Shën Vasili, mbrekullibërës nga Serbia : 29 Prill
Shën Vasili, Episkop i Zakholmsk, lindi prej
prindërish besëmirë në vitin 1610 në zonën e Popovit në Hercegovinë. Nga
dashuria për jetën murgjërore braktisi shtëpinë atërore dhe hyri në manastirin
e Fjetjes së Hyjlindëses së Trebnik, ku u qeth murg.
Për shkak të vyrtytit u zgjodh Episkop i Zakholmsk dhe Skenderias. Mori fronin metropolitan në gjysmën e dytë të shekullit 16, si pasues i Episkopit Pavlo. Shën Vasili ishte një bari i vërtetë për grigjën e Krishtit dhe Zoti e denjësoi me dhuntinë e mrekullibërjes.
Që Shenjti të njihte traditën murgjërore dhe hezikaste bizantine, vizitoi Malin e Shenjtë.
Shën Vasili fjeti me paqe në vitin 1671 dhe u varros në qytetin Ostrog në Malin e Zi, që gjendet pranë kufirit me Hercegovinën.
Shën Mihail Mavrudhi : 28 Prill
Shën Mihail Mavrudhi ishte me origjinë nga fshati Granicë i Agrafës. Prindërit e tij ishin besëmiri Dhimitër dhe e vyrtytshmja Statira, të cilët e rritën Mihailin “me edukim dhe këshillim më Zotin”. Pas vdekjes së të atit të tij shkoi në Selanik, ku ushtroi profesionin e bukëpjekësit, por paratë e tij i ndante me vëllezërit e tij të varfër dhe të pafuqishëm.
Kur u përpoq që të katekizonte një djalosh mysliman në besimin e krishter, ai e denoncoi dhe Mihailin me dhunë e çuan tek gjykata. Gjatë marrjes në pyetje, ku pyetjeve të kadiut iu përgjigj me maturi dhe njohuri të thella theologjike, ai u përpoq t'i konvertonte edhe këta kadinj. Me ndërgjegje dhe guxim i theksoi kadiut: “Mos humb kohë, por më dorëzo tek Perëndia sa më parë, sepse dua që të bëhem sakrificë e Zotit tim, të piqem si bukë dhe të vendosem në Tryezën e Trinisë së Shenjtë dhe të ofrohem si aromë temjami për Të”. Përfundimisht u dënua me vdekje dhe e dogjën të gjallë në Selanik më 21 Mars 1547, ditën e Enjte, ora 9, në oborrin e Kishës së Shenjtë të Ipapandisë së Shpëtimtarit.
Martirizimi i Shenjtit, ndër të tjera, tregohet edhe në Kodikun nr.727 të shekullit 18 në Manastirin e Ksenofondës në Malin e Shenjtë dhe në Kodikun nr. 2142(129) të shekullit 18 të Manastirit të Esfigmenit. Uratorja e Madhe si datë kujtimi të tij, tregon 10 Mars 1544.
Shën Mihail Mavrudhi kremtohet të Enjten e Javës së Ndritshme.
Vëllezërit oshënarë Apostoli dhe Theohari : 27 Prill
Oshënarët Theohar dhe Apostol ishin me origjinë nga Arta dhe jetuan rreth fundit të shekullit 18 dhe fillimit të shekullit 19. Ishin bij të priftit Duia, i cili i rriti me edukim dhe këshillim sipas Zotit. Oshënar Theohari shërbeu më vonë edhe si mësues i themeluesit të Shoqërisë së Miqëve, Nikolao Skufa, nga Arta. Të dy oshënarët dalloheshin për devotshmërinë, vetëpërmbajtjen dhe filanthropinë. Vazhdimisht studionin Shkrimin e Shenjtë dhe luteshin.
Oshënar Theohari fjeti me paqe të Shtunën e Madhe të vitit 1829 dhe parashikoi momentin e largimit të tij nga jeta tokësore. I dha urdhër vëllait të tij që ta varroste në kishën e shenjtë të Shën Anargjendëve dhe të mos bëhej transferimi i lipsaneve të tij. Lipsani i tij i shenjtë lëshonte një erë të mirë, si shenjë e dashurisë së Zotit ndaj oshënarit.
Oshënar Apostoli, fjeti me paqe në vitin 1846. Lipsanin e tij të nderuar e varrosën në varrezat e kishës së shenjtë të Shën Sofisë me shumë nderime. Jetën e tyre e shkroi Mitropoliti i Artës, Serafim Bizantini dhe igumeni i manastirit Kato Panagjias në Artë, Kostandini nga Arta. Kujtimi i tyre kremtohet më 17 Prill. Kisha jonë e nderon kujtimin e tyre, gjithashtu, edhe të Dielën e Miroprurseve.
