Gruaja, ku edhe si mund të bëhet e barabartë me burrin dhe të përmbushë qëllimin e saj?!
Publikuar në 7/3/2017 në Tirana Observer & BalkanWeb Nga Miron Çako, përgjegjës i Zyrës së Katekizmit në KOASH
Dita kushtuar gruas, me të gjithë dimensionin e saj femëror, si motër, shoqe, bashkëshorte, nënë, e ka fillesën nga ngjarja e ndodhur në 8 mars 1857, ku disa gra punëtore protestuan në rrugët e New York për të kërkuar të drejtat e nëpërkëmbura, pagën e ulët dhe për kushtet e këqija të punës. Ngjarja u bë e dhunshme nga ndërhyrja e policisë. Mbas dy vitesh më 8 mars 1908 gratë ngritën organizatën e tyre të parë dhe gati 15 mijë vetë marshuan në rrugët e New York duke kërkuar të drejtat e tyre në marrëdhënie pune, si orë më të shkurtuara, rroga më të larta dhe të drejtën e votës. Në 1910 në Kopenhagen u mbajt Konferenca Ndërkombëtare e Gruas, ku u caktua 8 marsi si dita ndërkombëtare ndaj saj. Më vonë kjo ditë u zyrtarizua dhe në vende të tjera të Europës. Në Rusi kjo ditë filloi të festohej në 1917. Në vitin 1977 nga OKB 8 marsi u shpall botërisht si dita ndërkombëtare e grave në botë. Dita e gruas festohej dhe kujtohej në forma të ndryshme, në vende të ndryshme me sisteme të ndryshme. Në Perëndim me liri shprehjeje si ditë proteste, kurse në vendet e Lindjes si një ditë feste ku gratë gëzonin të mirat e realizmit socialist. Në këtë mënyrë u festua kjo festë edhe në Shqipëri gjatë atij sistemi të mbushur me propagandë komuniste, ku gruaja shfaqej si forcë e madhe për ndërtimin e socializmit e barabartë me burrin, për çdo aspekt të jetës, saqë edhe në posterat e realizmit socialist, shfaqej në pamje burri, në një dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën. Sot në Shqipëri kjo festë kushtuar gruas nuk ka më karakter propagandistik dhe më shumë është kthyer në ditë festive, argëtimi, pikniku, ku gratë ndjehen të lira nga angazhimet e përditshme dhe duke festuar së bashku, shumica në mentalitetin e turmës, nuk dinë edhe për çfarë po festojnë?
8 marsi si dita ndërkombëtare e gruas vazhdon t‘i bashkojë ende gratë në shumë vende të botës në protestë për çdo pabarazi, padrejtësi, abuzim që u bëhet atyre nga burrat dhe shoqëria e drejtuar prej tyre, ose e thënë ndryshe maskiliste. Kjo ditë tregon rrugën se me anë të protestës gruaja, mund ta fitojë barazinë dhe lirinë si një qenie humane në çdo aspekt të jetës. Që nga ajo ditë e parë e protestës deri më sot, pozicioni dhe roli i gruas në shoqëri ka ndryshuar ndjeshëm p.sh. ka fituar të drejtën e votës, pjesëmarrje në vendimarrje dhe në drejtimin e qeverive. Ajo sot kryen pothuajse çdo profesion si të burrave, madje vishet si burrë, argëtohet si ata, fitoi të drejta mbi martesën, për divorcin madje dhe për abortin e fëmijëve të saj. Edhe sot një grua “moderne” nuk ndryshon aspak me një burrë, vetëm përsa i takon gjinisë, madje edhe gjinia tashmë nëpërmjet ndërhyrjes mjekësore mund edhe të ndryshohet sipas dëshirës.
Por vërtetë a është kjo rruga e drejtë, që një grua të fitojë barazinë me burrin dhe të përmbushë qëllimin e saj në jetë?
N.q.s. e pranojmë se njeriu si qenie humane ka ardhur si pasojë e rastit dhe e “evolucionit” mes një lufte të pamëshirshme speciesh edhe brenda llojit, pavarësisht viktimave, atëherë revoltat e grave si ajo e 8 marsit dhe çdo revolte e intensifikuar dhe amplifikuar me lëvizjet e forta feministe, janë “ok“. Por n.q.s. ecim me këtë logjikë edhe burrat duhet të luftojnë për të mbajtur pozicionin e tyre, sepse “evolucioni” lufta brenda llojit e përligj këtë gjë. Me këtë logjikë i bie të kemi luftë pa fund midis burrave dhe grave, herë patriarkat herë matriarkat.
Por fatmirësisht ka edhe një koncept tjetër shumë më të hershëm, ku na tregohet se njeriu mashkull dhe femër nuk është produkt i rastit, i “evolucionit”, por një projekt i dashurisë së Perëndisë, i Cili e krijoi njeriun sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Tij. Për këtë na flet Bibla, (Libri) që thotë të vërtetën i frymëzuar nga Perëndia. Tek libri i parë i Biblës, Zanafilla na thuhet: “Në fillim Zoti Perëndi krijoi njeriun, Adamin (shpirt-trup) dhe më pas e vendosi në kopsht të Edenit që ta punojë dhe ta ruajë duke i dhënë një porosi; “Ha madje lirisht nga çdo pemë e kopshtit, por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri” (Zan. 2:16-17) Në atë kopësht të gjitha kafshët ishin çift mashkull dhe femër, njeriu ishte i vetëm dhe për njeriun nuk gjendej një shoqe që t’i përngjante atij. Zoti Perëndia tha: “Nuk është mirë që njeriu të rrijë vetëm, unë do t’i bëj një ndihmë që t’i përngjajë” (Zan. 2: 18). “Atëherë Zoti Perëndi e lëshoi njeriun në një gjumë të rëndë dhe pasi e zuri gjumi, ai nxori një brinjë dhe vendin e saj e mbushi me mish. Zoti Perëndi e përftoi gruan prej brinjës që ia kishte nxjerrë njeriut dhe e solli te njeriu. Atëherë njeriu klithi: “Kjo tani është eshtra e eshtrave të mia dhe mishi i mishit tim. Le të quhet grua se kjo u mor nga njeriu. Dhe vazhdon Zanafilla edhe thotë, se njeriu do të donte gruan e tij aq shumë sa për këtë arsye njeriu do të lërë atin dhe nënën e tij dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet dhe do të bëhet një trup i vetëm” (Zan. 2: 20-24).
Teologjia e krishterë mëson se marrja e brinjës nga njeriu Adami, për të krijuar gruan ka dy të vërteta të mëdha: 1- Të barazisë së burrit me gruan, se janë nga një esencë njerëzore dhe kështu të mund të duan njëri-tjetrin me dashuri shoqërore, sa të bëhen një mish.2- Eshtra nuk iu mor njeriut nga koka që gruaja të qeverisë burrin, ose nga këmbët që burri ta përulë gruan dhe ajo të jetë në një pozitë inferiore para tij, por u mor në mes që të jenë të barabartë si qenie dhe të jetojnë së bashku me një bashkim dashurie dhe të qenuri. Kjo barazi personash ka dhe hierarki veprimi, burri është udhëheqësi në aktivitetin njerëzor, gruaja duhet të jetë ndihmësja e burrit dhe nëna e të gjithë të gjallëve. Ndryshimet ndërmjet burrit dhe gruas janë realë dhe të pandryshueshëm. Ato nuk kufizohen vetëm në ndryshime biologjike, mashkull dhe femër, ato janë më tepër mënyra ekzistence brenda të njëjtës njerishmëri me funksione të ndryshme. Mashkulli dhe femra duhet të jenë në bashkim shpirtëror si edhe fizik. Ata duhet të shprehin së bashku në të njëjtën njerishmëri, të gjitha virtytet dhe fuqitë, që i përkasin natyrës njerëzore, të krijuara sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë. Nuk ka virtyte apo fuqira që i përkasin burrit dhe jo gruas ose e kundërta. Ata janë thirrur së bashku në përsosje shpirtërore drejt të vërtetës dhe dashurisë dhe në të gjitha virtytet hyjnore, që Perëndia i ka dhënë njeriut. Bashkimi (heteroseksual) në një mish të burrit dhe gruas ka si qëllim të shtojnë dhe përjetësojnë natyrën njerëzore si na e thotë Bibla: “Perëndia i bekoi dhe u tha: Shtohuni dhe shumohuni dhe mbusheni tokën dhe sundojeni atë” (Zan. 2: 28)
Por pse sot shohim fatkeqësisht marrëdhënie krejt të ndryshme konfliktuale, armiqësore dhe plot rivalitet ndërmjet burrit dhe gruas, aq sa nuk kanë dëshirë për të jetuar bashkë, sa mos tërhiqen ndaj njëri-tjetri edhe nga instikti i tyre gjenital, duke gjetur bashkëjetesa jo të natyrshme dhe perverse edhe kështu duke rrezikuar seriozisht të ardhmen e familjes, shoqërisë dhe të njerëzimit. Të gjitha këto kontradikta, nuk vijnë nga mënyra të ndryshme të ekzistencës së burrit dhe gruas të krijuar nga Perëndia, për tërheqje, bashkim, bashkëpunim, plotësi, përforcim, përjetim dhe përjetësi, por më tepër i përkasin mëkatit.
Vetë fjala “mëkat” literalisht do të thotë të mos qëllosh në shenjë, të dështosh në çfarë duhet të bësh, të mos arrish atje ku duhet të shkosh, të mos përmbushësh qëllimin.
Mëkati erdhi në botë nga smira e djallit e kryeengjëllit të rënë nga krenaria. Ky me lejen e Perëndisë gënjeu gruan Evën, që të hante nga fruti i ndaluar dhe me anë të saj njeriun, Adamin. “Gruaja mori prej frutit të saj dhe hëngri pastaj ia dha dhe burrit të saj që ishte me të dhe hëngri dhe ai” (Zan. 3: 1-6). Ky është mëkati i parë që u bë. Shën Pavli për këtë na thotë: “dhe nuk u gënjye Adami por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje” ( I Tim. 2:14).
Del një pyetje pse gruaja e parë u gënjye dhe gaboi duke bërë mëkatin e para?
Sepse ajo e mbivlerësoi vetveten, pranoi dhe bëri dialog me djallin, që i tha gruas: “Perëndia iu urdhëroi të mos hani prej asnjë peme të kopshtit?… Gruaja u përgjigj! Ne i hamë frutat e pemës që është në kopsht por për frutin e pemës që është në mes të kopshtit Perëndia na urdhëroi të mos e prekim që të mos vdesim” (Zan. 3: 2-3). Ky urdhër ju tha drejtpërsëdrejti burrit nga Perëndia dhe jo gruas, ajo nuk duhej të përgjigjej, por të prezantonte burrin e saj përpara gjarprit(djallit). Eva me egoizëm bëri atë që nuk ishte ngarkuar të bënte. Gabimi i saj i dytë është kureshtja e saj. “Dhe atëherë gruaja e pa se pema ishte e mirë për t’u ngrënë dhe e bukur për t’u parë dhe e dëshirueshme për të fituar dijen”(Zan. 3: 6). Djalli përparon nga veprimet e gabuara të Evës dhe e tundon me tre tundime; për të ngrënë frutin, d.m.th. dëshira mishore, për t’u parë, lakmia e syrit, e dëshirueshme për të fituar dije, tundimi i krenarisë. Ajo i pranoi këto tundime dhe prandaj mëkatoi. Dhe çfarë fitoi gruaja e parë që dëgjoi djallin dhe gënjeu veten dhe burrin e saj? Këtë na e thotë përsëri Shkrimi Shenjtë: Dhe Zoti i tha: “Do t’i shtoj mundimet e lindjes sate, me mundim do t’i lindësh fëmijët, dëshirimi do të shtyjë nga burri yt dhe ai do të sundojë mbi ty” (Zan. 3: 16). Gruaja e parë bëri atë që nuk duhet të bënte, kërkoi të përballej vetë me problemet, të zgjidhte, të drejtonte dhe kështu të sundonte burrin e saj, por e humbi barazinë, ra në tirani, në shfrytëzim nga burri, në keqtrajtim, në një jetë të hidhur, për veten e saj dhe fëmijët, që do t’i sillte me dhimbje e cila do të ishte bashkudhëtare e tyre deri në vdekje, siç na thotë edhe Sirakidi: “Prej gruas zuri fill mëkati dhe për faj të saj të gjithë vdesim”.
Eva u tundua përpara frutit të ndaluar, nga tre tundime, dëshira e mishit, lakmia e syrit dhe krenaria. Dhe çdo vajzë apo grua, që pranon këto tre tundime nga tunduesi (djalli) për të marrë dhe ngrënë frutin e ndaluar, d.m.th. për të bërë të kundërtën e asaj që ka urdhëruar Perëndia sipas ligjit të shkruar edhe moralit natyral i cili ndodhet te çdo njeri, ajo patjetër do të mëkatojë. Në fillim tek ajo do të ndizen dëshira mishore duke jetuar thjesht pa qëllim, vetëm për të ngrënë për të pirë, sipas mendësisë: “të hamë e të pimë se nesër do të vdesim”. Do të ndizet nga dëshira epshore të papërmbajtura siç thuhet: “Epshi i ndezur si zjarri djegës që nuk fiket po nuk u shpreh dhe njeriu që bën kurvëri në trupin e vet nuk pushon deri sa zjarrin ta ketë të shuar”. Profeti Amos thotë që “vajzat tuaja bëjnë kurvëri dhe gratë tuaja kurorëshkelje”. Një vajzë e tillë është: “shkak pagjumësie për atin e vet dhe si një krimb për kockat e burrit të vet”, që e tradhton dhe e turpëron na thotë përsëri Urtësia e Sirakidit. Ajo do të ndizet nga lakmia e syrit. Syri i saj nuk do të ngopet kurrë siç na thuhet: “syri lakmitar dhe ferri kurrë nuk thonë nuk duam, u ngopëm”. Ajo në marrëzinë e lakmisë së saj shkatërron shtëpinë e saj siç thonë Fjalët e Urta: “Gruaja e urtë e ndërton shtëpinë ndërsa e marra me duart e veta e rrënon”. Ajo do të ndizet nga krenaria, që është sa për të qeshur aq edhe për të qarë, do të dojë të sundojë, drejtojë burrin e saj, shtëpinë e saj, madje shtetin dhe mbarë botën dhe kur ky tundim pranohet është mjerimi i madh. “Turp e poshtërsi gruaja që merr epërsi mbi burrin e vet” thotë Sirakidi. Dhe Shkrimi i Shenjtë për këto gra rebele dhe egoiste thotë: “Më mirë e keqja e burrit se sa mirësia e gruas, prej gruas që rrjedh turpi dhe çnderimi”. Edhe këtu po flasim në përgjithësi dhe jo për ato gra të veçanta, që me fjalë edhe vepra të mira ia kaluan edhe shumë burrave.
Por diçka tjetër që e vështirëson akoma pozicionin e gruas. Shën Pavli në Letrën drejtuar Korintasve thotë: “Nuk është burri prej gruas por gruaja prej burrit dhe burri nuk u krijua për arsye të gruas por gruaja për arsye të burrit”.( I Kor. 11:8-9). Gruaja duke u krijuar nga brinja e burrit, i ka një borxh burrit të saj dhe burri abuzon me këtë. Por edhe burri Adami, për shkak të dobësisë së tij përballë gruas duke dëgjuar gruan dhe jo Perëndinë, solli konflikt dhe mallkim mbi botën, siç na e thotë Shkrimi. Dhe Zoti i tha njeriut: “pasi dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre frutin prej pemës që të pata ndaluar të hash për shkakun tënd qoftë mallkuar toka.”(Zan. 3: 17)
U zgjata në këto gjëra teologjike që na zbulon Shkrimi i Shenjtë, se këtu është çelësi për të hapur dhe kuptuar dijen e nevojshme pse gjërat janë në armiqësi dhe konfliktualitet midis burrit dhe gruas dhe jo vetëm midis atyre, por ajo shtrihet në të gjithë shoqërinë njerëzore dhe në të gjithë krijimin, dhe për këtë ka përgjegjësinë e saj gruaja e parë dhe çdo grua që vepron si ajo. “Se prej gruas zuri fill mëkati dhe prej saj të gjithë vdesim” na thotë Urtësia e Sirakut. Kështu që gratë nuk duhet të ankohen deri në mallkim kundër prindërve, burrave aq më tepër dhe kundër Perëndisë, për ato gjërat e hidhura, që ju ndodhin në jetë atyre që gabojnë si Eva, por as edhe burrat po ashtu, të cilët janë të dobët dhe gabojnë duke pranuar gabimet e grave si Adami.
Tani na del një pyetje bazike! Si këto gjëra mund të rregullohen dhe të vijnë në harmoninë e parë të unitetit, të barazisë, të dashurisë, të bashkëpunimit, të gëzimit, qëllimit të jetës bashkëshortore dhe të përmbushjes së qëllimit final për çdo burrë dhe grua e bërë sipas ikonës së Perëndisë?
Këtë gjë të prishur, konfliktuale mund ta rregullojë vetëm Perëndia!
