Shën Ilia Arduni, Martiri i ri dhe Oshënar: 31 Janar
Shën Ilia
lindi në Kallamata prej prindërve besëmirë. Kryente profesionin e berberit dhe
ishte shumë i respektuar nga populli i Kallamatës.
Duke folur një herë me ta, ai u kërkoi të vepronin për të lehtësuar taksat që turqit u vendosin të krishterëve, sepse në të kundërt do të rrezikonin për të mohuar besimin e etërve të tyre. Populli e kundërshtoi, duke i thënë se nuk bëhej fjalë që të krishterët të rrezikonin të mohonin besimin e tyre. Atëherë ai thotë, mua nëse dikush më jep një fes, unë do të ndryshoj faqen. Atëherë dikush, për shaka, shkoi në Pazar dhe i bleu një fes. Martiri shkoi menjëherë tek kadiu dhe u bë myslyman, ngjarje që hidhëroi të gjithë të krishterët.
Pas pak kohësh e kuptoi gabimin e tij, u largua nga atdheu i tij dhe shkoi në Malin e Shenjtë. Aty rrëfeu mëkatin e tij, kreu kanonin që ju dha dhe u miros me Miron e Shenjtë. U qeth edhe murg në Malin e Shenjtë, ku qëndroi për tetë vite, i ushtruar në vyrtyt, lutje dhe parapërgatitje për martirizim.
U rikthye në Kallamata, u paraqit para Kadiut dhe para tij pohoi besimin e tij të krishterë. Me gjithë joshjet dhe torturat e frikshme, Ilia qëndroi i patundur në besimin e tij. Atëherë Kadiu urdhëroi që ta digjnin. Xhelatët e morën dhe e çuan në vendin e dënimit.
Gjatë rrugës dikush e goditi me shpatë. Shenjti pa u trembur, i gëzuar, me shumë guxim, ecte duke psalur psalmet e Davidit. Kur arritën në vendin e dënimit, e hodhën në zjarr. I mrekullueshëm është fakti se, ndërsa brenda në zjarr dha shpirtin e tij të shenjtë, kur zjarri u shua lipsani i tij i shenjtë mbeti i padjegur. Nuk ishin djegur as edhe rasoja e tij, as mjekra dhe as flokët. Gjatë natës rojet panë një dritë qiellore që zbriste dhe rrethonte lipsanin e nderuar të martirit dhe thanë se, pasi zjarri nuk e dogji, Perëndia dërgoi dritë nga qielli që ta digjte.
Të krishterët e morën lipsanin e shenjtë të martirit, duke dhënë shumë para, dhe e varrosën. Më vonë kur bënë transferimin e lipsaneve të shenjtit, një aromë e mrekullueshme mbushi vendin.
Koka e nderuar e këtij neomartiri gjendet në Manastirin e Shenjtë Vulkanu të Mesinisë.
Si përfundim duhet të shtojmë se viti i martirizimit të Shenjtit ndoshta nuk është viti 1686, siç fillimisht tregohet nga Shën Nikodhim Agjioriti dhe përsëritet nga të gjithë shkruesit e Sinaksarëve. Kallamata, me ndihmën e Venecianëve u çlirua prej osmanëve më 14 Shtator 1685. Venecianët qëndruan në qytet deri në vitin 1715. Si pasojë, Shën Ilia është martirizuar para 14 Shtatorit 1685, kur osmanët ishin ende në Kallamatë, me shumë mundësi është martirizuar më 31 Janar 1685.
Shën Theodhor Haxhi nga Mitilini : 30 Janar
Shën Theodhor Haxhi lindi në
Pirgus Thermis të Lesbos. Jetoi në shekullin XVIII, gjatë viteve të sundimit Osman.
