Shën Gjergji, Martir i Ri nga Kios
Shenjti lindi në ishullin Kios. Kur ishte 9 vjeç mbeti jetim nga e ëma, ndërsa babai i tij u martua përsëri. Kështu fëmija për nënë njohu njerkën e tij. Më pas babai i tij e solli pranë një drugdhendësi për të mësuar këtë zanat. Një ditë Gjergji bashkë me disa shokë të tij hipi në një anije dhe shkoi në Kavala. Aty, bashkë me shokët e tij shkoi që të vidhte shalqi. Rojtari i tokës me shalqinj arriti të kapë vetëm Gjergjin e vogël dhe e çoi tek kadiu. Atëherë fëmija nga frika mohoi besimin e tij të shenjtë. Njëri prej Agarinëve e mori në shtëpinë e tij dhe pas një farë kohe e dorëzoi tek një person tjetër. Të afërmit e fëmijës nuk ishin në djeni të këtyre ngjarjeve.
Gjergji filloi që të punonte si marinar në një anije. Njëherë anija arriti në limanin e Kios për të shkarkuar mallin e saj. Një i afërm e njohu Gjergjin dhe e përshëndeti, por u suprizua kur dëgjoi ta thërrisnin Ahmet. I thotë i çuditur: “Çfarë është kjo që po dëgjoj? Fëmija nuk u përgjigj, thjesht u kthye në anije pa bërë zë, pasi brenda tij, gjithmonë torturohej prej rënies së tij. Në një udhëtim tjetër u mundua që të takohej me babanë e tij, por nuk mundi. Në udhëtimin e tretë, duke veshur veshje të krishterësh takoi më në fund babanë e tij, i cili e priti me lot, duke mos mundur të besojë fatkeqësinë që kishte gjetur atë dhe birin e tij.
Duke ditur se fëmija nuk mund të jetonte në Kios me këshillën e atit të tij shpirtëror, e solli me kaiken e tij në Kidhones, ku e dorëzoi tek një besimtar i Krishterë, që ishte i njohur i tij. Shenjti atëherë ishte 10 vjeç. Ky njeri e dërgoi që të jetonte bashkë me punëtorët e tjerë në tokat e tij, por edhe që të jetë më tepër larg syrit të Turqve, se mos e njihte ndonjë prej tyre. Aty qëndroi dhe punoi deri në moshën 20 vjeçare, duke jetuar me maturi dhe devotshmëri.
Por kishte gabuar duke i rrëfyer të fshehtën e tij tek një jerondeshë, të cilën e kishte si nënën e tij. Duke u rritur filloi që të vizitonte Aivalin ku u njohi me shumë vendas dhe krijoi edhe shoqëri. Takoi që të njihte një vajzë me qëllim për t’u martuar. Të afërmit e vajzës e pyetën për gjendjen e Gjergjit dhe mësuan prej jerondeshës edhe të fshehtën e apostazisë dhe rikthimit të tij në krishtërim, por duke vlerësuar të mirat e Gjergjit, familja e vajzës, nuk u bezdis nga ky fakt.
Ndërsa dasma po përgatitej, një vëlla i nuses u zemërua me Gjergjin, pasi ky i fundit i kërkoi t’i kthente paratë që i kishte huazuar. Vëllai i nuses i zëmëruar shkoi dhe e paditi Shenjtin tek pashai i Aivalit për rikthimin në Krishtërim. Disa miq të Shenjtit mësuan për këtë tradhëti dhe e nxitën që të largohej, por shenjti as u largua edhe as u fsheh, sepse gjithë ato vite vuante në shpirtin e tij për mëkatin e mohimit.
Kadiu urdhëroi që ta sillnin të lidhur para tij. Ai i tha: Pse guxove që të lëshosh besimin tonë dhe të ndjekësh përsëri atë që mohove? Shenjti u përgjigj: As besimin tim mohova e as besimin tuaj pohova. Por kur isha fëmijë më kërcënuan që ta pranoja. Me vullnetin tim kurrë nuk e mohova besimin tim, por gjithmonë i Krishterë isha dhe si i krishter jetoja. Fenë tuaj gjithmonë e kam urryer dhe e urrej edhe nuk e pranoj.
Kur kadiu dëgjoi këto, ndyshoi taktikë dhe i thotë me ton të qetë: Na thuaj o njeri, emrin që more kur u rrethpreve. Emri im është Gjergj, i përgjigjet Shenjti, dhe me këtë emër do të vdes. Na thuaj, këmbngul kadiu, emrin tënd dhe mos e moho besimin tënd. Ne edhe nderime të mëdha do të të bëjmë dhe për të gjithë ne i dashur do të bëhesh. Por nëse nuk më bindesh, ta dish se do të vdesësh me një vdekje të tmerrshme. Emrin tim e thashë, dhe e dëgjuat. Quhem Gjergj dhe si Gjergj dëshiroj të vdes, u përgjigj shenjti. Nuk do të vdesësh me një vdekje të lehtë, i përgjigjet kadiu dhe urdhëroi që ta mbyllnin në burg.
Qëndroi në burg për 17 ditë duke i duruar të gjitha me shumë gëzim për dashurinë për Krishtin. I gjithë populli i qytetit, duke mësuar këtë ngjarje, i luteshin Perëndisë, që të forconte martirin në këtë situatë. U përpoqën që të gjenin mënyrë që ta forconin shpirtërisht në burg, në mënyrë që të përballonte sa mendimet demoniake aq edhe presionin psikologjik që i bënin të pabesët.
Përfundimisht u shpall dënimi i tij me vdekje. Atëherë të krishterët u kujdesën që një atë shpirtëror të shkonte në burg që ta rrëfente dhe ta kungonte. Ekzekutimi u urdhërua që të bëhej në sheshin e Aivalit në mbrëmjen e 25 Nëntorit. Të gjithë të krishterët ishin vigjilentë, disa në kishë, ku bënin agripni për forcimin e martirit, dhe disa të tjerë u mblodhën në shesh.
Kur arriti kadiu dhe disa Turq të parisë, sollën Shenjtin i cili vazhdimisht thoshte lutjen, “Zot Jisu Krisht, falmë mua mëkatarin” dhe “E Përmbishenjtë Hyjlindëse shpëtomë”.
E urdhëruan të gjunjëzohej, ndërsa para tij qëndronte xhelati me të gjitha armët e tij. e nxitën për herë të fundit që të mohonte Krishtin. Shenjti u përgjigj me zë të madh: Jo, jo, i krishter dua që të vdes.
Xhelati e qëlloi në shpinë dhe megjithëse gjaku filloi që të rridhte vrullshëm, shenjti qëndroi pa lëvizur si të mos kishte ndodhur asgjë. Më pas e goditi me një thikë, e cila ngeci në kockë, saqë u desh fuqi për ta shkulur që aty. Shenjti vijonte që të qëndronte i gjunjëzuar dhe duke u lutur. Përfundimisht e goditi me shkelm dhe e hodhi poshtë, e kapi nga nofulla dhe e theri si një qengj, me shumë ashpërsi dhe egërsi. Shenjti ishte 22 vjeç.
Ndërsa agripnia gjendej në mbrëmësore, gjatë litanisë. Një i krishter arriti duke vrapuar dhe tha: “Mbaroi” dhe priftërinjtë menjëherë kujtuan emrin e tij bashkë emrat e martirëve të tjerë që kujtohen në litani. Të krishterët me lot gëzimi shpirtëror dhe ngazëllimi pranuan lajmin e mbarimit martirik të Shenjtit. Fitoren dhe triumfin e Kryqit kundër armiqve të dukshëm dhe të padukshëm.
Turqit urdhëruan që Lipsani i Shenjtë të hidhej në ishullin që gjendej në gjirin e Aivalit. Por, të Krishterët e morën dhe e varrosën me shumë nderim, brenda Hierores së Kishës së Shën Gjergjit, në të djathtë të Tryezës së Shenjtë, si një lipsan martirik.