Shën Rafaili : Histori Mrekullie : 26 Prill
Më 23 Qershor 1959, në afërsi të fshatit Thermi të Lesvos u zbulua një varr i të panjohurve. Veçanërisht, punimet restauruese po kryheshin në një kodër aty pranë dhe punëtori Doukas Tsolakis ra mbi atë varr. Duke mos ditur se për çfarë bëhej fjalë ai la reliket e shenjta në trungun e një peme. Ai qeshi dhe u largua kur vuri re se nuk mund të lëvizte duart. I habitur, ai u“zgjidh” vetëm pasi bëri kryqin e tij për herë të parë pas 27 vitesh. Pastaj pa një shenjtor, Shën Rafaelin pranë humnerës dhe që atëherë u bë predikues i kësaj ngjarjeje dhe i Shenjtorit të ri. Që atëherë, Shenjti filloi t'u shfaqej gruas së të zotit të arës, por edhe pelegrinëve të tjerë, haxhilerëve dhe fëmijëve të fshatit, si në gjumë, ashtu edhe zgjuar. Prezantohej me petk dhe nganjëherë pa folur, herë të tjera shfaqej me Virgjëreshën Mari dhe Shën Parashqevinë duke rrëfyer jetën dhe martirizimin e tij në detaje. Gjithashtu, në raste të tjera ka treguar emrin e tij, duke thënë se kishte ardhur koha që të festohej të Martën e Ndritshme, pasi do të bënte shumë mrekulli. Rrëfimet mes banorëve ishin të njëjta, pa asnjë komunikim mes tyre. Duhet theksuar se varri i Shën Nikollës u zbulua më 13 Qershor 1960.
Shën Anania Hieromartir, Mitropolit i Lakedemonisë : 15 Prill
Hieromartiri i Shenjtë Anania lindi nga fillimi i shekullit 18 prej prindërish fisnik dhe tregtar. Shenjti studioi në shkollën e Dhimicanës dhe më pas u dorëzua Episkop i atdheut të tij. Në Shkurt të vitit 1750 u bë Mitropolit i Lakedemonisë dhe shkroi në vitin 1755 një traktat rreth Spartës dhe Mitropolitëve të saj.
Dallohej për arsimin e tij, për diturinë e lartë, për karakterin e tij të patundur kishtar, për mirësinë dhe filanthropinë e tij. Tek Grekët ai ngjallte rrespekt të madh, ndërsa tek Turqit frikë. Për këtë arsye ai ishte kryetar i të gjithë prijsave të Moresë, duke patur si bashkëpunëtor Janaqi Krevatën, P. Zaimin dhe P. Benaqin. Të gjithë forcuan elemntin kombëtar dhe mbështetën armatolët vendas.
Sipas historianit Mihail Ikonomi, Shën Anania kur u bë Mitropolit ruajti edhe juridiksionin e Episkopatës së Dhimicanës dhe të Episkopatës së Methonit.
Gjatë pranverës, verës dhe një pjesë të vjeshtës qëndronte në Dhimicana, ku ndërtoi një ujësjellës, konsolidoi taksat vjetore të shkollës së famshme të manastirit të Filozofit dhe rindërtoi në Mistra, një Mitropoli madhështore.
Megjithatë, pushteti i Shenjtorit ishte përtej kufijve të Peloponezit, sepse ai kishte lidhje të forta me Patriarkanat e Aleksandrisë dhe të Jeruzalemit. Ndërsa si Patriark i Kostandinopojës ishte Kirili V Karakalos nga Dhimicana, patriark pro-rus dhe armik i Latinëve. Kur Patriarku Kiril u internua, erdhi nga Sinai në Dhimicana dhe aty bashkë me Shën Ananinë ungjillëzoi çlirimin e Kombit dhe ndërtoi shkolla.
Në atë kohë me udhëzimet e Shenjtit u ndërtua një godinë e madhe për shkollën e Dhimicanës, në të cilën do të jetonin të gjithë nxënësit në nevojë që vinin nga i gjithë Peloponezi.
Gjithashtu në atë kohë filluan që të vinin në Greqi të dërguarit e Katerinës së Madhe, ndër të cilët edhe miku i Shenjtit Orlov Papazolis, i cili në vitin 1766 shkoi edhe në Mani me qëllim që të organizonte një kryengritje në Peloponez. Në kuvendin e famshëm, që u zhvillua në Kalamatë, i pari ishte i ftuar edhe Shën Anania. Me bekimin e tij u hartua e ashtëquajtura “marrëveshja” e banorëve të Peloponezit, të cilën Papazoli ia përcolli perandoreshës.
Shën Anania, pas kësaj, u konsultua me kapedanët dhe armatolët e Peloponezit dhe të Manit, si dhe me të shquarit dhe kryepeshkopët e krahinave dhe të tre ishujve të Hidrës, Spetses dhe Psarës, për çlirimin e atdheut. Me kujdesin dhe shpenzimet e shenjtorit, në Dhimicanë u ngritën dy depo baruti.
Kjo lëvizje u tradhtua tek Valiu i Moresë, të cilit i treguan se Shenjti bashkëpunon me Rusinë për përmbysjen e Turqisë. Shumë më pas i sugjeruan shenjtorit rezistencën e armatosur, por ai sugjeroi që vetëm ai të binte viktimë, në mënyrë që turqit të mos kuptonin lëvizjen e planifikuar. U kungua me Misteret e Shenjta dhe menjëherë priti ushtarët, të cilët e arrestuan. Shën Anania u gjunjëzua dhe me një padurim të jashtëzakonshëm thirri xhelatin që ta godiste. Gjaku që rrodhi nga zemra e tij e plagosur, leu shtyllën e derës së vogël perëndimore të Mitropolisë së Mistras.