Perëndia, si krijuesi i njeriut, burrit edhe gruas në shenjtërinë e tij, e gjykoi njeriun si shkelës të porosisë dhe e nxori nga parajsa (Edeni) por në dashurinë e tij të përjetshme kishte përgatitur planin e shpëtimit, përpara se të ishte krijuar bota. Dhe që njeriu të mos dëshpërohej totalisht e të humbiste shpresën dhe lidhjen me Krijuesin e tij, por që edhe djalli që i vodhi njeriut lirinë edhe barazinë me mashtrim, të mos mendonte se do ishte sundimtari i përjetshëm i njeriut edhe i botës, Zoti i tha djallit: “Do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj dhe fara e saj do të shtypë kokën tënde dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj”. (Zan.3:15)
Ky ishte premtimi i parë që Zoti Perëndi i dha gruas, se ajo që solli mëkatin edhe vdekjen njeriut dhe njerëzimit, po ajo do sillte Shpëtimtarin. Eva mendoi që do të ishte ajo, që nga fara e saj do të linde këtë djalë, këtë Shpëtimtar, por kuptimi nga fara e saj, fsheh një mister, një lindje virgjërore, pa farën e burrit. Eva pa që fëmijët e barkut të zënë nga fara e prishur e Adamit, u vranë me njëri-tjetrin, Kaini vrau Abelin nga smira. Edhe shumë gra të tjera të dëgjuara menduan që do të ishin ato që do të lindnin Shpëtimtarin, por ishte e pamundur sepse çdo bir gruaje, lind nga fara e burrit me mëkatin stërgjyshor, pra është dënuar që në lindje me robërinë e djallit që e ka fuqinë tek mëkati. U deshën shekuj pritje për këtë grua të bekuar, duheshin kaluar shumë peripeci, lutje, përgjërata, flijime të të bekuarve në këtë botë, që të realizohej ky premtim nga Perëndia. Por edhe Perëndia priti kohën e duhur siç na thotë edhe Shën Pavli dhe “në kohën e duhur Ati dërgoi birin të lindur prej një gruaje nën ligj”(Gal. 4:4). Kjo shprehja e dashuris së Perëndisë për njeriun, siç na shkruan ungjillori Joan; “Aq shumë e deshi Zoti botën që dha Birin e tij kush të besojë tek ai të mos humbasë por të ketë jetë të përjetshme.” (Jn. 3: 17)
Virgjeresha Maria grua më e bekuar në botë në moshën 15 vjeçe u vizitua nga Kryeengjëlli i Perëndisë, Gabrieli dhe pasi hyri tek ajo i tha me përshëndetje: “Gëzohu Mari Hirplotë Zoti është me ty, ti je e bekuar ndër gratë” dhe engjëlli i tha përsëri: “mos ki frikë Mari sepse ke gjetur hir përpara Perëndisë dhe ja ti do të mbetesh shtatzanë dhe do të lindësh një djalë dhe do t’ia vësh emrin Jisu. Dhe Mariama i tha engjëllit – “Si do të ndodhë kjo përderisa unë nuk njoh burrë” dhe engjëlli duke iu përgjigjur i tha: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe fuqia e të lartit do të hijesojë ose do të mbulojë me hirin e vet prandaj i shenjti që do të lindë prej teje do të quhet bir i Perëndisë” dhe pasi i mendoi të gjitha dhe e besoi jetën e saj në përkujdesjen hyjnore në emër të çdo gruaje dhe të gjithë njerëzimit tha: “Ja shërbëtorja e Zotit le të më ndodhë sipas fjalës sate”.(Lk. 1. 28; 30; 31; 35; 38).
Bindja e saj solli gëzimin e shpëtimit në vend të hidhërimit të mosbindjes së Evës, solli jetën në vend të vdekjes, ajo na futi përsëri në parajsë nga ku na largoi rebelimi i gruas, prandaj ajo quhet Eva e re, që nga “fara e saj” solli Adamin e ri Jisuin Shpëtimtarin, Perëndi-Njeriun. Në këtë lindje virgjërore pa farë buri, ajo lau borxhin që gruaja i kishte burrit, siç thotë dhe apostull Pavli: “Sepse si gruaja vjen nga burri ashtu edhe burri u lind nëpërmjet gruas dhe çdo gjë vjen nga Perëndia” ( I. Kor. 11:12). Ajo vendosi gruan në vendin e saj të nderit, u fronëzua nga Perëndia përkrah Adamit të ri si Mbretëreshë e qiellit dhe e dheut, gëzimi i engjëjve dhe shpëtimi i njerëzve, duke sjellë shumë bij e bija në lavdi të përjetshme. Për këtë qëllim Zoti e krijoi gruan dhe ky është roli i saj në rendin e ri të krijimit “ku nuk ka më burrë dhe grua por të gjithë janë një në Perëndinë” (Gal. 3:28)
Patjetër që çdo vajzë, grua ose nënë nëpërmjet Hyjlindëses zonjës Shën Mari, do të ndihet e privilegjuar që u krijua e tillë, pra grua, dhe do të vlerësojë rolin që ajo ka në planin e Perëndisë për shpëtimin jo vetëm të vetes por edhe të burrit, të fëmijëve, familjes dhe të shoqërisë ashtu siç thotë dhe apostull Shën Petro edhe “nëse disa nuk iu bindën fjalës, të fitohen pa fjalë, me sjelljen e grave pasi të shohin sjelljet tuaja të dëlira dhe me frikë”. (I Pje.3:1)
Por që të arrihet kjo gjë kaq e madhe fisnike, flijuese dhe e lavdëruar, nuk mjafton vetëm dëshira, as njohuria, as edukimi apo kultura as edhe vullneti, as flijimi i vetvetes, por hiri i Perëndisë, pa të cilin nuk bëjmë dot asgjë të mirë. Hiri i Perëndisë që do të thotë dhuratë e pamerituar,meret me anë të lutjes. Vetë Zoti Krisht tha; “lutuni se do t’ju jepet”. Lutja është burimi i të gjithë virtyteve, jeta e Hyjlindëses deri në fund ishte një jetë lutjeje dhe falenderimi dhe një grua që nuk lutet si ajo, kurrë nuk mund të përmbushë qenien e saj dhe nuk mund të nisë dhe përfundojë asnjë punë të mirë si për veten dhe për familjen. Por çfarë duhet të kërkojmë, të hamë, të pimë, të vishemi? Këto nuk janë kërkesat e duhura të një bije të Perëndisë. Vetë Zoti Krisht tha “mos kërkoni se ç’të hani dhe ç’të pini dhe mos jini në merak sepse njerëzit e botës i kërkojnë të gjitha këto por Ati juaj e di që ju keni nevojë për këto. Kërkoni më parë Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe gjithë këto do të jepen”. (Math. 6:25)
Një tjetër hir dhe virtyt i Zonjës Hyjlidëse, gruas më të bekuar nga të gjitha gratë, që duhet imituar nga gratë është përulësia me bindje të thellë e saj ndaj vullnetit të Perëndisë. Shën Pavli na ndihmon kur na thotë në Letrën drejtuar Efesianëve: “Gratë le t’ju binden burrave sikurse Zotit sepse burri është kryet e gruas sikurse edhe Krishti është kreu i Kishës, sikurse Kisha i bindet Krishtit ashtu edhe gratë t’u binden burrave”. (Ef. 5:22-23). Kisha simbolizohet me Hyjlindësen, tempull i gjallë i Perëndisë ose “platitera” më e gjerë se qiejt. Sot këto fjalë të Shën Pavlit për shumë gra që janë kapur nga fryma e botës rebele, do t’ju duken të rënda si të një maskilisti, që i urren gratë, që do t’i tiranizojë ato dhe kërkon t’i japë burrave liri dhe pushtet absolut mbi gratë. Por ato që mendojnë kështu gabohen sepse apostulli, i frymëzuar nga Perëndia, burrave ju ka urdhëruar një detyrë më të rëndë se ajo e bindjes në gjithçka që u kërkohet grave. Ai iu thotë burrave: “Ju burra t’i doni gratë sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të” (Ef. 5:25). Pra ai i urdhëron jo vetëm dashuri pa kushte ndaj grave të tyre, por edhe flijim për ato.
Kur një grua nuk i bindet burrit të saj ajo nuk i bindet Perëndisë, siç bëri Eva në Eden dhe i prishi të gjitha me pasoja katastrofike për vete, burrin, fëmijët dhe gjithë krijimin, që lëngon nën peshën e mallkimit. Një grua që kërkon të bëjë drejtuesin në familje duke anashkaluar me qëllim burrin, i ngjan një trupi që lëviz pa kokë, pa mendim, pa orientim. Shkrimi i Shenjtë thotë: “mos i jep pushtet gruas mbi vetvete që të mos të mbizotërojë dhe të turpërohesh” ose “mjerim i madh turp e poshtërsi gruaja që merr epërsi mbi burrin e vet”. Vajzat, gratë, nënat duhet të imitojnë bindjen dhe përulësinë e Hyjlindëses, që kështu të fitojnë dashurinë e burrave, urimet e fëmijëve dhe mbi të gjitha bekimet e Perëndisë.
Një tjetër virtyt të Hyjlindëses, që duhet imituar nga gratë, është ai të qenit Nënë.
“Engjëlli i tha mos ki frikë Mari sepse ke gjetur hir përpara Perëndisë, ja do të mbetesh shtatzanë dhe do të lindësh një djalë dhe do t’i vendosësh emrin Jisu, ky do të jetë i madh dhe do të quhet bir i Perëndisë shumë të lartë”(Luk 1; 31-32) Shën Pavli thotë përsëri se: “Gruaja do të shpëtojë duke lindur fëmijë”. Shën Pavli nuk do të thotë që gruaja është si ara që duhet të japë sa më shumë prodhim, si shikohet në fetë e tjera. Ajo duhet të lindë fëmijë për gëzimin e saj, që lindi një qenie njerëzore në botë, por jo vetëm kaq. Ajo duhet të rritë dhe përgatitë fëmijë sipas vullnetit të Perëndisë për të mirën e shoqërisë njerëzore. Dikush ka thënë: “Nënat në shtëpi tundin djepe, por që do të kthehen në frone që në to, do të ulen ata që do qeverisin botën”. Këtë detyrë të lartë flijuese, Zoti ia dha gruas. Prandaj e mbushi zemrën e saj me dashuri, qenien e saj me butësi dhe delikatesë, që vetëm ajo di ta shfaqë për fëmijën e saj që kurrë nuk do ta harrojnë dhe kur janë në rrezik për jetën, në çdo vështirësi, do të thërrasin o Zot, o nënë. Gruaja që nuk mund të lindi fëmijë,nuk është e mallkuar, por është thirur në një shërbim të veçantë ndaj Zotit, të bëhet nënë shpirtërore ose duke adabtuar fëmijë të braktisur,kjo më e lartë se amësia natyrale.
Jo më kot sot gruaja nga “forca të errëta” u nxor me një plan nga shtëpia, duke u quajtur një forcë e madhe por për çfarë? Për punë, për luftë, për mësim, drejtim, qeverisje, duke vendosur edhe për fatet e botës. Po për fatin e fëmijës dhe të familjes së saj kush do të mendojë, kush do t’i rritë ata, kush do ta bëjë nënën e fëmijëve të saj veç asaj. Ky është një plan shum diabolik, që kërkon të shkatërrojë marrëdhënien burrë-grua, nënë-fëmijë d.m.th. familjen qelizën e shoqërisë dhe pastaj gjithë njerëzimin. Prandaj fëmijët rriten sot, të pangopur me dashuri dhe kështu të paaftë për të dashur, duke u bërë ndaj prindërve mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se Perëndidashës, ky është produkti që i del sot shoqërisë nga gruaja si “forcë e madhe”.
E megjithëse gjërat janë ngatërruar kaq shumë sa “ç’mund të bëjë i drejti”, prapë gruaja, duhet të dijë mirë se ajo n.q.s. dështon në rritjen e fëmijëve të saj, nuk ka bërë asgjë dhe ka dështuar në qëllimin e jetën si grua, si nënë. Ajo nuk do të justifikohet dot përpara gjyqit të drejtë të Perëndisë, i cili do t’i bëjë një pyetje çdo gruaje që u bë nënë. “Çfarë bëre me fëmijët që t’i besova, që t’i rritësh dhe t’i mësosh për dashurinë?”
Ç’mund të themi pastaj se si mund të justifikohet një grua, që vret fëmijët e saj, me anë të abortit, ose i braktis ata për kënaqësitë dhe karrierën e saj. Që në këtë jetë çdo grua që u bë nënë, do ta korrë frutin e saj nga vetë fëmijët e saj. Thuhet se një djalë i ri u dënua me vdekje për një krim dhe kërkoi si dëshirë të fundit t’i sillnin nënën e tij përpara. Ai i kërkoi asaj t’i nxjerrë gjuhën dhe ai ia kafshoi. Kur i thanë pse e bëre këtë, ai tha: Kjo gjuhë që nuk më qortoi më solli këtu. Por e kundërta do të ndodhë me atë grua që do të bëjë detyrën e saj prej nëne. “Bijtë e saj do të ngrihen dhe do ta shpallin të lume, e burri i saj e lëvdon e i thotë – shumë gra kanë bërë gjëra të mëdha por ti i kalon të gjitha ato”. ( Fjalët e urta 31:28)
Le të flasim edhe për diçka tjetër që ndodhi me dy gratë më të rëndësishme në historinë e njerëzimit.
Eva gruaja dëgjoi dhe dialogoi me djallin një engjëll të rënë dhe u gënjye duke sjellë lajmin e keq bashkë me hidhërimin e vdekjes burrit të saj. Ndërsa Maria Eva e re dëgjoi Gabrielin kryeengjëllin besnik të Zotit dhe kështu u bë nismëtarja e shpëtimit tonë dhe e gjithë krijimit. Jo pa qëllim Krishti i ngjallur iu shfaq në fillim grave miraprurëse duke i urdhëruar që të lajmërojnë apostujt burra, lajmin e mirë se Krishti u Ngjall. Kështu çdo grua duhet t’i përngjajë Hyjlindëses dhe grave miraprurëse, që në shtëpi, te burri, te fëmijët ajo të sjellë lajmin e mirë që vjen nga Perëndia, fjalën e Zotit. Por ka fatkeqësisht edhe nga ato gra që në paditurinë, mendjelehtësinë, egoizmin dhe ligësinë për hakmarrje kundër burrave, konsultohen me demonë që iu shfaqen si engjëj drite, ose me fallxhorë, mediumë, magjistarë, astrologë, horoskopë ose me fetë lindore, filozofitë bashkëkohore ose praktikojnë joga dhe çdo lloj spiritizmi. Kjo është një e keqe e madhe për atë vet dhe shtëpinë ku ajo qëndron, siç thuhet “ka të keqe por jo si e keqja e gruas,e vogël është djallëzia e krahasuar me djallëzi të gruas”. Kur djalli babai i gënjeshtrës gënjen gruan e parë që ishte pa mëkat, ai çdo grua mund ta gënjejë që të gabojë. Një grua e tillë e papenduar nuk do ngelet pa u ndëshkuar. Ja çfarë thotë Zbulesa për të tilla gra të papenduara që shkojnë te magjistari dhe bëjnë magji. “Dhe i dhashë kohë që të pendohet për kurvërinë (magjitë) e saj, por ajo nuk u pendua. Ja, unë e flakë atë në një shtrat vuajtjesh, dhe ata që kurvërojnë me të, në shtrëngim të madh, po nuk u penduan për veprat e tyre; Dhe do t`i godas me vdekje bijtë e saj” (Zbul 2:21-22)
Zonja Shën Mari gruaja më e bekuar nga të gjitha gratë u thir nga engjëlli, “gëzohu o hirplotë” pra e stolisur me hirin e Shpirtit të Shenjtë. Ajo është më e bukura nga të gjitha gratë,siç e thotë Bibla; “Një shenjë e madhe u duk në qiell; një grua e veshur me diellin, dhe me hënën poshtë këmbëve të saj,dhe mbi krye të saj një kurorë me dymbëdhjetë yje” (Zbul. 12:1). Çdo grua e dëshiron bukurinë, është në natyrën e saj, është në nderin e saj. Por për kë bukuri po flasim, për atë të jashtmen që është shpesh provokuese, skandal ku shumë gra përfitojnë dhe e përdorin në instiktin mëkatar, për t’i tallur burrat dhe për t’i robëruar në dëshirat e tyre siç na thonë edhe fjalët e urta: “Mos e dëshiron në zemrën tënde bukurinë e saj, mos u rrëmbe nga qepallat e saj sepse për një prostitutë, burri katandiset për një copë bukë dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri” (Fj. Ur. 6:25). Ka edhe një tjetër bukuri të jashtme që një grua mendjelehtë e bën krenare, fodulle, duke i përçmuar të tjerët sikur ka diçka që nuk e ka marrë, por për të tilla gra përsëri Shkrimi i Shenjtë na thotë “si një unazë ari në feçkën e derrit është një grua e bukur por pa mend” Shën Pjetri thotë “Stolia juaj të mos jetë e jashtme, flokë të gërshetuar, stoli me ar, veshje rroba luksi, por mundohuni të stolisni zemra me shpirt bukurie te pakalueshëm, të butë, të ëmbël që është e çmueshme para Perëndisë.”(1 Pjetrit 3:3-4)
“Hijeshia është e rreme, dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet” Fjalët e Urta.