Në vendin e quajtur “Kato Pirgon”, në krah të rrugës, pas një çezme guri shumëvjeçare, sot gjenden muret e rrënuara të një shtëpie kullë, gurët e së cilët u sollën në Kara-tepe gjatë pushtimin gjerman për të ndërtuar shtëpi. Në këtë shtëpi kullë të vjetër lindi Shën Theodhori. Kur u rrit u martua me një grua besëmirë, me të cilën lindi dy fëmijë.
Poeti i madh Odiseas Politis i dha biografit të tij Italo Mario Vitit informacionin se familja e tij e kishte origjinën nga Shën Theodhori, të cilin e vendos si fillim të pemës së tij gjeologjike. Numri i madh i burrave me emrin Theodhor në zonën e Pamfileve lidhet sipas traditës me Neomartirin Theodhor.
Shenjti punonte si këpucar dhe kishte një punishte në tregun qëndror të Mitilinit, në Bash-fanari. Një herë e gjeti veten në një gjendje të dëshpëruar dhe u bë mysliman. Por më vonë erdhi në vete, u ndërgjegjësua për mëkatin e tij dhe shkoi në Malin e Shenjtë. Aty jetoi për një periudhë të madhe kohore, u kungua me Misteret e Shenjta dhe u parapërgatit për martirizim.
U rikthye në Mitilini dhe u paraqit tek kadiu. Me guxim pohoi Krishtin dhe deklaroi se feja myslymane është e rreme. Kadiu menjëherë vendosi dënimin me varje për martirin dhe më pas e çoi tek një tjetër arkond, tek Nazir Omer agai, i cili u mundua që me joshje dhe me premtime ta bindte. Por Shenjti qëndroi i patundur dhe pas torturave të frikshme, u drejtua për tek vendi i ekzekutimit, ku së pari puthi litarin e trekëmbshit, i’u lut Perëndisë dhe kështu pranoi kurorën e fitores më 30 janar 1785.
Lipsani i tij i nderuar u hodh në det, por me ekonominë e Perëndisë u gjend në jug të Mitilinit. Të krishterët e morën trupin e tij e Shenjtit dhe e varrosën në Kishën e Shën Joan Pararendësit, pa lënë gjurmë të varrit, me qëllim që ta mbronin atë, duke e fshehur lipsanin e shenjtë nga sytë e ndyra të turqve.
Aty qëndroi i varrosur për 183 vite, deri në ditën e bekuar të 4 shtatorit 1967, kur u gjetën Lipsanet e tij të Shenjta, duke u bazuar në dëshmitë e shkrimtarit kishtar Shën Nikodhim Agjioritit dhe shkrimtarëve të tjerë. Lipsanet ruhen në kishën e Burimit Jetëdhënës në Varia.
Më 3 shtator 1985, efimeri i Pirgon Thermis, atë Mihail Bulgarelis, mori një pjesë të Lipsaneve të Shenjta të Shën Theodhorit dhe i transferon ato në vendlindjen e Shenjtit.
Shën Dhimitër Hiopoliti : 29 Janar
Shën Dhimitri lindi në vitin 1780, në fshatin Paliokastro të Hios prej prindërve të vyrtytshëm, Apostolit dhe Marulës. Në moshë të re shkoi në Kostandinopojë dhe punonte pranë vëllait të tij Zanit, i cili ishte tregtar.
Kur pa lejen e vëllait u fejua me një vajzë të re, Zani e largoi prej dyqanit të tij. I gjendur në një varfëri të madhe u kujtua se Sheh-ul-Isami i detyrohej të vëllait të tij një shumë parash nga blerja e disa cohërave dhe shkoi në shtëpinë e tij që t’i merrte dhe t’i përdorte për vete. Aty njohu një vajzë të re myslymane, e cila e deshi dhe i tha se në mënyrë që të martohej me të duhet të ndryshonte besimin. Dhimitri e pranoi kërkesën dhe qëndroi në shtëpinë e turqve për dy muaj.
