Narcizizmi, një patologji e kohës së sotme ! Nga Miron Çako
Narcizizmi, si patologji, e ka marrë emrin nga një personazh që vjen nga mitologjia e antikitetit grek. Narcizi (Narcissios) ishte një djalosh i pashëm dhe i mbyllur në vetvete, i cili refuzoi dashurinë e një ninfe (zanë). Ky refuzim nxiti zemërimin e ninfave të tjera, të cilat kërkuan ndihmën e hyjneshës Afrodita, që, si mallkim, e çoi Narcizin të dashurohet me veten e tij, duke e parë vetveten çdo ditë në reflektimin e një pellgu uji. Duke mos e përmbushur dashurinë e tij me një person tjetër, ai kaq shumë u dashurua pas imazhit të tij, saqë një ditë ky imazh e tërhoqi në pellgun e ujit, ku edhe u mbyt, dhe perënditë e kthyen në një lule. Kjo lule quhet “Narciz”.
Narcizi është një ilustrim mjaft poetik i filozofëve grekë për vetëpëlqimin dhe pasojat që ai ka në jetën e një individi të dashuruar me vetveten me një mënyrë të deformuar të egos (unit) së tij. Sipas psikologëve e psikiatërve, ndjekja e kënaqësisë ose admirimi egoist i cilësive të vetë personit quhet “narcizizëm”. Në teorinë psikoanalitike, “narcizizmi” është një koncept që u prezantua gjerësisht në esenë e Sigmund Freud-it “Për narcizizmin” (1914). Shoqata Amerikane e Psikiatrisë e ka pasur të klasifikuar “çrregullimin narcizistik të personalitetit” në Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore (DSM), që nga viti 1968, duke u bazuar në konceptin historik të megalomanisë (mendjemadhësisë).
Koncepti i egoizmit të tepruar (megalomania), ka qenë i njohur gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Në Greqinë e lashtë, ky koncept u kuptua si arrogancë, por vetëm kohët e fundit egoizmi është parë si narcizizëm dhe është përkufizuar në aspektin psikologjik. Por, në vetvete, narcizizmi nuk është i njëjtë me egocentrizmin. Trevor Pederson thotë për egoizmin, se; “në këtë rast, funksionon vetëm përparësia e individit kundrejt të tjerëve, por, kur flasim për narcizizmin, ne jemi vetvetja me veten. Ka dallim midis koncepteve të narcizizmit dhe egoizmit. Pra, narcizizmi mendoj se është plotësim i dëshirës së egoizmit, duke marrë kënaqësinë e tij epshore (të biesh në dashuri erotike me veten)”.
Më 1898, Havelock Ellis, psikolog anglez, përdori termin "Narcissus" në lidhje me “masturbimin” e tepruar, kur personi bëhet objekt i tij. Në vitin 1899, Paul Nacke ishte personi i parë që përdori termin "narcizizëm" në një studim për perversionet seksuale. Otto Rank, në vitin 1911, botoi gazetën e parë psikoanalitike, me fjalën specifike “Narcizizëm”, duke e lidhur atë me kotësinë dhe vetadmirimin. Në vitin 1923, Martin Buber botoi një ese me titull "Ich und Du (Unë dhe Ti)", në të cilën ai vuri në dukje se narcizizmi ynë shpesh na shtyn të lidhemi me të tjerët si objekte e jo si subjekte.
Sipas psikologëve, ka edhe narcizizëm të shëndetshëm, i cili lidhet me shëndetin e mirë psikologjik. Vetëbesimi punon si një ndërmjetës midis narcizizmit dhe shëndetit psikologjik, d.m.th. të duash veten, që të kujdesesh për të. Në lidhje me gjendjen patologjike, narcizizmi i shëndetshëm ka të bëjë me një ndjenjë të fortë të "dashurisë për veten”, që e mbron qenien njerëzore ndaj sëmundjes. Megjithatë individi duhet ta dojë tjetrin si subjekt të dashurisë, që të mos sëmuret nga vetmia. Individi sëmuret, si rezultat i frustrimit (zhgënjimit, acarimit) të krijuar, kur ai nuk është në gjendje të dojë subjektin, personin tjetër. Në narcizizmin e tillë patologjik, si çrregullimi narcizistik i personalitetit, libido (kënaqësia) i personit është larguar nga objektet dhe personat në botë dhe prodhon megalomaninë (madhështinë për veten) dhe dashurinë për veten.
Krahas kuptimit parësor (vetëpëlqimi) dhe atij të shëndetshëm (vetë-dashuria) të narcizizmit, ai zakonisht konsiderohet edhe si një problem në marrëdhëniet e një personi a grupi me veten dhe të tjerët. Narcizizmi është konsideruar gjithashtu si një problem social apo kulturor. Hotchkiss e ka identifikuar narcizizmin në ato që ajo i quajti “shtatë mëkatet vdekjeprurëse të narcizistit”: 1- Paturpësi, 2- Mendjemadhësi në të menduar, 3- Arrogancë, 4- Përbuzje ndaj të tjerëve, 5- E drejtë e veçantë mbi të tjerët, 6- Shfrytëzim, 7- Moskufizim për veprime egoiste. Edhe pse shumica e njerëzve kanë disa tipare narciziste, nivelet e larta të narcizizmit mund të manifestohen në një formë patologjike, si çrregullim personaliteti narcizistik (NPD), ku pacienti mbivlerëson aftësitë e tij dhe ka nevojë të tepruar për admirim dhe afirmim të vetes.
Ky thuajse është koncepti i psikologëve e psikiatërve në shekujt XIX-XX për narcizizmin, por Shkrimi i Shenjtë (Bibla) i ka trajtuar këto devijime të personalitetit njerëzor shekuj më parë dhe, më e rëndësishmja është se Bibla na tregon shkakun kryesor të vetëpëlqimit (narcizizmit), që erdhi nga keqpërdorimi plot krenari i egos (unit) së dy njerëzve të parë dhe të të tjerëve pas tyre, të cilët u frymëzuan nga Eusfori, një kryeengjëll i rënë. Djalli ( gënjeshtari) u injektoi njerëzve gabimin e tij.
Ja çfarë thuhet në Bibël për atë, i cili ra i pari nga krijesat në dashuri egoiste dhe vetëpëlqim, gjë e cila e çoi në rebelim kundër Zotit Perëndi në vendet qiellore dhe që për këtë arsye u dënua të bjerë në kaosin e hiçit: “E thuaji atij: Kështu thotë Zoti Perëndi: T’u rrit mendja për shkak të bukurisë, pasuria të bëri të humbësh urtinë; atëherë vetë të flaka përtokë, të vura para syve të mbretërve që të të shikojnë me përbuzje” (Ezekieli 28:17), “Të gjithë popujt që do të shohin, do të çuditen se çka të gjeti. Ti u bëre shenjë tmerrimi, humbe për jetë të jetës!” (Ezekieli 28:19).
Sindromën e vetëpëlqimit djalli e injektoi te dy njerëzit e parë, të cilët i nxiti të hiqnin shikimin nga Perëndia e ta drejtonin drejt vetes, duke i futur mendimin krenar, se pa Perëndinë mund të bëheshin të pavdekshëm, hyjnorë. Kështu, mendimi krenar i çoi ata në kotësi e vetëpëlqim; në fillim Evën (gruan), e cila besoi me krenari naive se mund të bëhej perëndi në Eden, më lart se Adami (burri) që ta sundonte atë.
Jo vetëm Bibla, por edhe mësuesit e Kishës, Etërit e shenjtë që e egzaminuan shpirtin njerëzor nga ndriçimi i Perëndisë dhe përvoja personale, thonë se krenaria dëmton aftësinë tonë për të menduar, na bën të jemi injorantë (të paditur) dhe të paaftë për të menduar drejt për vetveten. Atëherë kotësia prek pjesën dëshiruese të shpirtit tonë, na bën të duam e të realizojmë ide të çmendura, që krenaria na sjell në mendje. Kotësia është ajo që u jep sinjal të gjitha mendimeve të kota, për të vazhduar më tej. Njerëzit që kanë shumë kotësi janë ata njerëz, të cilët nuk punojnë nga dashuria apo nga një nevojë e natyrshme, por për t’u njohur e pëlqyer nga të tjerët, njësoj si aktorët, që realisht nuk janë ata që duken në shfaqjet teatrale. Pra, me krenarinë, ne jemi krejtësisht të paditur se çfarë është vetja jonë, por me kotësinë ndërtojmë vullnetarisht një imazh të gënjeshtërt të asaj që jemi në të vërtetë. Ndërtojmë imazhin e vetes sonë, që të mund ta kundrojmë me kënaqësi të madhe, si Narcizi, që u dashurua me fytyrën e tij dhe “perënditë” vendosën ta shndërrojnë në një lule, që të rritej pranë ujërave të qeta e të kundronte në përjetësi imazhin e tij në ujë, por që, natyrisht, kjo ishte vdekja e tij si njeri. Dhe, kur ne ndërtojmë një imazh të vetes sonë, me qëllim që ta admirojnë të tjerët, kjo do të thotë gjithashtu vdekje për ne si person njerëzor. Vetja jonë e vërtetë varroset në një varr të vogël të ndërtuar në zemrën tonë të prishur, të cilën tanimë e kontrollon kotësia e ku askush nuk dëgjon asgjë prej vetvetes, sepse ka dalë nga vetja reale. Prandaj dhe shën Joani i Shkallës (shek. VII) thotë: “Lavdia e kotë është ndryshimi i natyrës, një perversion (neveritje, shtrembërim) i karakterit, harxhimi i kotë i mundimeve, shpërdorimi i djersës së derdhur”.
E keqja është se njeriu lind i infektuar me narcizizmin, me vetëpëlqimin e trashëguar nga ADN prindërit si një deformim i psiqikës. Këtë e vërejmë që në moshën fëmijërore dhe, në qoftë se nuk bëhet kujdes nga prindërit dhe vetvetja sipas moshës, atëherë fara e vetëpëlqimit zhvillohet dhe bëhet një gjembaç që shpon çdo njeri që i afrohet, por më shumë vetë veten e tij. Në sytë e tij, njeriu mund të duket i madh, i ditur, i bukur, por çfarë thuhet për atë në Shkrimin e Shenjtë? “Sepse ti thua: Unë jam i pasur, u pasurova dhe s`kam nevojë për asgjë; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur”(Zbulesa 3:17). Kurse për bukurinë e jashtme pozante të fytyrës së gruas, që nuk korrespondon me pamjen e brendshme të shpirtit të saj, thuhet: “Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend”(Fjalët e Urta 11:22). Dhe po ashtu, për kotësinë e tërë jetës tokësore me shkëlqimin e saj të rremë, thuhet përsëri: “Ditët e njeriut janë si bari, lulëzon porsi lulja e fushës. Se fryn era mbi të dhe s’është më dhe nuk dihet më se ku e ka pasur vendin” (Psalmi 102:15-16).
Pra, thamë se të gjithë njerëzit janë pak a shumë narcizistë, të sëmurë me këtë sëmundje patologjike, që transmetohet në breza nga mëkati stërgjyshor-prindëror dhe personal. Kjo gjendje e narcizizmit vazhdon derisa të çlirohemi nga imazhi i gënjeshtërt për veten e të njohim veten se jemi njerëz të vdekshëm, të pendohemi për mëkatin e krenarisë, që është shkaku i narcizizmit, e të kërkojmë mjekun. Mjeku nuk mund të jetë thjesht një psikolog ose psikiatër, pavarësisht nga respekti për shkencën e psikologjisë dhe mjekësisë. Ato, në vetvete, janë të paafta për ta shëruar plotësisht këtë patologji, sepse, që të shërohet një sëmundje, nuk mjafton vetëm konstatimi i saj, por gjetja e shkak-pasojës dhe më pas e ilaçit të duhur. Njeriu me patologjinë e narcizizmit mendon se është zot i vetes së tij ose njeri-zot. Por kjo, sado e dëshirueshme që mund të jetë, është e pamundur, sepse njeriu në fund bie nga “piedestali” që e kishte lartësuar vetëveten dhe në fundë vdes dhe varroset. Kështu, i vdekshmi nuk mund të ngjallë të vdekshmin dhe pacienti nuk mund të shërojë pacientin. Në të kundërt, Perëndia, që është i pavdekshëm, i përsosur dhe i gjithëfuqishëm, mund ta shërojë njeriun nga sëmundja vdekjeprurëse e vetëpëlqimit, duke i mësuar të vërtetën e realitetit njerëzor dhe duke i dhuruar, si ilaç për krenarinë, të kundërtën: një mendje të përulur. Perëndia i ndihmon njerëzit që të çlirohen nga narcizizmi, kur ata dëgjojnë dhe pranojnë si shpëtimtar Birin e Perëndisë, Zotin-Njeri, Jisu Krishtin, “i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit (përulësia e përsosur)” (Filipianve 2:6-7). Ai i fton të gjithë njerëzit, pa dallim: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t`ju jap çlodhje. Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë” (Mateu 11:28-30). “Sepse pa mua nuk bëni dot asgjë” (Joani 15:5).
Edhe Kisha, si trupi i Krishtit, këtë mision ka: ajo është një spital që me anën e klerit (infermierët) i drejton njerëzit e sëmurë nga krenaria, egoizmi, vetëpëlqimi, për te Zoti Krisht(Mjeku i Madh), me anën e Mistereve të shenjta. Njëri prej tyre shumë efikas për shërimin e vetëpëlqimin(narcizizmit), është dhe ai i Pendim-Rrëfimit, i cili kryhet me ndihmën dhe përpara një ati rrëfyes, që jo vetëm e konstaton sëmundjen e narcizizmit, por edhe transmeton Hirin e Perëndisë në emër të Krishtit, që fal mëkatin e krenarisë dhe është i domosdoshëm për shërimin e kësaj sëmundjeje patologjike me të gjithë pasojat e saja. Prandaj mund të themi se ati rrëfyes është edhe psikolog, por psikologu nuk është një atë rrëfyes,kështu ai nuk mund të japë shërimin e plotë nga vetvetja e tij, tek pacienti narcizistë.
Te Fjalët e Urta thuhet: “Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij, shtrin një rrjetë në hapat e tij (Fjalët e Urta 29:5). Lajkat e frymëzojnë dhe e shtojnë dozën e narcizizmit. Dhe është një koincidencë se si fjala “like” në rrjetet e ndryshme sociale, mund të tingëllojë “lajkë” në gjuhën shqipe. Këtu e kam fjalën, p.sh. për fotografitë që postojmë, dhe jo për çdo fotografi, por për ato raste kur teprohet në ekspozimin e vetes, gjë që vjen nga një vetëpëlqim i lidhur me narcizizmin. Kjo është bërë në mënyrë të pavetëdijshme një varësi, një problem psikologjik, një patologji e njerëzve që keqpërdorin portalet e rrjeteve sociale. Për shembull, ka individë që e nisin ditën duke vetëpozuar para mikrokamerës së celularit e duke bërë selfie (fotografi të vetvetes) sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që midis tyre të gjejnë fotografi të përshtatshme për postimin e radhës, duke pritur reagimin e të tjerëve, ose në mungesë të fancave kënaqen duke parë vetëveten. Shumë postojnë foto pa u menduar me nxitim, mjafton që të tërheqin like-t e të tjerëve. Kam dëgjuar se dikush bënte rreth dyqind selfie në mëngjes, për të zgjedhur një ose disa për portalin e saj. Shpeshherë pamjet janë sa qesharake, aq edhe të trishtueshme; pozimi shpeshherë vjen me ngërdheshje ose me poza ekstravagante deri në “striptizëm”, vetëm për të tërhequr sa më shumë interes te të tjerët, për të ushqyer vetëpëlqimin(narcizizmin). Këtu kemi një krizë indetiteti personal të individit, duke dalë jashtë vetëvetes reale, se kush jemi me të vërtetë.Kjo gjë na bën qesharak tek të tjerët që na njohin se kush jemi ne. Krahas kësaj, prindërit ekspozojnë pa kriter edhe fëmijët e tyre në facebook, vetëm për t’u mburrur, dhe këtu shfaqet narcizizmi prindëror. Me këto veprime prindërit u mësojnë diçka të gabuar fëmijëve, vetpëlqimin (narcizizmin), të cilët e përvetësojnë nga imitimi i shembullit të prindërve të tyre. Përveç kësaj ka shumë rreziqe të tjera për fëmijët që i reklamojmë në rjetet sociale, të cilat nuk po i përmendim këtu.
Mendoj se ky fenomen, që po na infekton përditë e më shumë, është tregues se brezi i sotëm po bëhet gjithnjë e më tepër egoist, me vetëpëlqim dhe dashuri për veten, duke ndaluar së qeni një qenie shoqërore normale në komunikim me të tjerët, madje edhe ato më intime në çift. Ashtu si profetizoi apostulli i kombeve, Pavli: “Dhe brezi i fundit do të jetë egoist”. Ky fenomen po na shkatërron, rrënon si individë dhe si shoqëri. “Sepse është e pamundur që dikush që është i robëruar nga dashuria për duartrokitje, të mendojë ose të bëjë diçka fisnike dhe të madhe. Ai duhet të jetë i ulët, i keq, i pandershëm, i vogël, mendjengushtë”, thotë shën Joan Gojarti (shek. IV).
Teknologjia e komunikimit online (siç është Facebook-u, Instagram-i etj) , e cila sot ka një shtrirje në gjithë globin dhe sipas faqes Zephoria.com informohet, se deri në gusht të 2015 gati 1.5 miliardë persona përdorin llogarinë e tyre në facebook, vetëm në Shqipëri janë 1.3 milion përdorues, 44.9 % e popullsisë. Pra një deri në shtatë njerëz në të gjithë botën përdorin facebook-un. Gjatë një dite 4.5 miliardë përdorin butonin like,30 % e personave janë 23-24 vjeç, 47 % meshkuj dhe 53 % femra. 50% e personave nga mosha 18 – 24 vjeç futen në facebook sapo zgjohen nga gjumi dhe çdo minutë publikohen 293 mijë statuse. Në 1 minutë postohen 136 mijë fotografi dhe në një ditë 300 milion, çdo sekondë hapen pesë profile të reja.
Kjo shpikje për komunikim , pavarësisht se është një arritje e madhe e teknollogjis moderne për njerëzimin, në vetvete ajo nuk është as e mirë e as e keqe, sepse varet nga mënyra sesi e përdorim. Ne mund ta përdorim atë si një pellg uji, ku thjesht mund të shohim çdo ditë veten, duke u dashuruar me të deri në perversion dhe pastaj të mbytemi e të vdesim si njerëz të natyrshëm në pellgun e marrëzisë dhe egoizmit, si Narcizi i mitologjisë, ose mund ta përdorim si një pasqyrë, nëpërmjet së cilës të reflektojmë, me përulësi dhe dallim, dashurinë e shëndetshme për veten dhe për të tjerët, dhe të kontribuojmë për të mirën e të gjithëve, ashtu si thuhet në Shkrimin e Shenjtë: “Duaje tjetrin si veten”.(Mar 12- 31)
REPLIKË me z. Arben Llalla ; Nga Miron Çako : Publikuar më Dt 12/01/2016 Tirna Observer
Kur
lexova rastësisht letrën tuaj të hapur drejtuar Fortlumturisë së Tij Anastasit,
Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me rastin e
festave, më datë 27 nëntor te gazeta ‘Bota Sot’ me përmbajtjen e saj të
përsëritur, për kërkesën për falje nga Kryepiskopi për genocidin grek ndaj
popullsisë çame, artikullshkruesi të ngjante si një nga baballarët e kombit që
me një penë të shpejtë i drejtohej një agjenti të një shteti fqinj, armik, që
gjithmonë ka qëllime shoviniste, larg duart nga vatani.
Në pamje të parë letra dukej e kopsitur mirë me “fakte” që nga zanafilla e krishtërimit duke përmendur Zotin Jisu Krisht në kryq që tha për armiqtë e tij: “Fali o Atë, se nuk dinë çfarë bëjnë” – vazhdon me gabimet e Kishës Katolike në mesjetë dhe me faljen që kërkuan, papa Gjon Pali dhe papa Françesku për këto gabime të Kishës Katolike kundër shkencës, shoqërisë njerëzore, grupeve me bindje të ndryshme siç ishin protestantët, hebrenjtë, gra, myslimanë të vrarë nga kryqëzatat dhe çdo kush që ka vuajtur nga dora e Kishës Katolike dhe përfundon me Kryepiskopin e Athinës Jeronimin për faljen që kërkoi si qytetar europian, pse nuk bëri më shumë, që nuk e ndaloi këtë masë njerëzish të pa shpresë, emigrantësh, që lanë gjithçka nga terrorrizmi fondamentalist-islamik dhe erdhën në Europë. “Sepse nuk bëra më shumë si bari shpirtëror dhe si qytetar i Evropës që të ndaloja këtë eksod, që në vend të një bilete shprese, la në duar të njerëzve vetëm trishtim të pamasë.” – të paktën kështu shkruani juve. Mendoj se kur keni mbaruar këtë letër “skaner” të gabimeve të të krishterëve përgjatë shekujve deri në ditët tona, do jeni ndjerë shumë i lumtur dhe krenar, bashkë me njerëz që ju mbështesin në këtë kauz për mbrojtjen e kombit nga shovinizmi grek dhe çdo armik. Letra duket si një”shah-mat” kundër Kryepiskop Anastasit, pa rrugëzgjidhje, ose kërko falje për genocidin grek kundër popullsisë çame dhe kështu bëhesh armik me qeverinë greke që të përkrah si agjentin e saj ose në qoftë se do të heshtësh, bëhesh armik me shqiptarët të cilët më në fund do e kuptojnë se ti je agjent dhe ja ke me hile shqiptarëve dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën ti e drejton, pra s’ke nga të shkosh këtë radhë.
Kjo lloj dinakërie i ngjan asaj të farisenjve dhe skribëve që menduan se i ngritën kurth Zotit Krisht duke i thënë se a është e ligjshme t’i paguhen taksat Çezarit apo jo? Por Jisui duke e njohur ligësinë e tyre tha; “Pse më tundoni o hipokritë?” “Jepi pra Çezarit atë që i përket Çezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë” (Mateu 22:17-21). Si një i studiuar duhet ta dish mirë se akuza e padrejtë kundër tjetrit të bëhet “bumerang” akuzë për vetveten, siç thotë edhe populli: “kush pështyn lart, i bie në surrat”.
Letra është sikur me një gur kërkon të vrasësh dy zogj, të diskreditosh krishtërimin si një fe, që ka devijuar nga mësimi i Krishtit, duke bërë gabime gjatë shekujve deri më sot, si dhe të godasësh Kryepiskopin si një agjent me origjinë greke që dëmton kombin shqiptar.
Zoti Arben Llalla, që mesa duket nuk je i krishterë, ndoshta je besimtar i fesë muslimane ose ateist, ti që në letrën tuaj jo vetëm akuzoni Kishën e Greqisë dhe primatët e saj po ashtu edhe Kryepiskopin e Kishës së Shqipërisë, por gjithashtu edhe të gjithë të krishterët për gabimet që kanë bërë në perëndim, që të ndikuar edhe nga shoqëria nga rizgjimi popullor, po ju imponohet që të kërkojnë falje publike, botës mbarë, dhe tani sipas jush, duhet ta bëjë edhe Kisha Orthodhokse e Lindjes, Roma e Re, dhe kërkoni me ngulm që këtë “mia kulpa” duhet ta fillojë Kryepiskopi Anastas si një primat i spikatur me zë të fortë theologjik në Kishën Orthodhokse të Lindjes që të bëhet shembull si i pari primat orthodhoks që kërkon falje për genocidin e Kishës Greke kundër popullsisë çame meqenëse Kisha Greke e ka sjellë në Shqipëri. Ky eshtë pretendimi juaj.
Po mirë, ju të krahut tjetër nuk ndjeni ndonjë faj, padrejtësi që i kanë bërë të parët tuaj popullit shqiptar dhe qytetërimit europian? Nëse je ateist besoj se të vret ndërgjegjja për krimet që bënë ateistët kundër besimtarëve në shekullin e kaluar, gjoja në emër të kombit, civilizimit? Nëse je fetar musliman patjetër që duhet të të vrasë ndërgjegjja dhe duhet të kërkosh falje publike, sipas teje, për ato që u bënë nga pushtuesit turq dhe bashkëpunëtorëte tyre në emër të fesë kundër të krishterëve në Shqipëri dhe në rajon për gati 500 vjet, ose më aktualisht klerikët dhe besimtarët muslimanë të kërkojnë falje për krimet e shtetit islamik ISIS? A të duket e drejtë kjo? Nëse ju akuzoni si fajtorë vetëm të krishterët atëherë edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu heroi ynë kombëtar që luftoi për krishtërimin dhe për liri dhe që nuk pranoi vasalitet nga sulltani, por i turpëroi duke i mundur me qëndresën heroike të popullit me shumë dëshmorë, ose edhe kur ai dënoi Hamzanë për tradhti, ne që sot ruajtëm besimin e krishterë si ai dhe paraardhësit tanë duhet ta quajmë atë fajtor dhe të kërkojmë falje publike për “gabimet e tij?” Por mendoj të mos i hedhim këtij “zjarri” benzinë, që disa kërkojnë ta ndezin në rajon dhe më gjerë duke i vënë gishtin tjetrit dhe veten duke e quajtur të pafajshëm dhe të persekutuar. Prandaj duhet t’i japim Çezarit atë që kërkon Çezari dhe Zotit atë që kërkon Zoti”.
Por le të flasim më konkretisht në lidhje me ju. Ju në letrën tuaj të hapur i kërkoni Kryepiskopit Anastas që ai të kërkojë falje për genocidin kundër popullsisë çame, viti 1914, 1944. Pavarësisht se ai nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, as edhe Kisha Orthodhokse e Greqisë dhe kryepiskopët e saj që ju i demonizoni, madje Mitropolitin e Paramithisë, Dorotheun, e tregoni të veshur si një ushtar të EDESËS, me jatagan në dorë që bën masakër bashkë me priftërinjtë e veshur si ushtarë, kundër popullsisë çame, më2 4 qershor 1944. Ju pretendoni se këto janë fakte historike, por unë nuk i besoj, se ju zoti Arben jeni mësuar të gënjeni madje dhe të shpifni jo për gjëra që kanë ndodhur shumë kohë përpara, që si keni parë me sytë tuaj, por ju gënjeni edhe për gjëra që ndodhin tani madje edhe në këto ditë që i shohim të gjithë. Në datën 28 nëntor ju në shkrimin tuaj të radhës te gazeta ALBEU.com: “Mungesa e bekimit të flamurit kombëtar në çdo 28 nëntor nga Kryepiskop Anastasi” shkruani: Në këto ditë intelektualët orthodhoksë shqiptarë më konktaktuan për të uruar festën kombëtare dhe në koenfidencën e komunikimit tonë i pyeta nëse vazhdon tradita orthodhokse e dhoksologjisë së flamurit e përkthyer nga Fan Noli, me keqardhje m’u përgjigjën se kjo bëhet vetëm në Korçë, po edhe aty peshkopi jep bekimin me ndrojtje nga presioni që ndjen nga eprori i tij në Tiranë”. Ju e dini se kur i shkruani këto edhe në gazetë po gënjeni me vetëdashje duke keqinformuar opinionin publik. Dhoksologjia e Flamurit u mbajt pothuajse si çdo vit në çdo kishë orthodhokse të Mitropolisë së Korçës, Gjirokastrës, Beratit dhe në Kryepiskopatën e Tiranës. Por jo vetëm në ditën e flamurit, por edhe përpara kësaj dite u organizuan takime dhe konferenca: si takimi me studentët në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash; takimi me intelektualët në ambjentet e Kishës Katedrale, dhe në datën 29 nëntor për arsyen e vetme që të kishte sa më shumë njerëz se ajo ditë binte e dielë, Kryepiskopi që drejtonte Liturgjinë Hyjnore së bashku me Episkopin ndihmës Astin dhe priftërinjtë e tjerë bënë në fund të Liturgjisë bekimin dhe Dhoksologjinë e Flamurit, siç u bë pothuajse në çdo kishë orthodhokse. E gjitha kjo veprimtari festive në respekt të flamurit kombëtar është e dokumentuar dhe gjendet shumë lehtë në portalet e internetit. Por ju prapë nuk u kënaqët me këtë dhe në vend që të kërkonit falje për akuzën e pabazë deri në shpifje ju bëtë një tjetër gënjeshtër me një letër drejtuar redaksisë së gazetës “Dita” 30 nëntor ku citohet: “U zhvillua ceremonia në një kishë lokale, por jo në Kishën Katedrale”. Përsëri aty citohet: “pas shkrimit tim për dhoksologjinë e flamurit shqiptar Kryepiskopi Anastas u detyrua sot më 29 nëntor të bëjë shërbesen e Dhoksologjisë së Flamurit në Katedralen Ngjallja e Krishtit, Tiranë, pra një ditë me vonesë, por përsëri Anastasi dredhoi duke vendosur flamurin shqiptar në sfond dhe nuk e bekoi ai, por peshkop Asti.”
Ju zoti Arben ose nuk merrni vesh ose bëni sikur nuk dini: Kur kryeson Liturgjinë Kryepiskopi çdo shërbesë bëhet me bekimin e tij nga episkopi ose priftërinjtë dhe është njësoj sikur ta bëjë ai. Edhe sikur të ishte i vetëm Kryepiskopi pa ndihmës dhe ta thoshte vetë të gjithë shërbesën, ju përsëri nuk do të ishit i kënaqur dhe patjetër do të sajonit shpifjen e radhës. Kur episkopët me origjinë shqiptare, anëtarë të Sinodit të Kishës Orthodhokse thonë Dhoksollogjinë e Flamurit ju prapë nuk ndiheni mirë. Çfarë doni ju zoti Llalla…..? Por meqë ju e mbani veten si patriot dhe nderoni flamurin, pse nuk ia thoni në mënyrë publike shqiptarëve se vetëm në Kishën Orthodhokse nderohet kështu flamuri si një shprehje nderimi, respekti të thellë, për flamurin e Gjergj Kastriotit dhe të Arbrit, të Ismail Qemalit, të shqiptarëve që për hir të së vërtetës ka lidhje me Bizantin.
Duhet të kërkoni ju falje, se nuk thoni të vërteten por keqinformoni opinionin publik dhe kjo është kundër interesave të kombit, prandaj edhe Krishti që ju e përmendni në fillim të letrës suaj të hapur thotë për të tillë njerëz si ju që akuzoni vetëm të tjerët: “Hipokrit, hiqe më përpara trarin nga syri yt, pastaj shiko ashklën tek syri i tjetrit”.
Heshtja e Kryepiskopit mendoj se është përgjigjja më e mirë ndaj njerëzve si ju që përparoni duke gënjyer dhe duke u gënjyer. Kryepiskopi duke qenë ikona e shkëlqyer e Krishtit dhe një primat i madh i Kishës Orthodhokse, jo vetëm në Shqipëri, (ky është edhe opinioni juaj që jeni të detyruar ta thoni në letrën tuaj) vepron me heshtjen e tij si të vetmen mënyrë të mundshme, kur ju nuk doni të dëgjoni të vërtetën dhe për shpifjet tuaja të radhës, ashtu siç veproi edhe Zoti Jisu Krisht, duke heshtur para armiqve të tij që e akuzonin si antikombëtar dhe shkaktar trazirash. Unë e prisha heshtjen me iniciativën time personale, për të ndihmuar, duke të thënë në fund: Në qoftë se nuk e duron dhe nuk e thua dot të vërtetën, më mirë është të heshtësh, ‘se uthulla e keqe prish enën e vetë’.
Nikolla Marku kërcënon si xhihadist Mitropolitin e Elbasanit, Imzot Andonin ! Nga Miron Çako ; Publikuar në 20/04/2016 Tirana Observer
Fronëzimi para pak ditësh i Imzot Andonit si Mitropolitit i Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit dhe e ringritjes së Mitropolisë atje ishte një ngjarje historike, jo vetëm për Kishën tonë në Shqipëri, por ajo u përshëndet edhe nga të gjitha Kishat Orthodhokse kudo në botë. Zgjedhja e Mitropolitit të ri dhe fronëzimi i tij në kishën e re të“Shën Nikollës” në Elbasan më 17 prill, ishte në përputhje me Statutin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ku ai u propozua për këtë detyrë nga Këshilli Kishtar Kleriko-laik dhe u zgjodh me votim unanim nga Sinodi i Shenjtë, më 7 prill. Ceremonia e fronëzimit të tij u krye në prani të qindra besimtarëve të Mitropolisë si dhe të shumë besimtarëve nga i gjithë vendi që kishin ardhur për ta uruar, në prani të KryepiskopitAnastas dhe anëtarëve të Sinodit të Shenjtë, klerikëve, autoriteteve të larta qendrore dhe vendore, si dhe të drejtuesve të Komuniteteve Fetare, në një atmosferë shumë festive dhe të gëzueshme, siç i ka hije këtyre ngjarjeve të mëdha dhe të gëzueshme të fronëzimit të Mitropolitit në Kishat Orthodhokse.
Por tingujt festiv dhe ritmikë të këmbanave të kishës, që lajmëronin ardhjen e Kryebariut, të bashkuar në harmoni me muzikën popullore të zonës, që çonte peshë njerëzit nga gëzimi me valle rreth Kryepiskopit Anastas dhe Mitropolitit të ri Andon, duke i uruar me fytyrë të gëzuar: për shumë vjet o Kryezot;u përpoq t’i sfumonte më dy ditë më pas “këmbana e mortit me urimet e zishëm” të pseudopriftit Nikolla Markut në një tjetër deklaratë plot përçartje, kërcënime dhe vulgaritet, mbushur me vrer dhe mllef, si shumë të tilla të tij, botuar në gazeta dhe media të ndryshme me titullin: “Ditët e numëruara”.
Edhe pse e njoh mirë kush është Nikolla Marku si dhe përmbajtjet e deklaratave të tij, ju them sinqerisht se këtë radhë ai kaloi të gjitha parashikimet e mundshme dhe përshtypja që të jep leximi i kësaj deklarate është sikur e ka shkruar jo një person që luan rolin e “priftit” dhe pretendon të jetë kreu i“ kishës kombëtare shqiptare”, por i një xhihadisti ekstremist që mallkon, shantazhin,deri në kërcënim, duke u përpjekur të mbjellë terror tek dëgjuesit dhe kjo në emër të “Zotit”!
Por çfarë ishte ajo që “provokoi” shpërthimin e vrullshëm e të papërmbajtshëm të përroit mllefatar dhe armiqësor të Nikolla Markut? Për ata që nuk janë të informuar po sjell të vetmen referencë në lidhje me situatën e kishës së zaptuar në fjalimin e tij të gjatë përshëndetjes të Mitropolitit të Elbasanit, Hirësi Andonit, ditën e fronëzimit përpara të pranishmëve: “Pavarësisht situatës paradoksale që vazhdon të ekzistojë në kishën historike “Lindja e Hyjlindëses Mari” dhe të godinën pranë saj, në lagjen “Kala” të qytetit të Elbasanit, të cilat në mënyrë të paligjshme dhe antikanonike mbahen të zaptuara, por që me ndihmën e Zotit dhe uratat Tuaja do të rikthehen në gjirin e Kishës dhe në shërbim të besimtarëve të qytetit”.
Tani ju ftoj të lexoni fjalët që përdor Nikolla Markut në deklaratën e tij me titull: “Shqiptarizmi i ortodoksisë shqiptare, nuk mund të cenohet nga banditë me veshje prifti dhe helm shovinizmi. Kush kërkon derdhje gjaku, brenda ortodoksisë shqiptare, do ta mbulojë gjaku i tradhtarit këmbë e kokë. Kush kërkon përçarje brenda besimtareve të vërtetë ortodokse, do ta mbulojë përçarja brenda shpirtit dhe mishit të kalbur që e mban në këmbë si ty Andon dhe Janullatos. …gjaku që kërkoni të derdhni, do t’ju mbysë direkt juve, si në mendje ashtu dhe shpirt. …zjarri i ferrit ju pret.”
O shqiptarë të urtë, besimtarë apo jo, gjykoni vetë; ai ka hije të shprehet dikush që për më tepër që pretendon të jetë “prift”, në një deklaratë publike me tone patriotike, kundër një Hierarku të lartë Mitropolit, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me një biografi të admirueshme?! Një fjalor dhe shprehje që i ngjajnë skenarit të një filmi horror ose deklaratave të xhihadistëve ekstremistë, që rëndomtë i shikojmë e dëgjojmë në këto kohëra të trazuara.
Arsyeja e vërtetë që Nikolla Marku shkruan në këtë mënyrë të papërgjegjshme është se ai nuk është prift kanonik dhe askush nuk i kërkon atij llogari dha as i jep kujt llogari për veprimet që bën dhe ato që thotë. Atë nuk e njeh asnjë Kishë Orthodhokse dhe asnjë Kishë ose Komunitet tjetër Fetar, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë vendit, përveç vetvetes dhe atyre që e përdorin sa herë që ju duhet, si tellallin e tyre. Ai reagon kështu, jo se i dhimbset Kisha dhe Shqipëria, por vetja dhe duke përdorur veladonin e priftit si lëkurë deleje kërkon të mashtrojë opinionin publik për qëllimet dhe interesat e tij, duke mbajtur ende të uzurpuar padrejtësisht kishën që është njëkohësisht edhe monument kulture dhe në përgjegjësinë e Ministrisë së Kulturës që nga viti 1995 bashkë me godinën e Mitropolisë.
