Shën Kirana, Martire e Re : 28 Shkurt
Neomartirja e shenjtë Kirana lindi në fshatin Avisoka,
në Osën e sotme të Selanikut, prej prindërve besëmirë dhe Perëndidashës. Në
biografinë e saj tregohet se ishte shumë e bukur. Kjo bukuri e jashtme e
Kiranës, që nuk ishte gjë tjetër veçse reflektim i bukurisë së saj të brendëshme,
përbën edhe shkakun që e drejtoi shenjtoren në martirizim, pasi një jeniçer,
taksambledhës në fshatin e Kiranës, i cili u dashurua me të, u përpoq në mënyrë
të përsëritur, me joshje dhe dhurata që ta bindte të ndryshonte besim dhe më
pas të martoheshin. Por pasi Kirana nuk i pranonte joshjet, e aq më tepër
dhuratat e turkut, ai duke menduar se do ta përkulte duke e frikësuar, do të
fillonte ta kërcënonte se do ta torturonte rëndë dhe më në fund do ta vriste,
nëse ajo nuk dorëzohej dhe mohonte besimin e saj. Por as këto mënyra nuk sollën
rezultatin e dëshiruar për jeniçerin. Atëherë ai e solli në mënyrë të dhunshme
para kadiut të Selanikut dhe shpifi kundër saj, sikur ajo i kishte shprehur se
do të ndryshonte besimin që të martohej me jeniçerin, por përfundimisht nuk e
mbajti premtimin e saj. Shën Kirana me një burrëri shpirtërore pohoi besimin e
saj për Krishtin. Kështu turqit e futën në burg.
Jeniçeri, që e solli tek kadiu, kërkoi dhe mori lejen e Ali Efendiut, beut të kalasë së Selanikut që të vizitonte shenjtoren në burg, ku me joshje, por edhe me tortura u përpoq që ta bënte për vete. Por, kur u largua ai, torturat i vijoi gardiani i burgut.
Njëherë jeniçeri e vizitoi përsëri shenjtoren në burg dhe e torturoi deri në vdekje. Një roje burgu i Krishter e qortoi ashpër rojen tjetër të burgut, duke e kërcënuar se do ta akuzonte tek pashai, pasi ai lejonte që në burg të hynin njerëz të ndryshëm pa të drejtë për të torturuar të burgosurit. Kështu, kur pas pak jeniçeri erdhi përsëri në burg, roja i frikësuar nuk e lejoi që të hynte brenda. Atëherë jeniçeri e paditi tek Ali Efendiu, i cili e thirri dhe qortoi sepse ai nuk iu bind urdhrave të tij. Pas kësaj ngjarjeje roja u rikthye në burg i zemëruar dhe të gjithë zemërimin e tij e zbrazi tek Kirana, të cilën e lidhi dhe filloi që ta godiste papushim. Para kësaj pamjeje të gjithë të burgosurit, madje edhe myslymanët, filluan që të protestonin kundër këtij gardiani, i cili e la shenjtoren të lidhur dhe u largua. Ishte 28 shkurt 1751.
Gjatë orëve të para të mëngjesit një dritë hyjnore mbuloi papritur trupin e Shën Kiranës, e cila dha frymën e saj të fundit, dhe më pas kjo dritë u përhap në të gjithë burgun. Para kësaj mrekullie të Krishterët falenderuan Zotin, ndërsa myslymanët menduan se ishte zjarr dhe u frikësuan.
Gardiani i krishter, i cili shkoi që të zgjidhte Shenjtoren e lidhur, e gjeti atë të vdekur. Ndërkohë drita ishte larguar, por një aromë e pashprehur mbeti në të gjithë vendin. Atëherë gardiani, u kujdes për lipsanin e shenjtë të Martires, të cilin ditën tjetër e morën të krishterët dhe e varrosën jashtë Selanikut. Në Sinaksarin e Neomartires tregohet se lipsani i Shenjtores u varros “jashtë qytetit, aty ku varrosen lipsanet e të Krishterëve”, dmth., në Varrezën e Shën Parashqevisë.
Shërbesën asmatike ( frymore) të Shenjtores e shkroi Kristofor Prodhromiti.
Si ditë kujtimi për Neomartiren, në Kodikun Lavreotik tregohet data 1 janar. Por në Osa, Shën Kirana kremtohet më 8 janar. Kisha e kremton Shën Kiranën më 28 shkurt, por ndoshta sepse kjo datë shpesh bie në periudhën e Kreshmës së Madhe, e kremtja është zhvendosur edhe në datën 8 janar. Kujtimi i Shenjtores nderohet në mënyrë panigjirike prej banorëve të Osës në Selanik dhe në kishën Arhieropiitu gjatë të dielës pas 8 janarit.
Në fshatin Osa, gjendet Kisha e Shenjtë e Martires së Madhe Shën Kiranës, e cila është edhe mbrojtëse e komunitetit. Kisha u ndërtua në vitin 1840 ose në vitin 1868. Në këtë kishë ruhet edhe ikona mrekullibërëse e Shën Kiranës, e bërë rreth vitit 1870, prej Kristodhul Joan Zografit nga Siatista.