Lavdi Perëndisë ndër Shenjtorve të Tij
Shën Sofianoi, Episkop i Drinopojës dhe Gjirokastrës
Shenjtori i ditës :
Shën Sofianoi ishte një personalitet i rëndësishëm fetar i kohës së tij në zonën e Epirit dhe konsiderohet si pararendës i Kozmait të Etolisë. Me shumë mundësi ka lindur në fshatin Poliçan të Pogonit. U bë i njohur qysh nga momenti që u fronëzua në fronin e episkopatës së Drinopojës, që përfshinte atëherë zonat e Gjirokastrës, Delvinës dhe Himarës.
Në vitin 1672 ndërtoi një shkollë në Manastirin e Shën Athanasit. Në kohën që jetoi, islamizimi ishte bërë një fenomen i zakonshëm. Ai, duke dashur të përballet me këtë situatë kaloi fshat më fshat që të nxiste popullin për ruajtjen e traditave dhe fesë së tyre. Në vitin 1711, pak muaj para fjetjes së tij, tërhiqet prej detyrave të tij priftërore dhe jeton si murg, që të merret ekskluzivisht me predikimin dhe veprën e tij hierapostolike.
Për shkak të karakterit të tij ishte veçantërisht i nderuar, madje edhe prej myslymanëve. Dëshmohet rasti i një vajze myslymane të re, e cila e dëshpëruar shkoi pranë Shenjtit, pasi nuk po gjente fesin e saj të qëndisur me flori. Ai u lut dhe zbuloi se fesi i saj gjendej në folenë e një lejleku, duke i treguar edhe vendin e saktë ku gjendej. Vajza e gjeti fesin e saj duke shprehur mirënjohjen e saj për Shenjtin.
Një tjetër mrekulli të Shenjtit, e dëshmojnë burimet historike dhe dëshmitë gojore. Manastirin e Shën Athanasit e vizitoi një kalimtar, të cilit murgjit i rrëfyen një mrekulli. Gjatë këtij rrëfimi ishte i pranishëm edhe Shën Sofianoi, i cili e dëgjoi rrëfimin me vëmendje. Fillimisht kalimtari u tregua dyshues ndaj rrëfimit të murgjërve dhe dhe më pas shprehu fort mosbesimin e tij. Atëherë Shenjti u ngrit dhe urdhëroi një murg të ri që të merrte prej oxhakut tre copa druri qershie që digjeshin. I kërkoi kalimtarit mosbesues dhe murgut që ta ndiqnin në oborr dhe duke marrë kazmën, i mbolli të tre copat e drurit duke i thënë kalimtarit se deri pranverën tjetër këta dru do të lulëzojnë dhe do të lëshojnë fryte, që Perëndia t’i tregonte atij se rrëfimi i murgjërve për mrekullinë ishte mëse i vërtetë.
Dhe me lutjet e Shenjtit, mrekullia u bë. Drutë e djegur hodhën rrënjë, nxorrën gjethe dhe lëshuan fryte, siç Shenjti kishte parashikuar. Ato gjenden edhe në ditët tona në Manastirin, që sot mban emrin e Shenjtit dhe quhet Manastiri i Shenjtëve Athanas dhe Sofiano.
Shën Sofianoi fjeti më 26 nëntor të vitit 1711. Koka e tij e shenjtë si edhe lipsanet e tij të shenjta ruhen në arka të zbukuruara, të cilat për arsye sigurie janë transferuar prej Manastirit të Oshënarit në kishën qëndrore të Taksiarkëve në Poliçan nga prifti i devotshëm i fshatit Efthimio Kalama dhe banorët e tij, ku ruhen deri më sot për bekim dhe shenjtërim.
Shën Petro Hezikasti.
Shenjtori i ditës : Oshënar Petro Hezikasti
Oshënar Petro Hezikasti ishte me origjinë nga Ponti i Azisë së Vogël dhe që në vogëli dallonte për devotshmërinë e tij të zjarrtë dhe për përkushtimin e tij të plotë në të mirat shpirtërore.
Në moshën shtatë vjeçare, shkoi në Galatia dhe më vonë në Palestinë, ku besimi i tij u forcua akoma më tepër dhe më pas përfundoi në Antioki ku asketizoi në malet e saj, të lavdëruar prej shumë atletëve të mëdhenj dhe mësues të Krishtërimit.
Shumë shpejt frytshmëria e tij shpirtërore u përhap dhe një numër i madh njerëzish erdhën tek ai, duke marrë këshilla dhe ngushëllime të vlefshme për të shëruar plagët e vështira të shpirtit. Për vyrtytin e tij të madh, mori prej Perëndisë dhuntinë që të ketë pushtet mbi demonët. Kështu çliroi prej demonëve një person që quhej Dhaniil, të cilin pasi e katekizoi ( i mësoi besimin e krishterë) e bëri edhe bashkëasketin e tij.
Vdiq në paqe në moshën 95 ose 99 vjeçare.
Shën Mërkuri, Martir i Madh. ( 25 Nëntor)
Martiri i madh shën Mërkuri ishte një ushtarak i shquar, jo vetëm i ushtrisë së perandorit Deci, të cilit i shërbente, por edhe i Krishtit. Mërkuri ishte me origjinë nga Skithia dhe i ati i tij quhej Gordiano.
I dalluar në një beteje, gjatë së cilës kishte vrarë gjeneralin armik, u nderua me gradën e gjeneralit. Por kur u thirr që të merrte pjesë në një sakrificë për idhujt, refuzoi dhe nuk hezitoi, kur u pyet, që të pohonte që ishte i krishterë. Mbreti u përpoq në fillim, që ta joshte me fjalë të mira. Por duke parë, që nuk mund ta bindte që të mohonte Krishtin, urdhëroi që ta torturonin. Pasi e mbushën me plagë, i prenë kokën në Qesari të Kapadokisë, ndërmjet viteve 253-259.
+ Shën Nikodhimi, Martiri Oshënar nga Veria
Shenjtori i ditës :
Shën Nikodhimi lindi në një familje të pasur dhe fisnike të Verias. Jetoi gjatë kohës së perandorit bizantin Andronik II Paleologu dhe asketizoi në manastirin e Filokalis në Selanik.
Shenjti ndihmoi imoralet që të largoheshin nga ky mëkat dhe për këtë arsye gjendej rregullisht në vendin ku ato punonin. Murgjit e Manastirit të tij nuk e kuptonin kultivimin e tij shpirtëror dhe e trajtonin sikur të ishte pjanec dhe imoral. Tutorët e prostitutave që shenjti mundohej të ndihmonte për të dalë nga kjo rrugë mëkatare, e sulmuan dhe e vranë me thikë. I gjakosur u kthye në Manastir, por nuk u lejua që të hynte dhe si pasojë vdiq në portat e Manastirit dhe u hodh në një vend të ndotur.
Pas një dekade, prej varrit të tij buroi miro dhe atëherë u njoh edhe shenjtëria e tij. Jeta e Shenjtit u shkrua prej nxënësit të Shën Grigor Pallamait, Oshënar Filotheo Kokinos, gjatë kohës kur ky ishte igumen i Manastirit ku jetoi Shën Nikodhimi. Katastrofat e shpeshta nuk e shpëtuan Lipsanin e tij, por edhe vendodhjen e saktë të Manastirit Filokalus. Kujtimi i Shenjtorit u vendos që të kremtohej më 24 Nëntor.
Shën Dhionisi I, Patriark i Kostandinopojës
Shenjtori i ditës :
Shën Dhionisi lindi në Dhimiçana të Peloponezit. U qeth murg në Manastirin e Shenjtë Manganon në Kostandinopojë, ku shkëlqeu në vyrtyt dhe devotshmëri nën drejtimin e atit të tij shpirtëror, Shën Markut, mitropolitit të Efesit Evgjenikut (19 janar), i cili e dorëzoi dhjakon dhe presviter.
Rob i Osmanëve në Adrianopojë, u ble nga arkondi Kirixi dhe u dorëzua mitropolit i Filipolit prej Patriarkut Ekumenik Genadh Skolarit (1454-1456). Në Janar të vitit 1467 u ngrit në fronin patriarkal të Kostandinopojës dhe qëndroi aty deri në vitin 1472.
