Shën Filozofi, Hieromartir dhe Martirët që ishin bashkë me të Boris dhe Nikolla : 31 Maj
Shën Aleksandri nga Selaniku, Dervishi : 26 Maj
Shën Aleksandri ishte me origjinë nga Selaniku dhe qëndronte në zonën e Laodhigjias. Në moshë të re shkoi në Smirni, duke u përpjekur të shmangë synimet e liga të një turku. Për arsye të panjohura për ne, në këtë qytet ai hoqi dorë nga besimi i Kirshterë dhe u konvertua në Islam. Më vonë ai vizitoi Mekën dhe u bashkua me Urdhrin e Dervishëve.
Më vonë, i rënduar nga ndërgjegja për këtë mëkat, u shtir si i çmendur dhe me veshjen e dervishit, udhëtoi për 18 vite nëpër vendet e nënshtruara nga P. Osmane duke qortuar ashpër tiraninë osmane. Sa herë që i jepej mundësia që të tregonte besimin e tij tek Krishti, e tregonte duke kryer vepra të mira.
I gjendur në Kio, ndiqte pa frikë në Kishat e Krishtera shërbesat e shenjta të Kreshmës së Madhe duke mbajtur veshur ende rrobën e dervishit.
Nga Kio shkon në Smirni dhe paraqitet para kadiut, ku pohon me guxim se është penduar për ndryshimin e besimit dhe tashmë do të rikthehej në besimin e krishterë. Para tij hoqi dhe shkeli me këmbë rrobën e dervishit. Menjëherë e futën në burg, prej të cilit e nxorrën tre herë, duke u munduar që përmes joshjeve dhe kërcënimeve ta bënin atë që të ndryshonte mendje. Por Aleksandri qëndroi i patundur në vendimin e tij për t’u martirizuar për besimin e tij të shenjtë. Kur arriti në vendin e ekzekutimit, u gjunjëzua dhe u lut i pashqetësuar përpara turmës së madhe të turqve, grekëve, frankëve dhe armenëve. I mbushur me gëzim dhe guxim, duroi me guxim vdekjen martirike me prerje koke, më 26 Maj 1974, duke u bërë kështu edhe ai banor i Jerusalemit të Sipërm dhe pjesëmarrës i lavdisë qiellore.
Shën Gjergji, Martir i Ri nga Bullgaria : 26 Maj
Martiri i ri Gjergj lindi nga prindër besëmirë dhe Perëndidashës në Sofje të Bullgarisë. Pas shumë vitesh pa fëmijë, Perëndia dëgjoi lutjet e prindërve të tij dhe ju dhuroi një djalë, të cilin e rritën me edukim dhe kujdes më Zotin. Gjatë periudhës së rinisë së Shenjtit, Osmanët u munduan që me dhunë të konvertonin të krishterët.
Gjergji refuzoi që të konvertohej në besimin islam dhe osmanët e kapën dhe e nxorrën përpara qeveritarit të zonës, i cili i suprizuar nga guximi dhe bukuria e Gjergjit i premtoi pasuri dhe ndere nga Sulltani Selimi I (1512-1520). Gjergji me guxim dhe trimëri shpirtërore pohoi besimin e tij për Jisu Krishtin dhe qortoi fenë islame. Qeveritari Osman dha urdhër që shenjtin ta torturonin dhe në fund ta hidhnin në zjarr, ku shenjti vdiq, duke marrë kurorën e martirizimit. Por papritur ra një shi i dendur dhe zjarri u shua. Nuk u errësua, një dritë shkëlqente mbi pjesën e mbetur të eshtrave (lipsanit) të Shenjtit. Një prift i devotshëm e mori lipsanin dhe e varrosi me nderim. Eshtrat (Lipsanet) e Shenjta të Gjergjit u gjetën dhe u transferua në qytetin Srence të Bullgarisë.
Shën Inocenti, Episkop i Khersonit : 25 Maj
Shën Inocenti, sipas botës Joan Alekseviç Borisof, lindi më 15 Dhjetor 1800 në fshatin Elets të zonës Orel të Rusisë dhe ishte me origjinë nga një familje priftërore. Prindërit e tij quheshin Aleks dhe Akilina, të cilët e rritën Joanin e vogël me edukatë dhe kujdes më Zotin. Në vitin 1819 përfundoi me sukses studimet e tij në seminarin Orel dhe më pas hyri në akademinë theologjike të Kievit, të cilin e përfundoi në vitin 1823.
Ditë dhe natë, Joani u përkushtua në studimin e teksteve të shenjta dhe të Etërve dhe merrej veçanërisht me shkrimin e predikimeve të fjalës hyjnore. Dashuria e tij për jetën murgjërore drejtoi hapat e tij në manastir, ku qethet murg dhe merr emrin Inocent. Më vonë ftohet që të japë mësime theologjie në akademinë e Shën Petërburgut dhe në vitin 1826 hirotoniset arkimandrit. Më 21 Nëntor 1836 gjatë ditës të së kremtes së Hyrjes së Hyjlindëses në Tempull, hirotoniset Episkop i Zigrinsk, në zonën e Kievit. Gjatë viteve 1841-1842 shkon në qytetin Vologda dhe nga viti 1842-1848 vendoset në Episkopatën e Harkovit ku, në vitin 1857 pas fjetjes së Episkopit të Khersonit dhe gjithë Tavridhës, vendoset Episkop i kësaj zone.
