Shën Zaharia, Mitropolit i Korinthit : 30 Mars
Shën Zaharia ishte Episkop i Korinthit dhe u akuzua me
pa të drejtë nga turqit sikur bashkëpunonte me Venecianët, gjatë fushatës së
Morosonit në Greqi, për çlirimin e grekëve. Arrestohet dhe pasi torturohet
ashpër çohet tek kadiu, i cili e nxiti që të mohonte Krishtin dhe të bëhej
mysliman. Zaharia, me neveri dëgjoi këtë kërkesë të kadiut dhe për këtë arsye u
torturua ashpër. U dënua që të digjej i gjallë në zjarr. Të krishterët e
Korinthit mundën, pasi ofruan një shumë të madhe parash tek administratori osman,
që ky dënim të ndryshohej kjo mënyrë e frikshme ekzekutimi me vdekje. Kështu
hieromartirit të ri Zaharia i’u pre koka në Korinth më 30 mars 1684. Të Dielën
e Faljes së Kryqit.
Dashuria e tepruar i bën fëmijët të padobishëm : (Shën Pais Agjioriti - Vitamina shpirtërore)
Kam vënë re se të rinjtë e sotëm, sidomos ata që studiojnë, dëmtohen nga shtëpitë e tyre. Ndërsa janë fëmijë të mirë, bëhen të padobishëm. Nuk mendojnë, kanë një lloj pandjeshmërie. I shkatërrojnë, i prishin vetë prindërit. Meqë prindërit kaluan vite të vështira, duan që fëmijët e tyre të mos privohen nga shumë gjëra. Nuk kultivojnë sedrën tek fëmijët, saqë të gëzohen kur privohen nga diçka. Natyrisht, ata e bëjnë këtë gjë me dëshirën e mirë. Në fakt, që t'i privojnë nga diçka pa e kuptuar këtë gjë fëmijët, është diçka barbare. Por, që t'i ndihmojnë të fitojnë ndërgjegje murgjërore dhe të gëzohen vetë që u privuan nga diçka, kjo është gjë shumë e mirë. Me mirësinë e tyre të pamatur i budallallepsin. I mësojnë t'ua çojnë të gjitha në dorë, madje edhe ujin, që të lexojnë dhe të mos humbasin kohë, kështu që i bëjnë të padobishëm edhe vajzat edhe djemtë. Pastaj fëmijët sido që nuk lexojnë, i duan të gjitha në dorë. Dhe e keqja fillon nga nënat: "Ti, biri im, të lexosh. Unë do të të sjell edhe çorapet, do të të laj edhe këmbët. Merre ëmbëlsirën, merre dhe kafenë"! Dhe nuk e kuptojnë fëmijët se sa e lodhur është nëna që ua jep të gjitha këto, sepse nuk lodhen. Pastaj fillojnë me pjatat e një përdorimi, rrobat që i veshin vetëm një herë, duan pica të hanë, ndërsa nuk dinë as si t'i mbështjellin me letër. Kështu bëhen njerëz të padobishëm. Pastaj përtojnë që të jetojnë. Vetëm lidhësja po t'u zgjidhet thërrasin "mami, m'u zgjidh këpuca"! Madje e shkelin me këmbë. Fëmijë të tillë çfarë prokopie do të bëjnë? Këta nuk bëjnë as për martesë dhe as për jetën murgjërore. Prandaj u them nënave: "Mos i lini fëmijët që të lexojnë gjithë ditën. Lexojnë, lexojnë dhe pastaj trullosen. Të bëjnë një gjysëm, një çerek ore pushim, që të bëjnë edhe ndonjë punë në shtëpi që të gjallërohen".
Ky zakon i keq i fëmijëve të sotëm po futet edhe në jetën murgjërore. Dhe shikoni në manastir shtatë sekretarë, të gjithë të rinj të shkolluar dhe bashkë me ta edhe i vjetri. Qëmoti kishte vetëm një sekretar dhe ai nuk kishte bërë as dy klasë shkollë, por ama punën e bënte. Tani ka shtatë, të zhytur në punë, dhe nuk arrijnë të bëjnë as detyrat e tyre shpirtërore edhe pse ndodhet i vjetri pranë tyre.
