Predikimi i së Dielës E Diela e Fariseut dhe e Tagrambledhësit Ungjilli sipas Llukait 18: 10-14
Predikimi i së Dielës
E Diela e Fariseut dhe e Tagrambledhësit
Ungjilli sipas Llukait 18: 10-14
Përgatitur nga katekisti: Antonio Poshnjari
Dt 13/02/2022
Zyra e Katekizmit e Kryepiskopatës Orthodhokse në Tiranë
Në këtë pjesë të ungjillit që dëgjuam sot, Jesu Krishti na tregon historinë-shëmbëlltyrën e Fariseut dhe të Tagrambledhësit.
Të dy këta ishin në tempull duke u lutur dhe Fariseu qëndronte përpara dhe thoshte: “të falenderoj o Zoti im që nuk jam si njerëzit e tjerë, hajdut, imoral, tradhëtar apo si ky tagrambledhësi që është mbrapa meje.
Ndërsa tagrambledhësi qëndronte në fund të tempullit i gjunjëzuar i cili i lutej Perëndisë në veten e tij me përgjërim duke goditur gjoksin dhe duke thënë : “Perëndi, ki mëshirë për mua, mëkatarin”!
Krishti e mbyll shëmbëlltyrën e Tij duke thënë; që është ky njeri i përulur dhe jo Fariseu që u kthye në shtëpi i drejtësuar nga Perëndia. Sepse kush do e lartësojë veten tij, do të përulet dhe kush e përul vetveten, do të lartësohet.
Por çfarë na mëson Ungjilli i sotëm?
Fillimisht duhet të dimë që Fariseu ishte një udhëheqës fetar shumë i respektuar i popullit Hebre. Nga përshkrimi i kësaj historie shikojmë që ai ishte një njeri që kishte besim të palëkundur ndaj Perëndisë dhe ishte i sigurt ndaj vetës së tij, se ai ishte një njeri i mirë dhe besimtar. Ai besonte se Perëndia e shihte mirësinë e tij, siç bënin shumë njerëz të tjerë, të cilët tregonin shumë nder dhe respekt për Të. Ai lutej përditë në tempull, ndante me bujari paratë e tij me të tjerët dhe ndihmonte çdo nevojtar. Agjëronte dhe nuk bënte asnjë vepër të keqe. Kështu, ai ishte i kënaqur me veten e tij dhe erdhi në Tempull, t'i tregojë Perëndisë sa i kënaqur ishte.
Ndërsa për tagrambledhësin duhet të dimë që ai ishte një nga njerëzit më të urryer në Izrael. Ai ishte një tradhëtar i kombit të tij. sepse punonte për armikun që ishte Perandoria Romake (pushtuesit). Ishte një hajdut, që pasurohej duke vjedhur vetë popullin e tij. Në fakt, judenjtë i urrenin tagrambledhësit aq shumë, saqë i vendosnin ata në një kategori me krimenelët dhe hajdutët. Madje, sipas ligjit Judaik këta njerëz kaq të këqinj e kishin të ndaluar të hynin në sinagogë apo në tempull. Prandaj edhe ky tagrambledhës qëndronte në fund të tempullit sepse në vetveten e tij e kishte kuptuar që ishte i urryer dhe se ishte një mëkatari i madh. Dhe në vend që të thoshte ndonjë lutje të gjatë, ai thjesht në heshtjen e tij dhe i rënë në gjunjë, thoshte me përgjërim: “Të lutem o Perëndia im, ki mëshirë ndaj meje mëkatarit”!
Është për tu përmendur këtu se Kisha Orthodhokse, jo më kot e ka përcaktuar këtë pjesë nga ungjilli sipas Llukait në fillim të periudhës së Triodit. Pra na paralajmëron për tu përgatitur për fillimin e Kreshmës së Madhe, një përgatitje kjo për udhëtimin tonë drejt Pashkës së ndritshme “Ngjallësore” dhe Triumfale. Nëpërmjet këtij mësimi duhet të fillojmë të njohim dhe të vlerësojmë vehten tonë ndershmërisht, duke u futur në thellësitë e zemrave tona, që të hetojmë jetët tona me përulësi dhe të shohim mëkatin tonë të vërtetë.
Sa herë që dëgjojmë këtë tregim, të fariseut dhe tagrambledhësit, sa prej nesh do të pranojnë se ngjasojmë më shumë me fariseun se sa me tagrambledhësin. Një nga problemet kryesore të fariseut, ishte se ai besonte në vehten e tij dhe në veprat e tij të mira dhe se gjykonte dhe përçmonte njerëzit e tjerë që nuk ishin si ai. Por kishte dhe një gjë të mirë tek fariseu, ai agjeronte dy herë në javë, lutej përditë, dhe dhuronte 10% të pasurisë së tij të tjerëve dhe shmangte mëkatet e mëdha të vjedhjes, kurvërisë dhe çdo të keqe tjetër.
Por në vlerësimin e Krishtit ky njeri kritikohet dhe nuk pëlqehet sepse së pari, ai nuk kishte përulësi. Ky është virtyti i parë që na nevojitet në udhëtimin tonë drejt Shpëtimit. Sado të mira që të bëjmë, ne duhet të kuptojmë mëkatin dhe dobësitë tona. Asnjë nga ne besimtarët apo klerikët nuk mund të thotë se është i përsosur. Ne jemi të gjithë mëkatarë dhe duhet ta njohim këtë gjë dhe tja bëjmë të ditur vetes sonë.
Problemi i dytë i fariseut, është se ai ishte i kënaqur me vehten e tij. Ai nuk mendonte që i duhet të vlerësojë jetën e tij dhe të bëjë përpjekje për t'u bërë edhe më i mirë. Në udhëtimin tonë shpirtëror, ne kurrë nuk pushojmë së rrituri shpirtërisht, duke menduar se jemi mjaftueshëm të shenjtë.