Megjithatë, ai erdhi shpejt në vete, u arratis dhe u fsheh përkohësisht me një familje të krishterë në zonën e Stavrodromios. Aty e takoi vëllai i tij Zani. Dhimitri u rrëfye tek ati shpirtëror i vëllait të tij dhe njëkohësisht i dërgoi një letër babait të tij duke rrëfyer ngjarjet e jetës së tij deri në atë kohë, por edhe dëshirën e tij për t’u martirizuar për Krishtin. Pasi u kungua me Misteret e Shenjta, u paraqit para kadiut, ku pohoi me guxim besimin e tij, edhe pse Hiotët e Kostandinopojës mblodhën para për lirimin e tij, Dhimitri qëndori i patundur në besimin e tij.
Kështu, pas torturave të frikshme, të cilat i duroi i papërkulur, i prenë kokën më 29 janar 1802. Lipsanin e tij të Nderuar e morën të krishterët dhe e varrosën në ishullin Proti.
Oshënar Efremi nga Kievi
Oshënar Efremi lindi në Kiev dhe ishte ekonomist i princit të Kievit Iziaslavit, të birit të Jaroslavit (1054-1068). U bë murg dhe asketizoi në Lavrën e Madhe të Shpellave të Kievit. Por djalli që sjell urrejtje vuante teksa shihte shtimin e familjes së murgjërve. Djalli bëri që hegjemoni Iziaslav të zemërohej dhe t’u shkaktonte shumë dhimbje Etërve të Shpellave. Kur kjo sprovë kaloi, Oshënari u dha me zell të shenjtë në asketizëm dhe lutje. Dëshira e tij që të vizitonte vendet e shenjta e çoi atë në Kostandinopojë dhe në Palestinë. Dëshironte që të falej nëpër vendet ku luftuan dhe jetuan Apostujt e Shenjtë, Etërit e mëdhenj dhe Asketët e shkretëtirës. Kur u kthye në Lavrën e Kievit solli edhe tipikonë monastike dhe rendin kishtar të murgjërve të manastirit të Studitëve në Kostandinopojë.
Oshënar Efremi, rreth vitit 1090 u zgjodh Episkop i qytetit Perejaslav dhe u hierotonis prej Mitropolitit Joan të Kievit. Kështu pasi jetoi në mënyrë të pëlqyeshme nga Perëndia, fjeti në paqe në vitin 1098 dhe u varros në Lavrën e Shën Andonit të Kievit.
Shën Dhimitri në Kostandinopojë : 27 Janar
Shën Dhimitri ishte i bukur në pamje, i fortë në trup dhe i pastër në moral. Për 25 vite ai punonte në Galata të Kostandinopojës në një dyqan verërash, që i përkiste të krishterit Haxhi Panajoti.
Disa prej klientëve të dyqanit, të cilët ishin myslymanë prej Pondit, përpiqeshin që Dhimitrin ta bindnin të ndryshonte besim. Një ditë kur ata u dehën u ndoqën prej pronarit të dyqanit me ndihmën e Dhimitrit.
Gjatë këtij incidenti, një myslyman mbeti i plagosur, i cili e denoncoi Dhimitrin si përgjegjës të këtij akti. Kështu Dhimitrin e çuan tek Veziri. Para Vezirit Dhimitri nuk mundi që të vërtetonte pafajësinë e tij, për këtë arsye Veziri i parashtroi dy mundësi, ose të bëhej myslyman, ose të vdiste. Por Dhimitri këmbnguli me forcë në besimin e krishterë. Para këtij qëndrimi këmbngulës të Dhimitrit, Veziri urdhëroi prerjen e kokës së tij. Para ekzekutimit u soll përsëri para Vezirit, por Dhimitri përsëri nuk ra pre e joshjeve, premtimeve dhe torturave të turqve, dhe veçantërisht të atyre që i bënin akuzuesit e tij.
Kështu Dhimitrit, më 27 Janar 1784, i’u pre koka para dyqanit të verërave ku punonte.
Trasferimi i lipsaneve të Shën Joan Gojartit : 27 Janar
Të dashur, miq, vëllezër dhe motra më Krishtin.