Shën Evstath Pohuesi - Episkop i Kios së Bitinisë : 29 Mars
Shën Evstathi jetoi në kohën e ikonoklastisë, që në moshë të vogël ai ecte në rrugën e devotshmërisë, i stolisur me besim të thellë dhe të nxehtë. Njëkohësisht ishte edhe ruajtës i përpiktë i urdhërave, të cilat jo vetëm që i njihte, por edhe i zbatonte. Devotshmërinë e tij të gjallë ai e kultivoi akoma e më shumë, kur u bë murg dhe më pas hirotoniset prift. Në vijim hirotoniset edhe episkop i Kios së Bitinisë. Në këtë shërbim të ri, tregoi shumë dhunti baritore dhe punoi me përkushtim të madh në detyrën e tij filantropike. Përballë luftuesve të ikonave, kryebariu paqësor u tregua mbrojtës dinamik dhe i pafjetur i Orthodhoksisë. As nuk u tremb kur pa persekutimin e egër përpara tij. U burgos dhe u internua, por kudo mori pjesë në mbrojtjen e Orthodhoksisë. Duroi privime të papërshkrueshme nga uria, lakuriqësia dhe vështirësi të tjera. Përfundimisht dorëzoi shpirtin e tij tek Perëndia, tek i Cili ndriçoi si shërbyes i tij i madh dhe besnik, pasi preferoi vuajtjet dhe vdekjen dhe jo ruajtjen egoiste të gradës së tij.
Shën Dhionis Përdëllimtari : 28 Mars
Për Shën Dhionis Përdëllimtarin, Mitropolitin e Larisës dhe ndërtuesin e manastirit të Shën Nikollës në Meteora, nuk janë shpëtuar tekste agjiografike, shërbesa, apo sinaksarë.
Shën Dhionisi ikonizohet në një afresk të vitit 1627 në klitin e majtë të Kishës së Anargjendëve në Trikalla, ku sipas kronologjiës nga e majta në të djathtë ikonizohen shtatë “Kryepiskopë të Shenjtë të Larisës”. Shën Thoma Gorianiti, Shën Qiprian Mrekullibërësi, Shën Andon Logiotatos dhe Teolog i Ri, Shën Visarioni, Shën Dhionis Përdëllimtari, Shën Marko Hezikasti dhe Shën Vizarion Sotiri.
Mbishkrimi në afresk (Shën Dhionis Përdëllimtari, Kryepiskop i Larisës), dëshmon se Shenjti u denjësua në ndërgjegjen e grigjës së tij besnike si edhe u bashkua në vallen e Shenjtorëve vendas të zonës. Madje edhe mbiemri Përdëllimtar që i’u dha dëshmon padiskutim kontributin e tij të pasur, si në atë kishtar ashtu edhe në atë shoqëror, si shërbëtor i mëshirshëm ndaj atyre që ishin në një status të ulët shoqëror dhe si ngushëllues për ata që vuanin.
Në bazë të radhës kronologjike të shtatë Mitropolitëve të Shenjtë të Larisës që përmendëm më sipër, kryepriftëria e Shën Dhionis Përdëllimtarit, duhet të vendoset pas viteve 1489 – 1490 dhe para vitit 1499. Rreth vitit 1499 Shën Dhionisi tërhiqet nga grada e tij dhe në vend të tij vjen Shën Marko Hezikasti. Pas tërheqjes së tij shkon dhe murgëron në Manastirin e Shën Nikollës Anapavsa, i të cilit ishte edhe ndërtuesi i parë.
Gjithashtu Shën Dhionisi i Larisës kujtohet shumë herë në “Kronikën e Meteorëve”, e cila duhet të jetë shkruar pak pas vitit 1529.
Oshënar Dhionisi fjeti me paqe, të Enjten e Madhe të vitit 1510.
Shën Gjergji nga Sofja e Bullgarisë : 26 Mars
Shën Gjergji ishte me origjinë nga Sofja e Bullgarisë dhe njëherë u gjend në Adrianopojë të Trakës. Aty takoi një harkëtar turk për të rregulluar harkun e tij. Kur në një moment turku ofendoi Krishtin, Gjergji reagoi duke pohuar besimin e tij. Atëherë turqit e pranishëm e kapën dhe pasi e rrahën papushim, e çuan tek administratori i zonës. Aty pohoi me guxim se beson tek Krishti, dhe si pasojë ju nënshtrua një sërë torturash të frikshme. Përfundimisht të Martën e Madhe më 26 mars 1437 e dogjën të gjallë në moshën 30 vjeçare.
