Shën Sergji i drejtë : 28 Qeshor
Sergji i shenjtë dhe i drejtë ishte me origjinë nga qyteti Nikita i Amastrisut, në Detin e Zi. Familja e tij kishte origjinë aristokrate dhe kishte lidhje familjare me familjen e perandoreshës Theodhora, bashkëshortes së perandorit Theofil. Bëri studime të shkëlqyera dhe shumë shpejt arriti në grada të larta ushtarake dhe politike. Edhe pse perandori Theofil ishte mbështetës i ikonomakëve, Sergji mbeti besnik në besimin orthodhoks dhe bëri përpjekje të mëdha për restaurimin e Ikonave Të Shenjta. U tregua edhe mbrojtës i shumë mbështetësve të ikonave të shenjta, gjatë përndjekjes së tyre nga Theofili. Pas vdekjes së Theofilit, ai kontribuoi shumë dhe shteroi të gjithë ndikimin e tij për të forcuar mendimin e Theodhorës për mbledhjen e një Sinodi Ekumenik, për restaurimin e Ikonave. Fjeti me paqe në ishullin e Kretës dhe më pas varroset në manastirin Magjistru. Më pas lipasnet e tij të shenjta transferohen me shumë nderime dhe varrosen në manastirin e Hyjlindëses së Përmbishenjtë, të cilin e ndërtoi vetë në gjirin e Nikomedisë, i cili quhej edhe Nikitanu, pasi ndërtuesi i tij ishte me origjinë nga qyteti Nikita.
Martiri i ri Panajot Qesarevsi : 24 Qeshor
Shën Panajot Qesarevsi ishte me origjinë nga
Delvinaqi i Epirit. U martirizua në Kostandinopojë për besimin e tij të
krishterë, më 24 Qershor 1765. Lipsani i tij i nderuar u varros nga të
krishterët me nderime në Kishën e Burimit Jetëdhënës në Kostandinopojë. Sipas
disa informacioneve të tjera, ky martir u martirizua në vitin 1767, në moshën
20 vjeçare. Një pjesë e lipsanit të shenjtë të Shenjtorit gjendet në Skitin e Shën
Pandeleimonit në Manastirin Kutlumusio në Malin e
Shenjtë.
Shenjtorët e ditës : 23 Qeshor
Shën Gjerasimi i Kretës, Neofit i Knosës, Joakimi i Hersonisës, Jerotheu i Lambit, Zaharia i Stias, Joakimi i Petras, Gjerasimi i Rethimnës, Kaliniku i Kidhonisë, Melkisedheku i Kisamit, Kaliniku i Dhiapolit dhe të gjithë sa ishin me ta klerikë dhe laikë në vitet 1821 dhe 1822.
Shën Evsevi : 22 Qeshor
Shën Evsevi jetoi në kohëra të trazuara, kur Kisha vuante nga herezitë e Ariosit. Perandor në atë kohë ishte i biri i Kostandinit të Madh, Konstanti, i cili e mbështeti këtë sekt të paperëndishëm dhe i persekutoi ashpër ata që kundërshtonin teoritë e tij. Shenjtori, i cili ishte episkop i Samosatës u përndoq, por ai i duroi me guxim të admirueshëm të gjitha mundimet dhe vuajtjet me shpresën se në fund orthodhoksia do të triumfonte. Kur Konstanti heretik dhe i urryer nga populli vdiq, në fronin perandorak e pasoi Julian apostati, i cili dëshironte që të rikthente adhurimin e idhujve.
Juliani nisi persekutime më të tmerrshme kundër të krishterëve. Pastaj filluan edhe persekutimet e reja për Evsevin, shumë më të këqija se ato të mëparshmet, por shenjtori mbeti i palëkundur. Të njëjtat përndjekje vuan edhe në kohën e perandorit Valens, edhe ai ishte mbështetës i zjarrtë i Arianistëve. Shenjtori, edhe një herë, u thirr për të mbrojtur pastërtinë e besimit orthodhoks. Për përpjekjet e tij, perandori Valens e rrëzoi nga froni episkopal dhe e internoi në një vend të shkretë pranë lumit Istro. Pas vdekjes së Valensit, Shenjti u rikthye nga internimi në Episkopatën e tij dhe menjëherë filloi pastrimin e enorisë së tij nga heretikët keqdashës. Një ditë, në vitin 380, kur ai po kalonte jashtë shtëpisë së një gruaje heretike, ajo e goditi me urrejtje në kokë me një gur të madh dhe si pasojë Shenjtori gjeti vdekjen e menjëhershme.