Problemet që përballoi nga fiset e tatarëve dhe hebrenjve ishin të shumta. Shenjti u mundua që të shpëtonte nga shkatërrimi kisha dhe manastire si edhe të forconte popullin shpirtërisht. Në Luftën e Krimesë, ai mbështeti me shpirt luftarak dhe besim shumë ushtarë që mbronin qytetin. Madhështia e shpirtit dhe veprimtarisë së tij baritore zbulohet kur ai viziton dhe kujdeset për të plagosurit dhe të sëmurët nga tifoja. Ai ishte një engjëll tokësor dhe ngushëllues për të gjithë. Kështu pasi i shërbeu grigjës së tij në mënyrë të pëlqyer nga Perëndia, Shën Inocenti fjeti në paqe në vitin 1857.
Shën Nikita Stiliti mrekullibërësi : 24 Maj
Oshënar martiri i shenjtë Nikita jetoi gjatë
shekullit XII në qytetin Perejaslavl të Rusisë. Punonte si taksambledhës i
princit Dolgorukig dhe mblidhte nga taksapaguesit shuma të mëdha, të cilët
ishin të detyruar që t’i jepnin për ndërtimin e qytetit dhe të një kishe.
Kështu kaluan shumë vite. Por Perëndia zemërgjerë, që dëshiron që të gjithë të
drejtohen në pendim dhe të shpëtohen, nuk e braktisi Nikitën dhe përgatiti
rrugën e kthimit të tij. Kur një ditë Nikita shkoi në Kishë, dëgjoi fjalët e
profetit Isaia: “Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e
veprimeve tuaja, mos bëni më keq. Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë,
ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së
ve” (Isa. 1.16). Ndërgjegjja e tij e fjetur u zgjua dhe e çoi
në pendim. Ai menjëherë vrapoi në manastirin e Perejaslavl-Zalesky, i cili i ishte
kushtuar Shën Nikitas, ra në këmbët e atit shpirtëror dhe rrëfeu mëkatet e tij.
Jerondi, atë shpirtëror, për të konstatuar sinqeritetin e rrëfimtarit, i dha urdhërin e parë: të qëndronte tre ditë para portave të manastirit dhe të rrëfente publikisht mëkatet e tij. Me përulësi të thellë, Nikita iu bind.
Kështu pas pak kohësh u qeth murg dhe filloi jetën e ashpër shpirtërore dhe asketizimin. Hapi një gropë dhe aty vendosi një shkëmb mbi të cilin qëndronte duke mbajtur veshur disa zinxhira të rëndë si një Stilit i ri.
Por një natë të vitit 1196, kur Shenjti lutej dhe zinxhirat e tij shkëlqenin si argjend, hajdutët e vranë dhe vodhën zinxhirët e hekurt që ata mendonin se ishin të vlefshëm. Kur u larguan dhe kuptuan se zinxhirët ishin prej hekuri, i hodhën në lumin Vollga.
Por Perëndia donte të nderonte edhe këto shenja të dukshme të martirizimit dhe asketizimit të Dëshmorit të Shenjtë Nikita. Një natë, murgu plak i devotshëm Simeon, i cili po asketizonte në manastirin e Apostujve Petro dhe Pavlo në Jaroslavl, pa tre rreze drite mbi lumë. Menjëherë etërit e manastirit vrapuan për të parë se çfarë po ndodhte. Me frikë ata panë zinxhirët e Shën Nikitës që notonin. Ata i morën me nderim dhe i çuan te varri i Shenjtit.
Kur mes viteve 1420-1425, hapën varrin e Oshënarit, gjetën lipsanin e tij të shenjtë të paprishur.
Shën Dhonatianos dhe Rogatianos, vëllezërit martirë : 23 Maj
Martirët e shenjtë Dhonatianos dhe Rogatianos ishin vëllezër dhe ishin me origjinë nga një familje fisnike idhujtare romake, e cila banonte në qytetin Nantë të Francës. Dhonatiani u pagëzua dhe predikoi me zell Ungjillin e Zotit. Por u arrestua gjatë viteve të sundimit të Perandorit Dioklecian (284-305) dhe u shoqërua përpara hegjemonit Riktovaro, i cili e ftoi që t’ju sakrifikonte idhujve, që të shpëtonte jetën e tij. Por shenjti refuzoi me trimëri duke pohuar Krishtin.