Së fundi, ajo që ndodhi me të Përmbishenjtën Gjithmonë Virgjëreshën Zonjën Hyjlindëse Shën Mari, më të bekuarën ndër gratë, ndodh me të gjitha ato gra që imitojnë jetën e saj të shenjtë plot përulësi, bindje dhe dashuri flijuese, së bashku me Atë të gjitha, vajzat, gratë, nënat do të jenë të bekuara dhe do të jenë në krijimin e ri në Mbretërinë e Zotit, më të nderuara se Keruvimet dhe më të lavdëruara pa krahasim se Serafimet, n.q.s. ndjekin shembullin e saj që tha: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë sipas fjalës sate”.(Lk. 1: 38)
Shën Vlashi peshkopi martir i Sebastes në Arbëri
Publikuar në Dt 11/02/2017 në Tirana Observer & BalkanWeb. Shkrim i Përgatitur nga Miron Çako
Sebaste është emër i një qyteti të lashtë, një qytet i tillë gjendej në Armeni. Por Sebaste ka ekzistuar edhe në Arbëri, ku sot shtrihet qyteti i Lacit. Sinaksarët e kishës na thonë se në Sebaste shek.IV jetonte një i krishterë me emrin Vlash, episkop i Sebastes, i cili për shkak të shërbimit të tij apostolik, ra në syrin e autoriteteve romake të cilët i përndiqnin të krishterët sepse nuk pranonin t’u faleshin “perëndive” të shtetit romak ose vetë perandorit si “zot”, por i faleshin Zotit Jisu Krishtit, që për romakët ishte një jude i rëndomtë që u kryqëzua në kohën e Pontit Pilat, guvernator i Romës në Jeruzalem. Kjo përndekje filloi në vitin 64 ps.Kr. me urdhër të Neronit famëkeq, që i akuzoi padrejtësisht të krishterët si zjarrvënës të Romës, e cila zgjati tre shekuj me gati 11 milionë martirë edhe përfundoi me Indiktin e Milanos 313 ps.Kr nga marrëveshja e Kostandinit të madh dhe Licinit që shpallën të lirë fenë e krishterë.
Në vitin 307 ps. Kr. guvernatori Agrikola dha urdhër arresti për shenjtorin, i cili u fsheh në një shpellë përballë qytetit, ku i bënin shoqëri kafshët e egra, të zbutura nga hiri i shenjtorit. Atje i fshehur në shpellë lutej dhe priste vullnetin e Perëndisë në lidhje me martirizimin e tij. Kur u spiunua nga disa gjahtarë, ushtarët romakë e gjetën shenjtorin dhe ai pranoi t’u dorëzohej pa rezistencë. Mbasi e zbritën nga mali Argeo (i bardhë) e çuan në një tempull pagan, e lidhën në një shtyllë duke e linçuar që të mohonte besimin e krishterë, por ai nuk e mohoi dhe më në fund e martirizuan me prerje koke në 11 shkurt 307 ps.Kr. Kulti i Shën Vlashit që nga shek. i VII u përhap në Europë dhe sidomos në zonën veriperëndimore të Ballkanit, nga Durrahion (Durrësi) deri në Raguzë(Dubrovnik) ku janë ndërtuar afro 30 kisha në nderim të shenjtorit.
Ky fakt ngre një pyetje; përse ky nderim kaq i përhapur për Shën Vlashin, veçanërisht në këtë zonë larg Sebastes së Armenisë?
Por shumë studiues janë të mendimit se kemi të bëjmë me dy shenjtorë me të njëjtin emër, por dhe me të njëjtin fund martirik. Pra me Shën Vlashin, martir në Sebaste të Armenisë dhe Shën Vlashin, episkop martir të Sebastes në Arbëri. Ky fenomen i mbivendosjes së jetëve të shenjtorëve është diçka e njohur, duke pasur parasysh kohën e trazuar kur kanë ndodhur këto ngjarje martirike, po ashtu gabimet njerëzore të kopjuesve të teksteve edhe për shkak të ngjashmërisë së emrave dhe jetëve të shenjtorëve.
Por le të flasim më konkretisht në lidhje me hipotezën, se në Sebaste të Arbërisë ka shërbyer një episko martir me emrin Vlash. Krishtërimi në Shqipëri është apostolik d.m.th. ai është marrë nga vendasit, direkt nga goja e apostujve nxënësve të Krishtit. Në hapësirën Arbërore të përshkuar nga rruga Egnatia që lidhte lindjen me perëndimin, kanë predikuar fjalën e Perëndisë apostull Pavli, apostull Andrea dhe apostull Luka. Në letrën e apostull Pavlit drejtuar Romakëve në vitin 57 ps.Kr. ai shkruan: “Kështu prej Jeruzalemit e përqark gjer në Iliri kam kryer shërbimin e Ungjillit të Krishtit” (Rom.15:19). Madje apostull Pavli në qytetin e Dyrrahion( Durrësit) themeloi bashkësinë e parë të krishterë, duke lënë si peshkop të parë Shën Qesarin dhe më pas u vendos Shën Asti peshkop martir i cili u dënua me vdekje në vitin 116 nga perandori Trajan dhe sundimtari vendas Agrikola. Zona e Ilirisë ka qenë episkopatë që në shek. IV. Dioqezat në fillim vareshin nga Kryepiskopata e Romës deri në vitin 732 ps. Kr. kur Leon III Izauri i ndau provincat lindore nga Roma dhe i bashkoi me Kostandinopolin, që atëherë dioqezat e krishtera të Ilirisë hynë në administratën e Kostandinopolit. Patriarkana e Romës ose siç u quajt papati, jo vetëm që kishte në administrim disa nga dioqezat Dalmate, por pas vitit 1054 (skizma e madhe me Kishën e Lindjes) u përpoq t’i zgjerojë dioqezat në favor të saj, duke sulmuar bregdetin lindor të Adriatikut dhe i vuri shumë rëndësi peshkopatës së Tivarit dhe të Raguzës, duke ndikuar që besimtarët e atyre zonave të shkëputeshin nga riti orthodhoks i Lindjes. Por pavarësisht përpjekjeve pati rezistencë nga popullata dhe kleri, për të qëndruar në ritin orthodhoks të Lindjes. Me rënien e Kostandinopolit nga kryqëzata e IV në 11 prill 1204 ps. Kr. frankët e mbajtën Kostandinopolin në sundimin e tyre për 60 vjet. Në pjesën veriore të Arbërisë në vitin 1236 ps.Kr. u vendosën murgj frankë benediktianë, e pastaj në vitin 1238 ps.Kr. u vendos urdhëri Françeskan në Durrës, me qender Kryepiskopatën e Raguzës, deri në vitin 1402 kur françeskanët e Shqipërisë shpallën kustodi më vete. (Custodia Durracensis).
Kuvendi franceskan ku gjendet edhe sot e kësaj dite në Sebaste – Laç u ndërtua në vitin 1340 ps.Kr. dhe patjetër, në një vend të shenjtëruar dhe mbi mbetjet e një tjetër objekti kulti me një histori të lashtë në nderim të një shejntori Shën Vlash, emrin e të cilit mbante edhe shpella. Kush ka bërë pelegrinazh në kishën e Lacit ose të shën Ndoit (Antonit), pelegrinët nuk mund ta quajnë të plotë pelegrinazhin n.q.s. nuk hyjnë në shpellën që gjendet përballë një faqe mali ku ka qenë qyteti i Sebastes. Brenda shpellës në tavanin e saj është një gjurmë ku njerëzit vendosin kokën e tyre, po ashtu edhe përgjatë rrugës ka gjurmë që besimtarët i nderojnë deri poshtë në këmbët e malit, tek vendi që quhet gjurmët e para. Besimtarët në përgjithësi ia atribuojnë këto gjurmë shën Anoit, por kjo nuk qëndron sepse nuk ka fakte historike dhe nuk ka bazë logjike sepse Antoni i Padovës (1195-1231) pavarësisht famës si shejnt katolik mrekullibërës, nuk ka shkelur në Shqipëri, ai ishte me origjinë nga Lisbona e Portugalisë, u bë murg i rregullit agustinian, por mbasi u njoh me Françeskun e Hazizit (1181-1226 ) u bë pjesë e vëllazërisë franceskane dhe veproi si prift dhe predikues në qytetet e Italisë, deri sa fjeti (vdiq) në 13 qershor 1231 ps.Kr. dhe u varros në Padova të Italisë.
Ajo që na e bën më intriguese historinë janë faktet që na vijnë nga studiuesit dhe klerikët katolikë në lidhje me shenjtorin Shën Vlash peshkopin martir, të cilat provojnë se ai ka asketizuar në shpellën e kishës së Lacit.
Në vitin 1664 ipeshkvi Mark Skura, në një raport që i dërgonte Selisë së Shenjtë, ndër të tjera shkruan: “Atje gjendet shpella e Shën Vlashit martir, i cili qe kapur nga disa burra që thirreshin agrikola, tri milje larg qytezës së Sebastës’’.
Në librin “Famullia e Bizës” P. Viktor Volaj shkruar në vitin 1961 gjejmë këto fakte të shkruara nga autori si famulltar i fundit i famullisë së Bizës, para mbylljes së kishave në Shqipëri në vitin 1967. Por përveç shpellës së Shën Vlashit në fshatin Draç, në Kepin e Rodonit gjenden edhe sot rrënojat e një kishe që njihet si kisha e Shën Vlashit. Ajo ka qenë një kishë e dëgjuar për zonën ku frekuentohesh jo vetëm nga të krishterët por edhe myslimanët, të cilët shkonin për të marrë ndihmë. Në libër citohet edhe ky fakt nga autori, ipeshkvi Skura thotë: “’Se ai ka kishën e Shën Vlashit vendosur në fshatin Drac, ku për shumë vjet pushonte trupi i këtij shenjti’’, pa hime e pa prift e gati e rrënume”. Duket se në këtë gjendje mbeti deri në kohën e imzot Rafael D`Ambrogios, i cili e ndërtoi siç shihet nga ky shkrim: “Në vjetin e Zotit 1869 më 5 maj- Unë Fr Rafaeli, si më nalt bekova soleminish kishëzën kushtue Shën Vlashit Ipeshkëv e Martir, i cili qe ndërtuar në vjetin e lartpërmendur në fshatin e Drraçit të famullisë të Bizës”. Ky fakt që na përmendet në libër tregon, për një rindërtim të kishës së Shën Vlashit në Draç, përmbi atë ekzistuese. Kisha ka qenë shumë më e vjetër sepse sipas traditës kishtare, atje ku ndodheshin lipsanet (eshtrat) e shenjtorëve martirë, ngrihet mbi to një kishë. Këtë na e vërteton edhe fakti më poshtë.
Autori P. Viktor Volaj shkruan se: “Në krahinën e jugut nën kishë gjendet një birucë në trajtë shpelle që e thërrasin ‘’shpella e Shën Vlashit‘’. Aty gjendet edhe një copë koc (lipsan), që thonë se është e shenjtit. Duket se është pjesë e ashtit të kambës dhe krahit, por në kohët e vona e kanë dëmtue. Përmbi këtë çashtje ka shkruajtur një studim të qashtër dhe të rëndësishëm at Shtjefën K.Gjeçovi, me titull “Sebaste në Arbëri apo në Armeni”, tue marrë në shqyrim gjithë ata që kanë shkruajtur në provë kundër kësaj teze. Autori përfundon duke pranue dy shenjtër me të njëjtin emër, Shën Vlashin ipeshkëv e dëshmor, mundue nën Dioklicianin e Sebastes së Arbërisë dhe Shën Vlashin dëshmor të martirizue nga Licini në Sebaste të Kapadocias.
Ky studim merr shkak e mbështetet mbi studimin e P.Urban Talia, mbi Shën Vlashin 1916. Ky autor na thotë se në vitin 1760 ekzistonte në kishën e fshatit Draç shkrimi i shkruar në latinisht: “Hic,iacet,korpus,Beati,Blasii,Episkopi,et Martyrys .’’ (Këtu pushon trupi i të lumit Vlash ipeshk dhe martir). Ështe për t’u shënue se edhe në vulën e Provincës Françeskane Shqiptare, si tregon historian i urdhërit, F.Gonzaga, përbrinjë kryepajtores, Zonjës Nunciat, këndohet edhe emri i shën Vlashit’’. Sidoqoftë tradita nuk është rrespektue aspak se koci (lipsani) gjendet në një skaj të shpellës pa kurrfarë nderimi’’(Shkëputur nga libri “Famullia e Bizës”).
I këtij mendimi është dhe mitropoliti i Korçës Hirësi Joani, i cili thotë: “Por në vendin tonë ekziston një traditë jashtëzakonisht e vjetër dhe shumë e gjallë që një shenjtor, peshkop me emrin Vlash ka jetuar në Sebaste të Arbërisë. Sebastja ndodhet atje ku sot është një kishë Françeskane kushtuar Andonit të Padovës, por shpella që është dhe objekti kryesor i nderimit, sipas përkushtimit dhe besimit popullor gjithmonë i kushtohej Shën Vlashit. Dhe kjo që po themi tani nuk është diçka që e themi vetëm ne këtu në Shqipëri. Ka edhe shumë studiues të tjerë, që mendojnë të njëjtën gjë, që ndoshta mund të kenë jetuar dy shën Vlashë, një shën Vlash që ka qenë martir në Sebaste të Armenisë dhe një shën Vlash tjetër, që ka qenë peshkop dhe martir në Sebaste të Arbërisë”.
Hirësi Joani vazhdon dhe thotë: “Në të gjithë këtë territor duke filluar nga Durrësi e deri në Mirditë ka jashtëzakonisht Kisha kushtuar Shën Vlashit dhe në një territor kaq të vogël të ketë kaq shumë kisha kushtuar këtij shenjti do të thotë që në këtë vend, nderimi, përkushtimi për këtë shenjtor, ishte jashtëzakonisht i madh nëpër shekuj. Çdo studiues që do të shfletojë dokumentat e vjetra, do të shikojë përhapjen e madhe në këtë vend kaq të vogël të kishave të shumta kushtuar këtij shenjti, që është një shenjë që tregon që në ndërgjegjjen e njerëzve dhe në përkushtimin e njerëzve, ky shenjt kishte zënë një vend jashtëzakonisht të madh. Dhe nëse nuk do kishte qenë dikush që do kishte jetuar dhe do kishte lënë një gjurmë nuk mund të ishte përhapur kjo gjurmë kaq gjatë dhe në gjithë këtë zonë. Duke filluar nga Draçi i Bizës që ndodhet në breg të detit, afër Kepit të Rodonit ku tradita thotë që është varrosur për herë të parë Shën Vlashi e bashkur me traditën se në Kroaci, në Dubrovnik, në Raguzën e vjetër, ku ruhet dhe lipsani i Shën Vlashit, thotë se eshtrat u morën pikërisht nga Kisha e Draçit dhe aty është zbuluar një pllakë varri në të cilin thoshin këto fjalë: “Këtu prehet peshkopi martir, Shën Vlash”. Kështu që ka mundësi të kenë qenë dy shën Vlashë, një shën Vlash martir dhe luftëtar në Armeni dhe një peshkop dhe martir në Shqipëri, në zonën e Kurbinit në Laç. Por ajo që duam ne të përmendim është pikërisht kjo gjë, kjo traditë e ngulitur thellë në Shqipëri, në Kroaci, që shën Vlashi ka jetuar këtu nuk mund të ngrihej pa baza. Vendi, shpella, nderimi i madh nga gjithë këto popuj, numri i madh i kishave kushtuar shën Vlashit në këtë territor kaq të ngushtë japin mendimin që është e mundur që të kenë ekzistuar dy shën Vlashë, njëri martir shumë i njohur në Sebaste të Armenisë dhe një tjetër peshkop dhe martir në Sebaste të Arbërisë.” (intervista me mitropolitin e Korçës Hirësi Joanin)
Pra gjithë këto dëshmi të bazuar në fakte historike dhe të traditës, na tregojnë bindshëm se në shpellën e Kishës së Lacit në shek. IV ka asketizuar një peshkop i cili la gjurmët e trupit të tij, përgjatë gjithë rrugës që e keqtrajtonin, që më pas e kanë sjellë në një kodër afër qytetit të (Dyrrahin) Durrësit, ku atje u martirizua, trupi i tij u varros në fashtin (Delaras) Draç dhe më vonë lipsani i tij për të mos u shkatërruar nga hordhit turke, u dërgua nga franceskanët në Raguzë ku ishte edhe qendra e tyre. Lipsanet e shën Vlashit ndodhen edhe sot e kësaj dite në një kishë katedrale me emrin e shenjtorit dhe nderohen nga besimtarët e vendit si mbrojtësi i qytetit të Dubrovnikut.
Por nga të gjitha këto vende të shenjtëruara nga prania e shenjtorit dhe lipsanit të tij , më i rëndësishmi ka qenë vendi i martirizimit ku mbi atë u ndërtua një kishë katedrale që në shek XVI, por ndoshta edhe më shpejt sepse sipas studiuesit Dhori Qiriazi na thuhet: “Kur perandori bizantin Mihal Komneni mori lipsanet e Joan Vladimirit nga Shirgji i solli ato në Durrës dhe eshtrat u ruajtën në manastirin e shën Vlashit deri sa Karl Topia i shpërnguli ato në Elbasan, dhe ngriti për nder të tij manastirin e shën Joan Vladimirit. Në vitin 1831 Karl Topia e ringriti atë tempull dhe e bëri tri herë më të madh. ” (Krishtërimi në Shqipëri, Dhori Qiriazi).
Në këtë manastir deri në vitin 1967 ka qenë edhe guri i cili besohej si pjesë e shtyllës ku u lidh dhe u martirizua shenjtori, guri gjithmonë djersitej dhe njerëzit besimtar i luteshin shenjtorit dhe sillnin njerëz të sëmurë që të shëroheshin. Në atë vend janë bërë shumë mrekulli të dokumentuara dhe në librat e kishës. Manastiri vazhdonte jetën e tij normale gjatë rrjellës shekullore duke qenë vend ngushëllimi. Por në 2 shkurt të vitit 1967 gjimnazistë të shkollës “Naim Frashëri” Durrës, në nismën: “Ti hapim luftë fesë dhe zakoneve prapanike” u turrën në manastirin shekullor të shën Vlashit, i famshëm edhe për gurin e shenjtë, për ta tjetërsuar në qendër kulturore shëndetësore. Populli besimtar reagoi, pati arestime dhe burgime për besimtarët që donin të mbronin manastirin nga kjo turmë esterike e indoktrinuar nga ateizmi komunist. Ky veprim i dhunshëm që filloi më 2 shkurt të vitit 1967 i instrumentalizuar nga Partia Komuniste në pushtet vazhdoi si një reaksion negativ për të prishur objekte të tjera kulti, duke e kthyer Shqipërinë një gërmadhë të shëmtuar pa vlera shpirtërore dhe kulturore, e ngjashme me luginën e “hijes dhe të vdekjes”.