Oshënar Piori : 17 Qeshor
Oshënar Piori ishte asket egjiptian, i cili u largua nga shtëpia e tij për në shkretëtirë dhe mori vendimin që të mos i shikonte kurrë prindërit dhe të afërmit e tij. Pas shumë vitesh motra e tij, tashmë ishte bërë jerondeshë, mësoi se Oshënari jetonte dhe e ftoi që ta shikonte me ndërmjetësimin e etërve të Skitit. Atëherë ava Piori, shkoi në shtëpinë e saj, qëndroi tek porta, pa hyrë brenda në shtëpi dhe me sytë mbyllur, bashkëbisedoi me motrën e tij, dhe pa parë aspak, u largua përsëri për në shkretëtirë.
Gjithashtu në librin “Parajsa e Etërve”, rrëfehet se një herë u bë një mbledhje në Skit, që Etërit të gjykonin një prej vëllezërve të tyre, i cili kishte kryer një shkelje. Dhe ndërsa Etërit diskutonin se çfarë do të bënin, Oshënar Piori doli jashtë mbushi një thes me rërë dhe e vari atë në kurrizin e tij. Kur Etërit e pyetën se çfarë është ajo që po bën, Oshënari u përgjigj se thesi që ka shumë rërë simbolizon mëkatet e tij, të cilat i ka nga mbrapa dhe nuk mund t’i shikojë që të qajë për to. Qesja me pak rërë që ka varur përpara tij, janë mëkatet e pakta të vëllait të tij, të cilat i ka përpara dhe i shikon në mënyrë që të gjykojë vëllain e tij. Por, duhej që përpara të kishte mëkatet e tij, në mënyrë që t’i shikonte dhe t’i lutej Perëndisë që ta falte. Kur Etërit i dëgjuan këto fjalë, u larguan duke thënë se me të vërtetë ajo është rruga e shpëtimit. Oshënar Piori ndërroi jetë me paqe.
Shën Metod Omologjiti Patriarku i Kostandinopojës : 14 Qeshor
Shën Metodi ishte me origjinë nga një familje besëmirë, brenda së cilës u rrit në përputhje me urdhërimet e frymës orthodhokse. Lindi në Sirakuza të Siçilisë dhe shkoi në Kostandinopojë në kohën e Perandorit Leon V, për të marrë një detyrë politike, si vlerësim për arsimimin e tij të lartë dhe aftësitë e tij. Atëherë në Kostandinopojë mbizotëronte çështja e faljes së ikonave të Shenjtorëve.
Perandori Theofil, pasi çmonte arsimimin e Metodit, u përpoq që me kujdese të ndryshme ta tërhiqte në krahun e tij. Por Metodi, e kritikoi ashpër dhe drejtpërdrejt, për qëndrimin e pamend kundër ikonave të shenjta. Theofili i egërsuar, e burgosi në ishullin e Antigonit bashkë me dy kusarë të tjerë. Më vonë, për shkak se ai i shpjegoi atij një pasazh të vështirë për shkencat okulte, ai e liroi atë. Pas vdekjes së Theofilit, më 12 Shkurt 842 dhe gjatë ditëve të mbretërimit të Theodhorës, Metodi u bë Patriark i Kostandinopojës. Gjatë kohës kur ai ishte në fronin patriarkal, u përcaktua që e kremtja e Orthodhoksisës të kremtohej të Dielën e parë të kreshmëve. Gjithashtu u krye edhe transferimi i lipsaneve të Patriarkut Niqifor dhe Theodhor Studitit dhe në përgjithësi, mund të themi, se gjatë kohës së Metodit u vulos triumfi i Orthodhoksisë. Ndërroi jetë me paqe më 14 Qershor të vitit 846.