Shembulli i vëllait të tij nxiti edhe Rogatianin që të pohonte besimin e tij tek Krishti, i cili nuk mundi që të pagëzohej. Hegjemoni urdhëroi që t’i mbyllnin në burg dhe t’i torturonin ashpër. Gjatë natës vëllezërit ju lutën nxehtësisht Perëndisë dhe Zotit tonë. Ditën tjetër torturat vijuan përsëri. Përfundimisht shenjtorëve ju prenë kokën. Rogantiani u pagëzua me gjakun e martirizimit. Kështu martirët e shenjtë morën kurorën e lavdisë dhe hynë në gëzimin e Zotit të tyre.
Shën Dhesidherio - Episkopi Hieromartir i Vjenës : 23 Maj
Shën Dhesidherio jetoi gjatë shekullit të gjashtë dhe të shtatë dhe lindi në qytetin Autun të Francës. Studioi në Vjenë, ku u hirotonis dhjakon dhe presviter. Më pas zgjidhet Episkop i Vjenës. Punoi me zell dhe qortoi krerët dhe qeveritarët e kohës për mënyrën e tyre të jetesës dhe për padrejtësitë e tyre. Për këtë arsye këta krerë e akuzuan tek Papa i Romës, Shën Grigor Dialogu, i cili njohu pafajësinë e shenjtit.
Shenjti qortoi gjithashtu edhe mbretin Tier II të Burgundisë, jeta e të cilit ishte imorale. Për këtë arsye shenjti u internua. U kthye në Episkopatën e tij pas pak vitesh, por u vra në vitin 608 me urdhër të mbretit.
Shën Zaharia, Hieromartit i Ri nga Prusa : 22 Maj
Hieromartiri i shenjtë Zaharia lindi në Prusa nga prindër besëmirë. Më vonë ai bëhet prift. Një ditë u deh dhe nën efektin e pijes mohoi Krishtin në vitin 1801. Pasi erdhi në vete, u paraqit para kadiut dhe pasi hodhi tej çallmën që mbante veshur, pohoi besimin e Krishtit. Menjëherë kadiu urdhëroi arrestimin e tij. Shenjti lutej vazhdimisht duke kërkuar forcim prej së larti dhe ndihmën hyjnore. Kur e çuan para kadiut dhe agallarëve, Hieromartiri qëndroi me trimëri shpirtërore i patundur në besimin e tij. Për këtë arsye e mbyllën përsëri në burg, ku torturohej papushim, e rrahën dhe i vunë në kokë një mbulesë bronzi inkandeshente.
Pas këtyre torturave, ata i shkulën thonjtë e duarve dhe këmbëve dhe më pas i ngulën kallamishte të mprehta në gishtërinj.
U çua përsëri përpara kadiut, pohoi me vendosmëri të madhe besimin e tij për Krishtin dhe ofendoi fenë muslimane. Kur u dha vendimi për prerjen e kokës së Shenjtit, ai u mbyll përsëri në burg, se mos ndoshta nga frika e vdekjes, mohonte besimin e tij të krishterë. Pasi e sollën përsëri para kadiut, ai rrëfeu përsëri me guxim besimin e tij. Kështu, në vitin 1802, i’u pre koka, në moshën 38 vjeçare dhe mori kurorën e martirit duke pohuar çlirimtarin e botës Zotin tonë Jisu Krisht.
Shën Pavli nga Peloponezi - Oshënar Martir : 22 Maj
Në moshë të vogël shkoi në Patra, ku mësoi artin e sandalebërësit dhe qëndroi në Patra duke ushtruar këtë profesion për 14 vite. Më pas u largua nga Patra dhe shkoi në Kalavrita, ku për ushtrimin e profesionit të tij, mori me qera një dyqan. Por pronarët e dyqanit, kërkuan nga Panajoti më shumë para nga sa kishin rënë dakort dhe duke qenë se shenjti refuzoi kërkesën e tyre, ata e mbyllën në burg. Përfundimisht shenjti ju dha qeranë që kërkonin dhe doli nga burgu. U largua nga Kalavrita dhe shkoi në Tripoli, ku duke u argëtuar me dy miq të tij, ju tha atyre se ishte turk (musliman).
Por ndërgjegja e tij e vrau dhe shkoi në Malin e Shenjtë. Aty shkoi në Lavrën e Shenjtë të Shën Athanasit, pranë një jerondi të mençur nga Peloponezi, Timotheut, tek i cili u rrëfye dhe mori ngushëllim shpirtëror. Më vonë u bë murg me emrin Pavlo. Më pas, bashkë me jerondin e tij shkoi në qinovjon ruse të Malit të Shenjtë, ku qëndroi tre vite. Aty u ndez brenda tij dëshira për martirizim.
Në moshën 25 vjeçare shkoi në Skitin e Shën Anës dhe ju bind atit shpirtëror Hieromonakut Anania, tek i cili rrëfeu dëshirën e tij për martirizim. Aty u provua për 40 ditë dhe mori bekimin e Etërve dhe u largua nga Skiti për t’u martirizuar. Arriti në Manastirin e Shpellës së Madhe, ku u mundua me kreshmë dhe lutje për 40 ditë të tëra. Më pas shkoi në Kalavrita dhe prej andej në Tripoli.