Turqit e zvarritën më pas lipsanin e nderuar të Hieromartirit nëpër rrugë dhe e lanë për tre ditë të pavarrosur. Sapo turqit u larguan, të Krishterët e morën dhe e varrosën me madhështi.
Shën Dhimitri nga Peloponezi : 14 Prill
Shën Dhimitri nga Peloponezi lindi në fshatin
Ligudhista të Arkadisë dhe në një moshë të vogël shkoi bashkë me vëllain e tij
në Tripoli, ku punuan bashkë me disa ndërtues. Por, për arsye se ata e
torturuan, u largua nga grupi i tyre dhe shkoi në shtëpinë e një berberi turk,
i cili ia arriti që ta islamizonte Dhimitrin, duke e quajtur Mehmet.
Më pas Mehmeti braktisi Tripolin, u pendua për apostazinë e tij dhe shkoi në Argos. Nga Argosi, për siguri më të madhe shkoi në Smirni dhe prej andej në Manastirin e Pararendësit pranë Kidhonisë, ku gjeti një atë shpirtëror besëmir, u rrëfye dhe kërkoi këshillat e tij. Me nxitjen e atit të tij shpirtëror Dhimitri shkoi në Kio, ku qëndroi për një kohë të gjatë pranë një ati tjetër shpirtëror të famshëm, me lutje dhe pendim.
U parapërgatit për martirizim dhe shkoi në Argos, ku qëndroi i fshehur nga Prifti Andon Saqellari dhe prej andej arriti në Tripoli. U paraqit para qeveritarit turk, deklaroi se beson tek Krishti dhe se është gati që të derdhë gjakun e tij për Të.
Torturat që e ndoqën ishin të frikshme, por Dhimitri mbeti i patundur në besimin e tij dhe kështu më 14 Prill 1803 atij i’u pre koka në Tripoli.
Lipsani i tij i Shenjtë u ruajt prej të krishterëve në Kishën e Manastirit të Shën Nikolla Varson. Në pazarin qëndror të Tripolit, një kishë e vogël është ndërtuar për nder të këtij Martiri të Ri.
Shënim: Shën Nikodhim Agjioriti përmend si datë kujtimi të Shenjtit 13 Prillin.
Shën Arseni Kryepiskop i Elasonës : 13 Prill
Shën Arseni lindi në Evritani në vitin 1548, prej prindërve besëmirë dhe Perëndidashës, Theodhorit dhe Kristodhulës.
Vepra e tij letrare, njohja e gjuhëve dhe përvoja e tij si mësues, tregojnë se ishte shumë i arsimuar. Se ku i mësoi shkronjat e para, është e panjohur. Në vitin 1574 Shën Arseni zgjidhet Episkop i “Dhomnikut dhe Elasonës”, duke pasuar Dhmaskinin II (1570-1574). Në të njëjtin vit priti vizitën e Patriarkut Ekumenik Jeremisë II Tranit, i cili po bënte një turne në Rumeli dhe Peloponez. Patriarku Jeremia u mikprit në manastirin e Olimbotisës.
Fakti se rreth vitit 1580, në Olimbotisës funksiononte një shkollë e fshehtë, na bën që të mendojmë se Shën Arseni interesohej me shumë zell për formimin dhe arsimimin e të rinjve të Episkopatës së tij. Për këtë arsye edhe në bashkëveprim me igumenin dhe murgjit e Olimbotisës organizoi këtë shkollë, duke motivuar dhe inkurajuar fëmijët e Elasonës, që kishin zell për të mësuar shkronjat, për këtë arsye ngjiteshin në manastir dhe aty mësonin shkrim dhe këndim mbi shkrimet e shenjta.
Gjatë vitit 1588, Shenjti shoqëroi bashkë me Mitropolitin e Monemvasisë Jerotheun, Patriarkun e Kostandinopojës Jereminë II në Moskë, ku më 26 Janar 1589 shpallën dhe vendosën Mitropolitin Jov si Patriark të Vladimirisë, Moskës dhe Gjithë Rusisisë dhe Vendeve të Veriut.
Shenjti nuk u rikthye në Episkopatën e Elasonë, por qëndroi në Rusi, ku fjeti me paqe në vitin 1625.
Në lidhje me jetën dhe veprimtarinë e tij në Rusi, dimë se dha mësim në shkollën Greke të Lvorit të Ruthinisë, ku ekzistonte një komunitet i madh grekësh, kryesisht tregtarë, ndër të cilët ishte edhe tregtari kretan Kostandin Korniaktos.
Më vonë Shenjti zgjidhet si administrator i krahinës së Suzdalisë, nga ku kishte një korrespodencë të shpeshtë me Patriarkun e Aleksandrisë Shën Melet Pigan. Gjatë periudhës shumëvjeçare që Shenjti qëndroi në Rusi, ai nuk e harroi vendlindjen e tij si edhe manastiret ku kishte kaluar vitet e tij të rinisë. Dhuroi shumë libra, ikona dhe enë të shenjta në manastirin e Tatarnit dhe në Meteora.