Më vonë si shumë kisha edhe kisha e manastirit të shën Vlashit u rrënua ,ndërtesa e saj u kthye në martenitet dhe në depo. U shpërngulën eshtrat e të vdekurve. Gurin që për shekuj besimtarët gjenin shërim me lutjen e shën Vlashit e shkatërruan e coptuan me varre dhe pastaj e humbën. Manastiri i shën Vlashit ishte i pari objekt kulti që u përdhos dhe mbas tij objekte të tjera kulti të të gjitha feve të cilat u tjetërsuan, në stalla, depo, reparte ushtarake etj. Madje kaq i fiksuar ishte shteti ateist sa me urdhër të Komitetit Qendror, iu ndryshua emri i fshatit nga shën Vlash në Vrin. Banorë të fshatit dëshmojnë se gjatë kohës të ateizmit, vinin fshehtas besimtarë nga Durrësi dhe zona të tjera dhe faleshin fshehurazi duke hapur gropa dhe fshehur qirinjtë që të mos dukeshin. Disa prej tyre që jetojnë, dëshmojnë për shfaqje të shenjtorit që iu jepte zemër dhe shpresë besimtarëve dhe qortonte të pabesët që përdhosnin vendin e shenjtë. Kjo gjendje tragjike dhe absurde zgjati deri në vitin 1996 ku me bekimin dhe fondet e mbledhura nga Fortlumturia e tij Kryepiskop i K.O.A.SH + Anastasi, filloi rindërtimi i kishës dhe i godinave të manastirit që zgjati deri në vitin 2001. Kështu me këtë rindërtim iu kthye nderi dhe lavdia e dikurshme e këtij vendi të shenjtë. Sot manastiri është një oaz, një klinikë shpirtërore, ku përgjatë gjithë vitit dhe sidomos më 11 shkurt ditën në përkujtim të shenjtorit njerëz besimtarë, jo vetëm të krishterë, të lodhur nga rutina e jetës së përditshme, të mbingarkuar nga streset e kohës dhe barrat e mëkatit me sëmundjet e mundimshme, vijnë të paqtohen, qetësohen dhe shërohen nga Hiri i Perëndisë, që buron prej shekujsh në këtë vend të shenjtëruar nga martirizmi i shën Vlashit, episkopit i Sebastes të Arbërisë.
Kush e ka krijuar njeriun, kur dhe përse ?
Publikuar në Dt 23/01/2017 : Tirana Observe & BalkanWeb. Nga Miron Çako, përgjegjës i Zyrës së Katekizmit në KOASH
Qenia humane, është e ndryshme nga të gjitha qeniet ekzistuese në planetin tokë, sepse përveç instiktive të sigurimit të ushqimit dhe riprodhimit si të gjitha gjallesat, njeriu ka edhe mendje, për të arsyetuar dhe nuk qetësohet derisa t’i japë përgjigje pyetjeve ndaj mistereve të jetës, dhe sidomos asaj më bazike: “Kush na ka krijuar, kur edhe për çfarë?
Njeriu që në kohët e lashta, duke mos gjetur tek vetvetja fillimin e ekzistencës, po ashtu as tek çdo qenie e krijuar në këtë botë, i hodhi sytë drejt qiejve, drejt dritave të largëta, sundues gjatë ditës (diellit) dhe sundues gjatë natës (hëna dhe yjet).
Ai me paditurinë e tij foshnjarake, i imagjinoi këto si “perëndi” dhe i adhuroi si krijuesin e tij, duke iu ndërtuar në tokë tempuj, faltore dhe një sistem praktikash okulte plot simbolika, bashkë me flijimet e bimëve, dhe njerëzve. Këto perëndi u quajtën “hyjni,” d.m.th. ishin ose banonin në yjet. Dielli duke qenë ylli më i afërt dhe me ndikimin më të madh në tokë, në botën bimore, shtazore dhe veçanërisht në atë njerëzore, u adhurua më shumë nga të gjithë hyjnitë dhe pothuajse në të gjitha qytetërimet e lashta, sumere, persiane, babilonase, egjiptiane, azteket, fiset maja, greke, romake. Egjiptasit e quanin Horus, grekët Helios, romakët Sole. Në vitin 247 pr.Kr. perandori Aurel e adoptoi këtë “perëndi” dhe e bëri si perëndi supreme të Perandorisë Romake, duke e quajtur Sol-Invictus (Dielli i Pamposhtur).
Dielli është parë nga paganët jo vetëm si krijuesi i jetës, por edhe si ndihmës në riprodhimin e njeriut, prandaj martesat që në lashtësi bëheshin ditën e diel, që është dita e diellit, madje kur vdiste njeriu e vendosnin me fytyrë nga dielli që të mund të shikonte krijuesin e tij.
Gjithë ky adhurim shekullor i diellit si “krijues i jetës dhe njeriut” mori një krisje kur në botë u shfaq për herë të parë një fe monoteiste (besimi në një Perëndi), i cili e ka zanafillën me Abrahamin 2000 vjet pr.Kr. Ai mohoi idhujt dhe besoi një Perëndi trashedente. Ky Perëndi i Abrahamit, Isakut dhe Jakovit u bë Zoti i Izraelit. Me anë të Moisiut 1500 vjet pr.Kr. Izraeli i skllavëruar për 430 vjet, u nxor nga Egjipti idhujtar dhe në malin Sina Zoti Perëndi i flet popullit hebre: “Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë. Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh, sepse unë jam Zoti, Perëndia yt…” (Eks 20: 2-5.Moisiu ishte shkrimtari i pesë librave të parë të Biblës) (Pentauteku). Ai i frymëzuar sipas zbulesës së Perëndisë tregon krijimin e çdo krijese të dukshme dhe të vetë diellit, hënës dhe yjeve të cilat erdhën në ekzistencë prej hiçit në ditën e katërt të krijimit: ‘Perëndia krijoi dy ndriçues të mëdhenj; ndriçuesin e madh për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai krijoi dhe yjet (Zan. 1:16). Ky fakt rrëzonte poshtë gjithë adhurimin e diellit, hënës dhe yjeve si “krijues” që paganët adhuronin deri në atë kohë. Kurse për njeriun shkruhet se u krijua ditën e 6-të; “Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne” (Zan 1: 26). Njeriu është krijimi i veçantë i Perëndisë, sepse ndryshe nga çdo gjë e krijuar, është i vetmi i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, kjo nuk do të thotë detyrimisht, se njeriu kishte të njëjtën pamje si Perëndia që është dritë e pa afruar, por do të thotë se njeriu u krijua me aftësi, atribute dhe mundësi si Perëndia. Njeriu mund të mendonte, ndjente, të punonte,të sundonte me dashuri si Perëndia. Si shëmbëlltyrë e Perëndisë sundues mbi gjithë krijimin dhe bashkëkrijues me Krijuesin e pakrijuar, njeriu ka detyrë që të “reflektojë” Perëndinë në krijim duke shpërndarë vullnetin,praninë, dhe fuqinë e Perëndisë në tërë universin dhe të transformojë gjithçka që ekziston në parajsë të Perëndisë.
Adhurimi i një Perëndie trashedent ishte i kufizuar në një dhe, në një vend dhe popull. Në vende dhe popujt të tjerë vazhdonte po ai adhurim shekullor i diellit, yjeve si “perëndi”. Por adhurimi i këtyre trupave qiellorë si “hyjni” e mori goditjen përfundimtare me përhapjen në botë të krishtërimit, një përmbushje e monoteizmit hebre. Krishtërimi si besim dominoi me anë të arsyes dhe virtytit mbi të gjitha fetë dhe idhujt paganë.
Në datën 25 Dhjetor dita e festës së “diellit të pamposhtur” në të gjithë Perandorinë Romake u vendos nga Kisha e krishterë që atë ditë të festohej lindja njerëzore e Jisu Krishtit, Birit dhe Fjalës së Perëndisë që është Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjithë të dukurave dhe të padukurave dhe i diellit, yjeve, gjithësisë dhe në mënyrë të veçantë krijuesi dhe shpëtimtari i njeriut, ashtu siç thuhet në Ungjill: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij (fjala), dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë” (Joani 1:1-3). Jisu Krishti Biri dhe Fjala e Perëndisë erdhi në botë dhe u bë njeri për të shpëtuar natyrën njerëzore e cila pavarësisht se ishte e krijuar sipas ikonës së Perëndisë, dështoi të bëhet i ngjashëm me Perëndinë për shkak të mëkatit nga zilia e djallit, duke rënë në kotësi, marrëzi dhe adhuroi krijesën në vend të Krijuesit.
Jisu Krishti u bë njeri dhe si i tillë përmbushi përsosmërisht rolin e tij si njeriu i përsosur si Adam i ri. Ai u bë çdo gjë që njeriu dështoi të bënte duke qenë në gjithçka përgjigjja më e përsosur njerëzore ndaj iniciativës hyjnore të Perëndisë në drejtim të botës. Në këtë kuptim Biri i Perëndisë si njeri rimblodhi jetën e Adamit domethënë racën njerëzore duke sjellë përsëri njeriun dhe botën e tij tek adhurimi i Perëndisë Atë si Krijues, duke lejuar kështu një fillim të ri të jetës, të çliruar nga fuqia e mëkatit, nga djalli dhe vdekja. Me anën e Zotit Jisu Krisht dhe Shpirtit të Shenjtë njeriu përmbush qëllimin pse u krijua, që të bëhej i ngjashëm me Perëndinë, një Bir Perëndie sipas hirit dhe zotërues i botës, ashtu siç shkruan: “Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” (Rom. 8:16-17).
Doktrina e krishterë ndryshoi rrënjësisht marrëdhënien e njeriut me natyrën dhe të njohurive të njeriut mbi krijimin.
Në shekullin e XVIII-të u rishfaq një teori e re mbi krijimin e cila kërkonte të rrëzonte doktrinën e krishterë dhe të çdo feje monoteiste të krijimit prej Zotit, duke pasur si themelues të saj kryesor Çarls Darvinin (1809-1882) një natyralist britanik që u bë i famshëm për teorinë e tij të evolucionit. Ashtu si disa shkencëtarë përpara tij Darvini besonte se gjatë miliona vitesh të gjitha speciet e bimëve dhe kafshëve kishin evoluar nga pak pasardhës të përbashkët duke filluar nga një qelizorët deri tek njeriu në krye të rendit evolucionist. Në kohën e publikimit të teorisë “origjina e specieve” (1859) Darvini ende e konsideronte veten teist (besimtar) duke bazuar pikëpamjen e tij në bindjen e tij të brendshme se projekti që ai vrojtonte në univers nuk mund të ishte rezultat thjesht i rastit pra duhet të kishte një krijues nga pas gjithë këtij evolucioni,por ai ndryshoi besimin e tij fillestar dhe pranoi se shfaqja e projektit në gjërat e gjalla ishte në të vërtetë rezultat i rastit të çfarëdoshëm të paprojektuar, ai arsyetonte se proceset evolucionare nuk mund të ishin produkt i një “Perëndie të dashur inteligjent”, sepse evolucioni përfshinte vuajtjen intensive të kaq shumë njerëzve, ai në fund i atribuonte realitetin e njeriut më tepër konceptit të përzgjedhjes natyrore sesa projektit të Perëndisë. Për Darvinin njeriu ishte një kafshë që lind, rritet dhe vdes sipas fatit të gjallesës. Teoria e Darvinit pavarësisht polemikave të ashpra që në fillim me shkencëtarët dhe udhëheqësit fetarë, u duk sikur e zgjidhi përfundimisht pyetjen se: “Kush e krijoi njeriun?” duke hedhur poshtë besimin shekullor, në Krijuesin Perëndi.
Por kjo teori pavarësisht se u duk shkencore, kundërshtohet nga vetë ligjet e shkencës, p.sh. nga ligji i dytë i termodinamikës. Sipas këtij ligji çdo sistem i lejuar që të vazhdojë në vetvete, gjithmonë shkon në drejtim nga rregulli në ç’rregullsi p.sh. ne jemi në dijeni se dielli është duke u djegur dhe harxhuar energjinë e tij, po ashtu edhe yjet, universi, por edhe vetë planeti tokë po shkon drejt plakjes së pandashme. Prandaj logjika dhe dëshmia e qartë vrojtuese, kundërshtoi teorinë se jeta në tokë, por dhe gjithë universi duke filluar nga një shpërthim i një bërthame super të ngjeshur (bing-bengu) vazhdon të zhvillohet në evolucion të rastësishëm dhe të pandashëm në mënyrë progresive. Teoria e evolucionit është utopi, e pa vërtetuar shkencërisht pavarësisht spekullimeve tashmë të diskredituara në rrethet shkencore. Ajo nuk jep përgjigje se kush ishte para çdo fillimi, ndryshe nga ajo që thotë Bibla: “Në fillim Perëndia krijoi qiejtë edhe tokën”(Zan.1:1).
Teoria e evolucionit u përkrah nga shumë ateistë dhe solli ndryshime edhe në riorganizimin e shoqërisë njerëzore si p.sh. Karl Marksi themeluesi i lëvizjes komuniste dhe humanistë të tjerë të kohës së tij besonin se njeriu, individi dhe jo Perëndia ishin qenia më e lartë, ata shikonin te teoria e evolucionit, zhvillimin e njeriut nëpërmjet luftës së klasave dhe kështu njeriu përparon duke u bërë gjithnjë e më i pushtetshëm, pra një zot i vetes. Kjo teori u aplikua më vonë nga shumë diktatorë famëkeq si p.sh. Lenini, Stalini ose Rudolf Hitler. Mënyra sesi ai i trajtoi çifutët ose popujt e rracave të tjera mund t’i ngarkohet së paku besimit të tij në evolucion. Hitleri e konsideronte luftën si një parim darvinian të jetës njerëzore, që detyronte çdo popull të përpiqej të sundonte mbi popujt e tjerë, pa luftë ata mykeshin dhe do të zhdukeshin. Dhe kjo teori e aplikuar i kushtoi botës miliona të vrarë dhe krime të padëgjuara kundër njerëzimit deri në atë kohë.
Teoria e evolucionit i dha krahë edhe racizmit, shumë nga të vendosurit e parë në Australi i konsideronin aborigjenët australianë, si më pak inteligjentë se njerëzit e bardhë, sepse sipas tyre aborigjenët nuk kishin evoluar aq sa të bardhët në shkallën evolucioniste, pra ishin gjysmë kafshë. Kjo i shtyu kolonizatorët australianë të vrisnin sa më shumë aborigjenë me logjikë të ftohtë. Teoria e evolucionit i dha krahë edhe krimit të abortit, ndërsa njerëzit e pranuan se fëmija që zhvillohej në barkun e nënës nuk është gjë tjetër veçse një kafshë e cila pasqyronte pasardhësit e saj nga njëqelizorët tek peshku, majmuni deri tek njeriu. Prandaj për prindërit nuk ishte problem për shkatërrimin e fëmijës në muajin e tretë sepse thjesht kishin të bënin me një embrion në fazën e peshkut i cili nuk konsiderohet si njeri dhe kështu justifikohet martirizimi i miliona foshnjeve.
Por sot me anë të teknologjisë shikojmë se kemi të bëjmë jo thjesht me një embrion në fazën e peshkut, por me një njeri plotësisht të formuar pavarësisht përmasave. Teoria e evolucionit shkatërroi edhe martesën, sepse nëse nuk besohet që njeriu u krijua nga Perëndia, “mashkull dhe femër “ (Zb. 1-27) dhe “për këtë arsye njeriu duhet të lërë babën dhe nënën e vet dhe të bashkohet me gruan e vet dhe të bëhet një mish i vetëm“ (Zb. 2- 24) duke u martuar me bekimin e Perëndisë, atëherë njeriu mund të krijojë një lidhje sipas opinionit dhe instinktit të tij, duke përjashtuar bekimin e Perëndisë, në bashkëjetesa jashtë martese, ose jo natyrale, duke ligjëruar bashkëjetesën homoseksuale, që është një gjë e neveritshme për Zotin: “Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me një burrë, ashtu si bëhet me një grua; është një gjë e neveritshme” (Lev. 18:22). Implementimi i teorisë së evolucionit ndikoi dhe në marrëdhëniet ekonomike në botë, në gjysmën e dytë të shek. XIX një filozofi shumë e përhapur e njohur si “Darvinizmi Social” filloi të ndikojë në mënyrën e të menduarit dhe të bërit biznes nga industrialistët e fuqishëm të kohës, ata besonin se meqenëse evolucioni është i vërtetë në sferën biologjike, si metodë ai mund të aplikohet edhe në botën e tregtisë, d.m.th. në mbijetesën e më të fortit dhe eliminimin e më të dobtit duke mos pasur asnjë ndjesi humane dhe përkujdesje për të varfërit.
Teoria e evolucionit u bë një teori dominuese në shkollë në vendet ateiste komuniste dhe në vitin 1970 në SHBA dhe pastaj u përhap në të gjithë perëndimin. Edhe në Shqipëri gjatë periudhës ateiste-komuniste teoria e evolucionit për krijimin e jetës dhe të njeriut u bë e vetmja teori e afruar për studim, por edhe mbas viteve të demokracisë përsëri kjo teori utopike dhe me shumë pasoja dhe krime për shoqërinë njerëzore, vazhdon të mësohet si teoria më shkencore, e vërtetë dhe argumentuese.