U informua se në Nafplio gjendej një kushëri i tij që kishte mohuar besimin e tij, për këtë arsye shkoi në atë qytet për të korrigjuar kushëririn e tij. E mori këtë renegat si bashkudhëtar, shkoi në Tripoli dhe u paraqit para Myftiut të qytetit, nga i cili mori një urdhër me shkrim për t'u paraqitur para gjykatësit, në ditën e një mbledhjeje të madhe të të krishterëve dhe Kryepriftërinjve të shquar.
Në këtë mbledhje, Pavli, para të gjithëve predikoi Hyjninë e Krishtit dhe qortoi ashpër fenë muslimane. Kadiu, duke parë këtë qëndrim këmbëngulës të martirit, e dënoi që të digjej i gjallë. Por më pas kadiu ndryshoi vendim dhe vendosi që të dënohej me prerje koke. Kështu më 22 Maj 1818 martirit i pritet koka në Tripoli, në moshën 28 vjeçare. Lipsanin e tij të nderuar e hodhën në një vend të papastër. Por të krishterët e morën fshehtazi dhe pasi e pastruan e varrosën në Manastirin e Shenjtë të Shën Nikolla Varson.
Jetën e tij e shkroi Hieromonaku Jakov Vercagjias Zakinthi, Agjiorit nga qinovjo ruse. Kisha e shenjtit gjendet në Tripoli dhe ikona e tij në kishën e Hyrjes së Hyjlindëses në Tempull në Athinë.
Shën Kostandini Martir i ri dhe ata që u martirizuan bashkë me të. : 21 Maj
Martiri i Ri Kostandin lindi në vitin 1654
në fshatin Brinkovani të Rumanisë dhe u bë princ i Vllahisë gjatë viteve
1688-1714. Që në moshën një vjeçare mbeti jetim nga i ati, i cili u vra në Shkurt
të vitit 1655 në një rebelim të popullit kundër hegjemonit të atëhershëm. U
rrit nga nëna dhe gjyshërit e tij Pauna dhe Konstantinos Kantakouzinos, në
shtëpinë e tij atërore në Bukuresht. Ai studioi greqishten dhe latinishten. Pas
vdekjes së dy vëllezërve, ai trashëgoi të gjithë pasurinë e të atit dhe u
martua me Marikën, mbesën e Antonio Vodës nga Popest. Në vitin 1678, kur
xhaxhai i tij Serbanos Kantakouzenos u bë sundimtar, ai e ndihmoi Kostandinin
të arrinte postet më të larta.
Duke përfituar nga paqja që mbizotëronte në vendin e tij, nga fillimi i sundimit të tij, hodhi themelet për ndërtimin e manastirit Hurez, ku ndërtoi shtëpinë e familjes dhe kishën e tij. U përball me shumë vështirësi dhe i bëhej presion nga turqit që të paguante një haraç të madh. Megjithatë punoi shumë për zhvillimin politik dhe ekonomik të Vllahisë. Në vitin 1709 luftoi si aleat me car Pjetrin I të Rusisë (1672-1725) kundër turqve dhe sulltanit Ahmetit III (1673-1736). Sipas një Kronike, më 24 Mars 1714, të Martën e Madhe, në Bukuresht shkoi Mustafa agai, i cili e arrestoi bashkë me 4 fëmijët e tij, nusen e tij të madhe, dhëndurët, nipin e tij Kostandin dhe thesarruajtësin Janaq Vakaresku. Pas një udhëtimi të hidhur 3 javor, arritën në Kostandinopojë, ku u torturuan rëndë. U dënuan me vdekje më 15 Gusht 1714, ditën e Fjetjes së Hyjlindëses. Në fillim koka i’u pre Janaq thesarruajtësit, më pas djalit të tij të madh, duke vijuar me tre djemtë e tjerë, Stefanit, Radus dhe Mattheut. Lipsanet e tyre të shenjta i hodhën në ujërat e Bosforit, ndërsa kokat e tyre të nderuara i vendosën në hu, duke i qarkulluar përreth qytetit, më pas edhe ato i hodhën në det. Me nxitjen e Patriarkut Ekumenik, të krishterët besëmirë shkuan fshehtazi dhe pasi i nxorrën jashtë detit, i varrosën po fshehtazi në ishullin e Halkit, jashtë kishës së manastirit të Hyjlindëses, të cilin e kishte ndërtuar perandori Joan V Paleolog (1341-1391). Një vit më vonë edhe Kostandinit do t’i pritej koka, pasi refuzoi që të përqafonte fenë muslimane.
Lipsanet e shenjta të Martirit Kostandin dhe të gjithë atyre që u martirizuan bashkë me të, u transferuan fshehtazi në Rumani nga gruaja e tij Marika në vitin 1720, në kohën e sundimit të Nikolla Mavrokordhatit dhe u vendosën në kishën e Shën Gjergjit të Ri.