Oshënare Anthusa, bija e Kostandin Kopronimit : 12 Prill
Oshënare Anthusa ishte e bija e perandorit ikonomak Kostandin Kopronimit dhe i bashkëshortes së tij të tretë Evdhoqisë. Lindi brenda lavdisë dhe shkëlqimit të pallatit mbretëror, por ajo e kërkoi në tjetër kënaqësinë dhe ngushëllimin e shpirtit të saj.
Më kot babai i saj perandor (741-755) donte që ta martonte me një të ri, që kishte të gjitha avantazhet e rangut, bukurisë dhe pasurisë. Ajo, në thellësi të zemrës së saj vuante faktin se i ati i saj ishte armik i ikonave dhe nuk dëshironte një bashkëshort me të njëjtin qëndrim me të. Shenjtorja mbeti e pamartuar dhe shfrytëzonte kohën e saj në vepra përdëllimi dhe filanthropie.
Pas vdekjes së të atit të saj, shpërndau pasurinë e saj tek të varfërit, tek institucionet filanthropike dhe tek kishat dhe vetë u bë murgeshë nga Patriarku Tarasio edhe pse mori shumë oferta nga augusta e devotshme Irini Athinasja (797-802) që të qëndronte dhe të mbretëronte bashkë me të. Në manastir jeta e saj ishte asketike, e mbushur me përulësi dhe dashuri.
Në vitin 809 në moshën 52 vjeçare u largua nga kjo botë, duke merituar kurorën e mbretërisë së përjetshme, virgjëresha e mirë, që përbuzi ndriçimet e rreme dhe nderimet e mbretërive të përkohëshme të botës.
Oshënar Varsanufi, episkop i Tverit dhe Kazanit : 11 Prill
Oshënar Varsanufi, sipas botës Vasil, lindi në vitin 1495 në Sepruhov të Rusisë dhe ishte me origjinë nga një familje priftërore. Ndërsa ishte i ri, u zu rob nga tartarët e Krimesë. Duke e pranuar këtë fakt si vullnet të Perëndisë, me përulësi ju nënshtrua zotërinjve të tij duke përmbushur çdo detyrë që ata i ngarkuan. Por pas tre vitesh, i ati i tij ia doli që ta merrte përsëri.
Shenjti u bë murg në vitin 1515 në Manastirin e Shpëtimtarit, të Shën Andronikut të Moskës dhe shërbeu si hierodhjakon në Episkopatën e Tverit. Dhuntitë e tij dhe jeta e pëlqyeshme nga Perëndia e bënë Mitropolitin e Moskës Makario që ta vendoste në Manastirin e Shën Nikollës në Pesna, pranë Moskës. Më pas shkoi në Kazan dhe themeloi një Manastir të kushtuar Metamorfozës së Shpëtimtarit. Ndërsa gjendej në Kazan, Arkimandriti Varsanuf ndihmoi Shën Gurian (15 Dhjetor) në përhapjen e besimit të krishter tek myslimanët dhe tek idhujtarët. Njohja e gjuhës tartare ishte dhumë e dobishme për veprimin e tij hierapostolik.
Në vitin 1567 Shën Varsanufi zgjidhet Episkop i Tverit dhe Kazanit. Kur arriti në një moshë të madhe, u kthye në Kazan në Manastirin e Metamorfozës që kishte ndërtuar. Aty mori Skimën e Madhe Ëngjëllore dhe fjeti me paqe në vitin 1576.
Lipsanet e tij të shenjta të Shën Gurias dhe Varsanufit u zbuluan më 4 Tetor 1596 dhe u vendosën në lipsanothiqe në paraklisin e Kishës, sipas udhëzimeve të Patriarkut Jov. Më 20 Qershor të vitit 1630 lipsanet e tyre që buronin hir u transferuan nga Manastiri i Metamorfozës në kishën katedrale të Ungjillëzimit të Hyjlindëses.
Shën Dhimo, peshkatari : 10 Prill
Ky Martiri i Ri ishte me origjinë nga fshati Uzun Kiupru (Makria Gjefira) të zonës së Adrianopojës. Ushtronte profesionin e peshkatarit dhe punonte në një fermë peshku në Smirni. U grind me pronarin turk të fermës, i cili shpifi për të sikur Dhimo kishte premtuar që të bëhej mysliman. Me dëshmitarë të rremë u çua tek kadiu dhe pasi mbeti i patundur në besimin e tij, u hodh në burg dhe u torturua në mënyrë të frikshme me drunj të ndryshëm dhe me mjete të tjera. Kur e nxorrën nga burgu (tre herë), Dhimo vazhdimisht pohonte Krishtin. Atëherë kadiu e dënoi me vdekje me prerje koke. Kështu Shenjtit i’u pre koka më 10 Prill 1763, ditë e enjte, në Smirni. Lipsani i Shenjtit u varros me nderime në Kishën e Shën Gjergjit në Smirni. Varri i tij u bë një vend pelegrinazhi për besimtarët, të cilëve ju falte shumë shërime.