Shën Partheni III Patriark i Kostandinopojës : 24 Mars
Ky hieromartir i ri, ishte me origjinë nga Mitilini dhe ishte i bir i dy prindërve që nderonin Perëndinë. Partheni u dha pas studimeve dhe u bë një prej njerëzve më të ditur të shekullit 17.
U hirotonis prift dhe më pas u bë Kryeprift dhe bari i ishullit Kio. Në fund të vitit 1656 u bë Patriark i Kostandinopojës, si pasues i Patriarkut Partheni II. Si Mitropolit, por edhe si Patriark u tregua një burrë i devotshëm dhe i zellshëm për gjërat e mira dhe të devotshme. Si Patriark, zhvilloi në mënyrë të veçantë edukimin helen. Por një letër e tij, ra në duart e Portës së Lartë, e cila përmbajtjen e kësaj letre e konsideronte si revolucionare. Kështu, sulltani i atëhershëm Ibrahimi I, urdhëroi vrasjen e Patriarkut Parthen. Arrestohet dhe i bëhet presion që të ndryshojë besim në mënyrë që të shpëtohet. Por Patriarku qëndroi i patundur në besimin e tij. Atëherë të Shtunën e Llazarit, më 24 mars 1657, e varin në portën Parmak-Kapi. Me urdhër të Vezirit të Madh Mehmet Qypriliut lipsani mbeti i varur për tre ditë dhe më pas hidhet në det. Më pas atë e marrin të krishterët dhe e varrosin në ishullin e Princërve. Dëshminë e këtij Shenjtori e shkroi Sirigu Meletios.
Shën Llukai nga Adrianopoja : 23 Mars
Shën Llukai lindi në Adrianopojë të Trakës dhe ishte i biri i Athanasit dhe Domnicës. Në moshën 6 vjeçare mbeti jetim nga i ati dhe nëna e tij e dorëzoi tek një tregtar, me të cilin u vendos në Kostandinopojë.
Kur ishte 13 vjeç, Llukai u grind me një fëmijë turk jashtë shtëpisë së zotërisë së tij dhe e rrahu. Këtë ngjarje e panë turqit që gjendeshin aty dhe u vërsulën me inat kundër djaloshit të krishterë. Llukai që t’i shpëtonte dënimit ju tha turqve: “Më lini dhe unë do të bëhem mysliman”. Atëherë zemërimi i turqve u qetësua dhe e çuan te një turk fisnik, i cili ia doli që të konvertonte Llukain në islam dhe e mori atë në shërbimin e tij.
Megjithatë, i vrarë nga ndërgjegja, Llukai kërkoi ndihmën e zotërisë së tij të mëparshëm, i cili u mundua që ta çlironte me ndërhyrjen e Ambasadës Ruse. Por Ambasada Ruse, për të shmangur çdo anomali, tha se do ta pranonte Llukain vetëm nëse ai ikte nga shtëpia e zotërisë së tij të ri turk. Pas pak kohësh Llukai ia doli që të largohej nga shtëpia e zotërisë turk dhe me anije shkoi në Smirni dhe prej andej në Thira. Aty me këshillën e një ati shpirtëror shkoi në Malin e Shenjtë, ku qëndroi për disa kohë. Pasi kaloi nëpër disa Skite dhe Manastire, përfundimisht qethet murg në Manastirin Stavronikita. Por e përfshiu dëshira për martirizim dhe u largua nga Manastiri për në Mitilini në Mars të vitit 1802.
Për shkak të ndonjë ngjarjeje, Mitilini në atë kohë ishte në trazira të mëdha. Llukai me uratat e Etërve të Malit të Shenjtë, u paraqit para kadiut të qytetit dhe pohoi me guxim Krishtin. Me gjithë joshjet dhe frikësimet e turqve, martiri nga Traka mbeti i patundur në besim dhe në vendimin e tij për t’u martirizuar. I drejtuar për tek Naziri, në rrugë takoi Mitropolitin e Mitilinit, të cilin po e çonin në gjykatë, i puthi dorën dhe i kërkoi që të lutej për të. Për këtë veprim, turqit që e shoqëronin e rrahën pamëshirë.
Para Nazirit, Llukai me guxim pohoi Krishtin dhe akuzoi fenë myslimane. Pas një afati treditor, i cili mbaroi pa rezultat për turqit, Naziri dha një vendim. Kështu më 23 Mars 1802 Llukai u var në Mitilini dhe mori kurorën e lavdishme të martirizimit. Lipsani i tij i shenjtë qëndroi për tre ditë në litar, dhe më pas e hodhën në det.