Oshënar Pahomi. Martiri i ri : 21 Maj
Oshënari martir Pahomi ishte me origjinë nga Azia e Vogël dhe lindi nga prindër Perëndidashës dhe besëmirë. Duke shërbyer si ushtar në ushtrinë Ruse, kapet rob nga turqit dhe shitet tek një regjës lëkurësh, i cili e mori me vete në atdheun e tij në Usaki të Filadelfias. Oshënari mbeti në shërbim të turkut për 27 vite, duke duruar tortura dhe presione të përditshme për të ndryshuar besim. Por ai mbeti i patundur në besimin e krishter dhe për këtë arsye u la i lirë nga zotëria i tij.
Teksa po përgatitej të largohej, ai u sëmur dhe turqit, duke përfituar nga kjo situatë, përhapën fjalën se Pahomi kishte shprehur dëshirën për t'u bërë musliman para se të vdiste. Kështu, kur u shërua, e veshën me rroba turke dhe e lanë të lirë. Pahomi u largua menjëherë dhe përmes Smirnit shkon në Malin e Shenjtë, në manastirin e Shën Pavlit, dhe u vendos nën kujdesin e një hieromonaku të vyrtytshëm, që quhej Josif.
Pas një qëndrimi 12 vjeçar në manastir, shkoi në Kavsokaliva, duke imituar jetën e mrekullueshme të Oshënar Akakio Kavsokalivitit, u bë shembull murgjërie dhe ishte i dashur për të gjithë vëllezërit.
I shtyrë nga zelli hyjnor, shprehu dëshirën për t’u martirizuar për Krishtin. Në të vërtetë, pas një viti eksperimentimi me kanone dhe pedagogji të ndryshme, i shoqëruar nga murgu Jozef, shkoi në Usaki të Filadelfisë dhe në mes të pazarit shpalli besimin e tij në Krishtin. Menjëherë arrestohet dhe çohet para kadiut.
Martiri Pahom me trimëri shpirtërore kundërshtoi akuzuesit e tij, duke ju thënë e kurrë nuk e kishte mohuar Krishtin, por ishte dhe do të mbetej në besimin e krishterë deri në fund të jetës së tij. Pas këtyre fjalëve, kadiu urdhëroi që të mbyllej në burg. Pas tre ditësh, pasi u thirr përsëri për të mohuar Krishtin, ai nuk e pranoi këtë gjë dhe si rrjedhojë u dënua me vdekje, duke ju dorëzuar xhelatit. Kështu Oshënarmartiri Pahom u martirizua me prerje koke në vitin 1730 të enjten e Ngjitjes së Zotit në Qiell.
Lipsanin e shenjtë të tij e morën pas tre ditësh të krishterët besëmirë dhe e varrosën me shprestari. Sot gjendet në manastirin e Shën Joan Theologut të Patmos. Copëz e këtij lipsani të shenjtë u dorëzua tek manastiri i Shën Pavlit të Malit të Shenjtë me bekimin e Patriarkut Ekumenik, më 26 Janar 1953.
Shën Timotheu i Pskovit :20 Maj
Shën Timotheu, i cili fillimisht ishte idhujtar me
emrin Dovmod, ishte me origjinë nga Lituania dhe ishte princ i Nalshenskut të
Lituanisë. Në vitin 1265, për shkak të konflikteve midis hegjemonëve të
Lituanisë, u detyrua që të braktisë zonën e tij të juridiksionit dhe të
vendoset në Pskov bashkë me 300 familje të tjera. Këtu Hiri i Perëndisë e
ndriçoi dhe u pagëzua i Krishter duke marrë emrin Timothe.
Shumë shpej banorët e Pskovit e zgjodhën si princ të tyre për shkak të trimërisë dhe vyrtyteve të tij të vërteta të krishtera.
Shenjti qeverisi për 33 vite me paqe dhe maturi. Ishte i drejtë, përdëllyes dhe filanthrop, bujar dhe mbrojtës i manastireve dhe kishave. Ndërtoi edhe një manastir për nder të Lindjes së Hyjlindëses.
Në vitin 1268 princi Timothe ishte një ndër heronjtë që mbrojtën me besim dhe vetmohim tokën ruse në betejën historike kundër ushtrive Daneze dhe Gjermane. Para çdo beteje shkonte në kishë, ku lutej dhe linte shpatën e tij tek Dera e Bukur, duke marrë edhe bekimin e priftit. Princi luftëtar i madh, fitoi në betejën përfundimtare kundër Gjermanëve, më 5 Mars 1299.
Shën Timotheu fjeti me paqe në vitin 1299, por ai e mbrojti qytetin e Pskovit edhe pas fjetjes së tij. Kur në vitin 1480, më shumë se 60,000 ushtarë gjermanë rrethuan qytetin, ai u shfaq tek një i Krishter dhe e udhëzoi që të merrnin ikonën e tij bashkë me një kryq dhe të bënin një litani në qytet. Të krishterët e Pskovit e zbatuan këtë udhëzim, siç ju tha Shenjti i tyre dhe gjermanët u tërhoqën nga rrethimi i qytetit.