Shën Grigori V, Patriark i Kostandinopojës : 10 Prill
Grigori lindi në vitin 1745 në Dhimicana. Prindërit e tij, Joan Angjelopulos dhe Asimina, ishin të varfër. Në pagëzimin e shenjtë mori emrin Gjergj, mësoi shkronjat e para nga xhaxhai i tij, hieromonaku Melet dhe më pas u largua dhe u vendos bashkë me të në Smirni. U qeth murg në manastirin e ishullit Strofadhon dhe përfundoi formimin teologjik në Shkollën e Patmosit.
Kur u kthye në Smirni, mitropoliti Prokop, i cili ofroi për Grigorin dashuri atërore, e hirotonisi dhjakon dhe më pas presviter dhe kur Prokopi u zgjodh në fronin ekumenik (1788), e hirotonisi pasues të tij në Mitropolinë e Smirnit.
Për 12 vite hierarku oshënar baritoi me ndërgjegje dhe zell apostolik qytetin e madhe dhe të pasur të Smirnit, mitropolin e Helenizmit të Azisë së Vogël. Ai restauroi kisha të ndryshme, themeloi shkolla dhe organizoi një sistem mirëqenieje për të varfërit dhe të vuajturit.
Në vitin 1797 zgjidhet patriark ekumenik. Ai mori përsipër të ngrejë nderin e Patriarkanës, duke restauruar pallatin patriarkal në Fanari. Ai themeloi gjithashtu një shtypshkronjë që botonte libra në gjuhën popullore, e cila kontribuoi shumë në zgjimin kulturor dhe shpirtëror të popullit grek. Hierarku i shenjtë ishte vigjilent për respektimin me besnikëri të kanuneve kishtare dhe integritetin moral të klerit.
Në atë kohë të trazirave të mëdha, kur grekët, pas gati katër shekujsh skllavëri ndaj turqve, kishin filluar të përgatiteshin për revoltën e tyre, patriarku, plotësisht i vetëdijshëm për përgjegjësinë e tij baritore, u përpoq t'i zbusë shpirtrat e rebeluar, duke vepruar fshehtazi për çështjen kombëtare.
Pas vetëm një viti e gjysëm, e akuzuan tek sulltani disa episkopë, të cilët ai i kishte dënuar për sjelljen e tyre, dhe si pasojë u internua nga pushteti osman në Kalkidona dhe më pas në manastirin Iviron të Malit të Shenjtë. Gjatë internimit në Malin Athos, hierarku i shenjtë vizitoi të gjitha manastiret, predikoi fjalën e Perëndisë dhe ishte për të gjithë shembull i jetës murgjërore. I dha bekimin e tij Shën Evthimit (22 Mars), që të pohonte besimin e tij tek Krishti gjatë martirizimit dhe shprehu gëzim dhe mburrje kur mësoi për martirizimin e Shën Agathangjelit (19 Prill), duke treguar në këtë mënyrë se ai e konsideronte vdekjen nga dashuria për Krishtit si qëllimin suprem dhe kurorën e jetës së krishterë.
U rithirr në Patriarkanë në vitin 1806. U pranua me entuziazëm nga të krishterët e Qytetit dhe ndërmori sërish punën për ruajtjen dhe rivendosjen e moralit kishtar. Megjithatë, në vitin 1808, një grusht shteti solli Sulltan Mahmutin II në pushtet, duke e detyruar Grigorin të jepte dorëheqjen dhe të tërhiqej në ishullin e Princit dhe më pas të kthehej në Malin e Shenjtë. Aty vijoi që të studionte Etërit e Shenjtë, vazhdoi përpjekjet asketike dhe interesohej pandërprerë për gjendjen e Kishës dhe të popullit.
Në vitin 1818 e bëjnë anëtar të Filiki Eterisë (Shoqëria e Miqëve), të cilët parapërgatitnin Revolucionin Grek, duke u përpjekur për të mbledhur dhe bashkërenduar forcat e shpërndara të helenizmit. Grigori e mbështeti me entuziazëm kauzën e lirisë, por duke gjykuar se koha ende nuk ishte pjekur, i këshilloi të bënin durim.
Pak më vonë ai u rithirr për të tretën herë në fronin ekumenik dhe u aktivizua përsëri, duke nxitur ngritjen e shkollave ku fëmijët do të mund të merrnin arsimin grek. Ai organizoi edhe një fond bamirësie, i cili me paratë e grekëve të pasur ndihmonte të krishterët e vuajtur.
Kur më 1 Shkurt 1821 shpërtheu kryengritja greke nga princi Aleksandër Ipsilanti në Danub, si një lëvizje krejtësisht e papërgatitur, menjëherë pasuan hakmarrje të tmerrshme dhe të përgjakshme në Kostandinopojë dhe në të gjitha qytetet kryesore të Perandorisë Osmane. Osmanët therën të gjithë personalitetet greke që kishin lidhje me lëvizjen dhe arrestuan katër peshkopë.