Shën Tarasi, Kryepiskop i Kostandinopojës : 25 Shkurt
Shën Tarasi lindi, u rrit dhe u arsimua në Kostandinopojë prej prindërve fisnikë dhe besëmirë, Gjergjit, gjykatës dhe patric dhe Evkratisë. Shenjti ishte edhe xhaxhai i Shën Fotit (6 Shkurt). Për shkak të formimit të tij të madh u ngjit në gradën e protasikritit (i pari nga sekretarët specialë të perandorit).
Rrethanat kishtare në atë kohë ishin mjaft të rënda. Ekzistonte akoma lufta kundër ikonave dhe pozita e Orthodhoksëve u bë akoma edhe më e vështirë pas vdekjes së Patriarkut Pavli IV Qiprianit (30 Gusht). Mbretëresha Irini nga Athina, e cila ishte regjente e birit të saj të mitur Kostandini VI (780-798), kuptoi se nevojitej një udhëheqës kishtar me devotshmëri, përgatitje teologjike dhe aftësi administrative për t'iu përgjigjur rrethanave dhe problemeve. Kështu prej laikëve Patriark i Kostandinopojës u zgjodh Tarasi, me gjithë refuzimet e tij, pasi mori premtimin prej mbretërve se do të thirrej një Sinod Ekumenik që do të diskutonte çështje të ndryshme teologjike dhe kishtare. Hierotonia e Patriarkut të ri u bë më 25 Dhjetor 784.
Gjatë patriarkatit të tij, Shenjti u kujdes për krijimin e lidhjeve me Kishën Perëndimore nën Papa Adrianin I dhe për thirrjen e Sinodit VII Ekumenik në vitin 787 në Nikea. Ky Sinod dënoi ikonomakët dhe anuloi Sinodin ikonomak të vitit 754, duke u bazuar edhe tek shkrimet teologjike të Shën Joan Damaskinit (4 Dhjetor). Mbledhja e tetë e Sinodit u bë në Kostandinopojë, në pallatin mbretëror, ku Mbretëresha Irini dhe biri i saj Perandori Kostandin nënshkruan Vendimet e Sinodit.
Devotshmërisë dhe moralit të Shenjtit i atribuohet edhe vëmendja e Kishës ndaj simonisë, domethënë mitdhënies për përfitimin e gradave kishtare, veçantërisht froneve episkopale. Paralelisht Shenjti zhvilloi një veprimtari të pasur bamirëse e shoqërore dhe u shqua për lëmoshë ndaj të varfërve.
Dashuria e tij për murgjërinë u shpreh edhe me ndërtimin e Manastirit në ngushticën e Bosforit, në të cilin edhe u varros pas fjetjes së tij oshënare të mërkurën e javës I të Kreshmëve në vitin 806. Perandori Mihail I Rakbe (811-813) e veshi varrin e Shenjtit me argjend, duke treguar kështu si ai ashtu edhe mbretëresha Prokopia respektin e tyre për kujtimin e Shenjtorit.
Shën Ethelberti - Mbret i Anglisë : 24 Shkurt
Shën Ethelberti fjeti me paqe në vitin 616.
Gjetja I dhe II e Kokës e Shën Joan Pagëzorit : 24 Shkurt
Të nderuar miq edhe të dashur vëllezër edhe motra në Krishtin në 24 shkurt Kisha Orthodhokse kremton të kremten: Gjetja e parë dhe të dytë e kokës së Joan Pagëzorit.
Shën Llazari nga Tripoli i Peloponezit, Hieromartir i Ri : 23 Shkurt
Burimi i parë i shkruar që kemi për martirizimin e Hieromartirit të Ri dhe të Shenjtë Llazar është ai i kodikut nr. 797 i Manastirit të Hirshëm të Vatopedhit, i cili përmban shërbesën dhe sinaksarin e Shenjtit.
Shën Llazari, ishte prift dhe atdheu i tij i veçantë ishte Tripoli. Prindërit e tij besëmirë, Nikolla dhe Aleksandra, e rritën me këshilla dhe edukim më Zotin, duke e çuar atë drejt masave të përsosura të virtytit. Kur u dorëzua prift, mësonte ata që jetonin me devotshmëri, ndërsa të tjerët i këshillonte që të mos padrejtësonin të varfërit. Një person që jetonte në të njëjtin qytet në Tripoli, i quajtur Seletos, përditë kryente padrejtësi. Këtë Seletos, prifti Llazar vazhdimisht e këshillonte që të mos i binte në qafë njeriu. Kur Seleti u dënua me vdekje për padrejtësitë e tij, mohoi Krishtin që të shpëtonte.
Atëherë, duke u bërë mysliman dhe duke i shpëtuar rrezikut, bashkë myslimanë të tjerë dëshironin që të detyronin edhe Shën Llazarin që të bëhej edhe ai mysliman. Shpifën shumë herë kundër tij dhe e çuan në gjykatë duke i thënë se nëse do të ndryshonte besimin do t’i jepnin shumë të mira, përndryshe do ta vrisnin.
Shenjti e refuzoi këtë ofertë të të pabesëve, të cilët vendosën që Shenjti të torturohej me shumë tortura, të njëjta për shumë neomartirë, si fshikullimet, shtrembërim gjymtyrësh, etj. Përfundimisht, martirin e hodhën brenda në zjarr, ku Shenjti dha edhe shpirtin e tij të lumur në lutje më 23 Shkurt 1605.
