Të pavërtetat e Blushit: Publikuar në 14/04/2015 www.citynews.al & Gazeta Tema. Shkrim nga Miron Çako
Zoti Blushi!
Në shkrimin tuaj në gazetën Panorama “Kur do të flasë Anastasi shqip” ju flisni dhe kërkoni argumenta si një ateist për ekzistencën e Zotit në shqipen e kryepeshkop Anastasit.
Për ata që s’e dinë termi ateist vjen nga greqishtja e vjetër Atheos që do të thotë pa Zotin; dhe ateist është ai që mohon Perëndinë dhe është kundër fesë.
Ju në fund të shkrimit nxirrni argumentin e shpejtë se meqënëse Zoti nuk i mëson shqipen Anastasit, Ai nuk ekziston ose meqënëse Anastasi nuk do të mësojë dhe të flasë shqip, atëhere ai nuk është një fetar i sinqertë, por çdo gjë tjetër dhe kështu përsëri për ju Zoti nuk ekziston.
Por po ju them me dashamirësi se ky argument është i paarsyeshëm dhe shumë naiv, aq më tepër kur thuhet nga ju, që jeni një figurë e shquar e politikës dhe sidomos e letërsisë dhe elitës intelektuale shqiptare.
Problemi i mosbesimit tuaj dhe i çdo njeriu që deklarohet ateist nuk është se nuk ka prova të mjaftueshme për të besuar se ekziston një krijues, aq më tepër pengesa linguistike, siç ju na parashtroni në shkrimin tuaj. Problemi është moral dhe etik.
Zoti është një person moral, me ligje dhe standarte morale dhe njeriu si krijesë vendoset përballë këtij Zoti dhe ligjit të tij që thotë: Mos vrit! Mos bëj tradhëti bashkëshortore! Mos vidh! Mos gënje! Mos lakmo!
Këto ligje janë të shkruara në subkoshiencën e çdo qënie njerëzore, pavarsisht kulturës ose dijes që ai ka, sipas parimit natyral: “Mos i bëj tjetrit atë që s’duan të ta bëjnë ty.”
Ajo që na dallon ne njerëzit nga kafshët është liria e zgjedhjes dhe kjo është për njeriun sa madhështore, që tregon se jemi krijuar sipas ikonës së Perëndisë, aq edhe tragjike, sa që njeriu duke u rrotulluar rreth vetes së tij bëhet një qënie egocentrike sa mohon Zotin dhe ligjin, duke e bërë vetveten zot dhe duke formuluar ligjësi të tjera që historia dhe jeta i kanë vërtetuar si perversione. Ta mohojë ose ta besojë Zotin është një problem për zgjidhje për çdo njeri, nga i pari deri tek i fundit në këtë botë.
Apostull Pavli, i cili iu ka predikuar në shekullin e parë pas Krishtit paraardhësve tanë siç thuhet në Bibël: “Nga Jeruzalemi deri në Ilirikum kam kryer shërbesën e Krishtit” – iu thotë romakëve që e kishin huazuar kulturën greke:
“Ajo që mund të dihet për Perëndinë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre, sepse cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme, duke qënë e dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës shihet qartë me qëllim që ata të mos kenë se ç’të thonë, sepse megjithëse njohën Perëndinë nuk e përlëvduan, as e falenderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua, duke deklaruar veten të urtë u bënë të marrë. Prandja dhe Perëndia i dorëzoi në pasionet e papastërtisë, në epshet e zemrave të tyre për të çnderuar trupat e tyre në mes vetes së tyre, që e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan krijesën në vënd të Krijuesit, që është i bekuar në jetë të jetëve. Amin. (Romakëve: 1:19-25)
Por ndoshta po të ishim përballë do të më thoje:
Mjaft me predikime, me citime nga Bibla, pavarsisht se Bibla është libri më i përkthyer dhe më i lexuar nga të gjithë njerëzit e globit. Por si shkrimtar që je më lejo të citojë pak nga Dostojevski, nga libri i famshëm “Vëllezërit Karamazov”, që besoj se edhe ju si intelektual dhe shkrimtar e keni lexuar, por përsëritja është mëma e dijes.
Tek romani i dytë, kapitulli nëntë thuhet:
“…unë mendoj se s’ka nevojë të shëmbet tjetër veç idesë që ka njerëzimi për Zotin. Ja nga duhet nisur. Këndej duhet nisur o qorra, që nuk kuptoni fare. Kur njerëzimi të ketë hequr dorë nga Zoti, jam i sigurtë se kjo paralelisht me periudhat gjeologjike, atëhere krejt vetiu pa kurrëfarë kanibalizmi, do të shëmbet kuptimi i vjetër, morali i mëparshëm dhe gjithçka do të nisë nga e para…. Në këtë kuptim atyre gjithçka u lejohet…. Por Zot nuk ka dhe s’mund të ketë ligje. Atje ku ndalet Zoti, aty është vendi i Zotit. Atje ku ndalem unë do të jetë vendi i mëparshëm. Gjithçka lejohet”
Pra, të besosh apo të mos besosh është një problem i përdorimit të vetë lirisë së njeriut dhe jo i Perëndisë, i Cili është i pakorruptueshëm, as edhe i zëdhënësve të Tij pavarsisht gjuhës që ata përdorin: në greqisht, latinisht, arabisht ose edhe shqip. Problemi nuk është në shqisat e jashtme, në sy ose veshë, por në zemrën e njeriut, ashtu siç thotë edhe vetë Krishti:
“Sepse që përbrënda nga zemra e njeriut dalin mendimet e liga, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, cmira, blasfemia, kryelartësia, marrëzia. Të gjitha këto të liga dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun.” (Mateu 7:21-23)
Edhe akuza që ju bëni për kryepeshkop Anastasin se ai nuk meshon shqip, nuk është e vërtetë. Ai të gjitha lutjet liturgjike për gjatë gjithë meshës për qeverinë, ushtrinë dhe gjithë popullin i thotë në shqip, pavarsisht moshës dhe pamundësisë për ta mësuar dhe thënë në mënyrë perfekte fjalët në shqip. Dhe argumenti juaj se, ju nuk besoni se ka Zot, sepse Anastasi nuk flet shqip, është një problem me moralin tuaj, sepse në këtë rast nuk po thoni të vërtetën dhe jeni duke iu kundërvënë Zotit që thotë: “Mos gënje!”
Përse pseudoprifti Nikolla Marku na kujton Barabën ? Dt 05/11/2015 Botuar dhe publikuar në Gazetën Tirana Observer
Lajmet e këtyre ditëve në disa gazeta dhe televizione me reputacion në lidhje me informimin e saktë, po më kujtojnë një ngjarje nga gjykimi i Krishtit që e bëri Pilati para popullit jude.
Në Ungjill na thuhet: “Pilati iu tha judenjve: “kë doni t’ju liroj Barabën (një kusar) apo Jisuin që quhet Krisht, sepse ai e dinte që ata e kishin dorëzuar nga smira”?(Mat. 27:17)
Mos më keqkuptoni të dashur bashkëkombës shqiptarë, nuk do bëj predikim, por e njëjta ngjarje biblike që ka bërë jehonë ndër shekuj, po përsëritet përpara nesh. Media e shkruar dhe vizive këto ditë na vendosi përballë, dashur pa dashur,dy personazhe në gjykim, nga një krah Kryepiskopin Anastas, që këtu bëhet i ngjashëm me Krishtin dhe nga krahu tjetër Nikolla Markun si i ngjashëm me Barabën dhe kjo skenë gjyqi zhvillohet përpara gjykatës së shtetit që personifikohet me Pilatin.
Ju do të më pyesni mos e teprove, ç’lidhje ka Krishti me Anastasin, Baraba me Nikolla Markun dhe Pilati me shtetin? Më lejoni që me pak fjalë të sqaroj përngjasimet dhe secili le të bëjë gjykimin e tij përpara Perëndisë që gjykon me drejtësi.
Vetë Krishti nga natyra e tij njerëzore ishte jude dhe kryepiskop Anastasi ka origjinë greke. Krishti dhe Kryepiskopi pavarësisht origjinës kanë të përbashkët se ai që bëhet i krishterë bëhet si Krishti, një njeri i ri pa komplekse dhe ndarje racore, gjuhësore dhe etnike, larg konflikteve dhe luftërave të përgjakshme të nxitura shpesh nga nacionalizmi primitiv.
Ashtu si Krishti deshi dhe i shërbeu të gjithë njerëzve, jo vetëm popullit jude por edhe atij romak e grek pa dallim, edhe Kryepiskopi Anastas u mësua si një nxënës i Krishtit t’i dojë të gjithë njerëzit dhe t’ju shërbejë pa kursim me dhuratat e shumta që i fali Perëndia dhe mbi të gjitha dashurinë pa hipokrizi për të gjithë njerëzit përmes shërbesës së tij kryepriftërore, ndaj grekëve, gjermanëve, afrikanëve dhe në këto vite shqiptarëve.
Ashtu si Krishti fjalët i bënte vepër dhe Kryepiskopi Anastas në emër të Krishtit dhe fjalës së Tij: “Duajeni të afërmin si veten tuaj” ka bërë shumë vepra bamirësie në shumë vende të botës, por sidomos në Shqipëri gjatë këtyre 24 viteve.
Tërë vepra ndërtuese arrin në 450 objekte, jo vetëm kisha dhe manastire, por edhe shkolla, kopshte, klinika, ndihmë sociale për njerëzit në nevojë ose gjatë krizave si ajo që iu afrua 33.000 refugjatëve kosovarë në vitin 1999 ose të dëmtuarve nga përmbytjet, tragjedisë së Gërdecit etj. Gjithashtu, punësimin e afro 800 punonjësve, pa llogaritur kontributin për kulturën dhe veçanërisht në restaurimin e monumenteve të kulturës si kisha, manastire që kapin një vlerë prej më shumë se 11 milionë euro.
Kontributi i tij në ngritjen e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar Kishën tonë në organizma të tillë si Këshilli Botëror i Kishave ku ka qenë president i saj, zëvendës president i Konferencës Evropiane të Kishave dhe sot është president nderi i Konferencës Botërore “Fetë për Paqen” me qendër në Nju Jork si dhe është nderuar me çmime dhe tituj për kontributin e tij të shquar për paqen, dialogun dhe mirëkuptimin ndërfetar dhe zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi. Këto janë në mënyrë të përmbledhur cilësitë dhe kontributet e pashoqe të Kryepiskopit kanonik të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili i ka vënë pa rezerva në shërbim të Kishës sonë dhe vendit tonë.
Ashtu si Krishti që është Kryeprift i madh dhe lutet te Perëndia Atë për të gjithë njerëzimin, duke ofruar një herë e mirë gjakun e Tij si fli pajtuese për paqen e botës, po ashtu edhe imzot Anastasi është kryeprift i Kishës së Krishtit, i cili kryen shërbesën kryepriftërore sipas kanoneve të Kishës Orthodhokse i njohur dhe i pranuar nga të gjithë patriarkët dhe kryepiskopët e Kishave simotra në botë dhe i lutet Perëndisë në emër të Krishtit, jo vetëm për mirëqëndrimin e Kishës dhe popullit të Perëndisë, por edhe për “Republikën e Shqipërisë, qeverinë, ushtrinë dhe gjithë popullin shqiptar” (Liturgjia Hyjnore).
Dhe ashtu si Krishti u keqkuptua, u akuzua, madje u mallkua nga vetë judenjtë se nuk pranoi të ishte një nacionalist i verbër, po ashtu edhe Kryepiskopi Anastas është keqkuptuar, madje është gjykuar padrejtësisht, duke iu mohuar e gjithë vepra e tij rindërtuese dhe bamirëse nga pseudopatriotët, vetëm e vetëm se nuk ka nënshtetësi shqiptare dhe kjo për turp të shtetarëve shqiptarë, të cilët edhe sot e kësaj dite refuzojnë t’ia japin, pavarësisht se ai është i pari që e meriton siç e morën edhe të tjerë njerëz të huaj me kontributin e tyre modest në Shqipëri, si artistë, futbollistë, fetarë, tregtarë, etj. Por pavarësisht se dejure nënshtetësinë nuk ja kanë dhënë shtetarët, defakto ia ka dhënë populli orthodhoks në mbarë Shqipërinë që realisht janë mbi 22-25% e popullsisë, por dhe shqiptarët mendjehapur dhe mirënjohës, duke parë tek Fortlumturia e tij Kryepeshkop Anastasi si “shqiptarin” që ka bërë më shumë për shqiptarët nga viti ’91 deri më sot.
Kryepiskopi Anastas ky personalitet botëror i nderuar me shume dekorata dhe çmime nga Kisha të shumta orthodhokse, nga vende të ndryshme të botës së qytetëruar (25 çmime) ndërmjet të cilave veçojme: “Kryqi i madh i urdhrit të nderit i Republikës së Greqisë”, çmimi “Athenagora’s Human Rights Award, Nju Jork 2001”, “Për kontributin e shquar për paqen, dialogun dhe mirëkuptimin” (Moskë 2006), “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Republika e Shqipërisë 2010). Ai është ikona e Krishtit, imazhi i Tij, siç janë të gjithë episkopët në Kishë, kështu që si jemi sjellë me atë, jemi sjellë me vetë Krishtin dhe si jemi sjellë me Krishtin, jemi sjellë me Perëndinë.
* * *
Por le të sqarojmë dhe ngjashmërinë e Barabës (kusarit) me Nikolla Markun, këtë pseudoprift, i cili gënjen ditën për diell dhe mashtron shqiptarët me nacionalizmin donkishotesk sipas parimit djallëzor: “shpif, shpif, sepse diçka do të mbetet”. Nikolla Marku është një njeri me vese për të cilat u bë i njohur si i tillë që në kohën kur studionte në Seminarin Hieratik në Durrës, të cilin e hapi Kryepiskopi Anastas me shumë mundime dhe për këtë arsye ai nuk u dorëzua klerik sipas kanoneve të Kishës Orthodhokse, ndryshe nga çka ndodhur me 150 klerikët e tjerë që sot shërbejnë në të gjithë territorin e vendit. Ai është sipas shprehjes ungjillore: “ujk me lëkurë deleje” sepse vërtet mban një veladon prifti dhe një kryq, por priftëria e tij nuk njihet si nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ashtu edhe nga asnjë nga Kishat e tjera në botë. Dorëzimi i tij nga Peshkopi i Bitolës në Maqedoni është i pavlefshëm, pasi Kisha e Maqedonisë është skizmatike dhe e ndarë nga Kishat e tjera Orthodhokse. Përveçse ai gënjen për priftërinë e tij dhe të gjitha “shërbesat” fetare që kryen janë të pavlefshme, ai gënjen dhe shpif në mënyrë të paskrupullt kundër Kryepiskopit Anastas me gjoja 12 akuzat e depozituara së fundmi në prokurori.
Ai gënjen kur e akuzon Kryepiskop Anastasin se ka bërë ndryshime pa bazë ligjore dhe teologjike në Statutin e Kishës Orthodhokse. Statuti i vitit 1929 që i referohet Nikolla Marku, është i shfuqizuar dhe i papërshtatshëm për kushtet aktuale të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ai mohon statutin e ri, i cili u aprovua në Asamblenë kleriko-laike ku morën pjesë 257 persona dhe u miratua nga Sinodi i Shenjtë, me datë 6 janar 2006, i cili njihet zyrtarisht nga Shteti Shqiptar me datë 24 tetor 2008. Në këtë mënyrë Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë funksionon konform legjislacionit kishtar sipas kanoneve te shenjta dhe atij laik të shtetit.
Ai thotë se shkelja e statutit është në favor të shovinizmit dhe të propagandës greke. Pa e kuptuar ai bën fajtor dhe shovinist Këshillin e Ministrave, Parlamentin si edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë si dhe gjykatat që kanë njohur statutin e Kishës Orthodhokse me të cilën është nënshkruar dhe marrëveshja siç përcakton Kushtetuta dhe është tashmë ligj i shtetit.