Pavarësisht se ateistët dhe evolucionistët kundërshtojnë teorinë se bota dhe njeriu është krijuar prej një Perëndi Krijuesi duke e quajtur atë thjesht fe dhe jo shkencë, ata nuk duan ta pranojnë se dhe teoria e evolucionit në të vërtetë nuk mund të quhet një shkencë ekzakte, por hamendësi të besuara nga vet evolucionitët. Prandaj mund të themi se evolucioni është në vetvete një fe dhe nuk është shkencë ekzakte, sepse asnjë qenie njerëzore, asnjë shkencëtar nuk ka një dëshmi të plotë për krijimin, prandaj dhe teoritë shkencore ndryshojnë vazhdimisht. Kur shkencëtarët mësojnë më shumë gjëra rreth ligjeve të natyrës ata ndryshojnë dhe konkluzionet e tyre, por ka një ndryshim mes fesë teiste që pranon Zotin si Krijues dhe fesë evolucioniste që pranon krijesën dhe rastësinë si krijues. Në teorinë teiste të krijimit është Zoti që jep dëshmi për atë që Ai krijoi në fillim, kurse në teorinë evolucioniste ateiste janë njerëzit që nuk kanë qenë para fillimit as në fillim të krijimit por thjesht hamendësojnë. Këtë gjë e ilustron shumë bukur shkencëtari i madh teist, Anjshtajni i cili në një dialog me mësuesin e vet ateist i thotë: “Profesor, askush nuk e ka vëzhguar ndonjëherë procesin e evolucionit në funksionim e sipër dhe as nuk mund të provojë se ky proces është një gjë e vazhdueshme. A nuk po jepni në mësim opinionin tuaj? A nuk jeni ju, jo një shkencëtar, por një predikues”.
Një tjetër teori e cila filloi të shfaqet në vitet ’50, thotë se njeriu nuk është i krijuar as nga Zoti as nga një qelizorët me një zhvillim evolucionar, por nga krijesa jashtëtokësore, aliene të cilët e vizituan planetin tokë duke krijuar njerëzit si kavie eksperimentale që na vëzhgojnë duke kontrolluar zhvillimin tonë derisa të arrijmë të jemi të aftë të komunikojmë me ta. Kjo teori konspirative nuk është aspak shkencore, sepse vetë objektet fluturuese të këtyre alienëve janë quajtur UFO që do të thotë objekte fluturimi të pa indentifikuara. Disiplina e studimit të tyre quhet ufologji dhe cilësohet si pseudoshkencë.
Ufologjia moderne lindi më 24 Qershor 1947 kur Kenneth Arnold, një pasanik amerikan, pohoi se kishte parë nga avioni i tij privat, 9 objekte të paidentifikuara, të ngjashme me disqet fluturuese, që fluturonin në afërsi të malit Rainer, në shtetin e Washingtonit. Mesazhet që alienët i japin njerëzimit nuk janë aspak miqësore, shpeshherë flitet për “rrëmbime” nga krijesa të frikshme me tipare të deformuara aspak estetike, madje era që ata lënë nga pas është si erë squfuri dhe në vendin ku anijet e tyre fluturuese zbresin, lënë një tokë të djegur.Dëshmia e UFO-s për universin është se ai ekziston nga vetvetja dhe është produkt i një lloj evolucioni, kjo fe aliene është njësoj me panteizmin (Zoti është natyra dhe gjithësia është Zoti).
Ata mohojnë ekzistencën e një Perëndie krijues duke thënë se ne besojmë në universin. Pavarësisht spekulimeve për interes dhe fitim mediatik, ose për shantazh të shteteve ndaj njëri-tjetrit duke pretenduar se kanë lidhje me jashtëtokësorët, të gjitha mesazhet dhe karakteristikat e alienëve sipas fesë të çojnë tek krijesa demoniake, të cilat kërkojnë t’i mashtrojnë njerëzit se nuk ka Perëndi dhe ajo çfarë njerëzit kanë menduar në lashtësi për shfaqje të Zotit, kanë qenë thjesht vizitat e jashtëtokësorëve që njerëzit primitive i adhuruan si perëndi. Kjo strategji e djallit është e njohur në Shkrimin e Shenjtë duke thënë se do të vijë koha kur djalli do të bëjë të bjerë dhe zjarr prej qiellit. “Edhe bënte shenja të mëdha, saqë edhe zjarr bënte të zbresë nga qielli mbi dhe në prani të njerëzve,dhe i mashtronte banorët e dheut me anë të shenjave që i ishin dhënë për të bërë përpara bishës(Zb. 13-13). Sipas mësimit Biblik midis tokës dhe qiellit në atmosferë ekzistojnë fryma demoniake ose demonët e ajrit ashtu siç shkruhet: “Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit… kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore” (Ef. 6:11-12). Patjetër dhe universi mund të jetë i populluar me krijesa shpirtërore, por një krijesë e tillë inteligjente shpirt dhe trup siç është njeriu nuk mund të gjendet veçse në planetin tokë, çdo gjë tjetër është një spekullim, hamendësi dhe mashtrim diabolik.
Në përgjithësi këto janë teoritë mbi krijimin, që kanë qarkulluar në botë përgjatë shekujve deri në ditën e sotme dhe kërkojnë t’i japin përgjigje sipas këndvështrimit të tyre pyetjes: “Kush e krijoi njeriun?”
Çdokush është i lirë të besojë në atë që i pëlqen, por jo çdo besim është i arsyeshëm dhe e nderon inteligjencën njerëzore, si p.sh. të besosh se je i krijuar nga dielli dhe yjet që nuk janë gjë tjetër veçse trupa qiellorë të gaztë, ose i krijuar nga majmuni kafshë pa shumë intelekt, ose të pranosh se je një kavie aliene, nuk duket aspak e arsyeshme. Megjithëse besimi në një Perëndi nuk mund të jetë i ekzaminuar përfundimisht nga ana shkencore, sepse besimi në Perëndinë Krijues është përtej arsyes, përsëri besimi nuk është jashtë arsyes, që domethënë se njeriu besimtar nuk mund të besojë se gjërat e pajeta, rastësia apo një krijesë aliene e paidentifikuar mund të krijojnë jetën dhe njeriun.
Pavarësisht se disa njerëz e kanë të vështirë të besojnë ekzistencën e Perëndisë si Krijues, mendoj se më dinjitoze për natyrën njerëzore dhe më e arsyeshme është përgjigjja që çdo fe monoteiste ka dhe në veçanti krishterimi në lidhje me pyetjen: “Kush e krijoi njeriun, kur dhe përse? “Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe.” (Zan.1:26)
Feja dhe shkenca, kundërshtare apo bashkudhëtare ?
Kur dëgjojnë këtë pyetje jetësore, duke ditur se feja dhe shkenca kanë ndikim të madh në jetën e njerëzve, disa me prirje dhe bindje ateiste, përgjigjen e kanë tepër të shpejtë: “feja dhe shkenca janë kundërshtare, madje armiq të përbetuar”. Këtë bindje të tillët e përligjin duke përmendur fakte historike. Këto fakte tregojnë se si feja e keqpërdorur në një kohë, ka mbajtur një qëndrim armiqësor kundër shkencës, madje ka burgosur dhe vrarë shkencëtarë, që po thonin të vërtetën në lidhje me ligjet fizike të funksionimit të botës, me të cilën merret vetëm shkenca.
Një ndër shkencëtarët e kohës së Rilindjes që u përndoq nga feja ishte Xhordano Bruno (1548-1600). Ai ishte një prift domenikan, por edhe filozof, matematikan, edhe teoricien i kozmologjisë. Prifti Xhordano Bruno u akuzua në vitin 1593 nga inkuizicioni romak. Inkuizicioni shek. XII-XIX ishte një institucion brenda sistemit qeveritar të centralizuar të Kishës Romano-Katolike. Qëllimi i tij ishte të luftonte dhe të mbronte kishën nga herezitë. Inkuizicioni e dënoi si heretik Xhordano Brunon për pikëpamjet e tij astronomike se; yjet janë shumë larg nga çmendohej, ose ka jetë në planete të tjera, një pozicion filozofik i njohur si pluralizmi kozmik. Ai u gjend fajtor dhe u dënua si heretik me djegie në furrën e druve, jo vetëm për bindjet e tij astronomike, por dhe për disa shtrembërime të teologjisë së krishterë. Në shek. XIX u konsiderua si martir i shkencës dhe si pikë referimi në historinë e mendimit të lirë dhe shkencor.
Një tjetër shkencëtar i mirëfilltë ishte Galieo Galilei 1654-1642. Ai ishte matematikan, fizikan, astronom, filozof, Italian. Sot ai renditet si një nga shkencëtarët më të mëdhenj dhe babai i fizikës moderne. Galileo u padit nga inkuizicioni në 3 korrik 1633. Ai thoshte gjëra që binin ndesh me mësimin e Kishës Katolike në lidhje me rrotullimin e tokës rreth diellit, duke i dhënë të drejtë Kopernikut. Ai u detyrua të mohonte pohimin e tij shkencor se toka rrotullohet rreth diellit dhe u dënua me burgim në shtëpi.
Por pavarësisht këtyre fakteve historike, veprimeve arbitrare të fesë të keqpërdorur mbi shkencën, nuk i takojnë të gjithë fesë në Zotin dhe në mënyrë të veçantë gjithë krishtërimit. Kjo ndodhi vetëm në një kohë të caktuar brenda Kishës Romano-Katolike të Perëndimit. Për shkak të pretendimeve për supremaci të papës së Romës (primati papal) mbi të gjithë Kishën në botë dhe disa devijimeve dhe revizionimeve të doktrinës së krishterë, në vitin 1054 u bë skizmë me pjesën tjetër të krishtërimit e cila nuk pranoj këto devijime doktrinale dhe organizative. Kjo pjesë tjetër e Kishës që ruajti të pandryshuar traditën apostolike të doktrinës dhe organizimit sinodial, u quajt për t’u dalluar si Kisha Orthodhokse e Lindjes. Në krishtërimin lindor nuk kemi asnjë rast ku feja dhe Kisha Orthodhokse ka ndikuar duke vënë kontroll mbi mendimin e lirë, hulumtimet dhe faktet shkencore.
Për këtë konflikt të Kishës Romano-Katolike me vetë shkencën, papa Gjon Pali II në 31 tetor 1992 ka bërë një autokritikë publike në emër të Kishës Katolike në lidhje me inkuizicionin dhe keqpërdorimin e tij, duke thënë se Galileo ishte një besimtar i devotshëm dhe çfarë u bë kundër tij ishte një gabim. Madje në qarkoren e tij “Fides et Ratio” (besimi dhe arsyeja) në vitin 1998 Papa Gjon Pali II i përdori shkrimet e Galileos dhe theksoi faktin se dy të vërtetat e besimit dhe shkencës nuk mund të kundërshtojnë njëra-tjetrën.
Por që ta kuptojmë më qartë se si feja dhe shkenca nuk kundërshtojnë por bushkëudhëtojnë dhe bashkëpunojnë me njëra-tjetrën duhet të sqarojmë konceptin e fesë dhe shkencës.
Feja në gjuhët evropiane e ka prejardhjen nga fjala latine religio (bashkëlidh, lidh,bashkoj) në vetvete si koncept i përgjithshëm, është marrëdhënia që vendos një person ose grup personash me një Perëndi, apo me shumë “hyjni “apo fuqi të mbinatyrshme”. Njeriu si qenie mendore ose (homo religios) beson përmbi arsyen por jo jashtë saj. Studimet arkeologjike dhe antropologjike në kohë me popuj dhe kultura të ndryshme kanë vërtetuar faktin e pamohueshëm se feja ka qenë një bashkudhëtare me njeriun që në zanafillën e tij. Feja e pranishme në çdo kohë, popuj dhe kulturë, në trajta dhe forma të ndryshme ka ndikuar fort në marrëdhëniet e njeriut me Trashendenten (Perëndinë personal dhe të dashur), në marrëdhënie midis njerëzve dhe në marrëdhëniet e njeriut me natyrën, duke qenë frymëzuese dhe themel i çdo qytetërimi që nga lashtësia e deri më sot.
Plutarku (46 – 120) pas Kr e ka përmbledhur këtë fakt për universalitetin e fesë në çdo qytetërim me fjalët:“Duke u endur nëpër të gjithë botën mund të gjesh qytete pa mure, me njerëz analfabetë, pa mbretër, pa shtëpi, pa para, që nuk u nevojitet monedha, që nuk njohin teatro dhe palestra, por qytet pa tempuj dhe perëndira, që nuk përdor uratat as betime, as orakuj, as flijime për të mirën, as mënyra për shmangien e të këqijave, askush nuk ka parë dhe as nuk do të shohë kurrë; por më duket se një qytet mund të krijohet dhe të mbahet më lehtë pa truall, sesa po të hiqte kush plotësisht besimin te perënditë”.
Kjo fjalë e Plutarkut e përmbledhur se;“Nuk ka qytetërim pa tempull“, është vërtetuar katërcipërisht sidomos tek ato qytetërime që guxuan të prishin themelet e fesë duke ndërtuar mbi themelet e ateizmit, dhe këtu e kam fjalën veçanërisht për vendet e lindjes që në shek XX ndërtuan sistemin komunist, bashkë me ato edhe Shqipëria. por si një vend unik në botë se gjatë viteve 1967-1990 u shpall si shtet i parë ateist, që çdo formë feje ishte e dënonte me ligje shtetërore.Por pavarësisht se rryma dhe sistemi ateist u instalua në shumë vënde të lindjes me të gjithë fuqinë filozofike, kulturore, sociale, ushtarake, por u bë edhe rymë trendi në vëndet e perëndimit, ajo dështoi si projekt i humanizmit të ri (homo-ateist) dhe në botë sipas stastikave të vitit 2014 nga 7 miliardë banorë, njerëz të krishterë janë 2.1 miliardë, myslimanë 1.6 miliardë, hindu 1 miliardë, kinezë me religjion tradicional 394 milionë, Budistë 376 milionë, hebrenj 14 milionë dhe jo religjiozë/agnostikë, ateistë 1.1 miliardë. Edhe në Shqipëri sipas Censusit të vitit 2011 vetëm 2.5 % e popullsisë janë deklaruar ateistë.
Po shkenca çfarë është?
Shkenca si fjalë vjen nga latinishtja “scientia” (njohuri, dituri, dije) dhe është një sistem dijesh e njohurish për ligjet e zhvillimit të natyrës e të shoqërisë, i cili është formuar historikisht duke vëzhguar botën reale e jetën, dhe duke bërë përgjithësime teorike. Shkenca është veprimtaria që zhvillohet në një fushë apo në një degë të caktuar të dijes. Prandaj ka degë të ndryshme të shkencës dhe shkencëtare që merren me studimin e një dege specifike.
Pavarësisht rasteve konfliktuale-sporadike kanë bashkëudhëtuar dhe bashkëpunuar me njëra-tjetrën.
Feja me gjithë sistemet e saj morale dhe mbi të gjitha mbi orientimin e mendjes njerëzore drejt Perëndisë (trashendent dhe imanent) si shkaku primar i çdo qenieje dhe energjie pozitive ka ndikuar tek pionierët e shkencës dhe tek të gjithë shkencëtarët më pas, të cilët nuk e ndanin fenë nga shkenca. Këtë fakt e shikojmë që tek filozofët grekë të antikitetit si Sokrati (470-399)pr.Kr. Platoni (428-347)pr.Kr. Aristoteli (384-322)pr.Kr. të cilët u morën me fenë dhe me shkencën. Aristoteli i cili ishte ndër ata filozofë që ndikoi në shkrimet e tij përfshirë etikën, politikën, logjikën, retorikën, psikologjinë, astronominë, matematikën thotë për Perëndinë: “ Ky lëvizës i palëvizshëm ose shkaku i parë e vuri botën dhe do t’i çojë të gjitha gjërat në fundin ose qëllimin e tyre përfundimtar”. Këtë nuk e tha vetëm Aristoteli, por edhe shkencëtarët e mirëfilltë që nga koha e rilindjes e deri më sot p.sh. astronomi gjerman Johanes Kepler (1571-1593) i pranuar si zbulues i ligjeve orbitare të planetëve thotë: “Meqenëse ne astronomët jemi priftërinj të Perëndisë më të lartë në lidhje me librin e natyrës, e kemi për detyrë që të mendohemi mire, jo për lavdinë e mendjes sonë, por mbi gjithçka për lavdinë e Perëndisë”. Matematikani dhe filozofi anglez Lord Isak Njuton 1642-1727 në veprën e tij madhështore “Philosophiae natyralis principia matematika” ka shkruar: “Pa asnjë dyshim kjo botë mund të krijohej vetëm nga vullneti i lirë i Perëndisë”. Shkencëtari britanik sër John Houghton 1931 thotë: “Masa, kompleksiteti, bukuria dhe rendi që vëmë re në univers janë shprehje e madhështisë, bukurisë dhe rregullsisë së Krijuesit…konflikti që shpesh mendohet se ekziston mes përshkrimit shkencor dhe përshkrimit të Perëndisë si krijues rrjedh sipas mendimit tim, nga keqkuptimi i natyrës së këtyre përshkrimeve. Në vend të konfliktit në fakt ekziston një përputhje e ngushtë, rendi dhe përputhja që shohim në shkencën tonë mund të shihet si reflektim i rregullsisë dhe vetpërputhjes që ekziston në karakterin e vetë Perëndisë.”
Madje dhe shkencëtar të sotëm si Michi Kaku lindur në 1947 një nga shkencëtarët më të njohur dhe më të respektuar në botë i cili ka tronditur komunitetin e tij të shkencëtarëve me deklaratën se Zoti ekziston dhe për këtë kishte prova. Ai thotë: “Më besoni; gjithçka që deri më sot e kemi quajtur rastësi nuk do të ketë më asnjë kuptim, për mua është më se e qartë se ne drejtohemi sipas rregullave të krijuara dhe jo të përcaktuara sipas mundësive universal. Për atë njerëzimi është një lloj Matrix-i dhe Zoti është matematicien i madh.