Me rëndësi të veçantë është fakti se nëna e tij e mbështeste duke thënë që ta duronte dënimin e zjarrit, në mënyrë që të trashëgonte Mbretërinë e përjetëshme dhe të gëzohet bashkë me martirët e tjerë, ëngjëjtë, kryeëngjëjtë, profetët dhe shenjtorët e tjerë. Në këtë mënyrë mbaroi Hieromartiri i ri dhe i shenjtë Llazar. Besimtarët dhe jobesimtarët e pranishëm, të habitur dhe të frikësuar, konfirmuan se një dritë nga qielli mbuloi vendin e martirizimit për tre ditë rresht. Më pas disa të krishterë besëmirë morën lipsanet e Shenjtit, të cilat shëronin të gjithë ata që i lutnin me besim.
Shën Ariston Çudibërësi - Episkop i Arsinois në Qipro : 22 Shkurt
Shën Aristoni jetoi në Qipro gjatë fundit të shekullit
IV dhe fillimit të shekullit V. Gjatë asaj kohe në zonën e Pafos ekzistonin dy
Episkopë. Njëri në zonën e Pafos me rezidencë në Pafon e Ri dhe tjetri në zonën
Arsinois me rezidencën në Arsinois, aty ku gjendet qyteti Hrisohus. Sipas atyre
që thotë Shën Neofiti i Mbyllur (12 Prill), Shën Aristoni është episkopi i dytë
i Arsinois sipas radhës. I pari përmendet një Episkop i quajtur Nikolla. Pas
tij është Shën Aristoni dhe më pas Shën Nikoni dhe Shën Arkadi (29 Gusht). Dhe
të tre këta Shenjtorë, Aristoni, Nikoni dhe Arkadi, konsiderohen sipas Shën
Neofitit si po njësoj të denjë si tre Etërit dhe Hierarkët e mëdhenj të Kishës
sonë, Vasili i Madh, Grigor Theologu dhe Joan Gojarti.
Shën Aristoni lindi prej prindërish besëmirë, të cilët
u kujdesën që ta edukonin dhe ta rritnin birin e tyre sipas Perëndisë. Vyrtyti
dhe jeta më Krishtin ishte qëllimi i jetës së Shën Aristonit. Vetëdorëzimi i
tij i plotë tek Zoti e dorëzoi që të fitonte vyrtytin e butësisë dhe mbretëreshën
e vyrtyteve, përulësinë, dhe prej saj shenjtërinë. Me vepra dhe me fjalë u bë
mësues i flaktë i devotshmërisë dhe i besimit orthodhoks, mbrojtës i jetimëve,
ëngjëll ngushëllimtar i të varfërve dhe të sëmurëve, atë i dashur për të
gjithë. Fjala e Dhjatës së Vjetër: “Sa më e madhe të jetë tek ai përulësia, aq
më shumë hir do të gjejë para Zotit” (Urtësia e Sirahut 3.18), gjeti zbatimin e
saj në personin e Shenjtit. Perëndia i Shenjtë e denjësoi edhe me dhuntinë e
çudibërjes. Oshënar Neofiti shkruan për Shenjtin, se ai ishte “shërues i
mrekullueshëm kundër demonëve”. Shën Aristoni fjeti me paqe.
Shën Gjergji, Episkop i Amastridhos : 21 Shkurt
Shën Gjergji ishte me origjinë nga Kromni e Amastridhos dhe lindi prej prindërve besëmirë, Theodhorit dhe Megjethosë.
Pas studimeve të tij, shkoi në malin e Sirikut dhe aty pasi gjeti një Jerond asket, mësoi prej tij rregullat e jetës murgjërore dhe mori prej tij skimën ëngjëllore. Pas vdekjes së Jerondit, zbret në qytetin Vonisa të Akarnanisë dhe fillon aty asketizimin. Kur pas vdekjes së episkopit të Amastridhos, froni i tij mbeti vakant, Kisha duke parë vyrtytet dhe dhuntitë e Shenjtit, e vendos bari të Kishës së Amastridhos, të cilën e baritoi në mënyrë të pëlqyeshme nga Perëndia. Hierotonia e Shenjtit në gradën kryepriftërore u bë në Kostandinopojë.
Shenjti i shërbeu kishës, u kujdes për klerin e shenjtë dhe u interesua për mbrojtjen e jetimëve dhe vejushave, si edhe për ushqimin dhe mbajtjen e të varfërve. Perëndia, duke parë jetën oshënare të Shenjtit, e denjësoi me dhuntinë e bërjes së mrekullive.
Shën Gjergji fjeti me paqe në vitin 805. Kujtimi i tij kremtohet nga Kisha edhe më 25 Tetor.
Shën Filothei e Athinës
Shën Filothei lindi në vitin 1522 në Athinë. Prindërit e saj quheshin Angjelos dhe Sirija Benizelu. Nëna e saj nuk mund të lindte fëmijë, por në mënyrë të mrekullueshme arriti që të lindte Shenjtoren.
Prindërit e saj u munduan që t’i jepnin çdo formim të mundshëm për kohën. Rigula (emri i Shenjtores para se të bëhej murgeshë) po rritej dhe po zbukurohej si në shpirt ashtu edhe në trup.