Ai thotë që Liturgjia bëhet në gjuhën greke, duke gënjyer e mashtruar me vetëdije. Të gjithë besimtarët orthodhoksë që marrin pjesë çdo të dielë në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë ku meshon Kryepiskopi Anastas qeshin me këto akuza, pasi që nga fillimi i ardhjes së tij në Shqipëri ai i kryen shërbesat fetare në shqip, këtë mund ta verifikojë çdokush që ka dëshirë ose dhe nëpërmjet radios së Kishës që transmeton direkt shërbesat. Të vetmen gjë që Kryepiskopi bën në gjuhën greke ose angleze me përkthim është predikimi, në pamundësi të zotërimit të plotë të gjuhës shqipe.
Ai gënjen kur thotë se kishat janë ndërtuar dhe restauruar në stilin grek. Nuk ka stil grek në ndërtimin e kishave, aq më tepër në restaurimin e tyre, por një stil bizantin i cili respektohet në të gjitha kishat orthodhokse në botë.
Ai gënjen për akuzën e transparencës për origjinën e financimit të institucionit kishtar. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është person juridik ku të gjitha veprimet e saj ekonomike kryen në përputhje me legjislacionin e shtetit shqiptar dhe është i kontrollueshëm në çdo kohë.
Ai gënjen deri në marrëzi kur thotë se Kryepiskopi Anastas kërcënon sovranitetin territorial sepse ndërton kisha në qendër të Shqipërisë, që sipas tij bëhen territore greke. Vaj me det për ata që i besojnë gënjeshtrave të këtij mashtruesi paranojak që edhe kur mbi katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë krahas flamurit të Kishës valëvitet flamuri ynë kombëtar ai thotë “mos i besoni, nuk është shqiptar, është grek, ju hipnotizon Anastasi”.
Por ajo që e bën më të ngjashëm Nikolla Markun me Barabën është grabitja. Ai ka grabitur me dhunë nën kërcënimin e armëve në vitin 1995, ditën e dielë ndërkohë që kryhej Liturgjia Hyjnore, kishën e “Shën Marisë së Kalasë” në Elbasan dhe pronat e saj e cila është monument kulture, duke i përdorur në interes të familjes së tij.
Nikolla Marku kërkon simpatinë e shqiptarëve, duke mbuluar mëkatet e tij me petkun e gënjeshtërt priftëror dhe me Flamurin e nderuar të Kombit, duke kërkuar nga shqiptarët në emër të nacionalizmit pa moral,ta pranojnë atë si hero, shpëtimin dhe krenaria e kombit pavarësisht se është i ngjashëm me Barabën dhe t’i vënë prangat Kryepiskopit Anastas si armik dhe ta flakin tutje pavarësisht se ai është si Krishti dhe ka bërë vetëm mirë.
Nikolla Marku kërkon të justifikohet përpara ligjit të shtetit se gënjeshtrat, shpifjet dhe grabitjet i bëra për Shqipërinë dhe shqiptarët ashtu si Baraba justifikonte krimet e veta para judenjve se i bëri për popullin, sipas parimit justifikues të çdo paudhësie se qëllimi justifikon mjetin.
Po këtë e kërkojnë edhe ata që fshihen prapa Nikolla Markut dhe e përdorin atë si një kukull me kurdisje duke e nxjerrë në mënyrë periodike në skenat mediatike për të përsëritur të njëjtat gjëra në emër të nacionalizmit amoral që është streha e horrave duke i bërë presion dhe shtetarëve se në qoftë se nuk e mbrojnë Nikolla Markun nuk janë besnikë të shtetit shqiptar ashtu si dhe Kajafa dhe Ana i bëri presion Pilatit që:“në qoftë se nuk liron Barabën dhe nuk kryqëzon Krishtin ti je armik i Çezarit.” (shtetit)
* * *
Pilati, guvernatori i Romës që përfaqësonte ligjin, e dinte se Krishti ishte i pafajshëm dhe e akuzonin nga smira judenjtë, për t’i bërë qejfin turmës dhe për të përfituar simpatinë e saj e dha Krishtin në Kryq dhe Barabën e liroi. Po kështu edhe shtetarët tanë e dinë se Kryepiskopi është i panjollë dhe se Nikolla Marku gënjen bashkë me të tjerët që e frymëzojnë atë dhe e akuzojnë nga smira, por për interesat e tyre, që të fitojnë simpatinë e popullit në emër të nacionalizmit, nuk bëjnë gjyq të drejtë. Shtetarët tanë e kanë ligjin, marrëveshjen me Kishën Orthodhokse që është dhe ligj shteti nr 10 057, datë 22.01.2009. Neni 5.1 thotë: “shteti respekton Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar nga Sinodi i Shenjtë i kësaj Kishe dhe garanton mbrojtjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo person dhe grup që pretendon emrin, objektin e kultit, pronat, simbolet dhe vulën e saj”.
Shteti nuk po zbaton ligjin njësoj si Pilati që dha urdhër ta rrahin Krishtin për t’i bërë qejfin turmës. Shteti sot nuk e mbron Kishën sipas ligjit, por po e përndjek padrejtësisht duke lënë njerëz si Nikolla Marku të shpifin, të vjedhin pronën e saj. Shteti akoma më keq është duke shkatërruar tempujt si kisha e shën Marisë së Pazarit në Përmet dhe kishën e shën Athanasit në Dhërmi kohët e fundit, kjo është e ngjashme me kamxhikimin që iu bë Krishtit nga ushtarët romakë.
Organet shtetërore, dje dhe sot, nuk zbatojnë vendimet gjyqësore, domethënë Zyra e Përmbarimit, e cila ka një urdhër ekzekutiv për të liruar ambientet e kishës së Shën Marisë, duke ndërhyrë në zbatim të vendimin të gjykatës që t’i kthehet pronarit të ligjshëm dhe të vërë përpara përgjegjësisë ligjore shkelësit e ligjit.
Prokurori i Përgjithshëm do bënte mirë që Nikolla Markun ta dorëzojë për ndjekje penale për akuza të pabaza dhe shpifje ndaj Kryepiskopit Anastas,si dhe të uzurpimit në mënyrë të paligjshme të një objekti kulti që është njëkohësisht monument kulture.
Pilati i lau duart para judenjve duke thënë: “Unë jam i pafaj në gjakun e këtij të drejti. Shikojeni ju” dhe gjithë populli duke iu përgjigjur tha: “Qoftë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë”.
Edhe shtetarët tanë lajnë duart e tyre si Pilati, duke bërë të paditurin dhe duke mos zbatuar ligjin, por me indiferencën e tyre lejojnë që të vazhdojë padrejtësia dhe manipulimi i mëtejshëm i turmës.
Por historia e Krishtit nuk mbaron me gjykimin e Tij të padrejtë nga shtetarët Pilati dhe Herodi që deri në atë kohë ishin armiq dhe u bënë miq kundër Krishtit duke lejuar kryqëzimin e Tij nga turma mosmirënjohëse, fanatike dhe nacionaliste, të manipuluar nga priftërinjtë e korruptuar si Kajafa dhe Ana. Krishti u Ngjall dhe triumfoi mbi armiqtë e tij dhe Perëndia i dha një emër që është përmbi çdo emër. Pilati dhe Herodi e humbën pushtetin. Kaifa dhe Ana patën vdekje të frikshme dhe judenjtë u dënuan për mëkatin e tyre.
Zoti na ruajtë nga një gjykim i padrejtë…
Si Kishë dhe besimtarë orthodhoksë ndjehemi si Krishti në Kryq dhe duke marrë fuqi nga Perëndia lutemi bashkë me Kryepiskopin Anastas “fali o Zot se nuk dinë çfarë bëjnë”
Njeriu që ka punuar dhe ka bërë më shumë për shqiptarët nga viti 1991 deri më sot ! Dt 03/04/2015 Gazeta Tema ; Shkrim nga Miron Çako - Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit KOASH
Të dashur bashkëkombas me gjak dhe nënshtetësi shqiptare, besimtarë ose ateistë që jetoni në këtë vend ose jeni nëpër botë, ne që të gjithë së bashku përbëjmë dhe formëzojmë atë që quhet komb shqiptar.
Më lejoni me anë të këtij shkrimi t’ju tregoj me fakte që ju vetë do t’i gjykoni për njeriun që ka bërë më shumë për shqiptarët nga viti 1991 deri më sot. Besoj se doni ta njihni dhe ta falenderoni siç e kërkon edhe tradita mikpritëse shqiptare (shtëpia është e Zotit dhe e mikut).
Mos u lodhni ta kërkoni në arkivat e medias ose në ndonjë muze ose në protokolle qeveritare, është midis nesh, bashkëjeton me ne prej shumë vitesh dhe bashkëpërpiqet me mish e me shpirt duke ofruar çdo gjë që ka për të mirën e këtij populli edhe kombi. Ky njeriu i dashur bashkëudhëtar është Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e tij, Anastasi. Mos më paragjykoni, nuk jam agjent i grekëve, as i shitur për shkak të varfërisë tek Anastasi siç mund të shprehet dikush me penën e tij të shpejtë, por jam shpiptar si ju dhe jo tradhtar dhe ju betohem përpara Zotit se nuk po ju gënjej, por po ju them të vërtetën.
Përpara se t’ju përmend faktet më lejoni t’ju them një proverb ose më mirë dy: Një nga ungjilli që u përkthye në shqip nga greqishtja e vjetër prej Kostandin Kristoforidhit më 1879 ku thuhet: “Nga pemët e tyre do t’i njihni ata. Kështu çdo dru i mirë bën pemë të mira, por druri i dobët bën pemë të liga” (Mat. 7:16) dhe tjetra nga urtësia shekullore e popullit që thotë: “shikoji punën dhe jo gunën”. Prandaj le të shikojmë dhe frutat e këtij njeriu dhe në fund ju vetë gjykoni me gjykim të drejtë dhe të përgjegjshëm se me atë masë që matim me atë dhe do të na matin edhe ne të tjerët.
Kryepiskopi Anastas Janullatos lindi në Pire më 04.11.1929 nga prindër me origjinë greke, disa thonë se na e ëma ka origjinë shqiptare nga fisi i njohur Malltezi por besoj se kjo nuk ka rëndësi se thamë që do ta gjykojmë nga punët dhe jo nga gjaku. Përfundoi shkëlqyeshëm studimet universitare dhe është Doktor i Fakultetit të Universitetit të Athinës. Ka studiuar Fetarologji, Teologji Ekumenike dhe Etnologji në Universitetin e Hamburgut dhe të Marburgut në Gjermani me bursë pasuniversitare të Fondacionit Alexander von Humbold. Ka studiuar Islamin, Budizmin, Taoizmin, Konfucizmin dhe besime fetare afrikane në vendet ku ato ekzistojnë në Indi, Tajlandë, Sirilanka, Kore, Japoni, Kinë, Kenia, Uganda, Tanzani, Nigeri, Meksikë, Karaibe.
Profesor Doktor Anastasi ka qenë Profesor i Historisë së Feve i Universitetit Kombëtar Kapadostrian të Athinës nga viti 1972-1997, Dekan i Fakultetit të Teologjisë 1982-1996 dhe Anëtar Korespondent i Akademisë së Athinës 1993-2005. Që nga 1991 dhe deri më sot është Profesor Emeritus i Universitetit të Athinës dhe Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës nga 2006.
Gjithashtu ai është shpallur Doktor Nderi i Teologjisë apo Doktor Nderi i Filozofisë i 17 Universiteteve, Fakulteteve ose Degëve Universitare (Greqi, SHBA, Rumani, Qipro, Gjeorgji, Shqipëri, Itali. Flet anglisht, gjermanisht, frëngjisht, lexon latinisht, italisht, spanjisht dhe shqip.
Është autor i dhjetëra monografive shkencore dhe mbi 240 studimeve dhe artikujve me përmbajtje teologjike ose fetarologjike, studime dhe artikuj që janë përkthyer në 12 gjuhë të huaja. Ka mbajtur ligjërata në forume ndërkombëtare, lidhur me dëshminë e sotme të krishterë, dialogun ndërfetar, solidaritetin dhe paqen botërore.
Unë personalisht deri më sot nuk njoh një tjetër njeri që të ketë kaq shumë merita dhe nderime dhe ndjehem i privilegjuar që kam mundësi ta njoh nga afër dhe të punoj në krah të tij.
Ky njeri i shumëditur iu përkushtua Zotit dhe u hirotonis dhjak në vitin 1960 dhe prift në vitin 1964 dhe episkop i Andrusës në vitin 1972, për postin e Drejtorit të Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë 1971-1972.
Çeli rrugën për ringjalljen e dëshmisë orthodhokse në botë në ditët e sotme. Ka punuar për një dhjetëvjeçar (1964, 1981, 1990) për ngritjen e kishave të reja lokale në Afrikë, si mbikqyrës i Mitropolisë së Irinupolit Kenia, Tanzani, Ugandë. Për periudhën 1981-1990 ka zhvilluar një veprimtari në gjerë hierapostolike dhe sociale. Për këtë u nderua me dekoratën Bamirësi i madh i Patriarkanës së Aleksandrisë 2009.
Ky njeri me një karrierë të tillë që rrallë njerëz e kanë në botë erdhi në Shqipëri në 1991, në Shqipërinë tonë të shumëvuajtur dhe të izoluar prej regjimit ateist për gati gjysmë shekulli nga bota e qytetëruar. Kuptohet nuk erdhi vetë, e dërguan, e dërgoi Patriarkana Ekumenike. sepse vera demokratike e vitit 1991 si për shumë gjëra imediate solli dhe nevojnë për ringritjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
1. Nismën për ringritjen e Kishës e mori përsipër duke qenë detyrë e saj, Patriarkana Ekumenike e cila i ka dhënë Autoqefalinë Kishës sonë me Tomosin Patriakal në 1937 dhe që ka përgjegjësi të mbështesë Kishat orthodhokse në nevojë.
2. Në janar të vitit 1991 Patriarku Ekumenik Dhimitri dhe Sinodi i Shenjtë zgjodhën si ekzark patriarkal episkopin e Andrusës, Anastasin që në atë kohë ishte me shërbim hierapostolik në Afrikën Lindore.
Pasi mori uratën e atij populli të Afrikës, me lëkurë të zezë por me zemër të bardhë erdhi në Shqipëri në 17 korrik 1991 dhe u prit si një engjëll i dërguar nga Perëndia nga një grup i vogël besimtarësh.
Duke udhëtuar në mbarë Shqipërinë konstatoi shkatërrimin e frikshëm dhe shpërbërjen e plotë të Kishës Orthodhokse. Pothuajse nga tri episkopatat, 19 zëvendësitë hieratike, 330 enoritë dhe 25 manastiret që kishte Kisha në administrim para 1967 nuk kishte mbetur asgjë, pasuritë kishtare ishin të konfiskuara, kishat të transformuara në depo, stalla, reparte ushtarake dhe shtëpi kulture nga të gjithë klerikët kishin mbetur vetëm 12 priftërinj, tre dhjakonë, asnjë episkop dhe madje shumica ishin të sëmurë dhe në moshë të thyer.
Orthodhoksët e Shqipërisë që para fillimit të persekutimit të fesë përbënin 21% të popullsisë sipas statistikave të autoriteteve italiane 1938, dhe që ishin me origjinë etnike të ndryshme, shqiptarë, grekë, sllavë, vlleh, kërkuan që ekzarku patriarkal të qëndronte ne Shqipëri dhe të merrte përsipër veprën e ringritjes së Kishës që vazhdonte te mbetej pezull sepse ishte e pamundur që ajo të ringrihej nga ana e saj e brendshme, sepse nuk u gjend asnjë person klerik ose laik i arsimuar me arsimin e përshtatshëm dhe i pamartuar me nënshtetësi shqiptare për të marrë barrën e ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ky fron siç thotë edhe vetë Kryepiskopi “nuk kishte asnjë fron kryepiskopal për t’u ngjitur por ishte vetëm një stol i thyer, plot gozhdë që e kishte lënë persekutimi ateist. Për herë të parë pas persekutimit një përfaqësi e Kishës së Shqipërisë e caktuar prej Këshillit të përgjithshëm Kishtar vizitoi Patriarkanën Ekumenike në (5-8.6.1992) dhe kërkoi zgjedhjen e Ekzarkut Patriarkal si primat i kësaj Kishe.
