Për pesë arsyet pse duhet të kishërohen të krishterët (Arsyeja e dytë është nga dëshira) sipas Nikodhim Agjioriti
Ne të krishterët duhet të shkojmë në Kishë me dëshirë të madhe dhe zell. Sepse Kisha është Nëna e përbashkët e të gjithë Orthodhoksëve, e cila i lindi me kolimvithrën (vaska) e Pagëzimit të shenjtë dhe i ushqeu me qumshtin mendor (logjik) të devotshmërisë, besimit dhe të Mistereve të Shenjta. Ashtu pra, siç fëmijët vrapojnë të shkojnë pranë nënës së të tyre me dëshirë të madhe dhe dashuri, kështu edhe të krishterët duhet të vrapojnë dhe të shkojnë në krahët e nënës së tyre shpirtërore, të Kishës së shenjtë, me gëzim të tepërt, me dashuri të madhe, dhe me dëshirë të tepëruar që të shikojnë nënën e tyre të ëmbël dhe të shijojnë të mirat e saj qiellore.
Vëllezërit e mi, duhet me dëshirë të madhe të shkojmë në Kishë, sepse Tempulli është parajsë dhe kopësht i mrekullueshëm. Ashtu pra si çdo njeri ka gëzim të madh kur hyn brenda një kopshti të bukur, për të parë atje pemët dhe lulet e ndryshme dhe kështu të gëzohet dhe të ngazëllohet zemra e tij, kështu edhe ne të Krishterët duhet me gëzim të madh të vrapojmë dhe të hyjmë në Kishë, që të shijojmë pemët dhe lulet e ndryshme të Shkrimeve të Shenjta nga Ungjijtë, në Apostujt dhe Profetët. Dhe madje, sepse në parajsën e kësaj Kishë nuk ekziston asnjë gjarpër që të “komplotoj”, por ekziston Krishti që këshillon me dashuri. As nuk ekzistojnë vetëm gjethe pemësh por edhe fruta të Shpirtit, siç thotë vetë Gojarti i shenjtë: “Cili livadh është si Kisha? Cila parajsë është e tillë si mbledhja jonë? Nuk ekziston këtu gjarpri komplotues, por Krishti që themelon. Nuk ekziston Eva që udhëheq me mashtrim në rënie, por Kisha që korrigjon të rënët. Nuk ekzistojnë këtu gjethe pemësh, por fryti i Shpirtit”.
Dhe përsëri: “Livadhet kanë shumëllojshmëri dhe lule të ndryshme. Të tjera që të kënaqen sytë, të tjera për aromën, të tjera për zbukurim. Dhe të gjitha këto janë të përshtatshme për njeriun. Kështu edhe Kisha ka leximin e Shkrimeve të Shenjta, të Ungjijve, të Apostujve, të Profetëve dhe Librat e tjerë të shenjtë”.
Me gëzim të madh të vrapojmë për në Tempull sepse është panair. Në mënyrë që, siç të gjithë njerëzit duan dhe dëshirojnë të shkojnë në panair, jo vetëm që të shohin dhe të gëzojnë ata që ndodhen aty, por edhe që të blejnë gjëra të ndryshme dhe nga ato të fitojnë shumë të ardhura dhe të bëhen të pasur duke bërë tregti, kështu, me të tillë gëzim duhet edhe të krishterët të shkojnë në Tempullin e Perëndisë, që të fitojnë nga ato që mësohen aty, jo monedha të arta apo të argjendta, margaritar dhe gurë të çmuar, gjëra të prishshme të përkohëshme, por fjalë hyjnore, të cilat janë pa krahasim më të çmuara nga ari dhe argjendi, siç thotë profeti David: “Vendimet e Perëndisë u pranuan të drejta, janë të dëshiruara më shumë se ari dhe se shumë gurë të çmuar, dhe më të ëmbël se mjalti dhe hoji”. Dhe që të bëhemi me këto të pasur shpirtërisht, siç thekson Gojarti i shenjtë: “Dhe sigurisht Kisha e Perëndisë është panair shpirtëror, dhe duhet sikur pasi të kemi vizituar panair të kthehemi në shtëpinë tonë, pasi kemi mbledhur shumë mallra”.
Me të tillë dëshirë duhet të vrapojmë në Kishë, me aq dëshirë sa vrapojnë në limane marinarët që rrezikojnë në det. Sepse edhe Kisha e Perëndisë është liman mendor, që ka siguri, nuk ka turbullira, është e qetë, që të strehoen tek ajo të gjithë ata që rrezikojnë në detin e mëkateve të qytetit, nga furtuna e sfidave dhe nga dallgët e tundimeve të detit të botës, dhe të gjejnë tek ajo paqe dhe qetësi, ashtu siç e përngjan Kishën pena e Gojartit të shenjtë: “Nuk e dini se, pikërisht ashtu siç janë limanet në det, kështu Perëndia vendosi Kishat brenda në qytete, në mënyrë që duke u drejtuar këtu nga marramendjet e zhurmave të kësaj bote të shijojnë qetësinë e madhe? Sepse këtu nuk ekziston frikë as nga stuhitë e dallgëve, as nga bastisjet e grabitësve, as nga sulmet kriminale, as nga stuhitë e erës, as nga sulmet e egërsirave. Ashtu si Kisha është liman, që është i lirë nga të gjitha këto, është liman shpirtëror i shpirtrave”.