Në moshën 14 vjeçare, prindërit e saj e martuan, pa dëshirën e saj, me një prej arkondëve të Athinës. Por kjo martesë nuk ishte e mirë. Pas tre vitesh burri i saj vdiq. Shenjtorja ishte vetëm 17 vjeç. Prindërit e saj i bënë presion që ajo të martohej përsëri, por tashmë ajo e kishte marrë vendimin e saj, murgjërinë. Pas 10 vitesh vdesin edhe prindërit e saj dhe Rigula i përkushtohet Perëndisë dhe merr emrin Filothei.
Ajo ndërton një manastir grash pas një vizioni, me disa qeli, të cilit i dha emrin e Shën Andresë për ta nderuar atë.
Shembullin e saj, të përkushtimit tek Krishti e ndoqën edhe të reja të tjera. Për pak kohë, manastiri arriti të kishte 200 motra. Manastiri i Oshënare Filotheit bëhet një liman i vërtetë për të uriturit, jetimët dhe pleqtë.
Oshënarja, megjithë kundërshtimet e osmanëve, ndërton disa qendra të ndryshme filantropike, spitale dhe jetimore. Vepra e saj, kombëtare dhe fetare, i tejkaloi kufijtë e Athinës dhe u bë e famshme në të gjithë Greqinë.
Por e gjithë veprimtaria e Shën Filotheit zemëroi osmanët. Në një moment ata e kapin atë, por në momentin e fundit disa të krishterë arritën që të bindin sundimtarin osman në mënyra të ndryshme për të liruar Shenjtoren, e cila u la e lirë.
E lirë, Shën Filothei u rikthye në manastirin e saj. Ajo u kujdes jo vetëm për shpëtimin e shpirtit të saj, por edhe të të tjerëve, mëkatarët i përmirësoi moralisht dhe i drejtoi në pendim. Dhe përfundimisht për këtë qëllim shkoi edhe në ishullin Xhia (Kea), ku kishte ndërtuar një metoq, që të dërgonte aty ato murgesha, të cilat për arsye të ndryshme kishin frikë të qëndronin në Athinë. Në Xhia qëndroi për një kohë të gjatë dhe katekizoi në mënyrë të pëlqyeshme nga Perëndia motrat në ruajtjen e saktë të rregullave të jetës murgjërore. Sapo mbaroi punën aty, u rikthye në Athinë. Bëri edhe shumë të tjera për vendin dhe banorët e Athinës.
Një natë, më 2 Tetor 1588, osmanët shkuan në vendin e quajtur Patisia. Shenjtorja bashkë me motrat e tjera bënë një agripni për Shën Dhionis Aeropagjitin. Ditën tjetër kremtohej kujtimi i tij. Pesë prej osmanëve u ngjitën nga muri i jashtëm dhe hynë brenda në oborr. Hynë në kishë, ku kapën Shenjtorë dhe e fshikulluan dhe e lanë gjysmë të vdekur jashtë manastirit të saj.
Jashtë kishës, në të djathtë të hyrjes së saj, ruhet kollona, ku Filothei u lidh dhe u fshikullua. Murgeshat e tjera ishin në vendin e fshehtë Kalogreza. Aty Filothei e plagosur ndërron jetë më 19 Shkurt 1589.
20 ditë pas fjetjes së Shenjtores, varri i saj lëshonte erë të mirë. Madje edhe pas një viti kur u bë transferimi, lipsani i saj i shenjtë u gjend i paprishur. Lipsani i saj i shenjtë gjendet sot në Kishën Metropolitane të Athinës.
Shën Nikita Arvaniti, Martiri i ri
Hieromartiri i shenjtë Nikita lindi mes viteve 1760-1770 dhe ishte me origjinë nga Epiri ose Shqipëria e sotme. Disa autorë të tjerë mendojnë se Shenjti ishte me origjinë nga Trapezunda e Pondit, prej zonës së Lazon. Ky mendim mbështetet kryesisht në Shërbesën e Ajananitëve, që është shkruar rreth viteve 1840-1850 prej murgut Jakov të Skitit të Ri. Në këtë shërbesë tregohet se Shenjti ishte me origjinë nga zona Lazon e Pondit, por edhe në arkën e lipsaneve të Shenjtit shkruhet: “Të Hieromartirit të Shenjtë, Nikita të Lazos”. Për prindërit dhe për të afërmit e Shenjtit nuk dimë ndonjë gjë të rëndësishme. Dimë vetëm se ishin të krishterë të fshehtë (kriptokristianë).
Nga teksti i martirizimit të tij nuk na bëhet e ditur nëse në fillim të jetës mohoi Krishtin dhe u bë myslyman në Seres. Megjithatë flitet për rrethprerjen që ka pësuar shenjtori.
Shenjti u bë murg dhe jetoi në Skitin e Shën Anës në Malin e Shenjtë. Aty filloi përpjekjet shpirtërore duke jetuar me kreshmë, agripni dhe lutje. Më pas u hierotonis dhjakon dhe presviter në manastirin e Shën Pandeleimonit, të quajtur manastir rus. I pushtuar prej dëshirës për martirizim lëvizte rreth zonave të Seresit dhe të Dramës dhe predikonte para myslimanëve Krishtin si Perëndi të vërtetë. Vendimi i tij ishte që të derdhte gjakun e tij për dashurinë e Jisuit të ëmbël.
