Dhuratat e Shenjta të ruajtura
Prifti përgatit Qengjin e shenjtëruar, që do të ruhet, saktësisht me të njëjtën mënyrë, që parapërgatitet dhe ruhet për Liturgjinë e Dhuratave të Parashenjtëruara. Duhet që të ketë kujdes të veçantë, që Qengji të jetë plotësisht i thatë. Në mënyrë që kjo të arrihet, Qengji ndahet në disa copëza. Disa priftërinj preferojnë që të ngrohin copëzat, duke i vendosur ato mbi zjarr brenda një ene të posaçme.
Edhe pse nuk ekziston një shërbesë e veçantë për parapërgatitjen e Dhuratave të Shenjta të Parashenjtëruara që ruhen, mësuam nga tradita të bëjmë këto: Në një moment të qetë dhe të duhur, ndërmjet ditës së parë dhe të dytë, kur Qengji është tharë plotësisht, prifti i afrohet Tryezës së Shenjtë dhe shpalos andiminsin. Vesh rason dhe epitrahilin, lutet me mënyrën e zakonshme dhe temjanis Dhuratat. Vendos diskun ose çfarëdolloj ene tjetër që ka Qengjin mbi andimins. Më pas me shtizë ose ndonjë mjet tjetër të përshtatshëm, fillon që të copëtojë Qengjin në copëza të vogla, të cilat në gjuhën liturgjike janë të njohur si margarite. Margaritet në vazhdim vendosen në Artofor. Prifti celebron këtë shërbesë me lutje të mëdha.
Dhuratat e Shenjta që janë ruajtur nga viti i kaluar konsumohen nga prifti në mënyrë të zakonshme të Enjten e Madhe, ose të Shtunën e Madhe.
Në rastin kur Qengji është konsumuar, për ndonjë arsye ka humbur ose edhe nuk ekziston, si në rastin e ndërtimit të një Kishe të re, prifti mund të shenjtërojë një Qengj të dytë në çfarëdolloj Liturgjie hyjnore dhe ta parapërgatitë me mënyrën që përshkruam më lartë dhe ta vendosë në Artofor.