Nikolla Marku e ka shndërruar këtë kishë në një qoske fitimprurëse, ku janë zhdukur ikonat e vjetra, janë lyer me gëlqere dhe dëmtuar afresket, madje nuk ka aspak gajle ta përdorë si pasarelë mode,siç ishte sakrilegji i radhës, të cilën ai jo vetëm nuk e quante të tillë, por përqeshte protestën e Kishës Orthodhokse dhe të përfaqësuesve të saj, duke thënë në mënyrë publike: “nuk përdhoset ikona se del një femër me dekolte… unë i bëj thirrje gjithë rinisë shqiptare: Ejani te atë Nikolla se e keni kishën çelë jo ditën, por edhe natën”! Madje pyetjes së gazetares në se do të lejonte të bëheshin martesa edhe për komunitetin gay në kishë iu përgjigj se për momentin që ekonomia nuk është e fuqishme nuk është e mundur, por më vonë atëherë po!!! As ai vetë nuk di çfarë thotë, por që fatkeqësisht këto veprime dhe deklarime i bën brenda një vendi të shenjtë dhe kishe ortodokse i paraqitur si prift ortodoks.
Ai në emër të nacionalizmit donkishotesk kërkon të mashtrojë opinionin publik për interesat e tij personale, duke fantazuar e trilluar plane ogurzeza kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve, jo vetëm nga “shovinizmi grek” i Vorio-Epirit, por tani edhe nga takimi i Papa Françeskut me Patrikun Ekumenik Bartolomeun I. Të gjitha këto lajthitje “o tempora o mores” që po dëgjojmë sot nga goja e NikollaMarkut, pikë së pari i bëjnë dëm vetë atij, e pastaj atyre që e kanë vënë të thotë gjëra të tilla, duke e bërë çdo ditë e më shumë një figurë të diskredituar, që siç thotë Krishti në Ungjill: “E keqja diskrediton veten”.
Jam i bindur se po të ngjallej Imzot Theofan Noli i pari do ta qortonte Nikolla Markun që i keqpërdorte emrin dhe i tjetërsonte kontributin për Autoqefalinë e Kishës Orthodhokse të Shqipërisë, e cila sot është ringjallur dhe lulëzuar si pjesë e pandarë e Kishës së Madhe Orthodhokse në të gjithë botën.
Në deklaratën e tij ai nuk ngurron të ofendojë dhe kërcënojë edhe drejtuesit dhe përfaqësuesit e Komuniteteve të tjera Fetare të Elbasanit, të cilët ishin të pranishëm në ceremoninë e fronëzimit, por që në disa media u censurua për t’i ardhur në ndihmë Nikollës, por që jo të gjitha kishin mirësinë t’ia bënin këtë nder. Ja çfarë tha Nikolla në deklaratën e tij: “Na vjen shumë keq që, dy përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare ishin aty, si babai i një teqeje, ashtu dhe një përfaqësues i kishës rajonale katolike. Sa keq që i përdorën në mënyrën më të pa besë. Turp për besimin dhe veshjen e tyre.” Çdokush mund të nxjerrë vet konkluzionet se për cilin person jemi duke folur dhe sa i rrezikshëm ai mund të kthehet. Por për këtë deklaratë të Nikolla Markut pres të ketë një reagim edhe nga Komunitetet e tjera Fetare, pasi nuk mendoj se ata do bien në grackën dhe propagandën e tij.
Nikolla e shikon dhe po e ndjen se shumë shpejt kisha e “Kalasë” që ai e mban të uzurpuar do t’i rikthehet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë sipas Marrëveshjes që shteti ka bërë me Kishën Orthodhokse, ashtu si edhe me Komunitetet e tjera Fetare, bashkë me godinën e Mitropolisë, e cila me vendim gjyqësor dhe titull ekzekutiv i është kthyer Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Këtu edhe një herë është rasti që Shteti shqiptar përmes organizmave të tij ligjor dhe ekzekutiv të kryejë funksionet e tij për të garantuar të drejtën themelore të lirisë së besimit dhe të pronës, të cilat i janë cenuar haptas Kishës Orthodhokse, shqetësim që është pasqyruar çdo vit në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të organizmave të tjerë ndërkombëtarë.
Si besimtar dhe përgjegjës i katekizmit i bëj thirrje NikollaM arkut që të heq dorë nga qëndrimi i tij i gabuar dhe i dënueshëm, të reflektojë dhe të marrë guximin të thotë: gabova, dhe të lirojë kishën me vullnetin e tij, pa qenë nevoja ta detyrojnë ligji dhe organet zbatuese. Në një periudhë kur po i afrohemi Javës së Madhe dhe festës së Pashkës kur kujtojmë që Krishti vuajti për mëkatarët, i Cili “nuk do humbjen e mëkatarit, por që të kthehet e të jetojë gjatë”. Ndryshe i kujtoj edhe një herë ato çfarë ka thënë Shën Joan Gojarti në lidhje me ata që ndajnë dhe dëmtojnë Kishën, trupin e Krishtit: “sikur edhe gjak martiri të japë dikush që ndan Kishën, por nuk pendohet, ky mëkat nuk i falet as në këtë jetë as në përjetësi”. Si njerëz të gjithë jemi të vdekshëm dhe kalimtarë në këtë botë, prandaj duhet të jetojmë me frikë Perëndie dhe pendesë, pasi Kisha, që është trupi i Krishtit,është e pavdekshme dhe e pacenueshme. Vetë Zoti tha: “sikur portat e ferrit të hapen, Kisha ime do të qëndrojë”.
14 Shkurti, dita e shën Valentinit, një festë e deformuar ! Nga Miron Çako
Publikuar Dt 12/02/2016 Botuar në Gazeta Shqiptare & Balkanweb & Tirana Observer
14 shkurti ose Shën Valentini, për çdo vit e më tepër po bëhet një ditë festive për të “dashuruarit” jo vetëm në Europën Perëndimore, nga ku e ka zanafillën kjo festë në shekullin e XV, por nëpërmjet mesazhit “rozë” që përcjell dhe marketingut që e shoqëron gjithnjë e më shumë, shën Valentini po festohet në çdo cep të globit, madje fshehtas festohet edhe në vende ekstremiste, me një kulturë hermetike që e ndalojnë me ligj, duke e parë si sakrilegj për besimin e tyre ose ndikim i moralit perëndimor. Këtë ditë ka rekorde në blerjen dhe shkëmbimin e dhuratave midis të dashuruarve p.sh. në përgjithësi femrat, gratë blejnë ose marrin nga të dashurit ose burrat, 85 % të dhuratave. Në Verona të Italisë në ballkonin e Zhuljetës dërgohen 1000 letra dashurie. Atë ditë bëhen afërsisht 220 mijë propozime për martesë dhe blihen rreth 110 milion trëndafila të kuq dhe një miliard çokollata shiten dhe dërgohen gjatë tri ditëve para festimit të shën Valentinit, pra një bum përshëndetjesh dhe dhuratash. Po kush është shën Valentini dhe çfarë ka bërë ai që të ‘’dashuruarit ‘’ në të gjithë planetin e duan kaq shumë, sa dikush i lutet që të bekojë dashurinë e tyre, të tjerë e shikojnë si fatsjellës ose si mbrojtës dhe e kanë si justifikim për frymëzimin erotik, se për shën Valentin lejohet dhe tolerohet gjithçka në “dashuri”.
Në sinaksarët e Kishës së Lindjes dhe të Perëndimit përmenden shumë shenjtorë me emrin shën Valentin dhe nuk mund të thuhet me saktësi se kujt shenjtori i përket kjo traditë si mbrojtës i të dashuruarve. Peshkopi Dhimitër i Institutit Orthodhoks të Kërkimeve “NEË. HMP. SHIRE. SHBA’’, shprehet se shën Valentini ishte një prift në Romën e viteve 270 pas Krishtit. Kohë kur Kisha e krishterë ishte duke pësuar persekutime të mëdha. Krishterimi në atë kohë shikohej si një fe e rrezikshme për Perandorinë Romake, sepse të krishterët adhuronin si Zot Jisu Nazareasin nga Judeja dhe nuk pranonin të adhuronin perandorët romakë të cilët edhe pse ishin njerëz të vdekshëm i jepnin vetes se tyre atribute hyjnore dhe kërkonin adhurim si zota. Arsye tjetër e këtij persekutimi ishte morali i lartë i krishterë që ishte në antitezë dhe akuzë për degjenerimin pagan deri në perversion të cilët pasionet e ulëta njerëzore i kishin bërë idhuj dhe vendosur nëpër tempuj, në të cilat kryheshin orgji seksuale të “shenjta” me prostitutat “priftëresha’’ si një akt bashkimi me perëndinë e kënaqësisë trupore (epshit) siç ishte Afrodita ose të pjellorisë si Artemisa.
Shën Valentini në këtë kohë shërbente si prift dhe detyra e tij ishte të dëshmonte të vërtetën dhe moralin e krishterë dhe të kryente rite fetare të cilat bëheshin në fshehtësi për të krishterët. Ai kryente dhe misterin e martesës për ushtarët e krishterë që shërbenin në ushtrinë e perandorit Klaudi II, i cili kishte nxjerrë një ligj që e ndalonte martesën e ushtarëve duke thënë se burrat e martuar nuk ishin ushtarë të mirë, por qëllimi i tij ishte që t’i mbante ushtarët të lidhur mbas vetes dhe luftërave. Shën Valentini priste pjesë nga Shkrimi i Shenjtë në formë zemre dhe ua ndante ushtarëve duke i kujtuar fjalët e Zotit në lidhje me martesën si e krijuar nga Zoti psh: “Zoti tha: Njeriu nuk është mirë të rrijë vetëm, do t’i bëj një ndihmës ( grua) që i leverdis (Zan.2:18). Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij, do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jetë një mish i vetëm” (Zan. 2:24). Sipas kësaj historie, këtu e ka zanafillën dhe simboli i zemrës, për të dashuruarit. Shën Valentini u arrestua nga autoritetet romake dhe u dënua me vdekje si shkelës i ligjit. Ai para se të ekzekutohej kishte shëruar nga verbëria vajzën e rojtarit të burgut me emrin Xhulia dhe në mbrëmjen para ekzekutimit ai i shkroi një letër kartolinë ku e frymëzonte që ajo të qëndronte në besimin dhe moralin e krishterë duke dashur Zotin mbi gjithçka. Shprehja “nga Valentini yt” përdorur në atë letër është bërë e njohur edhe sot dhe përdoret në kartolinat që ndahen në këtë ditë. Mbi varrin e shenjtorit, Xhulia mbolli një filizë bajame ngjyrë rozë. Sipas kësaj historie, pemët rozë të bajameve janë bërë simbol të dashurisë dhe miqësisë së vërtetë .
Pavarësisht këtyre të dhënave, autenticiteti i tyre mbetet për t’u diskutuar sepse siç thamë ka disa shenjtorë me emrin shën Valentin, që nderohen si në Kishën Orthodhokse ashtu edhe në atë Romano-Katolike. Por performanca e sotme e këtij shënjtori si mbrojtës i dashurisë dhe i martesës vjen nga Komuniteti Anglikan në Britani dhe i ka fillesat në kohën e romantiçizmit mesjetar të shekullit XV. Në këtë kohë filluan të shkruheshin poezitë e para, grave dhe të dashurave me shprehjen simbolike, “Valentini im’’. Shën Valentini përmendet në veprën: “Hamleti” të Shekspirit në vitin 1600-1601, tek akti 6, skena 5, Ofelia me trishtim thotë; “nesër është dita e shën Valentinit, shumë herët në mëngjes, do të vij në dritaren tënde, të më bësh Valentinin tënd’’. Nga Britania festa e shën Valentinit kaloi në Amerikë dhe në vitin 1840 kjo ishte bërë një festë kombëtare. Në Amerikë prodhimi i parë i kartolinave për shën Valentinin filloi në vitin 1847. Në SHBA u llogarit se 190 milion kartolina dërgoheshin çdo vit dhe numri i atyre në botë arriti deri në 1 miliard dhe në fillim të mijëvjeçarit të ri me përhapjen e jashtëzakonshme të internetit u krijuan metoda të reja për dërgimin e mesazheve të dashurisë dhe miqësisë. Miliona njerëz sot përdorin mjete dixhitale si p.sh kartolinat elektronike për shën Valentin. Kështu , numri i kartolinave me mesazhe dashurie po bëhet gjithnjë e më i madh .
Deformimi i festës sot.
Deri këtu duket çdo gjë normale madje shumë romantike dhe e bukur brenda kësaj bote, që ka pak dashuri, shumë urrejtje dhe trishtim. Por brenda kësaj atmosfere romantike diçka anormale po ndodh, besoj se sikur shën Valentini të shfaqej, do t’i thoshte disa të “dashuruarve’’, ç’lidhje ka emri dhe dita ime me juve? Këtu e kam fjalën për të gjithë ata që e shikojnë këtë ditë për të përligjur çdo lidhje erotike amorale që bie ndesh me moralin e shën Valentinit që ishte një prift i krishterë që bekonte dashurinë (agapin ) në martesë, sipas Zotit dhe jo seksin (erosin) jashtë martese, ose kurorëshkeljen (tradhëtinë bashkëshortore). Këto veprime amorale në etikën e krishterë përcaktohen si mëkate të vdekshme që e ndajnë besimtarin nga Krishti dhe Kisha. Mos flasim këtu për lidhje erotike si poligamia (martesa me shumë partnerë ) ose poliamore (dashuri të shumta në të njëjtën kohë) ose homoseksuale (marrëdhënie me të njëjtin seks), biseksuale (tërheqje dhe marrëdhënie me të dy sekset), transseksualiteti (prirja për të ndryshuar identitetin gjenital) ose zoofilia (marrëdhënia me kafshët)etj. Për të tilla fenomene të devijuara nga natyraliteti i marrëdhënieve, mashkull dhe femër, Krishterimi dhe Kisha si moral, i kundërshton dhe është i pa negociushëm, pavarësisht se mund të shfaqet edhe opinione më tolerante dhe liberale edhe brenda disa grupeve të krishtera, por këto nuk i përkasin krishtërimit autentik por një krishtërim i deformuar sipas frymës së botës mëkatare, që është në armiqësi me Perëndinë. Në Shkrimin e Shenjtë thuhet qartë; “ mos u gënjeni;as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët … as përqeshësit … nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë” (I Kor. 6: 10).
Kisha nuk urren dhe diskriminon, personin njerëzor, por vesin, të keqen, që ai bën dhe transmeton, ashtu si mjeku nuk urren pacientin por sëmundjen dhe e lufton duke dashur të sëmurin. Kisha si një spital shpirtëror, duke pasur për ilaçe Hirin e Zotit Krisht, të vërtetën dhe dashurinë është gati të shërojë çdo sëmundje dhe deformim të njeriut duke i dhënë atij rilindje dhe ringjallje, si shpirt dhe trup dhe një fillim të ri. Prandaj Shën Pavli thotë përsëri: “Dhe të tillë ishit disa nga ju, por u latë, u shenjtëruat, u shfajësuat në emër të Zotit Jisu dhe me anë të Frymës së Perëndisë sonë” (I Kor. 6: 11).
Por dikush mund të thotë boll edhe ju të krishterët me moralin tuaj të prapambetur dhe të ndrydhur, njeriu derisa është një qenie heteroseksuale, mashkull dhe femër dhe posedon spontanisht këtë vrull seksual ai patjetër duhet ta shfrytëzojë sipas rastit që i shfaqet. Dhe sipas këtij këndvështrimi ‘modern’ po të kemi parasysh psikoanalizën e psikiatrit Zigmund Frojd 1856-1939, që e quan fenë neurozën më të fiksuar universale të njerëzimit, ky justifikim për erotikën pa fre, bëhet edhe më “shkencor’’. Frojdi pa një lidhje të ngushtë mes seksit dhe fesë, siç thamë duke e quajtur këtë të fundit si formë universale të neurozës që shoqërohet me ndrydhjen seksuale dhe shënohet nga aluçinacione psikotike. Por pavarësisht se kjo teori pati një përkrahje masive nga bashkëkohësit e tij, sot kjo tezë e Frojdit nuk quhet aspak shkencore por hipotezë. Shumë autorë post Frojdian me mendje të kthjellët, e kanë kundërshtuar Frojdin si p.sh Karl Gustav Jungu, që thotë: “logjika e shëndoshë do të kthehet te fakti se seksualiteti është vetëm një nga instiktet jetësore”, vetëm një prej funksioneve fiziologjike. Ky psikiatër dhe psikolog arriti në përfundimet e tij shkencore të kundërt mes Frojdit duke vënë re se shumica dërrmuese e atyre që vinin tek ai për trajtim psikologjik u mungonte një dimension fetar në jetën e tyre. Jungu besonte se çdo njeri ka nevojë të qenësishme për Perëndinë dhe një kapacitet, për ta përmbushur këtë nevojë. Qendra kërkimore prestigjioze (Halister Hardy) në Kolegjin e Macesterit, Oxford, ka mbledhur një sasi të stërmadhe të dhënash për përjetimin fetar të cilat tregojnë, se ata që kanë një dimension fetar në jetën e tyre janë përgjithësisht më të balancuar emocionalisht dhe sillen në mënyrë më etike .
Teorinë e Frojdit e kundërshtojnë bindshëm vetpërmbajtja e vullnetshme për shekuj e shumë njerëzve që zgjodhën të mos kenë aktivitet seksual në jetën e tyre për t’iu kushtuar plotësisht Zotit ose shkencës dhe një gjëje, më të lartë se instikti seksual. Këta njerëz me mendje të kthjellët dhanë dhe japin një kontribut të paçmuar për gjithë shoqërinë njerëzore në përgjithësi. Edhe n.q.s ka raste devijimi të betimit të tyre duke u rrëzuar në imoralitet, këto janë raste të veçanta dhe mëkate personale të dënueshme nga Kanonet e Kishës dhe në asnjë mënyrë nuk mund të absolutizohen dhe të bëhen masa e gjykimit kolektiv, për të gjithë ata që mbeten të virgjër deri në fund të jetës. Por këtë teori të Frojdit e kundërshtojnë dhe jetët e miliona njerëzve që ndryshuan moralin e tyre kur u takuan me Krishtin ose me besimin e krishterë, prandaj dhe Krishti quhej me ironi nga armiqtë e tij si miku (i prostitutave dhe i doganierëve). Por mbi të gjitha veprimi i vetë Frojdit për të nxjerrë gruan e tij nga shtëpia, për të pasur lidhje incesti me motrën e tij, tregojnë se idetë e tij nuk janë fakte shkencore, por fiksime të tij neurotike. Po t’i shtojmë këtij fiksimi neurotik, pra “ libidos” (energjia seksuale promotor tek njeriu), statistikat me shifra alarmuese se çfarë ndodh kur vrulli seksual, lihet i lirë, gjendja është serioze madje e frikshme dhe na tregon se shoqëria njerëzore po shket drejt një humnere, sëmundje, që mund ta quajmë “neurozë erotike globale”.
Në Angli më shumë se 35 gra raportojnë në polici çdo ditë se përjetojnë abuzime ose përdhunime. Sipas Deily Mail në total janë regjistruar 22 mijë përdhunime duke pasur një rritje prej 29 % vetëm në një vit. Këto përdhunime janë kryesisht mbi vajzat, gratë, djem, burra dhe ka një rritje 2 herë më shumë se një dekadë më përpara. SHBA është vendi i parë në botë për rastet e përdhunimeve, 91 % të të përdhunuarve janë femra dhe 9 % janë meshkuj dhe po të shikojmë 10 vendet me përqindje më të lartë të përdhunimeve janë vende të zhvilluara ekonomikisht dhe të arsimuara si: Amerika, Franca, Kanadaja, Britania e Madhe, Gjermania. Një ndër 100 organizatat më serioze në Amerikë RAINN (organizata kundër sulmeve seksuale) thotë se në 2 minuta ndodh një dhunë seksuale, psikologjikisht ose fizikisht dhe gjithsej çdo vit 293 mijë akte dhune. Në 47 % të rasteve të përdhunimeve vijnë nga miqtë e njohur të viktimës, 44 % e viktimave janë nën moshën 18 vjeç deri në 12 vjeç. Brenda përdhunimeve janë edhe incestet brenda familjes, numri i tyre shtohet gjithnjë e më shumë dhe këtu flasim vetëm për ato që janë denoncuar në polici. Kjo mospërmbajtje seksuale edhe brenda ambjentit familjar, ka bërë që disa vende të Europës, si Franca, Spanja dhe Portugalia të lejojnë incestet midis të rriturve. Nga viti 2000 deri në 2015 martesat brenda një gjinie janë lejuar në shumë vende të Europës siç ishte edhe vendi i fundit në listë Greqia që i lejoi me ligj këto lloj “martesash” në dhjetor 2015.
Këndvështrimi i krishterë, për këtë derfomim.
Sipas këndvështrimit të krishterë kjo situatë tregon një nivel shqetësues për vetë indetitetin dhe të ardhmen e këtij brezi njerëzor i cili po deformohet frikshëm nga një qenie psikosomatike (shpirt-trup) vetëm në atë të mishit (epsh). Ky është momenti më i keq për një brez dhe qytetërimin e tij, mund të themi që është pika e vdekjes, momenti kur vetë Zoti krijues nuk merret më me këtë brez ashtu si përmëndet në Bibël, para se të ndodhte katastrofa e përmbytjes në kohën e Noes, Zoti tha: “Fryma ime nuk do të hahet gjithmonë me njeriun, sepse në shthurjen e tij ai nuk është veçse mish” (Zan 6.3). Në këtë gjendje, njeriu rrezikon të kthehet në një kafshë instiktive, pa intelekt, vetëm me një vrull gjenital të pakontrolluar duke dalë edhe jashtë ligjeve natyrale të bashkëjetesës, që as kafshët nuk mund t’i bëjnë sepse ato ecin sipas disa instikteve të koduara. Për këtë arsye natyra ngrihet me katastrofa kundër njeriut, si një qortim se ai po prish ligjin natyror, por edhe njeriu kundër njeriut sepse dëshira e pangopur për kënaqësi epshi, kërkon shfrytëzim të të tjerëve me anë të ligjeve, ironikisht edhe fetare (trajtimi i robëreshave të luftës) ose dhunës psikologjike dhe fizike.
Shumë njerëz vizionar thonë, se po jetojmë në një kohë të vështirë, me një të ardhme të pasigurtë për të nesërmen, duke pyetur, mos jemi brezi i fundit, ashtu siç e përcakton dhe Zoti Krisht në Ungjill, si një brez i pabesë dhe imoral. Në këtë brez, porosia e VII mos bëj tradhti bashkëshortore dhe porosia e X-të mos lakmo gruan e tjetrit…janë porositë më të shkelura. Këto porosi nuk kanë lidhje vetëm me ata që janë të martuar por edhe me ata që mëkatojnë jashtë martese, siç thuhet “vajzat tuaja bëjnë kurvëri ndërsa gratë tuaja bëjnë kurorëshkelje” (Oseja. 4: 13). Ky është një mëkat që po i rëndon këtij brezi dhe që ka pasoja të dukshme kundër vet trupit të njeriut, siç thuhet, “çdo mëkat që bën njeriu është jashtë trupit të tij, kurse ai që bën kurvëri ai bën mëkat në trupin e vet” (1 Kor. 6: 18). Ky mëkat lë gjurmë në fytyrën e njeriut dhe humbet bukuria dhe freskia, prandaj në këtë brez është shumë i përhapur makiazhi i cili kërkon të restaurojë pasojat e këtij mëkatit që po kryhet dhe në moshat minorene. Mbi të gjitha ky mëkat sjell edhe vetë vdekjen e trupit. Sot numri i të infektuarve me virusin HIV, bëhet gjithnjë e më alarmant, OKB deklaron se në vitin 2013 në botë numërohen 35 milion të infektuar me HIV, që siç dimë përhapet nga një marrëdhënie seksuale e pa kontrolluar me shumë partnerë, as përdorimi i kontraceptiveve nuk po e parandalon përhapjen e këtij virusi, se ky virus, është pasojë e mëkatit dhe “paga e mëkatit është vdekja”( Rom. 6: 23 ). Ky mëkat është shkaktari i parë i vrasjes së 125 mijë foshnjave çdo ditë dhe 40-50 milion në një vit, me anë të abortit, në glob. Ky është një mëkat me pasoja për vetë familjen dhe është shkaku i ndarjes, përçarjes dhe shumë konflikteve duke përfunduar dhe në vrasje. Në Shqipëri numri i divorceve është rritur nga viti në vit. Sipas INSTAT në vitin 1990 nga 100 martesa kishte 9 divorce dhe në vitin 2015 në 100 martesa ka 18 divorce. Vetëm në vitin 2014 kemi 4240 divorce, që në shumicën e rasteve vijnë se midis çiftit hyn një person i tretë dhe kështu fillon lufta midis burrit dhe gruas me viktima fëmijët. Ky është një mëkat kundër vetë shoqërisë dhe qytetërimit. Historia e njerëzimit ka vërtetuar se për shkak të këtyre mëkateve seksuale janë dënuar dhe shkatërruar breza dhe qytetërime, si ai i kohës së Noes, Sodomës dhe Gomorës, Egjiptian, Babilonez, Grekë, Romakë, Bizantinë, Osmanë etj.
Shën Pavli apostulli i kombeve tërheq vëmendjen: “Shkatërroni pra epshet tuaja që janë mbi tokë, kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari. Për shkak të këtyre zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes” (Kol. 3:5-6)
Ky mëkat bëhet sot me shumicë dhe shtohet në mënyrë progresive sepse gjithnjë e më tepër përsoset infrastruktura që e lehtëson kryerjen e tij, si p.sh mjetet e informacionit mediatik TV, internet, literaturë, kjo e afruar për të gjitha moshat. Statistikat thonë se në Hollivud, (qëndra më e madhe e prodhimit të filmit në notë), 30% të filmave janë të inspiruar me dhunë dhe 70% me seks. Sipas Institutit Shqiptar të Medias: në një studim të KKRT-së për respektimin e normave etiko-morale nga transmetuesit TV, dilte se rreth 90% e të anketuarve mendohet se teprohet me dhunën dhe seksin në ekranet televizive. Komunikimi vulgar, dhuna dhe skenat e tepruara erotike në ekranet tona, përcillen edhe në ato grup-mosha, që me ligj duhet të mbrohen prej tyre dhe si rrjedhim kërcënohet zhvillimi fizik, mendor dhe moral i fëmijëve. Një tjetër janë stimuluesit që nxisin epshin, si alkooli dhe droga që po gjejnë një përdorim gjithnjë e më të madh, pavarësisht masave parandaluese dhe rreziqet që ato shfaqin. Ushqime të modifikuara gjenetikisht me hormone të cilat ndikojnë në një pjekje seksuale të shpejtë që nuk korrespondon me formimin mendor tek adoleshentët për të dalluar të mirën nga e keqja. Po ashtu arti figurativ, letërsi, muzikë, kërcim që vihen në shërbim të nxitjes dhe shthurjes seksuale dhe një nxitje e madhe është edhe veshja provokuese,(seksi). Por mund të themi sot një ndikim të madh për shthurje seksuale, ka edhe familja moderne dhe shoqëria konteporane, që virgjërinë, nderin i shikon si relike të së kaluarës, që sot nuk kanë më asnjë vlerë morale, dhe nuk përbëjnë kriter vlerësimi për individin, familjen, shoqërinë në përgjithësi dhe njerëzit që përpiqen të bëjnë një jetë të pastër moralisht qesëndisen si të prapambetur dhe jashtë kohe.
Por mbasi i dëgjojmë të gjitha këto dikush mund të thotë dhe të kundërshtojë, pse murgjër do të bëhemi të gjithë? Jo. Pavarësisht se jeta murgjërore është një jetë e lartë intelektuale dhe e barazon njeriun me engjëjt të cilët nuk martohen as shtohen. Kjo mënyrë jetese, është një parashijim i gjendjes në jetën e përjetshme ku njeriu nuk do të ketë më nevojë për instiktin seksual sepse nuk do të shtohet më. Jo, të gjithë mund të jetojnë të virgjër ashtu siç thotë edhe Shën Pavli: “do të doja të gjithë njerëzit të ishin si unë (të virgjër) por secili ka dhuratën e vet nga Perëndia,njëri kështu e tjetri ashtu”(I Kor. 6:7- 8). “Për shkak të kurvërisë secili të ketë gruan e vet dhe secila grua burrin e saj” (I Kor. 7:2)
Prandaj në krishterim seksualiteti dhe jeta martesore nuk janë sakrilegj, por një dhuratë e Zotit krijuar dhe dhënë njeriut për qëllime të larta, ashtu si thuhet në Zanafillë: “Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, e krijoi mashkull dhe femër dhe Perëndia i tha atyre shumëzohuni dhe pushtojeni botën” (Zan. 21:28). Pra, seksualiteti ju dha njeriut si nevojë fiziologjike siç është ajo e të ngrënit dhe të pirit që nuk janë vetëm për kënaqësi, por për rritje dhe zhvillim, kështu edhe seksualiteti u dha për ta përdorur njeriu për të mirën e tij dhe për t’i dhënë lavdi Perëndisë, që si krijues bashkëpunon me çiftin njerëzor për rikrijimin dhe shtimin e racës njerëzore. Keqpërdorimi i kësaj dhurate kur ajo kthehet në idhull si një qëllim në vetvete dhe kryhet pa bekimin e Perëndisë, bëhet instrument i mëkatit, i ndarjes dhe i vetë vdekjes, siç sqaruam më sipër.
Mësimi i Kishës Orthodhokse
Sipas mësimit të Kishës Orthodhokse lidhjet seksuale janë të shenjta dhe të pastra vetëm brenda bashkëjetesës në martesë e cila bekohet në Kishë nga Krishti. Marrëdhëniet jashtë martesore pavarësisht premtimit dhe justifikimit janë të ndaluara dhe jo të bekuara. Akti seksual në martesën e bekuar sjell fryte dhe lindje fëmijësh dhe vetë Kisha lutet për një shtrat martesor të panjollë, për lindje fëmijësh dhe për çdo bekim tokësor dhe shpirtëror që i nevojitet kësaj familjeje të re e cila formohet në martesë me një bashkim të përjetshëm dhe vazhdon edhe mbas vdekjes fizike në Mbretërinë e Zotit. Megjithatë akti seksual i dashurisë nuk kufizohet vetëm në lindjen e fëmijëve. Ai ekziston edhe për bashkim në dashuri dhe ndërtim të ndërsjelltë, të atyre që janë të martuar, prandaj edhe thuhet: “Burri lë nënën dhe babanë e vet, bashkohet me gruan e tij dhe bëhet një mish i vetëm”. (Zan 2. 24 )ose ,”Le të ketë secili gruan e vet dhe secila grua burrin e vet, burri le të kryejë detyrën martesore ndaj saj, por edhe ashtu gruaja ndaj burri” (I Kor 7.3). Seksi (erosi ) në martesë është i bekuar dhe produkt i dashurisë (agapi) së vërtetë të çiftit i cili nuk jeton vetëm për vete në mënyrë dhe për kënaqësi egoiste, por për tjetrin në një përmbushje të vazhdueshme që nga dy bëhen një mish në një bashkim të përsosur dhe të përjetshëm. Kjo dashuri e sinqertë përmbushet në Krishtin që është Dhëndri i shpirtit besimtar dhe në Kishë, me anë të misterit të martesës. Por siç thotë edhe Shën Joan Gojarti shek IV, “edhe martesat pagane janë të shenjta dhe të pastra kur dashuria e vërtetë është e pranishme dhe çiftet janë dhënë njëri tjetrit përjetësisht me një besnikëri të pafundme dhe përkushtim të ndërsjelltë.”
Për të tillët lutet dhe bekon shën Valentini më 14 shkurt dhe Kisha Orthodhokse në çdo ditë të vitit, sidomos në misterin e martesës.
A ekziston jeta pas vdekjes?
Zyra e Katekizmit e Kryepiskopatës së Tiranës
Publikuar në Dt 02/04/2016 në Gazeta Shqiptare & Balkanweb & Tirana Observer
Nga Miron Çako
Jeta kjo dhuratë, që çdo qenie i krijuar dhe veçanërisht ajo njerëzore, të cilën e merr nga paraardhësit e tyre, është gjëja më e vlefshme dhe e paçmuar brenda kohës dhe hapësirës, në këtë shtëpi të përbashkët që e quajmë bota jona. Konceptet për jetën janë të ndryshme, por në thelb ato thonë të njëjtat gjëra. Sipas fjalorit të gjuhës shqipe; jeta është veti thelbësore e qenieve te gjalla, që lindin, zhvillohen, ndryshojnë dhe vdesin. Ose jetë quhet koha se sa jeton një qenie e gjallë, koha nga lindja deri në vdekje. Në këto formulime për fjalën (jetë), dallohet shumë qartë se jeta në këtë botë ka një fillim, që quhet lindje dhe një fund që e quajmë vdekje, për të parën gëzojmë të gjithë, përveç atij që lindi (ose nuk e ndjejmë ose nuk e mbajmë mend atë dite); për të dytën – vdekjen, hidhërohen të gjithë, të afërm dhe miq së bashku me atë që po jep shpirt dhe është i vetëdijshëm për vdekjen e tij.
Vdekja që si koncept do të thotë; ndalimi i veprimtarisë jetësore të organizmit të njeriut, jo vetëm që nga emri të tremb, por është borxhi dhe armiku më i madh i njeriut. Ashtu siç uji për zjarrin, që kërkon ta shuajë shkëlqimin dhe krenarinë e tij, kështu është edhe vdekja, që i shuan të gjitha gëzimet, lavdinë e jetës dhe i gropos në një varr të errët. Këtë gjë e thotë të përmbledhur një himn i vjetër kishtar i shekullit VIII-të: “Kotësi janë gjithë gjërat njerëzore, që s’qëndrojnë pas vdekjes; nuk mbetet pasuria, nuk vete pas lavdia, se me të ardhur vdekja, këto të gjitha zhduken…(Shërbesa e varrimit). Ne njerëzit jemi mësuar me këtë paradoks të vetë jetës, pra “lindim, jetojmë për të vdekur”. Kjo na duket e zakonshme si një ligj natyral, që ne nuk mund ta kundërshtojmë, duke bërë edhe indiferentin ose moskokëçarësin siç thuhet rëndomtë: “le të bëhet ç’të bëhet, se për të vdekur kemi”. Por kur vetë vdekja na afrohet dhe dëgjojmë hapat e saj të frikshme të bashkuara me ankthin e tik-takut të fundit të zemrës, sa mizore dhe e padrejtë na duket ajo, për ne dhe për të afërmit tanë dhe sa e pa kuptueshme dhe e kotë na duket vetë jeta në këtë botë. Ata që mendojnë në këtë mënyrë për vdekjen, përpiqen sa të kenë mundësi dhe kohë të thithin deri në palcë kënaqësitë e jetës me çdo çmim sipas parimit materialist “të hamë sot, se nesër do të vdesim”. Por ky konceptim i jetës dhe vdekjes, pavarësisht se na duket i logjikshëm, i patjetërsueshëm dhe fatalist, nuk është i vetmi për të gjithë njerëzit në çdo kohë. Disa nuk e shikojnë vdekjen si fundin e jetës por si prologun (fillimim) e një vazhdim jete më cilësore me një tjetër dimension, përtej kohës dhe hapësirës që na i kufizon kjo botë.
Por lind pyetja kureshtare: Kush erdhi nga jeta tjetër që të na e tregojë dhe ta besojmë? Gjatë historisë së njerëzimit ka pasur shumë raste të tilla, që njerëzit e kanë parë dhe treguar për atë, por që të mos biem në spekullime, le të përmendim disa fakte që janë gjithpërfshirëse për të gjithë njerëzit dhe le t’i analizojmë ato.
1- Të gjithë njerëzit pavarësisht se e pranojnë vdekjen si fenomen, nuk e duan atë, vetëm n.q.s kanë rënë në dëshpërim ose kanë humbur arsyen. Kjo tregon se vdekja nuk është diçka natyrale, si çdo instikt dhe nevojë e jetës, si ushqimi, riprodhimi, gjumi, etj. Njerëzit e ndjejnë dhe e duan pavdekësinë dhe kacafyten me vdekjen për ta mundur atë me çdo mënyrë. Për shëmbull disa të pasur kanë investuar për këtë gjë, duke paguar shuma të mëdha dhe kanë lënë trupat e tyre “agjensive” që i mbajnë këto trupa në gjendje të ngrirë që kur të shpiket ilaçi i pavdekësisë të mund të ringjallen përsëri. Revista “Times” pretendon se “pas 35 vjetësh njeriu do të arrijë të jetë i pavdekshëm” kjo me anën e teknologjisë kompjuterike dhe manipulimin në kodin gjenetike. E gjithë kjo antipati dhe kundërshti për vdekjen dhe me vdekjen, tregon se njeriu e aspiron pavdekësinë dhe kërkon atë që ekziston jetën e përjetshme dhe nuk mund ta kërkojë atë që nuk ekziston siç është vdekja, e cila nuk është ekzistencë në vetvete, por e kundërta e jetës.