Shën Nikita u rrëfye tek hieromonaku Kostandin i metoqit të së Tërëshenjtës së Iliokalis dhe më pas mori edhe Misteret e Shenjta. Pasi kaloi prej kishës së Shën Gjergjit, shkoi më pas në xhaminë e Ahmet Pashës. Në atë xhami qëndronte një mësues i myslimanëve bashkë me disa nxënës së tij. Njëri nga këta nxënës ishte i çalë në të dyja këmbët. Shën Nikita i tha se do ta shëronte po të besonte tek Krishti.
Myslimani i ri i tregoi menjëherë mësuesit të tij fjalën që i tha Shenjti. Kështu Shenjti arrestohet dhe sillet tek vojvoda i Seresit, i cili urdhëroi që ta futnin në burg. Gjatë kohës së burgosjes së tij, Shenjti vuajti shumë tortura të frikshme. Gjatë mbrëmjes së të Shtunës së Madhe të vitit 1808, Isuf beu urdhëroi që të ekzekutohej vendimi për vdekjen e Shën Nikitës, të cilin e varën në vendin e quajtur Xeriah Pazar. Pranë vendit të martirizimit të tij ishte edhe Kisha e Kryeëngjëllit Mihail. Natën e martirizimit dhjaku i kishës doli nga qelia e tij dhe pa një dritë të madhe që të ndriçonte në të gjithë zonën rrotull. Lipsani i Martirit qëndroi i varur për tre ditë. Të Martën e Ndritshme, në mbrëmje, u dha tek të krishterët leja që ta merrnin lipsanin dhe ta varrosnin në kishën e Shën Nikollës në Seres.
Shenjti, në vendin e martirizimit të tij, në Seres, nderohet si mbrojtës i qytetit. Kremtohet në mënyrë panigjirike edhe të Dielën e Thomait.
Oshënar Agapiti, Omologjet dhe Çudibërës, Episkop i Sinaut
Oshënar Agapiti ishte me origjinë nga Kapadhokia dhe
lindi prej prindërish besëmirë dhe Perëndidashës. Jetoi gjatë kohës së
perandorit Dioklecian (284-305) dhe Maksimian (285-305). Në moshë të re shkoi
tek manastiri në Sinao dhe u qeth murg. Igumeni
e donte shumë, për shkak të jetës së tij të vyrtytshme dhe i mësoi edhe
shkronjat e shenjta. Mori prej Perëndisë edhe dhuntinë e mrekullive. Me anë të
lutjes vrau një dragua të madh, që shfaqej pranë manastirit dhe zhdukte njerëz
dhe kafshë.
Më pas, në kohën e perandorit Licin (308-323), Oshënar Agapiti u rekrutua në ushtri. Aty pa sesi torturoheshin për besimin e tyre tek Krishti Martirët bukurmundës Viktori, Dhorotheu, Theodhuli, Agripa dhe shumë të tjerë. Menjëherë donte që edhe ai të merrte pjesë në martirizimin e tyre. Dhe ndërsa ata mbaruan për Krishtin me shpatë, ai shpëtoi shëndoshë e mirë me ekonominë e Perëndisë, edhe pse e goditën me shtizë, që të drejtonte shumë të tjerë në shpëtim.
Pas shërbimit ushtarak dhe kur tashmë perandor ishte Kostandini i Madh (324-337), Shën Agapiti u dha pas studimit të Ungjillit të Shenjtë dhe Episkopi i qytetit të Sinaut e hierotonisi Presviter. Pas fjetjes së Episkopit të tij dhe pas vendimit të përbashkët të klerit dhe popullit, u zgjodh Episkop.
Oshënar Agapiti pasi luftoi në mënyrë të pëlqyeshme për Perëndinë, fjeti me paqe.
Shën Mihail Mavroidhis nga Adrianopoja : 17 Shkurt
Neomartiri i Shenjtë Mihail ishte me origjinë nga
Adrianopoja dhe ishte ndër banorët e saj të shquar dhe të pasur. U denoncua
padrejtësisht tek kadiu i Ardianopojës prej disa fanatikëve myslimanë, sikur ai
kishte përbuzur emrin e Perëndisë së tyre. Kadiu, që njihte ndershmërinë e
Shenjtit, e liroi atë, por shpifësit e kërcënuan kadiun se do ta paditnin tek
Sulltani. Kadiu u tremb dhe urdhëroi që Shenjtin ta burgosnin. Paralelisht
njoftoi edhe Sulltanin për ngjarjen që kishte ndodhur dhe priti urdhërat e tij.
Urdhëri ishte i qartë: ose të mohonte besimin e tij atëror ose të digjej i
gjallë. Megjithë premtimet dhe kërcënimet Martiri qëndroi i patundur në besimin
e tij tek Krishti, për këtë arsye atij i’u pre koka në vitin 1490.