Po ashtu një tjetër zë i fuqishëm i botës së shkencës moderne, fizikanti dhe kozmologu anglez Stephen Hawking lindur 1942, mbas një qëndrimi shumëvjeçar ateist, ka ndryshuar mendje dhe ka pohuar:“Po Zoti ekziston“.
Profesor doktor Anastasi (Janullatos) kryepiskopi i KOASH, në librin e tij studim mbi fetë në botë me titull “Gjurmë nga kërkimi i Trashendentes” shkruan: “Fetë që mbështeten te besimi në një Perëndi krijues, përkujdesës dhe Zot të Gjithësisë, jo vetëm nuk i kundërvihen – të paktën në formën e tyre autentike-shkencës, por në të kundërt, krijojnë një atmosferë akoma më të favorshme për zhvillimin dhe përparimin e saj. Nuk është rastësi që hapjet dhe hopet cilësore të shkencës së kohëve të reja u bënë në kuadrin e qytetërimit perëndimor, i cili ishte mbrujtur me idealet dhe përvojën fetare të krishtërimit… Është vërtetuar gjithashtu se mjaft personalitete shkencore, që hapën horizonte të reja në mendimin shkencor, kanë qenë njerëz thellësisht fetarë. Kundërshtitë e herëpashershme i detyrohen tejkalimit të caqeve, parimeve dhe kompentencave nga përfaqësues të cekët të të dy grupeve. Feja dhe shkenca lëvizin në terrene të ndryshme përvoje, që u përgjigjen prirjeve të ndryshme e nevojave shpirtërore të njeriut dhe jo vetëm nuk bien ndesh me njëra-tjetrën, po përkundrazi përfaqësojnë dy funksione të çmuara të vetëdijes dhe mendimit njerëzor.”
Pra sipas këtyre njerëzve të mënçur me kontribut të spikatur në fushën e fesë dhe të shkencën; feja dhe shkenca nuk mund të jenë kurrë kundër njëra-tjetrës, përkundrazi janë si dy drejtëza paralele që drejtohen drejt Perëndisë, i Cili është personal, i dashur, krijues, dhe moral. Feja është mënyra dhe rruga që i jepet njeriut që të bashkohet me Perëndinë, i Cili e zbulon veten me anë të ligjeve dhe porosive morale, kurse shkenca studion ligjet e Krijuesit në këtë botë dhe përpiqet t’i vërë ato në shërbim të njeriut dhe kështu njeriu si ai i fushës së fesë edhe ai i shkencës, duke parë Perëndinë që në thelb është i mirë si në porosi dhe vepra, bashkohen në një kor të përbashkët në adhurim dhe falenderim ashtu siç e thotë psalmisti: “ Do t’i këndoj Zotit sa të rroj, do t’i psal Perëndisë tim deri sa të jem gjallë, shprehjet e mia qofshin të ëmbla për të dhe unë do të ngazëllohem më Zotin…Sa madhështore janë veprat e tua o Zot, të gjitha I ke bërë më urtësisë” (Ps. 103)
Arsyeja se gjithmonë ka pasur dhe do të ketë njerëz që nuk besojnë Perëndinë dhe normalisht do të jenë kundër fesë si p.sh. Çarls Darvini (1809-1883) me teorinë e tij utopi të “Evolucionit” se çdo specie ka evoluar nga seleksionimi i dhunshëm natyror, dmth nga një qelizorët tek majmuni deri tek njeriu, kjo pa një program dhe ndërhyrje nga Perëndia krijues. Në fillim ai besonte, ishte një ateist, por mbas teorisë e quante veten gnostik dhe më në fund përfundoj si ateist. Dy muaj para se të vdiste ai shkruante; “Fakti nëse ekzistenca e një Perëndie të vetëdijshëm mund të provohet nga ekzistenca e të ashtuquajtura ligjet e natyrës një temë e koklavitur, mbi të cilën kam menduar, por që ende s`shoh gjë të qartë.“
Teoria e evolucionit ju erdhi për shtat ateistëve me frymë antikrishte, që gjetën tek ajo përligjjen për çdo sulm kundër fesë, dhe qytetërimi të ngritur mbi moralin e krishterë “duaje Zotin, duaje të afërmin si veten”. Më të spikatur ndër ata ishin, Karl Marksi me origjinë çifute,(1818-1883) ku fenë e përcakton si “opium për popullin”, ose Vladimir Iliç Lenini (1870-1924) i cili thoshte: “S’ka gjë më të neveritshme se feja, çdo flirtim me idenë e Perëndisë është një ndyrësirë e tmerrshme, çdo njeri që merret me ndërtimin e një Perëndie ose që thjesht toleron idenë e ndërtimit të Perëndisë, përçmon vetveten në mënyrën me të ulët të mundshme”. Kjo përbuzje dhe luftë ndaj fesë dhe besimtarëve u vazhdua me shumë shkatërrime dhe viktima nga diktatorët si Josif Stalin (1878-1953), Mao Ceduni (1893-1976), dhe shumë diktatorë të tjerë në vendet e lindjes edhe në Shqipëri nga diktatori Enver Hoxha (1908-1985) dhe Partia Komuniste që ai drejtonte që nga viti 1945. Në letrën e KQ të PPSH drejtuar komiteteve të Partisë të rretheve mbi luftën kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare 27 shkurt 1967, thuhet; Feja është opiumi i popullit… Duhet të bëjmë çmos që këtë të vërtetë të madhe ta kuptojë çdo njeri, edhe ata që janë të helmatisur (e që nuk janë pak) duhet t’i shërojmë… Luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë si kundër vetë dogmave fetare, pikëpamjeve filozofike idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që ndonjëherë i zbatojnë pa ditur, pa treguar kujdes, shpesh nga forca e zakonit…Me këto forma duhet të vazhdojmë ne derisa t’i rrafshojmë ato nga faqja e dheut. Institucioneve fetare duhet t’u heqim, atje ku u kemi lënë diçka, të gjithë tokën, ndonjë rrënjë ulliri ose të ardhur tjetër që mund të kenë akoma.
Të gjitha këto thënie kundër fesë nuk janë aspak konstatime shkencore, por botëkuptime morale të individëve ose grupeve ateistë , të cilat duke mohuar fenë që tregon ekzistencën e Perëndisë dhe ligjin e tij moral, duan të bëhen vet “perëndi” dhe të bëjnë çfarë të duan me jetët e tyre dhe të të tjerëve. Romancieri rus Fjodor Dostojevski (1821-1881) shkruan: “Nëse Perëndia nuk ekziston, atëherë gjithçka mund të lejohet”. Ose siç e përcakton edhe filozofi Frederik Nice (1844-1900) “Avantazhi i kohës sonë është se asgjë nuk është e vërtetë, gjithçka lejohet” apo psikiatri Zigmund Frojd 1856-1939 shtroi pyetjen: “Meqenëse Perëndia nuk ekziston, pse ekziston feja?”
Për të tillë njerëz Bibla ka një përgjigje të qartë: “Tha i marri në zemrën e vet nuk ka Perëndi”(Ps.14:1), po ashtu apostull Pavli thotë: “Meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë”(Rom. 1:19-22)
Prandaj mohimi i fesë nga shkenca nuk është një fakt shkencor, por e kundërta një marrëzi. Vetë shkenca e mirëfilltë dhe e ndershme me moral, po ndikon për t’i dhënë të drejtë fesë dhe po e bën më të qartë ekzistencën e Perëndisë (Trashedent dhe Imanent) ashtu siç shprehet dhe shkencëtari i madh Albert Anjshatjni (1879-1955): “Shkenca pa fenë është e çalë dhe feja pa shkencën është e verbër”
E neveritshme është për Zotin goja gënjeshtare !
Publikuar në Dt 08/02/2017: Tirana Observer & BalkanWeb: Shkrim i përgatitur nga z. Miron Çako
Ka disa ditë që qarkullon në portale, intervista e një murgeshe katolike, argjentinase që jeton në Spanjë, e cila e ftuar në programin “Cester in Love” ka dhënë një deklaratë publike, duke thënë se Maria nuk është e virgjër, por me Josifin burrin e saj ka pasur jetë dhe marrëdhënie seksuale si çdo grua. Për të krishterët që e nderojnë Marinë si Nënën e Zotit dhe Gjithmonë Virgjëreshë, këto fjalë të ngjallin një neveri, revoltë dhe nga shpirti i trazuar i besimtarit del gati një mallkim ashtu siç thuhet tek psalmi: “Për mëkatin e gojës së tyre dhe për fjalët e buzëve të tyre i zëntë laku i kryelartësisë së tyre, për shkak të mallkimeve dhe të gënjeshtrave që thonë.”(Psalmi 59:12).
Mund të thuash këtë gjë dhe ta mbyllësh bisedën, por mendoj se kjo nuk është mënyra më e mirë për ta përballuar këtë deklaratë blasfemuese që shumë njerëz të krishterë apo jo, i ka indinjuar dhe revoltuar ndaj kësaj “murgeshe” e cila duke qenë se ka marrë edhe kërcënime kërkon falje në qoftë se ka fyer dikë, por përsëri këmbëngul se thotë të vërtetën dhe mbetet besnike me dashuri ndaj Kishës dhe ungjillit. Pavarësisht se peshkopi i saj thotë: Se këto deklarata nuk janë në përputhje me besimin e Kishës, mendoj se nuk mund ta tolerosh pa një përgjigje, sepse një fjalë e urtë thotë: “Shpif, shpif se diçka do të mbetet”. Dhe sipas ligjit shkak-pasojë asgjë nuk mund të ndodhë dhe të shfaqet pa ndonjë qëllim.
Por mos të çuditemi për këto fjalë blasfemike të cilat pavarësisht se i dëgjojmë në ditët e sotme edhe nga një “murgeshë katolike” nuk janë të reja, por të vjetra. Fatkeqësisht nuk është vetëm kjo murgeshë që i beson dhe thotë këto gjëra, por ka edhe shumë të tjerë që i thonë vetes të krishterë të cilët madje kanë thirrur “Aleluja”, që më në fund edhe murgeshat katolike po pranojnë atë që besojmë edhe ne se: Maria ishte një grua e zakonshme, e martuar me Josifin e cila përveç djalit të parë Jisuit të lindur nga vullneti i Perëndisë me anën e Shpirtit të Shenjtë, më pas pati edhe fëmijë të tjerë siç përmenden në Ungjill, vëllezërit dhe motrat e Krishtit; “A s`është ky zdrukthëtar i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Joses, i Judës dhe i Simonit? Dhe nuk janë këtu midis nesh motrat e tij?“(Marku 6:3)
Ata që besojnë si kjo murgesha se Jisu Krishti kishte vëllezër dhe motra të tjerë, pra që Virgjëresha Mari nuk mbeti gjithmonë e virgjër, janë grupet e reformës protestante në shek XVI të themeluara nga reformatortë si Martin Luteri 1545, Zhan Kalvin 1564 dhe Ulrik Zvingli 1545 të cilët udhëhoqën lëvizjen reformiste në kontinenin Evropian. Ata sulmuan abuzimet praktike të Kishës Romane, si primati papal, indulgjencat etj, por edhe mësimet e saj zyrtare.
Mësim zyrtar i Kishës Romano-Katolike ishte edhe ai mbi gjithmonë virgjërinë e Marisë, para lindjes, në lindje dhe mbas lindjes, ky mësim ishte i pranuar nga të gjithë të krishtërët në Lindje e në Perëndim që në shekullin e parë dhe vazhdoi të besohej si i tillë edhe mbas skizmës (ndarjes) së Kishës Katolike të Perëndimit në vitin 1054 nga Kisha Orthodhokse e Lindjes. Që në krishtërimin e hershëm ka pasur një devocion të veçantë për Marinë, Nënën e Zotit, ajo është përcaktuar në doktrinën e krishterë dhe në jetën liturgjike me terma teologjike shumë domethënës, të gjitha këto të bazuara në Shkrimin e Shenjtë dhe në traditën e Kishës Katholike-Apostolike, të saksionuara në vendimet e Sinodeve të Shenjta Ekumenike.
Maria u quajt nga Kisha Katholike-Apostolike Hyjlindëse – Theotokos ose Nëna e Perëndisë, sepse ajo lindi Birin e Perëndisë prej mitrës së saj, dhe prej saj Ai mori natyrën e Tij njerëzore. Elisabeta, nëna e Joan Pagëzorit e pranoi këtë realitet kur tha për Marinë, kushurirën e saj: “Ti je e bekuar ndër gratë dhe e bekuar është fryti i barkut tënd. Dhe nga po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vij tek unë?” (Luka1:42-43)
Perëndia priste me durim në shekuj, që vetë njeriu të çlirohej nga ndikimi i djallit, i cili e ka fuqinë te mëkati, por ai nuk mundej dot. Shkelja gjithmonë e porosive e bënte atë fajtor dhe të dënuar me vdekje trupore dhe shpirtërore: “Sepse paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23). Por Virgjëresha Mari e bekuar mbi të gjitha gratë, e mbushur me dashuri për Perëndinë, e tërhoqi Atë me mirësinë e saj. Kur Perëndia vendosi të bëhej njeri për shpëtimin tonë. Ai në dashurinë e tij donte ta bënte këtë gjë në pajtim të plotë me gatishmërinë e saj duke dërguar engjëllin lajmëtar të tij: “Dhe engëlli hyri te ajo dhe tha: Gëzohu, o hirplotë, Zoti është me ty; ti je e bekuar ndër gratë…mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. Dhe ja, ti do të mbetesh shtatzënë dhe do të lindësh një djalë, dhe do t`ia vesh emrin Jisu. Ai do të jetë i madh dhe do të quhet Biri i Shumë të Lartit.. dhe Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate.” Dhe engjëlli u largua prej saj.” (Luka 1:28-38)
Nëse ajo do të kishte refuzuar atëherë shpëtimi nuk do të kishte ardhur. Bota do të ishte e zhytur në mëkate njerëzit përsëri do të shkonin në ferr. Ajo jo vetëm që nuk refuzoi ose të qëndronte pasive, por përkundrazi u tregua aktive dhe pjesëmarrëse në misterin e shpëtimit duke trupëzuar në vetvete, Birin e Perëndisë. Pra Lindja e Krishtit nuk është vetëm punë e Perëndisë triadik, Atit Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, por dhe punë e vullnetit dhe besimit të Virgjëreshës Mari. Pra pa Marinë nuk do të vinte Zoti Jisu Krisht, (Shpëtimtari).
Në Sinodin III Ekumenik i mbajtur në Efes 431 u shpall se termi Theotokos (Hyjlindëse) për Virgjëreshën Mari është krejtësisht i saktë dhe i plotë dhe duhet të mbahet nëse besimi i krishterë do të rrëfehet i plotë dhe jeta e të krishterit do të jetohet saktësisht. Pra ajo lindi në mish Birin e përjetshëm të Perëndisë, Perëndi-Njeri, prandaj Maria është me të vërtetë Hyjlindëse dhe thirrja e Shën Qirilit dhe e tërë Sinodit ishte kjo: Biri i Perëndisë dhe Biri i Njeriut (Marisë), Një Bir.
Kisha e quan të Tërëshenjtë, sepse ajo lindi të Tërëshenjtin Perëndi-Njeri, Jisu Krishtin. Meqënëse Krishti është i Tërëshenjtë edhe ena që e mbajti është e Tërëshenjtë, ashtu si edhe Kryengjëlli e përshëndeti: “Gëzohu o Hirplotë Zoti është bashkë me ty”. Por shenjtëria e saj dallon në mënyrë të pakrahasueshme nga Tërëshenjtëria e Birit të saj hyjnor,sepse sipas mësimit të Kishës, vet ajo pavarësisht se bëri një jetë shumë të shenjtë, duke trashëguar hijen e mëkatit stërgjyshor, kishte nevojë të shpëtohej nga Krishti, ashtu si gjithë njerëzit janë shpëtuar nga mundimet, vuajtjet dhe vdekja e kësaj bote, prandaj ajo thotë: “Zoti, Shpëtimtari im” (Luka 1:47). Ajo vdiq si të gjithë bijtë e Adamit, por u ngjall nga Biri i saj dhe u transferua në qiej, si Nëna e Jeta dhe tani merr pjesë në jetën e amëshuar të parajsës, e cila është përgatitur për të gjithë ata: “që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë atë.” (Luka 11:27-28)
Prandaj Kisha Orthodhokse nuk e ka pranuar madje e quan të gabuar shtesën e Kishës Romano-Katolike që në vitin 1854 nëpërmjet vulës papale, Inefabilis Deus, e shpalli: “Zënien e panjollëshme, të Hyjlindëses (Immacolata Concezione), si dogmë të besimit ku thuhet: “se e Tërëlumtura, Virgjëresha Mari në çastin e parë të zënies së saj, me anë të një hiri dhe privilegji të veçantë dhuruar nga Perëndia i Tërëfuqishëm duke paraparë meritat e Jisu Krishtit, Shpëtimtarit të racës njerëzore u ruajt e pastër nga çdo njollë e mëkatit fillestar ( stërgjyshëror )”.
Kisha e quan Gjithmonë e Virgjër, këtë emër e vendosi Sinodi V Ekumenik sepse ajo ishte e virgjër para lindjes, gjatë lindjes, edhe mbas lindjes, sepse ku kalon Zoti nuk ka prishje të krijesës. Kur Virgjëresha pyeti Kryeengjëllin se si do të ndodhë kjo lindje se: “unë burrë nuk njoh” (jam dhe do të mbetem e virgjër) atëherë ai i tha: “Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ty dhe Fuqia e Të lartit do të hijesojë prandaj dhe ajo foshnje e shenjtëruar që do të lind prej teje do të quhet Bir Perëndie” (Luka I:34-35).