2- Një tjetër fakt është kulti i të vdekurve i cili vjen që nga lashtësia, qytetërimi primitiv e deri tek ai i sotëm modern. Varrimi i kufomës së njeriut të vdekur ishte i shoqëruar me rite ceremoniale së bashku me mjete simbolike të cilat tregonin bindshëm se njerëzit, që kishin mbetur gjallë, besonin se i vdekuri nuk kishte humbur si qënie, por kishte kaluar në një tjetër dimension, në botën e të vdekurve. Kaq e sigurtë ishte kjo gjë, saqë në varret e të vdekurve vendoseshin ushqime, objekte, monedha, që sipas besimit të tyre, i duheshin të vdekurit për botën tjetër. Kjo traditë gjendet pothuajse në të gjithë botën, po ashtu edhe në vendin tonë. Të vdekurit i vendosnin në gojë një monedhë për të paguar urën që do të kalojnë për në botën tjetër. Bashkë me kufomën ata fusnin në varre sende të ndryshme, të cilat i kishte përdorur i vdekuri kur ka qenë gjallë si vegla pune, armë, ushqime, një shpresë e besimit se shpirti i të vdekurit jeton. Varrezat në lashtësi ishin të ndërtuara me gurë dhe themele të forta si (tuma, piramidat etj), ndryshe nga shtëpitë e jetës së përditshme të ndërtuara më mjete rrethanore. Kjo tregon se njerëzit besonin se jeta e tanishme është e përkohshme dhe nuk ia vlen të bësh shumë investime, kurse ajo përtej varrit është e përjetshme që ia vlen të investohet seriozisht. Gjithë historia e njerëzimit është ekzaminuar në shumicën e informacionit, tek varret ku njerëzit akumulonin të gjithë përvojën, diturinë, artin, kulturën e tyre për ta transmetuar për në jetën e përjetshme, nëpërmjet shpirtit të të vdekurit. Varrezat tregojnë shkallën e qytetërimit të tyre. Por edhe në kohën e sotme, ku u përhapën idetë ateiste dhe pragmatiste, përsëri investimi për varrezat madhështore nuk është zbehur, sepse njerëzit “modern” pavarësisht se nuk mund të besojnë në jetën përtej varrit, e kanë të vështirë të shkëputen nga të afërmit dhe të pranojnë faktin se ata janë kthyer në hiç dhe nuk ekzistojnë më. Kjo gjë tregon se në subkoshiencën e çdo qenie njerëzore edhe atë “ateiste”, besohet se ka diçka përtej varrit.
3- Një tjetër fakt janë ëndrrat që të gjithë njerëzit i kanë parë. Ëndrrat përcaktohen si një varg idesh, parafytyrimesh dhe emocionesh të palidhura, që shfaqen në mendjen e njeriut ose një ndërlidhje e ngjarjeve imagjinare, personave, në të cilat ai që fle paraqitet si zgjuar. Sipas psikologëve ëndrra është një gjendje ndërmjet koshiencës dhe subkoshiencës. Gjatë gjumit trupi fle dhe të pesë shqisat pushojnë, të parit, të shijuarit, të dëgjuarit, të nuhaturit dhe të prekurit. Ndërsa pjesa tjetër e organizmit vazhdon funksionimin. Në qoftë se pranojmë se njeriu është vetëm trup dhe ai fle atëherë çfarë është e gjallë brenda njeriut që bën të mundur që ai të ëndërrojë? Por njeriu nuk është vetëm trup (send), por ai është shpirt dhe nga ana shpirtërore vullneti fle, ndërsa vetëdija dhe mendja qëndrojnë zgjuar. Meqenëse vullneti mungon, vetëdija dhe mendimet krijojnë situata që kurrë nuk i menduam dhe jetuam në botën reale. Për ëndërrat ka folur edhe psikiatri i dëgjuar Zigmund Frojdi, i cili i konsideronte ëndrrat si valvul sigurimi, në të cilat dëshirat e pandërgjegjshme mund të kamuflohen në simbole dhe të ruajnë gjumin. Sipas tij ëndrrat përbëjnë rrugën mbretërore drejt kuptimit të nxitjeve të pandërgjegjshme të sjelljeve. Ai i shpjegonte ëndrrat me një përfundim erotik deri në inçest. Teoricienët bashkëkohorë besojnë se ëndrrat janë pasojë të ngjarjeve të rastësishme nervore dhe doktor Francis Krik (nobelist) thotë, se gjumi REM (koha e gjumit 20 %, pothuajse të gjithë muskujt paralizohen, sytë lëvizin dhe ëndrrat shfaqen) ripërtërin koren e trurit duke pastruar qarqet dhe shërben si një mekanizëm mësimi i anasjelltë, “ëndërrojmë që të harrojmë.” Pra sipas këtij koncepti ne mund t’i konsiderojmë ëndrrat thjesht si një shkarkes fiziologjike të trurit. Por ky vetëm është një mendim nihilist (mohues) dhe fyes i çdo ëndrre, që ka parë njeriu që nga lashtësia, të cilat kanë kuptim dhe mesazhe të sakta që vijnë nga një botë tjetër. Njerëzit e lashtë besonin se ëndrrat e natës përbëjnë mesazhe të fuqishme të mbinatyrshme të perëndive drejtuar njerëzve sidomos ëndrrat e mbretërve. Në lashtësi ishte përhapur mendimi se ëndrra është mjeti me të cilën perënditë komunikonin me njerëzit. Homeri tek Iliada 1:63 thotë: “Çdo gjë që sheh në ëndërr është nga Perëndia”. Në Bibël libri më i përkthyer në botë, i shkruar prej një hapësire 1600 vjeçare, nga njerëz të frymëzuar me status, kulturë dhe vende të ndryshme, na përmenden shumë ëndrra me anë të të cilave Perëndia bëri të njohur vullnetin e Tij tek njerëzit. Nuk do të dilte koha t’i përmendim këto ëndrra, si ajo e Faraonit të Egjiptit që e interpretoi Josifi i drejtë (Zan. 37:5); ose e mbretit Babilonas Nabukodonosorit e interpretuar nga profeti Daniel (Dan. 2); ose në Dhjatën e Re, ëndrra e Josifit vlesorit (Math. 1:20) e magëve (astrologë) (Math. 2:12), etj. Të gjitha këto u vërtetuan në realitet se ishin mesazhe të qarta dhe të sakta që vinin nga një tjetër botë ajo shpirtërore dhe u realizuan në këtë botë materiale. Gjithashtu secili prej nesh ose të afërmit tanë ka parë në ëndërr realitete që nuk janë të kësaj bote dhe mbi të gjitha njerëz të afërm që kishin jetuar në këtë botë, por vdiqën, të cilët shfaqen në ëndërr me pamje dhe zërin e tyre dhe iu bëjnë të ditur atyre që ëndërrojnë fakte, ngjarje që ndodhin saktësisht në realitet. Këtu patjetër ka edhe spekullime që vijnë nga forcat e errëta djallëzore, ose dhe nga vetë personi që ëndërron, por jo të gjitha janë të tilla. Prandaj ëndrrat e vërteta mund t’i quajmë si telefonata të botës shpirtërore. Ëndrrat tregojnë se shpirti i njeriut ndjen dhe jeton përtej gjumit, ashtu sikundër përtej vdekjes. Në fund të fundit gjumi është një vdekje e vogël, një përngjasim dhe ikonë e vdekjes dhe zgjimi një shëmbëllesë e ngjalljes. Prandaj për besimtarin vdekja quhet fjetje dhe varrezat qimitir, (fjetore). Kështu në komunikimin e besimtarëve nuk thuhet vdiq për njeriun, por fjeti me shpresën e ngjalljes.
4- Ka disa eksperienca mbinatyrore, që ju ndodhin disa njerëzve të cilët janë në prag të vdekjes. Këtë na e bëjnë të ditur të afërmit e tyre që iu rrinë pranë, ose siç thuhet i përgjojnë në çastet e fundit. Ata që janë duke dhënë shpirt thonë; se janë të rrethuar nga njerëz të afërm që kanë vdekur dhe i ftojnë në botën tjetër. Ose për rastet kur njerëzit, kanë pësuar një vdekje klinike dhe mbasi rikthehen në jetën normale tregojnë se panë një tjetër dimension të jetës dhe takuan njerëz të afërm. Madje shprehen se do të ishte më mirë për ata të mos ktheheshin, sepse atje në botën tjetër ishte më mirë se këtu në tokë, njerëzit ishin më të dashur dhe gjërat ishin më perfekte. Kjo iu ka ndodhur edhe njerëzve të njohur që kanë dhënë për vete dëshmi publike.
5-Ka të tjerë njerëz që lidhen me botën e shpirtrave me anë të ritualeve dhe formulave magjike. Këta quhen mediumë që thërresin “shpirtrat”, të cilët shfaqen me zë dhe figurë të personit që ka vdekur, por pavarësisht faktit, kjo është një praktikë spekullative dhe një shfaqje demonësh të cilët marrin formën dhe zërin e personave të vdekur dhe kështu gënjejnë të afërmit e tyre, sepse shpirtrat nuk mund të qarkullojnë lirshëm, ata janë të vendosur në vende të caktuara dhe nuk mund të lëvizin pa lejen e Perëndisë që është Zot i të gjallëve dhe i të vdekurve.
6- Në botë sipas gazetës Telegraf “sot ka mbi 7 miliardë banorë, vetëm 1.1 miliardë janë ateistë, të cilët nuk besojnë në ekzistencën e jetës pas vdekjes. Kurse të tjerët pavarësisht këndvështrimit të besimit, besojnë se ka një jetë tjetër pas vdekjes. Fetë monoteiste krishtërimi, islami, judaizmi besojnë se pas vdekjes shpirti jeton dhe gjykohet nga Zoti, duke u vendosur pranë Perëndisë në gëzim të përjetshëm dhe ky vënd quhet parajsë (ose xhenet), ose shkon në ferr (xhehenem) dhe vuan përjetësisht bashkë me djallin dhe demonët. Fetë lindore budizmi, hinduizmi, taoizmi etj. kanë një tjetër teori mbi jetën e shpirtit mbas vdekjes. Eshtë ajo e rimishërimit, (rikarnacion, metansarkosi). Kjo teori thotë, se mbas vdekjes së trupit, shpirti i njeriut hyn në një trup tjetër njeriu ose kafshe. Kështu shpirti i nënshtrohet një rrethi të pafund lindjesh dhe vdekjesh që përsëriten si një mundim i vazhdueshëm derisa të arrihet përsosmëria. Kjo teori është e lashtë, vjen nga fetë pagane të Babilonisë, Egjiptit, Greqisë, Romës.
7- Por përveç këtyre fakteve që na vijnë nga perceptimi shpirtëror dhe filozofik të jetës mbas vdekjes, le të përmendim edhe një fakt që vjen nga vetë shkenca sipas teorisë materialiste të Antonie Lavoisier (shek.XVIII) se “asgjë nuk zhduket, por transformohet”. Le të përmendim shkenctarin e shekullit XXI Robert Lanca ekspert i teknologjisë së avancuar i qelizave embrionale, ai thotë: “Vdekja nuk është akti final… është e vërtetë që trupat janë të përcaktuar që të asgjesohen një ditë, ndjenja e jetës… Kush jam unë? Në të vërtetë një fontan me energji prej 20 vatësh dhe pikërisht kjo energji e kontrollon trurin, mirëpo kjo energji nuk zhduket pas vdekjes. Njëra nga aksiomat më të besueshme të shkencës është se ajo energji kurrë nuk vdes. Ajo as nuk mund të krijohet, as të asgjesohet.”
Të gjitha këto argumente të cilat janë sa subjektive, filozofike, fetare dhe shkencore na tregojnë se vdekja nuk është një fund, por një fillim i një tjetër jete.
Po çfarë është vdekja? Vetë shkenca e mjekësisë që studion proçesin e vdekjes thotë se vdekje është: “plakja qelizore, që është një proçes kompleks me shumë shkaqe dhe përsa i përket zbulimit me detaje në imtësi të proçesit të vdekjes apo pikës së nisjes së saj, asnjë shkencëtar apo mjek nuk ka arritur deri më sot të gjejë një fakt shkencor të vërtetuar të tregojë pse ndodh vdekja. Pra, ajo është përtej ekzaminimit dhe arsyetimit tonë, është një mister i padepërtueshëm.
Koncepti i Kishës Orthodhokse për vdekjen, është se Perëndia Krijues nuk e krijoi vdekjen, por ajo erdhi si një aksident në jetën e njeriut. Njeriu u krijua sipas ikonës së Perëndisë me potencialin për të qenë i pavdekshëm, por ai pësoi vdekjen shpirtërore dhe pastaj fizike kur shkeli porosinë që Zoti i tha: “Mos ha nga pema e së mirës dhe e së keqes sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri. (Zan. 1:17) Ja çfarë thotë urtësia e Solomonit: “Perëndia nuk e krijoi vdekjen, dhe nuk kënaqet në shkatërrimin e të gjallëve, sepse ai i krijoi të gjitha që të jetojnë” (Ur. Sol. 1:13)
Pra vdekja është rezultat i mëkatit fillestar, ajo është fitorja përfundimtare e djallit, rezultat i aktivitetit të tij shkatërrimtar, si njerivrasës që nga fillimi. Trupi i njeriut mund të kishte ndryshuar edhe evoluar gjatë periudhave të mëdha të kohës, por ai nuk do ishte ndarë nga shpirti i tij për t’u kthyer në dhè. Dhe vetë shpirti i njeriut nuk do të kishte humbur pushtetin e tij mbi trupin duke e braktisur atë.
Kisha beson se njeriu është i përbërë nga dy natyra shpirt edhe trup. Ashtu siç na thuhet, në Bibël; “Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete dhe njeriu u bë një qënie e gjallë” (Zanafilla: 2.7). Njeriu nuk është vetëm trup ose e kundërta vetëm shpirt, sepse njeriu përbëhet nga uniteti i mistershëm i këtyre dy natyrave fizike dhe shpirtërore. Trupi pa shpirtin është kufomë dhe shpirti pa trupin është fantazëm. Mësimi i Kishës ka qenë gjithmonë se njeriu i plotë është uniteti i shpirtit me trupin. Megjithëse trupi është pjesë përbërëse e njeriut dhe i përbërë nga dheu (kripëra minerale, si kalium (K), natrium (Na), hekur (Fe) azot (N) fosfor (P)kalcium (Ca) magnesium (Mg), etj) ai është një “send” ose instrument dhe banesë e shpirtit që është vetë personi, (uni njerëzor). Shpirti si fjalë vjen nga hebraishtja “ruah”, në greqishten e vjetër “psyche” dhe ne latinisht “anima” që do të thotë “frymë” një qënie e gjallë që lëviz veçanërisht për sa i përket funksioneve mendore edhe mbas vdekjes së trupit. Shpirti është një substancë jomateriale dhe përbëhet nga mendimi, vullneti, dëshira. Ai është i padukshëm për sytë fizik ashtu siç janë të padukshme dhe energjitë e tij, dashuria, urrejtja, përdëllimi, lakmia, por që bëhen të dukshme nëpërmjet xhesteve dhe veprimeve të trupit. Shpirti është ai që i jep jetë trupit, pa atë trupi është i vdekur. Shpirti jeton pa trupin, sepse është qenie e gjallë, ndërsa trupi kalbet pa shpirtin. Shën Agustini, filozof, shek. IV-V thotë: “se shpirti është substancë e arsyeshme e aftë që të drejtojë trupin. Shpirti është burimi i parë i jetës, ai nuk ka natyrë trupore, por është të qenët e trupit”. Shën Kozmai i Kolkondasit shek. XVII thotë për shpirtin: “shpirti është njeriu, shpirti është ai që shikon, dëgjon, flet, ecën dhe mëson”. Filozofi Rëne Dekart shek. XVI thotë: “shpirti është një substancë shpirtërore të cilën e ka krijuar Zoti dhe nuk varet nga materia, shpirti gjendet në hipofizë, vetëm njeriu ka shpirt”.
Le të japim edhe një shembull të thjeshtë nga jeta e përditshme sot. Trupin mund ta konsiderojmë si një makinë perfekte që lëviz kur ka brenda saj shoferin (shpirtin). Kur shoferi del nga makina ajo mbetet e palëvizur, pavarësisht ndërtimit dhe fuksionit të saj mekanik dhe elektrik. E njëjta gjë ndodh edhe me vdekjen kur shpirti largohet nga trupi. Trupi mbetet i palëvizshëm, pavarsisht se ai ka formën dhe përmbajtjen e mëparshme. Lidhja dhe bashkëpunimi ndërmjet shpirtit dhe trupit ndërpritet me vdekjen, që nuk është e natyrshme, prandaj është e dhimbshme ndarja e shpirtit nga trupi, si një shqyerje. Shpirti i cili del nga trupi, paraqitet përpara Perëndisë që është Krijuesi i shpirtit dhe gjykatësi i tij, kurse trupi shkon nën dhè, se nga dheu u mor. Shpirti që është vetë njeriu, kalon në disa etapa derisa gjykohet përfundimisht. Këto etapa gjykimi ndodhin në ditën e tretë, të nëntë dhe të dyzetë mbas ditës së vdekjes. Në këto ditë të krishterët e kujtojnë shpirtin e të fjeturit me shërbesa fetare, me lëmosha, me bamirësi, me falje borxhesh ose armiqsh. Të gjitha këto veprime i atribohen dhe i kalojnë në llogari shpirtit të të fjeturit, i cili pret të gjykohet në peshoren e drejtë të Zotit. Shpirti nuk mund të rregullojë më gjërat e lëna përgjysëm në këtë botë dhe për këtë e ndihmojnë të afërmit e tij. Këtë kuptim kanë lutjet dhe përkujtimoret që ne bëjmë për të fjeturit (vdekurit) përshpirtjet. Edhe të fjeturit na ndihmojnë ne të gjallët me lutjet e tyre tek Zoti. Kështu si të gjallët dhe të vdekurit bashkohen dhe ndihmojnë njëri tjetrin me, dhe në Krishtin, që është Zoti i jetës dhe vdekjes i të gjallëve dhe i të vdekurve. Shkrimtari rus Makar Glukharev (1792-1887) në një letër drejtuar një miku të tij në zi për vdekjen e gruas i thotë: “Në Krishtin ne jetojmë, lëvizim dhe ekzistojmë. Të gjallë e të vdekur, të gjithë jemi në të. Do të ishte më e drejtë të themi: ‘të gjithë jemi të gjallë në të dhe nuk ka vdekje.’ Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve… Dhe tani ju jetoni së bashku, vetëm se ajo ka shkuar në një dhomë tjetër dhe ka mbyllur derën…”. Vdekja për besimtarin nuk është e frikshme, sepse ajo është si një portë që hapet për të shkuar te Zoti që ai e ka besuar dhe i ka shërbyer gjatë gjithë jetës. Vdekja nuk mund t’i ndajë njerëzit që e duan njëri-tjetrin, ashtu siç nuk i ndan distanca në këtë botë, kur njerëzit rrinë larg njëri-tjetrit. Ajo e shton mallin e pritjes për t’u ritakuar përsëri. Sepse ndarja e shpirtit nga trupi nuk do të jetë e përjetshme. Të krishterët orthodhoksë besojnë se do kemi ngjalljen e të vdekurve, ribashkimin e trupit me shpirtin ashtu siç u ngjall i pari ndër të vdekurit Krishti, i cili si Biri i Zotit dhe Biri i njeriut e mundi vdekjen në emer të gjithë njerëzimit me vdekjen dhe ringjalljen e Tij. Ai do të vijë në ditën e fundit të botës që të gjykojë të gjithë njerëzit me shpirt dhe me trup, duke asgjësuar përfundimisht armikun e fundit të njeriut që është vdekja, siç thotë apostull Pavli: “Ja po ju them një mister: të gjithë nuk do të vdesin, por të gjithë do të shndërrohemi në një çast sa hap e mbyll sytë, nën tingullin e borisë së fundit, sepse do të bjerë boria e të vdekurit, do të ringjallen të paprishëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse kjo prishje duhet të veshë mosprishjen dhe e vdekshmja të veshë pavdeksinë…atëherë do të realizohet fjala që është shkuar: vdekja u përpi nga fitorja, o vdekje ku është gjëmba jote…por falenderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jisu Krisht.(1 Korinthasve: 15: 51-57)
Kjo është shpresa dhe pritja e të krishterëve për jetën përtej vdekjes!
A ka prova sot që tregojnë ekzistencën e Perëndisë ? Nga Miron Çako
Publikuar në Dt 04/01/2016 Gazeta Shqiptare & Balkanweb & Tirana Observer
Besimi dhe dyshimi në ekzistencën e Perëndisë janë dy bashkudhëtar antagonist (të kundërt), deri në ditën e fundit të njerëzimit. Të dyja këto energji mendore ekzistojnë brenda çdo njeriu të arsyeshëm dhe bëjnë një luftë për jetë a vdekje me njëri-tjetrin edhe kur duken sikur kanë vendosur paqe me njëri-tjetrin dhe këtë mund ta quajmë periudha e indiferencës për temën e besimit. Kjo paqe e rreme nuk zgjat shumë, përsëri besimi dhe dyshimi kacafyten me njëri-tjetrin në psiqikën tonë deri sa njëri të triumfojë, besimi ose dyshimi(pabesia).
Problemi është se Perëndia, qenia absolute që ekziston nga vetvetja i gjithë pushtetshmi, i gjithë dituri, i gjithi mirësi dhe dashuri dhe i kudo ndodhur është i mistershëm, i fshehtë, i pa dukshëm dhe i pa prekshëm për shqisat tona fizike dhe racionale. Njeriu duke qenë një qenie psikosomatike (shpirt–trup) ose metafizike (përtej fizikes) nuk pranon informacion vetëm nga ajo që ai shikon dhe prek me shqisa fizike, por ai edhe mendon për objektin ose dhe fenomenin, pse ndodhi? Kush e solli? Kush e krijoi? Dhe mendimi i cili nuk është material kapërcen kufijtë e fizikës dhe kalon tek metafizika, shpirtërorja tek e padukshmja, tek inteligjenca superiore, tek Zoti. Por meqenëse Zoti nuk shikohet me sy fizik mendimit i hyn dyshimi materialist si një krimb që konsumon pa mëshirë dhe nëqoftëse ky dyshim lihet i lirë të veproj, atëherë mendimi rrëzohet, nga shpirtërorja në atë fizike shqisore dhe njeriu del në përfundim pragmatist se meqenëse Zoti nuk shihet dhe nuk preket, Ai nuk mund të ekzistoj. Por a është ky një konkluzion intelektual i arsyeshëm.
Shumë veta që pretendojnë se janë elitë e mendimit si filozof, studiues, artistë, shkencëtarë, kanë dalë në këtë përfundim se Zoti meqenëse nuk shihet dhe preket, Ai nuk ekziston dhe e quajnë veten me mburrje, ateistë (të jesh kundër Perëndisë). Ata injorojnë, fyejnë si të prapambetur një tjetër grup njerëzish qe quhen besimtarë, të cilët nuk janë më pak inteligjent dhe të aftë, por ndryshe nga ateistët besojnë se Perëndia pavarësisht se është i padukshëm Ai ekziston përjetësisht dhe na jep prova të ekzistencës së tij nga vetvetja, nëpërmjet fenomeneve, natyrore dhe të mbinatyrshme. Këtu e kam fjalën për shkencëtarë, matematicienë si Ajshtajni, astronom si Kepler, shkrimtar si Gëte, Dostojefski, etj. Këta sëbashku thonë “Ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme ndër ta sepse Perëndia u ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij duke qenë e dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës shihet qarte” (Romakët 1-19-20). Një besimtar me emrin David i cili ishte mbret shkruan 3000 vjet përpara, “Tha i marri në zemrën e vet nuk ka Perëndi” (psalmi). Madje për këtë frazë të Biblës është bërë dhe një dialog që ka mbetur në kujtesë të historisë midis një shkrimtari bolshevik ateist Ditëro dhe Patriarkun e kishës së madhe Ruse, të shenjtërisë së tij Tihonit. Në një nga takimet që organizonin me bujë ateistët bolshevikë, shkrimtari Ditëro, përballet me Patriarkun Tihon dhe i thotë me mburrje: “Çfarë do të thuash tani për Perëndinë, ekziston akoma?” Patriarku u përgjigj me shumë urtësi “Asgjë më shumë se çfarë tha Davidi tremijë vjet përpara “ Tha i marri në zemrën e vet se nuk ka Perëndi”. Ditëroi u përgjigj me ironi “Kjo është diçka e vjetër, na thuaj diçka të re”, “po” i tha Patriarku, “Ka diçka të re, në kohën e Davidit i marri e mbante të fshehtë marrëzinë në zemrën e tij, kurse tani marrëzia shprehet hapur me gojë”.
Por unë nuk do të zgjatem në thënie dhe kundërthënie ndërmjet ateistëve dhe besimtarëve se kjo është një histori e gjatë që do të vazhdoj deri në fund të njerëzimit, por po i rikthehem pyetjes “A ka prova sot, që ekziston Perëndia?”
Unë them se po, madje është një provë, që mund ta shohim, mund ta prekim dhe ekzaminojmë të gjithë, nga njeriu i thjeshtë deri tek shkencëtari kërkues me epruvetë në laborator. Në datën 6 janar në kishën Orthodhokse në shume vende te botes, bëhet një shërbesë e veçantë brenda në kishë ose në vende publike; e rëndësishme është që të ekzistojë elementi i ujit i cili është një nga katër elementët më me shumicë në planet. Në këtë ditë klerikët Orthodhoksë marrin një kryq mund të jetë një kryq i florinjtë, i argjendtë, i drunjtë dhe mbasi bëjnë një lutje duke i thirrur Perëndisë Triadik të padukshëm të dërgoi Hirin e Shpirtit të Shenjtë ashtu siç ndodhi kur u pagëzua Krishti në lumin Jordan ”Atëherë erdhi Jisui nga Galileja në Jordan te Joani, për t’u pagëzuar nga ai dhe Jisui sapo u pagëzua, doli nga uji dhe ja qiejt u hapën dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi Të dhe ja një zë nga qielli që tha; “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”(Mat 3 13-17).
Priftërinjtë e zhysin kryqin tre herë në ujë duke kënduar “Në Jordan kur pagëzoheshe o Zot falja e Trinisë u shfaq”… Mbas këtij momenti uji bekohet, shenjtërohet dhe me të spërkaten besimtarët dhe e marin në shtëpi, duke spërkatur shtëpitë dhe objektet që ata përdorin që edhe ato të shenjtërohen. Ata që kanë ardhur deri këtu duke lexuar me durim, mund të thonë ku është prova që ekziston Perëndia, as e pamë Atë, as dëgjuam zërin e Tij, as ndonjë Pëllumb, siç zbriti mbi Krishtin nuk pamë, uji ishte, uji mbeti. Por këtu duhet të ndalojmë dhe mos të nxitohemi të japim përfundime naive, sikur këto janë disa ceremoni të sajuara nga kisha për të krijuar festa për argëtim etj. Ose si ateistët që shkojnë më larg duke thënë se feja është si opiumi që i mashtron njerëzit me iluzione. Vërtet uji është, por me një ndryshim të madh nga pjesa tjetër e ujërave të cilët nuk u bekuan. Uji i bekuar nuk prishet, nuk qelbet siç bëhet me ujin kur ai ri në një vend i mbyllur dhe pa qarkulluar. Uji që bekohet në 6 Janar nga Perëndia me lutjet e klerikëve Orthodhoks nuk prishet gjatë gjithë vitit dhe përtej vitit dhe po ju siguroj se nëqoftëse është i mbyllur në një enë dhe nuk avullon, ai mbetet i tillë deri në fund të kohës. Këtë gjë ju mund ta provoni shumë thjeshtë mund të kontaktoni me një besimtar orthodhoks dhe ai do t’ju tregoj në mënyrë konkrete ujin e bekuar që e mban për gjithë vitin në shtëpinë e tij të paprishur dhe mund ta konsumoj pa problem, nuk ka as erë të keqe as hidhërim. Dikush mund të thotë, këtu mund të ketë ndonjë trill nga priftërinjtë për ti mashtruar njerëzit. Kam dëgjuar se në kohën e ateizmit komunist në propagandën kundër fesë u nxorr një kundër argument gjoja shkencor për të përgënjeshtruar shenjtërimin e ujërave. Ata thonin se priftërinjtë hedhin në ujë një kryq prej argjendi duke e lënë aty për gjithë natën edhe argjendi sipas tyre lëshonte në ujë disa molekula që nuk e lejon ujin që të prishet, por kjo akuzë bie shpejt poshtë dhe nuk i reziston dot logjikës së ftohtë, që arsyeton sipas fakteve, kokëforte p.sh, kur në ujë hidhet një kryq prej druri ose kur hidhet në një lume ku uji rrjedh ose në një liqen të madh ku sasia e ujit është e pamasë, si mund të shpjegohet përsëri se uji që është marr nga këto vende nuk prishet. Por pse duhet të harxhojmë kohën duke pyetur të tjerët çdo kush mund ta provoj vet të shkoj dhe të marri ujin e bekuar në kishë dhe ta mbaj për gjatë gjithë vitit dhe vet ai do të shikoj me sytë e tij se uji i bekuar në kishën Orthodhokse nuk prishet. Sot me zhvillimin e teknologjisë është bërë e mundur ekzaminimi shkencor i përbërjes të elementeve kimik siç është edhe uji dhe mund të ekzaminohet përbërja e ujit të bekuar, por rezultati përsëri do të jetë kokëfortë formula H2O nuk ndryshon dhe nuk gjenden përbërës të tjerë kimik që nuk e lejojnë prishjen e ujit. Disa thonë se priftërinjtë i hedhin kripë ujit që të mos prishet,kjo mund të ndodh, por jo në kishën Orthodhokse dhe nga priftërinjtë e saj. Atëherë çfarë e shkakton fenomenin e mosprishjes së ujit?
Ky fenomen nuk është njerëzore dhe fizike, që ne mund ta shohim dhe ekzaminojmë por një veprim i Perëndisë së padukshëm, që na jep një shenjë të dukshme që ne të mund të besojmë se Ai ekziston. Në këtë rast na ndodh si një të verbri i cili nuk mund të shikojë dot diellin, por kur ndien nxehtësinë e rrezeve të tij ai beson se dielli ka dale dhe ai ekziston. Domethënia e kësaj mrekullie është shumë e madhe dhe do të na duheshin shumë faqe për ta sqaruar, por më lejoni t’ju them shumë shkurt për ata që janë të interesuar çfarë ndodh në mënyrë të padukshme tek uji i bekuar. Perëndia i padukshëm krijoi qiellin edhe dheun prej katër elementësh uji, zjarr, ajër dhe mbasi e stolisi qiellin edhe dheun me gishtërinjtë e dorës së tij për 7 ditë në fund krijoi njeriun sipas ikonës së Tij dhe në ngjashmëri me Të e vendosi si një mbret në këtë mbretëri tokësore, që ta punoj dhe ta ruaj. Në fillim çdo gjë ishte harmonike dhe e përsosur qielli dhe natyra, çdo gjë ishte e papritshme dhe vetë njeriu ishte i pavdekshëm, por gjithçka në natyrë pësoi korruptim prishje dhe vetë njeriu u bë i vdekshëm nga zilia e djallit e një engjëlli të rënë nga parajsa qiellore për shkak të krenarisë i cili pati zili dhe smirë për krijimin e ri të Zotit, në mënyrë të veçantë për njeriun që ishte i krijuar sipas ikonës se Perëndisë dhe në ngjashmëri me të. Djalli që quhet babai i gënjeshtrës, i gënjeu njerëzit që të shkelin ligjin e Perëndisë, që ju tha në Eden “Mos hani nga pema e të mirës dhe të keqes se ditën që do të hash prej saj do të vdisni më siguri”(Zbulesa 2 17), ai i tha të kundërtën nëqoftëse ju do të hani “Ju s’keni për të vdekur aspak; por Perëndia e di që ditën që do të hani sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen” (Zbulesa 3 4-5). Njeriu u gënjye e hëngri frutin e ndaluar me dëshirë rebele të bëhej Perëndi pa Perëndi, ai vërtet e mësoi të mirën që është Perëndia dhe të keqen që është djalli, por nuk mbeti i pavdekshëm dhe për shkak të mëkatit të njeriut e gjithë natyra që u bë për njeriun ra në prishje në sundimin e djallit, princin e kësaj bote mëkatare.
Djalli kjo krijesë e korruptuar nga vetvetja u vendos në ujra, duke i infektuar ato me prishjen e tij, kështu ujrat u korruptuan dhe nëpërmjet tyre i gjithë krijimi i cili ra në kotësi kontradikta dhe prishje ashtu siç edhe e shohim sot dhe ngaqë disa njerëz nuk e dinë këtë të vërtetë, bëjnë fajtor krijuesin Zotin, si shkaktar të çrregullimit në natyrë dhe midis njerëzve. Por Perëndia i dashurisë nuk e braktisi njeriun dhe krijimin në kthehrat e të ligut. Ai në kohën e caktuar, dërgoi Fjalën dhe Birin e Tij të vetëmlindur para gjithë jetëve, me anën e të Cilit u bënë të gjitha,dhe beri njeri prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari, Jisu Krishtin, që lindi në Bethlehem të Judesë dhe në moshën 30 vjeçe u pagëzua në ujërat e Jordanit, për të shënjtëruar me Tërë shënjtërinë e tij Hyjnore, natyrën e ujrave, për të shkatërruar foletë e demonëve që banojnë në ujra dhe duke i dhënë ujit shënjtërinë, Hirin e Shpirtit të Shënjtë e bënë atë mjet për larjen e mëkateve të njerëzve me anë të misterit të pagëzimit.
Prandaj dhe kur një njeri kërkon të pagëzohet në kishën Orthodhokse bëhet e njëjta shërbesë e shenjtërimit të madh të ujit si ajo e 6 janarit. Zoti nëpërmjet kishës Orthodhokse, duke na dhënë këtë provë, pra ujin e bekuar që nuk prishet, është duke na treguar, se si ka qenë krijesa dhe njeriu në fillim para rënies, si u restaurua ajo dhe njerizimi mbas rënies ne mëkat,me Krishtin vdekjen dhe ngjalljen e Ti, sepse pagëzim që do të thotë zhytje në ujë, është tregues i vdekjes dhe i ngjalljes së Krishtit dhe i kujtdo që pagëzohet në emër të Krishtit siç thuhet, “Po a nuk e dini se ne që u pagëzuam në Jisu Krishtin,u pagëzuam me vdekjen e tij? ”(Rrom 6; 3). Të pagëzuarit i falen të gjitha mëkatet, nga gjaku i Krishtit, vishet me Krishtin dhe jeton me Atë pavdekësinë. “Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do jetojmë me Të, duke ditur se Krishti që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s’ka më pushtet mbi të” (Rrom 6 8;9). Uji i bekuar, me mos prishjen e tij na tregon që tani, si do të jetë, krijesa dhe njerëzimi në ardhjen e dytë të lavdëruar të Krishtit si Perëndi -Njeri, për të bëjë gjyqin e drejtë në ditën e fundit të botës, djallin dhe demonët bashkë me vdekjen do ti çojë në humbje; në ferrin e përjetshëm, do të ringjallë të vdekurit duke bërë gjyq të drejtë mbi gjithë njerëzit, ata që kanë besuar dhe kanë bërë mirë në ringjallje jete,kurse të pabesët dhe mëkatarët në ringjallje mundimi. Dhe mbas kësaj do të rikrijojë qiell dhe tokë të re të paprishme, ku Zoti do të jetë i gjithi në të gjitha dhe do të jetojnë në të përjetësisht të drejtët dhe mëkatarët e penduar. Njerëzimi e ka para syve pavdekësinë dhe mund ta shohë ta prek ta shijoj që tani. Mund të themi me siguri se uji i bekuar është ilaçi i pavdekësisë që aq shumë njerëzit e dëshirojnë, është tregues i pagëzimit me ujë dhe Frymë të Shenjtë, si e vetmja mënyrë që njeriu të fitoj jetën e përjetshme të mbretërisë së Perëndisë, siç tha Jisui, (një njeriu) Nikodemit “në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma është frymë”(Joani 3 5,6). Të gjithë këtë doktrinë të krishterë na i tregon kjo e kremte e 6 Janarit, Theofania ( shfaqja e Perëndisë) dhe uji i bekuar, kjo provë që e mbajmë në dorë e kungojmë dhe e prekim.
Të dyshosh është pjesë e natyrës së rënë njerëzore dhe Zoti na mirëkupton për këtë gjë. Ashtu si edhe Shën Thomai dyshoi për ngjalljen e Krishtit dhe tha “Po nuk i pashë në duart e tij shenjat e gozhdëve dhe nuk e vura gishtin tim në shenjat e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e Tij unë nuk besoj”, por kur Krishti iu shfaq Thomait dhe e lejoi të prekë shenjat e gozhdëve në duart e Tij dhe të vërë dorën në brinjët e Tij, atëherë Thomai mbasi i preku besoi, iu largua dyshimi dhe tha “Zoti im dhe Perëndia im” dhe Zoti Krisht i tha me qortim “Sepse më ke parë Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar ”(Joani 22 29). Kështu edhe ne kur të shohim dhe prekim këto prova të largojmë dyshimin dhe të besojmë se Zoti ekziston dhe është më afër, seç e mendojmë dhe ka bërë për ne, gjëra të mëdha.