Shën Nikodhim Agjioriti e quan Martirin Mavrudhi dhe e shënon kujtimin e tij më 10 Mars, ndërsa Kodiku Jeshil e quan atë Mavroidhi dhe e shënon kujtimin e tij më 17Shkurt. Sofron Estrartiadhis thekson se tjetër është Neomartiri i Shenjtë Mihail nga Adrianopoja dhe tjetër është Neomartiri i Shenjtë Mihail Mavrudhi, që ishte me origjinë nga Granica e Evritanisë dhe kremtohet më 21 Mars. Hulumtimet e fundit sugjerojnë se nuk bëhet fjalë për të njëjtin person, por për dy shenjtorë të veçantë.
Shën Theodhor Bizantini, Martir i ri : 17 Shkurt
Neomartiri i shenjtë Theodhor ishte me origjinë nga Neohori i Kostandinopojës. Prindërit e tij ishin Haxhi-Anastasi dhe Smaragdhoja dhe vëllezërit e tij ishin Andoni dhe Gjergji, anagnost i Kishës së Madhe dhe më pas Mitropolit i Adrianopojës me emrin Grigor (1830-1840).
Theodhori ishte zograf. Myslimanët u munduan që ta tërhiqnin në fenë myslymane dhe ia arritën. Por shenjti më vonë u pendua për këtë veprim. Kështu shkoi në Kio dhe qëndroi pranë një ati shpirtëror, Shën Makario Notara (17 Prill). Aty çdo ditë studionte martirizimet e Shenjtorëve si edhe libra të dobishëm për shpirtin. Nga dita në ditë rritej brenda tij dëshira për martirizim. Kështu arriti në Mitilini, ku para krerëve pohoi besimin e tij tek Krishti dhe dënoi fenë myslimane. Shën Theodhori burgoset dhe vuan prej torturave, dhe shumë martirizimeve çnjerëzore. I lidhën këmbët në dru dhe i shkuan në fyt një zinxhir të rëndë. I mbështollën kokën me një litar dhe i vunë dy copa tullash. Pastaj me një shkop ia shtrënguan kokën aq fort, sa sytë i dolën nga vendi. Por ushtari i Krishtit thoshte: “I krishter, i krishter, i krishter jam”.
Në mëngjesin e së shtunës, Shenjti i kërkoi një shërbëtori të krishterë mjete që t’i shkruante Episkopit, që t’i dërgonte Kungatën Hyjnore. Pasi u kungua me Misteret e Shenjta e çuan tek vendi i ekzekutimit, ku vraponte me dëshirë të madhe. Aty vdiq me varje në vitin 1774 (ose sipas të tjerëve në 1795).
Pas tre ditësh të krishterët morën lipsanin e shenjtë të tij dhe e varrosën në pjesën jugore të kishës së të Tërëshenjtës së Krisomalusas. Në vitin 1798 lipsani i shenjtë i Martirit u zhvarros dhe u transferua në Kishën metropolitane të Mitilinit.
Shën Joan Kulakiotis nga Selaniku : 15 Shkurt
Shën Damian murgu : 14 Shkurt
Shën Damiani lindi në fshatin Mirihovo Agrafon (sot Agia Triadha) rreth vitit 1510 prej prindërish besëmirë. Që prej fëmijërisë deshi jetën murgjërore dëshironte që të vishte skimën ëngjëllore të murgut. Kështu la vendlindjen e tij dhe shkoi në Malin e Shenjtë.
Pas pak kohësh largohet nga manastiri për të murgëruar në një vend asketik që të përkushtohej më shumë në lutje. Shkoi, pra, pranë një asketi që e quanin Dometio. Qëndroi pranë tij për rreth 3 vite dhe murgu Damian përparoi në të gjitha vyrtytet dhe të mirat shpirtërore. Madje, u denjësua që një herë të dëgjonte edhe zërin e Zotit që thoshte: “Damian, nuk duhet që të kërkosh vetëm interesin tënd shpirtëror, por edhe të të tjerëve”.
Pas kësaj ngjarjeje Murgu Damian braktis Malin e Shenjtë dhe shkon në zonën e Olimpit. Aty predikoi fjalën e Perëndisë, motivonte të krishterët për t’u penduar, të largohen prej padrejtësive dhe të këqijave dhe i nxiste që të zbatonin vullnetin e Perëndisë. Por predikimi i tij shqetësonte disa, të cilët e akuzuan sikur ishte mashtrues. Oshënari nuk ju dha rëndësi këtyre akuzave dhe shkon në zonën e Larisas dhe të Kisavut. Më pas shkon në Agrafa. Aty në vendin e quajtur Karica Dhoplon ndërton manastirin e së Tërëshenjtës Pelekitis, që ishte edhe pikënisja e misioneve të tij hierapostolike. Ai në thelb rinovoi manastirin që kishte pësuar një shkatërrim të madh dhe kështu kaloi në vetëdijen e popullit të Perëndisë si ndërtuesi i tij. Për fat të keq njerëzit e pabesë edhe aty e akuzuan si mashtrues dhe pseudo murg. Në këtë mënyë largohet prej andej dhe shkon në Kisavo, ku ndërton një manastir të ri për nder të Shën Joan Pararendësit. Shumë besimtar e vizitonin, që të dëgjonin predikimin e tij dhe këshillat e tij shpirtërore.