Shën Gjermanoi : 26 Janar
Oshënar Gjermanoi i Sagmatës, që jetoi në vitet e errëta të skllavërisë osmane (1480-1540) është një tjetër figurë asketike, që si një yll i ndritshëm ndriçon Kishën e Viotisë. Biografi i tij e quan “shpirtprurës”, pasi personaliteti i tij ndiçonte nga dhuntitë shpirtërore dhe dhuratat e Shpirtit të Shenjtë, aq sa arriti shumë lartë moralisht dhe në përsosjen shpirtërore, duke u treguar mësues dhe drejtues i bashkëasketëve të tij.
Shën Avksenti, Martiri i ri : 25 Janar
Shën Avksenti lindi në zonën e Velasë në Janinë në vitin 1690, prej prindërve shpresëtarë. Që në moshë të re, shkoi në Kostandinopojë dhe punoi si lëkurëregjës në hanin, e quajtur Mahmut Pasha.
Por më vonë, u dha pas kënaqësive të jetës, la punën e tij dhe u bashkua me miqtë e tij turq për t’u argëtuar në anijet mbretërore. Por shokët e tij, shpifën kundër tij, sikur ai kishte mohuar Krishtin dhe kishte pohuar fenë e tyre. Avksenti i trembur braktisi anijet dhe pasi bleu një barkë, filloi të punonte si varkëtar.
Por i penduar për gabimet e tij të mëparshme, dëshironte që të martirizohej për Krishtin. Rastësisht, takoi Singjelin e Kishës së Madhe Grigor Ksiropotaminon dhe i rrëfeu dëshirën e tij. Më pas, në rrugë e ndeshën dy marinsa të flotës, të cilët e njohën dhe më pas e çuan tek kadiu.
Para kadiut, Avksenti edhe pse u torturua mizorisht, pohoi se është i krishter. Kështu e arrestuan në Pasha Kapisi. Në atë burg Singjeli Grigor e vizitoi dhe i dha guxim që të qëndronte burrërisht para të pabesëve. Kur u mor përsëri në pyteje, Avksenti u përgjigj: “Unë i krishter linda dhe i krishter dua që të vdes”. Atëherë e dënuan me vdekje me prerje koke.
I prenë kokën më 25 Janar 1720 në Kostandinopojë. Koka e Shenjtit ruhet në Manastirin e Ksiropotamit.
Shën Pavli, Pavsirios dhe Theodhoti, Vëllezër : 24 Janar
Shën Pavli, Pavsirios dhe Theodhoti, Vëllezër.
Martirët e shenjtë Pavli, Pavsirios dhe Theodhoti jetuan gjatë viteve të perandorëve romakë Dioklecian (284-305) dhe Maksimian (285-305), ndërsa administrator në Kleopatrida, në Suezin e sotëm të Egjiptit, ishte Ariani. Këta shenjtorë ishin vëllezër. Pavli dhe Pavsiriosi në një moshë të re u bënë murgj, ndërsa Theodhoti ra në një shoqëri të keqe, shkoi në male dhe jetoi bashkë me kusarë.
Kur filloi përndjekja e Dioklecianit kundër të krishterëve, hegjemoni i Kleopatridhës Ariani, arrestoi Pavlin dhe Pavsiriosin. Në atë kohë Pavli ishte 37 vjeç, ndërsa Pavsirios ishte 25. Menjëherë sa Theodhoti u njoftua për këtë ngjarje, la malet dhe kusarët dhe zbriti që të shikonte dhe të takonte vëllezërit e tij. Me hirin e Perëndisë edhe zemra e tij u ngroh dhe pohoi edhe ai se beson tek Krishti. Në vazhdim ai i’u vërsul tiranit duke e rrëzuar këtë nga froni i tij. Menjëherë, me urdhër të Arianit i futën thonj të hekurt në brinjë dhe në bark dhe në fund i prenë kokën.