Shën Joan Shqiptari (Arnautojani) - Martir i ri : 19 Maj
Martiri i ri ishte Ushtar me origjinë shqiptare Joani, i quajtur
“Arnautojani”, u pagëzua i krishter me emrin Joan. Në vitet 1830-1840 ishulli i
Kretës ndodhej nën kontrollin e Egjiptit, i cili në atë kohë qeverisej nga
shqiptari Mehmet Ali. Pas largimit të sunduesve egjiptianë nga ishulli në vitin
1840, Joani që ishte ushtar në ushtrinë egjiptiane, qëndroi në Kretë. Ai u
vendos në fshatin Agios Joanis të Festit dhe jetonte një jetë besëmirë dhe të
devotshme, duke ushtruar profesionin e rojtarit, në mënyrë që të siguronte
jetesën.
Ato ditë disa rebelë vranë dy turko-egjiptianë. Osmanët, të cilët urrenin Joanin, pasi ai kishte lënë fenë e tyre, gjetën rastin që të merrnin hak. E akuzuan tek qeveritarët e zonës, sikur ai ishte vrasësi i dy turko-egjiptianëve, duke e akuzuar atë edhe se pas ndërrimit të fesë ishte i disponuar për të vrarë myslimanë.
Joani u arrestua dhe u dërgua tek gjykatorja e Heraklios, ku doli i pafajshëm. Por kadiu Reshit Efendiu, i kërkoi që të ndryshonte përsëri besimin e tij që të dukej sikur nuk kishte vrarë për shkak të rivalitetit fetar, ose përndryshe do ta dënonte me vdekje. Joani me guxim pohoi Krishtin. Për tre ditë u torturua me tortura të frikshme. Ndër të tjera i vunë në kokë një enë hekuri, të cilën e kishin djegur në zjarr.
Kur Joani dorëzoi shpirtin e tij tek Perëndia, Pashai urdhëroi që trupi i tij t’i jepej të krishterëve që ta varrosnin. E morën dhe e varrosën në zonën e quajtur “Spitalia” në Heraklio.
Vdekja martirike e Joanit përhapi trishtim dhe indinjatë tek të krishterët e Heraklionit. Ishte e shtunë data 5 Maj 1845. Dhe siç tregon Stefanos Nikolaidhis në shënimet e tij biografike “...u bë një reagim i tmerrshëm i të Krishterëve kundër Qeverisë për Shqipëtarin - Arnautojanin, i cili kishte vdekur nga torturat”. Dhe që të qetësohej populli, u internua kreu i gjykatës Reshit Efendiu dhe u zëvendësua nga Kulukxhi-Meimuri.
Pas disa kohësh, u bë transferimi i eshtrave ( lipsaneve) të tij, të cilat u gjetën të shenjtëruara. Ato i mori konsulli i Rusisë dhe i dërgoi në Kiev, ku edhe ruhen deri më sot.
Shën Tekusa, Aleksandra, Klaudia, Fainia, Efrasia, Matrona, Julia dhe Theodhota, Martiret Virgjëresha nga Ankira e Galatisë dhe Martiri Theodhot : 18 Maj
Ishin me origjinë nga Ankira e Galatisë, të
përkushtuara me gjithë shpirt tek shërbimi i Ungjillit dhe ishin nga atletet
dhe shërbyeset më të mëdha të besimit të krishterë. Gjithmonë ishin të gatshme
për veprat e përdëllimit dhe filantropisë, dhe bashkëvepruan njëkohësisht edhe
për tërheqjen e idhujtarëve në gjirin e Kishës. Për veprën e tyre u akuzuan nga
idhujtarët dhe refuzuan t’u sakrifikonin idhujve. Atëherë
arkondi i Ankirës Theotekni i dorëzoi ato tek ushtarët që ata të abuzonin me
to. Por, për hir të Perëndisë, mbetën të pastërta. Më pas i mbytën të gjitha në
thellësinë e liqenit që ndodhej aty.
Theodhoti, i cili ishte nip i njërës prej këtyre grave të Shenjta,
Tekusës, mori gjatë natës lipsanet e tyre dhe i varrosi. Por u zbulua dhe pasi
nuk dëshironte që të mohonte Krishtin, i prenë kokën pas shumë torturash.
Pohimin e besimit të tij dhe martirizimin e bën më të lavdërueshëm fakti se ai
ishte kryefamiljar dhe me martirizimin e tij la pas gruan e tij dhe fëmijët.
Shën Nikolla, Martiri i ri nga Mecova : 17 Maj
Martiri i ri Nikolla lindi në Mecovë nga prindër besëmirë. Jetoi në një kohë të vështirë dhe të trazuar, pas lëvizjeve të pasuksesshme revolucionare të Mitropolitit të Trikit Dhionis Filozofit, ku përndjekjet e myslimanëve kundër të krishterëve, kishin arritur kulmin e tyre.