Njëherë Damiani shkoi për disa punë të manastirit në fshatin Vulgarini. Aty arrestohet prej kadiut osman të Larisës, me akuzën se pengonte blerjen dhe shitjen e mallrave të dielave dhe u kërkonte grekëve që të qëndronin të palëkundur në besimin e tyre.
E futën në burg dhe e torturuan. I lidhën këmbët dhe qafën me zinxhirë të rëndë dhe e kërcënuan për jetën e tij. Por më kot. Shenjti pohon besimin e tij tek Krishti dhe kadiu urdhëron vrasjen e tij dhe më pas ta hidhnin në zjarr. Ushtarët e morën dhe e goditën fuqishëm në kokë me sëpatë. Shenjtori, gjysmë i vdekur siç ishte, ra në tokë. Pastaj u hodh në furrën e zjarrit dhe çfarë kishte mbetur nga lipsani i tij i shenjtë u hodh në lumin Pinios.
Martiri Oshënar Damian mori kurorën e martirit në vitin 1568.
Shënim: Shën Nikodhim Agjioriti, ndoshta gabimisht, tregon si datë të martirizimit të tij, 23 Shkurtin.
Shën Gjergj Paizoni, Martiri i ri nga Mitilini
Neomartiri i shenjtë Gjergj, i quajtur Paizona, lindi në fshatin Plaja të Plomariut në ishullin Lesbo. Ishte rrobaqepës në profesion dhe u martirizua në Kostandinopojë në vitin 1693, pasi pohoi besimin e tij tek Krishti dhe nuk deshi që të ndryshonte besimin e tij.
Shën Nikolla, Martir i ri
Martiri i ri Nikolla ishte me origjinë nga fashti
Psari i Korinthisë. Prindërit e tij quheshin Joan dhe Kali dhe ishin besëmirë
dhe Perëndidashës.
Shenjti, në moshën 12 vjeçare, ngeli jetim nga i ati. Kështu shkoi në Silivri, ku më pas u martua dhe bëri fëmijë. Prej andej shkoi në Kostandinopojë dhe ushtronte profesionin e shitësit shëtitës.
U akuzua prej bashkëpunëtorëve të tij agarinë sikur kishte ofenduar fenë e Muhamedit. Për këtë arsye arrestohet, gjatë kohës së sulltan Sulejmanit I (1520-1566) dhe çohet tek kadiu. Shën Nikolla pohoi besimin e tij tek Krishti dhe e quajti mashtrim fenë e osmanëve. Ai nuk u nënshtrua para joshjeve dhe torturave. Kështu fillimisht e hodhën në zjarr dhe më pas i prenë kokën. Ishte vitin 1554.
Shërbesa e martirit u shkrua prej Hieromonakut Damaskin, Episkopit të ardhshëm të Litis dhe Rendhinis.
Shën Kristo Kopshtari : 12 Shkurt
Martiri i ri Kristo ishte me origjinë nga Shqipëria. Për këtë arsye njihet edhe me mbiemrin “Arvaniti”. Jeta e tij deri në moshën 40 vjeçare është e panjohur. Në një moshë të pjekur u largua nga fshati i tij dhe shkoi në Kostandinopojë, ku punonte si koshptar. Një ditë shkoi në treg që të shiste mollë. Aty u gjend edhe një myslyman, i cili dëshironte që të blinte mollë. Pasi nuk ranë dakort për çmimin, u grindën me fjalë dhe Shenjti u largua pa ja shitur mollët myslymanit. Për t’u hakmarrë myslymani shpifi tek kadiu sikur Kristo dikur kishte premtuar se do të bëhej myslyman por tani ngurron dhe e mohon këtë gjë.
Shenjti kapet dhe çohet në gjykatë, ku pohon se është i krishter dhe se nuk do ta mohojë Orthodhoksinë sado tortura që t’i bëjnë. Kadiu i egërsuar nga këmbëngulja e Shenjtit në besimin orthodhoks urdhëroi që ta kamxhikonin për shumë kohë. Trupi i martirit u mbush me plagë. Pas kamxhikimeve e mbyllën në burg dhe i lidhën këmbët në një dru torturues.
Dhimbja ishte e madhe. Por më i madh ishte besimi i shenjtit, i cili i konsideronte torturat si një nder të veçantë nga Perëndia dhe për këtë arsye papushim lavdëronte emrin e ëmbël të Krishtit.
Brenda në burg ishte edhe murgu i njohur Qesar Dapontes nga Skopelo, që shkroi edhe për martirizimin e Shenjtit. Dapontja duke parë gjendjen e Martirit u përpoq fshehtazi dhe zgjidhi këmbët e shenjtit nga druri dhe i solli ushqim që të merrte fuqi. Por Martiri e refuzoi duke thënë se preferon që për Krishtin të vdesë i uritur dhe i etur.
Kadiu, pasi u bind se Shenjti as nuk e diskutonte ndryshimin e besimit, urdhëroi që t’i prisnin kokën. Ai i dha Dapontes gurin ku mprehte thikat, i cili varej në rripin e tij, duke i kërkuar ta shiste dhe, me paratë që do të merrte, të bënte disa Liturgji në kujtim të tij. Më 12 Shkurt 1748 Kristos së lumur i’u pre koka dhe shpirti i tij u ngjit tek Krishti i ëmbël, që Shenjti kaq shumë e deshi.