Atdhedashuria në këndvështrimin e krishterë ! Nga Miron Çako
Është e publikuar më Dt 28/11/2016 ; Tirana Observer
Në festat e Pavarësisë dhe e Çlirimit, të gjithë që quhemi dhe jemi shqiptarë me origjinë dhe shtetësi, patjetër që na vë në kujtesë retrospektive për të gjithë ata që kontribuan dhe sakrifikuan gjatë të gjithë shekujve për të na lënë si trashëgimi një atdhe, Shqipërinë tonë të dashur, ku ne së bashku me kombet e tjera të kemi një vend në këtë planet, për ta gëzuar jetën, për tu shtuar dhe vepruar me punë të mira, për të mirën e të gjithëve si trashëgimi dhe frymëzim për brezat që do të vijnë deri sa të ketë kombe dhe jetë mbi dhé.
Shumë flasin për atdheun veçanërisht këto ditë festash Nëntori, por jo të gjithë e kanë të qartë se çdo të thotë atdhe dhe atdhedashuri, disa me mentalitet turme e ngatërrojnë atdheun dhe atdhedashurinë me nacionalizmin e cila është cilësuar si “streha e fundit e maskarenjve” të cilët mbasi nuk kanë me çfarë t’i gënjejnë turmat përdorin kartën e fundit të “bixhozit” të tyre aventuresk në kurriz të popullit dhe popujve, të cilët të mashtruar derdhin shumë gjak të pafajshëm paditur, pakuptuar se po përjetësojnë pushtetin dhe shtojnë pasuritë e horrave.
Po ku e ka fillimin e tij atdheu dhe atdhedashuria? Ka shumë libra historikë, filozofikë që mund tu referohesh, por mendoj se libri më i saktë ku të gjithë njerëzit mund t’i referohemi është Bibla. Një librari librash i shkurtuar në një hapësirë kohore prej 1500 vitesh, që u shkruajt nga njerëz të shenjtë të frymëzuar nga Perëndia, i cili si krijues dhe Zoti i historisë njerëzore në ka treguar zanafillën e njeriut, të popujve, gjuhëve, kombeve dhe përfundimin e tyre deri në ditën e fundit të botës. I gjithë njerëzimi vjen nga AND-ja e një njeriu të parë i quajtur Adam (Zan. kap. 2) prandaj në thelb të gjithë njerëzit dhe popujt që përbëjnë kombet kanë të përbashkët njerishmërinë, kështu që vllazërimi midis tyre është gjë natyrale e natyrës njerëzore. Por armiqësia midis njerëzve erdhi për shkak të zilisë së djallit njeri-vrasësi që nga fillimi (Zan kap 3) i cili mbasi ndau njeriun nga Perëndia krijuesin e tij, shtiu armiqësi midis fëmijëve të tij( Adamit) duke qenë shkaku i vëllavrasjes së parë të Kainit kundër Abelit (Zan. kap 4) kjo fillimi i çdo vëllavrasje midis popujve dhe kombeve fatkeqësisht do vazhdojë deri në ditën e fundit të botës. Bibla vazhdon dhe na tregon se njerëzimi u shthur aq shumë në urrejteje midis njeri-tjetrit sa toka u mbush me dhunë dhe Perëndia u pendua që e krijoi njeriun, por Noea gjeti Hir përpara Perëndisë dhe Perëndia e shpëtoi atë dhe familjen e tij nga katastrofa e përmbytjes që erdhi mbi gjithë botën dhe i zhduku të gjithë mëkatarët e dhunshëm.
Zoti mbasi e bekoi Noen dhe tokën për shkak të tij i tha: “Qofshi frytdhënës, shumëzojuni dhe mbusheni tokën” (Zan 9 1). Njeriu në atë kohë fliste një gjuhë dhe ishte një popull dhe qëndronte në një vend dhe ata vendosën të ndërtojnë një kull me tulla e cila do të ngjitet deri në qiell: “O burra, të ndërtojmë për vete një qytet dhe një kullë maja e së cilës të arrijë deri në qiell, dhe t`i bëjmë një emër vetes që të mos shpërndahemi mbi faqen e tërë dheut”.(Zan 11 4) Kjo kullë shprehje e egoizmit njerëzor, një tjetër mashtrim i djallit, që ta kundërvër përsëri njeriun kundër Perëndisë, nuk u pranua nga Zoti “Dhe Zoti tha: “Ja, ata janë një popull i vetëm dhe kanë të gjithë të njëjtën gjuhë; dhe kjo është ajo që ata filluan të bëjnë; tani asgjë nuk ka për t`i penguar ata të përfundojnë atë që kanë ndërmend të bëjnë. O burra, të zbresim pra atje poshtë dhe të ngatërrojmë gjuhën e tyre, në mënyrë që njëri të mos kuptojë të folurën e tjetrit”. Kështu Zoti i shpërndau mbi faqen e tërë dheut dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin. Prandaj këtij vendi iu dha emri i Babelit, sepse Zoti aty ngatërroi gjuhën e tërë dheut dhe i shpërndau mbi tërë faqen e dheut.”( Zan 6 11 6-9) Kjo është koha dhe moment kur u krijuan kombet me gjuhët dhe territoret e tyre.
Atdheu “toka e etërve” është një nga pamjet kryesore të përvojës së një populli.
Perëndia sipas Biblës, vërtet i ndau kombet sipas gjuhëve si ndëshkim për egoizmin e tyre të përbashkët, por Ai në planin e Tij dëshironte që t’i bashkonte përsëri kombet në një popull të vetëm, që do të quhej populli i Zotit.
Dhe historia e popullit të Zotit nis me shpërnguljen e Abrahamit 2000-vjet pr. Kr. të cilit Perëndia i shfaqet dhe i thotë “Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd dhe shko në vendin që do ta tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh … tek ti do të të jenë të bekuara tërë familjet e tokës.(Zan 12 1-3). Sipas Biblës vërtet Perëndia e mbajti premtimin e Abrahamit, që prej tij do krijohej një popull i Zotit, populli i Izraelit i cili u vendos përfundimisht mbas 400-vjetësh i udhëhequr nga Moisiu në tokën, premtuar Abrahamit, sot Palestina. Jo vetëm toka e popullit të Izraelit është dhuratë e Perëndisë ku Zoti duhet të lavdërohet, por çdo tokë është po ashtu një dhuratë e Perëndisë për çdo popull nën qiell, vend ku ai të jetojë jetën, duke lavdëruar Zotin Krijues ashtu siç shkruhet “Lavdëroni Zotin prej qiejve…ju mbretër të tokës dhe popuj të gjithë”.( Psalmi 148). Sipas planit të Perëndisë për t’i vëllazëruar të gjithë kombet dhe popujt dhe sipas premtimit që ju dha Abrahamit, atit të shumë kombeve, se “në të do bekohen të gjitha familjet e tokës” (Zan 12 3), Perëndia kur u përmbush koha, dërgoi Birin e Tij të cilin e bëri Bir Njeriu prej Virgjëreshës Mari që vinte prej farës së Abrahamit.
Jisu Krishti i cili për të treguar që është plotësisht njeri si ne, të vendosur në një tokë dhe në një popull, bëri edhe përvojën e atdhedashurisë.
Atdheu i Tij nuk qe një vend çfarëdo, por toka e Perëndisë që i ishte dhënë si trashëgim popullit të vet. Ai e ka dashur këtë atdhe me të gjithë fuqinë e zemrës së Tij, sa nuk pushoi së bëri mirë mbi të gjithë bashkëkombësit me fuqinë dhe të vërtetën e Perëndisë. Por në mënyrë paradoksale populli i Tij nuk e priti dhe e përbuzi duke e quajtur të pavlefshëm dhe armik të kombit, sepse vërtet izraelitët prisnin Mesian (Krishtin), por të mashtruar nga egoizmi i tyre dhe urrejtja për kombet e tjera prisnin një Krisht nacionalist, përjashtues dhe sundues mbi të gjitha kombet.
Dhe kur Ai nuk pranoi për tu bërë mbreti i tyre tokësor ata thanë “Ç’na duhet ky, le ta vrasim” duke e kryqëzuar me anën e romakëve. Prandaj dhe Krishti duke i ditur të gjitha përfundimet e nacionalizmit hebre, që mohuan dhe do vrisnin Zotin dhe Mbretin e tyre, vajton për kryeqytetin e Izraelit, Jerusalemin, duke thënë: “Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të, duke thënë: “Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu. Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët. Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s`do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar.” (Luka 17 41 -44) Profecia e Krishtit u realizua në vitet 70 ps.Kr. ku romakët të udhëhequr nga gjenerali Titus rrethuan dhe pushtuan Jerusalemin duke bërë masakër mbi popullin, nga qyteti dhe tempulli nuk mbeti gur mbi gur. Që nga ky moment Izraeli pushoi si komb dhe tokën e tij e shkelën kombet derisa të plotësohet koha e kombeve.
Krishti nëpërmjet kryqëzimit dhe ngjalljes së Tij krijoi në vetvete Adamin e ri dhe nëpërmjet tij do të krijohet një popull i ri të mbledhur nga të gjithë kombet ku të gjithë do të jenë të vëllazëruar dhe në paqe midis tyre. Vendi ku është e mundur kjo gjë është Kisha e Krishtit, e cila u themelua në ditën e Pendikostisë, pesëdhjetë ditë mbas ngjalljes, kur Shpirti i Shenjtë zbriti mbi nxënësit e Krishtit të cilët i frymëzoi për t’i folur turmës në gjuhë të ndryshme të Jerusalem nga gjithë kombet, duke i bashkuar në predikimin e të vërtetës së Krishtit, si Zoti shpëtimtari i gjithë njerëzimit. Gjuhët e folura nga apostujt ishin e kundërta e gjuhëve të Babelit, sepse ato i ndan kombet, por ato gjuhë që thonin të vërtetën e Krishtit i bashkuan kombet nën Princin e paqes, ashtu si thotë dhe apostulli i kombeve Pavli: “…ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetarinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qenë pa Perëndi në botë. Por tani, në Krishtin Jisu, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit. Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes, duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve të përftuar nga porosi, për të krijuar në vetvete nga dy, një njeri të ri, duke bërë paqen,”(Efes 2 ;12-15). Pavarësisht se njerëzit nga të gjitha kombet janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen në Krishtin pjesë e popullit të ri të Zotit, përsëri Kisha, trupi i Krishtit dhe shtylla e së vërtetë; i mëson ata si qytetarë të përgjegjshëm dhe ikona të Krishtit, kudo që të jenë shpërndarë , ta duan atdheun e tyre. Dashuria për atdheun do të mbetet për ta gjithonë një detyrë si vazhdimësi e dashurisë familjare për të kontribuar dhe për ta mbrojtur atë nga armiqtë e jashtëm. Por të krishterët janë të vetëdijshëm se Kisha në tokë është ikona e Jerusalemit qiellor (Galat 2; 26) bijtë e së cilës jemi ne të krishterët siç ishin Izraelitët bijët e Jerusalemit tokësor. Dhe atje lart ne kemi të drejtën tonë të qytetarsië së përjetëshme. “Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jisu Krisht”, (Filip 3 ;20).
Duke pasur këtë vizion biblik për atdheun, të krishterët janë dhe duhet të jenë atdhedashës, shprehje kjo e dashurisë së tyre për Zotin që ju dha një vend mbi këtë tokë për ta dhe njerëzit e tyre dhe kurrë ata nuk mund të jenë nacionalist, për të mbivlerësuar kombin e tyre dhe përjashtuar kombet e tjera, sepse atëherë ata nuk mund të jenë të krishterë dhe pjesë e kishës së Krishtit, që është një Kishë në të gjithë botën e cila i përqafon të gjithë njerëzit me dashurinë dhe të vërtetën e Krishtit, pa dallim race, gjuhe dhe kombi duke i bërë ata në çdo kohë dhe vend një popull i ri Zotit. Ky popull i krishterë i nderon dhe i përkujton me shërbesa fetare të Kishës Orthodhokse të gjithë ata që ranë për fe dhe për atdhe në çdo vend shprehje e dashurisë sublime për Zotin dhe të afërmin. Kjo është arsyeja që të krishterët orthodhoksë dhe atdhedashës në ditën e Pavarësisë mblidhen në Kishë bashkë më fëmijët e tyre në adhurim dhe falenderim ndaj Zotit në Liturgjinë Hyjnore dhe më pas në dhoksollogjinë e Flamurit, simboli i unitetit të kombit tonë. Bashkë me klerin përpara flamurit në mes të Kishës ata i luten Zotit: “O Zot që bekon dhe shenjtëron, Ti bekoje flamurin tonë dhe shpëtoje shtetin dhe poullin tonë nga çdo rrezik dhe shtrëngesë dhe drejtoje në udhën e dritës, të lirisë dhe të përparimit, nën hijen tënde dhe vlerësona që ne të pavyerit ta kremtojmë këtë ditë të lavdëruar, shëndet dhe ditë të gjata këtu dhe kudo se Ti je Perëndi mëshirëplotë dhe njeridashës dhe Ty ta drejtojmë Lavdinë, Atit dhe Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, Tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin
Çfarë brezi po rrisim për të nesërmen?
Publikuar dhe botuar në Dt 28/02/2016: Gazeta Shqiptare &
BalkanWeb & Tirana Observer
Nga Miron Çako
Të jesh prind është gjë shumë e bukur dhe madhështore. Njeriu ripërsërit vetveten, transmeton përvojën dhe përjetëson ADN-ën e tij. Dhe për ata që besojnë në ekzistencën e një Krijuesi të gjithësisë dhe të njeriut, të krijuar sipas ikonës së Perëndisë, ndihen bashkëkrijues me Atë, për krijimin e një tjetër njeriu. Kjo gjë madhështore patjetër është edhe një përgjegjësi e madhe për prindërit që sjellin fëmijët në jetë, të cilët nuk duhet të jenë produkti i një kontakti seksual të rastësishëm, por frut i një martese të bekuar në dashuri, sakrifikuese.
Përkujdesja prindërore fillon që në momentin kur prindi bëhet i vetëdijshëm për embrionin, madje thuhet, që në këtë kohë gruaja nuk duhet të jetë e stresuar, duke marrë informacion të trishtë, sepse gjendja e saj transmetohet tek embrioni. Kjo përkujdesje rritet akoma më shumë kur lind fëmija dhe vazhdon me përkushtim deri sa kur fëmija bëhet një individ dhe person i vetëdijshëm, i aftë të mbijetojë, i pavarur nga prindërit jo vetëm nga ana sociale, por edhe shoqërore duke përfituar përvojën nga ata dhe nga përpjekja e tij personale, të mund të zgjedh të mirën dhe të shmang të keqen në jetën e tij. Për të folur për këtë përkujdesje sublime të prindërve në rrafshin social, ekonomik dhe shoqërore, duheshin shumë faqe, por unë si prind dhe si mësues (katekizmi) në Kishën Orthodhokse dua të përqendrohem dhe të ndaj me ju një shqetësim për një fenomen me pasoja të frikshme që po shfaqet dhe po merr gjithnjë e më shumë përmasa globale, sidomos nga fundi i shekullit 20-të dhe fillim i këtij të shekullit të 21-të. Ky fenomen quhet satanizëm, demonolatri (adhurim i djallit) dhe ndikon në demonizimin e fëmijëve, të rinjve dhe vetë shoqërisë sonë.
Po kush është Satanai?
Satanai ishte një kryeëngjëll që u rrëzua nga qielli. Ai u krijua nga Perëndia si një krijesë shpirtërore me emrin Eusfor (engjëlli i agimit), por ai nuk qëndroi në vendin që e vendosi Zoti, u krenua në veten e tij sa donte të ishte i njëllojtë me Perëndinë. Në Bibël na thuhet qartë për marrëzinë e tij krenare dhe për rënien e tij të tmerrshme, nga vendi i lavdishëm, ku e kishte vendosur Perëndia. Nga Eusfor dhe Luçifer ( dritësjellës biri i agimit).( Isaia 14-12) , mik i Perëndisë u quajt satana (armik) dhe djall (gënjeshtar) ëngjëll i erësirës.
Ai dhe ëngjëjt rebel që u rrëzuan bashkë me të u quajtën demon (ose të ndarët). Ai është gënjeshtra dhe ati i gënjeshtrës, gënjeu veten, engjëjt, gënjeu dhe dy njerëzit e parë Adamin dhe Evën në kopshtin e Edenit. Kur njeriu dëgjoi djallin ai u nda nga Zoti që është burimi i jetës dhe kështu u bë një qenie e vdekshme, fizikisht shkon në dhe, dhe shpirtërisht shkon në ferr i burgosur prej satanit, prandaj për këtë arsye djalli quhet “njerivrasës që nga fillimi” (Jn. 8:44). Ai është princi i kësaj bote mëkatare të fituar me dredhi, dhe quhet “zotëria” i errësirës dhe i ferrit, vend i kundërshtimit të dashurisë së Perëndisë dhe si rezultat i mundimit të përjetshëm. “ të pëgatitur për djallin dhe ëngjëjt e tij”.(Mateu 25 -41)
Ai është një qënie personale e padukshme, sepse është frymë, por e dukshme nga veprimet e tij. Atje ku ka një mendim, dëshirë dhe veprim mëkatar frymëzuesi dhe regjizori i padukshëm është ai dhe aktorët njerëzit. Ai e urren njeriun dhe e sulmon që në ngjizjen e tij, sepse tek njeriu në çfarë do stadi të jetës ai shikon ikonën e Perëndisë dhe meqënëse e ka humbur përballjen me Perëndinë në qiell, kërkon ta hidhërojë Atë me rebelimin humbjen e njeriut në tokë, kjo është arsyeja pse djalli dhe njeriu janë në një luftë për jetë a vdekje. Ai është një fuqi e keqe që nuk duhet neglizhuar dhe është e vështirë për ta luftuar, sepse është i padukshëm, dinak me përvojë shekullore, me ushtri të madhe demoniake dhe e lufton njeriun në mendime, dëshira, veprime, që njeriu ai ka më shumë për zemër dhe më afër, ashtu si tundoi Evën, që të hante frutin e ndaluar. “Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t’u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe pema ishte e dëshirushme për të zgjuar dikë.” (Zan. 3:6) Me këto tre tundime: lakmia e syve, dëshirimi i mishit dhe krenaria e mendjes, ai lufton çdo njeri që nga ngjizja, lindja deri në vdekje. Ai vepron i dukshëm kur i ka harxhuar të gjitha kurthet dhe gënjeshtrat e kamuflimit të tij.
Dy “mrekullitë” më të mëdha të djallit sot janë: e para, është se i ka mbushur mendjen disa njerëzve se ai nuk ekziston si qenie dhe se është një figurë mitologjike e sajuar nga injoranca dhe për të frikësuar njerëzit. Në këtë gënjeshtër të tij bien ateistët, humanistët, panteistët, etj., që nuk besojnë në botën e padukshme shpirtërore dhe ekzistencën e së keqes si person. E dyta, është se ai shfaqet si “zot” i errësirës dhe i ferrit dhe kërkon adhurim nga njerëzit. Për këtë gjë ai premton bashkëpunim dhe ndihmë njeriut, që njeriu me anë të diturisë dhe fuqisë së djallit të përmbush të gjithë egon, lakminë e syrit, dëshirimin e mishit dhe krenarinë e jetës dhe mbas kësaj jete premton të mbretërojë bashkë me atë në botën e nëndheshme. Këta janë adhuruesit e djallit: satanistët, magjistarët, okultistët, spiritistët, apokrifistët. Në të dyja këto mrekulli djalli del i fituar, sepse në qoftë se ai nuk ekziston, as edhe luftohet dhe kjo i jep atij fushë të lire veprimi. Edhe kur kërkon adhurimin e njerëzve dhe premton bashkëpunim me ata, i largon njerëzit nga Perëndia dhe kështu i mban njerëzit të skllavëruar mbas vetes , jo vetëm në këtë jetë, por sidomos në ferrin e përjetshëm ku ai pret të shkojë sipas dënimit që me të drejtë i dha Perëndia: “Qofsh i mallkuar!” (Zan: 2:13).
Fëmijët dhe të rinjtë, nga mungesa e përvojës dhe fryma rebele që i karakterizon këto mosha janë një pre e lehtë për djallin. Mjetet që përdor djalli janë të shumta dhe sidomos ato vizuale. Ai e di se njeriu me anë të shikimit merr 80% të informacionit, këtu ai bën gjithë përpjekjet që me anë të ikonave të tij të stamposet në subkoshiencën e fëmijëve dhe të pranohet prej tyre si “mik”. Sot fëmijët bombardohen nga mëngjesi në darkë me personazhe diabolik, që nuk janë gjë tjetër veçse fytyra të ndryshme të djallit. Nëpërmjet filmave të animuar personazhet si dragonj ose (dragon ball), zanat, (winx-at), Pitter Pan, Gogu, etj. Në qoftë se ne do të sqarojmë me pak fjalë se çfarë përmbajtje fshehin këta persona të gjithë do të bindeni se fëmijët tanë janë duke parë dhe admiruar djallin çdo ditë nëpërmjet televizionit, që Shën Kozmai i Etolisë (1779) e profetizoi si “kutia” nga e cila djalli do flasë nga shtëpitë tona.
Dragoi është simbol i lashtë mitologjik i përdorur nga babilonezët, grekët, është një simbol për diellin ose dijen e fshehtë. Tek Egjiptasit dragoi ose gjarpri ishte simbol i Osirisit (zot i vdekjes dhe i errësirës), i botës së nëndheshme dhe i të vdekurve. Në Bibël dragoi është personifikim i djallit: “…dragoi i madh, gjarpri që quhet djall, ngadhënjyesi i botës u hodh poshtë.” (Zbu. 12:9)
Zanat/shtojzavallet janë figurë mitologjike sidomos në Ballkan, rrinë nëpër ujëra dhe pyje, kanë fuqi magjike të bëjnë mirë ose të murosin, brirët e dhive janë mbrojtja dhe dobësi e zanave ato janë dhe simbol i pjellorisë, prandaj nga kjo vjen dhe etimologjia e fjalës shtatë-zane (trup i bukur). Edhe zanat pasi duken të bukura dhe tërheqëse në thelb janë djalli, demoni, transformuar si një ëngjëll drite, i cili rri në ujëra dhe vende të shkreta, ka për simbol të rebelimit të tij brirët e cjapit (Bafometi) dhe tundon njeriu në dëshirat seksuale, ashtu siç na thuhet edhe tek Zanafilla: “…bijtë e Perëndisë (ëngjëjt e rënë), kur i panë bijat e njerëzve se ishin të bukura, zunë t’i marrin për gra të gjitha ato që u pëlqenin.’’(Zan. 6:2)
Piter Pan-i po ashtu një personazh shumë i dashur për fëmijët, është perëndia e pyjeve me këmbë dhe me thundra të çara si të cjapit, me brirë dhe mjekër. Pani babai i të cilit është Hermesi, zot i fshehtësirës, shpesh përshkruhet si njeriu i gjelbër ( jeshil), zoti i bimësisë. Pra, përsëri Pani është një ikonë e djallit që u rebelua kundër Zotit dhe kërkon të adhurohet si krijuesi i botës, (bimësisë).
Gogu, është simbol i popullit armik kundër Zotit, të cilët në fundin e kohërave do ngrihen kundër Perëndisë dhe shenjtorëve të tij, ashtu siç nga thuhet tek Zbulesa: “Satani do të zgjidhet nga burgu i tij dhe do të dalë të ngrejë popujt nga katër anët e botës – Gogë dhe Magogë – dhe do t’i bashkojë në luftë: numri i tyre është porsi rëra e detit”. (Zbu. 20:7-8)
Një joshje tjetër e djallit për fëmijët është libri “Harry Potter” me autore J.K.Ruling. Libri tregon për një djalë të vogël që mëson në një shkollë magjie për t’u kundërvënë forcave të errësirës me anë të veprimeve dhe energjive magjike. Po ta shikojmë me kujdes në ballin e tij ka shenjën e rrufesë, ajo është shenja e djallit, ashtu siç tha Zoti Krisht në Ungjill: “Ja e pashë satananë që zbriste si rrufe nga qielli” (Llk. 10:18). Ky libër që doli për herë të parë në 30 qershor 1997 është përkthyer në 73 gjuhë dhe deri në qershor të vitit 2013 janë shitur rreth 550 milion kopje. Duke qenë kjo seri libri prej shtatë vëllimesh një nga librat më të shitur në historinë e botës. Vetëm një prej këtyre vëllimeve u shit në 11 milion kopje për 24 orë në SH.B.A. Sipas autores, e cila është një okultiste (që njeh dhe praktikon ritet magjike), tema qendrore e librit është vdekja dhe rituale magjike me anën e të së cilave mund të arrihet fitorja dhe suksesi. Të shtatë vëllimet e tij janë bërë tetë seri filmash të cilat kanë grumbulluar një fitim prej 15 miliard dollarësh. Është bërë edhe një park lojërash për fëmijë që quhet “The wizarding world Harry Potter” (bota e magjisë së Harry Potterit).
Sot fëmijët duke parë dhe lexuar këto mësohen dhe nxiten t’i fitojnë gjërat shpejt me anë të artit të magjisë, për këtë ndihmojnë edhe reklamat. Ka ca kohë që shfaqet një reklamë në TV ku paraqitet një burrë që ka një kollë që nuk i pushon dhe përpara tij qëndron një fëmijë me nënën e tij dhe fëmija e shqetësuar nga kolla nxjerr shkopin magjik duke përmendur emrin e ilaçit dhe menjëherë kolla pushon. Sot qarkullojnë nëpër kancelari dhe librari atlase magjie që informojnë dhe ju mësojnë fëmijëve artin dhe formulat magjike. Psh: vetë fjala “ABRAKADABRA” që përdoret herë pas here si një lojë nga fëmijët është një formulë magjike e lashtë e shkruar nga një mjek okultist në vitin 250 p.Kr. Ajo përdorej për të ndaluar ethet dhe sëmundjet,ishte e shkruar në formën e një trekëndëshi me kokë poshtë dhe mbahej si një nuske në qafën e pacientit të sëmurë dhe mbas 9 ditësh ai e hidhte në një përrua, kjo formulë magjike lidhet me zotin gnostik Abrakas dhe fjalë për fjalë do të thotë “kufoma e Abrakasit”.
Një nga mënyrat që djalli mashtron adoleshentët, të rinjtë dhe i lidh pas vetes është muzika si, ajo Rok&Roll ose Havy Metal. Kjo është një muzikë ritmike që ndikon në sistemin nervor dhe rrit me tepri adrenalinën dhe ndikon në sistemin e vetëkontrollit. Kjo muzikë është e frymëzuar nga ritet magjike të Voodo-s në Afrikë. Vetë pjesëtarët e këtyre grupeve janë adhurues të djallit dhe kryejnë rite magjike dhe mbajnë dhe bëjnë simbole satanike si, yllin pentalfa (pesë cepa), kryqin kokëposhtë, kryqin e thyer të Neronit që sot mbahet si simbol i paqes, etj. Por ajo që tregon më qartë se këta vërtetë janë adhurues të djallit janë tekstet e këngëve të tyre që pothuajse të gjitha flasin për rezistencë kundër prindërve, kundër ligjit, një jetë e lirë seksuale me çdo perversion, por edhe një thirrje për adhurim të hapur të djallit. P.sh: këngëtari i rrokut Led Zeppelin këndon: “Unë dua të jetoj për djallin.., ”etj. Kjo lloj muzike e shoqëruar me këto vargje satanike ndikon tek dëgjuesit dhe i sjell ata në një gjendje demoniake dhe tek ata shfaqen karakteristikat e një njeriu të pushtuar nga demoni, si ulërima, abuzime seksuale, akte dhune, deri në vrasje e vetëvrasje. Një kërkim i mjekësisë ligjore në Amerikë ka vërtetuar se 18% e vetëvrasjeve të të rinjve dhe i veprimeve të dhunshme i detyrohet muzikës rrok e shoqëruar me narkotikën. Në një këngë të këti lloji përdoren sinjale zanore mbi aftësi dëgjuese, domethënë 30.000 lëkundje zanore në sekondë, dëgjuesi nuk i dëgjon me veshin e tij, sepse gjendet në zonën e ultratingujve, por këto ultratinguj kanë ndikimin e drogës në sistemin nervor, i cili i merr këto tinguj në mënyrë të pavetëdijshme. Të mos na çudis ky fakt, sepse sipas një tradite thuhet se Eosfori si kryeëngjëll i Zotit kishte për detyrë të kompozonte muzikën qiellore dhe t’i drejtonte engjëjt në adhurim drejt Perëndisë dhe tani si një ëngjëll i rënë, satanai, ai e përdor këtë dhunti, ku nëpërmjet tingullit të zhurmshëm i largon njerëzit nga adhurimi i Perëndisë duke i drejtuar në adhurim ndaj tij (djallit) dhe duke i nxitur në vepra mëkatare dhe krime. Shën Kozmai profetizon dhe thotë, se “…do të vijë koha që botën do ta drejtojnë “tamtamet dhe tamtumet” – domethënë ritmi i shfrenuar. (profecia 44).
Përveç muzikës djalli përdor dhe metoda të tjera “argëtuese” për të tërhequr rininë, siç janë lodrat elektronike që janë të ndërtuara me persona diabolik me veprime dhe akte të dhunshme. Por mbi të gjitha është keqpërdorimi internetit që jep mundësi të shpejtë nëpërmjet portaleve, për të marrë leksione adhuruese ndaj djallit dhe ritualeve magjike. Sot ka adhurues të hapur të djallit të cilët quhen satanist. Numri i satanistëve po rritet gjithnjë e më shumë; po ashtu dhe i magjistarëve të cilët po kryejnë hapur ritualet e magjisë së zezë ose të bardhe pa asnjë pengesë. Në vitin 1968 u krijua në Amerikë bashkësia ndërkombëtare e magjistarve të Eusforit “Wicca” e cila llogarit se numëron 2 milion antarë, por kjo e dhënë është e vitit 1995 dhe sipas Norla Alapuices autore e librit “Generatoin Hex” pohon se numri tek Wicces-at dyfishohet në 30 muaj duke vënë në dukje se janë 700 mij faqe interneti për Wicces. Wicci thotë se ka 1179 libra me shtriga që qarkullojnë për të gjithë moshat. Sot në Europë ka 12 shkolla magjie me filialet e tyre të cilët e kanë fillesën e tyre që nga mesjeta edhe vazhdojnë edhe sot të njëjtin proces mësimor por të hapur dhe të çertifikuar. Në këto shkolla mësohet magjia e zezë, ritet pagane, mjekësia alternative, hipnoza, etj. Në këto kolegje marrin pjesë fëmijë nga mosha 8-12 dhe deri të rritur 35-45 vjeç. Pothuajse në të gjithë Evropën ka magjistarë të çertifikuar që ushtrojnë magji pa pengesë. Statistikat tregojnë se nga viti në vit ata rriten me mijëra, duke u bërë një ushtri magjistarësh në shërbim të demonëve, si mashtrues të mashtruar.
Mund të themi se satanizmi sot ndahet në tre forma: Satanizmi sadist, dhe këtu është fjala për akte të dhunshme shtazarake dhe praktikimi i magjisë së zezë me gjymtim të kafshëve, vrasje njerëzish (fëmijësh); këta janë përgjegjës për grabitjen dhe flijimin e shumë fëmijëve 7-17 vjeç, dhe ato që mendja njerëzore nuk mund të shkojë. Në këtë grup futen maniakët, sadistët, skizofrenët, të gjithë këto janë shenja të dukshme të demonizimit. Anëtarët e këtij grupi satanist në vitin 1969 vranë aktoren Saran Tejd në Amerikë ose në vitin 1985 një çift astanik bashkë me djalin e tyre martirizuan priftin At Joan Kazastomatis brenda në kishën e profetit Ilia në Santa Cruz, Kalifoni. Me gjakun e tij ishin shkruajtur në mure parulla katanike dhe numri i antikrishtit 666-t.
Forma tjetër quhet satanizmi i përmbajtur. Ky grup ka dhe kishat e tij, e para u themelua në 1966-ën në San Francisko nga Anton Lavej. Ky lloj satanizmi është një lloj feje që përmban anti-vlera dhe shkon drejt përmbysjes dhe shtrembërimit të vlerave morale, duke paraqitur si të natyrshme prirjen të kënaqësive trupore, seksualizmin në përgjithësi me të gjitha devijimet dhe perversionet, abortit dhe gjithë shtrembërimeve morale, himnizon paturpësinë dhe veprimet anarshiste.
Dhe forma tjetër është satanizmi i maskuar si engjëll drite. Në këtë grup magjia e bardhë ka qëllimin parësor. Magjinë e konsiderojnë gjoja si “Shkencën e komunikimit dhe sundimit mbi forcat e natyrshme. Një njohuri praktike e mistereve të fshehta të natyrës”. Në këtë grup futen magjistarët, fallxhorët, spiritistët, hipnotizuesit, mediumët, alkimistët, astrologët, ata që ushtrojnë joga-n, etj. Një fakt tjetër tronditës është se 85% e magjistarëve janë gra dhe quhen shtriga dhe ky është një lajm i keq duke menduar ndikimin që ka gruaja (nëna) në edukimin e fëmijëve dhe kështu dashje pa dashje me dije ose pa dije me indiferentizëm apo me një përqasje të gabuar të fenomenit, prindërit po bëhen kontribues për demonizimin e fëmijëve dhe kjo është në dëm jo vetëm të fëmijëve por për vetë prindërit dhe për gjithë shoqërinë, ashtu siç thotë një fjalë e urtë: “çfarë do të mbjellësh atë do të korrësh”. Në Bibël thuhet se njerëzit në fund do t’i largohen besimit në Zotin dhe do të ngjiten mbas adhurimit të djallit: “Dhe fryma thotë hapur se ne kohën e fundit disa do ta mohojnë besimin duke u vënë veshin frymërave gënjeshtare, doktrinave të demonëve.” (1 Tim. 4:1). Kjo do të reflektohet në sjelljet e njerëzve. Dhe përsëri apostull Pavli i thotë Timotheut: “Dhe këtë dije se në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoist, lakmues parash, mburravec, mëndjemëdhenj, blasfemues, (shajnë Zotin) të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizor, që s’e duan të mirën, tradhëtarë, gojëlëshuar, fodull, dëfrimdashës më shumë se perëndidashës, të perëndishëm në dukje por mohues të fuqisë së saj, dhe nga këta largohu!” (2 Tim. 3:1-5) Mund të themi se ky përcaktim, është cv-ja më e vërtetë e brezit të sotëm, i cili gjithnjë e më tepër po shfaq ndikime demoniake.
Në një raport të OKB-së në shkurt 2009 deklarohet se në Kongo 50 mijë fëmijë merren me magji dhe prindërit nga frika i kanë larguar nga shtëpitë e tyre dhe ata enden rrugëve.
Kisha Orthodhokse është në luftë të hapur me djallin. Ajo është një vend i sigurt mbrojtje nga sulmet dhe me lutjet e Kishës njerëzit çlirohen nga ndikimi demoniak. Këtë fuqi kundër demonëve Kisha nuk e ka nga vetvetja, por nga Zoti Jisu Krishti, i cili e mundi djallin si Perëndi-Njeri me anë të kryqëzimit dhe Ngjalljes së Tij. Pavarësisht se kryqëzimi i Krishtit duket si fund tragjik, aty është dhe triumfi i Atij, sepse djalli merr të drejta kundër nesh nga mëkati, këtu flasim për mëkatin të dy njerëzve të parë (mëkati stërgjyshëror, që trashëgohet tek çdo njeri), mëkatet personale të çdo njeriu dhe tek fëmijët merr pushtet nga mëkatet e prindërve. “Mëkati i njeriut lahet me gjak se tek gjaku është jeta njeriut” (Heb 9- 23 Lev 17-11), prandaj dhe Biri i Perëndisë u bë Bir Njeriu që si njeri të flijohej për të shlyer mëkatet e njerëzve në kryq, si fli shpenguese, si “Qingji i Perëndisë që shlyen mëkatet e botës”(Jn. 1:29). Këtë përulësi dhe flijim të Krishtit, djalli egoist dhe krenar nuk arriti dot ta kuptoj, prandaj ai i nxiti njerëzit të kryqëzojnë Krishtin dhe këtu është gabimi i tij më i madh dhe fillimi i fundit të pashmangshëm, prandaj dhe Zoti Krisht tha: “Tani është gjyqi i kësaj bote; tani prijësi i kësaj bote do të hidhet jashtë.” (Jn. 12:31) Dhe fundi i pashmangshëm i djallit do të jetë me Ardhjen e Dytë të Krishtit: “Edhe djalli që i mashtronte ata, u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku ishte bisha dhe profeti gënjeshtar; edhe do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve.”(Zbu. 20:10). Por në Ardhjen e Dytë të Zotit Krisht do të gjykohen dhe dënohen edhe ata që i shërbyen djallit deri në fund dhe nuk u penduan dhe nuk u kthyen tek Perëndia që t’i shpëtojë. “Edhe frikacakët dhe të pabesët dhe të ndyrët dhe vrasësit dhe kurvëruesit dhe magjistarët dhe idhujtarët e të gjithë gënjeshtarët do të kenë pjesën e tyre në liqenin që digjet me zjarr e me squfur. Kjo është vdekja e dytë.” (Zbu. 21:8) Kisha ka lutje të veçanta që i thonë priftërinjt për çlirimin nga ndikimi demoniak dhe këto lutje quhen ekzotizma.
