E Diela IV e Kreshmës së Madhe (Marku 9:17-31). Shën Joani i Shkallës.
Fuqinë e besimit, lutjes dhe kreshmës na e mëson sot Zoti ynë Jisu Krisht, përmes shërimit të djalit të demonizuar, që na tregon Ungjillor Marku. Djalin, që në moshë të vogël e kishte pushtuar fryma dinake dhe shpesh ajo kërcënonte edhe shëndetin e tij fizik, sepse djalli nuk mjaftohej vetëm me dëmin që i bënte shpirtit të djalit, por e shtynte herë në zjarr dhe herë në ujë për ta vrarë. I ati i tij ju drejtua nxënësve të Krishtit, por pa rezultat. Dhe Zoti, pasi më parë kritikoi pabesinë e nxënësve të Tij, i thotë të atit të djalit “nëse mund të besosh, të gjitha janë të mundura për atë që beson”. Dhe ai u përgjigj “besoj, o Zot, ndihmomë në pabesinë time”. Atëherë Jisui dëboi frymën e ndyrë nga djali dhe më pas, pyetjes së nxënësve të Tij për pamundësinë e tyre, ju përgjigj se “Ky lloj s’mund të dalë, veçse me lutje e me agjërim”.
Me anën e kësaj përgjigje Krishti në një farë mënyre na tregon se cila është mënyra për fuqizimin e besimit tonë. Domethënë kreshma dhe lutja përbëjnë ato elementë, me anën e të cilave fuqizohet besimi, bëhet më i pastër, më i qëndrueshëm dhe më rezultativ.
Të parën Krishti përmend kreshmën. Etërit e Kishës thonë se shkelja e kreshmës dëboi Adamin prej Parajsës, kështu kreshma ka fuqinë që ta risjellë përsëri njeriun pranë Perëndisë. Sepse kreshma për të krishterin nuk është thjesht një përpjekje trupore, por është një përpjekje shpirtërore. Njeriu nuk largon disa ushqime si “të papastra”, sepse Perëndia i krijoi të gjitha të mira. Por me kreshmën njeriu privohet nga disa ushqime duke patur si qëllim mohimin e dëshirave të tij, duke filluar që nga dëshira më e thjeshtë, që është ajo për ushqimet dhe kënaqësinë e shijes. Kështu ai mëson në mënyrë stadike që të mos u nënshtrohet dëshirave të trupit, dhe paralelisht, fokusohet tek dëshira për gjërat shpirtërore, vyrtytet dhe të gjitha ato që i pëlqejnë Perëndisë dhe ushqejnë shpirtin e njeriut.
Si vazhdimësi e natyrshme vijon lutja. Që nga momenti që ne kemi filluar të zbutim dëshirat tona trupore dhe të kemi dëshiruar gjërat shpirtërore, lutja nuk është asgjë tjetër veçse kërkimi i dhuratave shpirtërore. Me anën e lutjes shpirti i njeriut komunikon me Atë që e dëshiron, kërkon mëshirën e Perëndisë, faljen e Tij, ndihmën e Tij, mbrojtjen e Tij kundër tundimeve, përmbushjen e kungimit me Perëndinë Triadik dhe dashurinë për të afërmin.
Në këtë mënyrë, si kreshma ashtu edhe lutja ushqejnë besimin për Perëndinë dhe e fuqizojnë atë. Nëse shkojmë pak më tej do të zbulojmë se besimi nga ana tjetër bëhet forcë lëvizëse për lutjen dhe kreshmën, sepse në thelb pa besim, kreshma përbën një privim mekanik prej ushqimeve, e cila nuk i sjell të mirat shpirtërore për të cilat folëm mësipër. Ndërsa lutja pa besim përbën një lloj adhurimi të thjeshtë pa përmbajtje, përderisa nuk mundemi që të dialogojmë me dikë që nuk e besojmë. Pa besim, e gjithë jeta jonë humbet kuptimin e saj esencial dhe bëhet një përditshmëri e pafund, pa shije, e mërzitshme. Pa besim çdo ditë e jona rrotullohet vetëm rreth shqetësimit se çfarë do të hamë dhe çfarë do të pimë, si do të fitojmë më tepër të mira materiale.
Besimi është ai që shkakton mrekulli, ndërhyrjen e Perëndisë, ndryshimin në jetën tonë, Ngjalljen nga vdekja shpirtërore. “Besoj, o Zot, më ndihmo në pabesinë time”, i lutet Krishtit ati i pasazhit të sotëm Ungjillor. “Kam besimin elementar që të njoh Hyjnynë Tënde dhe fuqinë tënde që të ndryshosh gjithçka për mirë. Paralelisht njoh edhe pamjaftueshmërinë dhe dobësinë time. Forcomë, zhvillo besimin tim, dëbo tundimin, më jep paqen Tënde, më shpëto prej pasioneve që vdesin shpirtin tim”. Kjo le të jetë lutja jonë, jo vetëm gjatë kësaj periudhe të kreshmës dhe lutjes intensive, por çdo ditë të jetës sonë.
