte një arkitekturë të theksuar pagane, për t’i dhënë asaj një karakter të krishterë, Kostandini, pas një tjetër vizioni hyjnor, dhe e transferoi selinë dhe administratën peraandorake në lindje, në qytetin e ri Kostandinopoli, në vitin (330 ps K), që u bë edhe kryeqendra dhe "Roma e Re" në Lindje, ose, si quhet ndryshe për efekt studimi, Perandoria e Bizantine.
Zhvendosja e qendrës gravitacionale të Perandorisë Romake në Lindje, shënoi perëndimin e qytetërimit tradicional greko-romak. Mbas vdekjes së tij perandoria u nda mes djemve të tij: Konstandini II (Flavius Claudius Constantinus Augustus, 317 – 337), Konstanti II (Flavius Iulius Constantius, 317-361) dhe Konsta I (Flavius Julius Constans Augustus, 320-350) .
Fundi i Perandorisë Romake në perëndim ndodhi kur Vizigotët, nën sundimin e Alarikut I, në vitin (455 ps K), plaçkitën Romën dhe, kur më 4 shtator (476 ps K), kryetari i gjermanikëve, Odoakri, detyroi perandorin e fundit të perëndimit, Romulus Augustus, të abdikonte. Pasi kishte zgjatur përafërsisht 1200 vjet, sundimi i Romës mbi Perëndimin i erdhi fundi.
Rënien e Perandorisë Romake dhe plaçkitjen e saj nga vandalët, na i profetizon edhe libri profetik “Zbulesa”, e shën Joan Teologut: “Vaj, vaj! Qyteti i madh, që ishte veshur me li të hollë, me të purpurta e të kuqe të ndezur, dhe e stolisur me ar, dhe me gurë të çmuar dhe me margaritarë! Sepse në një moment u shkatërrua një pasuri kaq e madhe!” (Zbulesa 18:17).
Danieli (k 2; 41-43) na thotë se këmbët e statujës dhe gishtërinjtë ishin pjesërisht prej balte dhe pjesërisht prej hekuri, që do të thotë se Perandoria Romake do të ndahet në mbretëri të tjera, por disa do të jenë të forta si hekuri e disa të brishta si balta, do të thotë që rraca njerëzore do të jetë e përzier, por nuk do bashkohen së bashku ashtu si hekuri nuk është bashkuar me baltën dhe asnjëherë nuk do të kemi një perandori globale të bashkuar si ato katër të parat.
Vërtet Perandoria Romake e Perëndimit filloi të copëtohej në mbretëri të tjera si Ostrogotët, Vandalët që filluan në shekullin (V ps K). dhe u zhdukën në shekullin e (VI ps K), Saksonët, që më vonë u quajt mbretëria Anglo-saksone, Frange, që i dha shfaqjen mbretrërisë të Francës, Visigote, që i dha shfaqjen mbretërisë së Spanjës, ajo e Alemanikëve, që i dha shfaqjen mbretërisë së Gjermanisë, Mbretëria e Lombardisë, e cila i dha shfaqjen mbretërisë së Italisë, e të tjera mbretëri të cilat e quanin veten Romake edhe mbanin emblemën e shqiponjës, simbol ky i Perandorisë Romake.
Megjithatë, Perandoria Romake e Lindjes, ose Bizantine, qëndroi e pa copëtuar edhe për një mijëvjeçar tjetër, gjer në rënien e saj në duart e Perandorisë Osmane në vitin 1453. Por edhe Mehemeti II, që pushtoi Kostandinupolin, Romën e Re, e quante veten perandor romak. Kjo perandori osmane filloi të copëtohej në shekullin (XIX), ku shumë popuj të ballkanit fituan pavarësinë. Me (1922), Perandoria Osmane u shpërbë dhe mori fund zyrtarisht me vendim të Asamblesë së Madhe të Turqise, që themeloi edhe Republikën e Turqisë në vitin (1923).
Në perëndim, mbretërit e shpallur, duke e parë veten si perandorë romakë, u përpoqën ndër shekuj të themelonin një perandori të bashkuar si ajo Romake, por ata nuk e arritën kurrë qëllimit. Të tillë ishin Karli i Madh (shek. VIII ps K), Karli V (shek. XVI), Napoleoni (shek. XIX), Kaiser Vilhelmi dhe Hitleri (shek XX).
Sot kemi disa ish mbretëri në një Europë të bashkuar që ka nisur që në vitin 1992 me Traktatin e Mastrihtit, por edhe sot BE është sa e fortë në disa shtete, aq edhe e brishtë, saqë ky disnivel ekonomik por edhe ndryshimet kulturore dhe historike, rrezikojnë bashkimin e plotë dhe harmonik të të gjithë vendeve anëtare.
Sipas shën Pais Agjoritit një shenjtor me frymë profetike si Shën Danieli na profetizon se një ditë BE do të shpërndahet.
Ai u thoshte pelegrinëve që e pyesnin për fatin e BE: "Njerëz nga pjesë të ndryshme të botës shkuan në Amerikë. Të gjithë mbanin nga një copë lecke me vete dhe kështu u bë një qilim. Amerika u bë si tezgjahu që bashkoi të gjitha leckat. Në BE megjithatë, vendet që hyjnë janë qilima të gatshëm. Qilimat, sado t’i bashkosh ato lëvizin; njëri shkon nga këtu dhe tjetri nga aty”.