Le ta mbyllim me një histori të vërtetë; përpara një prifti orthodhoks, sollën një të demonizuar dhe mbasi prifti i bëri kryqin e urdhëroi djallin që të fliste, duke i bërë një pyetje të guximshme: -“Nga se kanë frikë demonët?” Dhe djalli foli me gojën e të demonizuarit. -“Ne kemi frikë nga tre gjëra: nga ajo që ju të krishterët varni në qafë, nga ajo që ju laheni në kishë dhe nga ajo që ju hani në kishë.” Djalli ka frikë nga tre gjëra, që as emrin nuk guxon t’ja thotë: e para, nga mbajtja dhe bërja e kryqit që është shenja e Krishtit; nga pagëzimi, që na pastron nga mëkati, na bashkon me Krishtin dhe bëhemi të krishter (bij të adaptuar të Perëndisë); dhe nga kungimi (trupi dhe gjaku i Krishtit), duke u bërë të ngjashëm me atë në lavdi dhe fuqi. Të treja këto mjete kundër djallit gjenden dhe afrohen për çdo njeri që dëshiron për veten dhe për fëmijët në Kishën Orthodhokse. “Bindjuni pra Perëndisë; rrini kundër djallit, edhe do të ikë nga ju.” (Jak. 4:7)
Dt 22/03/2016 Gazeta Shqiptare & Balkanweb & Tirana Observer
Në Shqipëri nga regjimi më i egër dhe totalitar ateist komunist i Lindjes, më 4 prill 1967 u dha sinjali për persekutimin absolut të fesë. Me dekret të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, të datës 22 nëntor 1967 Shqipëria u shpall shteti i parë dhe i vetëm ateist në botë dhe në historinë e njerëzimit, ku me kushtetutë ndalohej çdo lloj shprehje fetare. Mbas këtij vendimi famëkeq dhe unikal, pasoi një shkatërrim vandal nga turma e indoktrinuar kundër objekteve të kultit me parullën e rinisë së gjimnazit të Durrësit: “T’i hapim luftë fesë me shpatën e mprehtë të ideologjisë së partisë kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, bestytnive dhe zakoneve prapanike”.
Objekti i parë i kultit që u shkatërrua ishte manastiri i hirshëm orthodhoks i shënVlashit në Durrës. Më pas, qindra kisha orthodhokse u shkatërruan nga themelet, shumë prej tyre u shndërruan në depo, stalla, kinema, vatra kulture. Thuajse të gjitha manastiret u shkatërruan ose u përdorën për reparte ushtarake dhe funksione të tjera. Në atë kohë Kisha kishte 19 zëvendësi arkihieratike, 330 enori dhe 25 manastire. Pasuritë kishtare të tundshme dhe të patundshme u konfiskuan. Po ashtu enë të shenjta për përdorim liturgjik, ikona, lipsane, arkiva etj. u konfiskuan ose u shkatërruan. Gjithë kjo masakër, ishte një shkatërrim i historisë, artit, kulturës shekullore jo vetëm kishtare, por edhe kombëtare. Kjo masakër shkatërrimtare u shoqërua edhe me persekutimin e klerit, zhveshjen e tyre si klerikë, ndalimin për të mos kryer shërbesat fetare, internime, burgosje dhe vrasje. Në vitet 70-80 konsiderohej se Kisha Orthodhokse e Shqipërisë ishte e shpërbërë përfundimisht dhe pa asnjë shpresë ringjalljeje dhe kjo mund të thuhej për çdo komunitet tjetër fetar. Regjimi i Hoxhës ia kaloi edhe atij të Stalinit, i cili vërtet persekutoi Kishën në Rusi, por asnjëherë nuk e bëri këtë ligj me kushtetutë dhe nuk shkatërroi gjithçka, siç u bë në Shqipëri. Madje edhe Mao Ce Duni u frymëzua nga këto veprime sa edhe në Kinë filloi të shkatërrohen kishat dhe të ndalohet adhurimi i krishterë.
Në qoftë se nuk do të kishte ndërhyrë providenca Hyjnore me të ndjerin theologun orthodhoks Theofan Popa, çdo gjë fetare rrezikohej të zhdukej. Thuhet se ai ndërhyri me guxim tek diktatori Hoxha duke i thënë se turma e popullit po shkatërron historinë, artin, kulturën shekullore të vendit. Kjo gjë është një dëm kombëtar, që do humbasë edhe interesi turistik për vendin e rindërtuar në kohën e realizmit socialist. Hoxha e pranoi propozimin e tij dhe kështu me urdhër të tij, u ndalua rreptësisht prishja e objekteve të kultit dhe çdo vlere artistike dhe kulturore fetare të mbetur. Instituti i Monumenteve të Kulturës i krijuar në 1965, bëri grumbullimin, inventarizimin dhe ekspozimin e këtij arti kishtar me vlera të larta artistike dhe historike jo vetëm në vend por edhe jashtë.
Mbas viteve 1991 kur rregjimi ateist komunist u rrëzua nga revolta popullore e ndërgjegjësuar tashmë, si në çdo aspekt të ringjalljes së vendit u bë e nevojshme edhe ringjallja e besimit në Zot dhe e Kishës Orthodhokse së bashku me të gjithë komunitetet e tjera fetare. Kjo ringjallje tashmë është një fakt i pakundërshtueshëm. Kisha sot është një kontributor shumë i rëndësishëm i promovimit të vlerave historiko-kulturore të vendit dhe harmonisë fetare si e vetmja vlerë, që mund të mburremi në botë.
Por akoma Kisha Orthodhokse edhe pas 25 vjetësh demokraci ndjehet jo tërësisht e çliruar nga padrejtësitë, shkatërrimet, konfiskimet, sakrilegjet, që u bënë në atë periudhë të errët komuniste. Madje, ndjehet akoma e atakuar, e vjedhur, e fyer. Akoma nuk i janë kthyer pasuritë e ligjshme si kisha, manastire, prona, lipsane shenjtorësh, ikona, objekte të shenjta të cilat mbahen arbitrarisht nga shteti nëpërmjet Institutit të Monumenteve të Kulturës, i cili për hir të së vërtetës, nuk është aq rigoroz sa në kohën e ateizmit komunist në përkujdesje, inventarizim dhe ruajtje të kësaj pasurie kishtare, e cila po humbet dhe po shpërdorohet gjithnjë e më shumë.
Kisha Orthodhokse që në vitin 2009 si person juridik ka bërë një marrëveshje me shtetin shqiptar, nëpërmjet Këshillit të Ministrave për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsellta me nr. 10057 dt. 22.01.2009.
Kreu 5, çështjet e pronësisë neni 22 thotë:
Shteti i njeh Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të drejtën e pronës mbi sendet, të luajtshme dhe të paluajtshme.
Shteti do t’i kthejë dhe kompesojë Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë të gjitha pronat, me përparësi objektet e kultit, tashmë të njohura nga të gjithë, të cilat kanë qenë për shekuj, qendra shpirtërore dhe kulturore të komunitetit orthodhoks dhe përbëjnë historinë e këtij komuniteti, si objektet e kultit, manastiret e shenjta, pasuritë, arkivat e saj, të konfiskuara nga rregjimi komunist në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 23 – Mbrojtja e trashëgimisë kulturore fetare
Objektet e kultit që kanë statusin e monumentit të kulturës t’i kthehen në pronësi Kishës Orthodhose Autoqefale të Shqipërisë dhe do të mbrohen dhe trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore.
Fatkeqësisht, as qeveria që shkoi, e cila u tregua e pa aftë për të menaxhuar si duhet censusin e vitit 2011, duke i bërë një padrejtësi të pashembullt komunitetit orthodhoks në Shqipëri ku i llogariti ata nga 22% në vetëm 6.75%, por edhe qeveria e Rilindjes, që shumë të krishterë e votuan, duke pasur besim te një rilindje e shtetit ligjor dhe në respektimin e çdo marrëveshjeje të ratifikuar, nuk zbatuan marrëveshjen, përkundrazi për një periudhë gati tre vjeçare të kësaj qeverie janë bërë disa veprime që na kthejnë shumë kohë prapa, duke na kujtuar periudhën e kaluar ateiste.
Këtu e kam fjalën për ndërhyrjen brutale të autoriteve vendore ndaj klerikëve dhe besimtarëve të Kishës së Shën Marisë në Përmet në gusht 2013 me pretekstin se do të rindërtohet shtëpia e kulturës. Edhe pse Kisha vuri në dispozicion dokumentet arkivore, që në atë vend kishte qenë një kishë e tjetërsuar nga regjimi ateist në shtëpi kulture dhe sipas ligjit të kthimit të pronave i takonte asaj. Kisha u bastis dhe duke kryer sakrilegje ndaj objekteve të shenjta, potirit, ungjillit, ikonave të cilat u transportuan me makinën e plehrave të Bashkisë së Përmetit. Edhe sot e kësaj dite ai vend është një gërmadhë dhe një plagë e hapur për të krishterët, jo vetëm të Përmetit. E njëjta sjellje u përsërit në prishjen e kishës së Shën Athanasit në 26 gusht 2015, ora 4:00 e mëngjesit, kishë e rindërtuar mbi themelet e të vjetrës me kontributin e besimtarëve të fshatit Dhërmi. Kisha u prish nga INUK me pretekstin e një ndërtimi pa leje, edhe pse ishte ndërtuar që në vitin 1994 dhe kthimin e këtij objekjti në identitet, si një muze i një mësonjëtoreje ku aty kishin mësuar shqip vendasit me traditë orthodhokse, nga një prift jezuit i ritit romano-katolik. Në këtë rast, pa precedent gjatë këtyre 25 vjetëve, shteti tejkalon çdo kompetencë në lidhje me pavarësinë që gëzojnë Komunitetet fetare dhe mospërfshirjen e shtetit në këto çështje, madje duke nxitur dhe ndasi në mes të komuniteteve fetare, atij orthodhoks dhe katolik, që janë shumë të mira në vend.
Akoma diçka tjetër, kisha e Shën Marisë e Kalasë së Elbasanit mbahet e uzurpuar nga pseudoprifti Nikolla Marku, i vetëshpallur prift i Kishës Ortodokse Kombëtare, që e ka kthyer kishën si një kjoskë private. Ai në mënyrë të papërgjegjshme ka lyer me gëlqere afresket e vjetër të kishës dhe ka zhdukur ikonat e vjetra të ikonostasit, duke i zëvendësuar me ato prej letre. Pavarësisht se Kisha Orthodhokse ka fituar çdo nivel gjyqësor për rikthimin e objektit në oborrin e kësaj kishe, Zyra e Përmbarimit nuk ekzekuton vendimin gjyqësor për rikthimin e kësaj prone të zaptuar, pronarit të ligjshëm Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Shumë prona dhe troje nuk janë kthyer ende, pavarësisht se Kisha ka hapur procese gjyqësore madje nën dijeninë e shtetit janë lejuar ndërtime dhe bërë legalizime në këto prona. Mund të themi se nga të gjitha pronat e Kishës janë trajtuar vetëm 10% e kërkesave të saj. Duhet të dimë se këto prona me karakter historik dhe shpirtëror, si dhurata të njerëzve, familje besimtare, ose varreza, janë të shenjta (vakëfe) dhe i takojnë Kishës.
Le të përmendim një rast tjetër të këtij arbitrariteti me arrestimin e koleksionistit Gjergji Thimo, që sot është në arrest si kontrabandist për shumë objekte kishtare dhe sidomos ikona. Ai deklaron në TV NEËS 24, në dt. 18.2.2016 se nga 1170 ikona që kishte ai në koleksionin e tij, në procesverbalin pas konfiskimit nga autoritetet shtetërore figuronin vetëm 174 ikona. Ai akuzon për vjedhjen e këtyre objekteve njerëz me autoritet shtetëror dhe kjo mbetet për t’u verifikuar nga organet kompetente. Por ajo që na shqetëson neve si besimtarë, është se kur u bë konfiskimi i këtij koleksioni nuk u ftua Kisha Orthodhokse për të qenë prezente në inventarizim, pasi pa kundërshtim ato ikona janë pjesë e pasurisë së saj. Madje ato u transportuan nga Galeria e Arteve tek Muzeu Kombëtar për arsye mirëmbajteje dhe kushte më të mira, por duke i transportuar ato me furgon policie jashtë çdo kriteri që meritojnë këto objekte kulti me vlera shpirtërore dhe artistike.
Le të kujtojmë këtu dhe rigjetjen e lipsaneve të Shën Joan Vladimirit, të cilat ishin të harruara në bodrumet e Muzeut Historik. Këto lipsane kanë qenë dhe janë pronë e Kishës Orthodhokse, gati 1000 vjet, dhe janë nderuar prej shekujsh nga besimtarët orthodhoksë me shumë devocion në manastirin e Shën Gjonit, në fshatin Shijon Elbasan, derisa u konfiskuan nga regjimi ateist-komunist duke u bërë pronë e shtetit komunist.
Edhe sot në demokraci, përsëri kemi deklarata të tilla, nga drejtori i Muzeut Kombëtar z.Melsi Labi, që thotë: “S’ndajmë mendimin që reliket t’i kalojnë Kishës, pasi ato janë tashmë pasuri kombëtare dhe i takojnë të gjithëve muslimanëve e të krishterëve…mendoj se të gjithë duhet të bëjmë punën si profesionistë, sa më mirë dhe me dashuri për kombin dhe kështu çdo gjë do të shkojë në drejtimin e duhur duke ecur sa më shpejt drejt Europës dhe mentalitetit të saj”(Mapo.al, dt.1.03.2016). Nuk e di ku e gjen këtë logjikë drejtori i muzeut, që një objekt, pasuri e dikujt tjetër ta përvetësojë padrejtësisht dhe këtë madje e quan mentalitet europian!
Por ngjarja e fundit e realizimit të disa seteve fotografikë dhe filmimeve të modeleve me fustane nusërie nga “salloni i bukurisë Frida”, duke përdorur si pasarelë ambjentet e Kishës së Shën Marisë në lagjen Kala, Elbasan dhe në Berat në Kishën e Shën Marisë ose Muzeu i Onufrit, patjetër me lejen e autoriteteve përgjegjëse dhe në Elbasan të pseudo priftit Nikolla Marku, i kalon të gjitha caqet. Përsëri nuk zbatohet marrëveshja ku në nenin 23 pika 2 thuhet: “Shteti mund të marrë në përdorim një objekt të kultit vetëm për nevoja e interesa madhore dhe vetëm pasi të ketë marrë paraprakisht pëlqimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.”
Jo vetëm nuk është marrë leje, por Kisha dhe besimtarët ndjehen të fyer, deri në kufijtë e sakrilegjit, sepse veshja e modeleve nuk i përshtatet etikës së krishterë dhe pozimi i tyre provokues në disa vende të shenjta të ambjentit të Kishës si froni dhespotik, përpara derës së bukur, ku kanë të drejtë të rrinë vetëm klerikët dhe ata të veshur me stolitë liturgjike, përbën për ne të krishterët një sakrilegj të dukshëm dhe fyerje të ndjenjës fetare dhe këto nuk promovojnë trashëgiminë kulturore të vendit. Kisha nuk etiketon asnjë personalisht, por gjestin përdhosës brenda ambjentit adhurues, që për hir të së vërtetës nuk ka ndodhur në asnjë komunitet tjetër fetar. Ky veprim përdhosës ia kaloi edhe atyre veprimeve të ligësisë ateiste, të cilët futën brenda kishave armë dhe çdo gjë tjetër kompromentuese për të përligjur dhunën dhe përndjekjen ndaj klerit dhe më vonë mohimin e besimit në Zot, por që nuk guxuan kurrë të fusin në kishë femra të veshura në atë mënyrë dhe me poza të tilla, që një gazetar i mirënjohur në shkrimin e tij për këtë situatë të pazakontë e ka titulluar: “Me shit seks në Kishë”.
Për këto veprime që përbëjnë një sakrilegj të dukshëm si në prishjen e kishave, mos kthimit të pronave dhe mos respektimit të marrëveshjes, Kisha Orthodhokse reagoi ndaj autoriteteve përgjegjëse shtetërore me kërkesën për kthimin e kishave, manastireve dhe objekteve të shenjta, duke kërkuar t’i kthehen Kishës Orthodhokse pa vonesë dhe pretekse të gjitha kishat e shenjta, manastiret, lipsanet e shenjta, ikonat dhe objektet e shenjta të adhurimit të cilat respektohen, nderohen dhe janë të shenjta për të gjithë orthodhoksët anembanë botës edhe për besimtarët e Shqipërisë. (Ansambleja Kleriko-Laike e datës 12 mars 2016)
Mbas kësaj kërkese, drejtoresha e përgjithshme e trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës znj. Zhulieta Harasani shprehet në një intervistë për TV Top Channel: “Kisha ka të gjithë të drejtën të kërkojë pronat e saj, por ajo shton se si gjithë individët apo subjektet e tjera duhet t’i drejtohen Agjensisë së Kompensimit të Pronave me dokumentet përkatëse”(Dt. 18, mars. 2016). Kjo deklaratë tregon që drejtoresha nuk është në dijeni të Marrëveshjes ose kjo është një përpjekje e përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës dhe qeverisë për ta shmangur Marrëveshjen ndërmjet Shtetit dhe Kishës. Nuk është nevoja që Kisha t’i drejtohet Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por shteti duhet të zbatojë Marrëveshjen duke urdhëruar këtë agjensi që t’i kthejë objektet e kultit që i takojnë Kishës dhe janë për adhurim dhe pjesë e pasurisë së saj shpirtërore dhe kulturore.
Vetë Kisha Orthodhokse përveç ndërtimit të shumë kishave të reja që numërohen mbi 150 dhe të riparuar mbi 160 të tilla e që janë në shërbim të komunitetit ku ai ndodhet, ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm prej gati 11 milion euro për restaurimin e 60 kishave dhe manastireve që janë monumente kulture dhe njëkohësisht përgjegjësi edhe e shtetit shqiptar, si për çdo objekt që ka këtë status të veçantë. Po ashtu restaurimin e 600 ikonave të cilat përbëjnë një vlerë jo vetëm kishtare por edhe kulturore kombëtare. Duhet theksuar këtu edhe fakti paradoksal që në ndërtimin e çdo kishe të re si dhe në restaurimin e atyre që janë njëkohësisht edhe monumente kulture, Kisha Orthodhokse ka qenë e detyruar të paguajë edhe taksën (TVSH 20%). Ky fakt e vështirëson gjetjen e fondeve dhe gatishmërinë e donatorëve të ndryshëm për të ndihmuar në këtë mision kaq delikat dhe urgjent në të cilën gjenden një pjesë e mirë e objekteve në fjalë. Kisha nuk kërkon që këto prona, objekte kulti dhe adhuruese, të jenë thjesht pasuri e saj, por së bashku me autoritetet përgjegjëse shtetërore, të gjejë mënyrën më të mirë të mundshme që këto të jenë në shërbim dhe për nevojat e Kishës dhe besimtarve, por edhe si vlera të shtuara të historisë dhe kulturës së vendit tonë, me anë të të cilave mund të krenohemi dhe të kontribuojmë në qytetërimin e rajonit dhe të botës.
Ky reagim dhe kërkesë e Kishës Orthodhokse dhe e popullit besimtar nuk është “një çudi që do të zgjatë vetëm tre ditë”, por do të vazhdojë të mbetet përherë i nxehtë derisa ky problem të zgjidhet sipas Marrëveshjes. Urojmë që e gjitha kjo të jetë një neglizhencë e qeverisë për shkak të angazhimeve dhe sfidave të shumta që ajo përballet dhe jo një reminishensë e së kaluarës ateiste, gjë që na nxit të lutemi si Kishë dhe besimtarë orthodhoksë: Deri kur o Zot?!
Edhe të varfrit e kanë Mbretin e tyre!
Publikuar në 19.12.2016 Gazeta Shqiptare & Balkanweb & Tirana Observer
Jetojmë në shekullin XXI, “koha e konsumit”. Në të vërtetë sot në botë, për shkak të zhvillimit të teknologjisë ushqimore, nuk ka pasur asnjëherë kaq sasi dhe shumëllojshmëri ushqimesh për t‘u konsumuar nga njerëzit, prandaj edhe koha ku jetojmë quhet “koha e konsumit. Por përsëri në glob ekziston ende varfëria e cila i mban në kthetrat e saj një kategori dhe grup njerëzish, të cilët jetojnë me minimumin jetik, ose rrezikojnë të vdesin nga etja dhe uria. Varfëria si plagë sociale, vjen nga shumë shkaqe, shkaktuar kryesisht nga katastrofat natyrore, pamjaftueshmëri e burimeve ushqimore, largimi nga zonat rurale (fshatrat), mbipopullimi i zonave urbane (qyteteve), ekspasion ekonomik i shteteve të pasura ndaj atyre të varfëra, nga keqmenaxhimi i qeverive përkatëse, padrejtësia, papunësia, nga luftrat etj.
Statistikat janë të trishtueshme. Nga sondazhet e shumta të kryera nga shoqatat sensibilizuese rezulton se 925 milion individë nuk kanë ushqim të mjaftueshëm. Rreth një miliardë njerëz shtrihen për të fjetur çdo natë të uritur. Varfërinë ekstreme mund ta quajmë një nga format e terrorizmit të sotëm global, mos më e keqja, sepse varfëria e imponuar, depersonalizon viktimat e saj, të cilat të shtrënguara nga krizat e urisë përfundojnë deri aty sa kërkojnë për “ushqim” mbeturinat që klasifikohen si plehra në kazanë dhe landfillet duke ulur dinjitetin njerëzor, si në atë të kafshës, që presin thërrimet, që bien nga tryeza e zotërinjve. Kjo gjendje sociale çnjerëzore i detyron njerëzit të bëjnë punë të zeza të ulta, të pista të pamoralshme, vetëm për një copë bukë. Situata bëhet më tragjike kur urinë e vuajnë dhe fëmijët që lindin nga prindër të varfër në vende të varfëra dhe për shkak të kequshqyerjes, urisë dhe etjes bëhen viktima të vdekjes që foshnje, ose fëmijë të vegjël. Sipas statistikave; 1 në 6 fëmijë lindin nën peshë. Përveç kësaj uria shkakton vdekjen e 2. 6 milion fëmijëve në mbarë rruzullin tokësor çdo vit dhe çdo 3 sekonda një fëmijë vdes si pasojë e urisë.
Nga statistikat globale edhe vendi ynë i cili ka nivelin më të ulët ekonomik në rajon nuk i shmanget dot varfërisë dhe urisë. Sipas Bankës Botërore, 45/5 e popullsisë në Shqipëri jetojnë në kufirin e varfërisë me 5 dollar në ditë, kjo përqindje e popullsisë që jeton me këto të ardhura në vende të tjera të rajonit është më e ulët.
Të gjithë këta të varfër nuk janë viktima thjesht të fatit, sepse fati nuk ekziston, por në përgjithësi janë viktimat e indiferencës shoqërore dhe më keq të egoizmit dhe lakmisë së njerëzve të pangopur të cilët jo vetëm mendojnë për vete, por marrin dhe atë që u takon të tjerëve siç thuhet në Bibël: “Disa zhvendosin kufijtë, marrin me forcë kopetë dhe i çojnë në kullotë, u marrin gomarin jetimëve dhe marrin peng kaun e gruas së ve; i shtyjnë jashtë rruge nevojtarët, kështu tërë të varfrit e vendit janë të detyruar të fshihen” (Jobi. 24: 2-4). Duket sikur këta të varfër të nëpërkëmbur nga njerëzit edhe Zoti vetë i ka harruar dhe i ka lënë si të vetëm në fatin e tyre: “Vajtimi i atyre që po vdesin ngrihet nga qyteti, shpirti i të plagosurve kërkon ndihmë, por Perëndia nuk i vë mend të keqes që u ka bërë” ( Jobi. 24: 12).
Por ndryshe nga ajo që duket në perceptimin njerëzor të çastit me frymë dëshpëruese, e vërteta është krejt ndryshe. Këta të varfër, të injoruar, të keqpërdorur nga shoqëria konsumiste egoiste, e kanë Mbretin e tyre i cili i përfaqëson dhe i mbron. Të jesh një mbret i të varfërve duhet të lindesh si ata, të rritesh si ata, të përbuzesh dhe të përndiqesh si ata, por të mos jesh i nënshtruar “fatit” dhe të luftosh dhe të fitosh në emër të tyre përballë varfërisë, urisë dhe padrejtësisë sociale, duke fituar bukën e përditshme me punë të ndershme dhe duke përdëllyer ata që janë më të varfër se ty.
Kush është ky Mbret i të varfërve?
Ai ka 2016 vjet që ka hyrë në historinë e njerëzimit, i lindur nga nëna e tij, në Betlehem të Judesë, brenda në shpellë në kushte ekstreme të varfërisë: “Edhe ndërsa ata ishin atje, asaj iu mbushën ditët që të lindë. Edhe lindi birin e saj, të parëlindurin, edhe e mbështolli në shpërgënj, edhe e vuri në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata në bujtinë” (Lk. 2:6-7) Ky Fëmijë Hyjnor, i lindur si i varfër mes të varfërve, është Jisu Krishti, Biri i Perëndisë- Biri i njeriut. Përgjatë gjithë jetës së Tij tokësore varfëria ishte motra e Krishtit, sepse Ai u bë vëllai i të varfërve dhe Mbreti i tyre, mbrojtës i të drejtave të tyre të nëpërkëmbura ashtu siç ishte profetizuar për atë: “Por ai do të gjykojë të varfrit me drejtësi dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të vendit” (Isaia 11-4)
Jisu Krishti vërtet është Mbret i të varfërve, por jo i varfër nga fuqia dhe lavdia, sepse Ai është Zoti nga përjetësia dhe u bë njeri i varfër nga dhembshuria për të varfrit si është shkruar në psalmet: “Dhe britma e të varfërve arrin në veshët e Zotit Savaoth dhe armiqtë e tyre janë ata të Zotit dhe hidhërimi i tyre tërheq dashurinë e Tij” (Psalmet 18; 28; 9:14-19)
Varfëria e Krishtit si njeri nuk ishte një varfëri e imponuar nga “fati”, por një varfëri vullnetare, një vetzbrazje nga lavdia dhe pasuria e Tij hyjnore. Ambienti i grazhdit është një dëshmi se Krishti u përul, u bë i varfër vullnetarisht, se s’ka më të varfër se një shpellë dhe më përulësi se të shtrihesh në një grazhd ku hanë kafshët. Prandaj Mesia i të varfërve është vet një i varfër vullnetar, që mori mbi vete sa lloje dhe forma varfërish dhe i shenjtëroi ato me vetzbrazjen e Tij ekstreme në kryq dhe kështu fitoi mbi armikun e varfërisë, që është mëkati i cili frymëzohet nga egoizmi dhe lakmia njerëzore.
Ai u hapi rrugën të varfërve në bashkim me Zotin duke i ftuar ata drejt vetes dhe njehsuar me veten: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t`ju jap çlodhje” (Math. 11-28) I bëri ata bij Perëndie, të pasur me hirin e Shpirtit të Shenjtë, pjesëtar të popullit të ri të Zotit dhe qytetar të Mbretërisë së Zotit, që pritet të vijë mbi dhe ashtu siç është në qiejt: “Dhe pashë një qiell të ri dhe një tokë të re. Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre. Dhe Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan“. Dhe ai që rrinte mbi fron tha: Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja. (Zbulesa 21: 1; 3-5)
Krishtërimi nuk është një filozofi fataliste, që pret vetëm nga qielli, por një besim që i kundërvihet varfërisë, me vepra dashurie konkrete në këtë botë të padrejtë, plot egoizëm dhe lakmi. Vetë Krishti bëri dy mrekulli të mëdha, për të ushqyer turmat e varfëra, me mijëra, me pak bukë dhe peshq. Mrekullia kishte karakter pedagogjik për të krishterët: “që do i kenë të varfërit gjithmonë me vete”. Pra atë pak që ata kanë, mos të ngurojnë ta ndajnë me të varfërit pasi ia japin vetë Zotit që ka fuqi t’i shumëfishojë: “Sepse kush i jep të varfërit i jep hua Perëndisë. ”(Fja 19; 17) Kjo dashuri konkrete për të varfërit konsiston në: “ndarje të bukës sate me atë që ka uri, strehim në shtëpinë tënde të të varfërit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt” (Isaia 58: 7) Dashuria për të varfërin është e personalizuar tek një person, Krishti, i cili përfaqëson të varfërit si Vëllai dhe Mbreti i tyre sepse Krishti në emër të tyre tha: “Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, isha i zhveshur dhe më veshët. . . sepse çdo gjë që ia keni bërë këtyre vëllezërve më të vegjël ma keni bërë mua ”( Mateu 25. 35-36).
Një histori mallëngjyese e ilustron shumë këtë të vërtetë ungjillore (lajmi i mirë). Një fëmijë i varfër, i uritur, i zbathur, i zhveshur po shikonte me kureshtje nga vitrina e një supermarketi ku ishin të ekspozuara ushqime, rroba dhe këpucë, fëmija lutej te Perëndia dhe ëndërronte, sikur ato të ishin të tijat dhe kështu për pak harroi vuajtjen e përditshme nga privimi i gjërave më elementare të jetës. Ashtu duke ëndërruar e sjell në vete prekja e një burri me pamje zotërie i cili duke i buzëqeshur e merr përdore dhe e fut në dyqan dhe i blen çdo gjë që fëmija dëshironte. Pasi ky fëmijë e shikon veten të transformuar i veshur me rroba të pastra, të bukura dhe të ngrohta, me këpucë, duke shijuar ëmbëlsira, ngriti sytë nga zotëria dhe i tha: Mos je ti Perëndia? Por ai iu përgjigj me buzëqeshje: unë nuk jam Perëndia por një i krishterë, një bir i tij.
Krishti si Mbret i të varfërve, nuk luftoi me të pasurit me reforma populiste, apo duke nxitur revolucion popullor në luftë klasash, të varfërit kundër të pasurit, por ai luftoi kundër shkaqeve të varfërisë, si egoizmi, lakmia, padrejtësia, pasione që i kanë dhe i zhvillojnë brrnda tyre më shumë të pasurit. Ai paralajmëron të pasurit për rrezikun e lakmisë për pasuri e cila mund të bëhet një mamona (zot i rremë),që të marros, të bën një materialist antishoqëror, egoist çnjerëzor, që tëndan nga i afërmi dhe në fund vdes i vetëm dhe pa Perëndi. Krishti mësonte me shëmbëlltyra: “Por Perëndia i tha të pasurit: O i pamend, po këtë natë shpirtin tënd do të ta kërkojnë dhe ato që përgatite të kujt do të jenë?” Kështu i ndodh atij që grumbullon thesare për vete dhe nuk është i pasur ndaj Perëndisë”. (Llk. 12:20-21) “Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë! Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë”. (Lk. 18: 24-25)
Apostull Jakovi nxënës i Krishtit, është shumë kategorik me këtë kastë të pasurish indiferentë dhe të padrejtë duke thënë: “Dhe tani ju, o pasanikë: qani dhe vajtoni për të këqijat që do t`ju zënë. Pasuria juaj u kalb dhe rrobat tuaja i brejti tenja. Ari dhe argjendi juaj u ndryshkën, dhe ndryshku i tyre do të jetë një dëshmi kundër jush dhe do t`ju përpijë mishrat si zjarr; keni mbledhur thesare në ditët e fundit. Ja, paga që u keni ngrënë punëtorëve që iu korrën arat, po këlthet dhe klithmat e atyre që korrën, arritën në vesh të Zotit të ushtrive. Jetuat mbi tokë ndër qejfe dhe shkapërderdhje; i ushqyet zemrat tuaja si për ditë të të therurit. Dënuat dhe vratë të drejtin, ai nuk iu kundërshtoi”(Jak. 5:1-6)
Krishti dhe krishtërimi nuk janë kundër pasurisë në vetvete, por kundër keqmenaxhimit të saj. I pasuri nuk është pronar i pasurisë së tij, por një menaxhues, që duhet ta përdorë pasurinë në ndihmë të të afërmit që është në nevojë. Kjo nuk e humb pasurinë e tij, përkundrazi e shton atë, jo thjesht në këtë jetë por në Mbretërinë e Zotit, i Cili tha për të pasurit: “mblidhni për vete thesare në qiell…sepse ku është thesari juaj do të jetë zemra juaj” (Math. 6:20-21). Po ashtu dhe apostull Pavli këshillon: “ Të pasurit në këtë jetë porositi të mos mbahen me të madh, as të mos shpresojnë në pasurinë që s’qëndron, po në Perëndinë e gjallë, i cili na i jep të gjitha dorë hapur që t’i gëzojmë; të bëjnë të mirën, të pasurohen në punë të mira, të jenë dorëdhënës, të shoqërueshëm, duke mbledhur për vete si thesar një themel të mirë për të ardhmen, që të arrijnë jetën e përjetshme”. (I Tim. 6:17-19).
Krishti i lumëron të varfërit. “Lum të varfërit në frymë, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve” (Math. 5:3). Përveç varfërisë materiale, ka edhe një varfëri shpirtërore, që do të thotë të jesh i përulur në mendje, kjo të bën nxënës me Krishtin: “Mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj”(Math. 11:28-30)Lumërimi konsiston në ngjashmëri me Krishtin: “I cili duke qenë i pasur u bë i varfër për ju që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij” (II Kor. 8: 9)
Por jo të gjithë të varfrit e kanë Mbret Krishtin dhe janë të lumturuar me Atë, sepse jo të gjithë e besojnë atë si Zot dhe Mbret. Ka nga ata të varfër që nuk duan të jetojnë me moral dhe dinjitet njerëzor duke zbatuar porositë e Zotit: “Mos vidh, mos gënje, mos vrit, mos lakmo, puno ndershëm”. Këta njerëz janë të varfër jo nga padrejtësia e të tjerëve, por për shkak të padrejtësisë ndaj vetes, të përtacisë, paudhësisë, abuzimit, krimit dhe mbi të gjitha të pabesisë. Davidi 1000 vjet p. K në urtësinë e tij thotë: “Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë”. (Psalmi 37:23-25)Prandaj njeriu që të mos bjerë në varfëri dhe mjerim, duhet të punojë ndershëm duke u lutur Zotit, burimi i çdo të mire,me këtë mënyrë: “Unë të kërkova dy gjëra; mos m’i moho para se të vdes: largo nga unë fallsitetin dhe gënjeshtrën; mos më jep as varfëri as pasuri, më ushqe me bukën e nevojshme, me qëllim që pasi të jem ngopur, të mos të të mohoj dhe të them: “Kush është Zoti?” ose pasi të jem bërë i varfër, të mos vjedh dhe të përdhos emrin e Perëndisë tim. ” (Fj. e Ur. 30:7-9).
Lindja e Krishtit si festë po afron edhe këtë vit, por mund të ndodhë paradoksi që Krishti, për të cilin bëhet festa, nga disa të krishterë në emër, të përjashtohet nga festa e tyre pavarësisht se thonë ne festojmë Krishtlindjet, Christmas. Krishtin si Mbretin e të varfërve, nuk mund ta shohim publikisht në vilat luksoze, me mantel mbretëror me kostum firmato, mes luksit dhe argëtimit profan. Ai gjendet rrugëve të qytetit, i varfër, i uritur, i zhveshur, i pastrehë, i vetmuar, i cili pret ata që festojnë Krishtlindjen t’i afrohen, ta veshin, ta ushqejnë, dhe ta ftojnë në festën për kujtim të ditëlindjes së tij, ndryshe ata nuk janë duke festuar Krishtlindje sepse; “Edhe nëse një njeri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?”(I Jn. 3: 17)
Por nuk janë vetëm të pasurit që duhet të japin nga të tyret, por dhe të varfërit duhet t’iu japin atyre që janë më të varfër se ata. Të gjithë kanë mundësi të japin diçka, që ndonjëherë është shumë e vlefshme se vetë lëmosha. Këtë na e tregon shkrimtari i madh rus Dostojevski i cili duke ecur i shkujdesur rrugës dëgjoi një lypëse që kërkoi lëmosh. Dostojevski kërkoi nëpër xhepat e tij për të gjetur ndonjë monedhë por më kot. Atëherë shkrimtari i madh, u ul në gjunjë dhe duke i puthur dorën i thotë: të më falni sepse në këto çaste nuk më ndodhet asnjë monedhë. Lypësja iu përgjigj:- Të faleminderit . E mora monedhën. Atë që më dhatë ju nuk ma ka dhënë asnjë tjetër.
Pra mirësia dhe respekti që ka nevojë çdo qenie humane, është më e madhe se vetë lëmosha, këtë të paktën çdokush mund ta bëjë, në të kundërtën; “ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar” (Fj. Ur. 17:5)
Për Krishtlindjet tregohet një histori; Njëherë Krishti u shfaq si fëmijë i vogël, i varfër midis banorëve të një qyteti të madh dhe u drejtua në pjesën më të ndritshme të qytetit, në shtëpitë e të pasurve të ndriçuara nga dritat shumëngjyrëshe, të cilët ishin gati në mbrëmje të fillonin festën me ambjente të ngrohta, tryeza të shtruara, me pemën e Krishtlindjes që poshtë saj ishin dhuratat për t’iu ndarë njëri-tjetrit. Krishti fëmijë mendoi se do ta pranonin në festën e lindjes së tij, por në çdo derë që trokiti nga brenda saj u dëgjua: “largohu, nuk kemi vend për ty, sot festojmë Krishtlindjen” atëherë Ai u drejtua nga lagjet periferike të errëta nga mungesa e dritave, për t’u pritur nga të varfërit, që të festonte bashkë me ta Krishtlindjen si Mbreti dhe Vëllai i tyre.