Shën Evthimi nga Peloponezi : 22 Mars
Oshënar Martiri i Shenjtë Evthim, sipas botës Elefter, lindi në një familje të pasur të Dhimicanës. U arsimua në një shkollë të këtij qyteti dhe i vijoi studimet e tij, bashkë me të vëllanë Joanin, në Akademinë Patriarkale të Kostandinopojës. Në vazhdim shkon në Jashi të Rumanisë, ku gjendej i ati i tij me vëllezërit e tij të mëdhenj Gjergjin dhe Kriston.
Elefteri vendosi që të shkojë në Malin e Shenjtë, që të bëhej murg. Por duke mos mundur që të realizojë dëshirën e tij, për shkak të kushteve që ekzistonin, shkon në Bukuresht ku qëndron pranë konsullit francez, më pas shkon pranë një gjenerali të lartë Rus Më vonë shoqërohet me disa myslimanë dhe gjatë udhëtimit të tij për në Kostandinopojë mohon Krishtin, islamizohet dhe merr emrin Reshit.
Menjëherë pas rrethprerjes së tij, i penduar për veprimin që bëri, kërkoi që të rikthehej në besimin e tij të mëparshëm. Erdhi, pra, në Kostandinopojë dhe prej andej, shkoi në Malin e Shenjtë, ku në Manastirin e Lavrës takon Patriarkun e Shenjtë Grigorin V, të cilit i rrëfeu mëkatet e tij, duke marrë prej tij mbrojtje dhe ngushëllim. Pasi shkoi në shumë skite dhe manastire duke rrëfyer mëkatin e tij dhe duke jetuar me lutje, asketizëm dhe kreshmë, bëhet murg duke marrë emrin Evthim.
Më pas më 19 mars 1814 shkon në Galata të Kostandinopojës, i shoqëruar nga një murg me emrin Grigor. Pasi u kungua me Misteret e Shenjta gjatë të Dielës së Palmave, hoqi rrobën murgjërore, u vesh me veshje turke dhe vazhdoi udhën drejt martirizimit. U paraqit para vezirit Rushit Pasha dhe pasi shkeli para tij fesin turk, pohoi Jisu Krishtin dhe deklaroi se mohon fenë e Muhamedit.
Me urdhër të vezirit Martiri u fut në burg, ku u torturua rëndë. Dhe kur u risoll përsëri para vezirit, nuk ra përsëri pre e joshjeve dhe kërcënimeve të tij. I patundur dhe me shpirt fisnik Martiri Oshënar Evthim pohoi emrin e Krishtit.
Kështu më 22 mars 1814 në Kostandinopojë i pritet koka. Bashkëpatriotët e tij, që ta nderonin, bënë një kishë në emër të tij dhe në emër të Patriakut martir Grigorit V në Dhimicana.
Kisha nderon kujtimin e Oshënar Martirit Evthim edhe më 1 maj, bashkë me bashkëatletët e tij Ignatin dhe Akaqin.
Shën Virili, Episkop i Katanias : 21 Mars
Shën Mironi, Martir i Ri nga Kreta : 20 Mars
Ai punonte si rrobaqepës në Iraklio, ku u akuzua me të pa të drejtë nga turqit, të cilët e kishin zili, se gjoja joshi një vajzë turke. Në gjykatë Shenjti hodhi poshtë akuzat, por u vendos para dilemës, islamizimit ose vdekjes. Martiri Miron u përgjigj troç se nuk e mohonte besimin e tij, si edhe ishte i gatshëm që të vuante çdo torturë për dashurinë e tij për Krishtin, sepse i Krishter lindi dhe i Krishter dëshironte që të vdiste.
Për dashurinë ! (Shkëputur nga libri i Akrimandrit Sofronit "Shën Siluan Athoniti")
Asnjë njeri, nga vetja e tij, nuk mund të njohë se çfarë është dashuria e Perëndisë, nëse nuk është mësuar prej Shpirtit të Shenjtë; por dashuria e Perëndisë është njohur në Kishën tonë me anë të Shpirtit të Shenjtë dhe prandaj ne flasim për këtë dashuri.