Për ta kuptuar sadopak këtë mister le të japim dy shembuj nga natyra; ashtu si vesa që bie mbi lule dhe nuk e prish bukurinë e saj, ashtu dhe i Biri i Perëndisë kur uli qiejt dhe zbriti mbi atë nga vullneti i Atit me anë të Shpirtit të Shenjtë, nuk ia cënoi virgjërinë. Ashtu si rrezja e diellit kalon nga xhami i dritares dhe nuk e thyen atë, ashtu dhe i Biri i Perëndisë si njeri doli prej saj dhe nuk e cënoi virgjërinë. Për këtë qëllim, në ikonën e saj sipas traditës orthodhokse gjenden tre yje: një në ballë dhe dy në supe, për të shprehur në mënyrë simbolike besimin e patundur të Kishës se ajo është Virgjëreshë e përjetshme para, gjatë dhe pas lindjes. Një profeci në Dhiatën e Vjetër, që ndërgjegja e krishterë e ka interpretuar se Maria, do mbetej edhe pas lindjes Gjithmonë Virgjëreshë thotë: “Pastaj ai më çoi drejt portës së jashtme të shenjtërores që shikonte nga lindja, por ajo ishte e mbyllur. Zoti më tha: “Kjo portë do të mbetet e mbyllur, nuk do të hapet dhe askush nuk do të hyjë nëpër të, sepse nëpër të ka hyrë Zoti, Perëndia i Izraelit; prandaj do të mbetet e mbyllur.” (Ezekieli 44:2)
Kisha Orthodhokse e quan: “të Pacënuar, të Papërlyer, të Papikëluar, Virgjëreshë e pastër, Hirplotë, Zonja më e bekuar, Mbretëreshë e qiellit dhe e dheut”.
Por përse në ungjill përmenden vëllezërit dhe motrat e Krishtit: “A nuk është ky i biri i marangozit? Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakobi, Jose, Simon dhe Juda? Dhe motrat e tij nuk janë të gjitha ndër ne? Atëherë nga i erdhën këtij të gjitha këto?” (Matheu 13:55-56)
Tradita shekullore e Kishës na thotë shumë qartë se ata janë fëmijët e Josifit i cili para se të merrte nën kujdestarinë e tij, Gjithmonë Virgjëreshën Mari ishte një burrë i ve në moshë shumë të vjetër, dhe me gruan e parë që i kishte vdekur kishte ata fëmijë që tregohen si vëllezër dhe motrat e Jisuit në ungjill. Ky fakt vërtetohet nga vetë Ungjilli sipas Joanit ku na thuhet se kur Krishti ishte në kryq: “pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte pranë, i tha nënës së tij: “O grua, ja biri yt” Pastaj i tha dishepullit: “Ja nëna jote!” Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet. (Joani. 19:26-27) Nëqoftëse zonja Shën Mari do të kishte fëmijë të tjerë natyral me Josifin, Krishti Biri i saj si mund ta ndalonte që ajo të rrinte bashkë me fëmijët e saj, që t’i mohonte ata dhe të pranonte si bir Joanin, një nga nxënësit e Krishtit, kjo do të ishte një padrejtësi e madhe që Krishti do t’i bënte asaj.
Por edhe tradita e shenjtë që brenda saj përmbledh edhe sinaksarët (jetët e shenjtorëve) na tregon për Jakovin “vëllain e Zotit” episkopin e parë të Jerusalemit i cili u martirizua në vitin 62 ps. Kr. po ashtu edhe për Simeonin i cili u bë episkopi i dytë i Jerusalemiit mbas vitit (70-107) ps.Kr. Në kohën e Trajanit (98-117) ai u denoncua tek autoritet romake, kështu u arrestua dhe u martrizua në vitin 107 ps. Kr. në moshën 120 vjeçare. Pra duhej të ishte 13 vjet më i madh se Krishti, por edhe Jakovi që përmendet në ungjill para Simeonit i binte të ishte shumë më i madh në moshë sesa Krishti. Ky argument historik rrëzon poshtë herezinë blasfemuese se Zonja Shën Mari nuk mbeti virgjëreshë, por u bë një grua e zakoshme duke pasur fëmijë të tjerë me Josif vlesorin (kujdestarin).
Kaq i madh ka qenë nderimi i saj në botën e krishterë sa ndikoi edhe tek myslimanët dhe përmëndet edhe në Kuran. Pavarësisht se Kurani ndryshe nga Bibla nuk e pranon atë si Hyjlindëse, përsëri e nderon si gruan më të bekuar mes grave:
“Përkujto kur engjujt i thanë: “Oj Mejreme, All-llahu të dalloi ty (me besim e karakter), dhe të lartësoi mbi gratë e botës” [Surah Al Imran:42]…
Por kush është shkaku i parë që nxit për të tilla blasfemi kundër Gjithmonë Virgjëreshës Mari të cilat siç pamë nuk kanë asnjë bazë, si nga Shkrimi i Shenjtë as tradita e krishterë dhe mësimi i Kishës Katholike- Apostolike?
Shkaku dhe nxitësi i padukshëm është satanai, babai i gënjeshtrës, i cili ka një zili dhe urrejtje dhe armiqësi të madhe për Gjithmonë Virgjëreshën Mari sepse ajo ishte gruaja me e bekuara ndër gratë, që bëri të mundur realizimin e planit të Perëndisë për shpëtimin e njeriut i cili do të vinte nga një Bir, lindur nga fara e gruas (lindje virgjërore). “Atëherë Zoti Perëndi i tha gjarpërit (djallit): “Unë do të shtie armiqësi midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj; do të shtyp kokën tënde, dhe ti do të plagosësh thembrën e farës së saj. ” (Zanafilla 3:15)
Kjo armiqësi e djallit kundër të Tërëshenjtës, nuk do të pushojë deri në fund duke vjellë nga goja e tij blasfemi kundër saj, ashtu siç na thuhet tek libri i fundit i Biblës, libri i Zbulesës: “Dhe një shenjë e madhe u duk në qiell, një grua e veshur me diellin, me hënën nën këmbët e saj, dhe mbi krye të saj një kurorë me dymbëdhjetë yje” (Zbulesa 12:1) “Dhe ajo lindi një bir mashkull, i cili duhet të qeverisë gjithë kombet me skeptër të hekurt; dhe biri i saj u rrëmbye pranë Perëndisë dhe fronit të tij” (Zbulesa 12:5). “Dhe, kur dragoi pa se u hodh për tokë, përndoqi gruan që lindi birin mashkull” (Zbulesa 12:13). “Atëherë gjarpri qiti nga goja e tij ujë si një lumë (blasfemi) prapa gruas, që atë ta merrte lumi, dhe toka (shpirtrat e besimtarëve) e ndihmoi gruan, dhe toka hapi gojën e vet dhe përpiu lumin që dragoi kishte nxjerrë nga goja e vet” (Zbulesa 12:15-16).
Prandaj nuk duhet të çuditemi për të tilla blasfemi të cilat do të shpeshtohen në ditët e fundit siç thotë dhe apostull Pavli: “Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve, që flasin gënjeshtra me hipokrizi, të damkosur në ndërgjegjen e tyre… “(1 Timotheu 4:1-2)
Ky brez i pabesë dhe imoral, i cili sot po kontrollohet vetëm nga instikti shtazor i epshit, duke kaluar çdo limit natyral deri në perversion, patjetër që kur përballet me figura të tilla etalon (masë të njerëzimit) si të Zotit Krisht, Zonja Shën Mari, ndihet i turpëruar dhe i akuzuar në gjendjen ku e ka lëshuar veten dhe që të qetësojë ndërgjegjen (gjykatoren e Zotit) e tij kërkon të mbulojë diellin me shoshë dhe të “eklipsojë” figurën e Krishtit dhe të Shën Marisë si Adami i ri dhe Eva e re e njerëzimit të ri (krishterët) “të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.” ( Joani. 1:13).
Prandaj dalin të tillë mashtrues të mashtruar si pastorë reformatorë, murgesha trendi, shkrimtarë të pacipë, artistë të pamoralshëm, gazetarë ateist që flasin kundër Krishtit dhe Nënës së Tij me trillime “rozë” si libri “Kodi Da Vinçit” ose piktura me frymëzim humanist të “familjes së shenjtë” ku Josifi qëllimisht paraqitet i ri në moshë, madje në pozicione intime duke krijuar idenë se kemi të bëjmë me një çift normal burrë-grua, kjo e paraqitur edhe në filma, por që është një shtrembërim me dashje i së vërtetës.
Të tillë njerëz dhe grupe duke folur dhe vepruar në mëryrë të tillë, në kufijtë e blasfemisë janë duke mbledhur mbi veten e tyre, gjykimin e drejtë të Perëndisë sepse “goja gënjeshtare është e neveritshme për Zotin” (Fjalët e Urta 12:22).
Por ne të krishterët orthodhoksë si bijtë e saj, duke mos devijuar as majtas as djathtas në çdo brez e duam dhe pohojmë me mburrje Marinë si Nënën e Zotit, Mbretëresha e Qiellit dhe e Dheut, Portën e Qiellit, dhe i lutemi e Tërëshenjtë, Përmbishenjtë, Gjithmonë Virgjereshë, Hirplotë, Zonja Shën Mari, me të vërtetë Hyjlindëse ty të madhërojmë, ndërmjeto për ne tek Biri yt dhe Perëndia ynë. Kështu ne jemi duke përmbushur atë që ajo e mbushur me Shpirtin e Shenjtë tha: “Që tani e tutje të gjithë brezat do më lumturojnë, sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha dhe i shenjtë është emri i tij” (Luka.1:48-49) Amin.
E kremtja e Shën Theodhorit, si ditë Pashke !
Publikuar në Dt 06/03/2017 : Tirana Observer, shkrim i nga z. Miron Çako, përgjegjës i Zyrës së Katekizmit në KOASH.
Të shtunën e javës së parë të Kreshmës, të gjithë të krishterët orthodhoksë në mbarë botën, mbasi kaluan një javë agjërimi dhe kreshme, u mblodhën nëpër Kishat e Perëndisë për të kremtuar ditën e dëshmorit të madh, Shën Theodhorit dhe mrekullinë e grurit. Në çdo Kishë kjo ditë është si një panair i vogël festiv që e ëmbëlson dhe i jep kuptim periudhës së kreshmës, një periudhë pendimi (hidhërim-gëzimi). Por mendoj se veçanërisht kjo atmosferë u ndje në manastirin e Shën Theodhorëve në fshatin Dhërmi. Ky manastir që për fat të keq është i rrënuar dhe gjendet në majë të një mali që bie thikë mbi detin Jon.
Historia e këtij manastiri është shekullore, mendohet se është ndërtuar në shek. XI-XII. Sipas banorëve të fshatit ky manastir është i dyti nga radha e manastireve në zonën e Dhermiut. I pari manastir është ai i Lindjes së Hyjlindëses që është mbi fshatin e Dhermiut dhe ndërtimi i tij datohet rreth viteve 1001.
Nuk ka shumë të dhëna historike për manastirin, por arkitektura e tij, e cila ka lënë gjurmë të dukshme edhe sot e kësaj dite duke pasur Kishën në qendër dhe me ndërtesa rreth manastirit, me një kullë tre katëshe për t’u mbrojtur nga sulmet e piratëve, karakteristikë e atyre kohëve. Mendohet se manastiri ka pasur rreth 105 ha tokë. Thuhet se ka qenë manastir burrash, por në fund aty ka shërbyer një kallogre (murgeshë) nga Kreta me emrin Eleni. Ajo kishte parë një vegim nga shenjtori i cili e thërriti t’i shërbente në manastir që ishte pa përkujdesje. Ajo erdhi vajzë e re në atë manastir, shërbeu 60 vjet, vdiq dhe u varros në pjesën perëndimore të Kishës. Varri i saj është edhe sot e kësaj dite.
Në këtë manastir ka shërbyer një i përkushtuar Jani Karaj, nga fisi Strakosha. Ai shërbeu deri në vitet 1956, në atë vit manastiri me urdhër të pushtetit ateist-komunist u kthye në shtëpi pushimi për oficerët. Në vitin 1957 manastiri u bë bazë ushtarake ku qëndronin rusët. Manastiri u kthye në një pikë vrojtimi edhe për shkak të pozicionit të tij gjeografik. Mbasi u prishën marrëdhëniet me rusët manastiri u bë pjesë e ushtrisë popullore shqiptare deri në vitet 1990. U bënë ndërhyrje nga ushtria duke e transformuar arkitekturën e manastirit, madje edhe Kishën e shndërruan në fjetore për ushtarët.
Mbas viteve 1990-1991 besimtarët e morën manastirin në gjendjen që ishte i cili kaloi në pronë të Kishës Orthodhokse së bashku me pronat rreth manastirit që sot janë rreth 8.5 ha. U bë një ndërhyrje e thjeshtë për ta kthyer kishën funksionale, që aty të kryheshin shërbesa fetare. Dhe deri në vitin 2013 aty në çdo vit populli besimtar i të gjithë zonës mblidheshin për të kremtuar ditën e Shën Theodhorit. Por në këtë vit për efekt studimi u prish edhe çatia e kishës dhe kështu edhe ajo çfarë kishte mbetur nga ky manastir doli jashtë funksionit. Jo vetëm Kisha, por dhe ndërtesat që kishin mbetur rreth manastirit me kalimin e kohës filluan të degradohen.
Shumëkush mendoi se ky vend tashmë është një mall pa zot dhe disa të papërgjegjshëm, duke lakmuar natyrën piktoreske të vendit, guxuan të ndërtojnë edhe në pronat e manastirit, me dokumente të fallsifikuara. Populli besimtar i Dhërmiut reagoi dhe këto veprime ishin një plagë e dytë, mbas prishjes së dhunshme të kishës së Shën Athanasit, që akoma edhe sot e kësaj dite është një rrënojë, tregues i një veprimi arbitrar i atyre që e keqpërdorin pushtetin laik, i cili është i përkohshëm.
Zoti dhe shenjtori e lejoi djallin dhe njerëzit lakmitarë pa frikë Perëndie, të bëjnë deri në fund atë që mund të bënin. Por fjalën e fundit e ka Perëndia.
Me kërkesën e popullit besimtar të fshatit Dhërmi me në krye priftin atë Efthimi dhe murgun Ksenofon, fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas dha bekimin dhe ndihmën financiare për restaurimin e Kishës. Në një kohë rekord u restaurua kisha, duke nxjerrë në pah muret ekzistuese, u vendos çatia e re, dyert, dritare, ikonostas provizor me ikona dhe në ditën e Shën Theodhorit, në një ambjent shumë festiv, brenda asaj Kishe u krye Liturgjia Hyjnore.
Besimtarët ishin të shumtë nga Dhërmiu, Himara, Vlora, Tirana të gjithë kishin një gëzim, të pashprehur dhe në mënyrë të pavetëdijshme, mbanin qiri të ndezur në duar, gjatë orës së meshës dhe kjo gjë të sillte ndërmend Meshën festive të Pashkës. Të gjithë lavdëronin Perëndinë dhe shenjtorin dhe jepnin urata për ditë të gjatë Kryepiskopit Anastas për restaurimin e kësaj kishe në të cilën ata kanë adhuruar Perëndinë ndër breza
Por gëzimi u shtua edhe më shumë kur morën lajmin e mirë, se jo vetëm Kisha, por i gjithë manastiri do të restaurohet, në një kohë rekord dhe ambjentet e tij do të bëhen funksionale, veçanërisht për të pritur gjatë muajve të verës të rinj orthodhoks, por jo vetëm, nga e gjithë Shqipëria, në kampingun veror për të rinj të organizuar me përkujdesjen atërore të Kryepiskopit Anastas dhe të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Vërtet gjithë ky transformim i menjëhershëm i këtij manastiri shekullor, i ngjan një ngjalljeje të re të Krishtit të cilën ne presim ta festojmë si të krishterë në të gjithë botën në Pashkën e këtij viti. Lavdi Perëndisë për të gjitha!
Çdo të thotë të jesh një martir ?
.Publikuar në Dt 14/04/2017 : Gazeta Shqiptare, Balkanweb, Iliria pres, Tirana Observer. Shkrim i përgatitur nga z.Miron Çako
Në këtë kohë që po jetojmë, pavarësisht civilizimit shoqëror, i rregulluar me deklarata të të drejtave të njeriut, ligje për mbrojtjen e individëve apo grupeve të përndjekura, organizata, shoqata globale, përsëri mund të themi edhe paradoksalisht se po jetojmë në kohë përndjekjeje, në kohë martirësh. Por, këta martirë pavarësisht emrit të përbashkët që ia vënë vetes ose të tjerët, ndahen në dy grupe, për nga koncepti dhe përqasja ndaj martirizimit dhe janë diametralisht të kundërt, sepse një palë quhet martir se martirizohet, vuan dhe vdes pa bërë rezistencë, kurse një palë martirizon veten dhe të tjerët.
Por çfarë do të thotë martir?
Martir vjen nga greqishtja (martiria) që do të thotë etimologjikisht dëshmor, dmth. ai që dëshmon në lëmin historik, juridik edhe atë fetar. Nqs. e shohim martirin vetëm në aspektin fetar, atëherë problemi bëhet më i ndërlikuar për t’u zgjidhur, sepse të dyja palët preferojnë martirizimin si veprimi që tregon besnikëri të përsosur ndaj Zotit dhe i bashkon më shpejt me Atë në parajsë. Por kjo duket e pamundur, sepse krijon idenë që Zoti që është një, të ketë dy standarde dhe të pranojë si martirë njësoj dhe njëkohësisht si viktimën edhe atë që viktimizon të tjerët dhe veten njëkohësisht.