Le të bëhemi gati ta festojmë Krishtlindjen me Krishtin, Mbretin e të varfëve.
Divorci: një ndarje me shumë dhimbje dhe pasoja, sidomos për…
25.11.2016 Gazeta Shqiptare ,Botuar online në gazetën "Tirana Observer", dt. 13.11.2016 & Balkanweb online me titull: Dëshiron divorcin? Mendo për fëmijët....
Divorci, ky fenomen shoqëror shumë i përhapur në kohën e sotme, si term teknik vjen nga anglishtja, që në shqip përkthehet ndarje, prishje martese, veçim, shkëputje, por, kur fjala përdoret specifikisht për një çift heteroseksual, të bashkuar emocionalisht dhe fizikisht, unë personalisht dua ta quaj divorcin edhe si një “shqyerje” shumë të dhimbshme e me mjaft pasoja, për arsyet e mëposhtme:
1) Kur dy njerëz, mashkull e femër, bashkohen emocionalisht dhe fizikisht, ata nuk janë më dy trupa, por një mish i vetëm. Prandaj, edhe pse ky çift ka pasur një marrëdhënie të rastësishme, të çastit dhe pa premtim besnikërie, divorci, ndarja e shpejtë, përsëri ka pasoja, sepse secili nga partnerët ka dhënë dhe ka marrë nga tjetri sipas masës së tij dhe, ai që ka dhënë më shumë, ndihet më i fyer e më i tradhtuar. Por, mbi të gjitha, të dy kanë marrë hidhërimin e mëkatit të kurvërisë me pasoja në vetë trupin e tyre, siç edhe thuhet: “Sepse çdo mëkat që bën njeriu është jashtë trupit, por ai që kurvëron, mëkaton më mishin e tij” ( I Kor. 7:18).
2) Kur bashkimi i dy personave, burrë e grua, bëhet mbi disa parime më të larta, përtej instiktit seksual, me qëllimin human për të krijuar familje – qeliza e shoqërisë njerëzore – dhe, kur ky bashkim legalizohet nga Zoti dhe shteti, së bashku me të afërmit e çiftit dhe me shoqërinë që, si një trup, e pranon këtë qelizë të sapokrijuar me gëzimin e ripërtëritjes dhe përjetësimit të njerëzimit, përgjegjësitë e çiftit janë shumë më të mëdha dhe pasojat e divorcit nuk janë më vetëm në rrafshin personal, por ato prekin edhe shumë faktorë të tjerë, siç i përmendëm më sipër, duke krijuar fraktura midis tyre, gjë që tashmë përbën një problem social për shoqërinë.
3) Kur nga martesa e çiftit vijnë fryte të natyrshme, fëmijët, divorci i burrit me gruan, që tashmë janë baba e nënë, nuk është më thjesht një problem personal, familjar apo social, por kthehet në një fatkeqësi me shumë dhimbje e brenga, peshën më të madhe të së cilës e vuajnë dhe e mbajnë mbi vete ata që janë më të pafajshmit në këtë situatë, fëmijët. Askush nga prindërit e divorcuar, sado fajtorw apo jo që të jetë, nuk mundet dot ta kuptojë dhe ta peshojë hidhërimin e shpirtit të fëmijës, ngarkesën psikologjike që përballon dhe pasojat që do të vuajë për gjithë jetën. Kur ai sheh se dy personat më të dashur për të, që përbënin një njësi dhe që i quante prindër të dashur, papritur ndahen dhe largohen në mënyrë të tejskajshme me ftohtësi e urrejtje, si i pafajshëm në këtë situatë, shokohet dhe ndihet përbrenda si i shqyer në mes, i tërhequr gjithnjë e më shumë nga njëri skaj në tjetrin, ku divorci ia degdisi prindërit, sepse çifti nuk do të jetë më burrë dhe grua pas divorcit, por, për fëmijën, ata do të jenë deri në fund babai dhe nëna e tij.
Janë të shumta problemet psikologjike që vuajnë fëmijët. Le të përmendim disa:
1- Divorci ndikon në formimin normal të fëmijës, sepse fëmija ka nevojë për dy modele, të babait dhe të nënës, për autoritetin e babait dhe për dhembshurinë e nënës. Një fëmijë me prindër të divorcuar, djalë apo vajzë, do të ketë konfuzion në formimin e personalitetit të tij, sepse, siç thamë, mungon modeli i prindit që ai duhet të imitojë.
2- Te fëmijët krijohet një stres i vazhdueshëm në kërkim të shkakut se pse prindërit e tyre u ndanë. Fëmija, duke qenë i paaftë për të gjykuar sjelljet e të rriturve, mund të krijojë një gjykim të gabuar për prindërit, deri në urrejtje . Ose, fëmija ndihet fajtor dhe shkaktar i këtij divorci dhe i paaftë për t’i bashkuar prindërit dhe kjo e torturon çdo ditë zemrën e tij.
3- Fëmijët me prindër të divorcuar ndihen të ndryshëm nga fëmijët e tjerë me familje të rregullt. Kjo gjë u krijon stres, i mbyll në vetvete, i bën të mos jenë të çiltër në të shprehur, gjë që krijon çrregullim psikologjik dhe marrëdhënie jokorrekte me të tjerët.
4- Divorci krijon probleme ekonomike dhe fëmijët me prindër të divorcuar detyrohen të rriten në kushte të vështira, jo me arsimimin e duhur, ose detyrohen të punojnë që në moshë të mitur për të plotësuar mungesat ekonomike që vijnë për shkak të divorcit të prindërve.
5- Fëmijët rriten pa dashurinë natyrale të të dy prindërve së bashku dhe kjo do të ndikojë në jetën e tyre private, sidomos kur ata do të krijojnë familjen e tyre, duke rrezikuar të bëjnë të njëjtën gjë në jetë si prindërit e tyre. Kështu shembulli i keq i divorcit rrezikon të përsëritet e të përhapet nga brezi në brez.
Por krahas fëmijëve, të cilët janë më të sinqertë në shprehjen e ndjenjave të tyre, edhe vetë çifti i divorcuar ka pasoja të pariparueshme. Ata që u bënë më parë nga dy një, tani të ndarë pas divorcit, ndihen si dy gjysma të shqyera. Ndoshta do të përpiqen të bashkohen me dikë tjetër që të plotësojnë vetveten ose do të përpiqen të harrojnë atë që ka ndodhur, por përsëri problemi qëndron, sepse, siç thuhet: “Plaga mbyllet, por shenja mbetet”. Divorci, si plagë shpirtërore, qëndron në ndërgjegjen e njeriut. Ai që ka fajin më të madh, kurrë nuk do të jetë i qetë dhe kurrë nuk do të arrijë lumturinë me një zgjedhje tjetër. Dhe ai që ndihet i tradhtuar, kurrë nuk do ta harrojë e ndoshta kurrë nuk do ta falë atë. Prandaj, pas divorcit, personat e tradhtuar e të braktisur bien në trishtim deri në dëshpërim, gjë që krijon neuroza dhe mund t’i çojë deri në vetvrasje ata që janë të dobët emocionalisht. Ose shfaqin reagim me kundërsulm, si “mbrojtja më e mirë”, por që çon shpesh në urrejtje të pakontrolluar, deri në krim.
Pavarësisht këtyre dhimbjeve dhe pasojave të hidhura që lë divorci, ky fenomen, që në kohën e sotme është bërë, modë, vazhdon të rritet në mënyrë progresive në të gjithë botën, sidomos në atë me zhvillim të lartë ekonomik e me liri veprimi, si p.sh. në SHBA, në Kanada dhe në Evropën Perëndimore. Por edhe në Shqipëri, pas viteve ’90, ky fenomen ka gjetur terren dhe po përhapet gjithnjë e më shumë nga viti në vit. Nga studimet e INSTAT-it dhe nga Gjykatat në Shqipëri, si edhe nga studimi i agjencisë “Nation Master”, vendi ynë deri në vitin 2013 renditet i katërmbëdhjeti në botë, i pesti në Evropë dhe i pari në Ballkan për numrin e divorceve. Më konkretisht, në vitin 1990 janë divorcuar zyrtarisht 2675 çifte, ndërsa në vitin 2013 janë divorcuar 3747 çifte; pra, në vitin 1990 koeficienti ishte 9.2 divorce për 100 martesa, ndërsa në vitin 2013 ishte 15.7 për 100 martesa. Po nga INSTAT-I, në vitin 2015 regjistrohen 5255 divorce, nga 4240 në vitin 2014, duke shënuar një rritje vjetore prej 23.9%.
Shkaqet e divorcit janë nga më të ndryshmet, nga më seriozet e më të pakapërcyeshmet, deri te më banalet. P.sh., i pari është tradhtia bashkëshortore, fyerja e personit, keqtrajtimi i partnerit, vështirësitë ekonomike, që vijnë shpesh nga papunësia ose nga abuzimi me ekonominë familjare, siç është bixhozi (i cili është shkaktar për 7% të divorceve), sëmundjet që e bëjnë partnerin të mos i përgjigjet kushteve për një bashkëjetesë normale të çiftit, sëmundjet mendore, braktisja, dënimet penale afatgjata, mospërputhja e karaktereve etj.
Jo më kot e përmenda në fund si shkak mospërputhjen e karaktereve, pasi është shkaku më i palogjikshëm i divorcit. Në martesën mes dy personave, karakteret jo domosdoshmërisht duhet të jenë të njëjta; përkundrazi, karakteret e njëjta shtyhen dhe e kanë të vështirë të bashkëjetojnë, por karakteret e ndryshme plotësojnë njëri-tjetrin dhe e tërheqin më shumë çiftin.
Mendoj, dhe jo vetëm unë, se shkaku i parë dhe për shkaqe të tjera, që frymëzojnë për divorc është egoizmi, karakteristikë e brezit tonë, siç thuhet në Shkrimin e Shenjtë: “Brezi i fundit do të jetë një brez egoist” (2 Tim. 3:2). Arsyeja pse divorcohen edhe çiftet që ironikisht shpenzojnë shumë për shfaqjen, anën e jashtme të martesës së tyre, është se motivi i kësaj lidhjeje është i dobët dhe kështu nuk mund të rezistojë gjatë. Çifti është bashkuar ose thjesht nga një tërheqje seksuale, pamja e jashtme, pasuria, karriera, ose për të krijuar një qoshe të rehatshme për veten. Të gjitha këto lidhen me egon e njeriut, e cila nuk funksionon në një martesë, sepse martesa nuk është një “shëtitje në park”, por është një sfidë që përballohet me dashuri flijuese, ku personi nuk mendon dhe nuk kërkon vetëm për vete, por për tjetrin, dhe së bashku për fëmijët.
“Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës” (Mat. 12:39) i kapërcen kufijtë e egoizmit, sepse edhe këtë gjë kaq të madhe për jetën e tij, siç është martesa, ia beson vetvetes e jo Perëndisë së kudondodhur. Ai, Perëndia, krijoi çiftin e parë, Adamin dhe Evën, e më pas i bekoi duke thënë: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni e mbusheni tokën dhe nënshtrojeni” (Zan. 1:28). Vetëm Perëndia, që është përmbi çdo njeri dhe njeh secilin prej nesh në mënyrë personale, është i aftë të bëjë kombinimin e një çifti heteroseksual, ashtu siç bëri me Adamin, njeriun e parë, i cili, kur u zgjua nga gjumi dhe pa Evën të krijuar prej Zotit nga brinja e tij, tha: “Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mish nga mishi im dhe ajo do të quhet grua, sepse është nxjerrë nga burri” (Zan. 2:23). Ato çifte që ia besojnë vetes lidhjen e martesës, pa u këshilluar me Perëndinë, mbajnë vetë përgjegjësi nëse nuk gjejnë njeriun e përshtashëm dhe pastaj divorcohen duke mos duruar më, kombinimin e tyre egoist.
Aq shumë është rritur egoizmi i këtij brezi, sa thuajse po humbet edhe dëshirën për martesë, pasi ajo u duket sot disave barrw e rwndw dhe shkak detyrimesh që duhet të ngrejë një çift i martuar me dashuri të sinqertë dhe përulësi. Kjo po çon në ftohjen e ndjenjës amësore në përgjithësi edhe te femrat, të cilat ndrydhin instiktin femëror të riprodhimit dhe nuk duan as të lindin fëmijë e të bëhen nëna, sepse kjo u prish rehatinë, karrierën dhe look-un. Këtë e tregojnë edhe statistikat e INSTAT-it se, në vitin 2015, numri i lindjeve ka rënë në 8.5% dhe është rritur numri i aborteve me 0.8%. Edhe kur ato i kanë fëmijët, janë gati t’i braktisin për egon, kënaqësinë e çastit dhe karrierën. Po kështu, në përgjithësi edhe disa burra janë shndërruar thjesht në “hamshorë” dhe për këtë instikt të papërmbajtur janë gati të sakrifikojnë çdo gjë, duke tradhtuar jo vetëm gruan, por edhe fëmijët, sepse tradhtia nuk prek vetëm bashkëshortët, por edhe fëmijët që janë farë, mish dhe gjak i tyre. Këtë na e tregon edhe natyra, sepse, kur priten rrënjët e një peme, nuk thahen vetëm degët, por edhe frutat e tyre.
Krahas këtyre, në brezin e sotëm po humbet edhe ndjenja dhe tërheqja natyrale në çift dhe njerëzit po tërhiqen nga marrëdhënie jashtë natyre dhe perverse, të pafryta. Të gjitha këto janë të paralajmëruara në Shkrimin e Shenjtë, ku na thuhet: “Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria” (Mat. 24:12), “Dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet” (Mat. 10:36), “Dhe Shpirt i Shenjtë e thotë hapur, disa do të bien nga besimi… të cilët do të ndalojnë martesën” (I Tim 4.3), “Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasione të ulëta, sepse edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës. Në të njëjtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre” (Rom. 2:26-27).
Kisha Orthodhokse e konsideron Martesën një nga shtatë Misteret, të cilin e themeloi Vetë Krishti, kur shkoi i ftuar në një dasmë të nxënësve të Tij në Kana të Galilesë. Aty Ai, si Zot dhe Njeri, bëri mrekullinë e parë, shndërroi ujin në verë, gjë e cila ka kuptimin simbolik se, me ardhjen e Krishtit, martesa nuk është vetëm një marrëdhënie biologjike natyrale për të riprodhuar jetën njerëzore, siç është uji që ndihmon jetën, por martesa në Krishtin do të jetë plotësi e çiftit dhe mjet që ai të bashkohet në mister me Zotin, i Cili gjithmonë mbetet Dhëndri dhe njeriu nusja. Ky bashkim sjell gëzim të vazhdueshëm, ashtu si “vera gëzon zemrën e njeriut” (Psalmi 103). Kisha e shenjtëron martesën në emër të Krishtit me lutje dhe bekime.
Në Misterin e Martesës, simboli i unazave, i kupës së përbashkët dhe i kurorave të çiftit tregojnë domethënien e martesës si një bashkim i çiftit në plotësi shpirt-trup dhe përjetësimin e saj jo vetëm në këtë jetë, por edhe në përjetësi. Unazat që këmben çifti tregojnë se çdo person, mashkull a femër, është një gjysmë e paplotë dhe me mungesë, që plotësohet dhe përsoset nga bashkimi në çift në martesë, duke u bërë një rreth i plotë i mbyllur, duke dhënë e duke marrë nga njëri-tjetri. Kupa e përbashkët e verës është simbol i gëzimit dhe i hidhërimit të kësaj jete dhe që duhet të pihet së bashku deri në fund me vetëmohim. Kurorat janë nderi që mori çifti nga Zoti, si mbreti dhe mbretëresha në mbretërinë e tyre të vogël (familjen), në të cilën do të mbretërojnë së bashku me dashuri, drejtësi, urtësi, përulësi dhe përkushtim. Kurora u referohet edhe kurorave të martirëve të Krishtit, sepse martesa e vërtetë përfshin vetëmohimin dhe vetësakrifikimin, të cilët janë të nevojshëm që të qëndrojë një martesë deri në fund.
Martesa në Kishën Orthodhokse është e pandashme, sepse Zoti tha: “Atë që Perëndia bashkoi, njeriu të mos e ndajë”. Ajo është e përjetshme dhe çifti qëndron i bashkuar si në këtë jetë, edhe në përjetësi, në qoftë se nuk tradhtojnë njëri-tjetrin. Sipas këtij konteksti të fjalës së Zotit në lidhje me martesën, Kisha Orthodhokse nuk bie dakord me divorcin ligjërisht, por e lejon me dhembushri. Pas këshillave të përshtatshme për çiftin që është kurorëzuar në Kishë, divorci mund të lejohet dhe martesa mund të zgjidhet vetëm kur mundësitë për t’u afruar kanë shteruar plotësisht. Prandaj, në Kishën Orthodhoske, kjo lejohet me dhimbje në disa raste. Rasti i parë është tradhtia bashkëshortore, sepse Vetë Krishti tha: “Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën” (Mat. 5:32). Ky është i vetmi rast që e lejon prishjen e martesës, jo nga Zoti dhe Kisha, por nga pamundësia e çiftit për të vazhduar së bashku, për shkak të ngurtësisë së zemrës. Edhe në këtë rast këshilla për çiftin është që të falin njëri-tjetrin; ai që ka bërë mëkat të pendohet e të rrëfehet me sinqeritet, dhe ai që ndjehet i tradhtuar, të falë me dashuri, që mbulon shumë faje, sepse Krishti mëson; “Falni dhe do jeni të falur”(Luk 6. 37) Ka edhe disa raste të tjera ekstreme kur mund të lejohet divorci në Kishën Orthodhokse, si keqtrajtimi dhe dhuna, kur kjo është e pamundur për t’u korrigjuar ose kur personi largohet nga familja pa njoftuar për një periudhë trevjeçare. Në të gjitha këto raste, ai që mund të lejojë prishjen e martesës është vetëm episkopi i dioqezës, i cili, në emër të Krishtit dhe të Kishës, ka lidhur martesën që duhet të jetë e pandashme, e cila, sipas këndvështrimit orthodhoks, nuk është qëllim në vetvete, por një mjet, një shkallë që të ngjit drejt dashurisë së Perëndisë, i Cili e mëson çiftin brënda martesës: “Doni njëri-tjetrin si veten” (Mk 12.31).
Fatkeqësisht ka edhe çifte të cilat kanë vënë kurorë në Kishë dhe janë ndarë, por kjo ka ndodhur jo sepse Mister i Kishës është i pavlefshëm, ose Zoti nuk ka fuqi t’i mbajë të bashkuar, por sepse çifti e ka kryer Misterin e Martesës me hipokrizi dhe pa besim, thjesht për dukje, ose ka prishur lidhjen me Perëndinë, për shkak të mëkatit. Por pavarësisht këtyre rasteve, divorcet e çifteve që kanë bërë martesë në Kishë, kanë propabilitet më të vogël për ndarje dhe janë shumë herë më të pakta në numër, se divorcet e çifteve që e përjashtojnë Zotin nga lidhja e tyre.
Në fund, divorci është një e keqe, një ndarje, “një shqyerje” me shumë dhimbje dhe pasoja, jo vetëm për çiftin, por në mënyrë të veçantë për fëmijët, që kanë kaq shumë nevojë për të dy prindërit, atë e nënë. Çdo çift, prind, që për shkak të egos, të tekave, të tradhtisë, të dobësisë dhe të çdo vështirësie, dëshiron divorcin si zgjedhjen më të mirë, le të mendojë për fëmijët, të cilët nuk e duan divorcin e prindërve, në çfarëdo rrethane që mund të justifikohen. Krishti thotë: “Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve(fëmijë) që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për të, t’i varet në qafë një gur mulliri dhe të zhytet në thellësi të detit ” (Mat. 18:6). Për këta fëmijë, Zoti ka një përkujdesje të veçantë, do t’u falë shumë gabime dhe do t’i lehtësoj nga shumë barra, që ata do të kenë dhe mbajnë në jetë, jo për faj të tyre, por për shkak se u braktisën nga prindërit e divorcuar. Ashtu siç shkruhet: “Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte” (Psalmi 27:10). Amin.
Kanabizimi, fatkeqësi dhe “mallkim” prej të cilit duhet të shpëtojmë pa u bërë “popullor” Publikuar në Dt 02 12 /2016 ; Balkanweb & Tirana Observer & Gazeta Telegraf Dt 14/12/2016
Gazeta Telegraf.al : Miron ÇAKO: Kanabizimi, fatkeqësi dhe mallkim
Duhet t’i themi “stop’’ fenomenit të kanabizimit që po “vret” brezin e ri, ka trefishim të përdoruesve të lëndëve narkotike
Pavarësisht se koha e të korrave për parcelat e hashashit ka mbaruar, dhe duket se kultivuesit e kësaj bime narkotike po mendojnë si të sigurojnë farën e re, imazhet e thasëve me kanabis që rëndom kapen brenda dhe jashtë vendit, nuk po na shqiten nga sytë. Kur dëgjon pothuajse çdo ditë në mediat e vendit dhe ato të huaja për kapjen e kilogramëve dhe tonëve të hashashit me origjinë nga Shqipëria, trafikuar nga shqiptarët, ose kur hashashi shqiptar thonë se është i një cilësie të lartë konkurruese në tregun e drogës, besoj se çdokush që e ndien veten shqiptar të përgjegjshëm, që e do dhe kontribuon për të mirën e këtij vendi, nuk ndihet aspak mirë, madje një hidhërim me ankth e kap kur mendon të nesërmen e vendit, në qoftë se ky fenomen nuk do të parandalohet në kohë. Ata që shqetësohen të parët dhe më shumë për këtë fenomen të frikshëm janë prindërit, të cilët kanë përgjegjësinë për rritjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre, të cilët rrezikohen të infektohen nga përdorimi i hashashit, i cili po bëhet si modë për adoleshentët dhe të rinjtë, duke ia mësuar njëri-tjetrit, siç thuhet “shoqëritë e këqija prishin zakonet e mira”.
Ka dhe një kategori tjetër njerëzish, të cilët, në mënyrë pragmatiste, e shikojnë fenomenin me indiferentizëm dhe heshtin, sepse nuk e gjejnë veten ose të afërmit e tyre të prekur dhe të përfshirë në përdorimin e hashashit apo të drogërave të tjera, dhe kështu mjaftohen duke thënë vetëm “larg shtëpisë sime”. Ka disa të tjerë, të cilët e shikojnë këtë fenomen si rast të mirë për tregti fitimprurëse për një kohë shumë të shpejtë, si ekonomi ndihmëse për veten, ose edhe për vendin, duke lobuar për legalizimin e përdorimit apo mbjelljes së hashashit për tregti, si bimë mjekësore të kontrolluar nga shteti. Por, pavarësisht të gjitha këtyre përfitimeve, në dukje, fenomeni i “kanabizimit” është një fatkeqësi dhe mallkim, me shumë viktima.
Pesë kategoritë sociale, që viktimizon përdorimi i drogës
1- Viktimat e para janë përdoruesit. Të gjithë shkencëtarët, mjekët, psikologët kanë një mendim të përbashkët, se hashashi dëmton përdoruesin. Ai shkakton çrregullime të personalitetit me simptoma psikotike, që kur bëhen serioze, kanë patjetër nevojë për trajtim mjekësor. Ai prek dhe dëmton kujtesën, gjykimin dhe perceptimin, sidomos kur personi që e përdor është i ri në moshë. Hashashi është një parandalues i formimit intelektual në shkollë të adoleshentit, apo edhe i fizikut të tij, duke e bërë atë një invalid të parakohshëm të pavlefshëm për veten, familjen dhe shoqërinë. Ka shumë premisa, që përdorimi i hashashit ta fusë përdoruesin në një rreth vicioz, që nga përdorimi i kësaj droge që konsiderohet si e lehtë, përdoruesi tenton drejt atyre më të fortat si heroina, kokainë dhe kështu viktima zhytet përditë e më shumë në batakun e vartësisë ndaj narkotikëve, derisa shkon në vdekje nga hiperdozat, duke u bërë viktima e radhës në kronikën e zezë.
Përdorimi i hashashit nxit marrëdhënie seksuale të rrezikshme e të pakontrolluara, deri në perversion, duke çuar përdoruesin drejt rrezikut për infektimin me virusin vdekjeprurës HIV, ose të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Sipas ISHP, 30% e përdoruesve të drogës janë mbartës të hepatit C dhe 20% të atij B. Statistikat tregojnë se kemi një trefishim të përdoruesve nga viti 1995 në 2014. Në Shqipëri, numërohen rreth 40-60 mijë përdorues, ku dominon përdorimi i drogave nga moshat e reja, përkatësisht 14-18 vjeç. Raporti i ISHP-së në 2015, thotë se rreth 6-7% e të rinjve përdorin drogë duke filluar nga më të lehtat, si tymosja e hashashit, e deri te kokaina dhe heroina, me injeksione. Rreth 7-9 % e të rinjve të shkollave të mesme janë ekspozuar ndaj drogave në mjediset shkollore ose rreth tyre. Përdoruesit më të shumtë janë të rinjtë e zonave urbane, kryesisht qytetet e mëdha si Tirana, Fieri, Durrësi, Vlora etj. Paradoksi i hidhur, i këtyre viktimave në moshë të re, është se ata e blejnë vdekjen e tyre me para.
2- Viktimat e dyta, që viktimizohen nga të parët, dhe sigurisht vuajnë më shumë, janë prindërit e këtyre fëmijëve. Ata përballojnë çdo ditë këtë ves, vartësi të fëmijëve të tyre për drogë, e cila ka një kosto të pallogaritshme shpirtërore, shëndetësore, por edhe ekonomike. Sa dhimbje, sa lot, sa konflikte midis prindërve dhe fëmijëve, sa ekonomi të shkatërruara, që vijnë nga vjedhjet brenda shtëpisë nga vetë fëmijët, për të siguruar paratë e ‘racionit’ të përditshëm. Këto para shpeshherë sigurohen nga vetë prindërit me shumë vështirësi dhe dhimbje, të dorëzuar përpara dëshirës së papërmbajtshme të fëmijëve të tyre për të konsumuar hashash ose drogë.
3- Viktima të tjera mund të jenë ata që janë tërësisht të pafajshëm, dhe këtu flas për foshnjat e lindura nga prindër që janë përdorues të hashashit, të cilat nuk lindin me zhvillimin e duhur. Studimet kanë treguar se fëmijët që kanë lindur nga nëna të cilat kanë përdorur marijuanë, janë shumë të vegjël, nën peshë dhe kanë përmasa të kokës më të vogla sesa fëmijët e tjerë. Gjithashtu, ka edhe të dhëna për probleme në sistemin nervor, të fëmijëve të lindur nga nëna që kanë përdorur hashash gjatë shtatzënisë.
4- Viktima tjetër e radhës është vetë shoqëria e cila ka në përbërjen e saj edhe individë dhe shtetas të tillë dhe sa më shumë individë të infektuar nga vesi i përdorimit të kanabisit ose drogave, aq më shumë qytetarë me personalitet të dëmtuar, të papërgjegjshëm, joproduktiv do të kemi. Kjo situatë i jep të drejtë grupeve kriminale, të cilët fuqizohen dhe marrin kontrollin mbi shoqërinë, e cila nuk interesohet për moral.
5- Viktima e radhës është vetë shteti shqiptar. Pavarësisht punës parandaluese që strukturat e shtetit kanë bërë nëpërmjet organeve kompetente për parandalimin e fenomenit të kanabizimit dhe kjo duhet përshëndetur, por përsëri ai nuk po parandalohet. Për këtë mund të thuhen shumë arsye me akuza dhe kundër akuza, të drejta ose të gabuara, por sot media prestigjioze në Europë dhe botë, si radio BBC, etj, e cilësojnë Shqipërinë si vendin e parë në Europë për prodhimin e drogës, madje duke e quajtur kanabisin “arin e gjelbër” për shqiptarët.
Klasifikimi/ 20 vite më parë të 17-ët në botë, sot të parët në Europë. Të trishton fakti, se në vitin 1995, nga OKB cilësoheshim të 17-ët në renditje në botë, por sot në 2016-ën, cilësohemi të parët në Europë. Uroj të jetë një lapsus. Megjithatë, këto fitime prej miliona eurosh duket sikur rregullojnë ekonominë e familjeve shqiptare, të cilat e kanë pranuar kultivimin për shkak të vështirësive ekonomike, ose pamundësisë për t’u marrë me një biznes tjetër. Ky “bum” ekonomik duket se jep një përmirësim të ekonomisë në vend, por pasojat e tij, siç thonë ekspertët, janë regresive dhe e dëmtojnë ekonominë tonë të brishtë, duke e kriminalizuar e duke e bërë atë më shumë informale. E gjitha kjo kthehet në një mallkim mbi të gjithë ata që e kultivojnë, e tregtojnë, dhe fitojnë para prej kanabisit, drejtpërdrejt apo në bashkëpunim, pavarësisht statusit që mund të kenë. Kur kjo tregti dhe ky fitim i paligjshëm, bëhet i pranuar nga shoqëria, me veprimtari të drejtpërdrejtë apo me indiferencë pa kundërshtuar, mallkimi i zë të gjithë si popull, sepse ky fitim miliona euro, që sot e quajnë “ari i gjelbër”, ka në vetvete shumë dhimbje, shumë lot, shumë jetë të shkatërruara, shumë ofshama nënash që ngrihen përpara Zotit (gjykatës me drejtësi) dhe kërkojnë hakmarrje për atë që i futi fëmijët e tyre në këtë shteg vdekjeje. Çdo padrejtësi në kurriz të tjetrit kthehet në një ankim deri mallkim, i cili herët a vonë do të bjerë mbi kokën e shkaktarëve të së keqes. Ka kaq raste të tilla në jetë, saqë të gjithë mund të tregojnë nga një. Mos harrojmë se Perëndia vonon, por nuk harron të bëjë drejtësi; jo se Ai është hakmarrës por, se është i drejtë për të gjithë. Perëndia nuk të dënon, por njeriun dhe çdo popull e dënon mëkati i tij, siç thuhet: “Sepse dita e Zotit është e afërt për tërë kombet; atë që u bëre të tjerëve do të ta bëjnë ty, shpërblimi i veprimeve të tua do të bjerë mbi kokën tënde”
Momenti për reflektim të shpejtë...
Është një moment në të cilin duhet të reflektojmë të gjithë: që nga grupet mafioze kriminale, deri tek kultivuesit e thjeshtë, por edhe tek shtetarët, të cilët kanë përgjegjësinë e parë të zbatimit të ligjit për parandalimin e këtij fenomeni, i cili po bëhet shqetësim ndërkombëtar. Në të kundërtën, ky fenomen që mund të duket fitimprurës për momentin, rrezikon të na kthehet në një bumerang, në një mallkim në dëm të të gjithëve, ashtu siç ndodhi në vitin 1996, ku gati të gjithë shqiptarët, të joshur nga një fitim informal, paratë e tyre të pastra i futën në firmat piramidale, nën hundën e shtetit. Në fillim, fajdet dhanë një “pranverë” ekonomike për individin dhe vendin, por, nuk vonoi të vijë “dimri” i ashpër ‘97 me shumë viktima, fajtorë dhe të pafajshëm. Kjo gjë nuk ndodhi ashtu kot. Të gjithë e dinin se ishin futur me dashje në atë vorbull të fitimit të papastër, i cili mund të ishte pastrim parash, apo çdo lloj krimi ekonomik a social, në dëm të personave, familjeve, popujve dhe vendeve të tjera. Meqenëse e pranuam pothuajse të gjithë, po ashtu, pothuajse të gjithë e paguam. Historitë e harruara rrezikojnë të përsëriten. Sot, secili duhet të bëjë detyrën e tij qytetare me kurajo, me përgjegjësi morale dhe institucionale, qoftë ky shtetar, politikan, ekonomist, arsimtar, besimtar, ateist, qytetar, prind, i ri, etj. Të gjithë duhet t’i themi “stop’’ fenomenit të kanabizimit të vendit, sepse ne nuk duam të bëhemi qendër e kultivimit të kanabisit (hashashit) në mes të Europës dhe të etiketohemi si “Kolumbia e Europës”. Vetë Europa e Bashkuar siç shohim dhe dëgjojmë, nuk e toleron këtë gjendje, dhe e ka vendosur si një ndër kushtet për negociatat; “luftën kundër krimit të organizuar dhe kultivimit të drogës”, kusht, i cili duhet përmbushur patjetër, në mënyrë që shteti dhe populli shqiptar të bëhet anëtar i BE, gjë që kemi gati një çerek shekulli që po e kërkojmë me ngulm, por nuk po ia arrijmë dot.
Historia e Halloween-in dhe a duhet festuar kjo ditë ?! 29/10/2016 Gazeta Shqiptare & Balkanweb & Nga Miron Çako; Botuar dhe publikuar në Tirana Observer
Mbrëmjen e 31 tetorit duke u gdhirë data 1 nëntor, në shumë vende të botës, sidomos në Amerikë dhe Evropë, festohet dita e Halloëeen-it, që çdo vit po bëhet një festë gjithnjë e më popullore, madje në Amerikë ajo renditet e dyta pas Christmas (Krishtlindjes). Kjo ditë festohet nga çdo moshë, veçanërisht nga të rinjtë dhe fëmijët.
Në Shqipëri, në vitet ’90, pas izolimit komunist-ateist, kjo festë e importuar si shumë gjëra të tjera nga bota e lirë, filloi të festohej edhe nga shqiptarët si një imitim i rëndomtë, madje shumë nga ata që e festojnë, nuk dinë se çfarë kuptimi ka e çfarë mesazhi përcjell, por, të shtyrë nga mentaliteti i turmës dhe për të qenë “trendy”, e festojnë këtë ditë me të gjithë aksesorët, argëtimet dhe shpenzimet por e përsëris, duke mos ditur se çfarë po bëjnë, mirë apo keq, për vete dhe sidomos për fëmijët, që janë nën përgjegjësinë e të rriturve.
Prejardhja e Halloween-it
Prejardhja e kësaj feste vjen nga shumë shekuj përpara nesh dhe mund ta datojmë rreth 600 vjet pr.K. Ajo ishte një festë “ritual” pagan në kalendarin e Keltëve.
Ata, duke qenë në padije për fenomenet natyrore, i hyjnizonin këto duke i personalizuar me “perënditë” dhe sidomos stinën e verës dhe të dimrit. Me largimin e stinës së ndritshme dhe të ngrohtë të verës dhe me fillimin e dimrit të errët e të ftohtë, ata besonin se kjo ishte koha kur shpirtrat e këqij të të vdekurve të atij viti, që nuk kishin gjetur vend në mbretërinë e vdekjes, kërkonin të ktheheshin te trupat e të gjallëve. Druitët (sekt pagan) ia besonin këtë natë “zotit të vdekjes”, Samhait, i cili, sipas tyre, mblidhte shpirtrat e këqinj dhe, pasi ata të kishin larë mëkatet, i dërgonte në parajsën e keltëve. Ata besonin se atë natë cipa e ndarjes midis të gjallëve dhe të vdekurve bëhej shumë e hollë dhe kështu bënte të mundur kalimin e të vdekurve te të gjallët. Prandaj, populli pagan, i frikësuar nga këto bestytni, vishej me rroba prej lëkure kafshësh dhe maska, në mënyrë që të mos njihej nga shpirtrat e ligj; ose, burrat visheshin si gra dhe gratë si burra, ndiznin zjarre të mëdhenj për t’i trembur shpirtrat dhe mbanin në hyrje të shtëpive ushqime dhe pije të forta dehëse, për t’i marrë me të mirë shpirtrat e ligj.
Kjo festë pagane u festua në këtë mënyrë profane, derisa në këto vende erdhën misionarët e krishterë dhe Kisha në perëndim u përpoq me urtësi që kësaj feste, si edhe festave të tjera pagane, t’i jepte një kuptim të vërtetë shpirtëror të bazuar në doktrinën e krishterë e sidomos për atë çka ndodh me shpirtin e njeriut pas vdekjes. Në shek. VII, papa Bonifaci IV, me urdhër papal vendosi që 1 nëntori të festohej si dita e shenjtorëve, e shpirtrave të drejtë, dhe kjo ditë quhej All Halloës Day. Në vigjilje të festës, njerëzit, tashmë të krishterë, vazhdonin të mblidheshin, por jo më për shpirtrat e ligj, por për një tjetër festë fetare me emër All Halloës Eve (vigjilje për shenjtorët) -emër, i cili në vazhdim do të bëhej Halloëeen, siç e njohim sot.
Cila është doktrina e krishterë për jetën pas vdekjes?
Perëndia Triadik: Ati, me anën e Fjalës (Birit) dhe Shpirtit të Shenjtë, pasi i krijoi nga asgjëja, të gjitha gjërat e dukshme dhe të padukshme, më në fund krijoi njeriun, kurorën e krijimit. Të gjitha i krijoi me urdhrin “bëhu” dhe ato u bënë (Zan. 1), ndërsa për njeriun Perëndia veproi me një kujdes të veçantë: “Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete (shpirti) dhe njeriu u bë një qenie e gjallë” (Zan. 2:7).