Shpirti mëkatar, që nuk e njeh Zotin, i trembet vdekjes, duke menduar se Zoti nuk do t’i falë mëkatet e tij. Por kjo ndodh, ngaqë shpirti nuk e njeh Zotin dhe nuk e di se sa shumë Ai na do. Por, sikur njerëzit ta dinin këtë, atëherë, asnjë njeri nuk do të dëshpërohej, sepse Zoti, jo vetëm që fal, por gëzohet shumë në kthimin e mëkatarit. Edhe sikur të jeni në çastin e vdekjes, beso fort, se në momentin që ti do të kërkosh, do ta marrësh faljen.
Zoti nuk është si ne. Ai është shumë i butë, i mëshirshëm dhe i mirë; dhe kur shpirti e njeh Atë, ai mrekullohet pa masë dhe thërret: “O, çfarë Zoti është Zoti ynë!”
Shpirti i Shenjtë e bëri Kishën tonë ta njohë se sa e madhe është mëshira e Perëndisë. Zoti na do dhe na pranon butë, pa qortim, ashtu si ati në historinë e Ungjillit nuk e qortoi birin e tij plangprishës, por u tha shërbëtorëve të tij që të sillnin një rrobë të re dhe vendosi një unazë të çmuar në gishtin e tij dhe këpucë në këmbët e tij dhe urdhëroi që të therrnin viçin e majmë dhe u gëzua dhe nuk e dënoi në asgjë birin e tij.
O, sa me butësi dhe me durim, duhet edhe ne ta drejtësojmë vëllanë tonë, që të ketë ketë gëzim në shpirt për kthimin e tij!
Shpirti i Shenjtë i mëson shpirtit një dashuri e shpirtmirësi të parrëfyer O vëllezër, le ta harrojmë tokën dhe gjithçka që është në të! Toka na mashtron, duke na larguar prej soditjes së Trinisë së Shenjtë, të Cilën mendja jonë nuk mund ta kuptojë, por, shenjtorët në qiell e vështrojnë Atë në Shpirtin e Shenjtë.
Ne nga ana jonë, duhet të vazhdojmë në lutje pa imagjinime, dhe t’i kërkojmë Zotit një shpirt të përunjur, dhe Zoti do të na dojë dhe do të na japë këtu në tokë të gjitha gjërat e dobishme për shpirtin dhe trupin.
O Zot i mëshirshëm, jep hirin Tënd tek të gjithë popujt e dheut, që ata të arrijnë të të njohin, sepse pa Shpirtin Tënd të Shenjtë njeriu nuk mund të të njohë, dhe të kuptojë dashurinë Tënde. Fëmijë të vegjël, njiheni Krijuesin e qiejve dhe të dheut! O Zot, dërgo mëshirën Tënde te fëmijët e tokës, të cilët Ti i do, dhe bëji ata që të të njohin me anë të Shpirtit të Shenjtë. Me lotë po të lutem, dëgjoje lutjen për fëmijët e Tu, dhe lejo që të gjithë të mund të njohin lavdinë Tënde me anë të Shpirtit të Shenjtë.
Qysh prej djalërisë sime më ka pëlqyer të mendoj: Zoti u ngjit në qiell dhe po pret ardhjen tonë; por që të jemi me Zotin, ne duhet të bëhemi të ngjashëm me Atë, ose të ngjashëm me fëmijët e vegjël - të unjët dhe të butë - dhe ne duhet t’i shërbejmë Atij. Atëherë, sipas fjalëve të Zotit, “Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im” - ne gjithashtu, do të jemi me Atë në Mbretërinë e Qiejve. Por tani në këtë ditë, shpirti im është i dekurajuar dhe i demoralizuar dhe nuk jam në gjendje ta ngre mendjen të patrazuar lart te Perëndia, dhe nuk kam më lotë, me anë të të cilëve të vajtoj për punët e mia të këqija; shpirti im është tharë dhe rrënuar nga nata e kësaj jete.
O, kush do të ma këndojë mua këngën, të cilën e kam dashur qysh prej fëmijërisë sime - këngën e ngjitjes së Zotit në qiell, të dashurisë së Tij për ne, për vigjilimin e Tij për ardhjen tonë? Këtë këngë do ta dëgjoja me lotë, sepse shpirti im është i lodhur në këtë tokë.
Çfarë më ka ndodhur mua? Si ndodhi që e humba gëzimin dhe a do ta fitoj përsëri atë gëzim?