Kështu, pra, Shën Theodhoti mori kurorën e martirit, ndërsa vëllezërit e tij Pavlin dhe Pavsirion i hodhën në det, ku edhe u martirizuan.
Shën Maksim Greku : 21 Janar
Shën Maksim Greku lindi në Arta në vitin 1470, por origjina e tij ishte Moreja dhe emri i tij laik ishte Mihail Trivolis. Studioi pranë Joani Moskos dhe i plotësoi studimet e tij në Itali. Gjithashtu, studioi në shkollën greke të Venedikut dhe më vonë studioi edhe në Universitetin e Padovas, Firences, Milanos, duke patur mësues grekë si Janos Laskaris, Laonik Halkokondili etj.
Në vitin 1506 shkoi në Malin e Shenjtë, ku u qeth murg me emrin Maksim. Më pas Shenjti, pas ftesës së Carit të Rusis Vasil Ivanoviç, në vitin 1516 shkoi në Rusi në mënyrë që të përkthente libra të ndryshëm liturgjik dhe theologjik në gjuhën sllave.
Por aty u akuzua me pa të drejtë prej igumenit të fuqishëm Daniel të Manastirit Volokalamsk dhe kështu Maksimi vuajti për shumë vite me internime, privim nga kungimi i Shenjtë, burgosje dhe vuajtje të tjera. Përfundimisht në vitin 1551 shkoi në Lavrën e Shën Sergjit, ku igumeni e priti me shumë dashuri, duke nderuar veprën e tij shpirtërore. Aty dha edhe frymën e tij të fundit më 21 Janar 1556, pasi shkroi shumë vepra apologjetike dhe interpretuese. U njoh si Shenjt në vitin 1988.
Shën Zaharia, Martir i ri : 20 Janar
Martiri i ri Zaharia ishte me origjinë prej zonës së Artës. Në një moshë të vogël u islamizua dhe shkoi në Patrën e Vjetër ku ushtronte profesionin e lëkurëregjësit. Por më vonë u pendua që kishte ndryshuar besimin. Kështu, pasi u pendua, gjeti një at shpirtëror tek i cili rrëfeu mëkatin e apostazisë dhe i kërkoi bekimin që të ecte drejt martirizimit.
Ati shpirtëror, i frikësuar se mos ndoshta Martiri dobësohet shpirtërisht gjatë torturave, e ndaloi. Atëherë Shenjti i’u përgjigj atit shpirtëror dhe i tha: “Unë kaq shumë jam i etur që të torturohem për Krishtin, saqë dëshiroj që të vuaj edhe shumë më tepër tortura nga ato që më përmende”. Para këtyre fjalëve të fuqisë së besimit dhe të dashurisë për Krishtin, ati shpirtëror e kungoi Shenjtin me Misteret e Shenjta dhe i dha bekimin.
Shenjti shkoi në punishten e tij, shiti gjithçka që kishte dhe paratë i shpërndau si lëmoshë për të varfërit dhe u paraqit para kadiut, para të cilit pohoi besimin e tij për Krishtin. Me gjithë joshjet, ai i qëndroi fuqishëm pohimit të tij. Kështu e mbyllën në burg dhe e torturuan për shumë ditë. Ai duroi torturat e frikshme me burrëri shpirtërore dhe qëndrueshmëri të admirueshme, që të jepte frymën e tij në vitin 1782.
Kisha lokale e Artës e kremton kujtimin e tij dhe ikona e tij ruhet në Manastirin e Shenjtë Kato Panagjias në Artë. Kujtimin e tij e kremton gjithashtu edhe kisha lokale e Patrës, pasi Shenjti punoi aty.
Shën Marku i Efesit : 19 Janar
Të nderuar miq të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin në datën 19 janar Kisha Orthodhokse kremton: "Kujtimi i atit tonë ndër shenjtorë MARK EVGJENIKU, mitropolit i Efesit dhe rrëfyes i besës orthodhokse".