I ri në moshë, shenjti shkoi në Trikalla, ku punonte si nënpunës i një turku që kishte dyqan buke. Pas një periudhe kohore, turqit, duke përdorur metoda frikësuese, e detyruan që të islamizohej. Por shpejt, u ndërgjegjësua për mëkatin e apostazisë dhe u rikthye në Mecovë, ku jetoi një jetë të rreptë të krishterë.
Por, varfëria dhe kushtet e vështira të jetesës, që ishin në atë periudhë në Mecovë, e detyrojnë Nikollën që të shkojë përsëri në Trikalla, që të shesë pishtarë. Aty u vu re nga një berber turk, i cili ishte ngjitur me furrtarin, në të cilin punonte më parë shenjtori. Berberi turk e kapi Nikollën dhe e nxorri me dhunë në rrugë, dhe e ofendoi publikisht, sepse kishte tradhtuar islamin, duke u bërë përsëri i krishter. Nikolla, pasi ju tremb pasojave, i dha turkut ngarkesën e pishtarëve dhe lidhi një marrëveshje me të që t’i sillte çdo vit nga një ngarkesë me pishtarë. Pas kësaj marrëveshjeje, turku e la të lirë Nikollën.
Por, duke u rikthyer në Mecovë, Nikolla, bëri një autokritikë të rreptë dhe u pendua për këtë sjellje. Me vetëdije Nikolla u rrëfye tek një atë shpirtëror dhe filloi që të kërkonte martirizimin. Por, ati shpirtëror me përvojë, duke patur parasysh paqëndrueshmërinë e Nikollës, e këshilloi që të linte për atë moment këto qëllime të larta, pasi frikësohej se mos mohonte përsëri besimin. Por, Nikolla qëndron i patundur në vendimin e tij të madh. Ati shpirtëror duke parë vendosmërinë dhe këmbënguljen e Nikollës, e bekoi dhe e lejoi që të shkonte drejt martirizimit.
Për këtë arsye vitin tjetër që shkoi në Trikalla, nuk i solli turkut ngarkesën që i kishte premtuar. Turku i zemëruar e akuzoi tek kadiu dhe Nikolla shkoi para kadiut, ku me guxim pohoi besimin e tij tek Krishti.
Kur kadiu kuptoi se as me joshje, as me kërcënime nuk mund ta bindte, urdhëroi që të torturohej rëndë dhe ta mbyllnin në burg, ku me qëndrueshmëri vuajti martirizimin e urisë dhe etjes. Kur për herë të dytë u çua rrëfeu përsëri besimin e tij. Atëherë turqit e zemëruar marrin vendimin që ta hedhin në zjarr.
Me urdhër të tyre ndezin një zjarr të madh në pazarin qëndror të Trikallës, mbi të cilin hedhin Nikollën. Shenjti me një qetësi të mrekullueshme u përball me martirizimin, duke lavdëruar Krishtin, sepse u denjësua që të vdesë për hir të Tij. Kështu më 17 Maj 1617 Neomartiri Nikolla dha shpirtin e tij të shenjtëruar tek Kryetari i jetës dhe i vdekjes.
Mbrëmjen e asaj dite martirike, një besimtar pasi u dha para të mjaftueshme rojeve turke që ishin vigjilentë në vendin e martirizimit, bleu kokën e Martirit të ri, që kishte disa dëmtime nga zjarri. Por, pasi kishte frikë nga turqit, e fshehu kokën në murin e shtëpisë së tij, pa e ditur askush këtë veprim.
Pas vdekjes së këtij besimtari, shtëpia u ble nga dikush që quhej Melandros. Ai nuk dinte asgjë për thesarin e madh që fshihej në murin e shtëpisë së tij. Në orët e mbrëmjes së 17 Majit 1618 pa që të shkëlqente një dritë në pjesën e murit që ishte koka dhe gjatë gjumit, u informua se në atë pjesë gjendej e fshehur Koka e Martirit të Ri Nikolla. Në mëngjes e hapi atë pjesë të murit dhe gjeti Kokën e Shenjtë. Por pasi gjykoi veten e tij si të padenjë që të mbante një thesar kaq të madh, e dhuroi tek Manastiri i Hirshëm Barlaam i Meteorës, ku kishte një vëlla murg, për kujtimin e tij dhe të familjes së tij.
Aty ruhet Koka e Shenjtit deri më sot me devotshmëri të veçantë në një kuti të argjendë. Ajo, si në kohët e mëparshme, ashtu edhe sot bën mrekulli. Dëshmitarë të fuqisë mrekullibërëse të saj janë të gjithë të krishterët që luten me besim.
Shën Theodhori, Hieromartir dhe Episkop i Vrsakut : 16 Maj
Nuk ekzistojnë informacione të mjaftueshme mbi jetën e këtij shenjtori . Theodhor ishte Episkopi i Vrsakut në zonën e Serbisë së Veriut. Jetoi në shekullin e 16 dhe në vitin 1593 del si Episkop dhe udhëheqës shpirtëror i popullit të tij, që luftonte kundër turqve. Që të shpëtonte grigjën e tij nga masakrimi, e çoi atë në Hungari. Pas nënshkrimit të paqes me turqit u rikthye përsëri në Vrsak, ku arrestohet, për t’u torturuar brutalisht, duke gjetur më pas edhe vdekjen prej tyre. Kështu Hieromartiri i shenjtë Theodhor, me martirizimin e tij, hyri në gëzimin e Zotit dhe në Mbretërinë e Perëndisë.