Më 24/06/1992 me propozim të Patriarkut Ekumenik Vartholomeu i I u zgjodh me vota unanime Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë deri atëherë ekzarkt Patriarkal Anastas Janullatosi.
Zgjedhja e Kryepiskopit më 24 qershor 1992 ishte sipas rregullave të orthodhksisë një fakt i kryer kishtar. Ky akt u bë i ditur me letra zyrtare patriarkale të gjithë Kishave Orthodhokse në botë për të përfshirë në Diptikët e tyre pas 40 vjetësh mungese ermin e Kishës së Shqipërsë dhe emrin e primatit të saj, i cili po merrte përsipër ringritjen e saj nga gërmardhat.
Në shtatë vitet e para nga korriku i vitit 1991 si ekzark patriarkal dhe nga qershori i vitit 1992 si primat, Kryepiskopi e mbajti vetë përgjegjësinë për përkujdesjen, për restaurimin dhe administrimin e gjithë Mitropolive të Shqipërisë, dhe deri në vitin 1998 kemi formimin e Sinodit të Kishës prej katër anëtarësh dhe ky Sinod sot është prej 8 anëtarësh, 3 me origjinë greke, një arvanitas, (të vetmit të huaj që shërbejnë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërsa në komunitete të tjera janë me qindra) 4 me oringjinë shqiptare, edhe kryesekretari i Sinodit është shqiptar.
Me inisiativën e Kryepiskop Anastasit më 4 nëntor 2006 u mblodh në Akademinë Teologjike Ngjallja e Krishtit në ambientet e manastirit të hirshëm të Shën Vlashit në Durrës, një Asamble e veçantë kleriko-laike ku morën pjesë gjithë anëtarët e Sinodit të Shenjtë, anëtarët e Këshillit Kleriko-Laik, të gjithë klerikët si edhe përfaqësues laikë të Kryepiskopatës dhe Mitropolive duke pasur një përfaqësi të drejtë midis burrave, grave dhe të rinjve. Kjo Asamble Kleriko-Laike ku morën pjesë 257 veta studioi dhe pranoi njëzëri Statutin e ri të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ky statut u miratua përfundimisht më 6 nëntor 2006.
Statuti i ri i Kishës u ratifikua nga Presidenti i Republikës më 4 shkurt 2009. Ky Statut i ri përmirësoi dhe rregulloi të gjitha gabimet e statutit të vitit 1929 ku Shqipëria ishte monarki dhe i dyti në vitin 1950 ku në vend ishte imponuar pushteti ateist dhe partia shtet që donte të ushtronte kontroll të plotë mbi kishën, të dy këta statute nuk morën parasysh parimet kishtare bazë dhe ishin një ndërhyrje e brendshme në jetën e kishës.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e bashkuar në mënyrë të pandashme me Patriarkanën Ekumenike, me të gjitha Kishat simotra autoqefale (Neni 1). Gjuha zyrtare e Kishës është shqipja, orthodhoksët e gjuhëve të tjera mund të përdorin gjatë adhurimit hyjnor gjuhën e tyre tradicionale adhuruese me kusht që tekstet në përdorim të kenë miratimin e Sinodit të Shenjtë, siç edhe për tekset e shërbesave fetare në shqip.
Këtë nen të Statutit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepiskopi Anastasi përpiqet ta zbatojë me përpikmëri. Ai erdhi këtu 62 vjeç, pa patur njohuri për gjuhën shqipe, por është shumë i kujdesshëm për të lexuar dhe meshuar në shqip. Dashuria e tij për gjuhën shqipe duket nga interesimi i tij për të përkthyer në shqip dhe publikuar me qindra libra që qarkullojnë në librari të Kishës dhe mund të përdoren nga kushdo.
Me inisiativën dhe bekimin e tij, u themelua një gazetë, tre revista periodike në gjuhën shqipe. Po ashtu është ngritur një shtypshkronjë që shtyp shqip dhe prej saj janë botuar 120 libra. Hapi shumë shkolla shqipe të të gjitha niveleve. Ai i ka ofruar bursa mijëra të rinjve për të vazhduar studimet e larta në Fakultete të ndryshme, edhe në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në degën Gjuhë-Letërsi. Edhe ne që jemi afër atij, e shikojmë tani pavarësisht moshës së thyer të ketë një zell për të mësuar dhe përdorur gjuhën shqipe.
Organizimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë është një e mirë e madhe jo vetëm për Kishën dhe të krishterët orthodhoksë por edhe për vendin sepse organizimi i mirë i një komuniteti që në statutin e tij respekton të drejtat e njeriut është një e mirë e komuniteteve të tjera që besojnë në Zotin dhe ndihmon bashkëjetesën aq shumë të nevojshme për një jetë normale sipas kriterit “liria jote mbaron ku cënohet liria e tjetrit” por edhe për kontributin e vlerave shpirtërore, morale dhe materiale që kalojnë kufijtë e komunitetit dhe janë funksionale për të mirën e të gjithë banorëve dhe vendit.
Pra që nga viti 1992 deri më sot u mbushën 23 vjet nga ringritja kanonike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me zgjedhjen e profesor doktor Anastasit Kryepiskop të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë. Në vitet që pasuan Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë që ishte shpërbërë krejtësisht nga persekutimi 23 vjeçar u ringrit tërësisht dhe u zhvillua në të gjitha fushat.
U riorganizuan 460 enori orthodhokse dhe zhvillohet veprimtari liturgjike predikuese e katekiste në qytete e fshatra.
Sot me kujdesin e Kryepiskopit u arsimua dhe u hirotonis një brez i ri klerikësh nënshtetas shqiptarë, në Akademinë Ngjallja e Krishtit Shën Vlash Durrës dhe në shkollat e larta jashtë shtetit dhe sot shërbejnë 150 klerikë të të gjithë gradave me arsim të lartë. Të gjithë janë me origjinë ose nënshtetësi shqiptare dhe shërbejnë si klerikë në të gjithë vendin duke përçuar te populli orthodhoks por jo vetëm, mesazhin ungjillor të Kishës orthodhokse “Duaje Zotin dhe duaje të afërmin si veten tënde”.
Duke u lutur në shërbesa fetare – “Për Republikën e Shqipërisë, qeverinë, ushtrinë dhe gjithë popullin, le t’i lutemi Zotit” – është thirrja e dhjakut gjatë Liturgjisë Hyjnore në Meshën e shën Joan Gojartit por edhe për të vdekurit “që ranë për fe dhe për atdhe” që të paqtohen shpirtrat e tyre por edhe që të kujtohen edhe të nderohen.
U krijuan dhe funksionojnë 50 qendra rinore në qytete e fshatra.
Çdo vit organizohen veprimtari rinore të larmishme si kampingjet verore, konferenenca, veprimtari sportive, aktivitete me të rinj me aftësi të kufizuara, festivale rinore etj. Dhe kjo është një e mirë për vendin se këta të rinj nesër do të kontribuojnë për të ardhmen e vendit. Kryepiskopi Anastas ka një vlerësim të veçantë dhe preokupim për rininë sepse sipas vizionit të tij atëror: Rinia nuk është vetëm e ardhmja por edhe e tashmja.
Vepra ndërtuese
Janë ndërtuar 150 Kisha të reja, të mëdha e të vogla, janë restauruar 60 kisha, manastire, monumente kulture, janë riparuar 160 kisha, janë ngritur dhe blerë dhe rikonstruktuar më shumë se 70 godina për kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, selitë mitropolitane, shtëpi pritje, punishte, mensa për të varfërit, e tërë vepra ndërtuese arrin mbi 450 objekte.
Të gjitha këto nuk janë vetëm funskionale në shërbim të njerëzve për mësim, edukim dhe shenjtërim ose për përkujdesje por janë edhe vlera arkitekturore që e zbukurojnë urbanistikën e vendin tonë që lë shumë për të dëshiruar nga papërgjegjshmëria e atyre shqiptarëve që e përdorën dhe e përdorin Shqipërinë si mall pa zot.
Le të kujtojmë një tjetër vepër madhështore Katedralen e madhe “Ngjallja e Krishtit” e cila u shenjtërua nga Tërëshenjtëria e Tij Patriku Ekumenik Vartholomeu i I dhe pothuajse nga të gjithë primatët e Kishave Orthodhokse në botë. Kjo ngjarje nuk ishte vetëm një kurorëzim i veprës së Kryepiskopit dhe gjithë popullit orthodhoks por ishte një ngjarje për të gjithë shqiptarët dhe për Shqipërinë sepse e gjithë bota tregoi vëmendjen dhe vlerësimin e duhur për këtë vepër madhështore dhe të pazakontë, për këtë kohë krize dhe ky është një eveniment i lavdërueshëm për historinë e Shqipërisë.
Kjo vepër arkitektuore është një vlerë e shtuar për kryeqytetin dhe vendin dhe një kureshtje më shumë për turistët të cilët kur e shohin këtë vepër mrekullohen dhe thonë spontanisht: edhe në Shqipëri po bëhen gjëra të mëdha që ia vlen t’i vizitosh.
Qendra mjekësore diagnostikuese Ungjillëzimi në Tiranë me 23 specialitete ofron shërbime bashkëkohore dhe mjekësore me kontributin e mjekëve të njohur dhe personaliteve të specializuar dhe me aparatura mjekësore të teknologjisë së fundit, në 11 vjet të funksionimit të saj janë realizuar mbi 1.200.000 vizita dhe 3 milion analiza. Kjo qendër diagnostikuese kundrejt një pagese të arsyeshme është në shërbim të të gjithë shqiptarëve.
Qendra të kujdesit shëndetësor funksionojnë edhe në vende të tjera si Korçë, Kavajë, Gjirokastër, Lushnje.
Arsimi
Janë ndërtuar nga themelet katër shkolla me konvikte, funksionon Akademia Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash dhe dy shkolla të mesme kishtare me emrin “Kryqi i nderuar” në Gjirokastër dhe në Sukth të Durrësit. Gjithashtu janë ngritur dhe funksionojnë 19 kopshte në Tiranë, Durrës, Kavajë, Korçë, Lushnjë, Elbasan, Cerrik, Gramsh etj. Në Tiranë funksionon kompleksi arsimor shqiptaro-amerikan me emrin “Protagonistët” po ashtu dhe në Durrës dhe në Gjirokastër shkolla 9 vjeçare “Frymë Dashurie”. Në Korçë funksionon që prej vitit 2013 shkolla e mesme “Platoni”, ne Mesopotam në Sarandë funksionon shkolla e mesme teknike “Apostul Pavli”.
Në mjediset e manastirit të Shën Vlashit funksionon shtëpia e fëmijëve Shpresa. Në tetor të vitit 2012 u hap në qendrën Tabor shkolla e parë e Muzikës Bizantine me konvikt.
Në Tiranë dhe Gjirokastër funksionon Instituti i formimit profesional “Frymë Dashurie”në Tiranë funksionon shkolla e lartë Logos.
Ky kontribut për arsimin dhe edukimin e brezit të ri është investimi më i madh që mund t’i bësh këtij vendi dhe në këto shkolla mund të studiojë kushdo pa dallime fetare.
Janë botuar me dhjetëra libra teologjike, dhe formues, boton gazetën “Ngjallja”, revistën për fëmijë “Gëzohu” revistën rinore “Kambanat” revistën periodike “Kërkim”, të cilat formojnë breza të çdo moshe me vlera morale, të dashurisë pa interes, të sakrificës për të mirën, të respektit të lirisë së tjetrit, të bashkëjetesës për t’u bërë njerëz të moralshëm dhe qytetarë të vërtetë.
Nisma sociale
Gjatë krizave të ndryshme që ka kaluar vendi ynë 1992, 1994, 1997 Kisha Orthodhokse ka zhvilluar një veprimtari të gjërë sociale e humanitare duke siguruar e shpërndarë mijëra ton ushqime, veshmbathje dhe ilaçe.
Me inisiativën dhe kujdesin e vazhueshëm të Kryepsikopit Anastas Kisha Orthodhokse ka mbështetur një numër të madh programesh sociale ku përfshihen projekte zhvilllimi për zonat malore, për zhvillimin e bujqësisë dhe blektorisë, ndërtim rrugësh e ujësjellësash, programe për edukimin shëndetësor të fëmijëve dhe grave. Ngritja e qendrave shëndetësore në fshatra, kontribute për shkolla (Gërdec), jetimore (Zyber Hallulli), spitale, burgje 325(sera, fusha e sportit), ndihma për Institutet dhe personat me aftësi të kufizuara, azile, të burgosurit, dreka për të varfrit (Tiranë, Korçë) etj.
Në vitin 2008 pas tragjedisë në fshatin Gërdec Kisha jonë ka kontribuar në ndihmë të të dëmtuarve. Ndihma monetare janë shpërndarë edhe për familjet e prekura nga përmbytjet në zonat e veriut.
Në vitin 1999 kur në Shqipëri mbërritën mijëra refugjatë nga Kosova Kisha Orthodhokse në bashkëpunim me Kishat e tjera në Europë ndihmoi dhe strehoi 33 mijë refugjatë. Është për t’u kujtuar opinioni që shfaqën shumë kosovarë kur erdhën në Shqipëri duke parë përkrahjen dhe ndihmën e Kishës orthodhokse të Shqipërisë dhe veçanërisht të Kryepiskopit Anastas, që u shprehën, ne i dinim ndryshe të krishterët orthodhoksë. Miqësia mes Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe kosovarëve që u ndihmuan vazhdon edhe sot. Me bekimin e Kryepiskopit çdo vit një grup të rinjsh zhvillon kampe verore me tema sociale në zonën e Malishevës.
Një Zyrë e veçantë e Trashëgimisë Kulturore merret me objektet orthodhokse të kultit që janë dhe monumente të kulturës sonë kombëtare.
Për riparimin e të cilave nën përkujdesjen e Kryepiskopit janë përdorur sot me dhjetëra miliona euro.
Janë ngritur studio për pikturimin dhe restaurimin e ikonave.
Deri sot janë restauruar rreth 600 ikona. U përgatit një brez i ri artistësh që po rigjallërojnë traditën tonë të pasur ikonografike.
Ky është një kontribut i jashtëzakonshëm për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të pallogaritshme të artit ikonografik me autorë shqiptarë si Onufri, Kostandin Shpataraku etj.
Nga viti 1998 transmeton stacioni radiofonik “Ngjallja” me frekuencë 88.5 Mhz në FM. Ajo transemton 24 orë programe shpirtërore, kulturore, sociale, historike, muzikë kishtare, popullore e klasike si edhe shërbesa kishtare.
Personat e punësuar me rrogë në sektorë të ndryshëm të Institucionit të Kishës janë mbi 750 punonjës dhe qindra të tjerë punojnë në vepra ndërtuese. Kjo është një ndihmë e madhe për ekonominë e vendit sepse të gjithë këta ndihmojnë buxhetin e shtetit duke qenë tatimpagues korrekt sipas ligjit edhe për ekonominë e familjeve shqiptare.
Natyrshëm lind një pyetje: Ku i gjen paratë ky njeri, që bën gjithë këto vepra dhe mban me rrogë kaq njerëz?
Dijeni se Kisha Orthodhokse ka qenë gjithmonë e varfër, e vjedhur por më tepër gjatë persekutimit ateist komunist që kulmon me vitin famëkeq 1967 ku dimë që çdo pronë e saj u konfiskua dhe tjetërsua. Edhe pas 24 viteve demokraci shteti ka kthyer pak ose aspak pronat legjitime të Kishës. Prandaj burimet e brendshme të saj janë të pakta dhe të pamjaftueshme. Por si i gjen paratë?
I gjen duke lypur, duke lypur për hir të Zotit dhe dashurisë për të afërmin dhe kur them të afërmin për ne shqiptarët. Kërkon nga miqtë e tij të shumtë që i ka kthyer në miq të Shqipërisë, ose nga organizatat bamirëse, që nuk ngurojnë të japin ato që ai kërkon, sepse e dinë, e kanë provuar se duke qenë një personalitet që rrezaton mirësi, i respektuar dhe i dashur nga mijëra njerëz, nga 12 vende të botës, me paratë e kësaj bote, do të bëjë vepra të mëdha për lavdinë e Zotit për të mirën e këtij populli dhe për shpirtin e atyre që i dhurojnë.
