Shën Serafimi i Sarovit
Njeriu përsa i përket trupit ngjan me një qiri. Ashtu si qiriu digjet, ashtu edhe njeriu vdes.
Shpirti ynë është i pavdekshëm. Për këtë arsye për shpirtin duhet të kujdesemi më tepër sesa për trupin.
“Ç’përfitim ka njeriu në qoftë se fiton gjithë botën dhe pastaj humb shpirtin e vet? Çfarë do të japë njeriu për shkëmbim të shpirtit të vet?”
Çdo shpirt është më i çmuar sesa vetë bota sepse siç na thotë Makari i Madh:
“Perëndia me asnjë krijesë të dukshme nuk pati mirësinë të fliste dhe të bashkohej sipas natyrës së Tij shpirtërore, përveçse me njeriun të cilin e do më shumë nga të gjitha krijesat e Tij!”
Hierarkët e shenjtë Vasili i Madh, Grigor Theologu, Joan Gojarti, Kirilli i Aleksandrisë,Ambrozi i Milanos e të tjerë, nga vitet e tyre të rinisë e deri në fund të jetës ishin të virgjër. Gjatë gjithë jetës interesin e kishin kthyer drejt shpirtit dhe jo drejt trupit.
Prandaj edhe ne kryesisht duhet të përkujdesemi për shpirtin, kurse trupit t’i japim aq forcë sa t’i japë fuqi frymës.
Në qoftë se ne trupin e mundojmë më shumë se ç’duhet me vetëdije duke e dobësuar shpirtin, kjo është pamaturi, edhe po të bëhet kjo gjë për të fituar virtytin.
Por në qoftë se i pëlqen Perëndisë që të provohet njeriu me anë të sëmundjeve, atëherë Ai do t’i japë atij fuqinë e duhur për ta përballuar atë.
Le të vijnë pra sëmundjet, por nga Perëndia dhe jo nga ne!