Oshënare Aleksandra, Igumene dhe themeluese e Manastirit Divevo : 13 Qeshor
Theofani Martiri i ri : 8 Qeshor
Ky martir i lavdishëm lindi në fshatin Zapani, në zonën e Kallamatës së Peloponezit. Në Pagëzimin e shenjtë mori emrin Theodhor. Prindërit e tij e dërguan tek një rrobaqepës në Kostandinopojë që të mësonte pranë tij këtë profesion. Por për shkak të keqtrajtimit të vazhdueshëm të pronarit të tij u largua.
U gjend në qendër të qytetit, në panairin që ishte organizuar me rastin e rrethprerjes së djalit të sulltanit, dhe aty ai mohoi besimin e tij. Hyri në trupën e fëmijëve që parapërgatiteshin për t’u bërë jeniçerë në pallat dhe për 6 vite mori formimin e plotë në shkronjat turke dhe arabe.
Duke iu afruar çështjeve teologjike gjatë studimeve, ai filloi të ndjejë pendim në ndërgjegjen e tij, deri në ditën kur nuk duroi më dhe thirri Trininë e Shenjtë dhe emrin e Virgjëreshës dhe u arratis.
Kaloi nga vende të ndryshme duke kërkuar njeriun e duhur që t’i tregonte rrugën e shpëtimit të tij dhe më në fund e gjeti atë në personin e mitropolitit të ditur të Filadelfias, Gabrielit, i cili jetonte në Venecia.
Ai e rriti dhe e forcoi në besim dhe e qethi murg me emrin Theofan, dhe më pas i shpjegoi se mënyra që të çlirohej plotësisht nga mëkati i tij ishte që të shkonte në vendin e apostazisë dhe të pohonte publikisht transformimin e tij.
I mbushur me zell hyjnor, Theofani shkoi në Kostandinopojë, ku disa njerëz e njohën, por ai nuk mundi që të gjente momentin e përshtatshëm për pohimin publik.
Kështu shkoi në Athinë dhe u paraqit para kadiut, pasi u lut për tre ditë i larë nga lotët dhe kërkoi që të dënohej për besimin që kishte humbur nga një devijim i rinisë. Por për zhgënjimin e tij të madh, gjykatësi e la të lirë atë me dashamirësi.
Pasi kaloi edhe nëpër vende të tjera, shkoi dhe u paraqit para kadiut të Larisës, i njohur për ashpërsinë dhe rreptësinë e tij, por ai urdhëroi që ta lironin pasi t’i jepnin 600 goditje me kamxhik. Shenjti i vuajti torturat me kënaqësi, por pa gjetur kënaqësinë që ai dëshironte.
Shkon në Malin e Shenjtë, ku murgjit e shenjtë e inkurajuan për planin e tij për të shkuar në Kostandinopojë. Pasi shkoi në Kostandinopojë, qarkullonte publikisht, duke ju drejtuar befas atyre që i njihte. Pasi u sprovua nga ati i tij shpirtëror Evthimi, u parapërgatit për luftën e fundit me agripni, lutje dhe kungim të Mistreve të Shenjta, dhe në vijim u shfaq në gjykatën e sulltanit, ku gjendeshin një sërë kadinjsh dhe nënpunës të tjerë të oborrit osman.
Me zë të lartë dhe të qartë, ai fillimisht lavdëroi sundimtarin dhe më pas rrëfeu konvertimin e tij, duke kërkuar që të ndëshkohej. I indinjuar nga guximi i tij, kadiu urdhëroi që ta rrihnin shtatëqind herë me kamxhik dhe ta hidhnin në burg, ku vuajti keqtrajtimin e vazhdueshëm të gardianëve.
Në mënyrë tallëse gardianët i kërkuan shenjtit që të bënte ndonjë mrekulli për hir të tyre, shenjti u lut për tre orë i palëvizur si një shtyllë, dhe sapo tha Amin, një tërmet tundi burgun nga themelet dhe një dritë më e ndritshme se dielli largoi errësisën duke zbuluar shenjtorin të zgjidhur nga prangat e tij, me duart e tij të ngritura drejt qiellit dhe fytyrën që i ngjante fytyrës së një engjëlli.
Të frikësuar, rojet e tij u gjunjëzuan para tij dhe i kërkuan t'i falte, disa prej të cilëve madje u konvertuan në krishtërim.
