Shën Partheni III Patriark i Kostandinopojës : 24 Mars
Ky hieromartir i ri, ishte me origjinë nga Mitilini dhe ishte i bir i dy prindërve që nderonin Perëndinë. Partheni u dha pas studimeve dhe u bë një prej njerëzve më të ditur të shekullit 17.
U hirotonis prift dhe më pas u bë Kryeprift dhe bari i ishullit Kio. Në fund të vitit 1656 u bë Patriark i Kostandinopojës, si pasues i Patriarkut Partheni II. Si Mitropolit, por edhe si Patriark u tregua një burrë i devotshëm dhe i zellshëm për gjërat e mira dhe të devotshme. Si Patriark, zhvilloi në mënyrë të veçantë edukimin helen. Por një letër e tij, ra në duart e Portës së Lartë, e cila përmbajtjen e kësaj letre e konsideronte si revolucionare. Kështu, sulltani i atëhershëm Ibrahimi I, urdhëroi vrasjen e Patriarkut Parthen. Arrestohet dhe i bëhet presion që të ndryshojë besim në mënyrë që të shpëtohet. Por Patriarku qëndroi i patundur në besimin e tij. Atëherë të Shtunën e Llazarit, më 24 mars 1657, e varin në portën Parmak-Kapi. Me urdhër të Vezirit të Madh Mehmet Qypriliut lipsani mbeti i varur për tre ditë dhe më pas hidhet në det. Më pas atë e marrin të krishterët dhe e varrosin në ishullin e Princërve. Dëshminë e këtij Shenjtori e shkroi Sirigu Meletios.