Si shembull mund të përmendim testamentin e avokatit P. K. nga Athina i cili dhuroi tërë pasurinë e tij rreth 3.000.000 Euro që të përdoreshin për veprën shpirtërore dhe filantropike të Kishës së Shqipërisë. Do të ishte e drejtë që përpara Zotit dhe botës vetë ne shqiptarët të kontribuonin për rindërtimin e kishave dhe çdo ndërtese kulti sepse ne i prishëm ato, por meqenëse nuk e bëjmë dot këtë të paktën të jemi mirënjohës dhe t’i themi faleminderit atyre që i dhanë dhe i përdorën paratë e tyre për të mirën tonë. Duhet theksuar se të gjitha këto ndërtesa nuk kanë poshtë tyre rrota për t’u lëvizur që të transportohen në Greqi apo në çdo vend që u ofruan këto donacione. Por janë bërë me themel të fortë, që të mbeten përgjithmonë në këtë vend, të jenë të përdorshme për të mirën tonë, të fëmijëve dhe brezave që do të vijnë.
Është për t’u theksuar dhe i njohur botërisht kontributi i tij në fushën e shkencës në dëshminë e krishterë bashkëkohore, në përafrimin me konfesionet e tjera të krishtera si katolikët, protestantët, në dialogun ndërfetar dhe bashkëekzistencën paqësore midis popujve dhe feve.
Kisha jonë merr pjesë në të gjitha veprimtaritë e Kishave Orthodhokse në mbarë botën. Ajo është anëtare e Koferencës Europiane të Kishave, anëtare e Këshillit Botëror të Kishave. Pjesëmarrja e Kryepiskopit Anastas si primat i Kishës Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në këto evente ndërkombëtare është një e mirë jo vetëm për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë por për të gjithë vendin dhe shqiptarët. Kjo sepse ai përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të shtetasve shqiptarë të besimit orthodhoks që nuk janë 6.9 % sipas INSTAT-it, një tjetër gënjeshtër dhe sulm i radhës kundër të krishterëve orthodhoks. Dhe nderi që i bëhet atij dhe Kishës Orthodhokse të Shqipërisë që ai përfaqëson i kalon kufijtë e personit dhe të Institucionit dhe i prek të gjithë Shqiptarët sepse ai dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në këto organizata ndërkombëtare me shumë influencë luan rolin e ambasadorit i cili lobon që i gjithë vendi të mirëpritet dhe integrohet në familjen e madhe europiane dhe të dëgjohet në të gjithë botën emri i Shqipërisë sonë të vogël që para viteve 90 ishte i panjohur për shumë kombe. Në këto institucione ndërkombëtare e kanë nderuar duke e zgjedhur në postet më të larta, sidomos në mjedise ku asnjë faktor tjetër, nuk do ta kishte të mundur të ishte prezent dhe i suksesshëm. Dhe këtu flasim si për mjediset kishtare por edhe ato laike dhe botërore.
Një kontribut tjetër i madh i Kryepiskopit Anastas është ndikimi i tij si njeri i dashurisë, të vërtetës dhe paqes për uljen e tensioneve midis shteteve, grupeve etnike dhe komuniteteve fetare.
Le të kujtojmë ndërhyrjen e tij plot kurajo si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë te autoritetet greke të cilët kishin urdhëruar “operacionin fshesa” që kishte për qëllim të largonte emigrantët shqiptarë nga Greqia që siç dimë të gjithë me punët dhe paratë e fituara mbanin me bukë shumë familje dhe të afërmit të tyre të papunë. Ai ndërhyri duke thënë të autoritetet e shtetit grek se termi “fshesa” është një term fyes për çdo njeri. Ose vizita e tij baritore te të burgosurit shqiptarë në burgjet greke, ndërhyrja e tij në konfliktit midis serbëve dhe kosovarëve që nga disa njerëz dhe qarqe ekstremiste kërkonin që t’i jepnin karakterin e një lufte fetare me pasoja për të gjithë rajonin. Le të kujtojmë thënien e tij lapidare dhe plot kurajo: “Askush mos guxojë të përdorë vajin e kandilit të Kishës për të ndezur zjarrin e urrejtjes fetare” dhe kontributin e tij personal duke ofruar fonde për ndërtimin e një kishe dhe një xhamie ne Kosovë të rrënuara nga lufta në 2004.
Këto ndërhyrje plot kurajo për të vendosur paqe midis kombeve dhe komuniteteve fetare janë vlerësuar nga gjithë bota qytetare.
Në vitin 2000 me propozimin e 33 akademikëve nga Akademia e Athinës dhe e shumë personaliteteve të Shqipërisë ka qenë kandidat për çmimin Nobel për paqen. Ai është zgjedhur vazhdimisht në pozicione të shquara të organizmave ndërkombëtare, president i Komitetit të Dëshmisë dhe Ungjillëzimit Botëror pranë Këshillit Botëror të Kishave 1989, Zëvendëspresident i Koferencës së Kishave Evropiane 2003-2009.
Nga viti 2009 është President Nderi i Konferencës Botërore “Fetë për Paqen”, ka marrë shumë çmime, dekorata për paqen, si ajo që mori në Moskë në 2006 “Për kontributin e shquar për Paqen, Dialogun dhe Mirëkuptimin”, për këtë kontribut është nderuar edhe nga Republika e Shqipërisë me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, 2010. Por pavarësisht se përpara nesh ndodhet një figurë kaq rrezatuese, e vlerësuar dhe e nderuar edhe nga shtetarët e këtij vendi akoma i mohohet nënshtetësia shqiptare që iu është dhënë shumë njerëzve.
Gjatë këtyre viteve nënshtetësia shqiptare u është dhënë shumë njerëzve të huaj politikanë, biznesmenë, artistë, sportistë, njerëz të thjeshtë por edhe në shtetin fqinj shumë shqipëtarë kanë marrë nënshtetësinë greke dhe kjo është shumë normale në shtete ku funkionon demokracia.
Por mosdhënia e nënshtetësisë shqiptare pa asnjë argument këtij njeriu që ka bërë kaq shumë për shqiptarët më shumë se ata shqiptarë me gjak, por jo me zemër dhe që janë përgjegjës për shumë peripeci, fatkeqësi, gjatë këtij tranzicioni të stërzgjatur është një turp dhe hipokrizi e hapur e vetë shtetit dhe i çdo pushtetari që ka qenë dhe është në krye të shtetit, por edhe një detyrë për zgjidhje nga shtetarët e sotëm.
Të më falni që jam zgjatur dhe ju falenderoj për durimin që lexuat deri këtu por të më besoni kjo është vetëm si një majë e një ajsbergu vlerash dhe punësh që ka bërë ky njeri për të gjithë ku i është kërkuar të flasë dhe të shërbejë si njeri i Perëndisë këto 23 vjet për Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë por edhe për të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë.
Thamë në fillim se pema njihet nga frutat. A ju duket ju o bashkëkombas që këto punë dhe vepra mund t’i bëjë një agjent i grekut, një fundamentalist ashtu siç cilësohet nga disa pseudogazetarë investigues, pseudohistorianë dhe shtetarë të rënë nga vakti ose një pseudoprift që nuk është gjë tjetër veçse një ujk me lëkurë deleje që një gjë di ta bëjë shumë mirë, të vjedhë, edhe pasurinë e Kishës, të shpifë deri në marrëzi siç thuhet: “do të përparojnë duke gënjyer dhe duke u gënjyer”, që s’dua t’jua përmend emrin, jo se kam frikë të përballem me ta, por se dua t’i kursej këtë radhë se shumë të këqija i kanë bërë emrit të tyre duke gënjyer dhe shpifur me gënjeshtrat e tyre naive dhe obsesive?
A mund t’i thuash këtij njeriu ik nga Shqipëria se je grek? Bërë ç’bëre punë për ty! A mund ta fyesh këtë personalitet shkencor që bota akademike, organizata ndërkombëtare me ndikim në të gjithë globin e nderojnë dhe e venë në krye të vendit, i kërkojnë mendim dhe e bëjnë fjalën e tij? A mund ta bësh karikaturë këtë njeri të Zotit në faqet e para të gazetave? A mund t’i urosh këtij njeriu vdekjen dhe të dëshpërohesh dhe të turfullosh që pse nuk po e merr? A është shqiptare kjo gjë? A është ky vërtet opinioni i ne të gjithëve apo vetëm i disave që i ngjajnë fantazmave të së shkuarës, që duan të na rifusin në atë ferrin e ideologjisë ateiste-komuniste, të atij sistemi çnjerëzor antivlerë, ku sundonte gënjeshtra, shpifja, xhelozia, mosmirënjohja, dhuna primitive, urrejtja pathologjike për tjetrin, që nuk është sipas llojit dhe gjakut tënd, krimi i pashëmbullt dhe mbi të gjitha egoizmi euforik “zot jam unë dhe bëj çfarë të dua”.
Këta njerëz që nuk kanë aspak lidhje me Kishën Orthodhokse as nga emri apo tradita, ose janë të krishterë me emër dhe jo me zemër, e përligjin sulmin e tyre në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për mua që jam shqiptar me gjak dhe kombësi këta ose janë me mendje të sëmurë nga nacionalizmi donkishotesk që mbrapa çdo mulliri që bluan grur shikojnë një armik ose njerëz pa karakter që për para shesin gjithçka, ose fatkeq që kanë gëlltitur një lugë çorbë të prishur diku dhe janë të detyruar të vjellin gjithë jetën, ose më e keqja janë rekrutë fondametalistë, armiq të kishës dhe të të krishterëve, por edhe të të gjithë shqiptarëve. Kështu ata përbëjnë një rrezik potencial për të prishur me qëllim paqen dhe harmoninë fetare kaq e bukur dhe shumë e brishtë dhe në qoftë se ajo prishet ka pasoja të frikshme për vendin siç e shohim me hidhërim në vende të tjera ku nuk u bë kujdes.
Të kemi kujdes dhe të jemi syçelë se historia e harruar ka rrezik të përsëritet. Unë distancohem nga të tillë shqiptarë që mikut i thotë armik dhe ik, duke fyer dhe traditën shekullore shqiptare që thotë: “Shtëpia është e mikut dhe e Zotit”. Unë besoj dhe pohoj se Perëndia që i do shqiptarët dhe Shqipërinë e shumëvuajtur, e dergoi njeriun e tij, ikonën e tij për të mirën e kishës, popullit orthodhoks por dhe të të gjthë vendit tonë sepse lutja e të drejtit shpëton qytetin. (Unë besoj dhe pohoj se Fortlumturia e tij Kryepiskopi Anastas është një vlerë kombëtare sepse është në thelb një vlerë ndërkombëtare që ne duhet ta nderojmë dhe vlerësojmë dhe t’i jemi mirënjohës.
Unë i sfidoj të gjithë ata që gjoja në emër të kombit dhe shqiptarisë janë kundër Kryepeshkopit Anastas. Le t’i përgënjeshtrojnë këto që shkrova me fakte dhe që të gjithë ju dhe vetë ata mund t’i shohin, t’i prekin, t’i hetojnë dhe po të duan t’i kundërshtojnë me kundërfakte të vërteta dhe jo të gënjeshtërta. Në të kundërt, të heshtin, se boll të keqe të madhe po i bëjnë në rradhë të parë vetes së tyre, siç thuhet: “ Të madhe e bëri gropën, por ra vetë brenda”, por mbi të gjitha shqiptarëve të lodhur e të zhgënjyer që duan prej kaq vitesh tranzicion të stërzgjatur të integrohen në qytetërimin europian dhe global, ku njëri vlerësohet dhe nderohet jo thjesht nga guna, por nga puna.
Shënim: Disa pjesë dhe të dhëna të këtij shkrimi për të qenë sa më korrekt për historikun dhe faktet e parashturara janë marrë nga libri “ Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë 1991-2012” me autor + Anastasin, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, të cilin mund ta gjeni në çdo librari të kishave orthodhokse në vendin tonë.
Në emër të kujt bëjnë terror xhihadistët ?
Dt 04/12/2015 : Publikuar dhe botuar në Gazetën Shqiptare & Tirana Observer
Shkrim i përgatitur nga përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit KOASH
Z.Miron Çako
E nëqoftëse e gjitha kjo mënxyrë kundër njerëzimit
që ata thonë se bëjnë në emër të Isalmit është e vërtetë, atëhere mendimi i parë që i vjen
çdo qënie njerëzore normale që e do
jetën dhe lirinë është se myslymanizmi qënka vërtetë një rrezik imediat për
njerëzimin dhe botën e qytetëruar, e cila standartin e lirisë për çdo individ
sipas kartës së të drejtave të njeriut e ka fituar me shumë mund dhe sakrifica
sublime të shumë brezave paraardhës në Europë dhe në botë.
DEKLARATA E
PËRGJITHSHME E TË DREJTAVE TË NJERIUT TË VITIT 1948
Artikulli 1 thotë: “Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira
dhe kanë të drejta dhe dinjitet të barabartë. Ato janë të pajisur me arsye dhe
ndërgjegje dhe duhet të sillen me njëra-tjetrën me frymë vëllazërie”
Artikulli 18
thotë: “Çdokush gëzon të drejtën, lirinë për të
ndryshuar fe ose besim dhe liri për të manifestuar fenë apo besimin e tij, duke
mësuar cakun e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë; e drejtë e cila
përfshin praktikuar, adhuruar dhe ushtruar rite, qoftë kjo personalisht apo në
një komunitet publikisht ose privatisht.”
Mos ndoshta ka ardhur koha për të organizuar një
tjetër kryqëzatë si ajo e shekullit të XIII-të nga vendet e Evropës, por jo
vetëm, kundër islamizmit dhe kundër myslimanëve?
Por
të mos nxitohemi të arrijmë shpejt në këtë konkluzion dhe të krijojmë
steorotipe për islamikët dhe kështu,
dashje pa dashje t’i hedhim benzinë këtij zjarri, që një dorë e fshehtë
djallëzore e ka ndezur dhe kërkon të na i paraqes si një luftë fetare, të cilën
po mos dimë ta shuajmë shpejt mund të na djeg të gjithëve si të krishterë,
myslimanë, fetarë, ateistë. Ashtu siç thuhet një fjalë e urtë; “Një
zjarr i vogël çfare pylli të madh djeg”.
Por le t’i kthehemi pyetjes: Në emër të
kujt bëjnë terror xhihadistët?
Ata thonë se e bëjnë në emër të Profetit, Kuranit,
Islamit dhe Allahut. A është e vërtetë kjo?