Ne të krishterët Orthodhoksë jemi në një udhëtim të vazhdueshëm drejt Mbretërisë së Perëndisë dhe ky udhëtim fillon në thellësinë e zemrës sonë. Duhet të shohim brenda në zemrat tona se çfarë është vërtet aty. Shumë prej nesh mendojnë mirë për vehten e tyre sepse nuk kemi hyrë në dhomat më të errêta të zemrës sonë. Atje do të gjejmë të gjitha llojet e së keqes; krenari, zemërim si dhe lloj - lloj pasionesh të tjera. Jesu Krishti na thotë: "Jini të përkryer, ashtu si Ati im në qiell është i përkryer" (Mateu 5:48). Qëllimi ynë është të udhëtojmë drejt përsosjes absolute me Hirin e Zotit.
Një këndvështrim të tretë, për të cilën Jesui e kritikon figurën e fariseut, është se ai me arrogancën e tij krahason vehten e tij me të tjerët. Fariseu nuk i sheh të tjerët me dhembshuri, por thjesht i sheh ata me përçmim. Ai krahason virtytet e mira që ka, me karakteristikat e këqia të tjetrit. Megjithatë, Jesu Krishtit na mëson shpesh në Ungjill, që të mos i gjykojmë të tjerët, sepse vetëm Perëndia është një gjykatës i mirë dhe i drejtë.
Ose ti themi vetës sonë; “kush jemi ne që të gjykojmë të tjerët”?! Kur në radhë të parë duhet gjykojmë dhe të rregullojmë veten tonë.
Këndvështrimi i fundit, është se Jesu Krishtit kritikon dhe nuk pëlqen nga fariseu atë se ai nuk shkoi në Tempull përa t'ju lutur Perendisë, por shkoi atje t’i tregoje Perendise për vehten tij, sa mirë që ishte në të mirat që zotëronte. Lutja e vërtetë është kur i afrohemi Perëndisë me përulësi, duke lavdëruar Atë, për atë që është; falenderojmë Atë për gjithçka që Ai ka bërë për ne, kërkojmë bekimet ndihmën për të na udhëhequr që të ecim drejt Shpëtimit të sigurt.
Një tjetër gjë duhet theksuar dhe mësuar, është se sa herë dëgjojmë këtë pjesë të ungjillit nuk duhet të gjykojmë shumë shpejt fariseun, por në vend të kësaj, duhet ta falënderojmë atë, që na ka dhënë një imazh të qartë të vehtes sonë. Pra nga gabimet dhe të këqijat e tjetrit të nxjerrim mësime dhe të ndreqim veten tonë.
Ndërsa nga tagrambledhësi mësojmë, se ai hyn në Tempull duke mos u perpjekur të mohojë apo të fshehë mekatin tij dhe duke mos u perpjekur të justifikojë veprimet e tij të gabuara. Përkundrazi, ai e sheh në vehten e tij atë çka ai është në të vërtetë, mëkatar dhe një preson i urryer. Ai e rrëfen mëkatin e tij dhe bie përpara Perëndisë, duke kërkuar Hirin dhe forcën e Zotit për të ndryshuar jetën e tij.
Tagrambledhësi ka arritur në gjëndje që të njohë vehten, me gjithë dobësitë dhe mëkatet që ka. Ai e ka parë të keqen në zemrën tij. Dhe tani deshiron një ndryshim rrënjësor. Ai mori guximin të hyjë në Tempull, megjithëse ligji e ndalonte këtë dhe tregoi dëshirën tij për ndryshim, duke mos u dëshpëruar, si një mëkatar pa shpresë, por me shpresën që kishte, besoi se mëshira dhe dashuria Perëndisë është më e madhe se çdo mëkat i njeriut. Lutja e tij e vetme drejtuar Perëndisë ishte: "Zot, mëshiromë mua mëkatarin!".
Për ta kuptuar më mirë këtë pjesë, Etërit e Shenjtë të shkretëtirës përmbledhin bukur këtë shembëlltyrë, duke thënë se: “më i mirë është një njeri që ka mëkatuar, në qoftë se e di që ka mëkatuar dhe pendohet më pas, sesa një njeri i cili nuk ka mëkatuar dhe e mendon vehten të drejtë”.
Të dashur besimtarë , vëllezer dhe motra në Krishtin!
Ndërsa fillojmë përgatitjen tonë për Kreshmën e Madhe të Pashkës, le të largojmë sjelljet e gabuara, të vepruarit si fariseu dhe le të imitojmë përulësinë dhe pendesën tagrambledhësit. Le të vendosim në veten tonë të mos i gjykojmë tjerët dhe të mos përqendrohemi në ndonjë të mirë që mund të kemi bërë në jetën tonë. Por në vend të kësaj, të fillojmë të hyjmë në thellësitë e zemrës sonë dhe të sjellim Krishtin në këto dhoma. Të mos kemi frikë të pranojmë mëkatet tona. Le të mos përpiqemi të justifikojmë krenarinë dhe egon tonë. Le të mos përpiqemi të fshehim dobësitë tona. Përkundrazi, le të ulim kokën përpara Perëndisë dhe të thërrasim me gjithë shpirt nga thellësia e zemrës: "O Perëndi, mëshiromë mua mëkatarin!"
Amin.
Welcome post
This is some dummy text to demonstrate how a blog post will look. You can delete this dummy post and add your own real blog posts.
To edit a post, just click Edit post at the top of any post. To add or delete a post, open the full-fledged Blog editor from the left toolbar.