U akuzua me shpifjen se gjatë robërisë në Adrianopojë ishte rrethprerë dhe ishte islamizuar, por tregoi para kryepriftërinjëve dhe popullit që kjo akuzë ishte e rrëmë, “duke i treguar gjithë popullit mishin e tij dhe të gjithë panë pastërtinë dhe virgjërinë e tij”. Më vonë u largua për në Manastirin Ikosifinisit në Drama, por u rikthye përsëri në fronin patriarkal në vitet 1488-1490, për të ardhur përsëri në këtë Manastir, ku qëndroi deri në vdekjen e tij në vitin 1492.
Shërbesa dhe kanoni u shkrua prej bashkëkohësit të tij Manuelit të Korinthit, por kanon për të është shkruar edhe prej protosingjelit të Ksanthit Krisanthit.
Shën Sozomen Mrekullibërësi
Një kodik i kishës së Trinisë së Shenjtë Rizokarpasu tregon se si Shën Sozomeni ishte me origjinë nga Karpasia e Qipros, ndërsa prej shërbesës së tij, si edhe prej burimesh të tjera, mësojmë se jetoi para pushtimit latin të Qipros (rreth 1100). Që në vogëli, prej prindërve të tij shpresëtar u drejtua në studimin dhe njohjen e fjalës së Perëndisë dhe me kalimin e kohës arriti një formim dhe njohuri të rrallë për kohën.
Kur u rrit vendosi që të largohej prej shtëpisë së tij dhe të shkonte në shkretëtirë. Aty i lirë prej çdo kujdesi trupor, vetëm një gjë mendonte: Si t’i pëlqente Perëndisë. Më vonë shkoi në një shpellë. Hyri brenda, bëri shenjën e Kryqit dhe me një zë që dridhej nga emocioni dhe frika filloi të psalte me zë të ulët: “Le të ngrihet zemra ime për ty o Fjalë, dhe nuk do të kem zili, për asnjë dëfrim të botës” (Andifoni i tretë i T.IV). Sepse tek ty Krishti im, tek Ty Fjalë e Perëndisë, le të ngrihet zemra ime. Dhe atëherë o Zot, asgjë nga kotësitë e botës nuk mund të më largojë prej teje.
Sa më shumë kalonte koha, fama e Shenjtit përhapej. Askujt nuk i mohonte dashurinë dhe ndihmën e tij. Vendqëndrimi i tij ishte i hapur për të gjithë. Dhuntinë shëruese, të cilën i’a fali Perëndia, e ofroi tek të gjithë ata që me besim dhe pendim të sinqertë përiknin tek hiri i tij dhe i kërkonin shërim.
Dhe kështu, pasi jetoi në mënyrë të pëlqyeshme prej Perëndisë, e dorëzoi shpirtin tek Zoti. Trupin e tij të shenjtë e morën me shpresëtari të krishterët dhe e varrosën në thellësi të shpellës. Varri i tij u bë “shërim sëmundjesh”. Aty përikin edhe sot të sëmurë nga vende të ndryshme për të gjetur shërimin e tyre.
Kujtimi i shenjtit kremtohet më 20 Nëntor në shumë vende të Qipros, ndërsa në disa vende të tjera kremtohet më 21 bashkë me të kremten e Hyrjes së Hyjlindëses në Tempull. Atë ditë me mijëra besimtarë nga vende të ndryshme mblidhen në shpellë, ku shenjti asketizoi. Shkojnë edhe tek kisha e Shën Sozomenit në Potamia ose në Rizokarpaso dhe tek të gjitha kishat që janë në emër të tij për ta nderuar dhe për të lavdëruar Perëndinë e Plotfuqishëm për shenjtorët e Tij. Kështu mrekullitë e shenjtorit vijojnë. Dhe besimtarët që me shpresëtari vrapojnë tek hiri i tij, i psalin çdo herë me devotshmëri shpirtërore.
Shën Azis mrekullibërësi
Shenjtori i ditës :
Shën Azisi jetoi në vitet e Perandorit Dioklician rreth vitit 289 dhe ishte me origjinë nga vendi i Izaurëve. Në profesion ishte ushtarak, por e la jetën ushtrake dhe jetoi në shkretëtirë si asket, ku bëri shumë mrekulli. Mirëpo, ai u raportua nga disa gjahtarë që e kishin parë dhe një detashment (Repart) ushtarak u dërgua për ta arrestuar.
Kur shkuan për ta arrestuar në thellësi të shkretëtirës, ushtarët kishin etje dhe nuk po gjenin në asnjë vend ujë për të pirë. Atëherë Azisi me anën e lutjes që bëri dhe para tyre të dilte uji nga shkretëtira dhe kështu ata shuan etjen e tyre.
Kur përfundimisht Azisin e çuan para qeveritari Akilino, ai pohoi me guxim besimin në Jisu Krishtin. Atëherë e lidhën në një rrotë dhe poshtë ndezën një zjarr. Por ndërsa flaka po ngrihej në ajër, u shua menjëherë. Kjo ngjarje e mrekullushme, bëri që edhe gruaja dhe vajza e qeveritarit Akilino të besonin në besimin e krishter. Akilino përfundimisht urdhëroi që Azisit t’i prisnin kokën.
Lavdi Perëndisë ndër Shenjtorve të Tij. Amin
Oshënar Ilarion Iviri në Selanik
Shenjtori i ditës :
Oshënar Ilarioni jetoi gjatë shek. IX dhe luajti një rol të rëndësishëm në jetën fetare të vendit të tij ( Gjeorgjisë ).
Udhëtoi në Vendet e Shenjta (Jerusalem), në Kostandinopojë dhe në Bitini, ku u njoh edhe me etër të tjerë shpirtëror. Më pas udhëtoi në Romë përmes Selanikut, ku bëri shumë mrekulli. Në kthim u vendos në Selanik, ku ndrëtoi edhe një kishë në vitin 870. Vepra e tij, që ishte kryesisht didaktike-mësimëdhënese, ishin të mrekullueshme për popullin e Selanikut.
Oshënar Ilarioni fjeti në vitin 875.
Shën Anastasi Martiri i Ri nga Paramithia e Epirit
Shenjtori i ditës :
Shpirti i Shenjtorit ishte i mbushur nga zjarri i besimit të Krishtit dhe nga dashuria për atdheun e tij të robëruar. Shpresonte se Perëndia, do t’i shikonte dhimbjet dhe do t’i dëgjonte lutjet e rajave dhe do t’u falte atyre lirinë e shumëdëshiruar.
Një ditë sapo doli që të punonte në arë me motrën e tij dhe me të krishterë të tjerë, u gjendën papritur para një grupi të rinjsh të fesë myslymane që kishin në krye të birin e Pashait, Musanë. Kur panë motrën e bukur të Anastasit, u tunduan dhe nxituan ta kapnin me forcë dhe ta përdhunonin atë. Sapo Anastasi pa lëvizjet e tyre, ndërhyri që të mbronte motrën e tij dhe motra e tij arriti që t’i largohej rrezikut.
Ky veprim u konsiderua shumë fyes nga myslymanët dhe për këtë arsye ata iu drejtuan pashait dhe iu ankuan duke gënjyer se Anastasi i sulmoi pa arsye, duke i ofenduar dhe duke i goditur. Madje gënjyen edhe duke thënë se në një moment Anastasi ju kishte premtuar se do të ndryshonte besimin dhe do të bëhej Myslimman.
Pashai, babai i Musait, urdhëron që Anastasi të arrestohej menjëherë. Atë e sollën para tij, dhe pashai duke parë një djalë trimosh dhe të zgjuar, i erdhi keq dhe nuk donte që ai të torturohej dhe të vritej, duke besuar se mund t’i ndyshonte besimi me premtime dhe joshje të ndryshme. Fillimisht u burgos dhe ditën tjetër urdhëruan që ta sjellin para tij për ta gjykuar. Me qetësi dhe dashamirësi të shtirur pashai u përpoq që të fitonte besimin e tij.