Shumë njerëz të urtë thonë se kjo nuk është e
vërtetë, por një trill që po përgati një dorë e fshehtë djallëzore nga
prapaskena e këtij teatri global me një skenar, ku kërkon që në këtë tragjedi
botërore, të angazhojë sa më shumë aktorë të paditur dhe mashtrues të
mashtruar.Le të përmendim disa fakte që përgënjeshtrojnë atë
që thonë dhe bëjnë xhihadistët sot në emër të Profetit, Kuranin, Islamit, fesë.Fakti i parë ka te bëjë me Profetin Muhamed që për myslimanët besohet dhe pohohet
si profeti i fundit që ka dërguar Zoti (Allahu) njerëzimit, na ka lënë një
dëshmi të shkruar dhe të vulosur me dorën e tij, për respektimin dhe mbrojtjen
nga ana e tij të krishterëve dhe kishës së tyre që është shkruar si urdhërim për çdo myslyman
deri në ditën e kiametit. Ky dokument i rrallë gjëndet i disponueshëm për të
gjithë vizitorët e manastirit të Shën Ekaterinës në këmbët e malit Sinai, i
ndërtuar nga perandori bizantin Justiniani shek VI, vend shumë i njohur si për
hebrenjtë, të krishterët dhe muhamedanët, sepse në atë vend Zoti Perëndi i
shfaqet Moisiut (Musait) 1500 vjet para Krishtit, duke i dhënë në dy rrasa guri
dhjetë porositë që është shtylla
kurrizore e ligjit për hebrenjtë, të krishterët edhe për myslimanët që i përkasin feve monoteiste. Ky dokument
është shkruar në vitin 628 pas Krishtit dhe përpara librit të Kuranit, i cili u
shkruajt mbas vdekjes së Muhamedit. Ja çfarë shkruhet:
“Ky është një mesazh nga Muhammed i biri i
Abdullahut, si një pakt për ata që mbajnë Krishtërimin, pranë dhe larg, ne jemi
me ta. Me të vërtetë unë, shërbëtorët, ndihmuesit, dhe ndjekësit e mi i mbrojnë
ata, sepse kristianët janë qytetarët e mi; dhe për Allah, unë jam gjithmonë
kundër çdo gjëje që i dëshpëron ata. Asnjë lloj detyrimi nuk duhet të ketë mbi
ta. As gjykatësit e tyre nuk do të hiqen nga puna dhe as murgjërit e tyre nga
manastiret e tyre. Asnjë nuk lejohet që të shkatërrojë një shtëpi të besimit të
tyre, ta dëmtojë atë, apo të marrë ndonjë gjë nga ajo për tek shtëpitë e
muslimanëve. Në qoftë se ndonjë merr ndonjë nga këto, ai do të shkelë paktin e
Zotit dhe nuk i bindet profetit të Tij. Me të vërtetë, ata janë aleatët e mi
dhe kanë statutin tim të sigurtë kundër gjithçkaje që ata urrejnë. Asnjë nuk do
t'i detyrojë ata që të udhëtojnë apo t’i obligojë për luftë. Muslimanët duhet
të luftojnë për ta. Në qoftë se një femër kristiane martohet me një musliman,
kjo nuk duhet të ndodhë pa aprovimin e saj. Ajo nuk duhet të ndalohet të
vizitojë kishën e saj për t’u lutur. Kishat e tyre duhet të respektohen. Atyre
nuk duhet t’u ndalohet riparimi i tyre as shenjtërimi i tempujve të tyre. Asnjë
njeri nga ummeti (bashkësia muslimane) nuk duhet të shkelë këtë pakt deri në
Ditën e Kiametit (fundi i botës).” Ky statut i privilegjeve ka qenë nderuar dhe
zbatuar me besim të plotë nga gjithë muslimanët nëpër shekuj dhe nëpër të
gjithë tokat ku ata sunduan (Zahur, Dr. A.;Hak,Dr. Z., Drita Islame)
Fakti i dyte ka të bëje me Kuranin. Në vetë
Kuranin që për myslimanët është një libër shumë i shenjtë dhe fjala e Zotit
(Allahut) që iu transmetua Muhamedit nga qielli, në lidhje me të krishterët që
quhen “ithtarët e librit (Biblës)” shkruhet: “ithtarët e librit mos i
polemizoni, ndryshe (kur i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu siç është më së
miri, përveç atyre që janë mizor dhe thuajini ‘ne i besuam asaj që na u zbrit
neve dhe që iu zbrit juve dhe se zoti ynë dhe zoti juaj është një dhe ne jemi
dorëzuar atij në islam” (suria: 29:46)
Fakti i tretë na tregon marëdhëniet e
myslimaneve dhe të krishtereve në lidhje me objektet e kultit dhe nderimin e
profetëvë që respektohen në të dy fetë. Vetë myslimanët edhe duke qënë
maxhorancë në vendet që pushtonin kanë dhënë shenja të bashkjetesës dhe
respektit të vendeve të kultit që i përkisnin të krishterëve. Le të japim një
shembull: Në Damask të Sirisë ngrihet Katedralja madhështore e Shën Joan
Pagëzorit, e ndërtuar nga Justiniani. Në kohën që arabët pushtuan rajonin
(shek. VII), ata e kthyen kishën në një xhami (xhamia Umajad, 715). Megjithatë
atje është një vend maozelumi (varr) i konsiderueshem i madh dhe i
mrekullueshëm nga ana artisitike, brenda në kishën e madhe. Ku është varri i
kokës së nderuar të Shën Joan Pagëzorit. Pas gjetjes se katërt të kokës së
këtij shenjtori, gjetja e lipsaneve u bë me ngritjen e një varri të bukur në
këtë kishë. Kur myslimanët e konvertuan kishën në xhami ata gjithashtu vunë
dorë kundër varrit. Por ata u tmerruan, sepse me goditjen e parë filloi të
rridhte gjak i ngrohtë nga aty dhe ai vazhdoi të rrjedhë për disa ditë dhe
netë. Ai nuk po pushonte. Arabët në panik kërkuan lutjet e patriarkut të
krishterë. Ai me të gjithë klerin e shenjtë të Damaskut kreu litani rreth
varrit për tre ditë dhe në ditën e tretë
gjaku pushoi së rrjedhuri. Një mbishkrim me shkronja arabe të arta në monument
dëshmon këtë incident shokues. Deri më sot bota myslimane respekton shumë
varrin e Pararendësit dhe në të njëjtën
kohë i frikësohet atij. Askush nuk guxon t'i kundërvihet.
Por le të japim një tjetër fakt që ka lidhje me
kishën katedrale “Ngjallja e Krishtit në Jeruzalem që mund të themi se është
zemra e Trupit të Krishtit që është Kisha e tij në të gjithë botën. Zahi Shaked
është myslymani që mban çelsat dhe që hap dhe mbyll derën e kishës së Ngjalljes
në Jeruzalem. Kjo traditë është e përditshme qysh prej vitit 1520 ku sulltani
Sulejmani urdhëroi që çelsat t’i mbante një familje myslymane.Të tëra këto fakte na tregojnë se providenca
Hyjnore e Zotit ka ndikuar me shumë urtësi si tek myslimanët dhe tek të
krishterët. Pavarsisht se kanë dogma të ndryshme për shpëtimin e botës nga
Zoti, prapë ata kanë gjetur mënyra të bashkjetesës, të respektimit dhe të
mbrojtjes së njeri-tjetrit duke kuptuar se toleranca fetare është në të mirën e
të gjithëve.Dhe një fakt tjetër që i kalon të gjitha
pritshmërit e mundshme të bashkjetesës të krishterëve dhe myslimanëve e gjejmë
sot në Shqipëri në fshatin Malbardh të komunës Milot me 900 banor, ku vetëm 9
shtëpi janë të besimit të krishter katolik, kanë ndërtuar së bashku një kishë
mbi themelet e një kishe të vjetër. Kisha është më afër me lagjen myslimane se
atë katolike dhe i gjithë komuniteti e respekton dhe e nderon kishën si vend i
shenjt dhe sot janë gati, të krishterë dhe mysliman të fshatit të ndërtojnë një
xhami për besimtarët myslimanë. Banorët e të njëjtit fshat thonë
:
“Ashtu për mort e për dasma kemi detyrim gjithmon ndaj njeri-tjetrin, si
myslimani për katolikun edhe katoliku për myslimanin.”
Zoti i paqes dhe dashurisë nuk kërkon që njeriu krijesa e tij më e dashur e krijuar
prej një fare të Adamit (Ademit) dhe me atributin Hyjnor të lirisë për të
zgjedhur rrugën e tij, të derdh gjak njerëzor në emër të fese. Kjo kërkesë do
të ishte një mizori cinike që është e pamundur për Zotin, Qënien Hyjnore të
gjithë Pushtetshmin që dashuron dhe do
që çdo njeri të vijë pa inponim në të vërtetën absolute. Me këtë që po them nuk
dua të keqkuptohet se fetë janë njësoj ose janë si partitë, siç pohojnë disa
për shkak të padijes teologjike, ato kanë dallime esenciale që nuk duhen
injoruar. Pavarsisht se ato janë të ndryshme nga njëra-tjetra, fetarët duhet të
kenë respekt të ndërsjelltë për fenë e tjetrit. Të respektosh një fe nuk do të
thotë të jesh patjetër dakort me atë. Ai që i imponohet dhe dhunon fenë e
tjetrit i bën dëmin më të madh fesë së vetë. Dhe diçka tjetër: nuk duhet
ngatërruar feja me shtetin, mbrojtja e besimit me mbrojtjen e vendit, përhapja
e fesë më ekspasionin ushtarak. Në ungjill na thuhet: “Jepi Çezarit (shtetit) ç’i takon
Çezarit dhe Perëndisë atë që i takon Perëndisë.”
Prandaj, në emër të kujt bëjnë terror xhihadistët…?
Thamë që kjo nuk vjen nga feja dhe ky është mendimi
i përbashkët i të gjithë lidërve fetar, klerikëve, teologëve të përgjegjshëm të
të dyja besimeve, krishterë dhe myslimanë në botë, ashtu siç e shikojmë dhe e
dëgjojmë edhe këto ditë në vendin tonë në takimet e përbashkëta të komuniteteve
si përshembull: Takimi i përfaqësuesve të komuniteteve fetare në 25 Nëntor në
Ditën Ndërkombëtare kundër dhunës ndaj Gruas dhe Familjes, ku Komunitetet
Fetare angazhohen së bashku si gjithmonë për punë të mbara; Takimi ndërfetar në
fushën akademike më 19 nëntor 2015 që u zhvillua midis
përfaqësuesve te Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, drejtuesve të
Departamentit të Shkencave Islame pranë Universitetit Bedër dhe drejtuesve të
Akademisë Teologjike Orthodhokse, takim ky për të promovuar dialogun ndërfetar
nëpërmjet hapave konkret të njohjes dhe prezantimit të stafit pedagogjik të të
dyja palëve.
Takimi më 26 nëntor për dialogun ndërfetar
myslimano-katolik zhvilluar në Shkodër midis stafit akademik të Departamentit
të Shkencave Islame nga Universiteti Hëna e Plotë Bedër dhe studentëve të vitit
të tretë të Shkollës së Lartë Teologjike
Katolike (Seminari Ndërdioqezian).Nje proverbe thotë:
“Ka kohe për të heshtur, ka kohe për të folur.” Mendoj se është
koha për të folur dhe jo vetëm për të folur, por edhe për të vepruar sa me
shpejt, pa ankth, pa rrëmuje me mendje të kthjellët dhe me shpirt paqësor duke
e parë tjetrin si veten, pavarsisht se ai është i një feje tjetër ose ateist.
Eshtë koha që të gjithë duhet të flasin dhe të veprojmë sipas dhuratës dhe
statusit shoqëror që kemi. Dhe e para gjë që mund të bëjmë është të reflektojmë
dhe të t’i lutemi Perëndisë, se ajo që është e pamundur për njerëzit është e
mundur për Perëndinë. Zoti respekton dëshirën e njeriut dhe vepron atëherë kur
njeriu ka mbaruar punën që ai mund ta bëj vetë.
Sot ne Shqiptarët, ky popull i vogël, por me urtësi
të madhe i përbërë etnikisht nga myslimanë, të krishterë, ateistë duke u
distancuar dhe dënuar çdo fanatizëm, ekstrem fetar dhe akt terrorist, në emër
të fesë, kemi rastin më të mirë dhe historik t’i tregojmë botës me tolerancën,
bashkëjetesën dhe vëllazërinë fetare që na karakterizon, se nuk mund të bëhet
luftë dhe terror në emër të fesë. Ky është kontributi më i mirë që mund t’i
bëjmë rajonit dhe botës, për paqen globale që sot rrezikohet nga terrorrizmi.
Në ungjill na thuhet: “Të lumur janë
paqtuesit se do të quhen bijtë e Perëndisë.”
Krishlindjet kur festohen pa Krishtin, janë festë pagane !
Dt 25/12/2015
Botuar dhe publikuar në Gazetën Shqiptare & Tirana Observer
Shkrim i përgatitur nga Miron Çako, përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit në KOASH
Më 25 dhjetor shumica e të krishterëve në të gjithë botën festojnë lindjen si Perëndi-Njeri të Jisu Krishtit nga Virgjëresha Mari në Bethlehem të Judesë.
Kjo festë e krishterë që vjen e dyta mbas Pashkës (Ngjalljes së Krishtit) është
festuar nga të krishterët që në shekujt e parë të krishtërimit në Perandorinë
Romake. Kjo festë festohej së bashku me adhurimin e magëve dhe pagëzimin e
Zotit (6 janar) si një Theofani (shfaqje e perëndishme e Jisu Krishtit në
botë). Krishtlindja filloi të festohej në 25 dhjetor në shekullin e IV p.K. Kisha
e krishterë në urtësinë e saj vendosi në këtë ditë të festohej Krishtlindja për
të kundërbalancuar festivalin pagan të diellit të pamposhtur që e festonin
paganët në Romën e lashtë dhe në të gjithë Perandorinë. Kjo festë pagane kishte
lidhje me solticin e dimrit ku nata bëhej e barabartë me ditën dhe dita
fillonte t’i merrte natës.Soltici dimëror ndodh rreth 21 dhjetorit dhe paganët
festonin nga data 21 deri në datën 25 që ishte kulmi i festës së tyre. Festa
shoqërohej me shërbesa okulte ndaj diellit me argëtime, dehje deri në orgji. Në
kohën e Perandorit Aurel 275 pr.Kr. kulti i diellit u rivendos në pozitën më të
lartë të fesë pagane. Aureli e shpalli diellin zot të quajtur “Deus Sol
Inviktus” d.m.th. (Perëndinë zyrtare të Perandorisë Romake). Ai ndërtoi një
tempull të shkëlqyer të diellit të pa mposhtur në Romë dhe vendosi festimin e lindjes
së diellit (natyralis soli invikti ) më 25 dhjetor. Kisha e krishterë e mori
këtë vendim që Krishtlindja të festohej më 25 dhjetor për ndriçimin e paganëve
të errësuar nga padija ,që i çonte në idhujtari duke adhuruar si zota fenomene
natyrale dhe trupat qiellor si diellin, hënën dhe yjet. Kisha ju tha paganëve
që ju duhet të adhuroni, Krijuesin e Gjithësisë, Fjalën dhe Birin e vetëmlindur
të Perëndisë me anë të cilit u bënë të gjitha të dukurat dhe të padukurat, i
Cili për shpëtimin tonë zbriti prej qiejve u bë njeri prej Shpirtit të Shenjte
dhe virgjëreshës Mari. Jisu Krishti tha për veten e tij: “Unë jam drita e
botës,kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë po do të ketë dritën e jetës” (Joani
8.12). Kisha ia arriti me këtë mënyrë t’i ndriçojë dhe t’i bindë paganët që ata
të mos vazhdonin të adhuronin diellin si mbajtës dhe gjallërues të jetës por
Jisu Krishtin Zotin Njeri dhe Shpëtimtarin e gjithë njerëzve. Me
urdhër të perandorit romak Justinian (527-656), kjo ditë u pranua si një festë
zyrtare e perandorisë. Kalendari i shumë vendeve që pranuan krishtërimin i
llogarisin ditët e epokës së re të njerëzimit me lindjen e Krishtit dhe sot
kalendari diellor daton më 25 dhjetor 2015 mbas Krishtit dhe kështu do të
vazhdojë deri në ditët e fundit të botës, ku përsëri Jisu Krishti do të shfaqet
për herë të dytë në botë jo më si një fëmijë por si një Mbret i
Gjithëpushtetshëm për të gjykuar gjithësecilin sipas veprave që ka bërë dhe për
të inauguruar ditën pa kohë që nuk perëndon, jetën e përjetshme ku nuk do të
ketë më diell, se Ai vetë do jetë Drita e botës, këtë besojnë dhe presin të
krishterët. Krishlindjet kremtohen në mëngjes herët kur shfaqet ylli i
mëngjesit (Afërdita ) që lajmëron lindjen e diellit. Ky fenomen natyror i
përditshëm bëhet një simbol i Krishtlindjes sepse edhe kur u lind Krishti në
Bethlehem të Judesë, një yll u shfaq në zonën zotiake të Babilonisë dhe i
drejtoi magët astrologë (adhuruesit e yjeve) që përfaqësojnë kombet, drejt
Palestinës vendi ku lindi Krishti si Zot dhe mbret. Edhe ata kur e panë iu
falën dhe i ofruan dhurata për mbretin (ar, temjan dhe miro). Prandaj dhe
Krishtlindja quhet festa e dritave dhe ka traditë ndarjen e dhuratave midis
njerëzve. Por dritat artificiale që na ndriçojnë kudo dhe gati na verbojnë për
të mos parë kuptimin e vërtetë të Krishtlindjes, në këtë shoqëri konsumi duke
pritur dhurata nga Babo Natale një plak me origjinë pagane skandinave,një
shaman magjistar apo Santa Klaus një shenjt i shpërfytyruar sipas lakmisë së
njerëzve i shoqëruar nga elfët krijesa mitologjike, rrezikojnë ta shndërojnë
Krishtlindjen në një festë pagane dhe në një rikthim të adhurimit të yllit
(pendalfa) simboli diellit, i pemës së Vitit të Ri një idhull pagan, romak,
skandinav dhe i çdo kënaqësie gastronomike dhe përmbushje të instiktit mishor
deri në atë të shtazës me slloganin “të hamë dhe të pimë se nesër do të
vdesim”.Vetë bestytnitë që i krijojnë njerëzit dhe më pas rrotullohen si
satelitë të pa logjikë rreth tyre, tregojnë se Krishtlindja për shumë është një
festë pa kuptim deri në marrëzi, p.sh. njerëzit janë të fiksuar te ngjyra e
kuqe me të cilën bëjnë arredimin e shtëpive, dyqaneve, stolisin dhuratat,
preferojnë rrobat me këtë ngjyrë, duke menduar se ngjyra e kuqe sjell fat,
mbarësi dhe dashuri në jetë. Vërtet ngjyra e kuqe ka simbolikën e vet dhe në
lidhje me Krishtin tregon Perëndinë që është zjarr dhe dritë, por kur ky simbol
është i ndarë nga Krishti është i pakuptimtë, një bestytni dhe një simbol
erotik. Po ashtu mund të flasim, për fiksimet që kanë njerëzit në lidhje me
gastronominë, për ushqimet e veçanta të festës duke u përpjekur me të gjitha
mënyrat përtej dhe mundësive, që në tavolinën e shtruar mos të mungojë asnjë
lloj ushqimi tradicional. Kur kjo bëhet qëllim në vetvete atëherë Krishtlindja
kthehet në një festë për barkollogjinë ashtu siç thuhet, në Shkrimin e Shenjtë:
“Perëndia i tyre është barku i tyre”(Fil. 3:19). Mos të përmendim argëtimet pa
moral në party të organizuar me dixhei….ku alkoli,droga, striptizmi, seksi janë
të përligjura se eshtë natë e Krishtlindjes. O brez i pa besë dhe imoral
ç’lidhje keni ju me ditëlindjen time thëret Krishti, largohuni prej meje të
mallkuar nuk ju njoh. Por paradokset më të mëdha janë ato në lidhje me dhuratat
që njerëzit i ndajnë njëri-tjetrit në këtë festë, me shumë krenari, egoizëm,
hipokrizi, interes dhe cinizëm. Dëgjojmë për dhurata me çmime marramendëse që
të pasurit i bëjnë vetes dhe njëri-tjetrit duke uruar Merry Christmas. Në rrjetet sociale lexojmë se
një çift europian, i pasur, për këtë Krishtlindje shpenzoi për dhuratat e dy
binjakëve të tyre 10 muajsh 25 mijë paund duke iu blerë fëmijëve byzylykë të
artë me gurë diamanti me vlerë 2200 paund secili, pavarësisht se fëmijët e tyre
nuk kuptojnë asgjë nga dhuratat dhe festat. Ose për të tjera dhurata
psh.biskota për Krishtlindje me diamante me një çmim marramendës ku zerot janë
pa fund.