Shën Joan Martir i ri nga Bullgaria : 14 Maj
Martiri i ri ishte me origjinë nga qyteti Sumna i Bullgarisë dhe ushtronte profesionin e argjendarit. Ishte i bukur në pamje dhe i vyrtytshëm. Përballë dyqanit të tij, jetonte një familje turke, që kishte një vajzë të re, e cila përpiqej që të tërhiqte Joanin 18 vjeçar. Por pasi nuk i’a doli, shpifi për Joanin sikur ai kishte tentuar që ta përdhunonte. Atëherë martiri u shoqërua tek kadiu dhe sipas vendimit të dhënë, duhet të zgjidhte mes vdekjes dhe martesës me vajzën myslimane. Joani u përgjigj se, preferonte që më mirë të vdiste sesa të mohonte Krishtin. Atëherë torturat që vijuan ishin të frikshme dhe barbare. E rrahën papushim, gërvishën trupin e tij, i dogjën plagët e tij me lambadha të ndezura dhe në fund i prenë kokën më 14 Maj 1802.
Shën Marku - Martir i ri nga Smirni : 14 Maj
Origjina e shenjtit ishte Kreta, kur ishte i vogël, disa turq e morën në Smirni dhe me dhunë e islamizuan. Vetë ai, duke qenë i ndërgjegjshëm se kush ishte dhe çfarë ishte, kërkonte mundësinë për të ikur.
Njëherë mundi të arratisej dhe shkoi në Kostandinopojë. Aty u takua me Melet Sirgon, i cili ishte një klerik i ditur dhe i vyrtytshëm, që pas martirizimit të shenjtit, shkroi edhe jetën e tij. Tek ky prift u rrëfye dhe i tregoi dëshirën e tij që të pohonte Krishtin dhe që të shlyente mëkatin e tij me gjakun e martirizimit. Ky atë i shenjtë shpirtëror, pasi e udhëzoi siç duhet, e la të shkonte duke e mbështetur me lutjen e tij.
U kthye pra në Smirni, dhe Shenjti para të gjithëve pohoi Krishtin si Perëndi të vërtetë, me shumë guxim, pa ju trembur barbarisë së turqve, ndërsa paralelisht u shpreh me ton nënvlerësues për islamin dhe profetin. Kur turqit dëgjuan fjalët e tij dhe kuptuan këmbënguljen e tij në besimin e krishter, sepse esencialisht nuk ishte islamizuar, e kapën dhe duke e rrahur e çuan tek kadiu. Aty e akuzuan me akuzën se “ndërsa ishte turk, tani u bë romak dhe ofendon besimin tonë dhe profetin tonë”.
Kadiu, kur dëgjoi këto gjëra, u pikëllua shumë dhe e pyeti: Je romak apo turk? Neomartiri i shenjtë ju përgjigj: “I krishter isha dhe i krishter jam dhe Krishtit tim i falem dhe e adhuroj dhe e pohoj si Perëndi të vërtetë, ndërsa besimin tuaj e përbuz”. Kadiu, veç të tjerave urdhëroi që ta rrihnin pandërprerë dhe ta mbyllnin në burg. Por edhe në burg ai ju nënshtrua torturave të frikshme. Vetëm torturuesit u lodhën, pa arritur asgjë, në kontrast me martirin, i cili i veshur me hirin e Perëndisë, vetëm i duroi i palëkundur duke u treguar trim.
Kur panë se nuk mundën që ta bindnin që të mohonte besimin e tij, e çuan përsëri tek kadiu, i cili e kërcënoi me kërcënimet më të rënda. Shenjti nuk llogariti asgjë, vetëm tha: “Edhe nëse mijëra tortura dhe mijëra vdekje të më jepni, unë Jisu Krishtin tim të ëmbël nuk e mohoj. Pra, mos humbni kohë, bëni çfarë të doni, për të parë se sa fuqi u jep Krishti im atyre që vuajnë për hir të emrit të Tij”.
Kur kadiu pa qëndrueshmërinë e tij në besimin e krishterë urdhëroi ekzekutimin e tij me prerje koke. E çuan në vendin e ekzekutimit, ku i gjunjëzuar dhe duke ulur kokën pranoi vdekjen me prerje koke më 14 Maj 1643. Ishte 17 vjeç. Të krishterët e Smirnit me shumë vështirësi dhe me shumë para morën lipsanin e Shenjtit dhe e varrosën në kishën e Shën Fotinisë, ku e nderojnë çdo vit. Varri i tij dhe lipsanet e tij jo thjesht bëjnë mrekulli por janë bërë edhe burim shërimesh për besimtarët.