“Është fatkeqësi more Anastas, që ti një trim i fuqishëm, i zgjuar dhe i bukur, të qëndrosh në vendin e rajave. Ti mund të bëhesh arkond i madh, me grada të mëdha, me para dhe të shijosh Sarajet. Unë nuk e fsheh, kam simpati për ty dhe dua që të të ndihmoj dhe që një ditë të të shikoj pasha. Mjafton që ti ta duash këtë gjë dhe të ndryshosh këto ide të vjetëruara që ke. Mjafton që të braktisësh besimin e Krishtit dhe të ndjekësh fenë e Profetit të madh Muhamed. Atëherë do të të vesh me mëndafsh dhe do të të stolis me flori. Dhe çfarë të kërkosh në jetën tënde, do ta kesh”.
Këto dhe të tjera i premtonte pashai, Anastasit të ri. Por mendja dhe shpirti i tij ishin të ngritura në qiell. Dhe sa më shumë pashai fliste dhe premtonte gjëra të ndryshme, ai i lutej Krishtit që ta ndihmonte dhe ta denjësonte që deri në fund të pohonte besimin e tij të shenjtë të krishterë para pashait.
Kur pashai mbaroi me premtimet e tij, Anastasi u përgjigj me guxim:
“Të falenderoj pashai im për premtimet dhe për të gjitha të mirat që premtove se do më japësh. Por unë i kishterë linda dhe i krishterë do të vdes. Nuk e ndryshoj besimin tim të shenjtë në Zotin Jisu Krishtit, as me gjithë të mirat dhe thesaret e tokës”.
Duke parë këtë qëndrim të Anastasit të ri, pashai urdhëroi që ta arrestonin dhe ta torturojnë çdo ditë, deri sa të ndryshojë mendim dhe të mohojë Krishtin. Por Anastasi, brenda burgut të errët, i lutej vazhdimisht Krishtit, që ta forconte në martirizimin e tij deri në fund, dhe Zoti i dërgonte fuqi dhe ngushëllim me ëngjëjt e Tij.
I biri i Pashait, Musai, u pendua që u bë shkak që Anastasi të arrinte në duart e babait të tij të ashpër. Duke kërkuar një lehtësim për shpirtin e tij, vendosi që të shkojë fshehurazi në burg dhe të vizitojë Anastasin.
Duke hyrë brenda fshehtazi që të mos e shikonte askush, u gjend para një pamje të mrekullueshme, që do të luante një rol vendimtar në vijim të jetës së tij. Shikon dy ëngjëj të ndritshëm që qëndronin pranë martirit, duke e forcuar dhe ngushëlluar, pa edhe fytyrën e Anastasit që ndriçonte e tëra.
Kjo pamje e bëri që të kuptojë, se diçka shumë e rëndësishme ndodhte me të krishtrët dhe kërkoi prej Anastasin që t’i shpjegonte se çdo ndodhte. Anastasi i ri i shpjegoi pamjen. I tha se ëngjëjt e Perëndisë i shoqërojnë të krishterët gjithmonë, në çdo hap dhe i mbrojnë ata. Musai u mahnit dhe i kërkoi Anastasit që t’i mësonte besimin e Krishterë dhe ai e katekizoi, duke i mësuar të vërtetën e besimit të krishterë orthodoks.
Në vazhdim, pas shumë torturash, pashai pa se Anastasi nuk bëhej fjalë që të ndryshonte mendje, dhe si pasojë urdhëroi që t’i prisnin kokën. Dërgon një xhelat në burg dhe më 18 Nëntor 1750 i pret kokën martirit të shenjtë Anastasi dhe e ekspozon lipsanin-trupin e tij të shenjtë, duke ndaluar varrimin e tij.
Të krishterët panë trupin e martirit të paprekur dhe që gjatë natës të ndriçohej prej një drite qiellore. Por një ditë Shën Anastasi i shfaqet Pashait në ëndërr dhe i kërkon që të lejojë që Trupin- lipsani i tij të varroset me nderimin e duhur. Pashai u tremb dhe urdhëroi varrimin e trupit martirik të Shenjtit. Atëherë murgjit morën trupin e Shenjtit dhe e varrosën në manastirin pranë qytetit.
Martirizimi dhe vdekja e Shenjtit, luajtën një rol vendimtar në jetën e Musait. Vetë ai shkoi në varrin e Shenjtit dhe i kërkoi falje. Dhe Shenjti, i shfaqet Musait në ëndërr dhe i thotë se Perëndia do ta ndihmojë. Në vazhdim të jetës së tij, Musai pendohet dhe pagëzohet në besimin e krishterë në Venecia duke marrë emrin Dhimitër. Në vijim bëhet murg në Korfuz dhe merr emrin Daniel, shkon në Kostandinopojë-Stamboll dhe më pas kthehet në Korfuz, ku vdes në paqe.
Jeta e ndritur dhe sakrifica e Shën Anastasit, e drejtoi Musanë dhe shumë të tjerë si ai tek Zoti Jisu Krisht, si edhe forcoi besimin e rajave orthodhoks. Kisha jonë e nderon kujtimin e Martirit të Shenjtë dhe të lavdëruar të Anastasit të Paramithisë më 18 Nëntor.
Lavdi Perëndisë ndër Shenjtorve të tij. Amin
Oshënar Llazar Zografi
Shenjtori i ditës :
Oshënar Llazari që në moshë të vogël, përqafoi jetën murgjërore. Mësoi artin e pikturës dhe e ushtroi si profesion. U kujdes që në moshë të re që të ngurtësonte veten e tij dhe të mësonte vetpërmbajtjen. Ishte përdëllyes me nevojtarët dhe me të gjithë sa kishin nevojën e ndihmës së tij. Kështu, pra, i dalluar për besimin e tij të thellë dhe pasurinë e vyrtyteve të tij, u nderua me gradën e priftërisë.
Kur Shenjti u dorëzua prift, filloi luftra të ashpra kundër të gjitha herezive. Duroi shumë përndjekje dhe hidhërime nga pasuesit e herezive të Eftikit, Nestorit dhe Dioskorit, dhe jo vetëm prej tyre, por edhe prej ikonomakëve ateistë. Oshënari ishte një përkrahës aq i vendosur i besimit, saqë u dërgua edhe në Romë për të luftuar për dogmat apostolike dhe patristike. Nga Roma u kthye në Kostandinopojë me sukese të mëdha. Duke shkuar përsëri në Romë për luftrat e tij, u sëmur gjatë udhëtimit. Kështu ndërroi jetë me paqe në vitin 867. Trupi i tij i nderuar u transferua dhe u varros në Manastirin e Shenjtë të Evandrit.
Shën Hilda
Shenjtori i ditës :
Shën Hilda ishte igumene e manastirit White- i/e bardhë në Anglinë jugore. Lindi në vitin 614 në Northumbria dhe fjeti në vitin 680.
Ishte e bija e Hererikut, nipit të mbretit Edvin të Northumbrisë dhe u bë e krishterë në moshën 13 vjeçare duke ndjekur predikimet e Shën Paulinos së Jorkut (10 tetor).
Kur u mbushi moshën 20 vjeçare, shkoi në manastirin Chelles në Francë, ku gjendej motra e saj, Shën Hereswitha dhe aty u bë murgeshë. Në vitin 649, Shën Aidani e ftoi në Northumbria dhe u bë igumene e manastirit të përzier të Hartlepool.
Pas disa vitesh Shën Hilda u bë igumene e manastirit të përzier të Whitby në Streaneshalch dhe qëndroi aty deri në fjetjen e saj.
Manastiri i saj njohu një sukeses të veçantë dhe shumë murgj dhe arkondë shkonin aty për këshillë. Shumë prej këtyre murgjërve më vonë u bënë episkopë, si Shën Joani i Beverly dhe Shën Wilfrit i Jorkut (shiko 12 Tetor), ndërsa një murg i manastirit ishte edhe Caedmoni, i pari poet fetar anglez.
Në manastirin e saj, në vitin 664, u bë një sinod, nëse do të ndiqnin zakonet kishtare keltike apo Lindore. Edhe pse u vendos për mendimin e parë, në manastirin e saj Shën Hilda ndoqi zakonet kishtare lindore.