Sulltani urdhëroi të mblidheshin në lagjen Fanar të gjitha familjet e shquara greke të qytetit të Kostandinopojë dhe patriarku për të parandaluar masakrën, garantoi nënshtrimin e tyre ndaj Portës së Lartë. Kjo garanci nuk e kënaqi sulltanin, i cili e detyroi Shën Grigorin të firmoste aforizmin e prijësit të kryengritjes Aleksandër Ipsilantit dhe shokëve të tij.
Më 31 Mars u raportua kryengritja e përgjithshme në Peloponez dhe më vonë, të Hënën e Madhe, Konstantin Muruziz, që përfaqësonte komunitetin grek në Portën e Lartë, iu pre koka bashkë me grekët e tjerë të shquar.
Duke parashikuar se cili do të ishte fati i tij dhe duke refuzuar ofertat që i bënin për t’u larguar që të shpëtonte kokën, patriarku thoshte: “Si do të braktis grigjën time? Jam Patriark për të shpëtuar popullin tim dhe ja ta dorëzoj atë tek shpatat e jeniçerëve. Vdekja ime do të ketë më shumë dobi sesa jeta ime, sepse do t’i bëjë grekët që të luftojnë me atë dëshpërim, që shpesh sjell fitoren. Jo, jo, nuk do të bëhem qesharak për botën, që të më tregojnë me gisht dhe të thonë: Ja patriarku vrasës!”
Të Dielën e Pashkës, më 10 Prill, Shën Grigori celebroi me qetësi dhe madhështi Liturgjinë e Ngjalljes së Krishtit, e cila ndërpritej vetëm nga të qarat e tij. Në fund të Liturgjisë, i dhanë lajmin e revolucionit në Peloponez. Atëherë u përgjigj: “Tani e përherë le të bëhet vullneti i Zotit!”
Disa orë më vonë, përfaqësuesit e sulltanit njoftuan rrëzim e tij nga froni patriarkal dhe menjëherë jeniçerët e tërhoqën zvarrë brutalisht për në burg. Ai u mor në pyetje dhe u torturua tmerrësisht, gjatë së cilave qëndronte i heshtur në mënyrë madhështore. Ndërpreu heshtjen e tij vetëm kur i kërkuan që të mohonte besimin e tij, duke thënë: “Patriakru i të krishterëve, si i kreshter vdes!”
Pak më vonë, sapo u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë pasuesi i tij, e varën në portën e Patriarkanës, e cila që prej atëherë qëndron e mbyllur në kujtim të aktit të neveritshëm të varjes. Në momentet e fundit të jetës, Shën Grigori ngriti duart drejt qiellit, bekoi të krishterët dhe tha: “Zot Jisu Krisht, prano shpirtin tim!” Dhe ndërsa turqit dhe hebrenjtë godisnin me gurë trupin e patriarkut, pashai që ndërmori ekzekutimin ishte ulur para trupit dhe pinte duhan.
Tre ditë qëndroi lipsani i nderuar i varur aty me një tabelë rreth qafës, e cila shkruante aktakuzën. Përfundimisht hebrenjtë e blenë trupin e tij për 800 grosh, e tërhoqën zvarrë nëpër rrugë me britma triumfuese dhe më pas e hodhën në Bosfor. Pavarësisht gurit të rëndë që ishte lidhur me të, trupi lundroi dhe u mor nga një anije greke me flamur rus dhe u transportua në Odesa. Për shumë ditë populli ju fal lipsanit të nderuar, tek i cili nuk dukej asnjë shenjë prishjeje.
Në vitin 1871, gjatë 50-vjetorit të Revolucionit Grek, lipsani i nderuar i patriarkut të shenjtë u transferua në Athinë dhe u vendos me nderime të mëdha në kishën Mitropolitane. Më 10 Prill 1921, njihet si Shenjtor nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Greqisë.
Martiri i ri, Shën Krisanth Ksenofondini : 10 Prill
Martiri i ri Krisanthi, u martirizua me shpatë
për besimin e tij më 10 Prill 1821 gjatë ditës së Ngjalljes së Zotit. Ishte i
moshuar në moshë dhe vendi i martirizimit të tij ishte Kostandinopoja.
Kujtimi i tij është i panjohur për Sinaksaristët dhe mungojnë informacione nga jeta e tij. Për fundin e tij martirik tregon dorëshkrimi i Manastirit të Ksenofondës: “10 Prill dita e Ngjalljes Dritëprurëse të Zotit, mbaron me shpatë në Vasilevusa (Kostandinopojë), plaku Krisanth i joni, nga agarinët, për devotshmërinë”.
Shën Aidhisios dhe ata që u martirizuan me të : 9 Prill
Kur mbreti i persëve Sapori II (325-379), gjatë vitit të 30-të të mbretërimit të tij, pushtoi vendin e Bizatit dhe vrau të gjithë ata që mbanin armë. Gratë, fëmijët, pleqtë, episkopin Iliodhor dhe presviterët Dhisan, Mariav dhe të gjithë klerikët e tjerë i la të gjallë. Kur episkopi Iliodhor kuptoi se do të vdiste, hirotonisi si episkop presviterin Dhisan, i cili e shtriu predikimin e krishterë edhe tek persët. Atëherë administratori pers Adhefar, e paditi Dhisanin tek mbreti, sikur ai dhe të gjithë të krishterët rreth tij blasfemojnë ndaj fesë persiane. Atëherë Sapori urdhëroi që të gjithë të arrestoheshin dhe t’u faleshin diellit dhe zjarrit. Por, duke qenë se të krishterët nuk e zbatuan këtë vendim, atyre i’u pre koka. Gjatë rrugës, vetëm pesë prej tyre u bënë mendjevegjël dhe pranuan fenë e idhujve.