Shën Makario Kallogjeri : 19 Janar
Shën Makario, ishte mësuesues në profesion dhe lindi në ishullin Patmo në vitin 1688 dhe rridhte prej një familjeje të pasur. Më vonë shkoi në Kostandinopojë për studime dhe erdhi në kontakte me familje të rëndësishme dhe me klerikë të Kryeqytetit. Pas përfundimeve të studimeve shumëvjeçare shërbeu si Dhjakon pranë Mitropolitit të Nikomedisë.
Meqenëse Makario ishte shumë i interesuar për mësimin dhe edukimin e grekëve të skllavëruar, u kthye në Patmo në vitin 1713 dhe themeloi Shkollën e Patmosit. Mësimet e shkollës ofroheshin falas për të gjithë nxënësit dhe fillimish Makario ishte mësues i vetëm i shkollës. Pas disa vitesh, më të mirët e nxënësve u zgjodhën si mësues në shkollë. Këta nxënës ishin nga Patmosi dhe nga vende të tjera të Perandorisë Osmane. Bashkëpunëtorët e tij kryesor ishin murgu Kozma nga Limnosi dhe murgu Gjerasim Bizantini. Numri i nxënësve u rrit në 100 vetë, për këtë arsye u konsiderua e nevojshme ndërtimi i ndërtesave të reja, të cilat u ndërtuan me ndihmën e dhuruesve të pasur të Kostandinopojës. Shkolla e Patmosit u shndërrua në një nga shkollat më të rëndësishme të Helenizmit.
Makario, i cili ishte i dobët nga ana shëndetësore, vdiq në Patmo në vitin 1737, por veprimtaria dhe puna e tij intensive e mbajtën gjallë emrin e tij. Në priftëri ai nuk shkoi më lartë sesa grada e dhjakonit, pasi kjo detyrë atij i pëlqente më tepër, siç thoshte edhe ai vetë: “Më mirë të shërbej sesa të shërbehem”.
Shën Athanasi e Madhe & Shën Kirili të Aleksandrisë. 18 Janar
Të nderuar miq dhe të dashur vëllezër dhe motra më Krishtin, në datën 18 janar Kisha Orthodhokse kremton me madhështi dy nga Etërit e mëdhenj dhe Mësuesit Ekumenik (të përbotshëm),Shën Athanasin e Madh dhe Shën Kirilin e Aleksandrisë.
Shën Maksimi, Episkop i Ungrovllahisë : 18 Janar
Shën Maksimi lindi në Serbi dhe ishte i biri i hegjemonit të Serbve, Shën Stefan Brankoviç të Verbërit (nderohet më 10 Dhjetor) dhe i Shën Angjelina Arianitit (nderohet më 30 Korrik). Emri i tij i botës ishte Gjergj. Princi i ri braktisi lavdinë e botës dhe u bë murg në Manastirin Manasia të Serbisë qëndrore. Për shkak të bastisjeve osmane u largua në Rumani, ku u dorëzua Episkop i Ungrovllahisë. Kur arriti moshën e pleqërisë u tërhoq në Manastirin Krusendol të Serbisë dhe fjeti në vitin 1546 si pasojë e një sëmundje që i zgjati për shumë vite.
Oshënar Athanasi nga Rusia
Oshënar Athanasi i Sgiantemskit jetoi në shekullin e 16−të. Filloi jetën asketike në Manastirin e Valamit në Finlandë dhe e përfundoi atë në Manastirin Sgiantemski të zonës së Vologodit të Rusisë, ku kaloi në mënyrë të pëlqyeshme nga Perëndia jetën murgjërore që i kishte mbetur. Oshënar Athanasi fjeti në paqe në vitin 1550.
Shën Gjergji i Janinës (17 Janar )
Shën Gjergji lindi në vitin 1808 në fshatin Xurhli të zonës së Gerbenesë, prej prindërish të varfër bujq, Kostandinit dhe Vasillos. Gjergji, për shkak të gjendjes ekonomike të prindërve të tij nuk u arsimua dhe mbeti analfabet. Mbeti jetim në moshë të vogël dhe shkoi në Janinë, ku u bë kujdestari i kuajve të Haxhi Abdullahut, tek i cili qëndroi për tetë vite.