Kur lajmi arriti te gjyqtarët suprem, komandanti e thirri shenjtorin që të paraqitej sërish, duke u përpjekur ta bindte me premtime. Megjithatë, Theofani i hodhi poshtë fjalët e tij, dhe u përgjigj me zell të frymëzuar nga Shpirti e Shenjtë. Kështu ai u dënua me një "vdekje të hidhur".
Menjëherë xhelatët e arrestuan, i prenë dy rripa lëkure në formë kryqi nga trupi i tij, nga shpina deri te gjoksi dhe duke e vënë mbi një mushkë, me duart e gozhduara në shalë, dhe e qarkulluan në qytet. Kur arritën në vendin e ekzekutimit, e varën të zhveshur në çengele, ndërsa populli e qëllonte me gurë dhe e rrihte.
Megjithatë, Shën Theofani, mbeti i patundur dhe falenderoi Perëndinë që e gjykoi të denjë që të arrinte në qëllimin e tij të dëshiruar. I kërkoi vetëm si nder që të shfaqej me një mrekulli për të konvertuar këta të pabesë që e torturonin.
Sapo u përfundoi lutjen e tij, një zog, i bardhë si pëllumb, erdhi dhe qëndroi mbi kokën e martirit dhe e mbushi me një ngazëllim hyjnor që largoi prej tij çdo dhimbje. Atëherë disa njerëz që gjendeshin aty thanë: “Krishti që ai predikon është Perëndi i vërtetë”!
Pas tre orësh, gjatë mbrëmjes, shenjti tha: “Kam etje”! Njëri nga të pranishmit ju përgjigj: “Bëhu si ne dhe do të të jep të pish”. Por Theofani u përgjigj: “Kam etje për shpëtimin tuaj. Sa për mua, Krishti më jep ujë të përjetshëm”.
Gjatë natës ranë vetëtima të frikshme dhe një dritë qiellore përfshiu trupin e martirit, duke shkaktuar frikë në burg. Të shumtë ishin ata që pohuan Krishtin, duke shkaktuar kështu edhe urrejtjen e turqve, të cilët duke nxituar në port dhe duke marrë prej aty mjetet me majë, erdhën dhe goditën me to fytyrën dhe trupin e shenjtorit. Kur në fund i nxorrën sytë, Shën Theofani dorëzoi shpirtin e tij tek Krishti (8 Qershor 1588).
Disa të krishterë besëmirë blenë trupin e tij dhe mblodhën tokën që ishte vaditur me gjakun e tij, dhe me anën e tyre u bënë shumë mrekulli dhe shërime. Sa për torturuesit e tij, disa prej tyre u verbuan, disa të tjerë u mbytën në det, të tjerëve ju thanë duart, por ata që u penduan dhe thirrën emrin e shenjtit u shëruan.
Shën Potamiena : 7 Qeshor
Shën Potamiena jetoi nga fundi i shekullit III në Aleksandri gjatë viteve të perandorit Maksimian. Ishte skllave, por e krishterë, dmth., me shpirt të lirë me anën e Jisu Krishtit. Nga pronari i saj i parë e bleu një person tjetër, idhujtar edhe ai. Por pasi Potamiena ishte shumë e bukur në trup, ai mendonte se kishte të drejtë që të abuzonte me të. Rezistenca e vazhdueshme e Potamienës e befasoi dhe e zemëroi atë, sepse për herë të parë u zmbraps nga një skllave. Më pas ai i kërkoi llogari. Ajo i tha pa frikë: “Unë jam e krishterë, dhe nderin tim e vendos shumë më lartë se sa jetën time. Pasuria ime e vetme është besimi dhe pastërtia ime. Nuk braktis as njërën dhe as tjetrën. Më vrit. Unë nuk do të protestoj. Por mos më prek. Sepse do të vras veten. Sepse feja ime e shenjtë, e ndalon vetvrasjen në çdo rast, por e lejon vetëm kur vdekja përbën mënyrën e fundit për ruajtjen e nderit, nga dhuna brutale”. Pronari i saj idhujtar menjëherë e dorëzoi tek qeveritari. Ai urdhëroi që ta ekzekutonin dhe e hodhën në një kazan me katran që vlonte dhe në këtë mënyrë ajo dorëzoi tek Perëndia shpirtin e saj të pastër.