Shtatë vite para vdekjes së saj e kapi një temperaturë, e cila nuk e la deri në ditën që vdiq. Megjithatë nuk i la pas dore detyrat e saj para Perëndisë dhe para bijëve të saj shpirtëror. Fjeti në paqe pasi u kungua me Misteret e Shenjta të Krishtit dhe tingulli i kambanës së manastirit u dëgjua në mënyrë të mrekullueshme deri në Hackness, që ishte 13 km larg, ku një murgeshë e përkushtuar me emrin Begu pa shpirtin e Shenjtores të transferohet në qiell nga Ëngjëjt.
Jetën e Shën Hildës e shkruajti Shën Bede (shiko 27 maj).
Në datën 16 nëntor Kisha Orthodhokse kujton Shën Mateun
Ungjilli që lexohet këtë ditë thotë:
"Edhe duke shkuar Jisui andej, pa një njeri të quajtur Mathe, duke ndenjur në doganë. Edhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij. 10 Edhe ndodhi që tek po rrinte në shtëpi të Matheut, ja tek erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, edhe rrinin bashkë me Jisuin edhe me nxënësit e tij. 11 Edhe Farisenjtë kur panë, u thanë nxënësve të tij: Përse mësuesi juaj ha bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë? 12 Po Jisui kur dëgjoi, u tha atyre: Ata që janë të shëndoshë s’kanë nevojë për mjek, por ata që kanë keq. 13 Edhe shkoni e mësoni ç’është “dua përdëllim, e jo therore”, sepse s’kam ardhur të thërres të drejtë, por mëkatarë në pendim”.(Mat 9 .9-13)
Në ungjillin na flitet për një takim të Zotit me një person me emrin Mathe ose i quajtur Levi si na tregohet tek; (Marku 2 13-17).
"9 Edhe duke shkuar Jisui andej, pa një njeri të quajtur Mathe, duke ndenjur në doganë. Edhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij.Zoti Krisht shkoi afër një dogane dhe doganierit të quajtur Mathe ose Levi dhe i tha: “më ndiq”.
Neve sot nuk arrijmë dot ta kuptojmë domethënien e asaj që bëri Zoti por po të hyjmë në kohë dhe të njihemi se çdo të thoshin doganat dhe doganierët për judenjtë, veprimi i Zotit do të na dukej një veprim i guximshëm madje dhe sipas mendimit të judenjve i gabuar.
Doganat ishin pengesa që viheshin nëpër rrugë, udhëkryqe, ose ura dhe menaxhoheshin nga pushtuesit romakë. Pra ata nëpërmjet këtyre doganave i merrnin taksa popullit dhe e vështirësonin lëvizjen e lirë të popullit por edhe e varfëronin. Romakët për të mos pasur konflikte me popullin vendosën në këto dogana vendas dhe këta ishin njerëzit më të urryer për shoqërinë judease, sepse jo vetëm quheshin tradhtarë që bashkëpunonin me pushtuesit romakë, por ishin edhe vjedhës të mbrojtur nga autoriteti i Romës, sepse përveç taksës që kërkonte pushtuesi ata rrisnin taksën për fitimin e tyre prandaj ishin dy herë të urryer.
Farisenjtë kishin nxjerrë në atë kohë slloganin që “tagrambledhësit dhe prostitutat nuk hynin në Mbretërinë e Qiejve”.
Por Zoti shikon ndryshe nga ç’shikojnë njerëzit, Zoti shikon në zemër. Zoti pa në zemrën e Matheut dhe ajo në brendësinë e saj ishte e mirë pavarësisht se ishte rrethuar nga lakmia dhe çdo pasion tjetër.
Aq më tepër Zoti kishte ardhur të bënte përdëllim duke i thirrur të gjithë kushdo që të ishin dhe në çfarë gjendje kishin rënë. Madje edhe për prostitutën dhe tagrambledhësin. Prandaj Krishti thërritej me nofkën nga farisenjtë “miku i mëkatarëve”.
Ndërsa Jisui kaloi në zyrën e taksave ai i tha Matheut “ndiqmë”. Përgjigjja ishte e menjëhershme. Dikush ka thënë “Mateu humbi një punë të rehatshme por gjeti një bekim, ai humbi të ardhura të mira por gjeti nderin, ai humbi siguri të rehatshme por gjeti një aventurë të cilën nuk e kishte ëndërruar kurrë. Pra ai u bë pasues dhe nxënës i Perëndi-njeriut, Zotit Krisht, një nga të 12 apostujt si dhe i pari ungjillor.
10 Edhe ndodhi që tek po rrinte në shtëpi të Matheut, ja tek erdhën shumë tagrambledhës e mëkatarë, edhe rrinin bashkë me Jisuin edhe me nxënësit e tij.
Matheu kishte përgatitur një drekë për nder të Jisuit dhe ishte mënyra e tij për ta rrëfyer Zotin Jisu Krisht publikisht dhe për ta prezantuar te shokët tagrambledhës, që njiheshin nga opinioni i judenjve si mëkatarë të pakorrigjueshëm.
11 Edhe Farisenjtë kur panë, u thanë nxënësve të tij: Përse mësuesi juaj ha bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?
Ishte zakon në atë kohë të hajë i mbështetur me fytyrë nga tryeza. Farisenjtë të cilët e ndiqnin Zotin në çdo veprim të tij, me dëshirën e keqe që ta përflisnin, kur panë që Jisui shoqërohej në këtë mënyrë me llumin e shoqërisë, shkuan te dishepujt e tij dhe e akuzuan atë. Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?
Kjo ishte një ndërhyrje dashakeqe e farisenjve që donin të lëkundnin besimin e nxënësve te Zoti. Sipas tyre asnjë profet i vërtetë s’do të hante me mëkatarët.
12 Po Jisui kur dëgjoi, u tha atyre: Ata që janë të shëndoshë s’kanë nevojë për mjek, por ata që kanë keq.
Ndoshta farisenjtë ishin duke folur me zë të lartë, që të krijonin një skandal, që edhe nxënësit t’i largonin nga Krishti dhe tagrambledhësit t’i akuzonin publikisht si të pashpëtuar dhe shërbesën e Krishtit ta quanin të pavlefshme dhe të paperëndishme.
Ata thoshin për të: “Ja grykësi dhe pijaneci, miku i tagrambledhësve dhe miku i mëkatarëve” (Luka.7:34)
Zoti e dëgjoi dhe tha publikisht :“nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun por të sëmurët”.
Me anë të kësaj përgjigjeje Zoti bën gjyqin e drejtë për cilindo. Farisenjtë e konsideronin veten të shëndoshë dhe nuk ishin të gatshëm të pranonin Krishtin si shërues dhe shpëtimtar. Por në të vërtetë ata ishin jashtë mase të sëmurë dhe këtu flasim për sëmundje shpirtërore, krenaria, smira, lakmia, hipokrizia dhe ata kishin shumë nevojë për shërim.
Akuza e farisenjve në pamje të parë dukej e drejtë, vërtet Krishti hëngri me mëkatarët, por kjo akuzë binte mbi vetë farisenjtë, sepse edhe po të hante drekë me farisenjtë prapë akuza do të ishte e vërtetë, sepse edhe farisenjtë ishin mëkatarë madje më shumë sepse ishin me sëmundjen e hipokrizisë.
Zoti iu thotë nxënësve: “Para së gjithash ruhuni nga majaja e farisenjve që është hipokrizia” (Luka.12:1)
Po të mos kishte ngrënë Zoti me mëkatarët, kur erdhi në këtë botë si kjo e jona, ai do të kishte ngrënë gjithmonë vetëm, sepse të gjithë janë mëkatarë ashtu siç thotë edhe Shkrimi: “të gjithë mëkatuan, dhe nuk ka asnjë të drejtë”.
Por ka një rëndësi të veçantë se kur Zoti Krisht u ul të hante me mëkatarët Ai kurrë nuk e kompromentoi dëshminë e tij kundër mëkatit, por e shfrytëzoi atë rast për t’i thirrur njerëzit tek e vërteta dhe shenjtëria.
Këtu na del një mësim se edhe neve që jemi pasues të Krishtit të krishterë si klerikë edhe laikë.