Gjatë Tetorit 1836 u akuzua nga disa armiq të tij turq, sikur ishte islamizuar dhe më vonë ishte rikthyer përsëri në fenë e krishterë. Para gjykatësit Gjergji u mbrojt me guxim dhe rrëfeu se kurrë nuk e kishte mohur fenë e tij të krishterë.
Kështu pasi u zbulua që nuk ishte rrethprerë u la i lirë.
Më pas u martua me një vajzë të quajtur Eleni dhe më 30 Dhjetor 1837 lindi fëmija i tyre, që pas tetë ditës, më 7 Janar, në të kremten e Pararendësit, u pagëzua duke marrë emrin Joan, për shkak të ditës.
Në vijim, Gjergji, u punësua si kujdestar kuajsh tek Myselimi i Filatit dhe shkoi të jetonte në këtë qytet. Më pas me lejen e pronarit të tij, erdhi në Janinë për punët e tij, ku më 12 Janar 1838, ditën e mërkurë, një turk e akuzoi sërish me akuzën e mëparshme, se ishte bërë mysliman dhe më vonë ishte rikthyer në krishterim.
Kështu u arrestua, u burgos dhe me dhunë turqit u përpoqën që t’i ndryshonin besimin. Por Gjergji, qëndroi i patundur, duke pohuar Krishtin. Më kot njerëzit dhe kleri u përpoqën ta bindnin të arratisej nga burgu. Ai dëshironte që të martirizohej për Krishtin. Tre herë e çuan tek gjykatësi, dhe të tria herët pohoi besimin e tij të krishterë.
Kështu të hënën më 17 Janar 1838 Gjergji u var në sheshin e pazarit.
Tre ditë qëndroi i varur dhe gjatë kësaj kohe çdo natë një dritë qiellore shkëlqente mbi kokën e tij. Që nga ai moment, një stuhi mrekullish vërshoi qytetin. Shumë të paralizuar dhe të vuajtur nga sëmundje të ndryshme, duke iu drejtuar shenjtorit, gjetën shërimin e tyre.
Akoma edhe një grua myslimane hoqi çorapen nga këmba e shenjtit dhe e çoi tek një tjetër grua myslimane e sëmurë, e cila u shërua menjëherë. Për këtë arsye nëpër ikona shenjti ikonizohet i varur duke patur të veshur çorape vetëm në njërën këmbë. Ikona e tij e parë u ikonizua 13 ditë pas martirizimit të tij. Më vonë lipsani i tij, u dhurua nga Mustafa Pashai tek Mitropoliti Joakim i Janinës dhe u varros me nderime në krah të Hierores së Kishës Metropolitane të Shën Athanasit.
Më 26 Tetor 1971 u krye Transferimi i Lipsanit të Shenjtë të Shenjtorit, në Kishën që mori emrin e tij, e cila u ndërtua në vendin ku më parë ishte shtëpia e tij. Shenjti nderohet edhe në Kofuz në Kishën “E Tërëshenjta e të huajve”, ku ikonizohet si një i ri i veshur me fustanellë.
Oshënar Sava, Kryepiskopi i parë i Serbisë dhe ndërtuesi i Manastirit të Shenjtë Hiliandarit
Oshënar Sava jetoi nga fundi i shekullit të 12-të dhe nga fillimi i shekullit të 13-të. Ishte djali i dytë i mbretit serb Stefanit të parë Nemanja dhe princeshës Ana. Emri i tij laik ishte Resko. Që në vogëli kishte një simpati të madhe për vyrtytet e krishtera dhe në moshën 17−vjeçare shkoi në Malin e Shenjtë, ku me pëlqimin e të atit të tij mbret u bë murg në Manastirin e Vatopedhit dhe u quajt Sava.
