FRIKA E PERËNDISË DHE FRIKËRAT E NJERËZVE
Autori: Mitropoliti i Edesës Ioili
Përktheu nga greqishtja: Katekisti: Arbër Pandeli Zeneli
Zyra e Katekizmit Kryepiskopata e Tiranës
Frikërat e ndryshme të njerëzve përbëjnë një sëmundje të rëndësishme të kohës sonë. Shumë njerëz shkojnë tek priftërinj të ndryshëm me kërkesën për t’ju lexuar ndonjë lutje për frikën. Nuk ja besojnë veten e tyre askujt. Me tronditjen më të vogël ata frikësohen. Vuajnë dhe sëmuren nga sëmundje të ndryshme dhe imagjinojnë sikur janë të infektuar me sëmundjet më vdekjeprurëse. Frikësohen nga imazhi i një vdekjeje, i një plagosjeje apo i një rasti të vështirë të jetës së përditëshme. Ata mendojnë se dëgjojnë zëra që i këshillojnë, i ironizojnë dhe i kërcënojnë. Të gjitha orët e ditës dhe mbi të gjitha ato të natës, për ata janë martirike. Ata shmangin turmat e njerëzve dhe zhurmat. Kur shkojnë në Kishë duan që në shërbesë të mos ketë shumë njerëz, janë dyshues ndaj njerëzve të tyre dhe dyshues ndaj të huajve. E gjithë kjo situatë i bën ata nervoz, të prirur për të vajtuar dhe të gatshëm që të armatosen edhe për luftën më të vogël të tyre. Shpirti i tyre, shkruan Shën Joani i Shkallës ka rënë në një gjendje të tillë sa që kanë frikë edhe nga hija e një ndërtese.
Apostull Pavli në Letrën e Dytë drejtuar Korinthianëve i nxit ata, që përderisa janë tempuj të Perëndisë, që mbajnë brenda tyre Krishtin dhe janë bërë bij të Perëndisë “sipas Hirit”, të pastrojnë veten e tyre nga ndotjet e trupit, dmth., nga kurvëritë, por edhe nga mëkatet e shpirtit, siç janë mendimet e këqija, zemërimet, etj. Dhe sigurisht nuk mjafton vetëm kryerja e veprimeve të mira, sepse të gjitha këto veprime nuk duhet të bëhen për pëlqimin e njerëzve ose për lavdinë e kotë, por të bëhen “me frikë Perëndie” (2Kor. 7.1). Por le të shikojmë se cili është mësimi i Shkrimit të Shenjtë dhe i Etërve për frikën.
Mësimi rreth frikës
Nëse dikush hap Shkrimin e Shenjtë, Dhjatën e Vjetër apo të Renë, do të gjejë në shumë vende fjalën e Perëndisë që flet për frikën. Le të përmendim disa shembuj: “Lum ai njeri, që ka frikë Zotin” (Psalm. 111.1), “të keni frikë prej atij, i cili pasi të vrasë, ka pushtet të hedhë në gjehenë”, “përjashta luftëra, përbrenda frikëra” (2Kor. 7.5). Nëse përpiqemi që të japim një përcaktim se çfarë është frika, do të vështirësohemi shumë. Etërit në shumicën e rasteve e përshkruajnë frikën dhe shumë pak japin një përcaktim për të. Shën Joani i Shkallës në lidhje me frikën thotë: “Frika është një rrezik i paramenduar. Ose më ndryshe, frika është një ndjenjë e frikshme e zemrës që tronditet dhe shqetësohet në pritje të ngjarjeve të paparashikuara. Frika është një privim i informacionit të brendshëm”. Një njeri, i cili pret dënimin, vdekjen, ose një ngjarje të paparashikueshme, përfshihet nga një frikë e madhe. Si shembull mund të përmendim të Parëkrijuarit, ose Kainin. Pas kryerjes së mëkatit të tyre, ata u frikësuan, “Dëgjova zërin tënd në kopësht dhe pata frikë sepse isha lakuriq” (Zan. 3.10), ju përgjigj Adami thirrjes së Perëndisë.
Vdekja është rrënja e të gjitha të këqijave tek njeriu, i cili bën gjithçka që të mos vdesë. Kjo frikë lind urrejtjen, egoizmin, xhelozinë, vetëpromovimin dhe shumë të ngjashme me këto. Një nga pasionet e pangopura që ka njeriu pas rënies është frika nga vdekja. Nuk jemi krijuar për të qenë të vdekshëm, por që të bëhemi të pavdekshëm “sipas hirit”. Frika për vdekjen është fiziologjike, por frika në mënyrë hiperbolike për vdekjen, që i ka rrënjët e saj në krenarinë tonë dhe në egoizmin tonë personal, është diçka e mëkatëshme. Edhe Zoti, si rrjedhojë e natyrës njerëzore të Tij kishte frikë për vdekjen.
Apostull Pavli thotë për Krishtin se: “në ditët e mishit të tij, pasi iu fal e iu lut me klithmë të fortë e me lot atij që mundej ta shpëtonte atë nga vdekja” (Heb. 5.7). Ndërsa frikën tjetër, atë të sëmurën, dmth., që dikush të trembet edhe me shkakun më të vogël, Krishti nuk e kishte. Si përfundim mund të themi se frika është rezultat i rënies së njeriut dhe mund të dallohen në një pasion të pandryshueshëm dhe në një gjendje mëkatare.
Energjia e frikës në jetën tonë
Krishti erdhi që të çlirojë “të gjithë ata, të cilët nga frika e vdekjes ishin mbajtur gjithë jetën e tyre në skllavëri” (Heb. 2.15). Dhe nuk na solli frymë robërie, por na solli frymë birësie (Rom. 8.15). Ai i cili beson tek Krishti çlirohet dhe drejtohet në dashuri, e cila “e nxjerr jashtë frikën” (1Joan. 4.18). Por në mënyrë që të arrijmë në dashuri, nevojitet përpjekje dhe ushtrim dhe nuk është një punë e lehtë. Në hapat e tij të para drejt përsosjes njeriu duhet të ketë frikë për disa gjëra të caktuara, si psh., frikë nga ferri, nga dënimi i përjetshëm, pra të fikësohet se mos mëkatet e ndajnë nga Perëndia. Kjo lloj frike lind vyrtitin. “Fillimi i jetës shpirtërore dhe jetës së vërtetë të njeriut është frika e Perëndisë” shkruan shën Isaak Siriani. Në jetën tonë frika e Perëndisë vjen së pari dhe më pas vijon zbatimi i urdhërimeve të Tij. Rrënja e devotshmërisë sonë për Perëndinë është frika. Ajo zgjon ndërgjegjen, nxit natyrën njerëzore për të luftuar, na bën të kujdesshëm ndaj mëkatit, na çliron nga lavdia e kotë.
Nga ana tjetër, frika mëkatare na tmerron me vdjeken. Na sjell mendime të këqija sikur do të humbasim pasurinë tonë, zhvillon dyshimin dhe zilinë ndaj njerëzve të tjerë, na bën të ndihemi të pasigurt. Energjia e djallit shkakton frikën mëkatare tek njeriu, ndërsa hiri i Perëndisë shkakton dhe sjell gëzim dhe paqe. Për këtë arsye edhe ateistët dhe ata që nuk kanë Perëndi i tremben vdekjes.