Njeriu është krijuar sipas ikonës së Perëndisë dhe në përngjasim me Të, si një mikrobotë, një qenie psikosomatike, trup (material dheu) dhe shpirt (jo material i kësaj bote). Në të janë bashkuar shpirtërorja dhe materialja, qielli dhe toka. Njeri nuk mund të quhet dikush që nuk i ka këto dy elementë, ashtu siç thonë edhe Etërit e Kishës: “Trupi pa shpirtin është kufomë, dhe shpirti pa trupin është fantazmë”. Shpirti është vetë njeriu (uni), që përbëhet nga mendja, vullneti dhe dëshira, të cilat janë energji të shpirtit. Shpirti është i lidhur me trupin, siç lidhet balta me ujin; është në të gjitha pjesët e trupit dhe si qendër ka zemrën, selinë e shpirtit. Shpirti, duke qenë një substancë jomateriale dhe e pavdekshme, i jep jetë trupit, duke e bërë edhe atë të pavdekshëm. Vdekja e njeriut erdhi si aksident, për shkak të mëkatit të parë që bëri njeriu i shtyrë nga zilia e djallit, që të thyente porosinë e Perëndisë: “Mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur me siguri” (Zan. 2:17). Vdekja është një mister i frikshëm, një ndarje me forcë e shpirtit nga trupi, prandaj është e dhimbshme dhe e padëshiruar për njeriun. Pas vdekjes, shpirti del nga trupi dhe, para se të vinte Krishti në botë, mbi çdo shpirt kishte pushtet djalli “zoti i vdekjes” me demonët e tij, i i cili i burgoste shpirtrat në Hadh, në nëntokë. Shpirtrat e njerëzve nuk mund të qarkullonin lirshëm në hapësirë dhe kohë, sepse ishin robër të demonëve në botën e të vdekurve. Me ardhjen në botë të Jisu Krishtit si Zot dhe Njeri, Shpëtimtari, djalli “zoti i vdekjes”, që e ka fuqinë te mëkati, e humbi pushtetin absolut mbi shpirtrat, sepse Krishti shpagoi mëkatet e njerëzve me Gjakun e Tij në Kryq. Ai, pasi e mundi dhe e lidhi djallin, e hodhi në fund të humnerës Hadhit, pastaj plaçkiti mbretërinë e vdekjes, duke i liruar shpirtrat e të drejtëve që prisnin ardhjen e Shpëtimtarit, të profetizuar që nga Adami deri te të gjithë profetët pr.K. Ata shpirtra besnikë u ngjitën me Krishtin në Parajsë. Në Hadh mbetën shpirtrat e mëkatarëve që nuk e pranuan Krishtin si Shpëtimtar, i Cili u predikoi në botën e të vdekurve, kur zbriti Vetë mes tyre si i vdekur për tri ditë. Ashtu siç përmendet në Shkrimin e Shenjtë: “Ai shkoi t‘u predikojë shpirtrave që ishin në burg” ( 1 Pet. 3:19).
Ata me ankth, presin gjykimin përfundimtar nga Zoti në ditën e fundit.
Tani, pas Krishtit, kur një njeri vdes, ai gjykohet me një gjykim të posaçëm të menjëhershëm, sipas besimit dhe veprave që ka bërë në jetën e tij tokësore, mbas gjykimit të drejtë, ky shpirt vendoset me urdhër të Zotit Krisht ose në Parajsë ku gëzohet me engjëjt, ose në Hadh, ku mundohet nga demonët, të cilët kanë ende pushtet mbi Hadhin dhe torturojnë shpirtrat mëkatarë. Si shpirtrat e të drejtëve që janë në Parajsë, ashtu edhe shpirtrat e mëkatarëve që janë në Hadh, presin ditën e fundit të botës, që do të paraprijë me ngjalljen e të vdekurve, ku do të gjykohen të gjithë, nga njeriu i parë e deri te njeriu i fundit, dhe do të gëzojnë ose do të mundohen, jo vetëm me shpirt, por edhe me trup. Ngjalljen e të vdekurve na e siguron Ngjallja e Krishtit, që është fryti i parë i atyre që kanë fjetur. “Sepse sikurse të gjithë vdesin në Adamin, të gjithë do të ngjallen në Krishtin, por secili sipas radhës së vet. Krishti fruti i parë… Armiku i fundit që do të asgjësohet është vdekja” (I Kor. 15:22-23, 26). “Sepse ne të gjithë duhet të dalim përpara gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirë, qoftë në të keqe” (II Kor. 5:10). Pas këtij gjykimi përfundimtar që do të bëjë Krishti: “Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por të gjithë gjykimin ia la Birit ( Krishtit)…sepse është Biri i njeriut”(Jn. 5:22-27), atëherë përfundimisht njerëzit do të vendosen me trup e me shpirt ose në Parajsë (Qiellin e ri dhe Tokën e re), që të gëzohen bashkë me Zotin, ose në Ferr, që të hidhërohen përjetë bashkë me djallin dhe demonët, sepse punët e tyre bënë.
Përkujtimoret e të fjeturve (vdekurve), në Kishën Orthodhokse
Deri sa të vijë ditë e madhe e gjykimit e të gjithë njerëzve dhe Krijimi i Ri, Kisha Orthodhokse, vazhdon të lutet për shpirtrat e të fjeturve (vdekurve). Krishtërimi është besimi i dashurisë dhe lutja për të vdekurit është një shprehje e saj. Ne i lutemi Perëndisë të kujtojë shpirtrat e të afërmve tanë, sepse i duam ata. Pasi të dashurit tanë kanë vdekur, komunikimi fizik me ta është i pamundur, por Kisha na inkurajon të shprehim dashurinë tonë për të afërmit tanë të larguar nga kjo jetë nëpërmjet shërbesave përkujtimore (trisai), lutjeve, bamirësive në emër të tyre. Të krishterët i kujtojnë të fjeturit në ditën e 3-të, të 9-të,të 40-të, në 6 muaj, në 1 vit dhe në çdo përvjetor të largimit të tyre nga kjo jetë. Komunikimi ynë me shpirtrat e të vdekurve duhet të zhvillohet në Krishtin dhe përmes Krishtit, që është Zot i jetës dhe i vdekjes, dhe vetëm nëpërmjet urdhrit të Tij, shpirtrat mund të lëvizin nga një vend në një vend tjetër. Krishti thotë për veten: “Unë i kam çelësat e ferrit dhe të vdekjes” (Zb. 1:18). Asnjë komunikim dhe mënyrë tjetër me të vdekurit nuk është e mundur . Çdo komunikim tjetër është mashtrim nga demonët, të cilët shfaqen si fantazma me fytyrë dhe zë të të vdekurve tek ata që kërkojnë të lidhen me shpirtrat me anën e mediumëve ose nekromandisë (flas me të vdekurit).
Kisha tregohet e matur dhe nuk ka një doktrinë të detajuar për botën e përtejme, sepse ajo është përtej arsyes sonë dhe nuk është e nevojshme që ne të dimë më tepër për misteret e saj. Por ne i kujtojmë shpirtrat e të vdekurve me shpresën e ekonomisë së dashurisë së Perëndisë, që do të bëjë më të mirën për ata shpirtra të dashur për ne, që ata të prehen në paqe, duke gjetur shkak nga lutjet dhe bamirësitë që bëjnë të gjallët në emër të të vdekurve. Për këtë arsye Kisha Orthodhokse ka vendosur ditë të caktuara në vitin liturgjik për lutje për shpirtrat e të vdekurve, si p.sh. e Shtuna e Shpirtrave, ditë që kremtohet dy herë gjatë vitit: të shtunën para Kreshmës së Madhe para Pashkës dhe të shtunën para Pentikostisë (50 ditë pas Pashkës); por edhe çdo të shtunë të çdo jave, ditë që na kujton të Shtunën e Madhe, kur Krishti pushoi në varr përpara Ngjalljes të dielën. Dita e Gjithë Shenjtorëve në Kishën Orthodhokse festohet një javë mbas Pentikostisë (zbritja e Shpirti të Shenjtë) dhe çdo vite kremtohet në data të ndryshme.
Një traditë e krishterë orthodhokse është edhe koliva ose gruri i zier, që sillet me një tabaka për t’u bekuar dhe për t’u ndarë në përkujtim të të vdekurve. Koliva shpreh besimin për ngjalljen e të vdekurve në jetën e përjetshme: ashtu si një jetë e re fillon nga kokrra e grurit e futur në tokë, kështu edhe trupat e të krishterëve të varrosur do të ngrihen të ngjallur, plot fuqi dhe lavdi, për një jetë të re me Perëndinë, siç tha Jisui: “Kokrra e grurit që bie në tokë, po të mos vdesë, mbetet vetëm; por po të vdesë, jep shumë prodhim” (Jn. 12:24).
Si është shndërruar dhe si ka degraduar sot All HallowsDay (dita e gjithë shenjtorëve dhe e shpirtrave)?
Pavarësisht se që prej shek. VII Krishterimi në perëndim, i dha një kuptim tjetër ditës pagane për shpirtrat e të vdekurve dhe besimit te “zoti” pagan i vdekjes Samhai, duke e quajtur këtë ditë All Halloës Day (Dita e gjithë Shenjtorëve) dhe Krishtin, Zotin e vërtet të shpirtrave, përsëri njerëzit, për shkak të tendencës që kanë për t’iu shmangur të vërtetës, të drejtës dhe për t’u besuar shpejt frymërave dinake, vërehet se e shndërruan përsëri kuptimin e kësaj feste, nga e krishterë në pagane, ashtu siç thuhet te Fjalët e Urta: “Qeni (i pabesi) u kthye në të vjellat e veta dhe dosa, (imorali) pasi u pastrua, u fut në llucë”.
Në Amerikë, të ndikuar nga dita e Halloëeen-it, e cila filloi të festohet që prej shek. XIX nga emigrantët irlandezë, çdo vit rreth 40% e popullsisë, gati 120 milionë amerikanë, vishen me kostume të ndryshme, duke përfshirë të gjitha grupmoshat: fëmijë, të rinj, të rritur, madje edhe kafshët shtëpiake. Kostumet janë dizenjuar me pamje skeletesh, shtrigash, vampirësh, infermieresh vampire seksi, piratësh, zanash, mumjesh, si Dracula etj. Gjithashtu kanë hyrë në qarkullim edhe kostumet e personazheve superheronj të filmave Disney, si: Batman, Spiderman etj. Gjithë këto shpenzime kapin shifra marramendëse, miliarda dollarëshe.
Zakonisht si simbol i kësaj dite mbahet një kungull. Ky simbol e ka origjinën nga legjenda pagane kelte, e cila na thotë se një njeriu të keq dhe pa moral, pasi vdiq dhe duhej të shkonte në ferr, djalli e kthehu mbrapsht nga bota e të vdekurve dhe i futi brenda një rrepe qymyr të ndezur që ta kishte gjatë gjithë rrugës në përjetësi, duke u endur nëpër botën e të gjallëve se mbeti jashtë nga mbretëria e të vdekurve. Në Amerikë, meqenëse ka shumë kunguj, kjo traditë u zëvendësua me kunguj të gdhendur si kafkë njeriu, të cilët kanë një qiri brenda dhe vendosen në hyrje të shtëpisë, gjoja për të larguar shpirtrat e ligj, dhe janë bërë shenjë dalluese e Halloëeen-it. Tjetër simbol që përdoret është simboli i skeleteve dhe i kafkave, i cili në shumë kultura ka shërbyer si manifestim i vdekshmërisë së njerëzve, frikës nga vdekja ose kujdesit ndaj rrezikut vdekjeprurës. Keltët besonin se kafka ishte vendi ku rrinte shpirti njerëzor dhe prezantonte fundin e pjesës fizike të jetës. Përdoret gjithashtu simboli i insekteve të frikshme, që qëndrojnë në vende të shkreta dhe në errësirë, si merimanga ose lakuriqi i natës. Lakuriqët e natës janë pjesë e legjendave të ndryshme, sipas të cilave ata komunikonin me të vdekurit, ose lidhen me legjendat e vampirëve, të cilat janë pjesë e folklorit të Halloëeen-it, duke qenë se vampirët mund të ktheheshin në krijesa më të ulëta, si lakuriqët e natës. Macja e zezë, sipas paganëve keltë, ishte rimishërimi i shpirtrave të njerëzve të ligj. Figura e maces ishte simboli i shpirtrave të këqij ose i shtrigave që kthehen në mace. Shumica e shtrigave ishin gra të vetmuara që mbanin mace të zeza. Të gjitha këto simbole, dhe të tjera që përdoren si aksesorë në ditën e Hallëoeen-it, nuk kanë aspak lidhje me ditën e Gjithë Shenjtorëve, por kanë lidhje me demonët. Kjo ditë është kthyer në një demonolatri (adhurim i djallit), ashtu siç thuhet: “në kohërat e fundit do të ngrenë krye disa nga besimi, e do t’u mbajnë vesh, shpirtrave gënjeshtarë dhe mësimeve të djallit” (1 Tim. 4:1).
Kjo vërtetohet nga fakti se, në gjuhën e grupeve satanike Halloëeen përkthehet “satanai qoftë i lartësuar” madje një nëntori është për ata, fillimi i vitit të ri satanik dhe përgatitjet fillojnë 5 javë përpara, ku kryen çdo veprim për adhurimin e satanait, si mesha të zeza, magji, orgji dhe sakrafica kafshësh dhe njerëzish. Edhe fjalët “Trick or Treat” (gostitje apo rreng) që thonë fëmijët të veshur me kostume dhe maska të frikshme, në dyert e shtëpive duke kërkuar karamele, ëmbëlsira për Hallëoeen, përkthehet për satanistët “Më jep diçka, në këmbim të magjisë“
Konkluzion
1- Sipas një sondazhi të zhvilluar për Halloëeen-in, në vitin 2007 , më shumë se 1/3 e amerikanëve besojnë te fantazmat, dhe rreth 23% e popullsisë pohojnë se kanë ndierë praninë e një fantazme, që janë në të vërtetë truqe demoniake. – Duke marrë parasysh kohën e sondazhit, gjërat kanë shkuar edhe më keq në ditët e sotme.
2- Frika nga të vdekurit dhe shpirtrat e tyre në ditën e Halloween-it është një ofendim për dinjitetin e shpirtit njerëzor dhe kjo gjë nuk na afron me paraardhësit tanë të vdekur. Gjithashtu është një degradim i të gjallëve, të cilët marrin një pamje të shëmtuar e të frikshme, duke hedhur tej bukurinë njerëzore; dhe kjo nuk ndodh vetëm në ditën e Halloëeen-it, por po kthehet në modë në veshjen e përditshme, me dizajne dhe simbolika të frikshme, me pamje dragonjsh, demonësh dhe kafka të vdekurish.
3- Njerëzit krijojnë një këndvështrim të gabuar për misterin e vdekjes; ata po tallen me vdekjen, duke harruar se ajo është një borxh për të gjithë ne dhe se duhet të përgatitemi për t’u përballur me të e jo thjesht ta refuzojmë, “frikësojmë” atë me rite dhe simbolika të vetë vdekjes. Vdekja vjen si hajduti dhe është portë e hapur që të çon te Gjykatësi, ashtu si Zoti Jisu Krisht paralajmëron: “Rrini zgjuar (vigjiloni) dhe jini gati, se nuk e dini në cilën orë vjen Zoti juaj” (Math. 24:42).
4- Kjo ditë me perfomancë vdekjen, me të gjithë aksesorët e saj deri në makabritet, është një shembull i keq për fëmijët tanë, të cilët duan ta shikojnë dhe ta gëzojnë jetën me ngjyra të ndritshme, me gjëra të gëzuara dhe me njerëz me pamje të bukur. Halloëeen-i e deformon psikikën e fëmijës dhe injekton tek ai frikëra për gjëra që nuk ekzistojnë, si fantazmat ose shpirtrat e ligj, që gjoja qarkullojnë në hapësirë për t’u futur në trupat e të gjallëve, e të fëmijëve.
5- Këtë ditë pavarësisht se njerëzit i bëjnë një sfidë vdekjes, ose duan t’i largojnë shpirtrat e këqij, përsëri ndodhin aksidente tragjike, vdekje të papritura, tek vetë ata që festojnë Hallwooen- in, sepse është shkruar: “Çfarë do të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë” (Gal. 6:7).“Të pabesit i ndodh ajo nga e cila ka frikë.”(Fj. Ur. 10:24)
Çdo kush është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij, të festojë apo jo Halloween-in. Por kujdes, se vërtet “gjithçka më lejohet, por jo çdo gjë më sjell dobi” (1 Kor.10:23). Pra, çdo zgjedhje ka kosto dhe përgjegjësi, jo vetëm për vete, por sidomos për fëmijët, të cilët janë të pafajshëm dhe të paditur, por që gabojnë duke imituar prindërit dhe të rriturit.
Klithma e heshtur : Nga Miron Çako; Botuar dhe publikuar në Dt 29/01/2016 Gazeta Shqiptare, Balkanweb, Tirana Observer
Paradoksi i këtij shek. XXI pas Krishtit është se pavarësisht se njeriu ka fituar shumë njohuri dhe aftësi aq sa të kontrollojë fenomenet dhe ligjet natyrore si p.sh. gravitetin duke fluturuar përtej orbitës me dëshirën për të eksploruar kozmosin edhe pse jo për ta sunduar atë, përsëri instinktin e tij primitiv për të derdhur gjak të pafajshëm, të njëjtë si të tijin, ai nuk e ka sunduar ende, as nuk është shkëputur për asnjë çast prej tij. Për ditë ne në kronikën e zezë të lajmeve shohim kaq shumë krime dhe gjak saqë kjo na është kthyer në kërshëri dhe argëtim, ashtu siç bënin paganët në qytetet e lashta të cilët argëtoheshin duke parë gjak në arenat e amfiteatrove në ndeshjet për vdekje midis gladiatorëve. Ky argëtim mizor u mbyll përfundimisht me ligjin që vendosi në shek. IV Kostandini i madh i pari mbret i krishterë në Europë.
Por sot unë dua të flas, madje të bërtas për një tjetër gjak, jo midis burrave gladiatorë ose ushtarëve në luftë, ose të mizorive kundër civilëve si ato që shohim përditë në vendet e lindjes nga fondamentalistët xhihadistë, por për ata që theren, klithin pa u dëgjuar dhe nuk kanë mundësi të ankohen ose të bëjnë padi në gjykatë për shkelje të të drejtave elementare të njeriut siç është ajo e jetës. Ata sakrifikohen çdo ditë dhe gjaku i tyre kalon nëpër kanalet e ujërave të zeza dhe pastaj derdhet në det duke e skuqur, mallkuar gjithë globin dhe duke klithur nga nëntoka për hakmarrje si gjaku i Abelit. Ata që vriten çdo ditë nuk kanë emër të veçantë por një emër të përbashkët embrion njerëzor dhe një mënyrë të përbashkët sakrifikimi e cila quhet abort.
Çdo ditë në botë abortohen 125 mijë foshnja dhe në vit 40-50 milionë. Në Shqipëri sipas INSTAT-it në 2009 ishin afërsisht 9000 dhe në 2014 numri i aborteve ishte 5572. Pavarësisht se numri i statistikave është ulur nga viti në vit, por duke qenë se klinikat private nuk i deklarojnë abortet e tyre, kështu numri mbetet i lartë. Mund të themi se aborti me vegla është pakësuar, dhe kjo ka sjellë shtimin e abortit medikal. Aborti medikal ose mënyra me tableta kryhet jo më shumë se 6-7 javët e para. Ende nuk është legalizuar zyrtarisht si formë por këto medikamente gjenden në farmaci dhe njerëzit nuk ngurrojnë t’i marrin. Prandaj dhe numri i aborteve nuk është ai që thuhet nga statistikat, por siç thamë gjithnjë e më i lartë.
Në gjuhën e mjekësisë abort do të thotë: “ndërprerje artificiale e lindjes”. Sot, sipas konceptit bashkëkohor të lirisë ku njeriu mund të bëjë çfarë të dojë me vetveten dhe sidomos i qarqeve dhe i grupeve feministe me parullën dhe sloganet e tyre të njohura “jashtë ligjet nga trupat tanë” aborti reklamohet si diçka normale madje në shumë vende edhe në vendin tonë i lejuar edhe me ligj. Ky veprim shikohet thjesht sikur gruaja të heqë nga trupi i saj një masë të huaj mishi më e vogël se një nishan dhe më e madhe se një masë tumoriale, por në të vërtetë nuk është kështu. Këtë nuk e thonë vetëm ata që janë kundër abortit, që dikush me frymë liberale mund t’i quajë si fetarë mediokër dhe fanatikë.
Historikisht gjatë gjithë shekujve të njerëzimit aborti është konsideruar si një vrasje dhe personat që e kryenin te vetja ose te të tjerët dënoheshin si vrasës. Persët dhe Romakët të cilët krijuan qytet-shtete dhe perandori me legjislacionin e tyre e dënonin abortin si vrasje. Me ardhjen e krishtërimit në Europë dhe në botë aborti u dënua akoma më shumë jo vetëm si veprim i dhunshëm, por edhe moralisht dhe shikohej si mëkat kundër vetë Zotit, që krijon çdo njeri në mënyrë të veçantë sipas ikonës së Tij. Ky ligj juridik dhe moral zgjati deri në shek. XX. Për herë të parë aborti u lejua me ligj në vitin 1920 në Bashkimin Sovjetik kur pushtetin e morën ateistët komunistë me në krye Leninin.
Pastaj aborti u lejua me ligj 1930 edhe në vende të tjera si Turqi, Danimarkë, Suedi, Islandë dhe Meksikë. Në vitin 1950 u lejua me ligj të imponuar nga BS në të gjitha vendet vasale të kampit socialist si Bullgaria, Çekosllovakia, Rumania, Polonia. Në vitin 1967 u lejua në Britani dhe në 1975 me vendimin e gjykatës së lartë federale në SHBA, në 1990 në Belgjikë dhe 1995 në Shqipëri me ligj nr. 8045 dt. 7.12.1995 ‘Për Ndërprerjen e Shtatzënisë” në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr. 7491 datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese” me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë vendosi: “Në rastet kur gruaja vlerëson se shtatzënia i krijon probleme psikosociale, ndërprerja e vullnetshme mund të kryhet brenda javës së 12 të shtatzënisë”.
Por çfarë është aborti në të vërtetë nuk mund ta thonë as liberalët as grupet feministe ndoshta as edhe fetarët. Se çfarë është aborti në vetvete duhet ta thotë shkenca e mjekësisë dhe sidomos ajo e gjinekologjisë. Vërtet janë bërë shumë debate për këtë temë çfarë është brenda trupit, placentës së nënës deri në momentin e lindjes, kemi një jetë autonome apo një copë mishi dhe kur del jashtë asaj, një jetë e pavarur.
Një mendim i përhapur në mjekësi sidomos në SHBA 1970 ishte se jeta e embrionit fillon në javën e 12, mbas tre muajsh. Kjo ide përligji abortin gati 91 % të rasteve, por ekzaminimi shkencor i një gjinekologu Benart Natanso, ish drejtor i një klinike private më të madhe abortesh në botën perëndimore i cili brenda 2 vjetëve kishte kryer 60 mijë aborte përmbysi gjithçka. Ai në rrëfimin e tij thotë se 1949 kur ishte student embriologjia nuk ekzistonte fare si shkencë dhe na thuhej se fëmija i palindur është diçka në mitër, por ishte me të vërtetë çështje besimi, se embrioni ishte një qenie njerëzore, dhe se kjo qenie njerëzore kishte disa karakteristika të veçanta personale.
Ky opinion ndryshoi në vitin 1970. Në atë kohë, shkenca e embriologjisë, u zhvillua me vrull, për shkak të teknologjisë bashkëkohore. Ai i shqetësuar për drejtësinë e veprimeve të tij, vuri në zbatim një teknikë dhe mjete bashkëkohore për studimin e çështjes. Me anë të ultratingujve (eko) ai pa se ç’ndodh kur bëhet aborti i një 12 javëshi. Gjithçka ai e regjistroi në një video kasetë, duke vërtetuar se; embrioni nga ndërhyrja e mjekut gjinekolog e ndjen rrezikun që e kërcënon mjeti vrasës për abort dhe shpreh ndjeshmërinë dhe shmangien nga ky rrezik, lëviz me nxitim në mënyrë të shqetësuar, rrahjet e zemrës i rriten nga 140 deri në 200 rrahje në minutë, hap dhe mbyll gojën sikur nxjerr një klithmë, prandaj ai e quajti këtë video-kasetë “klithma e heshtur” dhe e publikoi botërisht.
Personalisht ai hoqi dorë nga aborti dhe mori angazhimin në përpjekjen për të krijuar një lëvizje shkencore dhe morale kundër abortit. “Ai rrëfen publikisht se 1969 isha një nga themeluesit e Naranit, Lidhja Kombëtare për të Drejtat e Abortit. Që atëherë u shfaq një shkencë e njohur si embriologji. Të gjitha studimet pa përjashtim dolën në përfundimin se foshnja e palindur është një qenie njerëzore e pandarë prej nesh, një anëtare esenciale e shoqërisë sonë. Shkatërrimi i një krijese njerëzore nuk është zgjidhje për një problem kryesisht shoqëror, besoj se kalimi me një dhunë të tillë është prapambetje shkencore dhe akoma më keq një rënie morale. Nuk mund të besoj se amerikanët që dërguan njeriun në hënë nuk mund të gjejnë një zgjidhje më të mirë se sa aborti. Pra të gjithë ne duhet t’i kushtohemi një përpjekjeje të palodhur që të gjejmë një zgjidhje më të mirë që ta bashkojmë dashurinë me mëshirën dhe respektin e jetës njerëzore. Për hir të njerëzimit le të mos vrasim më”.
Sot mjekësia bashkëkohore nëpërmjet teknologjisë ka
arritur të shikojë të gjitha etapat e zhvillimit të jetës që nga konceptimi,
bashkimi i spermatozoidit me vezoren, te formimi i embrionit te të gjitha
stadet deri në momentin e lindjes. Dhe rezultatet e këtij zbulimi janë si më
poshtë:
a) Embrioni brenda 18 ditëve (4 javë) ka filluar të bëhet i ndjeshëm, është
6.5ml, peshon 0.02 gram, zemra rreh e pompon gjak, fillon formimi i sistemit të
tretjes, i shtyllës kurrizore dhe dalin sythat e para të krahëve dhe këmbëve.
b) Mbas javës së pestë deri javën e tetë embrioni zhvillohet me të shpejtë, shkon rreth 2.85 cm, peshon rreth 7 gram, ka fytyrë, sy dhe hundë, janë formuar këmbët, gjuha dhe qepallat, trupi mer formë, organet e brendshme marrin zhvillim.
c) Fetusi në fund të 12 javëve (3 muajt e parë) është rritur 7.62 cm dhe peshon 45 gr, duart, gishtat, këmbët janë formuar plotësisht, fillon zhvillimi i thonjve, llapat e veshëve janë formuar, sytë janë zhvilluar pothuajse plotësisht ndërsa qepallat janë në zhvillim e sipër, formohen vendet e dhëmbëve dhe sythat e tyre në kockën e nofullës dhe rrahja e zemrës mund të ndihet me një instrument të posaçëm, pra sipas këtij ekzaminimi shkencor fetusi në javën e 12 është një njeri i plotë dhe që nga ky moment nuk mbetet gjë tjetër veçse rritja dhe zhvillimi i tij.
Gjinekologu Benard Natanson tregon në videon e tij mjetet që përdor kirurgu për të kryer abortin të cilat ngjajnë si shpata dhe heshta që copëtojnë trupin e këtij embrioni dhe mjeku për të mos tronditur nënën që po bën abort çdo pjesë të copëtuar të trupit të fëmijës që e nxjerr pres saj i vendos një numër dhe kështu gruaja nuk kupton se në ato momente janë duke dalë gjymtyrët e prera të fëmijës së saj. Jo vetëm ky mjek ndryshoi rrënjësisht këndvështrimin për abortin por dhe të tjerë mjekë të dëgjuar si profesori francez Jeronim Lezen për çështjen e abortit shkruan:
“Zhdukja e një embrioni në çfarëdo moshe qoftë, është e barasvlershme me vrasjen e një qenieje njerëzore. Fillimi i jetës së një qenieje njerëzore i takon momentit të ngjizjes dhe kjo qenie njerëzore është e përkryer dhe e veçantë, është një sepse është e veçantë në të gjitha pikat dhe është e veçantë se nuk mund të zëvendësohet me diçka tjetër” po ashtu doktori Enest Hunt gjatë një studimi të tij arriti në konkluzionin se: “veza e pllenuar nuk është thjesht një masë qelizore pa karakteristika të veçanta, por është plotësisht dhe tërësisht jeta e një qenieje njerëzore, e cila ka aq gjallëri në vetvete sa një foshnjë, sa një fëmijë sa një i ri ose i moshuar.
Si rrjedhim aborti vret jetë njerëzore qoftë kjo edhe në hapat më fillestare”. Kështu mjekët që kanë bërë betimin e Hipokratit për të respektuar jetën, pavarësisht se mund të justifikohen, duke thënë, se ne vetë nuk duam ta kryejmë abortin, dhe jemi të detyruar të respektojmë lirinë e individit, kjo gjë nuk i justifikon se këtu nuk bëhet fjalë për një individ po për dy, njëri: “nëna që ka të drejtë sipas saj të ankohet dhe të lirohet nga kjo barrë, kurse individi tjetër “embrioni (fëmija) që nuk ka mundësi të ankohet dhe të mbrohet nga dhuna e mjekut. Jo çdo dëshirë e një pacienti mund të realizohet nga mjeku ashtu siç është edhe rasti i eutanazisë (vrasje nëpërmjet mjekut), aq më tepër tek embrioni që nuk e dëshiron këtë gjë nga mjeku.
Por kryesisht përgjegjësinë e kanë ata që e kryejnë abortin në trup në veten e tyre dhe këtu nuk bëhen fajtorë vetëm gratë ose nënat por edhe burrat dhe baballarët sepse që të dy janë përgjegjës për këtë veprim dhe meshkujt duke keqpërdorur pozicionin e tyre i detyrojnë femrat të bëjnë edhe pa dëshirën e tyre abortin. Ashtu siç thuhet ‘në botë do të vijnë skandale, por mjerë ai që i sjell ato’ (Math. 18:7). Ata që e kryejnë këtë vepër bëjnë gabim të madh se sido që të jenë rrethanat aborti nuk është i justifikuar moralisht dhe është i pa arsyeshëm sepse n.q.s. në rrethana të tjera pa zgjidhje do të zgjidhnit të vrisnin të tjerët që na pengojnë, ky do të ishte një akt kriminal dhe i dënueshëm sipas ligjeve njerëzore të respektimit të jetës së tjetrit.
Pavarësisht rasteve të vështira që mund të shfaqen me shtatzëni të pa dëshiruara dhe këtu flasim për ato më ekstremet si përdhunime, inceste, etj, përsëri aborti nuk është zgjidhje sepse një e keqe nuk mund të shlyhet me një të keqe. Nënë Tereza thoshte: ‘Mos i vrisni fëmijët m’i jepni mua” kështu edhe për ata që e kanë të pa mundur për t’i mbajtur fëmijët e tyre nuk duhet t’i vrasin ata por t’i lindin dhe t’i dorëzojnë në përkujdesje të shoqërisë të institucioneve përkatëse që mbahen me taksat e taksapaguesve ose tek njerëz bamirës që duan t’i birësojnë. Shoqëria jonë njerëzore me ligje dhe ligjvënës po ashtu nuk është e justifikuar kur e pranon abortin dhe e mbron ligjërisht, kryerjen e tij si në klinika shtetërore ose private, kjo bie ndesh me Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtën Themelore të Lirisë së Njeriut 10.12.1948 OKB ku thuhet: Neni I “të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me frymë vëllazërimi. Neni 3 “gjithkush ka të drejtë të jetojë, të jetë i lirë dhe të ketë sigurim vetjak. Neni 5 “asnjë njeri nuk duhet t’i nënshtrohet mundimit të egër jo njerëzor dhe poshtërues”.
Duke lexuar këto nene natyrshëm lind pyetja: se kush duhet të mbrohet më shumë nga shoqëria: jeta e embrionit që është një person më vete apo e drejta e gruas që mendon se mund të veprojë si të dojë me trupin e saj. Embrioni është një qenie njerëzore që do ta jetojë jetën e tij që ia dha Zoti ose natyra ashtu si të gjithë njerëzit. Shoqëria njerëzore është një shoqëri jo vetëm me të drejta por edhe me detyrime sidomos për t’u kujdesur për më të vegjlit që të ketë vazhdimësi raca njerëzore, por edhe të transmetojë moralin për të dashur njëri-tjetrin, me dashuri të arsyeshme dhe jo thjesht instiktive. Aborti e diskrediton moralin e njeriut modern dhe na tregon se nuk jemi një shoqëri e emancipuar por jemi kthyer në një xhungël me kafshë të egra që luftojnë për mbijetesë, të cilat për rivalitet dhe territore vrasin dhe këlyshët e tyre.
Shoqëria njerëzore gabon shumë rëndë kur pranon drejtpërdrejt ose me indiferencë abortin sepse me dashje ose pa dashje pengojnë që në botë të vijnë njerëz si dhuratë nga Perëndia ose produkt natyral i genit njerëzor, të cilët do ta çonin përpara racën njerëzore dhe do të ishin faktorë për zgjidhjen e shumë problemeve në botë, ndoshta midis shumë atyre fëmijëve që u vranë me abortin, mund të kishte pasur shkencëtar që do të zgjidhnin ilaçin kundër sidës ose kancerit, mund të kishte midis tyre fëmijë që nesër do të bëheshin udhëheqës të shquar laikë ose fetarë dhe të kontribuonin për paqen dhe vëllazërinë e njerëzve, që aq shumë sot rrezikohet.
E keqja më e madhe që po i bën shoqërisë njerëzore ky brez që pranon abortin është se po trondit themelet e këtij qytetërimi të ndërtuar me kaq mund për shekuj sepse kurrë nuk mund të ndërtohet një qytetërim mbi gjak të pafajshëm. Nënë Tereza, një nga gratë shqiptare më të shquara në botë i tha një herë në Shtëpinë e Bardhë presidentit amerikan Ronald Reagan: “Ç’lloj njerëzimi jemi ne? Ç’lloj shoqërie kemi ne kur nënat dhe baballarët dhe spitalet dhe doktorët vrasin vazhdimisht fëmijë në barkun e tyre?”. Prandaj një nga arsyet që bota dhe qytetërimi i saj është kaq i brishtë dhe rrezikon shumë të prishet është aborti.
Pasojat e abortit janë të shumta: ndërlikime fizike te gruaja duke u bërë edhe shkak vdekjeje ose paaftësi për një lindje tjetër normale, por ajo çfarë është më e rëndë është ndjenja e fajit, vrasje ndërgjegjeje, ankth, depresion dhe mendime për vetëvrasje, sindroma për përvjetorin e ditëlindjes së fëmijës së hequr, frika e mos ngeljes përsëri shtatzënë dhe ripërsëritjes së abortit, çekuilibrim i marrëdhënieve brenda çiftit dhe më e keqja është se aborti mund të shikohet si diçka normale sa herë që shfaqet një shtatzëni e padëshiruar. Në të tilla raste prishja morale e këtij personi është shumë e madhe dhe vështirë sesi mund të korrigjohet dhe mbi të gjitha shembulli që prindërit iu lënë fëmijëve se ata mund ta rregullojnë jetën e tyre duke eliminuar vëllezërit dhe motrat e tyre rivalë dhe kështu po rrisim një brez gjakësor.
Kisha Orthodhokse ka qenë është dhe do të jetë deri në fund kundër abortit dhe fakti i sotëm shkencor që jeta fillon që në konceptim dhe njeriu quhet njeri në çdo stad të zhvillimit të tij i ka dhënë të drejtë opinionit të Kishës për jetën e njeriut që në konceptim. Prandaj sipas mësimit të Kishës çdo ndërhyrje e jashtme në çdo stad jete për të vrarë embrionin (fetusin), quhet vrasje dhe shkelje e rëndë e porosisë së Zotit: “Mos vrit” dhe më tepër se një vrasje një krim të turpshëm dhe poshtërues. Kanonet e shenjta të kishës dënojnë jo vetëm nënat të cilat e kryejnë abortin, por edhe personat që marrin pjesë në të si bashkëfajtorë në vrasje. Aborti shikohet si një mëkat i vdekshëm që e ndan besimtarin nga Krishti dhe trupi i tij që është Kisha dhe ai është i përjashtuar nga misteret e saj, shën Vasili i madh në kanonin e tij të dytë thotë: “gruas që aborton me dashjen e saj duhet t’i ndalohet e drejta e çdo misteri për gjithë jetën, por për shkak të ekonomisë të paktën për 10 vjet’’.
Pavarësisht se për shkak të shthurjes morale të këtij brezi dënimi i atyre që bëjnë këtë mëkat është zvogëluar, prapë ai mbetet një mëkat i vdekshëm dhe n.q.s. personi pagëzohet ose nuk e rrëfen mëkatin tek ati rrëfyes, mjafton vetëm me këtë mëkat të shkojë në ferr, ashtu siç thuhet në Librin e Shenjtë: “jashtë mbretërisë janë kurvarët, vrasësit etj’’(Zb. 22:15) Vetëm në një rast Kisha mund ta tolerojë abortin kur rrezikohet jeta e nënës, por edhe në këtë rast specifik nëna duhet të zgjedhë vetë se çfarë do të bëjë, të shpëtojë jetën e saj apo të fëmijës, duke i thirrur dashurisë amësore, që ekziston dhe te kafshët, si një instinkt shumë i fortë që shkon deri në flijim.