Por çfarë lidhje ka Krishtlindja që do të thotë lindje e Krishtit me të tilla
veprime që janë në antitezë të theksuar me mësimet e Atij që lindi në varfëri
ekstreme në shpellë dhe jetoi si i varfër dhe i lumëroi të varfërit duke thënë:
“lum të varfërit në frymë sepse e tyre është Mbretëria e qiejve” (Math. 5:3)
kurse për të pasurit tha: “Më lehtë hyn deveja në vrimë të gjilpërës se sa i
pasuri në Mbretërinë e Zotit” (Mk. 10:25). Nevojat imediate të njerëzve që
vuajnë nga uria, etja duke jetuar në minimumin e jetesës, në ankthin për të
nesërmen deri në vdekje mizore janë një akuzë që gërthet për këtë padrejtësi
klasore, deri kur o Zot? Nga evidencat e FAO-s rezulton se mbi bazën e vlerësimeve
nga viti 90 deri më sot janë 870 milionë njerëz të kequshqyer. Sot për sot
rreth 200 milionë fëmijë nën 5 vjeç vuajnë nga kequshqyerja, emergjenca
humanitare që janë përgjegjëse për vdekjen foshnjore të çdo një fëmije në tre.
Çdo vit 6.9 milionë fëmijë vdesin para se të mbushin 5 vjeç nga sëmundjet e
parandalueshme dhe të kurueshme, diarreja dhe bronkoplomonia: 51 në çdo 1000
foshnje, 1 në çdo 5 sekonda, gati 19 mijë çdo ditë. Në këtë numër të frikshëm
nuk llogarisim mijëra fëmijë që vriten çdo ditë me anë të abortit 125 000
fëmijë në ditë sepse prindërit nuk dëshirojnë në egoizmin e tyre që ata të
vijnë në jetë ose kur nuk kanë mundësi t’i rrisin për shkak të varfërisë
ekstreme.
99% e këtyre të vdekurve janë nga vendet në zhvillim dhe më shumë se një fëmijë
në tre vdes nga kequshqyerja. Por në të njëjtën kohë 1/3 e ushqimit, 1.3
miliardë tonelata çohen dëm çdo vit. Vlera ekonomike e mbeturinave botërore të
ushqimeve është vlerësuar më mijëra, miliardë dollarë në vit. Këtu futen edhe
shpenzimet për festën e Krishtlindjes. Në Europë përfundojnë në plehra 89
milionë tonelata produkte ushqimore që do të thotë një sasi e barabartë me 89
herë më shumë nga ajo e destinuar për ndihma ndërkombëtare.
Prandaj të festosh Krishtlindjen me këtë abuzim ose duke bërë shpenzime
marramendëse për zbukurimin e shtëpive me aksesorët e Krishtlindjes që
gjithmonë shtohen nga bizneset fitimprurëse është një kundërshtim i hapur i
asaj që tha dhe bëri Krishti. Tregohet njëherë se Krishti fëmijë shkoi në një
lagje të pasurish të zbukuruar me drita me një ambjent shumë festiv,trokiti në
shumë dyer, herë u paraqit si lypës i uritur,herë si I zhveshur,herë si i pa
strehë po në të gjitha rastet nga dyert e mbyllura u dëgjua një zë “sot është
Krishtlindje nuk ka vend për ty” është e njëjta përgjigje që ia dhanë judenjtë
2015 vjet më parë në Betlehem të Judesë, “nuk ka vend për ju në han” dhe Ai u
detyrua të lindë nga nëna e tij, në një shpellë i rrethuar nga kafshët që e
ngrohnin me frymën e tyre. Dhe judenjtë e sotshëm jomikpritës janë ata të
krishterë që e festojnë Krishtlindjen pa Krishtin dhe nuk bëjnë vend për Të në
zemrën e tyre dhe përveç judenjve Krishti përballoi që në foshnjëri një armik
të pushtetshëm Herodin i cili kërkonte ta vriste Atë. Herodët e sotshëm janë
ata njerëz të pushtetshëm që nuk besojnë në Krishtin dhe i shkelin porositë e
Perëndisë haptazi, jetojnë vetëm për vete, për karrierën, pushtetin, për
kënaqësitë e tyre të pamoralshme dhe e shohin Krishtlindjen si një mundësi për
mëkat dhe ndajnë dhurata njëri-tjetrit me hipokrizi dhe interes, duke përdorur
pushtetin e kësaj bote për të vrarë të vërtetën dhe dashurinë që është e
mishëruar në vetë Krishtin dhe besnikët e Tij. Por çudia më e madhe është se
edhe pse shumë shpenzime marramendëse bëhen për këtë festë dhe shumë dhurata
ndahen midis njerëzve,por pak ose aspak nga kjo kategori njerëzish mendojnë për
dhuratën që duhet t’i bëjnë Atij që ka ditëlindjen. Mendoni sikur ju të keni
ditëlindjen dhe të ftuarit tuaj i ndajnë dhurata njëri-tjetrit por ty nuk të
dhurojnë asgjë. Do të ishte i përligjur ky veprim fyes? Patjetër që jo. Prandaj
dhe çdo shpenzim dhe dhuratë që bëhet për Krishtlindje duke anashkaluar
Krishtin është një shpenzim i kotë. Dikush mund të interesohet dhe të thotë
“Çfarë dhurate kërkon Krishti që unë t’ia ofroj?” Normalisht Ai nuk mund të
tërhiqet nga dhuratat tona njerëzore që janë mall konsumi, por Ai e pranon një
dhuratè madje e kërkon vetë, për këtë na ndihmon Shën Jeronimi i shekullit IV,
i cili na tregon se kur ishte duke u lutur një natë Krishtlindjeje në shpellën
e Betlehemit i shfaqet Zoti fëmijë dhe i thotë: “Çfarë dhurate do më bësh
Jeronim për ditëlindjen time?” Jeronimi u zu ngushtë dhe nuk dinte ç’ti thoshte
dhe i tha: “O Zot nuk di, nuk kam asgjë” por Krishti i tha, “ke Jeronim dhe i
dua të m’i japësh, janë mëkatet e tua, dua pendimin dhe rrëfimin tënd të
sinqertë”. Kjo është dhurata që ne mund t’i bëjmë Krishtit, të gjithë si njerëz
të pasur dhe të varfër sepse të gjithë jemi mëkatarë dhe kemi nevojë për
mëshirën e Zotit, për faljen e Tij. Për këtë arsye Biri i Zotit bëhet Bir
njeriu që në natyrën e Tij njerëzore të marrë mbi vete mëkatet e gjithë
njerëzimit dhe t’i shlyejë me sakrificën në kryq sepse “kaq shumë e deshi Zoti
botën sa dha Birin e tij që kushdo që të besojë tek Ai të mos humbas por të
ketë jetë të përjetëshme” (Jn. 3:16). Por Krishti në përulësinë e Tij pranon dhe
dhurata materiale që ne ia ofrojmë Atij kur na shfaqet i uritur, i etur, i
zhveshur,i sëmurë, i burgosur sepse Ai vetë tha: “pata uri e më dhatë të ha,
patja etje e më dhatë të pi, i huaj isha e më morët në shtëpi, i zhveshur e më
veshët, u sëmura dhe erdhët të më shihni, isha në burg dhe erdhët tek Unë”
(Math. 25:35) dhe me të vërtetë po ju them juve gjithë sa i bëtë njërit prej
këtyre vëllezërve të mi më të vegjël ma keni bërë Mua” (25:40)
Normalisht çdokush është i lirë të veprojë dhe t’i shpenzojë paratë e tij si të
dojë, por kur festojmë Krishtlindjen pa Krishtin ajo është thjesht një festë
pagane, që na kthen prapa në kohën e padijes ku njerëzit adhuronin trupat qiellorë
dhe fenomene natyrale si zota dhe përmbushnin kënaqësitë e tyre instiktive.
Mendoj se kjo gjendje nuk mund të quhet modernizëm dhe risi por primitivizëm
dhe paganizëm.
Gëzuar Krishtlindjet me dhe në Krishtin.
Kisha e Dhërmiut një çëshje e pazgjidhur ! Shkrim i përgatitur nga Miron Çako, Botuar në gazetën "Tema" online, 27 tetor 2015 POSTUAR NGA: TODAY TODAY.COM.AL OCTOBER 28
Sa herë që shikoj në rrjetet sociale pamjet e shkatërrimit të Kishës së shën Athanasit në fshatin Dhërmi, si besimtar orthodhoks me shtetësi dhe kombësi shqiptare ndjehem i shokuar dhe i fyer nga kjo ndërhyrje vandale tinëz, deri në sakrilegj, në prishjen e kësaj kishe orthodhokse nga forca e shtetit e quajtur INUK ose INUV, e cila dhe sot e kësaj dite qëndron si një ngrehinë që nuk po gjen zgjidhje siç e kërkon e drejta e zotit të vendit. Si besimtar ngre sytë në qiell edhe them: Deri kur o Zot, nuk do vendosësh drejtësi por duket se para se të flasë Zoti ne njerëzit, tokësorët duhet të flasim dhe të sqarojmë njëri-tjetrin pavarësisht statusit që të gjejmë një zgjidhje në të mirë të të gjithëve, shtet-kishë, qeveri-popull.
Besoj se si të gjithë shqiptarët mbas vitit 1991 jetojmë në një Republikë të Shqipërisë të qeverisur nga qeveri demokratike në sistemin pluralist që si parim të saj fondamental ka respektimin e ligjit dhe vetëm të ligjit për të garantuar dhe mbrojtur të drejtat, lirinë, pronën, besimin e çdo shtetasi shqiptar siç na e garanton kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Neni 15. 1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik. 2. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.
Neni 17 i Kushtetutës thotë: 1. Kufizimi i të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. 2. Këto kufizime nuk mund të cënojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të kalojmë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane të të Drejtave të njeriut. Shteti shqiptar është një shtet laik dhe këtë na e siguron Kushtetuta ku na thotë: Neni 10 1. Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare. 2. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. 3. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare. 4. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjelltë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve. 5. Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend. 6. Bashkësitë fetare janë persona juridikë. Ato kanë pavarësi në administrimin e pasurive të tyre sipas parimeve, rregullave dhe kanoneve të tyre, për sa nuk cënohen interesat e të tretëve.
Duke u bazuar në këtë nen të kushtetutës në 22 01 2019 u ratifikua marrëveshja nëpërmjet qeverisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjellta me ligjin nr 10057 shpallur me dekret nr 6033 dt 29 01 2009 të presidentit të Republikës së Shqipërisë Bamir Topi. Neni 3, pika C thotë: se qëllimi i kësaj marrëveshje është: Që shteti të njohë dhe të garantojë paprekshërinë e institucioneve të kultit për aq sa veprimtaria e tyre nuk vihet në kundërshtim me ushtrimin e lirisë së ndërgjegjes dhe të fesë si dhe me ligjet në fuqi dhe në kanonet dhe traditat e shenjta të KOASH-it. Dhe neni 6-të i kësaj marrëveshje thotë: Në marrëdhëniet e ndërsjellta me KOASH-in shteti përfaqësohet nga komiteti shtetëror për kultet. Kisha bashkëpunon me Komitetin për mundësimin dhe realizimin e një komunikimi aktiv me organet dhe institucionet shtetërore.
Të gjitha këto akte ligjore i përmend siç thotë edhe një shprehje në italisht: “karta kanta” (letra flet). Kjo ngjarje ka gati dy muaj që bën jehonë të pazakontë në mediat vizive dhe të shkruara me fakte dhe kundër fakte, thënie dhe kundërthënie, opinione nga më të ndryshmet, interpelancë në parlament duke i dhënë liri fjalës, sipas së drejtës legjitime të të shprehurit pa shpifur dhe pa fyer.
Por të gjitha këto për mendimin tim shkojnë në plan të dytë dhe sfumohen nga pluhuri që u përhap dhunshëm në agimin e datës 26 gusht, që mbetet pezull sot e kësaj dite duke qenë dëshmi e shkatërrimit të kishës së Shën Thanasit me urdhër të njëanshëm të shtetit, që nga pamja e saj e trishtë në rrjetet sociale për ata që nuk e dinë çfarë ka ndodhur konkuron me ato pamje që shfaq shteti i vetshpallur fondamentalist ISIS në prishje të kishave të krishtera në Siri, ku poshtë gërmadhave shohim kryqe, ikona, ungjill dhe enë të shenjta për përdorim liturgjik.