Vajtoni me mua, të gjitha ju kafshët dhe zogjtë. Vajtoni me mua ti o pyll dhe ti o shkretëtirë. Le të vajtojë me mua, çdo krijesë e krijuar nga Perëndia dhe le të më ngushëllojnë në hidhërimin dhe trishtimin tim.
Në këtë mënyrë mendoj në shpirtin tim: nëse unë që e dua Perëndinë kaq pak, jam kaq shumë i lënduar në zemër, sa shumë i madh duhet të ketë qenë pikëllimi i Nënës së Perëndisë, kur ajo mbeti vetëm në tokë mbas Ngjitjes së Zotit të saj.
Ajo nuk e shkroi historinë e dhembjes së shpirtit të saj dhe ne dimë shumë pak për jetën e saj në tokë, por kaq ne mund ta marrim me mend - që dashuria e madhe e saj, për Birin e saj dhe Perëndinë e saj, shkon përtej kuptimit tonë.
Vazhdon....
Shën Dhimitri Tornaro : 19 Mars
Shën Eduardi, Mbret i Anglisë : 18 Mars
Shën Eduardi ishte i biri i mbretit të Anglisë Edgar.
Shenjtori, megjithë detyrën e tij të madhe politike, shquhej për pastërtinë dhe devotshmërinë e tij. Ai u vra, tre vjet pas ngjitjes së tij në fron, nga njerka e tij Elfrida dhe u varros në një vend të panjohur dhe në thellësi të madhe. Lipsani i tij u gjet i paprekur kur drita qiellore shkëlqeu mbi pikën e varrit të tij.
Sot lipsani i Shën Eduardit mbahet nga murgjit orthodhoksë rusë të diasporës në një manastir afër Londrës.
Shën Eduardi u martirizua në vitin 978.
Shën Trofimi dhe Evkarpi : 18 Mars
Shën Trofimi dhe Evkarpi ishin ushtarë në Nikomedia dhe jetuan në kohën e perandorit romak Maksimian (rreh vitit 298).
Në fillim ishin idhujtarë, përndiqnin ashpërsisht të krishterët, madje morën pjesë edhe në arrestimin dhe torturimin e tyre. Por Krishti bëri mrekullinë e tij edhe tek këta përndjekës. Hiri i Tij hapi sytë e tyre dhe i solli në besimin e Tij. Tashmë të krishterë të guximshëm dhe predikues të Çliruesit të tyre, thërrasin lirisht emrin e Tij dhe u përpoqën të shtonin falangën e ndjekësve të Krishtit.
Kur u raportuan si të krishterë në Nikomedia, ata qëndruan të palëkundur në besimin e tyre dhe u dënuan me vdekje. Në fillim përndjekësit gërvishtën mishin e tyre me vegla hekuri dhe më pas i vranë pasi i hodhën në një furrë të ndezur.
Shën Theodhuli Sinaiti, Hieromartir
Shën Gabrieli, Martiri Oshënar i Vogël : 17 Mars
Shën Pavli, Martir dhe Oshënar : 17 Mars
Martiri dhe Oshënari i shenjtë Pavli, ishte me origjinë nga Kreta dhe u martirizua në kohën kur qeveritar i ishullit ishte Theofan Lardhotiru, siç informohemi prej jetës së Shën Stefanit të Ri, kujtimin e të cilit kisha e nderon më 28 nëntor.
Shën Anania Mrekullibërësi : 16 Mars
Shën Anania që në moshë të vogël donte qetësinë dhe asketizmin. Në moshën 15 vjeçare humbi prindërit e tij dhe shkoi në shkretëtirën e Mesopotamisë. Aty qëndroi pranë një murgu të quajtur Maiuma, i cili dallohej për shenjtërinë e jetës së tij. Asketizimi i tyre ishte shumë i rreptë, në një shkallë të tillë sa që Oshënarët shumë herë hanin çdo 40 ditë. Kur murgu Maiuma u largua nga ai vend, Oshënari qëndroi aty dhe asketizoi si eremit dhe hezikast. Dhe pasi me përpjekjen e tij hodhi tej pasionet e trupit, mori prej Perëndisë dhuntinë e zbutjes së kafshëve të egra.
Fama e Oshënarit i tejkaloi kufinjtë e vendit të tij të asketizmit dhe një numër i madh besimtarësh e vizitonin që të merrnin bekimin e tij, të dëgjonin këshilla shpirtërore dhe të shëroheshin. Oshënari kishte edhe dhuntinë e mrekullibërjes dhe me lutjen e tij shëronte të vuajturit dhe të sëmurët.