Duke pasur shoqëri me të tillë njerëz, ne nuk duhet të bëjmë ndonjë gjë që do ta kompromentonte dëshminë tonë si të krishterë dhe as nuk do të lejojmë që të tillë njerëz të na zvarrisnin në nivelin e tyre etik dhe moral.
Ne duhet të marrim nismë për ta drejtuar miqësinë që mund të jetë familjare, shoqërore në kanale pozitive me dobi shpirtërore. Do të ishte ndoshta më e lehtë sikur ne të veçoheshim nga mëkatarët por Jisui nuk e bëri këtë gjë dhe as ndjekësit e tij nuk duhet ta bëjnë.
Apostull Pavli na jep një orientim të saktë për shoqërinë me njerëzit që janë pa besim dhe në gjendje mëkatare.
“Ju kam shkruar në letër të mos perziheni me kurvarët dhe aspak me kurvarët e kësaj bote ose me lakmuesit ose me vjedhësit ose me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilni nga bota. Po ju shkrova të mos perziheni me atë të ashtuquajtur vëlla që është imoral ose lakmues ose idhujtar ose shpifës ose pijane, me tillë të mos hani bashke” (I Korintasve 5:9-11)
Dhe në fund Zoti thotë;
13 Edhe shkoni e mësoni ç’është “dua përdëllim, e jo therore”, sepse s’kam ardhur të thërres të drejtë, por mëkatarë në pendim”.
Problemi i farisenjve ishte që megjithëse ata përpiqeshin t’i zbatonin ritet me përpikmëri zemra e tyre ishte e ngurtë, e ftohtë dhe e pamëshirshme. Ata nuk e kishin kuptuar frymën e ligjit prandaj dhe Zoti citoi një pjesë nga profeti Osea: “Unë dua mëshirë dhe jo flijime” (Osea 6:6).
Megjithëse sistemimin e flijimeve e kishte themeluar Perëndia dhe këtu flas për flijimet e kafshëve për ndjesën e mëkateve që bëheshin çdo ditë në tempullin e Solomonit, prapë Zoti nëpërmjet profetit nuk i pranonte këto flijime që bëheshin pa frymën e përdëllimit. Zoti nuk donte që ritet dhe ceremonitë fetare të bëheshin zëvendësuese të botës së brendshme shpirtërore.
Perëndia nuk është një ritualist, ai nuk gjen kënaqësi në ritet që bëhen pa shpirt, ashtu siç vepronin farisenjtë. Ata e zbatonin germën e ligjit por jo frymën sepse nuk kishin dhembshuri për ata që kishin nevojë për ndihmë dhe ndreqje morale. Ata shoqëroheshin me njerëz si vetja e tyre që i jepnin të drejtë vetes duke krijuar një geto egoiste dhe gjykuese.
Vetë Zoti iu tha: ‘Mjerë ju skribë dhe farisenj hipokritë sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit dhe lini gjërat më të rëndësishme të ligjit, gjyqin, mëshirën dhe përdëllimin. Këto gjëra duhet t’i praktikoni pa lënë pas dore të tjerat. (Mateu 23:23)
Në kontrast me farisenjtë Zoti Krisht me ton plot nënkuptim tha: ‘Unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët por mëkatarët” Ai plotësoi në mënyrë të përsorur dëshirën e Perëndisë për mëshirë por edhe për fli. Me anë të Jisu Krishtit Perëndia bëri edhe përdëllimin edhe drejtësinë siç thotë Shkrimi: ‘Aq shumë e deshi Zoti botën sa dha Birin e tij të vetëmlindur që kushdo që beson në të të mos humbasë por të ketë jetë të përjetshme, sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin në botë që ta dënojë botën por që bota të shpëtojë prej tij” (Joani 3:17-18).
Në një kuptim nuk ka njerëz të drejtë në botë dhe Zoti Krisht erdhi të thërrasë të gjithë njerëzit në pendim, por thirrja e tij është e efektshme vetëm për ata që pranojnë që janë mëkatarë. Ai nuk mund t’ju japë shërim atyre që janë krenarë të vetkënaqur me gjendjen e tyre dhe të papenduar sikur ishin farisenjtë.
Në predikimin në mal Zoti thotë: “Doni armiqtë tuaj, bëni të mira dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e shumë të Lartit, sepse Ai është mirëdashës me mosmirënjohësit dhe të mbrapshtët. Jini të mëshirshëm pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm” (Lk. 6:35-36)
Kjo gjë jo vetëm na bën të ngjashëm me Perëndinë por është kusht për lumurimin në jetën e përjetshme sepse Zoti thotë: ‘Lum ata që janë të mëshirshëm sepse do të gjejnë mëshirë” (Mateu 5:7)
Por duhet të kemi kujdes: Të jesh i mëshirshëm nuk do të thotë të justifikosh fallsitetin dhe mëkatin. Nuk do të thotë të jesh tolerant për marrëzinë dhe të keqen. Nuk do të thotë të mos vësh re padrejtësinë dhe paudhësinë. Perëndia nuk është në këtë mënyrë dhe nuk e bën këtë. Psh kur Zoti e fali laviren që ia sollën për gjykim ai tha: ‘Shko dhe mos mëkato më” (Joani. 8:11)
Dhe kur e shëroi paralitikun i thotë: “Mos mëkato më që të mos ndodhë një e keqe më e madhe” (Joani. 5:14)
Të jesh i mëshirshëm do të thotë të kesh dhembshuri për keqbërësit dhe të të vijë keq për ata që janë kapur në prangat e mëkatit. Do të thotë të heqësh dorë nga çdo vetdrejtësim dhe çdo vetjustifikim në krahasim me të tjerët. Do të thotë të mos pranosh të dënosh ata që të bëjnë keq por t’i falësh ata që të dëmtojnë dhe shkatërrojnë si vetet tona ashtu edhe të tjerët, të afërmit tanë. Do të thotë të thuash me seriozitet të plotë: ‘falna fajet tona ashtu sikundër ua falim fajtorëve tanë” (Mateu, 6:12)
Ne duhet të kemi kujdes se mund të biem në gabimin, gjykimin dhe akuzën si farisenjtë. Psh kur shkojmë në kishë ne mund të shikojmë se vijnë njerëz që nuk kanë pasur moral të mirë në jetën e tyre ose me një të kaluar të keqe për shkak të pabesis së tyre ose të vetë profesionit të pa moralshëm.
Shikojmë edhe armiqtë tanë dhe në vend që të gëzohemi siç gëzojnë “engjëjt në qiell për çdo mëkatar të penduar” (Luka. 15:10), ne themi po këta çfarë duan në kishë, u mbush kisha me njerëz imoralë dhe keqbërës.
Duke gjykuar në këtë mënyrë indirekt gjykojmë Zotin, që sipas nesh tregohet më shumë tolerant seç duhet sepse i lejon këta njerëz të vijnë në Kishë dhe të kishërohen duke marrë Misteret e Shenjta.
Kjo akuzë ngrihet dhe kundër klerikëve të cilët kryejnë shërbimin e përdëllimit për të gjithë ata që vijnë në Kishë në çfarëdo gjendje ata janë.Nuk duhet të harrojmë se gjyqin përfundimtar do ta bëjë Zoti Jisu Krisht ashtu siç na thuhet: “Sepse Ati nuk gjykon asnjë por gjithë gjyqin ia dha Birit që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu si nderojnë Atin” (Joani. 5:22)
Kur Ati gjykimin ia ka lënë Birit të tij kush jemi ne që gjykojmë shërbëtorin e tjetrit? (Romakët. 14:4)
Matheut, Apostull dhe Ungjillor ishte nga Kana e Galilesë, atje ku bëri çudinë e parë Zoti.Mbasi Zoti e ftoj në doganë : më ndiq"ai la gjthshka dhe që atëherë ai u bë një nga të 12 Apostujt.
Anastasi episkop i Antiokisë, shpjegon se emri Mateo do të thotë "Urdhër i të Lartit", por më mirë e shpjegon Isidori, që Mathe vjen nga Mathan që do të thotë "dhuratë" dhe në greqisht përkthehet Theodhor.