Ky veprim i shtetit është një shkelje ligjore nga vetë ai dhe një prishje e marrëveshjes me Kishën Orthodhokse që e cituam pak më sipër. Në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk ka ardhur asnjë shkresë zyrtare për prishjen e kishës, as një plan i rilindjes së saj, as nga Pushteti Vendor, as edhe nga Komiteti i Kulteve që sipas marrëveshjes ka detyrë dhe funksion që të përfaqësojë shtetin dhe të paraqesë kërkesat e tij në marrëdhënie me Kishën. Përkundrazi në një deklaratë mediatike të kryetarit të komitetit të kulteve z. Ilir Gizdari, tha se shteti veproi sipas ligjit dhe nuk ka asnjë ankesë zyrtare nga Kisha Orthodhokse. Kjo do të thotë se shteti ka vepruar në mënyrë të një anshme dhe e ka anashkaluar Kishën Orthodhokse duke pretenduar se është duke prishur një ndërtim pa leje, por kisha e Shën Thanasit nuk është një ndërtim pa leje në një truall të grabitur, por ajo është rindërtuar me një kontribut modest nga banorët besimtarë të Dhërmiut mbi të njëjtin truall ku ishte kisha e vjetër që daton që nga vitit 1671 e ndërtuar nga besimtarët me emër: Mbishkrimi në greqisht thotë: “Ττἔττε, νἰκολὸ λεκας, δῆμὁ, θοδὄρα, νικολὂ, ττἔττε καὶ τον τέκνον αὐτὄν, γγἤνι, κὄκαλι. ΑΧΟΑ”, përkthyer në shqip: “Dedë, Nikolo Lekas, Dhimo, Thodhora, Nikolo, Dedë dhe të bijtë e tyre, Gjini, Kokali”; Për parandalimin e sëmundjes së kolerës. Kjo kishë u prish në 1972-shin nga shteti komunist-atesit dhe gurët e saj u përdorën për depon e ujit të fshatit.
Pavarësisht se qeveria e sotme me te drejtë po bën një luftë kundër informalitetit dhe çdo ndërtimi pa leje, një pikëpyetje nuk më jep akoma përgjigje: Përse Zyra Shtetërore e Aluizmit legalizoi katër kisha katolike dhe dy xhami në zonën e Shkodrës, pavarësisht se ishin ndertime pa leje, kurse kishën e Shën Athanasit që ishte e ndërtuar mbi themelet e mëparshëm nuk e legalizoi, por e shkatërroi me motivin ligjor “ndërtim pa leje.”
U pretendua se ishte monument kulture dhe se kishte ndërhyrje në këtë monument. Por edhe kjo alibi ra poshtë, sepse kisha e Shën Thanasit nuk është në listën e monumenteve të kulturës. Aq më tepër kjo ndërhyrje brutale me matrapik zhduku dhe çdo gjë që kishte mbetur nga e kaluara e kësaj kishe që sot kërkohet të rishpallet si monument kulture e mbrojtur nga shteti.
Një tjetër alibi ishte se nuk është kishë orthodhokse, por dhe kjo bie poshtë sepse kisha e Shën Thanasit përmendet së bashku me 38 kishat e fshatit Dhërmi dhe është e dokumentuar në kadastër. Për këtë na siguron studiuesi Theofan Popa duke na paraqitur një dokument të vitit 1921.
Që kjo ndërtesë është Kishë funksionale nga viti 1992 e deri më sot dhe aty është kryer Liturgjia Hyjnore dhe shërbesa fetare sidomos në ditën e të kremtes së Shën Athanasit, e dëshmon prifti dhe besimtarët e fshatit.
Pra, edhe një herë duke u bazuar në gjithë këto fakte kokëforte, ndërhyrja e një anshme e shtetit shqiptar pa një konsultim dhe marrëveshje me Kishën Orthodhokse e cila është një person juridik, është një shkelje ligjore, një cënim i marrëveshjes, një grabitje prone dhe tjetërsim i saj.
Por ajo që është më e rënda dhe një fyerje, plagosje në shpirtin e orthodhoksëve është etiketimi i kishës së Shën Athanasit si garazh dhe stallë dhe kjo publikisht nga foltorja e parlamentit. Për çdo besimtar orthodhoks jo vetëm në Shqipëri, por dhe kudo që ata ndodhen, kisha nuk është një ndërtesë e çfarëdoshme, pavarësisht formës së saj të jashtme që dikush sipas koncepteve të tij për formën mund ta quajë garazh ose stallë, edhe pse ai ka statusin e kryeministrit të vendit për një periudhë kohe i zgjedhur me votat e popullit.
Kisha është shtëpia e Perëndisë, jo nga forma por nga përmbajtja, vendi ku njeriu besimtar bekohet që nga lindja deri në vdekje. Dhe për atë kisha është më e rëndësishme se edhe vetë shtëpia e tij, prona dhe vetë jeta e përkohshme. Ashtu siç është edhe një shprehje midis besimtarëve: “Kush nuk e do kishën si nënë, nuk e ka Perëndinë si Atë.” Kjo është arsyeja e reagimit të besimtarëve jo vetëm shqiptarë, pavarësisht se dikush mund ta instrumentalizojë ose keqpërdorë.
Krishtërimi dhe Kisha Orthodhokse që përfaqëson atë nuk është fe e ndonjë kombi as të nënshtetasve me kufizime kombëtare, etnike, folklorike ose bindjeve politike, por ajo është përçuese e lajmit të mirë se Perëndia e do dhe e shpëton njeriun në Krishtin dhe se Kisha është një, katholike dhe apostolike d.m.th. i bashkon të gjithë, i shenjtëron të gjithë në kohë dhe hapësirë ashtu siç e thotë dhe Statuti i Kishës Orthodhokse i ratifikuar nga shteti shqiptar: neni I “Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka si thelemues dhe krye të saj Zotin dhe Perëndinë tonë Jisu Krisht, është institucioni hyjnor si prania dhe shfaqja në vend e një kishe të shenjtë, katholike dhe apostolike, e bashkuar në mënyrë të pandashme me Patriarkanën Ekumenike, me të gjitha kishat simotra Autoqefale dhe ruan të paluajtshme burimet e besimit...)
Në qoftë se kryeministri ose çdokush mbas tij me termin stallë për kishën e Shën Athanasit do të na thotë se Zoti Jisu Krisht lindi si foshnje në përulësinë e tij të skajshme për të përulur krenarinë e kotë të mbretërve tokësorë, në një stallë të Betlehemit, ajo, nuk quhet më stallë tani, por kisha e Lindjes dhe që nderohet nga të gjithë të krishterët në botë dhe çdo kishë ka të njëjtin status të nderimit, pavarësisht formës apo vendit ku ndodhet, sepse kisha është Trupi i Krishtit dhe Ai, Kreu i saj.
Ky akt vandal dhe sakrilegj i bërë kishës së Shën Athanasit për ne besimtarët orthodhoksë në Shqipëri është një rikthim i kujtesës së shkuar, ku nuk do të dëshironim kurrë të na rishfaqeshin ato pamje të shkatërrimit të kishave, xhamive, teqeve dhe çdo tempulli kulti, që u bë në Shqipëri mbas vitit famëkeq ’67 nga histeria komuniste injorante, barbare e frymëzuar nga deklarata me mburrje satanike e sekretarit të parë të PPSH-së, thënë në pleniumin e KQ se “Shqipëria është vendi i vetëm ateist në botë dhe shteti i hap luftë fesë.”
Dua t’ju kujtoj se i pari tempull kulti që u prish nga manipulimi i turmës ishte manastiri orthodhoks i Shën Vlashit në Durrës dhe tjetërsimi i tij në çerdhe. Mbas atij filluan të prisheshin ose të tjetërsoheshin kishat katolike, xhamitë dhe teqet si një reaksion zinxhir i ateizmit komunist duke propaganduar këtë si patriotizëm ose nacionalizëm, por më shumë si një fuqi të proletariatit që sfidon edhe vetë Zotin. Por duhet të kujtojmë se ata njerëz me pushtet dhe ai popull që i dëgjoi ata sfiduan veten.
Ajo që kërkon të bëjë shteti sot mbi gërmadhat e kishës së Shën Thanasit, duke i kthyer “lavdinë” është tjetërsimi i saj nga kishë në muze ose ndoshta në një kishë uniate me pretendimin se aty ka shërbyer një prift katolik i urdhërit bazilian, i cili ka qenë kryepeshkop i Durrësit për kishën romano-katolike dhe ka ardhur për të bërë katekizëm (mësim fetar) banorëve të Dhërmiut dhe Himarës të cilët ishin të krishterë orthodhoksë, në gjuhën shqipe me një alfabet dhe gramatikë në shqip, që sot për hir të së vërtetës nuk ekziston. Thuhet se ai ka qëndruar në kishën e Shën Thanasit, e cila ishte e ndërtuar dhe mbasi ka punuar për afro një vit, ka vdekur dhe aty është varrosur në ajodhimën e kishës. Në qoftë se shteti që prishi kishën e Shën Thanasit për ta bërë atë një muze, pra jo me një funksion kishtar domethënë si një mësonjëtore të parë shqipe shteti po gabon rëndë, po shkel ligjin, sepse nuk ka të drejtë të tjetërsojë objektet fetare. Por edhe sikur Katalano të ngjallej nuk do ta pranonte këtë gjë, sepse ai erdhi në kishën e shën Thanasit, jo thjesht nga patriotizmi, sepse ai origjinën nuk e ka arbëreshe por siç thamë më sipër për të bërë katekizëm prozelitizëm tek të krishterët orthodhoksë të zonës. Në qoftë se kjo do të kthehet në një kishë uniate është një gabim akoma edhe më i madh dhe me pasoja të paparashikueshme.
Vetë uniatizmi u shfaq si fenomen gjatë shekullit të 16-të ku zhvillimi i mbretërisë polako-lituane duke hyrë edhe në kufijtë perëndimorë të Rusisë bëri të mundur që priftërinjtë Jezuitë të Kishës Katolike të hynin në këto zona duke sjellë mësimin dhe praktikat latine. Rezultati i kësaj ishte unioni i Brest-Litofskit në vitin 1596 me anë të cilit peshkopët orthodhoksë të zonës bënë një bashkim me kishën romano-katolike mbi bazën e marrëveshjes së arritur në Firence. Një shekull më parë, një marrëveshje ku përfaqësuesit lindorë të imponuar nga rreziku i pushtimit osman pranuan një doktrinë të fortë të pushtetit papal. Kjo marrëveshje nuk u mirëprit nga populli i Kostandinopulit i cili thoshte: më mirë çallmat e turqve se sa kapuçët e kuq të kardinalëve. Pra sipas unionit të Brest-Litofskit ritet dhe zakonet e kishës përmasat e besimtarëve orthodhoksë që u morën në “Unia” mbetën të njëjta. Hierarkia kishtare, udhëheqja klerikale dhe akademike e kishës ishte e vendosur nën disiplinën latine dhe doktrinën e papatit roman. Ky bashkim i vitit 1596 mbeti në fakt në territoret që vazhduan të ishin nën sundimin e qeverive joorthodhokse të Polonisë, Austro-Hungarisë dhe Çekosllavakisë. Qysh prej fillimit të saj lëvizja unite u ndesh me një kundërshtim të fortë. Kundërshtar ishin kryesisht orthodhoksët laikë të cilët ishin të organizuar në vëllazëri dhe bekuar nga Patriarku Jeremia i Kostandinopulit për të mbrojtur besimin orthodhoks nga ndërhyrja e kishës Katolike qysh prej vitit 1588.
Sot, një nga kushtet e dialogut ndërmjet kishës Romano-Katolike dhe Kishës Orthodhokse e kryesuar nga Patriarkana Ekumenike dhe Patriarkanave dhe Kishave Orthodhokse në gjithë botën është dënimi dhe heqja dorë nga metoda prozelite e uniatizmit si një metodë e gabuar, e dënueshme dhe përçarëse. Vetë Kisha Katolike e ka dënuar këtë metodë si një veprim jo korrekt që i takon të kaluarës në ato periudha të errëta ku krishtërimi orthodhoks rrezikohej të asililohej nga pushtuesit osmanë.
Prandaj në qoftë se kisha e “rilindur” e Shën Thanasit do të ketë këtë funksion, ky do të jetë një veprim shumë i gabuar, një reminishencë e hidhur nga e kaluara për orthodhoksët jo vetëm të zonës, një rishfaqje e taktikës së gabuar dhe të dënueshme të Kishës Romano-Katolike për prozelitizmin e besimtarëve orthodhoksë, një tjetër përballje e dështuar me Zotin që është Zotërues i qiellit dhe i dheut dhe i çdo kishe. Një pakënaqësi deri në dëm të popullit dhe mbi të gjitha një prishje e harmonisë fetare, ndërmjet katolikëve dhe orthodhoksëve, por dhe çdo besimi që papa Françesku në vizitën e tij në Tiranë e quajti vëllazëri fetare. Nacionalizmi që kur teprohet quhet streha e horrave dhe në kishë është e dënuar si herezi, na rrezikon të na kthejë prapa në histori të trishtuara të së kaluarës ku shteti ndikonte dhe vepronte pa respekt me dhunë verbale dhe fizike, ndaj Kishës dhe klerit dhe çdo besimtari dhe kjo është me kosto për brezat që vijnë dhe na ndan nga bota e qytetëruar, ku respekton me ligj të drejtat, lirinë, pronën e çdokujt dhe mbi të gjitha të komuniteteve fetare, por duke theksuar edhe një herë prish harmoninë fetare që sot për sot është e vetmja vlerë që mund të shfaqim dhe të mburremi. Histori të harruara rrezikojnë të përsëriten.
Si besimtar orthodhoks lutemi që Zoti me kudopraninë e tij të ndriçojë me dritën e së vërtetës, të gjithë njerëzit përgjegjës, me dashuri pa hipokrizi, që me paqe gabimi të korrigjohet, ligji të respektohet, Kisha të rindërtohet dhe të jetë në funksion liturgjik për besimtarët orthodhoks siç ka qenë në shekuj, historia të mos tjetërsohet dhe çdokush të nderohet sipas vlerës që meriton. Uroj që kjo gjë të bëhet sa më shpejt në të mirën e vendit dhe popullit. Zëri i popullit është zëri i Zotit!
Botuar në gazetën "Tema" online, 27 tetor 2015 POSTUAR NGA: TODAY TODAY.COM.AL OCTOBER 28
A është feja shkak i luftërave ? Dt 19/11/2015 BOTUAR NE GAZETEN SHQIPTARE DHE ONLINE TEK "TIRANA OBSERVER" Nga Miron Çako*
Duke parë dhe duke dëgjuar përgjatë gjithë këtyre ditëve, të mbushura me tension për të vrarët 129 viktima dhe të plagosurit e shumtë në rrugët e Parisit, nga dhuna patologjike e disa njerëzve fondamentalistë ekstremistë, të cilët mendojnë se duke vrarë veten dhe të tjerët i shërbejnë Zotit (Allahut), instinkti i vetëmbrojtjes menjëherë të pozicionon për të gjetur dhe u bashkuar me mendimet, ndjenjat dhe veprimet e një grupi të caktuar i cili e shikon grupin tjetër si armik dhe e kundërsulmon nga ana mediatike dhe fizike si mënyra më e mirë për t’u mbrojtur. Kjo gjë që ndodhi në Paris nuk është fillimi por vazhdimi i kësaj situate të pa precedent që po merr jetën e shumë njerëzve dhe këtu kujtoj vrasjen e shumë pengjeve, burrave, grave, fëmijëve që është bërë shkak për një valë biblike emigracioni me njerëz që ju ka mbetur si qëllim parësor dhe i vetëm shpëtimi i jetës së tyre, numri i tyre është gati 4 milion që kanë emigruar nga Siria dhe 270 mijë kanë kërkuar azil në Europë, ose sabotimi dhe hedhja në erë e një avioni plot me turistë rusë në Gadishullin Sinai ku mbetën të vdekur 224 viktima. Raporti i kombeve të bashkuara na jep një statistikë se që nga momenti që u shfaq fenomeni ISIS deri në prill të vitit 2015 janë vrarë në Irak edhe Siri nga këta ekstremistë gati 25’000 njerëz dhe po t’i shtojmë viktimat gjatë këtyre muajve ky bilanc bëhet më tragjik.