Madje edhe ujin që i nevojitej Oshënari e sillte në qelinë e tij prej lumit Eufrat. Për këtë arsye dhe për nevojat e besimtarëve që e vizitonin ndërtoi një depozitë të vogël. Kur njëherë e vizituan shumë njerëz, Oshënari urdhëroi nxënësin e tij që të sillte ujë, që udhëtarët të shuanin etjen. Nxënësi i tha se uji ishte i paktë dhe nuk mjaftonte për të tërë. Atëherë Shenjti ktheu vështrimin e tij nga qielli, u lut me besim dhe i tha nxënësit të shkonte të merrte ujë për pelegrinët e etur. Dhe çfarë mrekullie! Depozita ishte plot me ujë të freskët dhe të pastër. Dhe të gjithë u mahnitën dhe lavdëruan Perëndinë për bamirësinë e Tij.
Episkopi i Qesarisë Patrici, kur u informua, se shenjti e sillte i vetëm ujin nga lumi, i fali atij një kafshë për ta lehtësuar. Por një ditë në qelinë e Shenjtit erdhi një njeri i varfër, të cilit i bënte presion huadhënësi i tij. Ky njeri i rrëfeu Shenjtit problemin e tij. Oshënari nuk donte që ta linte të largohej me duart bosh, prandaj i fali kafshën, që ta shiste dhe të lante paratë që kishte borxh.
Oshënar Anania bëri edhe shumë mrekulli të tjera dhe e kaloi jetën në dobi të njerëzve dhe veçanërisht të vuajturve dhe të varfërve.
Jetoi në vendin e tij të asketizmit për 95 vite, pa lëvizur nga ai vend. Ai gjithashtu krijoi një Vëllazëri, e cila përbëhej nga shumë asketë. Pak para fundit të tij të lumur, mblodhi të gjithë pjesëtarët e Vëllazërisë, caktoi pasuesin e tij dhe në vijim bekoi murgjit. Pak ditë më vonë Oshënar Anania fjeti me paqe në moshën 110 vjeçare.
Shën Manueli nga Sfakion : 15 Mars
Ky Martiri i Ri lindi në Sfakia të Kretës, prej prindërsh besëmirë. Në moshë të vogël u zu rob prej turqve, dhe u islamizua me dhunë dhe në vazhdim shërbeu si shërbëtor i pengmarrësve të tij. Por gjeti mundësinë dhe u arratis nga shtëpia e zotërinjve të tij dhe shkoi në ishullin Mikonos, ku u rrëfye dhe filloi të bënte një jetë të krishterë.
Aty u martua dhe bëri gjashtë fëmijë. Por pasi bashkëshortja e tij tradhëtoi nderin e saj bashkëshortor, Shenjti bashkë me gjashtë fëmijët lëvizën në një shtëpi tjetër. Por vëllai i bashkëshortes së tij të pabesë, i cili shërbente në flotën turke, e akuzoi Manuelin tek kapedani turk se, ndërsa Manueli ishte bërë mysliman ishte rikthyer në fenë e krishterë.
Kur u arrestua nga kapedani turk, Manueli me guxim pohoi besimin e tij tek Krishti. Pas shumë torturash i’u dha admiralit Kuxhuk që gjendej në ishullin Kios. Ai e gjykoi dhe e dënoi me vdekje. Kështu që shërbyesit e admiralit e morën Manuelin dhe e sollën në vendin e ekzekutimit, që quhej Palia Vrisi. Dhe ndërsa martiri përkuli qafën, xhelati, që kishte marrë urdhër për ta vrarë, u frikësua, hodhi tej shpatën dhe u largua. Atëherë shpatën e mori një nënoficer, i cili pasi nuk mundi që ta priste kokën e shenjtit, edhe pse e goditi shumë herë, e hodhi në tokë dhe e theri në mënyrën më të tmerrëshme sikur të ishte një dele.
Të gjitha këto u bënë në Kios, më 15 mars 1792, ditën e hënë, në orën 4 pasdite. Lipsanin e nderuar të shenjtit, turqit e hodhën në det. Një dëshmi e këtij martiri në dorëshkrim gjendet në bibliotekën e Manastirit të Ksenofondës në Malin e Shenjtë.