Sipas mësimit të Kishës çdo njeri është krijuar në pëllëmbë të dorës së Perëndisë dhe jeta është dhuratë e Perëndisë dhe vetëm Ai ka të drejtë ta marrë atë, aq më tepër jetën e një fëmije që nuk ka mundësi të mbrohet. Shpirtrat e këtyre fëmijëve të martirizuar me abortin janë në dorën e ngrohtë të Perëndisë që thotë “edhe sikur nëna të të braktisë, unë nuk do të braktis” (Ps. 27:10) dhe gjaku i tyre i pafajshëm është i bashkuar me gjakun e të gjithë martirëve që u vranë padrejtësisht nga smira dhe ligësia njerëzore edhe ata së bashku me shpirtrat e të drejtëve i luten Perëndisë duke thënë: “deri kur o zotëri, o i shenjtë dhe i vërtetë nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe” (Zb. 6:10). Prandaj ky mëkat që i rëndon pothuajse të gjithë globit, po afron ditën e frikshme të gjykimit ku çdo njeri do të gjykohet sipas veprave që ka bërë. Le të mendojmë për këtë seriozisht, sa nuk është shumë vonë. Zoti na faltë!
Krishti u ngjall! A me të vërtetë u ngjall ?
Publikuar dhe botuar në Dt 01/05/2016 Gazeta Shqiptare & Balkan Web & Tirana Observer
Nga Miron Çako: Përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit KOASH
Sot në botë ka rreth 2.1 miliardë të krishterë që besojnë dhe pohojnë se Krishti me të vërtetë u ngjall. Por a është e vërtetë kjo ngjarje sa madhështore aq edhe dyshuese, për ne njerëzit e vdekshëm?
Përpara se t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje le të sqarojmë, pse ngjallja e Krishtit prej shekujsh festohet në data të ndryshme nga konfesionet e krishtera. Katolikët dhe protestantët e festojnë zakonisht më përpara se orthodhoksët, ka raste që e festojnë në një ditë. Disa njerëz për këtë situatë përgjigjen me nxitim dhe me naivitet duke thënë se katolikët kanë besuar më shpejt se orthodhoksët. Kuptohet është një përgjigje e gabuar që vjen nga një padije e madhe.
Përgjigjja e saktë është kjo: Pashka që do të thotë kalim, festohej në fillim nga izraelitët për gati 1500 vjet para Krishtit dhe ishte e kremte e veçantë në vitin liturgjikal të hebrenjve, që i kujtonte atyre largimin nga Egjipti. Kjo ditë festohej në datën 14 të muajit Nissan, një ditë e matur me kalendarin hënor që binte ndërmjet muajve mars-prill. Atë ditë sakrifikohej qengji i Pashkës. Kur erdhi Mesia (Krishti) te populli i Izraelit, Ai nuk u besua prej tyre dhe ata e kryqëzuan me anë të paganëve romakë në ditën e premte, një ditë përpara pashkës së tyre që binte të shtunën. Kryqëzimi i Tij ishte përmbushja e Pashkës judaike por që u bë edhe Pashka jonë, e të krishterëve (populli i ri i Zotit). Në rastin e Pashkës judaike kujtojmë kalimin nga skllavëria e Egjiptit në tokën e premtuar Palestinën, ndërsa në Pashkën e krishterë kemi kalimin nga robëria e mëkatit dhe vdekjes në ringjallje dhe shenjtëri. Prandaj qengji që thernin judenjtë simbolizonte vetë Krishtin, i Cili u quajt nga Joan Pagëzori që ishte profeti i fundit për Izraelin si: “Qengji i Perëndisë që shlyen mëkatet e botës”(Joani 1-29).
Kisha e hershme e krishterë në Sinodin I Ekumenik të mbajtur në Nikea 325 pas Krishtit vendosi si kanon (rregull) se: “Pashka e krishterë nuk duhet të paraprijë ose të bjerë në një ditë me pashkën judaike. Po ashtu Sinodi vendosi që Pashka do të kremtohej në të dielën e parë, pas hënës së plotë të ekuinoksit pranveror që zakonisht bie ndërmjet muajve mars dhe prill. Kështu e llogarit Pashkën Kisha Orthodhokse në të gjithë botën, kurse Kisha Romano-Katolike nuk i përmbahet këtij vendimi të Sinodit të I-rë Ekumenik, sepse ata e llogarisin Pashkën me kalendarin diellor ose Gregorian i vitit 1582. Kalendarin Gregorian e aplikojnë edhe disa Kisha Orthodhokse që nga viti 1924, por meqenëse Pashka është festa qendrore e vitit liturgjikal të Kishës, në marrëveshje të gjitha kishat orthodhokse e llogarisin Pashkën me kalendarin hënor, prandaj kjo ditë është e njëjtë për të gjithë orthodhoksët në të gjithë botën dhe tregon unitetin e Kishës që është një dhe e pandarë.
Por le të vijmë tek pyetja kryesore: A u ngjall Krishti me të vërtetë? A ka prova bindëse, apo është një trill ngushëllues, përballë armikut të përbashkët dhe të pamëshirshëm që është vetë vdekja? Që t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje duhet të kërkojmë. Filozofi Seneka thotë: “kërko sa të mundesh”. Të kërkosh nuk është gabim, përkundrazi edhe kur bëhet fjalë për ngjalljen e Krishtit. Vetë një nxënës i Krishtit Thomai dyshoi për ngjalljen e mësuesit të Tij, por ai nuk pushoi së kërkuari derisa e pa Krishtin e gjallë, e preku në shenjat e mundimit (në brinjë) dhe kur u bind se Ai ishte ngjallur me të vërtetë i ra në gjunjë e adhuroi edhe tha: “Zoti im dhe Perëndia im”. Por Krishti i tha: “Thoma, ti besove se më pe, por lum ata që do besojnë pa më parë” (Jn. 21:29).
Po ata që dyshojnë sot si Thomai, si mund ta shohin dhe prekin Krishtin, që t’ju largohet çdo hije dyshimi se Ai u ngjall me të vërtetë? Metoda më e mirë për të kërkuar për ngjalljen e Krishtit është ajo historiko-gjyqësore. Thuhet historike, sepse merret me veprimet që kanë lidhje me historinë e kaluar dhe gjyqësore, sepse ndodh ashtu si në një gjyq që gjykon dhe nxjerr vendime në bazë të fakteve.
Vendi ku mund të gjejmë fakte të shumëanshme për personin e Krishtit është vetë Bibla, Dhjata e Vjetër dhe e Re e shkruar në një hapësirë kohore për gati 1600 vjet. Në Dhjatën e Vjetër Krishti është paralajmëruar nga profetët, ndërsa në Dhjatën e Re Ai është përshkruar nga nxënësit, nga katër ungjillorët. Por përsëri dikush mund të thotë se Bibla ka fakte të trilluara nga të krishterët. Pavarësisht se kjo akuzë qarkullon akoma dhe sot në rrethe të ndryshme filozofike, akademike dhe fetare, është një akuzë pa një bazë shkencore. Me gjetjet e ndryshme arkeologjike të Shkrimit të Shenjtë, p.sh. ai i shkretëtirës së Kumranit (Qumran 1947-1956) ku u gjetën 900 fletushka papiruse dhe pergamenë të kopjuar nga kaligrafët në shek. II ps.K. që sot ndodhen të ekspozuara në një muze të veçantë në Jerusalem, faktet janë në favor të Biblës. Në këto dorëshkrime gjenden profecitë për Krishtin të njëjta, ashtu siç janë të shkruara në Biblën që sot lexojnë dhe përdorin të krishterët. Pra, ky fakt publik, i përbotshëm hedh poshtë këtë akuzë të falsifikimit të Biblës.
Por për mos t’u zgjatur, do të kërkojmë fakte të tjera historike nga ata që ishin kundra Krishtit. Shpesh armiqtë janë më të vërtetë se miqtë se e thonë të vërtetën edhe kur nuk na pëlqen. Këta janë historianë, filozofë, pushtetar, bashkëkohës ose në një kohë shumë të afërt me atë të Zotit Jisu Krishtit si njeri.
Një ndër këta është Josifi (Josephus), hebre historian i shek. I-rë që shkruan: “Ai (Kryeprifti Ana) mblodhi sinedrin në gjyq dhe vuri para anëtarëve të tij Jakobin, vëllain e Jisuit që quhej Krisht dhe disa të tjerë, të cilët janë akuzuar se kanë shkelur ligjin dhe i dorëzuan të vriten me gurë në këtë mënyrë deri në vdekje. Jakovi ishte biri i Josifit kujdestar i Krishtit dhe vëlla ligjor i Krishtit, episkop i parë i Jeruzalemit, që u martirizua në vitin 62 ps.Kr.
Një tjetër burim historik na vjen nga Taciti, historian romak, nëpunës civil dhe konsull Publius Cornelius. Në veprën e tij historike “Analet”, që ai shkroi midis viteve 115 dhe 117, thotë se perandori Neron (54-68) ia hodhi fajin për zjarrin shkatërrues në Romë të krishterëve. Taciti shkruan: “Neroni imponoi në mënyrë të rafinuar dënimin për të krishterët”. Ata e morën emrin e tyre nga Krishti, i cili ishte ekzekutuar me urdhër të guvernatorit romak Pontit Pilat gjatë sundimit të mbretërimit të Çezar Tiberit (14-39 ps.K) (Analet, XV, 44). Në fund të shek. I-rë historiani romak Suetoni shkruan se perandori Claudius në 49 kishte ndaluar të gjithë hebrenjtë që jetonin në qytetin e Romës (një ngjarje e cila gjithashtu është përmendur në Bibël, në Veprat 18:2). Ai shkruan se hebrenjtë vazhdimisht shkaktonin trazira në Romë duke u nxitur nga Christus. Këto trazira ishin ndoshta si rezultat i ardhjes së krishtërimit në Romë dhe shkaktonin konflikt brenda kolonisë hebreje atje, si kudo ku hebrenjtë ballafaqoheshin me krishtërimin. Suetoni, i cili ka shkruar disa vite më vonë mbas Krishtit si shumë të tjerë sqaron se fjala Christus për Jisuin vjen nga greqishtja sinonim i titullit herbraik Mesia, që do të thotë i vajosuri, Mbreti i Izraelit. Të tjerë që kanë shkruajtur për Krishtin janë Lucian e Samosata, shkrimtar grek dhe satirist, Celsus, filozof romak, etj. Nga burimet izraelite janë Talmud ose Toledoth Jesua, të shkruara në mesjetë. Në këto libra u shkrua me një ndjenjë armiqësore kundër Krishtit, aty na tregohet se Jisu Krishti ekzistoi, që bëri shumë çudira të mëdha, që u kryqëzua, por për ngjalljen e Tij, japin shpjegime të kundërta me ato që besojnë të krishterët dhe nuk kanë përputhje kohore dhe historike.
Sipas këtyre fakteve është e lehtë për të besuar se Krishti ka ekzistuar si njeri, por që është ngjallur prej së vdekurësh a mund të gjejmë fakte? Shën Agustini (354-430) thotë: “Nuk është asgjë për ne që të besojmë se Krishti vdiq, këtë e besojnë edhe paganët edhe judenjtë, edhe njerëz të tjerë të këqinj. Të gjithë besojnë se ka vdekur, besimi i të krishterëve është Ngjallja e Krishtit. Kjo është për ne më e madhja.“Ne besojmë se Krishti u ngjall”. Këtë gjë e thotë në të kundërtën në fundin e jetës së tij i madhi kompozitor Richard Shtraus viti 1864: “Përderisa nuk besoj në ngjalljen e Krishtit, nuk jam i krishterë”.
Por të gjithë njerëzit mbas Krishtit deri më sot kanë një fakt të dukshëm të prekshëm dhe nëpërmjet zhvillimit të tekonologjisë mediatike është shumë e lehtë për t’u parë nga të gjithë njerëzit në çdo cep të globit, vetëm n.q.s e injorojnë me ndërgjegje. Ky fakt është varri bosh që nderohet nga të krishterët në Jerusalem, në kubenë (kuvuklin) e Kishës së madhe të Ngjalljes ndërtuar në shek IV-të nga Perandori I-rë i krishterë, Kostandini i Madh 272-337.
Shumë njerëz të mëdhenj, faraonë, perandorë, ushtarakë, profetë, reformatorë kanë jetuar në këtë botë dhe kanë lënë gjurmë në historinë e njerëzimit, por që të gjithë u mundën nga një armik i përbashkët, vdekja. Eshtrat e tyre në varret ku ato prehen e bëjnë të padiskutueshëm faktin, që njeriu është një qenie e vdekshme. Vetëm varri i Krishtit është bosh. Arsyeja pse është bosh është se Ai u ngjall pas tri ditësh dhe la në varr si shenjë të ngjalljes, rizën e palosur bashkë me pëlhurat (qefinin). Kur e dëgjuan në fillim, këtë fakt ata që e kryqëzuan Krishtin pra judenjtë thanë: “Këto janë gënjeshtra sepse erdhën nxënësit natën dhe e vodhën trupin e tij dhe pastaj thonë që Ai u ngjall.” Ka dy mijë vjet që qarkullon kjo alibi dhe shumë veshë kanë dëshirë ta dëgjojnë dhe ta besojnë dhe kur dëgjojnë se Krishti u ngjall nënqeshin duke thënë: “sa naivë që janë, trupin e tij e vodhën nxënësit natën.”
Por thamë që do kërkojmë derisa të marrim përgjigjen e plotë sipas metodës historiko-gjyqësore.
Alibia e judejve mosbesues thotë që erdhën natën dhe e vodhën. Por lind pyetja si e vodhën? Varri ishte i vulosur nga ushtarët me vulën e Pilatit, guvernatori i Romës dhe që nga ai moment, ai ishte një objekt i një rëndësie të veçantë. Kustodija, truproja me 16 veta legjionarë të cilët u ngarkuan me detyrën që të ruanin varrin, objekt i një rëndësie të veçantë, e organizonin këtë detyrë me katër ndërresa herë katër ushtarë d.m.th. katër rrinin tek varri, katër të gatshëm dhe tetë rreth varrit për t’u çlodhur. Ligji ushtarak i Romës caktonte se ushtari që nuk kryen detyrën për arsye se e ka zënë gjumi ose është larguar nga vendi i truprojës duhet të dënohet me vdekje në kryq. Si është e mundur që t’i kishte zënë gjumi të 16 ushtarët, me të tillë ligj ushtarak? Dhe në qoftë se i zuri gjumi pse nuk u zgjuan kur nxënësit lëvizën gurin e varrit sepse ai ishte një gur i rëndë si një gur mulliri që për ta lëvizur duhej forca e dy burrave së bashku me leva?
Po mire. Ta zëmë se e vodhën, për çfarë ta donin? Shën Joan Gojarti (354-407) thotë që “ata nuk duhet ta donin, por duhet ta urrenin, sepse iu kishte thënë se ishte i pavdekshëm dhe Perëndi i gjithëfuqishëm, u kishte premtuar gjithë qiellin dhe u tregua si një njeri i thjeshtë, i varur në drurin e kryqit, dënim vetëm për kriminelët.”
Për të bërë një fe, – mund të thonë disa. Çfarë feje do përhapnin apostujt kur kjo fe e re, se Krishti u ngjall, do të binte ndesh me porosinë e IX të Degalogut: “Mos gënje!” Si do të guxonin të gënjenin në emrin e Perëndisë shumë të shenjtë që i urren dhe i dënon gënjeshtarët, siç thotë Shkrimi i Shenjtë: “Buza gënjeshtare është e neveritshme për Zotin.” (Fj. Urta 12:22) Dikush mund të thotë që e bënë për fitim, famë. Por çfarë fitimi dhe fame kishin apostujt? Apostull Pavli shkruan në emër të të gjithë apostujve: “deri tani vuajmë nga uria, etja, e jemi të zhveshur, jemi të qëlluar me shuplaka dhe endemi pa shtëpi dhe mundohemi duke punuar me duart tona, duke qenë të fyer bekojmë, duke qenë të përndjekur durojmë, duke qenë të sharë lutemi, jemi bërë si pisllëku i botës, porsi plehrat e të gjithëve deri më sot” (1 Kor. 4: 11-13).
Por fakti që na bind se apostujt e panë Krishtin e gjallë dhe u urdhëruan të përhapin këtë fakt në të gjithë botën, është vetë fundi martirik i apostujve. Apostull Petro i cili nga frika e mohoi Krishtin tri herë u pendua për këtë duke shpresuar tek mëshira e Zotit, Krishti e fali dhe e bëri përsëri apostull por si shlyerje përfundimtare të këtij mohimi ai dha jetën si martir i Krishtit, i kryqëzuar me kokë poshtë në kodrën e Vatikanit në vitin 67, duke pohuar se Krishti u ngjall. Apostull Pavli, i luftoi në fillim pasuesit e Krishtit që besonin në ngjalljen e Tij, mbasi Krishti iu shfaq i gjallë rrugës për në Damask, u pendua dhe nga përndjekës, pranoi të përndiqet për Krishtin derisa dha edhe ai jetën si martir, me prerje koke në rrugën ‘Apia’ të Romës viti 67. Apostull Pavli thoshte: “N.q.s. Krishti nuk është i ringjallur predikimi ynë është i kotë” (I Kor. 15:14). Të gjithë apostujt u martirizuan, i vetmi që pati vdekje natyrale ishte Joani, nxënësi i dashur i Krishtit, i cili jetoi gjatë gjithë jetës si martir duke vuajtur vështirësitë e internimit. Jo vetëm apostujt dhe dishepujt u martirizuan duke pohuar se Krishti u ngjall por edhe ata që besuan nëpërmjet tyre dhe pohuan ngjalljen e Krishtit në shekuj u martirizuan. Vetëm tre shekujt e parë u martirizuan 11 milionë të krishterë dhe ky martirizim vazhdon deri edhe në ditët e sotme dhe do të vazhdojë deri në fund, deri sa të plotësohet numri i martirëve (Zbulesa. 6:11)
Filozofi Paskal tha: “Prandaj janë lehtësisht të besueshme ato ngjarje për të cilat ata që i panë pranuan të bëjnë një vdekje martirike.”
Por përsëri edhe pse i dëgjojmë këto fakte historike akoma mund të ketë skeptikë që nuk i besojnë dhe duan të dëgjojnë më shumë fakte edhe pse jo të mbinatyrshme, Hyjnore që vërtetojnë se me të vërtetë Krishti u ngjall. Duan apo s’duan ta besojnë njerëzit, vit për vit në Jerusalem ndodh një mrekulli Hyjnore, e dukshme për të gjithë, që vërteton ngjalljen e Krishtit.
Patriarku orthodhoks në vigjilje të Pashkës në Jerusalem futet në varrin e Krishtit i cili është në juridiksionin e Kishës Orthodhokse duke mbajtur 33 qirinj, simbol I moshës së Krishtit. Patriarku nuk ka asnjë mjet ndezës dhe as në kishë nuk ka asnjë lloj flake. Kjo gjë kontrollohet imtësisht nga autoritet shtetërore, të pranishmit e kishave të tjera dhe të përkthyesit armen që e shoqëron patriarkun brenda në varr. Të Shtunën e Madhe që kremtohet zbritja e Zotit Jisu Krisht në hadh (bota e të vdekurve), rreth orës 12:00 të drekës, zbret prej qiejve Drita (zjarri hyjnor) që ndez qirinjtë e patriarkut orthodhoks. Këtë Dritë e marrin pastaj të gjithë besimtarët që janë në Kishë, të cilët brohorasin me gëzim duke thirrur: Drita e Orthodhoksëve-Drita e Orthodhoksëve!! Drita e shenjtë që shfaqet si gjuhë zjarri, ka raste që kalon tejpërtej kishës duke ndezur kandilet e Kishës ose qirinjtë e besimtarëve. Në fillim kjo dritë nuk të djeg, pastaj ajo kthehet në një dritë të zakonshme. Ky fenomen hyjnor përsëritet çdo vit prej shekujsh në varrin e Krishtit. Dhe kanë të drejtë ta marrin prej Zotit vetëm orthodhoksët me përfaqësuesin e tyre patrikun e Jerusalemit. Të gjitha kishat orthodhokse në botë brenda mundësive me përfaqësuesit e tyre e marrin këtë Dritë të shenjtë dhe me mjete të shpejta e dërgojnë në kishat katedrale në botë për të ndezur në orën 12 të mesnatës kandilet e altarëve, dhe prej asaj Drite nëpërmjet priftërinjve marrin dritë gjithë besimtaret duke kënduar troparin: “Eni merrni dritë nga drita që s’perëndon dhe lavdëroni Krishtin që u ngjall së vdekurësh.”Të tjerë konfesione të krishtera n.q.s. duan, e marrin Dritën e Pashkës prej Kishës Orthodhokse.
Në vitin 1759 armenët e blenë varrin e shenjtë nga sulltan Murati. Atë vit nuk u lejua të hynte në Kishë patriarku orthodhoks por ai armen, (heretik monofizit). Edhe atë vit erdhi drita, por nuk i ndezi qirinjtë e patriarkut armen, por kaloi tejpërtej Kishës, çau kollonën e derës kryesore dhe ndezi qirinjtë e patriarkut orthodhoks të Jerusalemit Sofroni IV. Kjo histori ka ndodhur më datën 18 prill 1759. Kollona është dhe sot e kësaj dite e çarë si dëshmi e pakundërshtueshme. Që atëherë sulltani me ferman urdhëroi që vetëm orthodhoksët kanë të drejtë të hyjnë në varrin e Krishtit dhe të marrin Dritën e Shenjtë.
Ky fakt hyjnor, i prekshëm dhe i dukshëm nga të gjithë ata që janë të interesuar me mendje të hapur, tregon se Kisha Orthodhokse duke mos devijuar gjatë shekujve as majtas as djathtas e ka të plotë Hirin e Perëndisë dhe ajo ka të drejtën e Zotit të dëshmojë botërisht dhe me fakte Hyjnore se Krishti me të vërtetë u ngjall! Për shumë vjet Pashkën!
"Mjedisin nuk e kemi pronën tonë, por na është dhënë në administrim ! Shkrim nga Miron Çako
Zyra e Katekizmit e Kryepiskopatës së Tiranës
Shkrim i përgatitur nga përgjegjësi i Zyrës së Katekizmit KOASH: z. Miron Çako
- Publikuar dhge botuar më Dt 30/09/2016 në Balkan Web, Tirana Observer , Gazeta Shqiptare 13 Tetor 2016
Vendimi i fundit i qeverisë mbi importin dhe riciklimin e mbetjeve, i votuar me 63 vota të deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë, çdo ditë e më tepër po bëhet një shqetësim për çdo qytetar të përgjegjshëm, për shoqërinë civile e grupet ambientaliste, të cilët po kundërshtojnë dhe me protesta qytetare, zbatimin e këtij ligji, që, sipas tyre, është i pamenaxhueshëm dhe i dëmshëm për mjedisin dhe shëndetin e popullit.
Sado indiferentë që mund të tregohemi ndaj jetës politike dhe vendimeve që ajo merr nëpërmjet partive respektive që votohen në Kuvend me shumicë votash, kur ky ligj i votuar ka lidhje me mjedisin (natyrën), duam apo nuk duam, ne patjetër do të shqetësohemi e pozicionohemi, sepse kjo ka të bëjë direkt me habitatin dhe me cilësinë e jetës sonë, të fëmijëve dhe të fëmijëve të fëmijëve tanë.
Fatkeqësisht, sot jo vetëm në Shqipëri, e cila si shtet ka shumë për të bërë në hartimin e ligjeve për mbrojtjen e mjedisit dhe implementimin e tyre sipas standardeve të Evropës dhe vendeve të përparuara në këtë drejtim, por edhe në vende të zhvilluara me popullsi të civilizuar e të ndërgjegjësuar për rëndësinë e madhe të mjedisit, i cili mbrohet me ligj dhe masa administrative strikte, përsëri shihet një ndotje alarmante dhe e frikshme e mjedisit, me pasoja globale, e cila po bëhet shkak për katastrofa natyrore dhe ndryshime klimatike,që, së bashku, po ulin cilësinë e jetës së gjithë njerëzimit në glob.
P.sh. vetëm nga ndotja e ajrit nëpërmjet emetimit të gazrave helmuese në atmosferë për arsye të ndryshme, si gazra helmuese të TEC-eve, makinave ose nga djegia e plehrave, sipas OBSH-së (Organizata Botërore e Shëndetit), na thuhet se 92 % e njerëzve janë të ekspozuar ndaj ndotjeve të ajrit, jo vetëm në qytetet e mëdha,por edhe në zonat rurale. Ndotja e ajrit në botë shkakton 6.5 milion vdekje çdo ditë. Pothuajse 90 % e këtyre vdekjeve kanë ndodhur në vende me të ardhura të ulëta dhe mesatare. Këto të dhëna u mblodhën nga rreth 3000 mjedise në tërë botën.
Edhe Shqipëria, që është një vend me të ardhura të ulëta dhe mesatare, nuk mbetet jashtë kësaj ndotjeje dhe rreziqeve që vijnë prej saj. Përpara pesë viteve, OBSH.-ja ka dhënë një statistikë se në Tiranë vdesin 500 qytetarë në vit vetëm nga ndotja e ajrit. Shqipëria konsiderohet si një ndër vendet më të ndotura të Evropës dhe që thith ajër me ndotje 3-4 herë më të lartë se në qytetet e BE-së. Po t’i shtojmë ndotjes së ajrit edhe atë të ujit, në lumenj e liqene, që vjen nga derdhja e mbetjeve industriale, pa kriter në to, së bashku me ushqimet e pakontrolluara dhe të modifikuara gjenetikisht ose me kimikate etj, tabloja mjedisit ku jetojmë, bëhet shumë e zymtë dhe alarmuese.
Por pse kjo ndotje kaq e madhe dhe kaq pak respekt për mjedisin?
Mund të japim përgjigje duke përmendur shumë arsye teknike, teknologjike, ligjore, por mendoj se problemi i njeriut të sotëm në lidhje me mjedisin është problem moral. Shumica e njerëzve, edhe pse të arsimuar e të kulturuar, mendojnë se mjedisi është mall pa zot, që mund ta bëjnë pronë të tyre dhe ta përdorin si të duan dhe sa të duan. Sado që ky arsyetim mund t’u pëlqejë atyre që veprojnë kështu, përsëri është një autosugjestion i palogjikshëm dhe nuk i përligj veprimet e tyre arrogante në dëm të mjedisit, me rrezikshmëri të lartë dhe me pasoja për shëndetin e njerëzve në breza.
Sipas lidhjes natyrale shkak-pasojë, asgjë nuk vjen nga asgjëja; pra, edhe bota, kjo shtëpi e madhe e njerëzimit, e ka një Krijues, një Arkitekt, që përkujdeset për të dhe ky quhet: Zoti Perëndi. Ai, duke qenë një Qenie hyjnore e përsosur që jeton nga Vetvetja dhe plot dashuri, krijoi prej kësaj energjie, me anën e Fjalës dhe Shpirtit të Tij, të dukshmet dhe të padukshmet, të cilat i bëri shumë mirë (Zanafilla kap. 1)
Ky krijim në fillim kishte pamjen e një kopshti dhe u quajt Parajsë. Në qendër të parajsës u vendos njeriu, i krijuar si një qenie psikosomatike (shpirt-trup) dhe si mikrokozmos, i cili, duke e pasur trupin të krijuar prej dheu, në mënyrë organike ishte i lidhur me natyrën (mjedisin) për ta dashur, ruajtur dhe punuar për interesin e tij dhe, sipas modelit të kopshtit të Edenit (Lindje), të transformonte në parajsë me punën e tij çdo cep të globit, që ishte i zbrazët (Zanafilla kap. 2). Kjo është arsyeja pse ne njerëzit në subkoshiencën tonë i duam kopshtet, i improvizojmë ato kur nuk i kemi në mënyrë natyrale, e ndjejmë kënaqësi brenda tyre dhe, kur ndodhemi në natyrë të virgjër, të entuziazmuar themi: Sa bukur! Si në Parajsë!
Por kjo shohim sado e bukur që të duket, nuk është ajo që krijoi Perëndia, por ajo çka mbeti nga prishja për shkak të zilisë së djallit, i cili i nxiti njerëzit brenda në kopshtin e kënaqësive të rebeloheshin në mosbindje kundër Perëndisë, njëri-tjetrit dhe natyrës (Zanafilla kap.3). Ky rebelim i papenduar i njeriut u bë shkak që natyra të mallkohej: “Dhe toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd…Ajo do të prodhojë gjemba dhe bimë gjembore” (Zanafilla 3 17 -18). Prandaj natyra ka një karakter të dyfishtë, varet si e shohim dhe e përdorim atë. Kur e respektojmë, ajo na shërben dhe bëhet shkak kënaqësish dhe gjallërimi të jetës dhe, duke e soditur në bukurinë dhe harmoninë e saj, natyra na nxit të lavdërojmë Krijuesin, ashtu siç i këndon psalmisti: “Le të lavdërojmë emrin e Zotit se ai tha dhe u bënë, ai porositi dhe u ndërtuan…” (Ps. 148),“Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, të gjitha i ke bërë me urtësi” (Ps. 102).
Por kur njeriu, në egoizmin e tij, shfaq lakmi, pangopësi me arrogancë të dhunshme kundër natyrës, duke e keqpërdorur atë si një mall pa zot, atëherë ajo ngrihet kundër vetë njeriut me gjithëfuqinë e saj të frikshme, si një qortim, për ta urtësuar dhe përulur njeriun e vogël,ashtu siç ka ndodhur me katastrofat globale, të cilat fatkeqësisht po ndodhin gjithnjë e më shumë në kohët e sotme. Të gjitha këto janë të profetizuara në Shkrimin e Shenjtë: “Do të ketë tërmete të mëdha…dhe do të jenë gjëra të frikshme dhe shenja të mëdha prej qiellit. Do të ketë shenja në diell dhe në yje… Do të buçasë deti nga valët dhe njerëzve do t’u dalë shpirti nga frika dhe nga të priturat e gjërave që po vijnë mbi tokë, sepse fuqitë e qiellit do të lëkunden” (Lk. 21:2-5).
Këto janë shenja apokaliptike që po paralajmërojnë brezin tonë, se po e teprojmë me arrogancën tonë ndaj Zotit, Krijuesit, dhe po keqpërdorim natyrën, që është vepër dhe prona e Tij.
Vetë Biri dhe Fjala e Perëndisë, me anën e të Cilit u bënë të gjitha, erdhi në botë si Perëndi-Njeri, Jisu Krishti, për të shpëtuar Adamin (njeriun) dhe botën e tij nga mëkati dhe mallkimi. Ai, me Kryqëzimin dhe me Ngjalljen e trupit të Tij, si një Adam i ri na tregoi ikonën e një krijimi të ri, të lavdëruar, të hyjnizuar e të paprishshëm, ndryshe nga ai i Adamit të vjetër, që u prish dhe lëngon nën mallkim, për shkak të mëkateve të njeriut ndër breza, të nxitur nga zilia e djallit.
Prandaj besimtarët e krishterë presin Ardhjen e Dytë të Zotit Jisu Krisht, i Cili do të shfaqet si Gjykatës, për të dënuar çdo padrejtësi dhe mëkat të papenduar të njerëzve kundër Perëndisë, njeriut dhe natyrës. Dhe, më pas, Ai do ta restaurojë botën e sotme të prishur nga mëkati dhe do të krijojë një “qiell të ri dhe një tokë të re”(Zb. 21:1), ku do të sundojë shenjtëria, harmonia plot dashuri e Perëndisë me njeriun dhe e njeriut me natyrën. Dhe kështu, Mbretëria e Perëndisë do të vijë “si në qiej ashtu edhe mbi dhé”.
Prandaj Kisha Orthodhokse, si trupi i Krishtit, e konsideron natyrën shumë të vyer, vepër të Zotit, që e bëri (krijoj) nga dashuria e Tij për njeriun. Ambienti natyror konsiderohet si një shtëpi gjigande për të gjithë njerëzit dhe ne jemi të detyruar ta ruajmë, ta përdorim me respekt për nevojat e domosdoshme dhe të bashkohemi të gjithë në një simfoni adhuruese, së bashku me natyrën, për të lavdëruar Zotin, ashtu siç shkruhet te Psalmet: “Lavdëroni Zotin prej qiejve, lavdërojeni në më të lartat, lavdërojeni Zotin nga toka… zjarr, breshër, borë, akull, erë stuhie, që zbatoni fjalën e tij, male dhe kodra të gjitha, dru frutdhënës…egërsirat dhe gjithë kafshët… zvarranikë dhe zogj fluturues… mbretërit e tokës dhe popuj të gjithë, prijës dhe gjithë gjykatësit e tokës” (Ps. 148).
Shën Joan Gojarti (shek.IV) thotë: “Toka është banesa jonë e përbashkët, edhe ushqim, edhe nënë, edhe varr”. Prandaj është detyra jonë që të bashkëpunojmë me Perëndinë për ruajtjen e krijimit të Tij dhe nuk na lejohet që të qëndrojmë apatikë dhe spektatorë të një gjendjeje që na kërcënon të gjithëve. Në këtë gjendje kritike të mjedisit mbarëbotëror, Kisha Orthodhokse kujton dhe nxit përherë besimtarët e saj, por edhe të gjithë njerëzit e përgjegjshëm, për mbrojtjen e gjithë formave të jetës, të florës dhe faunës në planetin tonë, unik në të gjithë universin.
Sipas kësaj përkujdesjeje, Patriku Ekumenik Dhimitër në mesazhin e tij në vitin 1989 caktoi ditën e parë të shtatorit,e cila përkon me Indiktin (Viti i Ri Kishtar), si ditë të përvitshme të mbrojtjes së ambientit natyror dhe dha bekimin patriarkal e atëror që në këtë ditë e gjithë bota orthodhokse të zhvillojë lutje për mbarë krijimin. Kjo nismë e Patriarkut të ndjerë Dhimitër u konfirmua përsëri në mesazhin e Sinodit të Shenjtë dhe të Madh, të mbarë Kishës Orthodhokse në botë, mbajtur në Kretë në qershor 2016.
“Kriza e sotme ekologjike është e qartë se ka shkaqe shpirtërore dhe morale. Rrënjët e saj lidhen me lakminë, pangopësinë dhe egoizmin, të cilat çojnë drejt shpërdorimit të burimeve natyrore, në rëndimin e atmosferës me ndotje të dëmshme dhe në ndryshimin klimatik. Përballimi i krishterë i problemit kërkon pendim për shpërdorimet, vetëpërmbajtje dhe moral asketik, që janë antidot ndaj hiperkonsumizmit dhe njëkohësisht kultivojnë te njeriu ndërgjegjësimin se është “kujdestar” dhe jo pronar i krijesës. Nuk resht së theksuari se edhe brezat e ardhshëm kanë të drejtë mbi të mirat natyrore, që Krijuesi na i ka besuar. Për këtë arsye Kisha Orthodhokse merr pjesë aktive në përpjekje të ndryshme ekologjike në rrafshin ndërkombëtar. Ajo ka caktuar 1 shtatorin si ditën e lutjes për mbrojtjen e mjedisit natyror”. (Mesazhi i Sinodit të Shenjtë dhe të Madh, pika 8)
Dhe Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë (K.O.A.SH.), si pjesë integrale e gjithë Kishës Orthodhoske në botë, nën drejtimin atëror të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, dhe të Sinodit të Shenjtë, ka marrë shumë nisma të rëndësishme për mbrojtjen dhe rehabilitimin e mjedisit në vendin tonë. Me fillimin e një programi mjedisor që nga viti 2001, duke realizuar projekte për mbrojtjen e ekosistemeve, si në zonën e Zvërnecit, në rrjedhën e Vjosës, në Parkun Kombëtar të Llogarasë, në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, në malin e Dajtit, në gjirin e Lalzit, si dhe në enori të tjera të Mitropolive të Kishës sonë.
Krahas kësaj, Kisha ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe nëpërmjet mjeteve ndërgjegjësuese me efekt të drejtpërdrejtë për të ndikuar në mbrojtjen e mjedisit, siç kanë qenë broshurat e shpërndara në mijëra qytetarë anembanë Shqipërisë, sidomos në komunitete të izoluara, si qytete të largëta apo fshatra të thella. Këto janë bërë të mundura me projekte të ndryshme të zbatuara nga Fondacioni “Frymë Dashurie”, në bashkëpunim me organizata të tjera ndërkombëtare. Në mënyrë të veçantë dhe periodike këto mesazhe përcillen nëpërmjet valëve të radios “Ngjallja”, FM 88.5 MHz. Ky mjet i fuqishëm mediatik i Kishës i përcjell këto mesazhe duke u bërë kështu bashkëpunëtor në jetën dhe kujdesin mjedisor të bashkëqytetarëve.
Por, mbi të gjitha, Kisha Orthodhokse i lutet çdo ditë Perëndisë Triadik, Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë: “Për erëra të mira, begati të pemëve të dheut dhe për kohë me paqe, le t’i lutemi Zotit” (paqësoret në Liturgjin Hyjnore). Gjithashtu, që Zoti të ndriçojë të gjithë aktorët përgjegjës në vendimmarrje, por edhe çdo qytetar të këtij vendi, që ta duan dhe ta administrojnë mjedisin për të mirën e përbashkët dhe, për lavdi të Perëndisë, sepse: “I Zotit është dheu dhe gjithçka është në të, bota dhe gjithë sa rrinë në të” (Ps. 23:1).