Të gjitha këto ngjarje që pushtojnë lajmet e të gjithë botës çdo ditë po na shfaqen si një reaksion zinxhir që nuk po ndalet ose si një vorbull që brenda saj po na gëlltit dalëngadalë të gjithëve dhe për shumëkush është prologu i një lufte të tretë botërore. Edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët kjo ngjarje ka një ndikim të madh jo vetëm se jemi pjesë e kontinentit por të ardhmen tonë e shohim në perspektivën si vend anëtar i Europës. Nga Shqipëria dhe Kosova janë rekrutuar nga ISIS-i elementë ekstremistë dhe terroristë, që janë bërë pjesë e kësaj ushtrie të zezë dhe kur ndonjë prej tyre shfaqet në ekranet mediatikë dhe kërcënon për shkatërrim, terror dhe vdekje besoj se të gjithë nuk ndjehemi mirë dhe nuk do të donim që ai të ishte shqiptar terrorist. Shteti Shqiptar duke bërë aleancë me vendet e BE kundër terrorizmit me veprime konkrete është i kërcënuar me hakmarrje nga terroristët.
Por kush është fajtori për këtë situatë?
Opinionet janë nga më të ndryshmet deri tek ato më konspirativet, madje kur dëgjuam edhe nga një kryetar i një shteti të fuqishëm si Vladimir Putin që ISIS e financojnë dhe bëjnë tregti me të gati 40 vende dhe 12 prej tyre nga G20 situata bëhet akoma më e ndërlikuar deri në ankth kur mendon çdo të sjellë e nesërmja.
Por ajo që më shqetëson më shumë dhe më nxit për të shkruar këtë shkrim është opinioni ose përcaktimi i kësaj situate si një luftë fetare mes myslimanizmit dhe krishtërimit dhe anasjelltas. Kjo akuzë bëhet nga opinionistë ateistë që i qëndrojnë kundra Zotit dhe n.q.s. ky është një konstatim i drejtë atëherë fajtori është Zoti dhe faji besimi në Zot që për ateistët është shkaku i shumë luftërave dhe tragjedive të pa nevojshme gjatë shekujve të padijes. Por a është Zoti fajtor i cili i frymëzon fetarët të urrejnë dhe luftojë njëri -tjetrin që në mënyrë paradoksale këto luftëra midis tyre i bëjnë këtë në emër të Një Zoti, Krijuesit. Që t’i japim përgjigje kësaj duhet të tregojmë shkurtimisht konceptin e Zotit si një qenie personale si dhe marrëdhënien e tij me njeriun besimtar. Zoti Perëndi është një Qenie Hyjnore që ekziston nga vetvetja, i përjetshëm që nuk ka as fillim, as mbarim dhe përtej perceptimeve tona të çdo feje apo kulture,prandaj asnjë fjalë, asnjë koncept dhe asnjë përkufizim nuk mund ta përcaktojë plotësisht atë. Ai është i vetëmjaftueshëm, nuk ka nevojë për shërbim. Ai është i përsosur në të gjitha atributet d.m.th. është i gjithëfuqishëm, i gjithëditur, i gjithëmirë dhe burim i mirësisë,i gjithëdrejtë dhe gjykatës me drejtësi, i gjithi dashuri. Pra një qenie e përsosur absolutisht e bukur dhe e lumtur. Duke qenë i gjithi dashuri Ai është krijues nga hiçi i të gjitha atyre, që ne i shohim dhe nuk i shohim, dhe në mënyrë të veçantë i njeriut që ndryshe nga kafshët, që udhëhiqen nga instinkti, njeriu është i krijuar sipas ikonës dhe imazhit të Perëndisë, pra me shpirt të arsyeshëm, i lirë për të zgjedhur, i përgjegjshëm për veprimet e tij, i aftë për të ushtruar sundimin mbi të gjithë krijimin me dashuri. Në çdo fe monoteiste njeriu vjen nga një farë e vetme njerëzore dhe pavarësisht se është i ndarë në raca, gjuhë dhe kombe ai në thelb është vëlla me tjetrin. Njeriu duhet t’i bindet vullnetit dhe porosive të Zotit të tij të cilat përmblidhen në këto dy porosi, duaje Zotin dhe duaje të afërmin si veten. Njeriu duke qenë i krijuar sipas ikonës së Perëndisë ka aftësi dhe mund ta bëjë këtë psh. ashtu si Perëndia është i përsosur edhe njeriu mund dhe duhet të jetë i përsosur, i pastër moralisht, i mëshirshëm, i duruar, i butë, i dashur, i lirë, vetvendosës për ekzistencën e tij d.m.th. realizues i gjithçkaje të mirë. Kështu duhet të jetë njeriu besimtar, në këtë mënyrë gjithmonë duke u rritur dhe duke u zhvilluar në virtytin dhe përsosjen hyjnore për jetë të jetës me anë të vullnetit të fuqisë së Perëndisë. Përsosja e njeriut është rritja e tij në përsosjen pa mbarim të Perëndisë, prandaj ne të krishterët besojmë dhe pohojmë se Perëndia u bë njeri në Jisu Krishtin që njeriu të bëhet perëndi sipas hirit. U zgjata në këtë pikë, se për ne të krishterët, nuk ka dhe nuk mund të ketë luftë fetare, sepse Zoti Krisht që ne besojmë dhe imitojmë, është kundër dhunës dhe luftës, shkatërrimit dhe vdekjes që ajo lë pas. Në Ungjill na thuhet se kur njëri nga nxënësit kërkonte ta mbronte Atë duke nxjerrë thikën për të vrarë armiqtë, Krishti i tha: Petro fute thikën në këllëf, se kush merr thikën nga thika do të vdesë. Krishtërimi si besim kurrë nuk mund të përhapet me anë të dhunës si psikologjike dhe fizike.
Kur disa ateistë përdorin fakte për luftë fetare dhe për këtë i referohen Biblës në Dhjatën e Vjetër ku na flitet për luftërat e Izraelit me kombet, interpretimi i tyre është i gabuar në kontekstin si luftë fetare sot. Izraeli ishte një komb që kërkonte një vend dhe një mbretëri në tokë të cilën e mori me luftë. Me ardhjen e Krishtit kjo mbretëri tokësore nuk ekziston më, sepse mbretëria e Zotit që themeloi Krishti nuk është në ndonjë vend të dukshëm tokësor por në zemrat e besimtarëve. Ai tha: “Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme, as nuk mund të thuhet këtu ose aty, por ja mbretëria e Perëndisë është në mesin tuaj” (Lk. 17:21) Prandaj Krishti dhe Kisha nuk kërkojnë një komb dhe një mbretëri tokësore, kështu nuk mund të përdorim mjetet e dhunshme të kësaj bote për mbrojtje dhe ekspansion. Ashtu si Krishti i përgjigjet Pilatit: “Mbretëria ime nuk është e kësaj jete, po të ishte prej kësaj bote mbretëria ime, shërbëtorët e mi do të përpiqeshin që të mos jepem në duart e judenjve” (Ll. 18: 36-37)
Kur kjo ka ndodhur ndonjëherë gjatë historisë 2000 vjeçare të krishterimit, kjo nuk ka qenë nga i gjithë krishtërimi dhe aq më tepër ka qenë një devijim i frymës së krishterë që pavarësisht se këto kryqëzata u drejtuan kundër armiqve të kryqit degjeneruan dhe dëmtuan vetë të krishterët, sidomos kryqëzata e katërt 1204 që sulmoi Kostandinopojën dhe terrorizoi popullatën e krishterë orthodhokse dhe ata që ndjehen përgjegjës për këto veprime sot kanë kërkuar falje.
Por edhe muslimanizmi që është një fe monoteiste nuk e shikon luftën si të shenjtë sepse kjo bie në kontradiktë me vetë islamin që do të thotë paqe. Shumë teologë të sotëm myslimanë termin kuranor xhihad e përkthejnë në katarsis të brendshëm d.m.th. me luftë që bën besimtari për t’u pastruar nga pasionet mëkatare, që ndërfuten midis Zotit dhe njeriut dhe e prishin harmoninë e fesë. Prandaj nga ajo që thamë më sipër as Zoti nuk e do luftën, as fetarët që i besojnë Atij me të vërtetë nuk e duan. Sepse atje ku ka luftë nuk ka më fe sepse nuk ka më liri dhe atje ku nuk ka liri nuk ka më Perëndi. Që fetarët e vërtetë nuk e duan luftën e vërteton bashkëjetesa ndër shekuj e të krishterëve dhe e myslimanëve edhe në ato vende ku sot ka konflikt dhe dhunë fetare. Ose një shembull më të prekshëm mund të marrim vendin tonë ku të krishterët dhe myslimanët jo vetëm bashkëjetojnë, por kanë edhe lidhje familjare dhe kjo nuk i pengon që duke qenë të ndryshëm si fetarë të jenë të njëjtë si familjarë, qytetarë dhe bashkatdhetarë.
Por kush është fajtori?
Për besimtarin shkaku i së keqes nuk është njeriu por ai që e frymëzon atë për të keqen dhe ky është djalli, një engjëll rebel që u largua nga prania e Zotit dhe e urren Atë dhe gjithë veprën e tij dhe në mënyrë të veçantë njeriun se te çdo njeri ai shikon Zotin. Ky quhet babai i gënjeshtrës dhe njerivrasës që nga fillimi. Ai ka emra të ndryshëm në fe të ndryshme si dragua, satan, shejtan, por është i njëjti, ai është shkaku i parë i vëllavrasjes, i shkatërrimit dhe i vdekjes. Ai është mjeshtër i kamuflimit dhe me rrjetën e tij të madhe të gënjeshtrës kap brenda saj shumë “peshq” d.m.th. njerëz që e humbin arsyen. Brenda saj gjejmë fetarë hipokritë, heretikë, fondamentalistë ekstremistë, ateistë blasfemues, nacionalistë pa moral, lakmitarë të pa ngopur, diktatorë të frikshëm, maskilistë, feministë, të devijuar, prindër të papërgjegjshëm, të rinj pa përvojë, të paditur deri tek indiferentët dhe të gjithë këta mbasi i peshkon me rrjetën e tij, i përplas me njëri-tjetrin në trullosje deri në asgjësim.
Për ironi të fatit të keq kur grupi i rrokut Eagles of Death Metal që po performonte në sallën e koncerteve Bataclan po i këndonte djallit duke i thirrur me aprovimin e turmës “kiss the devil”, puth djallin, në këtë moment u dëgjuan krismat e armëve dhe u vranë viktimat e para nga tre ekstremistë.
Tani e gjetëm fajtorin, është djalli dhe le ta godasim me gurë. Të njëjtën gjë bëri edhe çifti i parë i njerëzimit që kur Zoti po i kërkonte llogari për mëkatin ata thanë fajin e ka djalli. Por nuk është vetëm faji i djallit i kësaj të keqeje kundër njerëzimit, por dhe i vetë njerëzimit që shpeshherë gjatë historisë së tij e ka dëgjuar atë duke i sjellë luftë dhe vdekje vetvetes. Prandaj të gjitha këto që po ndodhin duhet të na tronditin në themel të qenies sonë dhe duhet të dëgjojmë zërin e ndërgjegjes që është zëri i Zotit te çdokush dhe na qorton duke na thënë jeni duke gabuar rëndë. Duhet të reflektojmë sa më shpejt dhe të bëjmë një kthim nga rruga e gabuar ku po ecim.
Përgjegjësinë e parë e kanë drejtuesit fetarë që të mos lejojnë me predikimet dhe shembullin e tyre të tjetërsohet imazhi i drejtë dhe i vërtetë i Zotit të paqes dhe dashurisë. Duhen marrë veprime konkrete dhe në këtë situatë më kujtohet thënia lapidare e Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturisë së tij Anastasit, i cili ndërhyri për shuarjen e konfliktit të serbëve dhe kosovarëve që disa kërkuan ta paraqisnin si një konflikt fetar, ai i tha: “askush mos të përdorë vajin e kandilit të kishës për të ndezur zjarrin e urrejtjes fetare”, madje mbas mbarimit të luftës ai bëri një veprim për të qenë shembull, grumbulloi nga njerëz që e duan paqen parǎ dhe ua ofroi ato serbëve për të rindërtuar një kishë të djegur nga kosovarët dhe kosovarëve për të ndërtuar një xhami nga ekstremistët serbë. Gjithashtu është i spikatur kontributi i tij dhe i Kishës Orthodhokse për përkujdesjen e 33’000 kosovarëve që shumica e tyre i përkisnin besimit mysliman, të cilët kur provuan mikpritjen humane të Kishës Orthodhokse thanë: ne i dinim ndryshe të krishterët “shkja”, por na u bënë vëllezër. Po jo vetëm Kisha Orthodhokse por të gjitha komunitet fetare kanë kontribuar në ndihmën shpirtërore dhe sociale të vendit dhe sidomos në bashkëjetesën fetare që është si një kurorë nderi për kombin.
Gjithashtu kanë përgjegjësi shtetarët e vendit që ta ruajnë këtë mozaik të bukur të harmonisë fetare, ku shumë vende të botës së civilizuar me shumë se ne, na kane zili dhe e promovojnë Shqipërinë si vendin e harmonisë dhe vëllazërisë fetare duke e parë atë si një vend të sigurtë për të organizuar konferenca globale si ajo për paqen në botë në datat 6 – 8 shtator me temë: “Paqja është gjithmonë e mundshme” e organizuar nga komuniteti i Sant’Egidios, Kishës Orthodhokse dhe Kishës Katolike në bashkëpunim me Shtetin Shqiptar ku morën pjesë 500 delegatë nga 30 besime të ndryshme nga e gjithë bota.
Por shteti duhet të ruajë balanca të barabarta dhe mos lejojë diskriminim të një grupi të caktuar fetar dhe të ndërhyjë sipas ligjit për të izoluar çdo individ dhe grup që kërkon të prishë këtë harmoni, këtë bashkëjetesë fetare dhe të mos i lejojë që të prishin imazhin e brishtë të Shqipërisë dhe ta bëjë atë një vend furnizues me elementë terroristë që rrezikojnë paqen në botë. Por jo vetëm ekstremistët fetarë por edhe ekstremistët nacionalistë duhen ndaluar, se alkimia e këtyre dy grupimeve prodhon energji shumë negative të pamenaxhueshme për destabilitetin e vendit dhe rajonit.
Gjithashtu ateistët në këtë vend dhe në të gjithë botën e civilizuar të mos akuzojnë vetëm fetarët duke ia faturuar atyre të gjithë dëmin, por të bëjnë autokritikën e tyre, të mbajnë përgjegjësi për çfarë po ndodh siç thuhet: “hipokrit hiqe më parë trarin nga syri yt pastaj ashklën nga syri tjetrit” të mos blasfemojnë duke fyer sentimentin fetar dhe kështu krijojnë një fondamentalist ateist që në mënyrë ekstreme i përndjek fetarët duke qenë vet ata shembulli negativ i shkeljeve të të drejtave dhe lirisë së njeriut që si parim themelor ka: “Liria jote mbaron kur fillon liria e tjetrit”. Të pushtetshmit dhe të pasurit e botës, ata që me anë të parasë mendojnë se mund të kontrollojnë dhe vendosin për gjithçka, duhet të kuptojnë se shkak i terrorizmit është edhe varfëria me padrejtësinë. Gjithashtu duhet të kuptojnë se nuk janë “zot” por njerëz të vdekshëm dhe lufta është një fatkeqësi për të gjithë dhe nga hiri i shkatërrimit mund të mbijë bari i fushës por jo qytetërimi human. Të gjithë njerëzit duhet të kuptojnë se: “i Zotit është dheu dhe gjithçka është në të“. Dhe se fundmi për mua kjo nuk është luftë fetare as përplasje qytetërimesh apo kulture dhe zona influence por mbrapa të gjithave është e keqja kundër gjithë njerëzimit.
Le ta ndalojmë së bashku, fetarë dhe ateistë, këtë të keqe sa nuk është vonë për të gjithë!