Shën Aidhisios, i përkiste grupit të mësipërm, të të krishterëve që ju pre koka në Persi. Por goditja që i dhanë atij nuk ishte vdekjeprurëse dhe gjatë natës u ngrit përsëri dhe më pas deklaroi përsëri me burrëri besimin tek Krishti. Atëherë një idhujtar fanatik, u zemërua dhe e vrau me thikë.
Shën Joan Varkëtari : 8 Prill
Shën Joan Kulika : 8 Prill
Ky martir i ri, ishte njeri shumë i mençur dhe i
zellshëm. Por një ditë, debatoi ashpër për besimin me disa turq. Ata nga zilia,
e akuzuan tek kadiu, sikur shenjti kishte ofenduar fenë myslimane. Kadiu i
kërkoi Joanit që të mohonte Krishtin dhe të bëhej mysliman që t’i shpëtonte
vdekjes. Joani me guxim u përgjigj se nuk e mohonte Krishtin edhe sikur miliona
vdekje të vuante. Atëherë kadiu urdhëroi vrasjen e tij, dhe si pasojë Joan vuajti një vdekje të frikshme, por të lavdishme më 8 Prill 1564
(sipas disa të tjerëve, data e martirizimit të Shenjtit është më 18 Prill).
Oshënar Gjerasim Bizantini : 7 Prill
Oshënar Gjerasim mësuesi, lindi prej prindërish të devotshëm në Kostandinopojë, në vendin e quajtur Ipsomathia. Shoqërohej me njerëz të ditur. Shkoi në ishullin Patmo, ku mësoi pranë mësuesit më të ditur të kombit, Oshënar Makarios në Shkollën e Patmosit dhe mori përsipër drejtimin e saj pas vdekjes oshënare të Oshënar Makarios. Pasi u largua nga kujdesi për jetën, u qeth murg në Manastirin mbretëror dhe patriarkal të Ungjillorit dhe Theologut Joan në Patmo, ku u hirotonis edhe prift.
Jetoi në mënyrë oshënare, ishte pedagog i dalluar i të rinjve dhe i ndriçoi të gjithë. Pasi u sëmur nga veshkat, shkoi në Smirni për shërimin e sëmundjes së tij. Pasi nuk ia arriti qëllimit të tij, shkoi në Kretë, ku fjeti në mënyrë oshënare në vitin 1770 dhe u varros në Manastirin e Hirshëm të Trinisë së Tërëshenjtë, të quajtur edhe Xakarolon. Menjëherë sapo murgjit e Patmos mësuan fjetjen e Oshënarit arritën në Kretë me anije, për të kërkuar lipsanin e tij të nderuar. Kur Etërit e Manastirit të Trinisë së Shenjtë refuzuan që të dorëzojnë thesarin e tyre të çmuar “që Perëndia ju kishte dërguar atyre” u bë një agripni dhe gjatë Himnit Keruvik në mënyrë automatike pritet dora e djathë e shenjtë e Oshënarit, të cilën murgjit e morën dhe e transferuan në Patmo, ku gjendet deri sot, duke buruar dhuratat e hirit tek të gjithë ata që i luten me besim.
Lipsanin e këndshëm të Oshënarit që ruhej poshtë Tryezës së Shenjtë të Kishës Qëndrore së Manasririt Xakarolon, bashkë me lipsanin e atit tonë oshënar Akaqit, i cili jetoi në mënyrë oshënare në Manastir duke mbaruar jetën e tij aty, u dogj prej agarinëve famëkeq, që sulmuan Manastirin e hirshëm në vitin 1821, duke e djegur atë. Humbi në këtë mënyrë ky thesar i veçantë i hirit.
Shën Gjergji nga Efesi : 5 Prill
Martiri i shenjtë Gjergji lindi në Efestin e Ri në vitin 1756. Ndoqi jetën martesore dhe bashkë me bashkëshorten bënë fëmijë. Por, gjatë korrikut 1798, i gjendur në një gjendje të dehur, u bë mysliman duke mohur Krishtin. Pasi për këtë veprim ndjeu turp, u largua nga Efesi dhe shkoi në Samo.
Gjatë periudhës së mungesës së tij të krishterët filluan që të ndërtonin një kishë në Efes, pasi më parë kishin marrë edhe lejen përkatëse prej Kostandinopojës. Turqit, të zemëruar nga ndërtimi i kishës së Orthodhoksëve me lejen mbretërore, akuzuan të krishterët sikur kishin vrarë Gjergjin si apostat të besimit dhe sikur e kishin fshehur lipsanin e tij në themelet e kishës së re. Por Gjergji më vonë u gjend dhe me dhunë u soll në Efes, ku turqit i bënë presion që të rikthehej në fenë myslimane. Por ai arriti që të largohej përsëri për në Samo, ku u arrestua dhe u mbyll në burg. Mirëpo, me ndërmjetësimin e pleqve të Samos e liruan sërish.