Çfarë është në krishtërim një martir?
Por në përdorimin e caktuar nga tradita e krishterë, emërtimi martir përdoret vetëm për ata që dëshmojnë me gjak besimin e tyre në Perëndinë dhe në Krishtin. Këta ishin dhe janë njerëz me mish dhe gjak si ne, të moshave nga fëmijë, të rinj, të reja, të rritur, të moshuar në pleqëri të thellë, si individë, familje ose grup, të varfër ose të pasur, të thjeshtë ose me pozitë, fisnikë dhe mbretër që jetuan në kohëra të ndryshme, me profesione të shumëllojshme, por që të gjithë i bashkon dhe i vëllazëron dashuria deri në martirizim për Perëndinë, që i bëri të ngjashëm dhe vëllezër me Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë, që është kurora e martirëve.
Jisu Krishti është kreu në kuptimin më të lartë të martirit për Zotin, modeli dhe tipi i përsosur i martirit. Në flijimin e tij të pranuar vullnetarisht si: “Qingji i Perëndinë që shlyen mëkatet e botës” (Jn. 1:29) Krishti jep dëshmi më të lartë të besnikërisë, të misionit që i ka besuar Ati i tij. Gjithë zbritja dhe shfaqja në botë e Birit të Perëndisë në mish njerëzor tregon dashurinë e Perëndisë për njeriun ashtu si vetë Krishti tha: “Kaq shumë e deshi Zoti botën sa dha Birin e tij të vetëmlindur që kushdo që beson në Të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Jn. 3:16). Por gjithashtu, martirizimi i Krishtit është përgjigjja e përsosur e dashurisë flijuese të Birit të Njeriut në emër të njerëzimit ndaj Perëndisë, i cili tha për vete: “Sepse unë nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar” (Jn. 5:30). Shpëtimi i Perëndisë për njerëzit kalon domosdoshmëri përmes vuajtjes dhe vdekjes së Krishtit, sepse mëkati i njerëzimit lahet me gjak, jo me atë të kafshëve, deleve, qingjave, por me atë të vetë Krishtit të martirizuar në kryq, si apostull Pavli shkruan: “Zoti hyri një herë e përgjithmonë në shenjtëroren jo me gjakun e cjepve dhe viçave, por me gjakun e vet dhe fiton një shpengim të përjetshëm” (Heb. 9:12)
Martirizimi i lavdishëm i Krishtit ka themeluar Kishën e krishterë. Ashtu si nga brinja e Adamit doli Eva, nëna e të gjallëve po ashtu nga brinja e shpuar me heshtë e Krishtit të kryqëzuar, e cila buron ujë dhe gjak rilind dhe ushqehet Kisha. Gjaku i Krishtit lidh gurët e ndërtesës së Kishës, ku gur i qoshes është vetë Ai. Prandaj jo vetëm Zoti Krisht dha dëshminë e besnikërisë ndaj Perëndisë me gjak, por edhe vetë Kisha që është trupi i Tij, është thirrur t’i japë Zotit dëshmi me gjak për shpëtimin e njerëzve. Prandaj në Kishën e Krishtit besimtari martir, merr një kuptim të ri, ai është imitim i vetë Krishtit, pjesëmarrja e plotë në dëshminë dhe në veprën shpëtimtare të Krishtit siç mësoi vetë: “Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti, nëse më kanë përndjekur Mua do t’ju përndjekin edhe juve” (Jn. 15:20).
Gjaku i martirëve bashkohet me gjakun e Krishtit dhe bëhet shkak për shpëtimin e botës, ashtu si përsëri apostull Shën Pavli thotë: “Tani gëzohem në pësimet e mia për ju dhe mbush mungesat e shtrëngimeve të Krishtit në mishin tim për trupin e Atij që është Kisha” (Kol. 1:24). Të gjithë të krishterët besnikë, pasi morën kryqin dhe ndoqën Jisuin deri në flijim kontribuojnë në rritjen e Kishës në mbarë botën. Kjo është arsyeja që atje ku martirizohet një martir ndërtohet një Kishë, ku zbret hiri i Perëndisë për të shenjtëruar vendin dhe njerëzit. Në kanonet e Kishës Orthodhokse nuk mund të kryhet Liturgji në asnjë altar ku nuk ndodhen lipsane martirësh prandaj në Liturgjinë Orthodhokse përdoret Andiminsi, një pëlhurë që vendoset mbi altar dhe në cepat e saj ka lipsane shenjtorësh martirë. Nuk ka Kishë Orthodhokse që nuk është ngritur mbi gjakun e martirëve, që së bashku me gjakun e Krishtit i bën të patundura themelet e çdo kishe lokale në çdo vend që edhe: “Dyert e hadhit nuk do të kenë fuqi përmbi të” (Math. 16:18).
Mundimet e Jisuit nxjerrin në pah tiparet që do të preokupojnë këtej e tutje martirin. Ashtu si Jisuit në agoninë e tij iu shfaq një engjëll për t’i dhënë fuqi gjatë martirizimit vullnetar, ashtu edhe martiri do të ketë ngushëllimin e Hirit Hyjnor në sprovën e tij. Martiri sipas shembullit të Krishtit do të qëndrojë me durim para akuzave dhe gënjeshtrave, siç qëndroi dhe Krishti para sinedrit, Pilatit dhe Herodit, që e akuzonin padrejtësisht. Ashtu si Krishti i fali armiqtë e tij në kryq duke thënë: “Fali o Atë se nuk e dinë çfarë bëjnë” (Llk. 23:34) edhe martiri duhet t’i falë armiqtë e tij në martirizim dhe ashtu si Krishti duroi deri në fund martirizimin e tij dhe dorëzoi shpirtin tek Ati duke thënë: “Në duart e tua e jap shpirtin tim” (Llk. 23:46) po ashtu dhe martiri do durojë deri në fund dhe do të dorëzojë shpirtin e tij tek Zoti. Këtë imitim të martirit në Krishtin e gjejmë të përmbushur te martirizimi i Shën Stefanit, që ashtu sipas imitimit të Krishtit, u lut për armiqtë që po e godisnin me gurë duke thënë: “O Zot Jisu, prano frymën time” dhe si ra në gjunjë, thirri me zë të lartë tha: “O Zot mos ua ngarko atyre këtë mëkat dhe siç tha këto fjeti (vdiq)” (Vep. 7:59-60). Shën Stefani nderohet nga Kisha Orthodhokse si i pari martir i Krishtit dhe frymëzim, për të tjerë martirë pas tij deri në fund.
E gjithë reja e martirëve është e madhe, numri i tyre është si ai i yjeve të qiellit, i cili vazhdon të shtohet me martirë të rinj deri më sot dhe deri në fund të kohës: “Derisa të plotësohet numri… i tyre që duhet të vriten porsi ata” (Zb. 6- 11). Vetëm gjatë tre shekujve të parë në sinaksarët e Kishës janë regjistruar 11 milionë të krishterë dhe meqenëse numri i martirëve shtohej çdo ditë dhe ishte e pamundur për t’u regjistruar të gjithë, Kisha në kalendarin liturgjik vendosi një ditë për nderimin e gjithë martirëve të panjohur. Më vonë në këtë ditë u vendos dhe nderimi i të tjerë shenjtorëve, që u shenjtëruan me martirizimin e ndërgjegjes (murgjërit) dhe kjo ditë u quajt dita e të gjithë shenjtorëve.
Kisha Orthodhokse këta martirë i ndan në grupe të veçanta për të treguar meritat e tyre. Martirët që u dalluan për rezistencë të fortë dhe kohëzgjatja e torturave ishte e madhe, Kisha nuk i quan thjesht martirë, por martirë të mëdhenj. Ata martirë që vijnë nga radhët e klerit i quan hieromartir. Ata martirë, të cilët qëllojnë të bëjnë pjesë në shtresën e asketëve dhe murgjve karakterizohen si oshënarë martirë. Ata të cilët u martirizuan për besimin e Krishtit gjatë viteve të vështira të rënies së Kostandinopojës ose që u martirizuan gjatë kohës së pushtimit turk dhe nga çdo pushtet dhe dhunë anti e krishter deri në ditët e sotme përbëjnë atë që quhet renë e martirëve të rinj, ose neomartirët.
Të gjithë këta martirë dhanë frymën e tyre te Perëndia mbas vuajtjeve të rënda, të shkaktuara nga mania e djallit që frymëzonte xhelatët e tyre, që t’i frikësonin dhe t’i bënin të mohonin besimin e tyre. Kaq të frikshme ishin këto tortura sa kur ne i lexojmë të përmendura në sinaksarët e shënjtorëve na duken hiperbolike dhe të pabesueshme. Në fillim xhelatët i tundonin martirët me oferta për t’u falur jetën. Në qoftë se ata do të mohonin besimin, ose do t’ju flijonin idhujve ju premtonin pasuri, ndere, grada, p.sh. shumë vajzave shënjtore si Shën Ekaterina, Shën Parashqevia, Shën Irini iu premtua martesë nga vetë mbretërit dhe kur ato nuk lëkundeshin në besimin e tyre, u përmendnin llojet e torturave dhe iu tregonin mjetet e frikshme dhe pastaj fillonte tortura, në fillim kamxhikimi me kamxhik ose me shkopinj. Shpeshherë këto mjete torture hapnin plagë të frikshme në të gjithë trupin ku prej tyre dilte gjak, që e skuqte gjithë trupin e martirit, që ngjante si një copë mishi e varur në çengel, pastaj i shqyenin brinjët dhe trupin me thonj të hekurt dhe iu hidhnin në kurriz kripë, uthull dhe ia fërkonin plagët me rroba të leshta duke i lënë ashtu të paralizuar. Iu vishnin lëkura kafshësh dhe i lyenin me gjak dhe i hidhnin në arenë që t’i shqyenin bishat. I lyenin me serë dhe i digjnin me pishtarë si p.sh. për të ndriçuar oborret e Neronit. Ua ndanin trupin më dysh duke i lidhur gjymtyrët në pemë të ulura me forcë që kur ato drejtoheshin e ndanin trupin e martirit më dysh. I lidhnin mbas kuajve dhe i tërhiqnin zvarrë nëpër rrugë, që skuqej nga gjaku i martirit ose i hidhnin në kazan, që zienin vaj të nxehtë dhe serë ose i piqnin në tigan, i shqyenin trupat e tyre me rrotën lëvizëse me shumëllojshmëri thikash të mprehta që sa herë rrotullohej priste trupin e martirit, i rripnin të gjallë, iu prisnin gjymtyrët, i linin të vdisnin nga uria edhe etja dhe më në fund kur nuk kishin çfarë t’ju bënin më, iu prisnin kokat.
Por, si është e mundur që martirët të duronin këto tortura të frikshme, të cilat xhelatët ua bënin jo vetëm martirëve të fortë fizikisht që mund të duronin, por edhe vajzave të brishta ose pleqve dhe vetë fëmijëve. Këtë frymëzim dhe këtë fuqi për të duruar torturat e frikshme martirët qoftë edhe fëmijë, e merrnin nga hiri i Perëndisë. Vetë Zoti Krisht tha: “Pa mua nuk bëni dot asgjë” (Jn. 15:5) aq më shumë të martirizohet dikush me tortura. Martiri thjesht si njeri ngjan si një tel që mund ta copëtosh, mund ta përdredhësh si të duash, por në qoftë se teli lidhet me burimin e energjisë bëhet i paprekshëm dhe vdekjeprurës për ata që e prekin pa kujdes. Martirët duke qenë në lutje të pandërprerë ishin të mbushur me Hirin, energji të Shpirtit të Shenjtë vetë Zoti bashkëvuante dhe duronte me martirët. Apostull shën Pavli, i cili vuajti aq shumë për hir të emrit të Krishtit tha: “Sepse juve iu është falur për hir të Krishtit, jo vetëm t’i besoni Atij, por edhe të pësoni për Të” (Fil. 1:29).
Martirët ndryshojnë shumë nga ata të tjerë që vdiqën nën dhimbjen e torturës nga armiqtë e tyre, ose për shkak të gabimeve dhe shkeljes së ligjit. Martirët vdiqën për të vërtetën absolute dhe dashurinë e përsosur që janë të mishëruara në Krishtin Zot, prandaj dhe martirët dhanë frymën me emrin e Krishtit në gojë. Ata u torturuan pa bërë diçka të kundërligjshme apo në dëm të të tjerëve, por vetëm se donin Zotin dhe e thanë të vërtetën me fjalë dhe me vepra. Pra i urryen pa shkak, ashtu si urryen dhe Krishtin që tha për armiqtë e tij: “Kush më urren mua, urren edhe Atit tim,… por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre, më kanë urryer pa shkak” (Jn 15-24). Ata kishin mundësi të zgjidhnin t’iu shmangeshin torturave vetëm në qoftë se do mohonin besimin të paktën vetëm me gojë, ose me ndonjë gjest dhe kjo do t’ju siguronte jo vetëm jetën, por dhe pozita apo pasuri. Por ata nuk i pranuan duke i quajtur të gjitha si pleh përpara Krishtit, i cili e fton martirin: “Ji besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës” (Zb. 2:10)
Martirët vdiqën duke bekuar dhe duke falur armiqtë e tyre, ndryshe nga të tjerët, që urrenin dhe mallkonin xhelatët në kohën e torturës. Kjo gjë është e pazakontë për natyrën e dobët njerëzore dhe për sytë e njerëzve ata janë mbinjerëzorë, madje shpeshherë i akuzonin si magjistarë, por ata pohonin se ishte forca e besimit që i bënte të tillë. Me durimin e tyre mbinjerëzor ndikonin edhe tek vetë xhelatët, të cilët nga persekutues, u persekutuan sepse edhe ata pohuan se janë të krishterë. Është mallëngjyes fakti në jetën e 40 martirëve që u dënuan me vdekje të ngadaltë nga të ftohtit në Sebaste të Armenisë viti 320. Një nga ushtarët që persekutonin 40 martirët u prek nga durimi i tyre, që vuanin gjithë natën të ftohtin e liqenit të akullt dhe kur një nga të 40-ët dezertoi nga frika e vdekjes, ushtari pa se nga qielli zbritën 40 kurora, 39 qëndronin mbi kokat e 39 martirëve kurse një qëndronte në ajër. Ushtari pagan u ndriçua nga ky vizion dhe tha thirrjen martirike: “Edhe unë jam i krishterë”, u zhvesh dhe u bashkua me grupin e martirëve duke rrëmbyer kurorën e 40.
Martirët pavarësisht se në sytë e njerëzve paganë, antikrisht, ateistë duken si njerëz të dobët, të mundur, madje edhe të marrë se pranojnë edhe sot çnderime, tortura dhe vdekje në emër të një farë Jisui të kryqëzuar, por gabohen, sepse ashtu si armiqtë e Krishtit nuk e panë ngjalljen e lavdishme të Krishtit, po kështu ata nuk mund ta shohin dot lavdinë që Krishti u ka rezervuar martirëve në jetën e përjetshme në Mbretërinë e Perëndisë. Në librin e Urtësisë së Solomonit na thuhet: “Shpirtrat e të drejtëve janë në duart e Perëndisë dhe ata nuk do t’i prekë aspak vështirësia e vdekjes. Në sytë e të marrëve u dukën se vdiqën dhe kalimi i tyre nga kjo jetë u duket si ndëshkim. Ndarja e tyre shihet prej nesh si asgjësim, kurse ata janë në paqe. Por edhe nëse në sytë e njerëzve e sprovuan ndëshkimin, sepse shpresa e tyre ishte plot pavdekësi, për një vuajtje të lehtë do të fitojnë të mira të mëdha, sepse Perëndia i vuri në sprovë dhe i gjeti të denjë për vetveten” (Ur. Sol. 3:1-5). Për lavdinë e martirëve na tregon libri i fundit i Biblës: “Pashë dhe ja një turmë e madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte prej gjithë kombeve dhe fiseve, kombeve dhe gjuhëve, këta qëndronin në këmbë dhe përpara Qingjit (Krishtit), të veshur me petka të bardha dhe me palma në duar dhe bërtisnin me zë të madh duke thënë shpëtimi është i Perëndisë sonë, që është ulur mbi fron dhe i Qengjit… këta janë ata që kanë ardhur nga shtrëngimi i madh dhe kanë larë rrobat e tyre me gjakun e Qengjit, prandaj janë përpara fronit të Perëndisë dhe i shërbejnë Atij ditë e natë në tempullin e tij, edhe Ai që rri ulur mbi fron do të rrijë mbi ta, nuk do të kenë më uri, as nuk do të kenë më etje, as nuk do t’i godasë më dielli fare ose çfarëdo vape sepse Qengji që është në mes të fronit do t’i kullosë dhe do t’i prijë te burimet e ujërave të gjalla dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre” (Zb. 7:9.15.17).
Pavarësisht se jo të gjithë të krishterët janë të thirrur të martirizohen me gjak, të gjithë janë të thirrur të martirizohen me martirizimin e ndërgjegjes dmth., të përballesh me durim dhe vetëmohim me tundimet e djallit, të frymës së botës, padrejtësitë e njerëzve dhe dobësitë personale, sëmundjet dhe fatkeqësitë ashtu si mëson apostulli i kombeve Pavli: “Të gjithë ata që duan të rrojnë në perëndishmëri në Krishtin Jisu do të përndiqen” (II Tim. 3:12). Por, martirët nuk do të humbasin, sepse Zoti Krisht tha: “Ai që fiton do t’i japë të ulet me mua në fronin tim, sikurse unë fitova dhe u ula me Atin në fronin e tij” Amin.