Më vonë, pas vdekjes së princeshës Ana, në Malin e Shenjtë erdhi edhe babai i tij. Shembullin e mbretit e ndoqën edhe të tjerë serbë. Kështu rreth vitit 1195, u ndërtua Manastiri serb i Hiliandarit, me iniciativën e Oshënar Savës. Në kohën e Perandorit Theodhor Laskari, Oshënar Sava u dërgua prej Komunitetit të Shenjtë të Malit të Shenjtë në Nikea.
Dhuntitë personale të Oshënarit i bënë një përshtypje të madhe Perandorit dhe Patriarkut në Nikea, të cilët e detyruan që të merrte gradën e Kryepiskopit të Serbisë. Serbët e pranuan me gëzim të madh. Me të vërtetë Oshënar Sava e kreu detyrën e tij me shumë zell. Ishte përdëllyes, jo argjenddashës dhe ndihmonte të varfërit. Më pas shkoi përsëri në Malin e Shenjtë dhe prej andej shkoi për t’u falur në Vendet e Shenjta dhe u rikthye në Serbi që të forconte besimin e patriotëve të tij. Shën Sava, pasi punoi sipas vullnetit të Perëndisë, fjeti me paqe në Tirnovo në vitin 1236. Lipsani i tij i shenjtë u gjend i paprishur, por u dogj në vitin 1594 prej Vezirit të Madh osman Sinan Pashës në Beograd.
Shën Ilario, Episkop i Piktoneve
Shën Ilario ishte me origjinë nga Franca dhe lindi gjatë shekullit të katërt në qytetin Puatje. Prindërit e tij ishin idhujtarë, por ai u drejtua drejt Krishtit, u bë i krishter dhe më vonë u bë Episkop i vendlindjes së tij. Në vitin 356 u internua në Frigji nga perandori Konstant për mendimet dhe frymën e tij mbi besimin e drejtë. Në internim, ku qëndroi për katër vite, shkroi veprën e tij “Mbi Trininë”, dhe veprën “Mbi Sinodet”, të cilën e drejtoi për të krishterët e perëndimit, që t’i informonte rreth luftrave të Orthodhoksëve të Lindjes kundër Arianizmit.
Shenjti mori pjesë në Sinodin e Selefkisë së Izaurës në vitin 359, dhe ishte ndër Episkopët që u dërguan prej Sinodit të Kostandinopojës, me qëllim që të njoftonin Perandorin mbi vendimet e Sinodit. Shenjti kërkoi një audiencë të veçantë prej Perandorit, por nuk u pranua dhe u dëbua. U rikthye në Francë, ku filloi përpjekjet e tij kundër heretikëve dhe veprimtarinë për Orthodhoksinë. Në Sinodin e Parisit, që u bë në vitin 361, Shën Ilario arriti që të dënonte Arianët dhe krerët e tyre në Perëndim, Avksentin, Ursakion, Ualin dhe Saturninin dhe të njohë vlefshmërinë e vendimeve të Sinodit të parë Ekumenik. Nga Galia Shenjti shkoi në Itali, në vitin 364 drejtoi Sinodin e Mediolanos dhe luftoi kundër episkopit heretik të këtij qytetit, Avksentit.
Shën Ilario fjeti me paqe ndërmjet viteve 366-368.
Oshënar Ilia Mrekullibërësi
Shenjtori i ditës :
Oshënar Ilia ishte një prej mësuesve më të mëdhenj të shkretëtirës. Shikonte urinë dhe nuk e llogariste. Jetoi miliona persekutime dhe tundime dhe i kapërceu ato. Siç thoshte, kishte frikë vetëm prej tre gjërave: Orën, kur shpirti i tij do të dilte prej trupit të tij; Kohën gjatë së cilës do të dilte para Perëndisë; Dhe momentin kur Perëndia Gjykatës dhe Njeridashës do të merrte vendimin për të. Oshënar Ilia Mrekullibërësi fjeti në paqe.