Shën Gjergji, Martiri i ri nga Kratova : 11 Shkurt
Neomartiri i shenjtë Gjergj lindi në qytetin Kratova të Serbisë prej prindërve besëmirë Dhimitrit dhe Sarës. Që në moshë të vogël u dha pas studimit të fjalës hyjnore dhe më pas mësoi edhe artin e argjendarit. Humbi babain e tij në një moshë të re dhe duke pasur frikë se mos, për shkak të bukurisë së tij, ai do të rrëmbehej në oborrin e Sulltan Bajazitit II (1481 - 1512), shkoi në Bullgari dhe qëndroi në Sofie pranë një prifti që quhej Petro. Ai prift i dha atij çdo mjet për të mësuar shkrimet e shenjta. Dhe kështu shenjtori jetoi një jetë asketike dhe të pëlqyeshme nga Perëndia.
Osmanët u munduan që ta islamizonin dhe për këtë arsye rekrutuan një mësues myslyman me përvojë, i cili për t’ju afruar Gjergjit i ofroi atij ar për të bërë bizhuteri. Dhe në kontakt me të Gjergji i tregoi se besimi i vetëm i vërtetë ishte besimi i Krishterë, ndërsa feja myslymane ishte një mashtrim. Për këtë arsye ai u soll para kadiut. Me gjithë joshjet, premtimet dhe kërcënimet, Martiri qëndroi i patundur në besimin e tij. Prifti Petro e vizitoi në burg, e puthi dhe i tha: “Gëzohu Gjergj, ti sot lavdërove Krishtin, siç bëri dikur edhe martiri i parë Stefan, dhe si Stefani i ri në kohën e Ikonoklastisë dhe shumë Shenjtorë të tjerë”. Pas këtyre Shenjti u çua përsëri përpara kadiut, i cili i premtoi se do ta birësonte dhe do t’i falte pasuri dhe lavdi të pafundme, nëse do të mohonte Krishtin. Shenjti përsëri tregoi predispozitën e tij për t’u martirizuar dhe pohoi Krishtin. Atëherë kadiu, duke iu nënshtruar presioneve të turmës, ia dha Martirin turmës së tërbuar, e cila e lidhi dhe e zvarriti nëpër rrugët e qytetit. Kështu Shën Gjergji u tregua si Martir i Besimit dhe vdiq nga zjarri në vitin 1515, në Sofie të Bullgarisë.
Oshënar Prohori nga Rusia : 10 Shkurt
Oshënar Prohori ishte me origjinë nga Smolensku i Rusisë dhe ndoqi jetën murgjërore duke u bërë murg në manastirin e Shpellave të Kievit prej igumenit Joan, i cili ndjeu zellin e Prohorit. Oshënari ushtrohej me rreptësi të madhe dhe me saktësi në parimet e jetës murgjërore. Ajo që e dallonte ishte kreshma. Asnjëherë nuk shijoi ndonjë ushqim tjetër përveç ujit dhe bukës së bërë nga një bimë e hidhur ruse e quajtur “lebenta”. Për këtë arsye quhet edhe “Lebentotis”. Dhe Perëndia i Shenjtë, që pa asketizmin dhe dashurinë e Oshënarit, bimën e hidhur e bëri të ëmbël.
Vitet në të cilat jetoi Oshënari ishin të vështira për Rusinë dhe për popullin e saj. Trazirat e luftërave sollën zi buke. Vdekja kërcënoi popullin e Kievit. Oshënari, pa u lodhur, mblidhte bimën e hidhur “lebenta” dhe çdo ditë përgatiste bukë dhe ua shpërndante vëllezërve të tij të uritur. Disa donin të imitonin Oshënarin dhe të bënin bukën e tyre nga kjo bimë e hidhur. Por ishte e pamundur që të hahej sepse ishte shumë e hidhur. Atëherë kuptuan se diçka e mrekullueshme ndodhte me asketin e shenjtë, i cili e kryente këtë punë me Hirin e Perëndisë.
Në kohën e Oshënarit ndodhi edhe lufta civile ndërmjet hegjemonit Mihail Sviatopolk dhe princave të qyteteve Vladimir dhe Peremislsk. Kievi përsëri vuajti nga ushqimet dhe problemi u zmadhua kur ndaloi së paturi kripë. Atëherë Oshënari mblodhi të gjithë hirin nga qelitë e murgjërve dhe filloi që të lutej. Hiri u bë kripë, të cilën Oshënari e shpërndante dhe nuk mbaronte kurrë.
Më pas tregtarët u ankuan te sundimtari mizor Mihail Sviatopolk, i cili urdhëroi që kripa të çohej në oborr për t'u shitur. Atëherë kripa u bë përsëri hi dhe e vërteta u zbulua, që të lavdërohej Emri i Perëndisë. Hegjemoni, i dërrmuar, shkoi në manastirin e Shpellave dhe me përulësi i’u afrua Oshënarit, i cili profetizoi edhe fitoren e hegjemonit kundër Poloftsonëve.
Oshënar Prohori fjeti me paqe në vitin 1107. Hegjemoni Mihail e varrosi trupin e Oshënarit pranë manastirit të Shën Andonit të Shpellave.