Kemi arritur në të Dielën e katërt të Kreshmës së Madhe dhe Kisha jonë promovon figurën e Shën Joani Sinaitit, i cili quhet edhe i Shkallës. Lindi në shekullin e gjashtë në Siri. Në moshën 16 vjeçare u bë murg rishtar në Manastirin e shenjtë të Sinait. U ushtrua në bindje dhe përulësi pranë Ava Martirit, pasi më parë kishte fituar edhe diturinë laike.
Në moshën 20 vjeçare, pas një përpjekje katër vjeçare, qethet murg dhe quhet Joan. Më pas merr dy gradët e para të priftërisë, të dhjakonit dhe të presviterit, në mënyrë që t’ju shërbente nevojave të Manastirit. në Manastirin e Sinait jetoi për 19 vite.
Më pas, kur ishte 35 vjeç shkoi në një vend të shkretë të Sinait dhe aty u ushtrua në qetësi duke studiuar shkrimet e etërve. Në moshën 75 vjeçare u bë Igumen i Manastirit të Sinait, dhe në këtë pozicion qëndroi për katër vite. Më pas largohet përsëri në shkretëtirë, ku vdes me paqe më 30 mars në moshën 80 vjeçare.
Shenjti që nderojmë sot ishte një studiues i madh i shpirtit njerëzor. Ishte njeri i lutjes, vetpërmbajtjes, i dashurisë për Perëndinë, njeri me dashuri të zjarrtë hyjnore. Ishte njeri që e drejtoi shpirtin e tij në udhën e Krishtit, e drejtoi nga Ferri në Parajsë, nga djalli tek Perëndia. Nuk është rastësi që Kisha jonë e Shenjtë cakton që në këtë ditë të nderohet kujtimi i Shën Joanit. Brenda stadiumit të vyrtyteve dhe ndeshjeve shpirtërore të Kreshmës së Madhe, oshënar Joani i Shkallës përbën për secilin prej nesh një shembull për imitim.
Arsyeja pse Shenjti u quajt me epitetin “i Shkallës”, është sepse shkroi një libër të rëndësishëm, i cili konsiderohet si një prej veprave më të shkëlqyera të literaturës Kishtare. Kjo vepër e quajtur “Shkalla” përbehet nga 30 predikime për vyrtitin, ku në çdo predikim përfshihet një vyrtit.
Shkalla, përshkruan rrugëtimin drejt hyjnizimit si një ngjitje në një shkallë që të drejton drejt qiellit. Çdo radhë e shkallës është një vyrtyt që besimtari duhet ta fitojë, në mënyrë që të arrijë qëllimin përfundimtar, që është Mbretëria e Qiejve. Ky libër fillon me virtytet më praktike, virtytet që fitohen lehtësisht dhe kryesisht kanë karakter praktik, si virtyti i pendimit, i bindjes dhe përfundon me ato teorikisht të larta, si përulësia dhe dallueshmëria.
I gjithë rrugëtimi ynë shpirtëror në përgjithësi dhe Kreshma e Madhe në veçanti janë si një shkallë, të cilës ne duhet t’i ngjitemi, në mënyrë që të arrijmë në destinacionin përfundimtar të çdo të krishteri, që është Parajsa. Në momentin që ne fitojmë një vyrtyt atëherë kemi ngjitur një shkallë dhe jemi më afër Perëndisë. Por si parakushte për fitimin e vyrtyteve janë kreshma dhe lutja, të cilat forcojnë besimin tonë tek Perëndia.
Siç u përmend më sipër edhe periudha e Kreshmës së Madhe është një shkallë, që na çon drejt Javës së Madhe dhe Ngjalljes së Krishtit. Çdo javë e saj përbën një radhë të shkallës. Tashmë ne sapo kemi ngjitur radhën e katërt. Gjysmën e shkallës e kemi ngjitur dhe për pak do të kremtojmë Pashkën e Madhe, Ngjalljen e Krishtit. Për këtë arsye tani më shumë se kurrë nevojitet durim, besim dhe lutje që Perëndia të na forcojë në rrugëtimin tonë drejt Tij. Amin!
Predikimi i së Dielës. Dt 3/04/2022
Përgatitur nga Katekisti Arbër Pandeli Zeneli
Zyra e Katekizmit - Kryepiskopata e Tiranës