Në tre ungjijtë sinoptikë na tregohet thirrja e tij, nga Zoti. Në ungjillin e Markut dhe të Lukës përmendet me emrin Levi i biri i Alfeut ndërsa në ungjillin e Mateut përmendet me emrin Mate.
Pas zbritjes së Shpirtit të Shenjtë apostujt hodhën short në cilat vende të botës do të shkonte secili për të predikuar. Atëherë Mateu pasi pranoi fuqinë e Shpirtit të Shenjtë predikoi në fillim me shumë zell te judenjtë, të cilët i donte shumë dhe donte që të njihnin të vërtetën. Për këtë shkroi i pari ungjillin e shenjtë në hebraisht duke filluar që nga gjenealogjia e Krishtit. Tregon lindjen e Krishtit, pagëzimin, ngacmimet dhe ftesën e tij duke pohuar se qe kryedoganier dhe duke qortuar veten e tij.
Ai e shkroi Ungjillin në hebraisht, në vitet (55 pas Kr ) për të krishterët e Palestinës.
Ungjillin e përktheu në greqisht Jakovi i Jerusalemit. Ungjilli në origjinal në hebraisht ka humbur. Nëpërmjet ungjillit të tij Matheu shpëtoi gjithë sistemin filozofiko-moral të krishtërimit që themeloi Zoti ynë mbi shkëmbijtë e bekuar të malit të Galilesë, ky quhet "Predikimi në mal" i gjetur në kapitujt 5,6,7 të Ungjillit sipas Mateut.
Ai me ungjillin e tij frymëzoi humanizmin në lartësi të veprimit më të bukur njerëzor dhe ëmbëlsoi dhimbjen.Bota i është borxhli ungjillorit Mathe për mësimet mbi kotësinë e jetës njerëzore, fjalë të Krishti që janë aktuale në çdo kohë dhe për çdo njeri; “Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humbet shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet? (Math 16:24)
Predikoi Partëve dhe Medëve dhe krijoi kishën e tyre. Disa përcaktojnë Etiopinë, të tjerët Pontin në jug të detit të zi, Persinë, Maqedoninë, Irlandën.
Vuajti, pati etje, uri, u rrah, por i duroi të gjitha me ndihmën e Perëndisë duke predikuar Shpëtimtarin dhe duke shpëtuar shumë. Fjeti i moshuar në Hierapolis në Siri qytet të cilin e kishte bërë të tërë të krishterë, kurse disa burime të tjera thonë se u martirizua me anë të zjarrit.
Kisha jonë e shenjtë psalë shumë tropare prekëse që të nderojë ungjillorin e parë Apostullin dhe Ungjillorin Mateun.
Mateo shum i urtë, që ka shkruar i pari Ungjillin e Jisuit dhe shndriti si pishtari , çdo gjë që është nën diell.pra Gjithësinë, është njohës misteresh të Krishtit; tani po nderohet me psalm të shenjtë; për sa e nderojnë, kërkon ndjesë mëkatesh ky" (Ndënjësore)
Le të nderojmë edhe ne Apostullin e shenjtë me ndërgjegje të pastër duke u penduar sinqerisht për mëkatet tona, duke patur si shembull të ndritshëm shenjtin që nga kryedoganier u bë apostull i Krishtit,që kështu edhe ne të ndahemi nga çdo pasion dhe profesion që i shërben mëkatit dhe të shkojmë pas Zotit në udhën e lumur të porosive të tij dhe të mos pendohemi për këto sakrifica njerëzore sepse Zoti thotë: “Kush fiton do t’i jap të ulet me mua në fronin tim sikurse unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij” (Zb.3:21)
Me ndërmjetimet e shën Mateut Zoti Krisht Perëndi na mëshiroftë edhe na shpëtoftë. Amin
Për shumë vjet të gjithëve, veçanërisht ata që festojnë ditën e emrit.
Shën Filumeni, Martiri i Ri Oshënar.
Shenjtori i ditës :
Që në vogëli Shën Filumeni e deshi Krishtin. Në moshën 10 vjeçare bashkë me vëllain e tij prisnin që të flinte vëllai i tyre i madh, në mënyrë që ata të ngriheshin dhe të luteshin fshehtazi për orë të tëra.
Shenjti ishte me origjinë nga fshati Orunta i zonës së Morfut. Mësuese të mirë të shpresëtarisë kishte gjyshen e tij Loksandrën, e cila kërkonte që t’i lexonin jetët e shenjtorëve. Shenjti i Perëndisë Filumeni, duke lexuar jetën e Shën Joan Kavsokalivitit, braktisi dëshirat e kësaj bote si një imitues i tij.
Fëmijët binjakë të Magdalenës dhe Gjeorgjio Uraniotit, Filumeni dhe Elpidhio të ndezur prej dashurisë hyjnore, shkuan tek Manastiri i Shenjtë i Stavrovunit.
Aty qëndruan për pesë vite dhe më pas u larguan nga toka martirike e Qipros dhe shkuan në Tokën e Shenjtë në Jerusalem. Atë Elpidhio pas 12 vitesh shërbimi në Jerusalem e vijoi jetën e tij kishtare nëpër vende të ndryshme të Orthodhoksisë dhe fjeti në Malin e Shenjtë.
Filumeni jetoi në Tokën e Shenjtë për 46 vjet, duke shërbyer në vëllazërinë e atjeshme të Patriarkanës, si ruajtës i vendeve të shenjta. Stacioni i fundit i shërbimit të tij ishte Pusi i Jakovit, i cili u bë edhe vendi i martirizimit të tij. Më 16 nëntor 1979 (29 nëntor me kalendarin e rij), disa fanatikë sionistë, që pretendonin se Pusi i Jakovit ju përkiste atyre, e vranë gjatë kohës së mbrëmësores, etërit Agjiotafitë morën lipsanin e tij të nderuar dhe pas pesë ditësh e varrosën në tokën e shenjtë.
Pas katër vitesh, u hap varri i atë Filumenit, që të bëhej transferimi i lipsaneve të tij. Në atë moment të gjithë të pranishmit panë një pamje të mrekullueshme. Trupi i Arkimandritit të vdekur ishte i paprishur dhe lëshonte një aromë të mirë. Varri u rimbyll deri në Krishtlindjet e vitit 1984, kur gjatë shërbesës së varrimit të kryepiskopit të Pelës Klaudit, u rihap përsëri. Trupi përsëri u gjend i paprishur dhe me aromë të mirë. Lipsani u vendos me të gjitha nderimet në një kuti lipsanesh prej xhami, e cila u vendos në pjesën veriore të Hierores së Kishës së Shenjtë të Sionit të Shenjtë, ku është kthyer në një vend pelegrinazhi për mijëra besimtarë.
Shën Pandeleimoni, Martiri i ri në Kretë
Shenjtori i ditës :
Shën Pandeleimoni ishte me origjinë nga ishulli Speces dhe u martirizua në Kretë në vitin 1848.
Në rrugën qëndrore midis Sitias dhe Piskoqefalos gjendet një pemë ulliri, në të cilën sipas traditës janë varur revolucionarët e arrestuar nga pushteti Venecian dhe më pas ai Osman.
Sipas traditës aty është martirizuar edhe Pandeleimoni i vogël, i cili vitet e fundit nderohet si Shenjtor me emrin Martiri i ri Pandeleimon.
Jetoi në Kanane dhe në Pantelin e sotëm mësoi shkrim edhe këndim në një shkollë të fshehtë prej Joani Viçenzo, që më pas do të bëhej Shën Jerond Joani.
Më pas qëndroi në Piskoqefalo ku ndoqi shkollën osmane. Aty fliste për Krishtin dhe si pasojë zemëroi myslymanët. Ata e kapën dhe e varën në pemën e ullirit që përmendëm më sipër dhe në fund i prenë kokën.
E varrosën në Piskoqefalo dhe varri i tij ndriçonte si diell. Kur e zhvarrosën, kockat e tij vinin erë të mirë dhe nëna e tij i transferoi ato në Athinë.
Shën Konstandini, Martir i ri nga Hidra.
Shenjtorët e ditës :
Shën Konastandini lindi në Hidra dhe babai i tij quhej Mihail, ndërsa nëna Marina.