Trazirat dhe anomalitë në Efes vazhdonin. Atëherë Gjergji, pasi u pendua dhe erdhi në vete, mori vendim për t’u martirizuar. Largoi familjen e tij, që ta mbronte nga fanatizmi i turqve dhe u paraqit para kadiut turk, tek i cili pohoi besimin e tij tek Krishti. Atëherë turqit filluan joshjet dhe kërcënimet. Dhe kur panë qëndrueshmërinë e Shenjtit, i prenë kokën. Ishte viti 1801, ditë e Premte. Të krishterërt morën lipsanin e tij të shenjtë dhe e varrosën me devotshmëri në varrin e Neomartirit të Shenjtë Polidhor.
Oshënar Zosimea : 4 Prill
Jetoi në vitet e perandorit Justinian (527-565). Sipas biografit të Shën Sofronit, Kryepiskopit të Jerusalemit, ju përkushtua Perëndisë që fëmijë dhe u ushtrua në të gjitha llojet e vyrtyteve. Shkoi në një rreth asketësh që të mësohej nga vyrtyti dhe dituria e tyre dhe jetoi në një manastir në Palestinë. Dëshira e tij ishte të nënshtronte trupin ndaj shpirtit. Bëri bindje tek jerondët e manastirit dhe me gëzim të madh zbatoi kanonet dhe llojet e asketizmit që ata i dhanë. Ushqimi i tij ishte i thjeshtë dhe ai e kursente atë duke bërë punë fizike. Kohën e tij më të madhe e kalonte me psalmodhi dhe me studimin e Shkrimeve të Shenjta. Shumë herë Oshënari ishte denjësuar për të parë vegime, në përputhje edhe me fjalën e Zotit “Lum të pastërtit në zemër, sepse ata do të shikojnë Perëndinë”. Me përpjekjet e tij shpirtërore arriti vyrtetet e larta të diturisë, vetëpërmbajtjes dhe shenjtërisë. Kështu avash avash fama e shenjtërisë së tij arriti kudo dhe shumë murgj nga manastiret fqinje dhe të largëta e vizitonin që të këshilloheshin me të dhe të fitonin dobi shpirtërore prej mësimeve të tij.
Në këtë manastir Shën Zosimea jetoi me gjithë fuqinë e jetës asketike deri në vitin e 53 të jetës së tij. Por ai dashuronte jetën hezikaste në shkretëtirë. Duke dashur që të përpiqej akoma edhe më shumë shpirtërisht, vendosi që të vendoset në Manastirin e Pararendësit të Nderuar në lumin Jordan. Aty përkushtohet me asketizëm të rreptë dhe kreshmë. Porta e manastirit qëndronte gjithmonë e mbyllur, në mënyrë që murgjit të mund të luteshin dhe të asketizonin të pashqetësuar. Hapej vetëm kur ndonjë murg kishte nevojë të madhe të dilte nga manastiri, por kjo gjë ishte e rrallë sepse manastiri ishte në një vend të shkretë dhe të vështirë.
Gjatë periudhës së Kreshmës së Madhe Oshënar Zosimea largohej për në shkretëtirë, ku me pëlqimin e Përëndisë u takua me Oshënare Maria Egjiptianen, të cilës i dha edhe Misteret e Shenjta. Oshënar Zosimea fjeti në paqe në një moshë të thyer.
Oshënar Grigori që asketizoi në Nikomedi : 2 Prill
Oshënar Grigori lindi në vitin 1190 dhe ishte me origjinë nga vendet e Bitinisë.
Grigori që fëmijë jetoi një jetë sipas porosive të Ungjillit. Në studimet e tij u tregua shumë inteligjent dhe i përpiktë. Formimin e tij e përdori për Kishën dhe për ndërtimin shpirtëror të të afërmit.
Pas disa kohësh Grigori u tërhoq në një nga manastiret më të famshme të kohës së tij. Aty ndriçoi me vyrtytin e tij, por disa murgj xhelozë shpifën për të, sikur kishte grabitur enët e shenjta të Manastirit. Pafajësia e tij u vërtetua. Por Grigori u largua nga Manastiri dhe shkoi në një Manastir tjetër, ku murgjëronte edhe vëllai i tij.
Aty Grigori zhvilloi akoma edhe më shumë njohuritë dhe vyrtytet e tij dhe si rezultat e bënë prift. Më pas shkoi në një fshat në krah të manastirit, ku me njohuritë dhe me shpirtshmërinë e madhe, ndihmoi bashkënjerëzit e tij. Satanai përmes instrumentave të tij, i ngriti shumë kurthe. Por Grigori, me hirin e Perëndisë, i kaloi i paprekur.
Vdiq në moshën 50 vjeçare më 2 prill 1240, pasi u përpoq me njohuritë e tij për të afërmin deri në frymën e fundit.