Një herë tjetër ai u tha pelegrinëve : “Gjaku është ende shumë i nxehtë ... është e pamundur, dhe do të shihet më vonë, që ndonjëherë të ketë bashkëpunim midis britanikëve, francezëve, gjermanëve, italianëve, austriakëve... Le të mos i shikojmë gjërat në mënyrë afatshkurtër dhe vetëm për hir të ekonomisë. Nacionalizmi do të dalë në sipërfaqe dhe atëherë Europa do të copëtohet …”(Dëshmi pelegrinësh)
Sipas interpretimit të ëndrrës nga Profeti Daniel, njerëzimi tani jeton në mënyrë metaforike në këmbët e statujës që pa Nabukodonosori. Kjo statujë, tregues simbolik i mbretërive tokësore, e inspiruar shpesh nga egoizmi eusforik për të sunduar popujt, do të shkatërrohet dhe shpërndahet përfundimisht nga goditja në këmbët e saj nga “Guri” që do shkëputet nga një “Mal i Madh” pa ndërhyrjen e duarve të njeriut, ashtu si profetizoj Danieli : " Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; “kjo mbretëri nuk do t'i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri, dhe do të ekzistojë përjetë” (Danieli 2:44).
Guri që u shkëput nga mali pa dorë njeriu dhe zbriti mbi statujën, interpretohet teologjikisht për personin e Zotit Jisu Krisht, i Cili erdhi nga Mbretëria qiellore në tokë në mënyrë paradoksale, duke lindur si Perëndinjeri, pa ndërhyrjen njerëzore, pa farën e një burri, nga “Mali i pagërmuar (i paprerë)”, nga Virgjëresha Mari, e cila lindi pa burrë Krishtin Perëndinjeri. Në himnologjinë kishtare ajo quhet “Mali hijeplotë i dendur me lisa” (Zbritësoret e Krishtëlindjes), ashtu siç e profetizoi profeti Abakum (607 pr K): “Perëndia vinte nga Temani, i Shenjti nga mali Paran. Lavdia e tij mbulonte qiejt dhe toka ishte plot me lëvdimin e tij' (Abakumi 3:3).
Zoti Jisu Krishti e quan veten Guri i qoshes, Ai u thotë judejnve: “Kurrë s’keni lexuar në shkronjat: ‘Guri, që flakën tej ndërtuesit, ky u bë Kreu i qoshes; prej Zotit u bë kjo, edhe është e çuditshme në sytë tanë” [...] “Kushdo që bie mbi këtë gurë do të bëhet copë dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta thërrmojë”? (Mateu: 21:42-44).
Po ashtu, edhe apostujt e predikuan Krishtin si të tillë: “Ky është guri që ju, ndërtuesit, e hodhët poshtë dhe që u bë guri i qoshes (Veprat e Apostujve 4:4-11).
Ashtu siç guri shkatërroi atë statujë me këmbë prej balte, hekuri, bronzi, argjendi dhe ari dhe e shpërndau si pluhur , edhe guri u fuqizua dhe e pushtoi botën, kështu edhe Zoti Jisu Krisht, me lindjen e Tij, ndryshoi kohën e njerëzimit në atë pas Krishtit, në epokën e re për njerëzimin dhe fillimin e mbretërisë së Perëndisë në tokë, ashtu si është në qiell. Kjo Mbretëri e Perëndisë që erdhi në botë me Krishtin dhe rritet vazhdimisht dhe pushton gjithë botën, tani është shpirtërore dhe qëndron në zemrat e besimtarëve, ashtu si vetë Zoti tha: “Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme; dhe as nuk do të mund të thuhet: “Ja, këtu”, ose: “Ja, atje”; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush” (Lukai 17:20-21).
Mbretëria është e dukshme dhe e prekshne vetëm në Kishën Katholike Apastolike, me anë të Ungjillit dhe Mistereve që është e shpërndarë në të gjithë botën, në të gjitha kombet, derisa të përmbushet fjala e Ungjillit: “Do të bëhet një tufë nën një bari” (Joani 10:16).
Kur të mbarojë perfundimisht koha e mbretërive njerëzore, atëhere do të vijë e dukshme Mbretëria Qiellore, ashtu siç na thotë edhe libri i Zbulesës: “Edhe pashë një qiell të ri edhe një dhe të ri; sepse qielli i parë edhe dheu i parë shkoi; edhe deti nuk është më. Edhe unë, Joani, pashë duke zbritur prej qiellit nga Perëndia qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e saj. Edhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ‘Ja tenda e Perëndisë bashkë me njerëzit, edhe do të rrijë bashkë me ata, edhe ata do të jenë populli i tij, edhe Perëndia vetë do të jetë bashkë me ata. Edhe do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre, edhe vdekja nuk do të jetë më; as vajtim, as britmë, as dhimbje nuk do të ketë më; sepse të parat shkuan’. Edhe tha ai që kishte ndenjur mbi fron: ‘Ja, të gjitha po i bëj të reja’. Edhe më thotë: ‘Shkruaj. Sepse këto fjalë janë të vërteta dhe të besueshme” (Zbulesa 21:1-5).
Apostul Petro, shkruan që t’u kujtojë të krishterëve që të mos harrojnë dhe të mos neglizhojnë për këtë ditë të fundit të botës, të cilën ai e quan dita e Zotit, sepse është dita kur Zot Jisu Krisht do të shfaqet me lavdi dhe si “Guri” do të shkatërojë nga themelet çdo mbretëri tokësore dhe do inagurojë Mbretërinë Qiellore, qiellin e ri dhe tokën e re: “Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë. Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim. Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt. Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme, duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen? Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe toka të re, në të cilët banon drejtësia. Prandaj, shumë të dashur, duke i pritur këto gjëra, përpiquni të jeni përpara tij të papërlyer dhe të paqortueshëm, në paqe” (2 Petro 3:9-14). Amin