Në moshën 18 vjeçare u largua nga Hidra dhe shkoi në Rodos, pranë Sundimtarit Osman Hasan Katepanit. Aty Konstandini u josh dhe u islamizua duke marrë emrin Hasan dhe për tre vite jetoi me nderime të mëdha. Por më vonë, filloi që ndërgjegja ta rëndonte dhe u pendua. Filloi që të bënte lëmoshë dhe qante me hidhërim. Përfundimisht për të shlyer këtë mëkat vendosi që të martirizohej. Gjeti një atë shpirtëror, u rrëfye dhe kërkoi bekimin e tij që të martirizohej. Por ati shpirtëror e parandaloi, pasi i vinte keq për moshën e tij të re. Konstandini iu bind, braktisi Rodosin dhe shkoi në qytetin Krimi, më pas shkoi në Konstandinopojë dhe më vonë në Malin e Shenjtë.
Në Manastirin Iviron, u parapërgatit për martirizim dhe pasi mori bekimin e etërve shkoi përsëri në Rodos. Aty u paraqit para Sundimtarit dhe me guxim pohoi Krishtin. Torturat që vijuan ishin të frikëshme. Përfundimisht e varën më 14 nëntor 1800.
Sot në vendlindjen e tij në Hidra, ekziston Kisha e ndritëshme me emrin e Shenjtit, ku gjendet edhe lipsani i tij i shenjtë.
Lavdi Perëndisë ndër Shenjtorët e tij !
Oshënar Pais Velickofski
Shenjtori i ditës :
Lindi më 21 dhjetor të vitit 1722. Në vitin 1734 regjistrohet në shkollën teologjike të Kievit ndërsa në vitin 1738 hyn në Manastirin Lubec dhe Metthentofski pranë Kievit.
Në vitin 1741 bëhet murg rrasofor, duke marrë emrin Platon dhe pas dy vitesh shkon në Vllahi, ku jeton me jerond Vasilin. Në vitin 1746 shkon në Malin e Shenjtë ndërsa në vitin 1750 qethet murg nga jerond Vasili, duke marrë emrin Pais.
Në vitin 1758 dorëzohet Prift dhe ndërton skitin e Profetit Ilia. Në vitin 1763 shkon në Dragomirna, më 1775 shkon në Manastirin Sekuli dhe në vitin 1779 në Manastirin Niamec.
Në vitin 1790 bëhet arkimandrit dhe më 15 nëntor të vitit 1794 dorëzon shpirtin tek Perëndia.
Shën Damaskinoi, Martiri Oshënar i Ri, nga Kostandinopoja
Shenjtori i ditës :
Shën Damaskinoi ishte me origjinë nga Galata e Kostandinopojës dhe fillimisht quhej Diamant. Prindërit e tij besëmirë ishin Qirjakoja dhe Qiriqija. Në moshë të re mbeti jetim dhe jetoi një jetë të paqëndrueshme.
Një ditë arrestohet prej turqve për një krim që kishte bërë dhe që t’i shmangej dënimit mohoi Krishtin dhe besimin e tij.
Por me kalimin e viteve u ndërgjegjësua për të keqen e madhe që kishte pësuar dhe u largua për në Malin e Shenjtë, në Manastirin e Lavrës së Madhe, ku u qeth murg. Jetoi mbi 12 vite në pendim, me shumë asketizëm, bindje, kreshmë, agripni, lutje, vetëpërmbajtje, ushqim të thatë, dhe si rezultat, në vyrtyt kishte kaluar edhe shumë murgj të kohës së tij.
Por ndërgjegja e tij nuk e linte të qetë për mohimin që kishte bërë dhe donte që të gjente rastin që të pohonte Krishtin aty ku e kishte mohuar dhe të martirizohej për të. Rastin e gjeti, kur Patriarku i Kostandinopojës Dhionisi vizitoi Manastirin, dhe në të kthyer të Patriarkut u bashkua me të dhe erdhi në Kostandinopojë.
Pas vdekjes së Dhionisit dhe me mbështetjen e një murgu tjetër Lavriot, Shenjti nisi luftën e pohimit dhe martirizimit. Preu flokët dhe veshi rroba rroba marinari, që të mos provokonte ndonjë hakmarrje ndaj murgjërve, dhe pasi u kungua me Misteret e Shenjta në kishën e Shën Nikollës në Gallata, kaloi nga Shën Sofia dhe qëndroi duke u lutur duke bërë kryqin e tij. Turqit duke e parë atë që të lutej në një vend publik mbetën të shtangur, por e neglizhuan sepse e morën për njeri të çmendur. Shenjti duke u larguar nga aty, takoi një myslyman të shkolluar, i cili mbante një libër dhe po e lexonte. Ndaloi dhe filloi diskutimin mbi besimin, aty u mblodhën edhe myslymanë të tjerë, dhe Shenjti filloi që t’u flasë për Krishtin, për të vërtetën e besimit të krishterë dhe për mashtrimin e islamit. Përsëri e konsideruan si të çmendur dhe e lanë. Por ai duke ngulur këmbë shkoi më poshtë në një xhami dhe të njëtjat fjalë u’a tha edhe hoxhallarëve dhe ata e dëbuan.
Atëherë shkoi në Pazar ku qëndroi dhe thirri me zë të lartë:
Burra Ismailitë, vetëm besimi i Krishtit është i vërtetë, ju jeni të mashtruar dhe do të shkoni në ferr.
Por edhe në këtë ambjent, njerëzit nuk i kushtuan shumë rëndësi dhe e anashkaluan.
Ditën tjetër në mëngjes shkoi në oborrin e vezirit dhe filloi që t’u thotë oborrtarëve të njëjtat fjalë. Ata e rrahën dhe e dëbuan si të çmendur.
Ditën e tretë shkoi në repartin e Jeniçerëve dhe në orën që ata dilnin nga lutja e tyre, i provokonte në të njëjtën mënyrë. Dhe ata, duke e konsideruar të çmendur, nuk i kushtuan vëmendje.
I dëshpëruar u rikthye në shtëpinë e tij në Fallata dhe tërë natën i lutej Perëndisë që ta numëronte në korin e martirëve të Tij.
Ditën tjetër, të dielën, shkoi në xhaminë e Tophanesë, dhe gjatë kohës së mbledhjes së myslymanëve për lutje, thërriti se Krishti është Perëndi i vërtetë dhe shpëtimtar i botës. Ata u zemëruan, e rrahën dhe e çuan tek kadiu i Gallatës. Aty Shenjti tha jo vetëm këto, por edhe shumë më tepër kundër Muhamedit dhe mësimit të tij. Kadiu e dërgoi tek veziri. Veziri e pyeti nëse janë të vërteta ato për të cilat ai akuzohet. Me një ton të qetë veziri i tha: “Le të të falet krimi yt sepse edhe ti raja i Sulltanit je dhe je i detyruar që të paguash taksa dhe për këtë arsye të falet jeta. Por siç duket je i varfër dhe për këtë arsye dëshiron që të vdesësh”.
Atëherë Shenjti u përgjigj:
Nuk jam i varfër, jam shumë më i pasur se ty sepse unë kam thesarin e besimit brenda zemrës sime, i cili shkëlqen më shumë se dielli. Sepse pasuria për të cilën ti po flet, nesër e merr tjetri, por pasuria e besimit që unë kam fituar do të mbetet përgjithmonë e imja dhe me atë do të shkoj në Mbretërinë e Qiejve.
Veziri, duke parë që ai nuk bindej me asgjë vendosi që ta dënonte.
Atëherë e mori kryexhelati, e lidhi dhe e çoi para portës së Patriarkanës, në Fanar, ku edhe i preu kokën. Igumeni Makario i Manastirit të Mavro Molos bleu dhe ruajti edhe portata e dyqanit përballë hyrjes së Patriarkanës, sepse ato ishin lyer me gjakun e martirit.
Lipsani i Shenjtë qëndroi aty tre ditë sipas zakonit. Më pas të Krishterët besëmirë e blenë Lipsanin dhe e transferuan në ishullin e Halkit, ku u varros me shpresëtari pas Hierores në Manstirin e Hyjlindëses.